IKJA SI TRIUMF I JETËS
Qysh
në leximin e parë e ndjen se poezia "Tuj
ikë dekës" e Donika Dabishevcit është një poezi moderne me
kuptimshmëri të drejtpërdrejtë, por kjo, jo për shkak të dialektit dhe
melodicitetit të saj se sa për aspektin tematik, ideor dhe stilistik , të cilat
bëjnë që ajo duket si një degë lisi epik që është zgjatur në kohën tonë. Për
këtë arsye mendojmë ta nisim analizën tonë te kjo qasje.
I-Së
pari, poezia është shkruar në dialektin gegnisht, ku përdorimi i këtij dialektit
dhe leksiku në poezinë "Tuj ike
dekës" që ndikon në qasjen tonë për të kuptuar lidhjen me epikën e
kreshnikëve, madje ky element gjuhësor krijon një ndjesi të fortë të lidhjes së
kësaj poezie me traditën dhe trashëgiminë kulturore të popullit shqiptar.
Dialekti gegnisht është një nga dialektet më kryesore dhe të përdorura në
literaturën dhe kulturën shqiptare, jo vetëm, por kryesisht në zonat veriore të
Shqipërisë dhe Kosovë, ndaj përdorimi i tij në poezinë "Tuj ike
dekës" mund të lidhet me traditën e epikës kreshnike në këtë zonë. Rrëfimet
dhe legjendat janë krijuar shpesh në dialektet lokale, duke e bërë kështu
tekstin poetik më të afërt me popullin dhe kulturën nga e cila rrëfen, ndaj
mendojmë se dhe përdorimi i këtij dialektit në poezinë "Tuj ike dekës"
të sjell këtë ndjenjë vazhdimësie me epikën dhe lidhjeje me kohën e trashëgimisë
kulturore të epikës kreshnike. Për më tepër, përdorimi i leksikut geg ka sjellë
në poezi detaje të veçanta dhe ngjyra sa lokale, aq dhe historike që forcojnë
autenticitetin dhe i japin poezisë një ndjenjë.
Së
dyti: fakti që "Epi i Kreshnikëve" është shkruar në dialektin gegnisht
dhe ngjarjet e tij zhvillohen (shumica)
në territorin e sotëm të Kosovës është një argument i rëndësishëm për të
vlerësuar lidhjen e poezisë "Tuj ike dekës" me këtë traditë epike në
këto elemente:
-Përdorimi
i dialektit gegnisht në poezinë "Tuj ike dekës" të krijon një ndjesi
të veçantë lidhur me traditën dhe gjuhën e "Eposit të Kreshnikëve"
pse duke ndarë një dialekt të përbashkët, poezia dhe epi kanë vetëdije të përbashkët gjuhësore, që ndihmon
në interpretimin dhe kuptimin e tyre në kontekstin e gjuhës dhe kulturës
shqiptare. Duhet të pohojmë se dialekti gegë është një pasuri e madhe kombëtare
dhe i ka dhënë historikisht një ndikim të paçmueshëm lëvrimit dhe pasurimit të
gjuhës shqipe, duke qënë akoma një degë prurjeshumë e lumit të gjuhës sonë. Më
thellë: dialketi gegë është një krenari kombëtare e lashtësisë së gjuhës dhe
kulturës sonë, është një dëshmi e hershmërisë së etnitetit dhe unitetit të etnitetin tonë kombëtar. Në aspektin
e njohjes së historisë së gjuhës shqipe ky dialekt është “rezervati” kryesor i
dijeve.Kështu, te pasazhet: "Prej
bodrumi n’bodrum, prej katundi n’katund,/prej shtegu n’shteg, qafmalesh,
rranxash, /pjerrinash, rrëpinash t’thyeshme. Sa k’tu sa aty.","Andërrmbytun./
Shpresëvde-kun.","Strajcat n’shpinë, t’vogjlit kalaqafun,/ t’plagosunit
n’lese t’sajueme./ T’lodhun e tangall./ T’uritun, te tanë./Dergjun për nji pikë
ujë." përshkruajnë
thellësinë e vuajtjes dhe ankthit në kontekstin e një realiteti terrori,
ku përdorimi i fjalëve dhe imazheve të
ngjashme me ato të "Eposit të Kreshnikëve" krijojnë një lidhje me
traditën dhe kulturën shqiptare, duke e thelluar kuptimshmërinë e poezisë dhe
të historisë së njëjëshme në epoka të ndryshme.
-Për
shkak të lokalizimit të ngjarjeve të epit në territorin e sotëm të Kosovës,
përdorimi i dialektit geg në poezinë "Tuj ikë dekës" krijon një
lidhje të fortë me kulturën dhe historinë e këtij territori dhe zgjon në
ndërgjegjen e lexuesit kujtime ngjarjesh e vendesh legjendash epike, frymëzuese
për aktualitetin e poezisë. Në traditën shqiptare është e natyrëshme që në luftra të ndryshme sillen në kujtesë heronjtë epik dhe vendet ku
kanë kryer heroizmat. Kështu psh pasazhiqë përmendëm më sipër shpalos imazhe të landscape-it kosovar, duke e
lidhur poezinë ngushtë me territorin dhe kulturën e Kosovës. Kuptimi i shprehjes së “landscape-it
Kosovar” është qëndrimi ose përjetimi ndaj pamjes natyrore dhe mjedisit
gjeografik të Kosovës, ku ky përjetim mund të jetë emocional, estetik, apo edhe
historik në disa raste, duke reflektuar lidhjen dhe ndjenjën e poetes ndaj
peizazhit dhe trashëgimisë natyrore të këtij territori. Në poezinë e Donika Dabishevci, shprehja
e landscape-it kosovar nënvizon lidhjen e poezisë me kulturën dhe historinë e
Kosovës.
-Përdorimi
i dialektit geg në poezinë e Dabishevcit shpreh përkujdesje dhe respekt të
veçantë për trashëgiminë kulturore të popullit shqiptar, duke e lidhur atë me
një nga epokat më të rëndësishme të kulturës dhe letërsisë së tij. Psh, te
vargjet: "Strajcat
n’shpinë, t’vogjlit kalaqafun,/t’plagosunit n’lese t’sajueme/ T’lodhun e
tangall./T’uritun, te tanë./Dergjun për nji pikë ujë."shprehet një lidhje
e ngushtë me traditën dhe kulturën shqiptare, duke e bërë poezinë të reflektojë
një nga epokat më të rëndësishme të letërsisë së saj, atë epike. Përmes
dialektit geg, poezia e Dabishevcit sjell përpara lexuesin pamje autentike të eposit.
Ndaj themi se, përdorimi i këtij dialekti shpreh përkujdesje të veçantë për trashëgiminë
kulturore të popullit shqiptar dhe e lidh poezinë me një prej kohërave më të
rëndësishme të historisë dhe letërsisë së saj.
-Duke
përdorur dialektin geg në poezinë "Tuj ike dekës", lexuesit u jepet
një theks i veçantë lidhur me kontekstin historik dhe kulturor të Kosovës (dhe
zonës së Shqipërisë veriore). Duke qenë se "Epi i Kreshnikëve" shprehet
për ngjarje dhe personazhe që rrëfehen në këto treva, përdorimi i dialektit geg
te poezia e Dabishevcit rrit ndjenjën e përputhshmërisë me trashëgiminë
kulturore të kësaj zone.
-Shqipëria
veriore dhe Kosova janë pjesë e rëndësishme e identitetit kombëtar shqiptar,
ndaj përdorimi i dialektit geg në poezinë "Tuj ike dekës" e cila
lexohet dhe në trevat jugore ndihmon në forcimin e kësaj lidhjeje identitare
dhe në rritjen e kujdesit për trashëgiminë kulturore, duke ndihmuar në ruajtjen dhe promovimin e
kulturës e dialektit geg, duke e bërë atë të ndjehet e rëndësishme për të
gjithë shqiptarët.
-Dhe
së fundi, përdorimi i dialektit geg krijon një lidhje të ngushtë emocionale me
lexuesin, veçanërisht ata që janë të njohur me këtë dialekt, pavarësisht se
mund të jenë lexues që u përkasin trevave
toske. Kjo ndjesi e afërisë mund të ndihmojë në forcimin e ndjenjës së
përgjegjësisë për trashëgiminë kulturore dhe historike të vendit dhe kulturës
shqiptare. Psh., pasazhet: "Janë
shumë. T’panumërueshëm janë./Gjithkah. Gjithkund fmijë, gra e pleq/ n’karvan t’pakthimit.
Humbtinave/ kurrë t’njohuna tamam.","Arnat s’ua mlojnë brinjtë. As
kockat/ Ftyrëzbardhemt. Syzgavruem/ Buzëshkrumbuem. Rrashtëkrisun / T’mavijosun"
dhe "Dielli i përvlon e hana i ngrin./S’dihet ku ju errë nata e ku ju çelë
dita./Për ku ja kanë mësy e ku kanë me mbërri." forcojnë lidhjen emocionale
të lexuesit me poezinë e cila përdor dialektin geg, veçanërisht ata lexues që
janë të njohur me këtë dialekt. Edhe pse lexuesit mund të jenë nga zona toske,
ndjesia e afërisë që krijohet nga përdorimi i dialektit geg mund të ndihmojë në
forcimin e ndjenjës së përgjegjësisë për
trashëgiminë kulturore dhe historike të vendit dhe të kulturës shqiptare. Kjo
afërsi emocionale bën që lexuesit të ndihen të lidhur me identitetin e shprehur
në poezi, duke i shtuar vemëndje përshkrimit të trashëgimisë së tyre kulturore
dhe historike.
Pra,
jo më kot poetja Donika Dabishevci, njohëse dhe zotëruese e shkëlqyer e gjuhës shqipe standarte përdor në këtë poezi
me interes mbarëshqiptar dialektin gegë, që shërben për të tërhequr vëmëndjen e
lexuesve të trevave toske, për të thelluar lidhjen me traditën dhe trashëgiminë
kulturore të epikës kreshnike, për të forcuar identitetin kombëtar dhe
emocional të lexuesve, duke ngjallur një ndjenjë të përbashkët për trashëgiminë
kulturore dhe historike që forcon përvojën e leximit dhe kuptimin e poezisë në
kontekstin e saj më të gjerë.
II-
Edhe pse poezia "Tuj ike dekës" e Donika Dabishevcit është e shkruar
në një kontekst modern, ajo mbart një shumësi elemente tradicionale që shfaqen
si truall e sfond tradicionaliteti në këtë poezi moderne. Disa elemente
tradicionale përdorur në poezinë moderne
të Dabishevcit shfaqen në:
-Edhe
pse poezia është shkruar në një kontekst modern, ajo mund të përdorë motive dhe
simbole të lashta që janë të njohura për kulturën dhe historinë e një vendi.
Për shembull, përdorimi i diellit si një simbol i dritës dhe shpresës është një
motiv i lashtë që shpesh përshkruhet artet gojore epike. Psh.,"Dielli i
përvlon e hana i ngrin" ku, dielli përfaqëson një simbol tradicional të
dritës dhe shpresës, duke i dhënë poezisë një lidhje me motive të njohura në
letërsinë epike.
-Edhe
pse përmbajtja e poezisë është moderne, ajo përdor stil dhe formë që kanë rënjë
në traditën letrare të popullit tonë. Në këtë poezi ka elementë të rregullt
strukturore dhe stilistike që përputhen me traditënpoetike. Psh., "Janë shumë. T’panumërueshëm
janë." vargje që sugjerojnë ndjenjë të skajshmërisë të dhimbjes e
vuajtjes, masën e gjerë njerëzore që i përjeton ato, duke i dhënë poezisë një
lidhje me historinë jo vetëm të epikës sonë por dhe të përvojës së njerëzimit,
psh ikja e hebrenjve nga Egjypti, të ndjekur nga ushtria e faraonit.
-Përdorimi
i gjuhës dhe dialektit gegë në poezi
sjell një ndjesi të tradicionalitetit dhe të lidhjes me kulturën dhe
identitetin e një populli. Duke përdorur dialektin gegë në poezinë "Tuj ikë
dekës", autorja identifikon lidhjen me traditën gjuhësore dhe kulturën
epike shqiptare. Psh.,
vargjet në dialektin
gegë: "Strajcat n’shpinë, t’vogjlit kalaqafun / t’plagosunit n’lese
t’sajueme." sjellin një lidhje të ngushtë me traditën gjuhësore dhe
kulturën e zonës së Shqipërisë veriore dhe Kosovës.
-Në
poezinë moderne, tema e përballjes me fatin dhe vuajtjet e njerëzve është një element
i rëndësishëm që përputhet me traditën e rrëfimeve epiko-lirike. Te poezia e
Dabishevcit kjo temë është e pranishme dhe sjell lidhje me motivet tradicionale
të rrëfimeve epike. Psh te vargjet: "Andërrmbytun./ Shpresëvdekun" përdorim
i fjalëve të përbëra shpreh një temë të përbashkët kohore, të përballjes njerëzore
me fatin, tema që janë motive të pranishme në letërsinë tradicionale.
-Edhe
pse poezia është e shkruar në një kontekst modern, ajo mund të eksplorojë
motive dhe temat e përbashkëta njerëzore që kanë qenë të pranishme në letërsinë
tradicionale. Këto motive e tema, siç janë dashuria, humbja, shpresa, dhe
vuajtjet e jetës, janë përdorur në kontekstin modern, duke i dhënë poezisë një
dimension të lidhur me traditën letrare. Psh: Janë shumë. T’panumërueshëm janë/
Gjithkah. Gjithkund fmijë, gra e pleq/n’karvan t’pakthimit. Humbtinave/ kurrë
t’njohuna tamam” poetja përshkruan një realitet ku njerëzit përballen me
vështirësi të shumta e përndjekje, pra paraqet një përvojë që është e pranishme
në letërsinë tradicionale. Përvoja e përndjekjes, shpresës dhe përballjes me
fatin është e paraqitur nëpërmjet një perspektive moderne, duke e bërë poezinë
të lidhur me traditën letrare.
-Edhe
në poezinë moderne, ka përpjekje për tu lidhur me trashëgiminë kulturore dhe
historike të një populli. Kjo lidhje mund të shprehet nëpërmjet referencave të
subtileve të historisë, mitologjisë, apo traditave folklorike. Në "Tuj ikë
dekës", kjo lidhje shfaqet nëpërmjet përdorimit të motiveve dhe simboleve
me rëndësi historike dhe kulturore për popullin shqiptar. Psh., vargjet:
“Strajcat n’shpinë, t’vogjlit
kalaqafun,/t’plagosunit n’lese t’sajueme./T’lodhun e tangall./T’uritun, te
tanë./Dergjun për nji pikë ujë." shfaqin një pamje të përgjithshme të
vuajtjeve dhe sakrificave të njerëzve, ku përdorimi i elementeve të zakonshme
dhe të përditshme si strajcat në shpinë dhe kërkesa për një pikë ujë e bën këtë
pasazh të lidhet ngushtë me trashëgiminë epike, historike e kulturore të
popullit shqiptar, duke reflektuar një realitet që ka ekzistuar përmes shekujve
dhe që vazhdon të jetë një pjesë e identitetit të tyre kombëtar.
-Edhe
nëse poezia moderne shpesh eksperimenton me forma dhe struktura të ndryshme
letrare, ajo ende mund të respektojë dhe përmbushë disa nga rregullat dhe
konventat e formës letrare tradicionale. Në poezinë e Dabishevcit mund të ketë
një përdorim të strofave, rimeve, apo metaforave, të cilat janë karakteristika
të poezisë tradicionale. Psh., vargjet: "Përpjetë. Tatëpjetë." Ku
paraqitet një përsëritje e fjalëve "përpjetë" dhe
"tatëpjetë", duke ndjekur një strukturë të rregullt. Kjo formë e
përsëritjes është një karakteristikë e zakonshme e poezisë tradicionale, e cila
ka qenë përdorur për të theksuar një ide apo një emocion. Përdorimi i kësaj
forme përsëritjeje në poezinë "Tuj ikë dekës" tregon respekt për
formën dhe strukturën letrare tradicionale, duke e bërë poezinë të përputhet me
konventat dhe normat e poezisë së lashtë.
Këto
elemente tradicionale janë të integruara në poezinë moderne për të krijuar një
lidhje midis kohës së sotme dhe traditës së lashtë, duke e bërë atë të pasurojë
dhe të thellojë përvojën letrare dhe kulturore të lexuesit. Elementet
tradicionale, përkrah të rejave dhe inovacioneve të poezisë moderne, krijojnë
një harmoni dhe një lidhje midis kohës së sotme dhe trashëgimisë kulturore dhe
letrare, duke e bërë poezinë të pasurojë dhe të ndihmojë në ruajtjen e
trashëgimisë letrare të një populli.
Është
pikërisht kjo qasje me epet dhe modernizim i
tradicionalitetit poetik që e bën këtë krijim të Dabishevcit një poezi antologjike
për nga forca me të cilën e shpreh temën dhe shpalos idenë, për stilin dhe
artin me të cilët është shkruar, për “dallgët” e emocioneve që ngre në shpirtin
e lexuesve.
III-Duhet
të theksojmë se poezia "Tuj i ikë dekës" e Dabishevcit është një poezi moderne me tipare të poezisë
metaforike, simbolike, imazhiste dhe realiste e ngritur ne një truall dhe sfond
tradicional. Falë elementëve realist kuptimshmëria tematike dhe ideore është e drejtpërdrejtë,
fakt ky që i jep forcën demaskuese dhe tonalitetin e lartë poezisë, krahas
mbizotërimit të ngjyrave të forta të zezës dhe të kuqes, por duhet të theksojmë
se kjo poezi ka një tipar të fuqishëm moderniteti: ajo flet me imazhe më shumë
se me metafora dhe simbole, madje këto të fundit janë në shërbim të imazhit. Le
të sidisim mënyrën e të “folurit” imazhist të ëpoezisë dhe ndërveprimin mes
simboleve, metaforave dhe imazheve.
-Poezia
përjetohet si një ikje e shpejtë dhe me rrëmujë e një grumbulli njerëzish nën
presionin e terrorit serb dhe frikës së
vdekjes që ata mbartnin. Melodiciteti dhe ndjenja e lëvizjes i japin poezisë
një ndjesi të fuqishme, tronditëse shoqëruar me ankthin për atë që i ndjek pas.
Në qasje me vrapimin e një turme të
ikurishtë terrorizuar, poezia përdor strukturën, ritmin, dhe fjalët për të
shprehur një lëvizje të shpejtë, plot ankth e tension dramatik: "Prej bodrumi
n’bodrum, prej katundi n’katund, prej shtegu n’shteg", por këtë e shpreh
me imazhin e bodrumit, imazhin e katundit dhe atë të shtegut, veçse kjo
shprehet nëpërmjet metaforës kuptimore të vetë vargut. Shpjegojmë se në
kontekstin e vargut "Prej bodrumi n’bodrum, prej katundi n’katund, prej
shtegu n’shteg", metafora është
mënyra e përshkrimit të rrugëtimit ose lëvizjes së vazhdueshme në jetë,
duke e krahasuar atë me një rrugëtim të nxituar, plot ankth që vazhdon pa
pushim. Kjo metaforë shpreh idenë e ripërsëritjes së një eksperience apo një
situate, duke e bërë atë të duket si një lëvizje e përhershme. Kuptimi i kësaj
metaforeje është që jeta është një udhëtim i përhershëm, ku personi ecën prej
një përvoje në një tjetër, nga një kohë në një tjetër, pa ndalim. Përdorimi i
"bodrumit", "katundit", dhe "shtegut" paraqet një
lëvizje të përsëritur dhe të vazhdueshme, duke shfaqur idenë e lëvizjes së
përhershme. Unë ju them se Dabishevci është mjeshtre e përdorimit të detajit, madje
e shpreh atë artistikisht për të dhënë imazhin e kësaj ikjeje.
-Personat e plagosur e të lodhur
poetja i paraqet si një karavan njerëzish, që përjetojnë vuajtje
e dhimbje të shumta: "Janë shumë. T’panumërueshëm janë/ Gjithkah. Gjithkund
fmijë, gra e pleq/ n’karvan t’pakthimit",
që shfaqin imazhet e
një grupi të madh njerëzish (fëmijë, gra, pleq) që ecin "n'karvan
t’pakthimit", por përdorimi i imazheve të fëmijëve, grave dhe pleqve në
"karvanin e pakthimit"
simbolizon një gamë të gjerë përvojash në shoqëri, duke përfaqësuar të
gjitha grupmoshat dhe gjininë. "Karvani i pakthimit" mund të simbolizojë
(veçse ikjen në rastin tonë) edhe lëvizjen e jetës, ku të gjithë janë pjesë e
një udhëtimi të përbashkët drejt një të ardhmeje të panjohur, në kontekstin
tonë: në ikjen nga terrori serb pa një synim të qartë. Paralelisht me sa më
sipër përdorimi i shprehjes "karvan i pakthimit" është një metaforë
që paraqet një lëvizje kolektive, ku ky udhëtim i përbashkët në "karvanin
e pakthimit" mund të jetë metaforë për ngjarjet e përbashkëta të jetës që
të gjithë njerëzit përballen me to. Pra imazhi krijohet nga simbole dhe
metafora dhe në këtë rast, duke forcuar densitetin artistic të poezisë. Nuk e
di pse, por ndërveprimi i metaforës me simbolin në funksion të dritësimit të
imazhit më sjell ndërmend fantashkencën ku dy gurë gjatë afrimit me njeri
tjetrin (nga dikush) shkaktojnë rrymë neuronesh e protonesh dhe prodhojnë dritë
që nxeh gurët dhe mundëson bashkimin fizik të tyre në mënyrë që nuk kuptohet se
kanë qenë dy të ndarë.
-Poetja paraqet imazhe të forta për
të shprehur dhimbjen që përjetojnë të ikurit : "Arnat s’ua mlojnë brinjtë.
As kockat./Ftyrëzbardhemt. Syzgavruem./ Buzëshkrumbuem. Rrashtëkrisun./T’mavijosun".
Imazhi i përdorur në këtë varg është shumë i pasur në detajet që përdor. Ajo që
ky varg paraqet është pamja e njerëzve që janë në një gjendje të vështirë, dhe
shfaq shenjat e plagëve, vuajtjes dhe dëshpërimin. Fraza "Arnat s’ua
mlojnë brinjtë. As kockat." paraqet një gjendje të skajshme të urisë dhe
mungesës së veshjeve. Vargjet: "Ftyrëzbardhemt. Syzgavruem./Buzëshkrumbuem.Rrashtëkrisun
/ T’mavijosun" shfaqin pamjen e
njerëzve të stresuar, të zhgënjyer dhe të goditur. Pasuria e figurave është e madhe: fjala "ftyrrëzbardhemt"
mund të shfaqë fytyrën e të zhgënjyerit, ndërsa "syzgavruem" paraqet
sytë e errët, të lodhur e të futur në zgavra nga uria. "Buzëshkrumbuem"
tregon mungesën e buzëqeshjes ose
shprehjen e zhgënjimit, "Rrashtëkrisun" sugjerojë një pozicion të
mposhtur përballë vështirësive, ndërsa "t’mavijosun" mund të përkthehet
si të rrahur, të godtur.
Imazhet janë fantastike, flasin më
shumë se sa kronikat, mirëpo këto imazhe janë krijuar nga metaforat, psh:
metafora "Ftyrëzbardhemt":
përshkruan fytyrën e një personi të tensionuar emocionalisht, të zbehur nga
frika. Përdorimi i fjalës "bardhëm" në fund të fjalës
"ftyrrë" shpreh një gjendje zbardhjeje nga frika,.
Metafora:"Buzëshkrumbuem",
në këtë rast, "buzët e shkrumbuara" shpreh një gjendje ku personi nuk
ka fuqinë për të buzëqeshur apo të shprehë gëzimin, pasi i është “djegur”
buzëqeshja në fytyrë. Ajo mund të shpjegohet edhe me buzë të plasura nga
temperature e lartë që ka personi nga një sëmundje që po përjeton. Paralelisht
kjo është simbol i mungesës së gëzimit e
optimizmit. "Rrashtëkrisun" është një metaforë që shfaq një pozicion
të personit para vështirësive të jetës, duke e bërë atë të duket si i
përndjekur ose i tronditur nga ngjarjet rreth tij.
Metafora:"T’mavijosun" shfaq një gjendje të enjtur në tytyrë nga
ndonjë goditje e mundëshme. Këto metafora janë përdorur për të forcuar me
ngjyra imazhin e vuajtjes dhe të ngarkesën emocionale të tyre , duke ndihmuar
në krijimin e një përshkrueshmërie më të thellë dhe të ngjyrosur për lexuesin.
Mirëpo ksëto metafora bashkveeprojnë
me simbolet dhe konkretisht: simboli
i arnimeve (arnat) i cilimund të simbolizojë varfërinë, vuajtjen ose mungesën e
rrobave për veshje,simboli i fytyrës (ftyrrëzbardhemt që simbolizon një gjendje
emocionale të stërmunduar,simboli i syve (syzgavruem) është simbol i mos
ushqimit, i frikës apo ngarkesës emocionale që personi mund të ndjejë, simboli
i buzëve (buzëshkrumbuem) simbolizojnë mungesë të gëzimit, buzëqeshjes, apo një
temperaturë të lartë, simboli i pozicionit (rrashtëkrisun) përfaqëson një
pozicion tënjeriut të mposhtur para sfidave dhe vështirësive të jetës, i tillë
është dhe simboli i dhunës së ushtruar
(t’mavijosun). Pra siç shihet, ndërveprimi i metaforave me simbolet shfaqin një
imazh të fortë, plot ngjyra ku mbizotërojnë e kuqja dhe e zeza, dhe me një
tonalitet të rëndë që të krijon një ankth në shpirt. Specifikisht fjalët tingëllojnë si fjalë dhe shprehje noliane (nga
Noli), atë gjëmim e tingëllimë të fuqishme kanë. Le të shohim se si e shfaq
imazhin ndjenjave të pafuqisë dhe të braktisjes poetja: "Ikanak t’zanun n’lak t’kohës
t’nemun/ nënshtruem i janë fatit,/pa kurrnjifar bese, kurrnjifar dorëzanie,/pa
kurrnji mundësi me u përvijue…", a nuk ju duket sikur flet Fishta te këto
pasazhe që shfaqin
ndjenjën e pafuqisë dhe të braktisjes së popullit në fatin e tyre të zi, të pashmangshëm,
ku ata ndihen të dhunuar dhe nuk kanë më besim, pse nuk panë asnjë ndihmë ( e
cila realisht u erdhi pas kësaj gjëme) për të shpëtuar ose për të ndryshuar
situatën e tyre. Në funksion të idesë të zbërthimit të imazhit në përbërësit e
tij mund të themi: Imazhi
në vargun "Ikanak t’zanun n’lak t’kohës t’nemun / nënshtruem i janë fatit
/ pa kurrnjifar bese, kurrnjifar dorëzanie / pa kurrnji mundësi me u
përvijue…" është përshkrim i një gjendjeje të pashpresë, ku elementët
kryesorë të këtij imazhi janë:
"Ikanak t’zanun n’lak t’kohës
t’nemun" - Kjo frazë pshfaq një gjendje të personit që është i "ikanak"
(i aratisur ose i ikur nga një vend) i një kohe që është " e'neëmur"
(e mallëkuar), duke aluduar se personi është nën një tension të madh, të
paimagjinueshëm. "Nënshtruem i janë fatit" shpreh nënshtrimin ndaj fatit. "Pa kurrnjifar bese, kurrnjifar
dorëzanie" shfaq një mungesë të plotë sigurie të ligjëshme në jetë, qoftë
dhe kanunore, pra një person në gjendje të pashpresë, pa asnjë shans për të
shpëtuar ose për të gjetur ndonjë formë të lehtësimit. "Pa kurrnji mundësi
me u përvijue" shpreh një ndjenjë të mungesës së çdo mundësie për tju
shmangur situatës aktuale. Realisht është
imazh i një gjendjeje të përgjithshme të terrorizimit shpirtëror e fizik dhe të
pamundur për ti shpëtuar, por në fakt, ky imazh përmban një seri elementësh dhe
detajesh që bashkohen për të krijuar një portret të thellë dhe të pasur.
Kështu, mund të konsiderohet si një imazh kompleks që përfshin disa aspekte të
një gjendjeje. Mirëpo dhe ky imazh përbëhet nga simbole dhe metafora që
ndërveprojnë mes tyre në formësimin e një imazhi dhe konkretisht: "Ikanak” simbolizon një të aratisur, të ikur, që
ndiqet opër tu kapur nga shteti. "Lak t’kohës t’nemun":
"Laku" simbolizon lakun e litarit ku varet një i dënuar, kurse metafora
"koha e nemun" simbolizon një periudhë të mallëkuar. "Nënshtruem
i janë fatit” është një metaforë për një person që ka humbur çdo shpresë në
jetë.
Mungesën
e shpresës për të ardhmen dhe pafuqinë për të ëndërruar e shpreh te vargjet
(noliane): "Andërrmbytun./Shpresëvdekun", duke na treguar poetikisht
se populli i Kosovës është përballur me një situatë të tillë, sa që para
saj ndihej pa rrugëdalje.
Shikoni se çfarë
dhimbje të lemerishme shfaqin në imazhin
e mëposhtëm:
"T’lodhun e
tangall/T’uritun, te tanë/Dergjun për nji pikë ujë" i cili na ndihmon në
forcimin e ndjenjës së tragjedisë dhe dhimbjes së përjetuar nga populli, I
shprehur me metaforat: “T’lodhun
e tangall","T’uritun, te tanë"dhe "Dergjun për nji pikë
ujë", ku luan rolin e një simboli fraza "Dergjun për nji pikë
ujë". Kjo frazë mund të interpretohet simbolikisht si dëshmi e përpjekjeve
për të gjetur shpëtim ose për të përballuar gjendjen e vështirë, duke përdorur
ujin si simbol i jetës, shpresës dhe shpëtimit. Uji shpesh paraqitet si një
simbol i rinisë, ose paqeje, ndaj në këtë kontekst, "pika e ujit"
mund të shprehë një shpëtim të vogël në një gjendje të lodhshme e të
rrezikëshme. Kështu, kjo frazë përdor një imazh të thjeshtë të një resursi të
nevojshëm, ujë, për të përshkruar një dëshmi të përpjekjeve për të gjetur
shpëtim. A nuk ju duket si një pikturë guernikiane e Pikasos ku mbizotëron e
kuqja e gjakut dhe e zjarrit bashkë, e zeza e mureve, trarëve e trupave të
djegur dhe e tymit që mbulon qiellin? Nuk duket dielli gjëkundi që të ndrijë,
madje dhe kur shfaqet në vargje, si për të përforcuar dhe universalizuar
dhimbjen, poetja e përfshin me elementët e natyrës në “aleancë” me dhunuesit: "Dielli
i përvlon e hana i ngrin/ S’dihet ku ju errë nata e ku ju çelë dita.",
vargje që të krijojnë përshtypjen se janë zbritur nga epet e kreshnikëve, kaq
forcë shprehin në vetvete dhe kaq dhimbje shkaktojnë, pse krijojnë ndjenjën e
pafundësisë së përjetuar, sidomos me vargun e fundit: "Ata ik e deka
njek!" që përfundon poezinë me një shprehje të fortë, duke theksuar
mungesën e zgjidhjeve dhe pafundësinë e vuajtjeve, një ecje e përjetëshme drejt Golgothas.
"Deka" në këtë kontekst paraqet shqetësimin, dëshpërimn, mungesën e
shpresës për një përmirësim, fundin.
IV-
Vargu përmbyllës: "Ata ik
e deka njek!" është i fuqishëm dhe optimist në mënyrë të njëanshme, dhe
përmban një ngjallje dhe intensitet të thellë emocional. Le të analizojmë disa
aspekte të këtij vargu:
Vargu:"Ata
ik e deka njek!" përmban një forcë emocionale, duke paraqitur një imazh të
fortë të lëvizjes dhe vendosmërisë. Fjala "ik" shfaq një imazh
lëvizjeje të një grupi njerëzish duke u larguar, ndërsa "deka njek"
paraqet rrezikun e madh dhe të vazhdueshëm që populli i Kosovës ka pasur për të
përballuar dhe për të mbijetuar. Metaforizmi i paramilitarëve me vdekjen (deka)
ka një qasje të madhe me metaforizmin e pushtuesve turq me “mortjen” që u bënin
gratë dhe plakat në Shqipërinë Jugore, gjë që na tregon se heroi lirik është
një nënë, nuse apo gjyshe, pasi burat i cilësonin
ndryshe turqit dhe serbët, në jug dhe Kosovë. Në këtë varg, vendosmëria për të
shpëtuar (jetën) nga rreziku i vdekjes shpreh një formë të qartë rezistence dhe
përkushtimi për të ardhmen. Edhe pse përballen me rreziqe të mëdha dhe mundohen
të ikin prej tyre, fjalët "Ata ik" ndërkohë që "deka njek"
dëshmojnë vendosmëri për të shpëtuar jetë. Të braktisësh shtëpitë me synimin
për të shpëtuar jetë fëmijësh, grash dhe pleqsh në kohë lufte nga një
armik si paramilitarët, nuk është frikë,
por është një vizion, pasi ikin për tu rikthyer. Kutuzovi iku, më saktë
braktisi Moskën para Napoleonit, për tu rikthyer më I fortë. Shpessh herë ikja është
mënyra e vetme për tu rikthyer.
Këto
fjalë:"Ata ik e deka njek!" japin
një imazh të fortë lëvizjeje të popullit
të Kosovës, duke synuar në këtë “ikje” shpëtimin me qëllim rikthimin. Përdorimi
i fjalës "Ata" (Ata) bën që ky varg të ketë ndjesi të përgjithshme
dhe të fuqishme për qëllimin e përbashkët të gjithë popullit, jo të individit.
Melodiciteti
i poezisë është i zymtë, i trishtueshëm, por përjashtimisht te vargu i fundit
“Ata ik e deka njek”, melodiciteti shfaq ngritje tonesh optimizmi, deri në
kufijtë e një tonaliteti triumfi. Te ky varg folja “ik” zanorja “i” e kësaj foljeje
duke patur mundësinë e bashkpunimit me zanoren “a” të përemërit “Ata” japin një
interval melodiciteti të gjatë , ndërsa folja
“njek” përfundon me bashkëtingë-lloren “k”, e cila e ndërpret tingullin e
zanores “e” tëkësaj foljeje (“njek”), që, duke u gjendur mes dy bashkëtingëlloreve
(nj dhe k) ka një interval melodiciteti shumë më të shkurtër se sa zanoret e mësipërme,
duke krijuar në këtë mënyrë imazhin e mbetjes pas të “dekës” nga “ata”, shumë larg
atyre që ikin, duke lënë të kuptojmë shpëtimin e tyre. Duke patur parasysh se
gjithë kjo “ikje” bëhej vetëm me synim të shpëtoheshin jetë fëmijësh, grash e
vajzash, të shpëtohej nderi i tyre nga “deka”, në këtë kontekst më brofi
mendimi: Jo më kot autorja e ka krijuar poezinë në një qasje me epikën
shqiptare: paramilitarët serbë (deka) duke dalur të mundur nga kjo luftë e
pabarabartë me gratë e fëmijët, nga kjo ikje, mbeten “të mundurit epikë” njësoj si “shkjet” në kohët epike, pra ata mbeten të “lidhur përjetësisht në shtyllën e turpit” si
në artet gojore ashtu dhe në poezinë
moderne shqipe. Pikërisht në këtë aspekt duhet parë, heroizmi i popullit
në këtë “ikte” si një tyriumf i jetës. Kështu duhet lexuar ideja e kësaj “ikje” poetike, e
kësaj poezie të bukur.
Sarandë, më mars 2024
DONIKA
DABISHEVCI
TUJ
IKË DEKËS
Prej bodrumi n’bodrum,
prej katundi n’katund,
prej shtegu n’shteg,
qafmalesh, rranxash,
pjerrinash, rrëpinash
t’thyeshme. Sa k’tu sa aty.
Përpjetë. Tatëpjetë.
Janë shumë.
T’panumërueshëm janë.
Gjithkah. Gjithkund
fmijë, gra e pleq
n’karvan t’pakthimit.
Humbtinave
kurrë t’njohuna
tamam.
Andërrmbytun.
Shpresëvdekun.
Strajcat n’shpinë,
t’vogjlit kalaqafun,
t’plagosunit n’lese
t’sajueme.
T’lodhun e tangall.
T’uritun, te tanë.
Dergjun për nji pikë
ujë.
Arnat s’ua mlojnë
brinjtë. As kockat.
Ftyrëzbardhemt.
Syzgavruem.
Buzëshkrumbuem.
Rrashtëkrisun.
T’mavijosun.
Dielli i përvlon e
hana i ngrin.
S’dihet ku ju errë
nata e ku ju çelë dita.
Për ku ja kanë mësy e
ku kanë me mbërri.
Ikanak t’zanun n’lak
t’kohës t’nemun
nënshtruem i janë
fatit,
pa kurrnjifar bese,
kurrnjifar dorëzanie,
pa kurrnji mundësi me
u përvijue…
Ata ik e deka njek!