Timo
Mërkuri
NUMËRAT E DASHURISË TË MUSA
RAMADANIT
Kemi
folur për poezinë e poetit Musa Ramadani
dhe qasjen e saj me rrymën abstrakte në
poezinë moderne, por njohja me poezinë e tij “Dashuria nëpër numra vizuelë”
ishte pëër mua një befasi më vete, pasi kjo poezi eksploron ndjenjat e
dashurisë përmes një strukture numerologjike, ose e thënë ndryshe shpreh udhëtimin
e dashurisë nëpërmjet numrave, duke përdorur ata si simbole dhe metafora për të
shfaqur ndryshimin dhe zhvillimin e marrëdhënies së dashurisë. Kuptimshmëria e
numërave në këtë poezi të Ramadanit realizohet nëpërmjet një lloji të
simbolizmit numerik dhe ndjekjes së një rregulli ose parimi të përdorimit të
tyre nëpër kontekstin e dashurisë. Kështu ndërsa poeti fillon me numërin zero
dhe vazhdon me numra që rriten progresivisht (1, 2, 3, 4, 5...). është pikërisht
kjo rritje graduale që simbolizon një evoluim ose rritje në ndjenjat dhe
përvojat e dashurisë, ku çdo numër ka një kuptim të veçantë në kontekstin e
poezisë. Psh., zero përfaqëson fillimin e gjërave, një boshllëk potencial ku
lind, fillon dashuria, ndërsa numri pesë (5) simbolizon një fazë të rëndësishme
të transformimit dhe zhvillimit të dashurisë. Po kështu numrat që përsëriten në poezi ose janë të
lidhur me njëri-tjetrin në një mënyrë simbolike, psh rrotullimi midis numrave
gjashtë dhe nëntë (6 dhe 9) mund të simbolizojë një lloj ciklit të pafundëm të
dashurisë, një lëvizje që nuk ka fillim e as fund. Çdo numër përshfaq një fazë të
ndryshme ose një aspekt të dashurisë, duke e bërë kështu poezinë të pasur me
metafora dhe simbole që rrisin ndjeshmërinë dhe kuptimshmërinë e saj. Të
kuptohemi, në studimin
e poezisë dhe simbolikës së numrave, nuk ka një rregull apo teori që zbatohet
në mënyrë absolute për të interpretuar kuptimin e tyre. Megjithatë, ka disa
shpjegime dhe koncepte të cilat janë përdorur për të kuptuar rëndësinë e
numrave në kontekstin e poezisë dhe letërsisë në përgjithësi:
Kështu,
duke patur edhe ndihmën e numërologjisë, e cila është një praktikë e vjetër që
përdor numrat për të zbuluar kuptimin e përvojave dhe nddjenjave njerëzore, ku
çdo numër ka një kuptim të veçantë dhe mund të interpretohet në kontekstin e
një personi apo një ngjarjeje të caktuar, në
letërsi, numrat përdoren si simbole për të shprehur ide, ngjarje, ose për të
theksuar karakteristikat e personazheve apo situatave, psh, numri tre mund të
paraqesë një unitet, ndërsa numri shtatë mund të përfaqësojë perfeksionin ose
transcendencën. Sigurisht që kuptimi i numërave mund të ndryshojë në varësi të kontekstit kulturor dhe
histori, psh., në kulturën perëndimore, numri 13 mund të konsiderohet si një
numër i terc, sjell fatkeqësi ndërsa në kulturat e tjera, ai mund të ketë një
kuptim të ndryshëm. Pavarësisht këtyre, interpretimi i numrave në poezi mund të
jetë i ndryshëm nga lexuesit në varësi të perceptimeve të tyre personale,
përvojave dhe kulturës nga vijnë, pavarësisht se ka disa rregulla dhe koncepte
themelore për interpretimin e numrave në poezi dhe letërsi.
Përfundimisht “numerologjia” që shfaqet në poezinë "Dashuria
nëpër numra vizuelë" nga poeti Musa Ramadani nuk është e pakuptimtme,
veçse ka të bëjë me përdorimin e numrave si simbole dhe metafora për të
shprehur ndjenjat dhe përvojat e dashurisë në një mënyrë të fuqishme dhe
simbolike.
I-Në
strukturën e kësaj poezie, numrat shërbejnë si simbole që përfaqësojnë fazat e
ndryshimit dhe evoluimit të dashurisë dhe të zgjerimit të hapësirës së ndjenjave
e ndërgjegjësimin në tekst, ku përkthimi e interpretimi i tyre si simbole
dashurie krijojmë kuptimshmërinë e re, që në këtë poezi, në kontekstin e
dashurisë i përafrohet interpretimit se:
Numëri
“Zero”si fillim përfaqëson nisjen, fillesën e gjërave, një hapësirë boshe, ku
lind, krijohet, formohet dashuria, është fillimi i udhëtimit të dashurisë.
Njëshi
(1) në këtë kontekst, përfaqëson fillimin e individit, ndarjen nga bota e të
pavarurit, por edhe ndjenjat e para të dashurisë. Vargu "Dashuria lëvarej në
Njësh tek ngrihesha mbi kërryle" është një imazh poetik dhe metaforik që
paraqet një gjendje emocionale apo një eksperiencë njerëzore në mënyrë shumë e
bukur dhe simbolike. Fjala
"Njësh" mund të përfaqësojë një ndjenjë të unitetit dhe të qenit të tërësishëm, ndërsa "ngrihesha
mbi kërryle" mund të simbolizojë ngritjen, progresin dhe zhvillimin e një
personi në marrëdhënien e dashurisë, duke sjellur imazhin e një personi që
rritet dhe zhvillohet nëpërmjet dashurisë.
“Dyshi” përfaqson një lidhje përtnerësh, kur
dashuria fillon të pjestohet në dy veta dhe të formohet në mënyrë më komplekse.
Nqse “treshi” paraqet rritjen e marrëdhënies, dy gjysmëharqet e tij sugjerojnë
konfliktet dhe sfidat që përjetojnë partnerët në një marrëdhënie.
Në
numrin “katër” lindin tre "L" vizualisht si shkronja "L", të
cilat përfaqësojnë lidhjen, lëvizjen, dhe lirinë, ndërsa vargu "Dashuria ime në
Pessh u lakua e u përthye si ashti" është një imazh metaforik që shfaq transformimin e ndjenjave të dashurisë në një
gjendje tjetër, të ndryshme, pasi numri
pesë simbolizon një moment tranzicioni, një ndryshim ose fazë të re në
marrëdhënien e dashurisë, pasi është një numër që sjell lëvizje dhe ndryshim.
Ndërmjet
gjashtës (6) dhe nëntës (9), dashuria rrotullohet, pra paraqitet si një lëvizje
rrethore (të 6 të kthyer në 9) që tregon kompleksitetin dhe ndryshimin konstant të ndjenjave. Në poezinë "Dashuria nëpër
numra vizuelë", rrotullimi i numrave është simbol i ndryshimit dhe
paqëndrueshmërisë në marrëdhënie. Numrat 6 dhe 9 rrotullohen dhe vërtiten, duke
paraqitur një ndjenjë të pafundme të lëvizjes dhe ndryshimit të ndjenjave.
Në simbolikën numerike, numri
nëntë është i lidhur me përfundimin, plotësimin dhe përsosmërinë, në kontekstin
e poezisë, numri nëntë mund të paraqesë një fazë përfundimtare të marrëdhënies,
një moment kur gjithçka bëhet e qartë dhe plotësohet.
Shtata
(7): sjell një vijë e cila mund të interpretohet si një lidhje e përhershme
midis dy të dashuruarve, një lidhje që do të mbetet në kujtesën e tyre.
Teta
(8): me dy rrathët e mbyllur mund të paraqesë një unitet të plotë, një lidhje
të përhershme që nuk ka fillim e as fund.
Dhe
dhjeta (10) është përfundimi i një cikli, një fillim i ri që tregon përfundimin
e një periudhe të dashurisë, por edhe fillimin e një tjetre.
Duke
patur parasysh se numerat në matematikë fillojnë me zero dhe vazhdojnë në
pafundësi, përfshirë dhe numrat negative që vijnë nga pafundëesia dhe shkojnë në
pafundësi, kur flasim për numrin dhjetë,
nuk duhet të themi se ai na çon në zero në kuptimin e drejtpërdrejtë të numrit
në matematikë. Në kontekstin e poezisë dhe përdorimit metaforik të numrave,
numri dhjetë mund të simbolizojë një kthesë, një fillim të ri,(pse përbëhet nga
1 dhe 0, interpretimin e të cilëve e pamë më sipër) pra nuk i referohen drejtpërdrejtë zero-s matema-tikore.
Në poezi, numri dhjetë mund të përfaqësojë një pikë kritike, një moment
transformimi, ose një fazë të rëndësishme në zhvillimin e një marrëdhënieje apo
një historie.
Pra,
edhe pse në matematikë numri dhjetë nuk na çon drejtpërdrejtë në zero, në
poezi, ai ka një kuptim simbolik dhe metaforik që përfaqëson një ndryshim, një
fillim të ri, një fazë të re në kontekstin e historisë së poezisë. Ky është një
aspekt i rëndësishëm për të kuptuar më saktësisht përdorimin e numrave në
kontekstin letrar dhe metaforik të
poezisë. Në këtë kontekst, numrat nëntë dhe dhjetë janë simbole që shprehin përfundimin e një faze të marrëdhënies dhe
fillimin e një cikli të ri. Ata kontribuojnë në rrugën e përkryer dhe të
plotësimit të marrëdhënies së dashurisë, duke shtuar hapësirë dhe përmbajtje në
poezinë "Dashuria nëpër numra vizuelë".
Vlen
të theksojmë jashtë numërave se: "Kënga e mjellmës" te
vargu:“Atëherë zu të këndonte Këngën e mjellmës Dashuria” është një metaforë
për harmoninë dhe kënaqësinë që sjell dashuria. Është shfaqur si një imazh i
bukur dhe i gëzueshëm që shfaq ndjenjat e plotësisë dhe lumturisë që vijnë me
një marrëdhënie të qëndrueshme dhe të harmonishme dhe simbolizon një lloj
përqafimi apo pranimi të sinqertë të dashurisë në të gjitha format e saj. Është
si një thirrje që shpreh thelbin e ndjenjave të sinqerta e të përjetshme të
dashurisë.
Referimi
te pleqëria te vargu:” Dashuria
ime gulçonte pleqërisht” simbolizon një maturi të dhimbshme ose një perspektivë
të ndryshuar mbi dashurinë, ndoshta një kujtesë e herëshme që mbetet e gjallë
në kujtesën e autorit.
Interesant
është vargu: "Dashuria
hyri në Dhjetsh me 1 të vogël 0 të madhe" e cila është një shprehje simbolike
që paraqet një moment final në udhëtimin e dashurisë. Shprehja në vetvete ka
një karakter metaforik, ndërsa përmasat e numrave (1) dhe (0) e vogël dhe e
madhe përdoren për të paraqitur disa koncepte thelbësore të dashurisë dhe
përvojës së saj, ku:
Shprehja:"1
të vogël" paraqet numrin (1) si diçka e vogël, e pakët dhe mund të
interpretohet si një fillim modest, një fillim i vogël në raport me gjithësinë
e dhjetës, por gjithashtu mund të përfaqësojë një fillim të vogël, një hap të
vogël drejt misterit dhe thellësive të dashurisë.
Shprehja:"0
të madhe"paraqet numrin (0) si diçka e madhe dhe e plotë, ku numri zero
është simbol i boshllëkut dhe potencialit të pafundëm. Në këtë kontekst, zero
përfaqëson një përmasë të madhe, një potencial të plotë për të filluar një
udhëtim të ri, një fillim me madhështi dhe fuqi, që ka mundësinë për të krijuar
gjithçka.
Për
shkak të këtyre konotacioneve dhe simbolikave të fjalëve "i vogël"
dhe "i madh", përdorimi i tyre paraqet një moment të fillimit të
dashurisë, një moment modest por plotësisht të mbushur me potencial dhe mundësi
të mëdha për zhvillim dhe rritje. Bashkimi i tyre në kontekstin e
"Dhjetësh-it" nënvizon një fillim të përsosur dhe të gjallë për një
udhëtim të madh dhe të pasur emocional.
Kthimi
në Zero dhe Një te vargu :” mes
Zeros e Njëshit” mund të interpretohet si një cikël i fillimit e mbarimit, duke
theksuar që dashuria fillon dhe mbaron gjithmonë, por në çdo fillim ka një
potencial të ri.
Si
përfundim mund të themi se poezia e Musa Ramadani përmes përdorimit të
simboleve numerike, paraqet rrugëtimin e dashurisë si një udhëtim që nis nga
një pikë boshe (moment i rastësishëm) dhe evoluon nëpër ndryshime, sfida dhe
përjetime të ndryshme, duke përfunduar në një cikël të pafundëm që rifillon me
çdo moment të ri dhe përjeton një lloj
përjetshmërie në kujtesën dhe përvojën e personit. Duhet të theksojmë se
interpretimi i numërave dhe
kuptimshmërisë
së vargjevë nuk është statike por
ndryshon sipas lexuesit, kulturës dhe këndvështrimit të tij.
II-
Numrat që përdor Musa Ramadani
në poezinë "Dashuria nëpër numra vizuelë" janë simbole, pasi
përfaqësojnë një ide, koncept, apo realitet të caktuar. Në kulturën tonë, numrat kanë kuptime të
veçanta dhe simbolizojnë ndryshme psh.,
numri një mund të përfaqësojë fillimin, ndërsa numri shtatë mund të përfaqësojë
fatin e mirë. Këto simbole dhe kuptime përforcojnë mesazhin e poezisë, ku
numrat në tërësi përfaqësojnë një gamë të gjerë idesh dhe përvojash në lidhje
me dashurinë dhe jetën. Duhet të kuptojmë se në këtë poezi numrat përfaqësojnë koncepte
të përgjithshme, jo të veçanta dhe përdoren për të paraqitur procesin e
zhvillimit dhe transformimit të dashurisë.
Ndërkohë
që në këtë poezi numrat janë simbole, ata përdoren metaforikisht ku shërbejnë
për të shprehur përvojat dhe ndjenjat që ndodhin e trasformohen nëpër kohë dhe në udhëtimin e dashurisë në
mënyra, që fjalët konvencionale nuk mund të bëjnë. Në poezi, numrat përfaqësojnë
ndryshime dhe zhvillime në marrëdhënien e dashurisë, psh., nisja nga zero shpreh
fillimin e një marrëdhë-nieje të pastër dhe të paformësuar dhe me kalimin e
kohës, numrat rriten e transformohen, tregojnë maturimin dhe ndryshimet në
raportin e dashurisë. Le ti paraqesim me pasazhe vargjesh idetë që shprehëm më
sipër:
Te
vargu:"Dashuria lëvarej në Njësh tek ngrihesha mbi kërryle", simboli është
numri "Njësh" që përfaqëson fillimin dhe përpjekjet e para në një
marrëdhënie dashurie, ndërkohë metafora:
"Lëvarja" e dashurisë është një
imazh i lirë dhe i lehtë, që sugjeron fillimin e një rrugëtimi emocional dhe
romantik.
Te
vargu:"Dashuria u kthye në Tresh mes dy gjysmëharqesh", numri
"Tresh" simbolizon unitetin e harmoninë, "dy gjysmëharqet" mund të
përfaqësojnë dy individe që përpiqen të pajtojnë ndjenjat e tyre, ndërkohë që metafora:
Kthimi i dashurisë në "Tresh" paraqet një fazë ku ndjenjat bëhen më
të qëndrueshme dhe të plotësuara në një lidhje, mirëpo “dashuria që kthehet në Tresh"
paraqet një imazh ashtu si dhe"dy gjysmëharqet".
"Ndërmjet
6 dhe 9 rrotullohej e vërtitej Dashuria" shkruan poeti me simbolet e numërave
të kundërt ( gjashtë dhe nëntë), por këtë e shpreh metaforikisht: “rrotullohej
e vërtitej Dashuria”.
III-Poezia
"Dashuria nëpër numra vizuelë" e poetit Musa Ramadani përkthehet si
një përfaqësim i rrymës moderne në
poezi, pasi shfaq karakteristikat e
modernitetit poetik për arsyen se:
Poezia
eksperimenton me formën dhe strukturën, duke përdorur numra si një mjet për të
organizuar dhe paraqitur përvojat dhe ndjenjat e dashurisë në një mënyrë
innovative, psh."Dashuria hyri në Dhjetsh me 1 të vogël 0 të madhe"ku
eksperimenti me strukturën, është një tipar i rëndësishëm i poezisë moderne.
Numrat
në poezi përdoren metaforikisht për të shprehur ndjenjat dhe përvojat e dashurisë
përveçse si simbole, dhe përdorimi i simbolizmit e metaforës është një nga
karakteristikat kryesore të poezisë moderne, pse e bën më komplekse dhe më thelbësore në
interpretim.
Poezia
shfaqet si lëvizje larg formave tradicionale të poezisë pse përqëndrohet në
eksperimentimin me formën, strukturën dhe përmbajtjen.
Poezia
shfaq një nivel të lartë të ekspresionizmit, duke përdorur imazhe dhe simbole
të forta për të shprehur ndjenjat dhe përvojat e thella njerëzore:
"Dashuria lëvarej në Njësh tek ngrihesha mbi kërryle".
Përdor
abstraksionin dhe simbolizmin për të shprehur mendime, ndjenja dhe emocione, që
janë përtej realitetit fizik, duke krijuar një atmosferë poetike dhe metafizike
psh."Dashuria në Shtatsh fitoi një vijë mu në trup po".
Përdorimi
i imazheve të pasura dhe të ngjashme me vizionet është një element i theksuar i
modernitetit poetik në këtë poezi. Poeti spërdor imazhe të arira për të krijuar
një kuptim përvojë intensive poetike psh: "Dashuria ime në Pessh u lakua e
u përthye si ashti"
Janë
këto elemente që e rendisin poezinë"Dashuria nëpër numra vizuelë" në
kontekstin e rrymës moderne në poezi. Ajo ndjek një qasje të lirë dhe inovative
ndaj formës dhe përmbajtjes, duke e bërë atë një përfaqësuese të larmishme të poezisë
së shekullit të 20-të dhe të poezisë bashkëkohore në përgjithësi.
IV-
Duhet të specifikojmë se përdorimi i kuptimit të numërave në poezinë
"Dashuria nëpër numra vizelë"
të Musa Ramadanit ka një qasje më shumë me rrymën e poezisë moderne që
përdor abstraktin për të shprehur ndjenja dhe ide. Në këtë rast, numërat
përdoren si simbole dhe metafora për të shfaqur marrëdhënien e dashurisë dhe
ndryshimet që përjeton ajo. Kjo nuk është një qasje e zakonshme në poezi, por
është një stil i veçantë që shpesh përdoret për të shprehur emocione dhe përvoja
në një mënyrë që shmang shprehjen e drejtëpërdrejtë dhe kuptimshmërinë e thjeshtë.
Përdorimi
i numerave në poezi mund të quhet si një formë e poezisë simbolike, ku numrat
përfaqësojnë ide dhe ndjenja në mënyrë të koduar, ndërsa shprehja e tyre
metaforikisht e shpie poezinë në shtegun metaforik. Kjo qasje e poezisë shtron
lexuesin për të gjetur kuptime të thella nëpërmjet simboleve dhe metaforave,
duke e bërë atë më shumë se thjesht një rrëfim linear, prandaj stili i
përdorimit të numërave në këtë poezi të Ramadanit mund të shihet si një formë e
poezisë moderne e rrymës abstrakte, që shpreh ndjenjat dhe idetë në një mënyrë
që lë shumë hapësirë për interpretim. Përdorimi i numerave ka një qasje
abstrakte, duke i përdorur ata si simbole që përfaqësojnë ndjenjat, përvojat
dhe rrugën e ndryshueshme të marrëdhënies së dashurisë. Në këtë mënyrë, poezia
shfaq një lloj lirizmi dhe transparence, duke lejuar lexuesin të përcjellë një
përvojë të re shpirtërore.
Prandaj,
ky stil poezie mund të konsiderohet si një mënyrë e re dhe inovative për të
shprehur ndjenjat dhe përvojat njerëzore në mënyrë të ndjeshme, ai sjell një dimension shtesë dhe
kompleksitet në poezinë moderne.
Realisht
përdorimi i numerave në poezinë "Dashuria nëpër numra vizuelë" shërben
edhe si mënyrë për të krijuar ndjenjën e misterit poetik, duke e bërë atë më
intriguese dhe tërheqëse për lexuesin. Misteri qëndron në faktin se numrat
përdoren si shenja të koduara që kërkojnë të dekodohen dhe të interpretohen,
duke e lënë hapësirë për shumëllojshmëri kuptimesh dhe interpretimesh. Kështu,
përdorimi i numerave shtron një sfidë për lexuesin për të kuptuar dhe për të
lidhur pjesët e ndryshme të poezisë në një pikturë të plotë. Kjo mund të
interpretohet si një thirrje për të eksploruar ghjeografinë e marrëdhënies së
dashurisë dhe për të zbuluar kuptime të reja që mund të qëndrojnë pas pamjes së
jashtëme të poezisë dhe jo për të zbërthyer misticizimin poetik, të cilin
realisht Ramadani nuk e ka si qëllim.
V-Ndoshta
dhe për këtë arsye poezinë "Dashuria nëpër numra vizuelë" të Musa
Ramadani duhet ta shohim në dimensionet që interpretohen nga një perspektivë
filozofike, pasi shfaq elemente që mund të lidhen me temat dhe aspektet
filozofike, duke reflektuar përvojën dhe kuptimin e dashurisë në një mënyrë
ndryshe.
Në
këtë poezi, numrat dhe ndryshimet që paraqiten përfaqësojnë një rrugë të
pashmangshme të ndryshimit dhe zhvillimit e cila mund të interpretohet në
dritën e filozofisë eksistenciale, ku jeta dhe marrëdhëniet shpesh shihen si
një udhëtim i pashmangshëm dhe i paqëndrueshëm.
Në
përdorimin e numrave poezia ka një aspekt të njësimit, pajtimit ku përmes rrugës së ndryshimit e
rrotullimit të numrave, mund të shihet një përfaqësim i procesit të njësimit e
pajtimit me veten dhe me të tjerët (jo vetëm partnerin), një temë që shpesh
luhet në fushën e filozofisë.
Numrat
dhe struktura e tyre në poezi mund të interpretohen në dritën e kohës dhe
eksperiencës njerëzore. Ajo paraqet një rrugë të kohës, me fillimin dhe
përfundimin e një marrëdhënieje, duke reflektuar mbi përvojat dhe ndryshimet që
na formojnë në kohë.
Në
filozofi, numrat (shpesh) janë parë si simbole të strukturës së realitetit dhe
të kuptimit të tij, ndaj përdorimi i tyre në poezi mund të interpretohet si një
përfaqësim i kësaj ideje, duke sugjeruar se ka një rregull dhe një harmoni në
strukturën e dashurisë dhe marrëdhënies njerëzore.
Këto
aspekte filozofike e bëjnë poezinë më shumë se thjeshtë një rrëfim poetik; ajo e çon lexuesin në një
udhëtim reflektimi dhe përmbysjeje të kuptimit të marrëdhënies njerëzore dhe të
gjerësisë së ndjenjave që ajo sjell
VI-Kam
folur për modernitetin e poezisë së poetëve kosovarë dhe për figuracionin e
tyre “të mbyllur” në zbërthyeshmërinë e tij nga censura për tu shpëtuar “rrufeve
zeusiane”, por në rastin e kësaj poezie të Ramadanit “arsyeja” nuk duhet kërkuar
te shmangia nga censura. Arsyeja e vërtetë e këtij stili poetik, ku në modernitetin
e së cilës gërshetohen simbolizmi, metaforizmi, imazhizmi dhe abstraktia duhet
kërkuar te synimi i autorit për ti ngritur krijimet e tij në një kuotë sa më të
lartë, për tu dhënë vargjeve kuptimshmëri dhe interpretim sa më të gjerë dhe
bashkëkohor europian. Poezia është shkruar në vitin 1993 dhe do ishte e natyrëshme
që të shkruante për një temë revolte (psh) në këtë stil për tju shmangur censurës,
por vetë tema dhe mënyra e trajtimit të saj shpalos qëllimin që i ka vënë vetes
autori për të krijuar një poezi të rrafshit europian, duke dhënë sinjalin se në
këtë vend (Kosovë) në këtë kohë, poezia është e kuotave europiane. E parë në këtë
aspekt kuptohet, ndjehet dhe ngjall krenari kjo poezi. Poetët janë të parët që
arrijnë në botë të re.
Sarandë, më shkurt
2024
Musa
Ramadani
DASHURIA
NËPËR NUMRA VIZUELË
Fillimisht isha një Zero ku banonte
Dashuria
Dashuria lëvarej në Njësh tek
ngrihesha mbi kërryle
Pastaj u bëra Dysh e në mua u
pjesëtua Dashuria
Dashuria u kthye në Tresh mes dy
gjysmëharqesh
Kur arrita në Katërsh lindën tri “L”
nga Dashuria
Dashuria ime në Pessh u lakua e u përthye
si ashti
Ndërmjet 6 dhe 9 rrotullohej e
vërtitej Dashuria
Dashuria në Shtatsh fitoi një vijë
mu në trup po
Në numrin Tetsh u mbyllën dy rrathët
e Dashurisë
Dashuria hyri në Dhjetsh me 1 të
vogël 0 të madhe
Atëherë zu të këndonte Këngën e
mjellmës Dashuria
Dashuria ime gulçonte pleqërisht mes
Zeros e Njëshit
/Mars 1993/