Timo
Mërkuri
NJË POEZI HYMN PËR DASHURINË E NËNËS
I-Leximi
i poezisë "Jam nënë" e Albina Idrizit më mahniti qysh në vargjet e
para me diapazonin e gjerë e të thellë shpirtëror të tyre ku emocionet shfaqen
në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të sinqertë. Idrizi ka zgjedhur të përdorë
vargje të thjeshta për të shprehur ndjenjat e nënës ndaj të birit pa kërkuar
ndihmën e fjalëve të komplikuara apo metaforave të ngarkuara, duke i dhënë në
këtë mënyrë një ndjenjë sinqeriteti e natyrëshmërie poezisë.
Dashuria,
dhimshuria, përkujdesi e sakrifica e nënës për fëmijën e saj janë tiparet
kryesore të portretit shpirtëror të nënës, vijëzuar nga Idrizi në këtë poezi,
ku heroina shpreh me pasion dashurinë e saj të thellë për birin dhe
përgjegjësinë që ka ndaj tij, portret
ndjenjash që përfshin të gjitha
aspektet dhe elementët poetikë, duke
treguar se marrëdhënia nëne-fëmijë është një lidhje e pazgjidhëshme dhe
e pazëvendësueshme, e farkëtuar me dashuri.
Kjo
poezi na tregon se emocionet e thella dhe pasionante janë të komunikueshme me
fjalë të thjeshta dhe se thellësia e ndjenjave shpirtërore mund të përjetohet
më mirë kur ato shprehen në një mënyrë të drejtëpërdrejtë dhe fine. Poetja
përdor fjalë që burojnë lirshëm nga shpirti dhe rrjedhin të qarta në vargje për
të shprehur ndjenjat e një nëne të përkushtuar ndaj fëmijës së saj. Shikoni me
sa elegancë dhe finesë shkruan autorja, shikoni sa shkurt dhe qartë i
shpreh këto ndjenja, të cilat për ti
analizuar na duhen faqe të tëra. Poezia është të shprehurit lakonik dhe me art
të filozofisë së ndjenjave, dhe në rastin e shprehjes nga nënat për bijtë e
tyre: edhe lakonizmi është i tepërt, pasi mjafton imazhi i një shikimi të
nënës. E parë në këtë këndvështrim themi se kjo poezi është një portret fin i
ndjenjave të një nëne që shfaq dashurinë
e thellë dhe përgjegjësinë ndaj fëmijës
së saj në situata të tensionuara dhe bën që poezia të jetë e ndjeshme dhe e
fuqishme për lexuesin.
Kështu,
ngarkesa shpirtërore e poezisë është më e dukshme në mënyrën se si nëna shpreh
lidhjen e saj me të birin: si një lidhje thellësisht emocionale, e krahasuar me
fuqinë e një perëndie, me dashurinë e një hyjnie, “…kam fuqi / perëndie,/kam
etje, kam dashuri/ hyjnie” dhe me vetmohimin e saj të patundur. Emocionet janë
të pranishme në çdo varg, duke përfshirë gëzimin, dhembjen dhe dëshirën e
thellë për të kujdesur për fëmijën e saj.
Qysh
në leximin e parë të këtyre vargjeve, më vetiu ndër mend se diku e kisha lexuar
frazën: “Kam etje” dhe befas me një tronditje shpirtërore u kujtova se: këto
janë fjalët e fundit të shqiptuara nga Jezu Krishti në kryq, pas të cilave ai
dha frymën e fundit. Kjo është përmendur dhe në Bibël, në Ungjillin e Gjonit,
kapitulli 19/v. 28. Nuk e di pse, por mes vargjeve te Idrizit dhe fjalës së
fundit të Krishtit në kryqëzim shoh një qasje për një etje dashurie, pasi si
Idrizi ashtu dhe Krishti nuk shprehen për etje për ujë. Artistikisht themi se
në vargjet e Idrizit dhe fjalën e Jezu Krishtit në kryq, ka një përshtatje
poetike që mund të shihet në nivelin e ndjenjave dhe simboleve.
Vargjet
e Idrizit shprehin një etje të thellë për dashurinë dhe përjetësinë e lidhjes
ndërmjet nënës dhe biri të saj, madje përdorin fjalë të forta për të shfaqur
ndjenjat e një nëne për fëmijën e saj dhe fuqinë e ndjenjave të saj. Kështu,
nëna nuk ngopet së përqafuari , puthuri dhe ledhatuari fëmijën e saj, ajo ka
një etje të vazhdueshme për ta puthur atë nga droja se(do) e humbë këtë mundësi
më vonë, qoftë dhe kur të rritet fëmija ,Përdorimi i termave si "dashuri
hyjnie", "fuqi perëndie" thekson se këto ndjenja janë mbi
njerëzore, të pazakonshme, janë hyjnore, të perëndishme.
Në
këtë kontekst, duhet shohim momentin e Krishtit në kryq dhe fjalinë "Kam
etje", që të mund të kuptojmë
përshtatjen poetike. Jezusi ishte Bir i Perëndisë në krishtërim dhe kjo
lidhje mes tij e Perëndisë është e jashtëzakonshme, jo vetëm një lidhje mes
Atit dhe Birit.Kujtojmë se Krishti vuajti tre orë në kryq, kohë që
interpretohet (ose Krishti hamendësoi) se Ati i tij, Perëndia e kishte
braktisur në vuajtjen e tij për shlyerjen e mëkatëve njerëzore. Pikërisht pas tre orëve dhimbje e torturim
ai, duke ju drejtuar Atit thirri: Pse më braktise? dhe pastaj tha fjalët “Kam
etje”. Këto fjalë duhen të interpretohen si etja për marrjen e mëshirës dhe
dashurisë hyjnore, si etja për lidhjen me Atin e tij: Perëndinë. Ndërkohë Idrizin, si një nënë e shohim
nëpërmjet proverbit hebraik, ku thuhet se: “Perëndia nga që nuk mund të
ndodhej kudo njëherësh, dërgoi nënat në
botë”, prej n ga nxjerrim përfundimin se: në një mënyrë janë të dy të dërguar
të Zotit: nëna dhe Krishti. Nuk është e rastësishëm që në lutjet tona të krishtera, më së shumti kërkojmë ndihmën e
mbrojtjen e Shën Mërisë, bashkë me të Krishtit, birin e saj. Prandaj, mund të
shprehemi se shihet një përshtatje midis vargjeve të Idrizit dhe momentit të
Jezu Krishtit në kryq në mënyrën se si shprehin ndjenjat e fuqishme dhe etjen
për një lidhje të pazakonshme dhe të thellë: Krishti me Atin -Perëndi dhe nëna
me fëmijën. Qasjen e përforcon edhe përfundimi
pas fjalës “kam etje”, ku Jezu Krishti u ngjit në qiell, pranë Atit të tij
Perëndi, ndërsa Albina Idrizi i shpëtoi dhe i rriti fëmijët e saj në furtunën e
luftës në Kosovë. Sigurisht që Idrizi mund të mos e ketë lexuar Ungjillin sipas
Gjonit, ose ta ketë lexuar, por duke mos u kushtuar rëndësi këtyre fjalëve të
Krishtit në kryq apo ti ketë interpretuar ato si një etje për ujë, siç i kanë
interpretuar dhe shumë jerarkë të kishës dhe të pranishmit në kryqëzim, por me
gjithë atë ajo i ka shprehur në poezinë e saj dhe mendoj se kjo është bërë
instiktivisht, si një poete-nënë, e cila gjithmon është e etur për dashurinë e
fëmijës. Kjo qasje shpreh shenjtërinë e nënës dhe të dashurisë së saj ndaj
fëmijës, ndaj jo më kot poetja përmend : "kam fuqi/perëndie,/kam etje, kam
dashuri/ hyjnie". Sinqerisht është vështirë të krijosh vargje të tilla
poetike,me një qasje shenjtërie, duhet
të jesh një talent i lindur më shumë se i arsimuar.
Duke
e zgjeruar këndvështrimin tonë te tonaliteti i ulët i vargjeve, melodioz, plot
ëmbëlsi e ngrohtësi , poezia të krijon imazhin se ajo është një ninullë që nëna ja këndon birit të saj, madje
kjo ndodh në prag apo gjatë një situate tronditëse. Është pikërisht
melodiciteti i poezisë që të forcon ndjesinë e një ninulle. Qasja për të parë
këtë poezi si një ninull është shumë normale, pasi poezia ka elementë të
ngrohtësisë, të përkushtimit dhe të sakrificës mëmësore, të cilat janë
thelbësore në një ninull dhe pikërisht të shprehurit plot ndjenjë, dashuri e
dhimshuri në një formë përkëdhelie, e cila e shndron tonalitetin e ulët poetik
në melodicitet të ëmbël na qas me ninullat. Përgjithësisht ninullat janë një
rrëfim i melodizuar i nënave mbi djepin e fëmijës dhe shpreh ndjenjat e saj
ndaj tij, gatishmërinë e saj për rritjen dhe mbrojtjen e tij, dëshirën e nënës
që fëmia të rritet si një njeri i shquar dhe për të mundësuar këtë rritje ajo
shprehet e gatëshme edhe për vetsakrifikimin më
të skajshëm. Kjo qasje është shumë e përshtatshme duke parë se poezia
shpreh përkushtimin thelbësor të një nëne ndaj fëmijës së saj. Konceptimi i
qasjes së poezisë me ninullën na ndihmon të shohim me imtësi dashurinë,
ngrohtësinë dhe përkushtimin që nëna
ndjen e shpreh ndaj fëmijës së saj, sidomos në prag apo gjatë situatave të
tensionuara.
Fëmija
e ndjen dashurinë e nënës dhe sigurinë e tij në krahët e saj,por ka raste që ai
ka nevojë ta dëgjojë të shprehur nga nëna me zërin e saj atë dashuri e siguri,
sidomos gjatë situatave tronditëse të përjetuara, ku, pavarësisht se ai nuk e
kupton tekstin, ai e
ndjen te vibracioni i zërit të nënës dashurinë dhe gatishmërinë e saj
për ta mbrojtur, ndaj krijon besimin e tij. Këto ndjenja te poezia janë
shprehur aq bukur e ngrohtë në vargjet e Idrizit sa që ne mendojmë se kjo është
një poezi e krijuar (apo e konceptuar) gjatë periudhës së luftës së Kosovës dhe
se heroina që flet është vetë poetja. Jemi njohur me këtë stil të saj, ku në
vargje është ajo vetë heroina që flet, mendon e ndjen, dhe në këtë rast mund të
shprehemi bindshëm se: delikatesa e vargjeve është delikatesa femërore e
Idrizit, mendimi psikologjik në vargje është psikologjia e saj në jetë, e saj
është fjala e qartë si e prerë derdhur në vargjet e shkurtëra, si dhe ajo
buzëqeshja që regëtin herë mes dy vargjeve e herë midis dy fjalëve është po e
saj, ndaj themi se Albina Idrizi është vetë poezia që ajo krijon. Kjo është
arsyeja që duke lexuar këtë poezi përfytyrojmë poeten Idrizi në një situate
tronditëse duke i kënduar të birit mbi djep si ninullë poezinë e mësipërme.
Njohja e disa situatave jetësore të saj gjatë luftës na e përforcon këtë mendim.
Megjithë atë duhet të themi se ka një ndryshim midis tekstit të kësaj poezie
dhe ninullës, ninullat janë këngë me tekste
shumë të thjeshta, ndërkohë që poezia e Idrizit është një poezi moderne,
por fakti që moderniteti i saj qëndron pikërisht te thjeshtësia e vargjeve dhe
kuptimshmëria e tejdukëshme e tyre, e afron qasjen më tepër.
II-Thamë
se poezia “Jam nënë” përcjell dashuri të jashtëzakonëshme e përkushtim të një
nëne ndaj fëmijës së saj, dashuri thellësisht shpirtërore, që përkufizohet nga
sakrificat dhe guximi për të mbrojtur dhe kujdesur për fëmijën, dhe për këtë
sjellim pasazhin poetik: “kam durim, kam fuqi/perëndie/ kam etje, kam
dashuri/hyjnie”.
Nëna
është e gatshme të sakrifikojë veten dhe të përballojë të gjitha dhimbjet për
të ndihmuar fëmijën në çdo mënyrë. “Jam nënë, dhe/ Mund ta ha veten,/ Mund ta
vjellë,/Mund ta përpijë prapë” shkruan poetja natyrshëm, por ne kujtohemi se e
shprehur në këto përmasa,
vetësakrifikimi i nënës në mbrojtje të fëmijës së saj është hera e parë që e
shohim. Ky aspekt i poezisë përcjell ndjenjat shpirtërore të sakrificës dhe
përkushtimit të nënës dhe ne na krijohet
përshtypja se: nuk e kemi lexuar por e kemi dëgjuar si një betim nëne.
Nëna
është burimi i ngrohtësisë dhe mbështetjes emocionale për fëmijën. Kjo përcjell
një lidhje të thellë shpirterore mes tyre. “Më qeshet kur gëzohesh ti,/Më qahet
kur dëshpërohesh ti,/Më dhemb atje ku lëndohesh ti” lexojmë dhe menjëherë na
lind dëshira që tjua këndojmë si ninull
fëmijëve mbi krye këtë tekst për tu thënë se ne jetojmë për ata dhe nëpërmjet
atyre.
Te
mesazhi: "Se jam nënë, Vetëm se jam nënë" shohim të shprehur me art
se lidhja më e fortë në këtë botë është ajo mes nënës dhe fëmijës. Vargu i
fundit “Biri im” është adresim i përkushtimit, por njëkohësisht edhe një
rikujtesë fëmijës por edhe një dëshmi e fuqisë, dashurisë dhe sakrificës së
nënës për mbrojtjen e tij. Lexojeni këtë poezi dhe thuajuani fëmijëve tuaj, do
ti bëni më të sigurtë në jetë.
III-
Poezia e Idrizit shpreh faktin psikologjik se një nënë është e gatishme për të
sakrifikuar edhe veten në mbrojtje të fëmijës së saj. Kjo është e rëndësishme
në kontekstin e psikologjisë dhe rolit emocional të saj dhe këtë e shohim te
elementet poetikë që tregojnë për këtë:
Poezia
fillon dhe përfundon me fjalën "Biri im!" duke theksuar faktin se
tërë veprimet dhe ndjenjat e nënës janë të përqëndruara në kujdesin, sigurinë
dhe mirëqenien e fëmijës (birit). Ky përqëndrim thekson lidhjen shpirtërore që
një nënë ka me fëmijën dhe gatishmërinë e saj për të bërë çdo gjë për atë. Të
kuptojmë një gjë, gatishmërinë dhe përkushtimin shpirtëror poetja nuk e lidh
me konceptin tradicional të “djalit” të shtëpisë , ajo e mbështet te koncepti “fëmija im”. Cilësimi “Biri im” është një
element personal që ka lidhje me kohën dhe rrethanat e konceptimit të poezisë.
Fraza
"Mund ta ha veten, /Mund ta vjellë,/ Mund ta përpijë prapë", një
metaforë simbolike e hiperbolizuar shpreh gatishmërinë e nënës për të përdorur
çdo mjet e burim të mundshëm për të mbrojtur dhe shpëtuar fëmijën, pavarësisht
nga vuajtjet që mund të përjetojë ajo vetë. Këto vargje përcjellin një imazh të
fuqishëm emocional të një nëne që është e gatshme të sakrifikojë gjithçka për
të mbrojtur dhe kujdesur për fëmijën e saj, duke shprehur një nivel të skajshëm
të përkushtimit dhe dashurisë të nënës
ndaj fëmijës së saj,.
Vargjet "Mund të falë atë /Që nuk falet, /Mund
të marrë atë /Që nuk merret, /Për ty" shfaqin dëshirën e një nëne për tu
kujdesur për fëmijën në çdo rrethanë, madje edhe kur situata është e pamundur,
duke reflektuar edhe faktin psikologjik se një nënë për sigurinë e fëmijës
është gati të falë çdo gjë, madje dhe veten e saj. Për të kuptuar diapazonin e
këtij vargu kujtoni faktin se poetja ka ecur në kufijtë e jetës, nëpër zjarrin
e luftës me fëmijën në djep dhe përsëri është gati të falë ” atë që nuk falet”,
vetëm që fëmijët të jenë të sigurtë. Artistikisht vargjet shprehin një imazh të
thellë emocional të dashurisë shpirtërore të një nëne ndaj fëmijës së saj dhe
dëshirën e saj për të siguruar që fëmija të ketë një jetë të lumtur dhe të
sigurt.
IV-Poezia
"Jam nënë" e Albina Idrizit ka një strukturë të thjeshtë dhe moderne,
ajo përdor elementë të poezisë së lirë e shprehje të thjeshta për të komunikuar
emocionet dhe ndjenjat e thella të një nëne për
fëmijën e saj. Struktura e thjeshtë dhe moderne e kësaj poezie ndihmon
në të ndjerit e thellësisë së ndjenjave të saj, duke e bërë më të qartë dhe më
të prekshme për lexuesin. Kjo poezi shpreh thellësinë e rolit të nënës dhe
emocionet që lidhen me atë rol në një mënyrë të fuqishme dhe të ndjeshme. Disa
elementë të strukturë së kësaj poezie përfshijnë:
Kjo
poezi përdor fraza të shkurtra dhe fjalë të thjeshta për të shfaqur ndjenjat
dhe përkushtimin e një nëne ndaj fëmijës, duke krijuar një strukturë të
thjeshtë dhe të drejtëpërdrejtë, e cila fokusohet te emocionet në poezinë
moderne.
Poezia
nuk ndjek një strukturë të rregullt rime, ajo i lejon poetes të shprehet
lirshëm dhe të fokusohet te ndjenjat dhe mendimet që do të komunikojë. Kjo
është karakteristikë e poezisë së lirë moderne.
Krijimi
poetik fokusohet thelbësisht në emocionet e nënës, ku përfshin dashurinë,
sakrificën, dhimbjen e gëzimin, duke theksuar qëllimin kryesor të saj për të
komunikuar një ndjenjë të thellë dhe për të përcjellë një mesazh emocional,
tipar i poezisë moderne.
Autorja
përdor imazhe dhe përsiatje të thjeshta për të përshkruar rolin dhe ndjenjat e
një nëne, kjo krijon një ndërthurje të thellë midis imazheve të thella
emocionale dhe fjalëve të thjeshta.
Poezia
ndahet në strofa që fokusohen në aspekte të ndryshme të rolit të nënës dhe
ndjenjave të saj, ky qëndrim ndihmon
lexuesin të ndjekë dhe të kuptojë thellësinë e emocioneve të shprehura në
poezi, por së pari kjo strukturë e bën më të dukëshme idenë e poetes në
portretizimin e vlerave shpirtërore të një nëne për birin e saj, duke na dhënë
poetikisht një portret të realizuar si rrallë herë.
V-Figurat
artistike të kësaj poezie i shërbejnë modernitetit poetik të poezisë dhe
shfaqjes dukshëm të portretit shpirtëror të një nëne. Kjo poezi e Idrizit
përdor figura artistike që përcjellin ndjenjat dhe emocionet e thella të një
nëne, si:Metafora:"Mund ta ha veten, Mund ta vjellë, Mund ta përpijë
prapë." (Figurë e sakrificës së thellë). Ky pasazh përdor metaforën e
ngrënies, vjelljes dhe të pirjes së vetvetes , metaforë që tejkalon edhe
vizionet e herëshme të legjendave e miteve për të paraqitur gatishmërinë e saj
për të bërë sakrifica të mëdha për tu kujdesur për fëmijën e saj.
Vargu
"Më qeshet kur gëzohesh ti, Më qahet kur dëshpërohesh ti." është një personifikim i emocioneve që tregon se
ajo, nëna ndjek reagimet e fëmijës ndaj jetës. Kontrasti midis
mundësive"Mund të falë atë Që nuk falet, Mund të marrë atë Që nuk
merret." paraqet fuqinë dhe vendosmërinë e nënës për të arritur atë që
duket e pamundur, si për të falur dhe për
të marrë atë që nuk është e lehtë. Interesant është përdorimi i
anadiplozës:"Jam nënë, dhe / kam durim, kam fuqi/ perëndie / kam etje, kam dashuri / hyjnie." (ku
fillon dhe përfundon me të njëjtat fjalë "Jam nënë" dhe duke përdorur
fjalë të ngjashme në rreshtat e mesit) me të cilën përcjell përsosmërinë dhe
thellësinë e ndjenjave të një nëne për fëmijën e saj.
Ndërsa
imazhet vizuale:"Mund ta ha veten, Mund ta vjellë, Mund ta përpijë
prapë" shfaqin tërësinë e përpjekjeve të
nënës për tu kujdesur për fëmijën, duke krijuar një tablo të forcës dhe
sakrificës së saj.
Pra,
përdorimi i suksesshëm i këtyre figurave artistike i ndihmon poezisë të
përcjellë emocionet dhe mendimet e saj në një mënyrë e ndjeshme, fine dhe
tërheqëse për lexuesin dhe figurat artistike ndihmojnë në krijimin e një imazhi
të thellë të ndjenjave të një nëneje në kohëra të vështira dhe kontribuojnë në
ndikimin emocional të poezisë.
VI-Poezia
"Jam nënë" e Albina Idrizit mund të përshkruhet si një
poezi
simbolike, metaforike, dhe psikologjike, pasi përdor elementë të shumta
simbolike dhe metaforike për të shprehur ndjenjat, emocionet dhe sakrificën e
një nëne në kontekst të luftës dhe vuajtjeve për të mbrojtur fëmijën e saj.
Poezia
përdor simbolin e nënës për të shfaqur figurën e sakrificës, dashurisë dhe
përkushtimit të një nëne ndaj fëmijës së saj, ku nëna simbolizon forcën dhe
guximin për të bërë sakrifica të mëdha për fëmijën.
Disa
vargje përdorin metafora të fuqishme për të paraqitur sakrificën dhe
gatishmërinë e nënës për të mbrojtur fëmijën,psh. "Mund ta ha veten, Mund
ta vjellë, Mund ta përpijë prapë" janë metafora që përshkruajnë sakrificën
e thellë.
Poezia
shpreh ndjenjat dhe emocionet e një nëne, duke përdorur personifikime të
emocioneve si gëzimi dhe dëshpërimi, duke treguar kështu një qasje psikologjike
ndaj roli të nënës në kontekst të vuajtjeve dhe emocioneve të thella.
Për
shkak të përdorimit të shumë simboleve, metaforave dhe fokusit të thellë
psikologjik në ndjenjat dhe emocionet e një nëneje, poezia "Jam nënë"
është një poezi më shumë simbolike, metaforike dhe psikologjike sesa realiste.
Ky stil i poetes ndihmon në thellësinë dhe ndikimin emocional të poezisë dhe e
bën atë të përshtatshme për të shprehur ndjenjat dhe emocionet e një subjekti
të tillë (nënë) të ndjeshëm dhe të thellë.
VI-
Vargu poetik i Idrizit është i pasur me imazhe emocionale dhe metafora që
theksojnë thellësinë e ndjenjave të një nëneje ndaj fëmijës së saj. Kjo poezi
përdor vargun poetik për të shprehur një portret thellësisht emocional të një
nëne dhe rolin e saj të pazëvendësueshëm në jetën e fëmijës.
Thanë
në sipër se vargu poetik i Idrizit në poezinë "Jam nënë" është i
tonalitetit të ulet dhe shpreh emocionet e ndjenjat me një ton të butë, të
thellë, dhe të ndjeshëm, ku poetja përdor një gjuhë të pastër dhe të thjeshtë
për të paraqitur ndjenjat e një nëne ndaj fëmijës së saj, dhe ky tonalitet i
butë është i përshtatshëm për të shprehur përkushtimin dhe dashurinë e nënës.
Ky tonalitet i butë i vargut, i melodizuar dhe i ndjeshëm ndihmon në ndikimin
emocional të poezisë, duke e bërë atë më të prekshme dhe të përshtatshme për të
shprehur thellësinë e ndjenjave të një nëneje në një mënyrë të fuqishme, por të
respektueshme.
Kemi
thënë dhe e ripërsëritim se Albina Idrizi përdor një gjuhë të thjeshtë dhe
fjalë të zakonshme në poezi, por arrin të krijojë një poezi të fuqishme
emocionalisht. Gjuha e poezisë është e pastër dhe e thjeshtë, ku përdorimi i fjalëve të thjeshta dhe të
njohura bën që poezia të jetë e lehtë për të kuptuar dhe për të ndjekur
emocionet. Mungesa e fjalëve të komplikuara ose abstrakte lejon lexuesin të
lidhet më lehtë me poezinë dhe të kapë emocionet e shprehura. Ky faktor (fjalët
e thjeshta dhe gjuha e qartë) e bën poezinë shumë të përshtatshme për një
audiencë të gjerë si dhe që lexuesi të ndjehet i afërt ndaj temës dhe të
identifikohet më lehtë me emocionet dhe detyrat e një nëne.
Megjithë
se fjala e është e thjeshtë, poezia përcjell emocione të thella, ku vetë
përdorimi i fjalëve të njohura e të thjeshta e lejon poeten të përqëndrohet në
shfaqien e emocioneve. Pra, përdorimi i një gjuhe të thjeshtë dhe fjalëve të
zakonshme nuk pengon poezinë për të shprehur fuqinë emocionale, përkundrazi,
bën që poezia të jetë më e prekshme dhe më e përshtatshme për të shfaqur ndjenjat
e thella dhe të kompleksa të një nëne në mënyrë të fuqishme, të prekshme
dhe artistike.
E
parë në këto aspekte kjo poezi moderne e Albina Idrizit është në vetvete një
hymn për dashurinë e nënës ndaj fëmijës.
Sarandë,
më Tetor 2023.
JAM
NËNË
Jam nënë, dhe
kam durim, kam fuqi
perëndie,
kam etje, kam dashuri
hyjnie.
Biri
im!
Jam nënë, dhe
Mund ta ha veten,
Mund ta vjellë,
Mund
ta përpijë prapë.
Biri
im!
Jam nënë, dhe
Më qeshet kur
gëzohesh ti,
Më qahet kur
dëshpërohesh ti,
Më
dhemb atje ku lëndohesh ti.
Biri
im!
Jam nënë, dhe
Mund të falë atë
Që nuk falet,
Mund të marrë atë
Që nuk merret,
Për
ty.
Se jam nënë,
Vetëm
se jam nënë.
Biri
im!
“Dashuruar
me diell” (f. 27).
No comments:
Post a Comment