Timo
Mërkuri
ËNDRRA QË QAN NËN QERPIKË
Ndërsa
po lexoja poezinë "Nën qerpikë më ka mbetur një ëndërr” të Natasha Lakos
s’di pse në kujtesë më vezulloi një tjetër brilant poetik i saj ku përmenden
lotët, madje dhe një borë që po shkrinte, pikërisht poezia :”Nuk më le bora që
të shoh” me vargjet e çiltëra gjer në naivitet: “Nuk
më lë bora të shoh/çatitë e kuqe dhe pemët e zhveshura /po ndjej si nën të/
lëviz pranvera./Flokët e borës/bien e shkrijnë në qepallat e mia/ kaq lotë të
bukur/ kaq lotë të bardhë/ mund të pikojnë vetëm nga dashuria”. Kjo poezi e
shkruar në një moshë të re, në mënyrë të habitëshme ofron një qasje me poezinë "Nën
qerpikë më ka mbetur një ëndërr”, të cilën duhet ta shfaqim me synimin e vijëzimit
të kurbës gati perpendikulare të rritjes cilësore të krijimtarisë së poetes
Natasha Lako në dy kohë, përcaktuar si koha e krijimit të këtyre dy poezive.
Kjo ka edhe vlerën e dëshmisë se Natasha
Lako është rritur si fidani që bëhet lis dhe jo si shartesa kulturore të
ndryshme mbi një trung peme çfardo.
I-Autorja
e poezisë "Nuk më le bora që të shoh" sot është ngjitur në Everestin
poetik, por ne nuk duhet të harrojmë atë vajzën e imët që lotonte në dritare,
pse nuk e linte bora të shihte dike, pse është pikërisht ajo dritarja e shtëpisë
korçare vendi nga nisi rritjen dhe ngjitjen e mundimshme poetike Natasha Lako për
të ardhur te kuota poetike "Nën qerpikë më ka mbetur një ëndërr”. Nga
poezia: ”Nuk më le bora që të shoh”, janë mbartur (ndoshta duhet të themi se
janë zgjatur si degë të një peme dhe kanë frutat) te poezia "Nën qerpikë
më ka mbetur një ëndërr” një shikim zhbirues në një qiell çiltërsie, por tashmë
retë e këtij qielli që përplasen në mendimet e saj me njera tjetrën shkrepin
rrufe metaforash që shkarkojnë misterin nëpër vargje. Le ti lexojmë këto rrufe
të tanishme dhe ti gjejmë rrënjët e tyre te ata dy sytë e butë që pas dritares
përloteshin pse bora nuk i linte të shikonte botën që ëndërronte. Përtej
dallimeve të kuptueshme si pasojë e kohës dhe përvojës jetësore të poetes në
momentin e shkrimit të secilës poezi, ka elemente të përbashkëta që lidhin dhe
identifikojnë autorësinë e Natasha Lakos te këto krijime, ashtu si si disa
tipare që krijohen në fëmijëri mbarten te njeriu në moshë të rritur (sigurisht
me ndryshim si pasojë rritjeje, jo tjetërsim identiteti):
Kështu:
-Imazhet e natyrës dhe mjedisit natyrorspecifikisht janë përdorur në të dy
poezitë si metafora dhe simbole për të shprehur ndjenjat e heroit poetik. Në
poezinë "Nuk më le bora që të shoh", përshkrimet e borës, çatitë e
kuqe dhe pemët e zhveshura janë përdorur për të shprehur ndjenjën e vetmisë,
ndërsa në poezinë "Nën qerpikë më ka mbetur një ëndërr", qielli, yjet
dhe natyra paraqiten për të përfaqësuar një lloj shpërthimi emocional dhe një
ëndërr që nuk humbet.
-Emocioni
dhe ndjenjat shpirtërore janë thelbësore në të dy poezitë, ku në poezinë
"Nuk më le bora që të shoh" ndjenja e dashurisë dhe ngrohtësia shpirtëror
përballen me ftohtësinë (e borës) dhe vetminë, ndërsa në poezinë "Nën
qerpikë më ka mbetur një ëndërr", ëndërra dhe shpresat për një të ardhme
më të mirë përplasen me dhimbjen dhe melankolinë. Në këtë kontekst, përdorimi i
metaforave dhe imazheve të forta shfaq ndjenjat dhe emocionet e heronjve
poetikë, psh. përdorimi i borës si një simbol i ftohtësisë e vetmisës, dhe
përdorimi i qiellit e yjeve si simbole të shpresës dhe ëndrrave, tregon ndërthurje të ngjashme të metaforave dhe
imazheve, por diferencimi bëhet pikërisht te forca e tyre.
-Ndjenja
e melankolisë dhe kujtesës, pavarësisht pse poezitë përqendrohen në tema të
ndryshme, të dyja shfaqin një ndjenjë të thellë melankolie dhe mos harrimi. Në
poezinë "Nuk më le bora që të shoh", melankolia dhe mos harrimi janë
të pranishme në pasqyrimin e pamjes dimërore dhe vetminë që përjeton heroina,
ndërkohë që te poezia "Nën qerpikë më ka mbetur një ëndërr",
melankolia është prezent në shfaqjen e një ëndrre që nuk do të vdesë, duke
reflektuar një lloj nostalgjie për një kohë të kaluar ose për një ëndërr që nuk
mund të realizohet, pra flasin dukuri të ndryshme: reale dhe shpirtërore.
-Forca
e shprehjes emocionale është ne dukshmëri lineare kohore mes dy poezive, ku
përdorimi i fjalëve dhe imazheve të ngjashme apo që kanë qasje shërbejnë për të
përforcuar ndjenjat dhe emocionet e përjetuara në kohët poetike, por dhe
dëshmojnë të njejtin “burim”.
-Edhe
pse shfaqin perspektiva të ndryshme, të dy poezitë shprehin një lloj misteri
dhe një pasqyrim shpirtëror të emocioneve të individit. Ky pasqyrim shpirtëror
dhe ndjeshmëria e thellë e poetes janë karakteristika të përbashkëta që e
identifikojnë stilin dhe autorësinë e Natasha Lakos.
-Një
aspekt më konkret që mund të identifikojë autorsinë e Natasha Lakos në të dy
poezitë është stili i saj dhe përdorimi i elementeve të strukturës së poezisë.
Natasha Lako shfaq një stil të veçantë që përmban disa elementë të përbashkët
ose me qasje të madhe në dy kohërat, pavarësisht përsosmërisë si pasojë e
zhvillimit të talentit poetik, përvojës jetësore dhe arsimit e kulturës së
shtuar në kohë:
-Imagjinate
dhe ngjashmëria metaforike e poetes është vënë disa herë në dukje prej nesh,
pasi poetja përdor metafora dhe imazhe
në mënyrë të ngjashme në të dy poezitë (në rastin konkret) për të shprehur
ndjenjat dhe ide emocionale.
-Poetja
përdor një strukturë të veçantë për të organizuar poezitë e saj, ajo përfshin
një qasje të lirë dhe ekspresive ndaj formës së poezisë, duke përdorur shpesh
lirikën për të lejuar shprehjen e lirë të ndjenjave dhe ideve, madje kjo është
kaq e dukëshme sa që shpesh mjafton të lexohet poezia dhe të kuptosh që është
Lako, ndonëse heziton
pak
te distance kohore e krijimit.
-Veçanërisht
stili i Natasha Lakos shquhet për ritmin dhe melodicitetin e tekstit të saj, ku
përdorimi i rregullt i rimave, aliteracioneve dhe ritmit të ngadaltë krijon një
strukturë sonore që bën poezinë tërheqëse dhe të frymëzuar. Shprehja "krijon një strukturë
sonore" nënkupton krijimin e një qasje, afërie të organizuar dhe të arirë
në përdorimin e elementit “zanore” në
një tekst, pra poetja përdor teknikat zanore për të krijuar një tingull sa
tërheqës aq dhe të harmonishëm në tekstin poetik. Fjala "sonore" në këtë
kontekst përcakton që poezia është e pasur me tinguj, zanore dhe melodi, duke e
bërë atë të dukshme në mënyrë të jashtëzakonshme për dëgjuesin. Kjo strukturë
sonore ndihmon në përcaktimin e një këndi të veçantë emocional për lexuesin ose
dëgjuesin. Në esencë, ky koncept fokusohet në përdorimin e gjuhës për të
krijuar një efekt të veçantë për publikun që po dëgjon ose lexon tekstin dhe
Natasha Lako pak ka ndryshuar në përdorimin e elementit “zanor” në krijimin e
strukturave sonore..
Pra,
përmes këtyre elementëve të përbashkët, edhe pse poezitë kanë tema të ndryshme
dhe janë shkruar në periudha të ndryshme të jetës së autores, ato shfaqin një
poete të njohur në rritje, me një stil të vetin që vjen duke u përsosur dhe një
aftësi të shkëlqyer në shprehjen e ndjenjave dhe përvojave emocionale që është
në rritje si vetë njeriu.
Të
kuptojmë, gjendja emocionale në dy poezitë është thelbësore, pasi autorja
shpreh ndjenja nëpërmjet simboleve të natyrës dhe imazheve të ngjashme që
përforcojnë ndjenjën e vetmisë, vuajtjes dhe shpresës për një liri emocionale,
që përshtatet qartë me linjën tematike të poezisë së Lakos dhe përqendrohet në
eksplorimin e ndjenjave të ndërgjegjshme të saj. Ajo që duhet të citojmë
veçanërisht është fakti se qysh në poezinë e rinisë së saj, Lako, jo vetëm që
nuk pati qasje me poezinë e soc. realizmit por shfaq elementë të modernitetit
poetik psh. poezia e përmendur më sipër vlerësohet si një poezi moderniste me
tipare simbolike dhe jo realiste, duke hapur një shteg të ri në studimin e
poezisë së saj.
II-Në
qoftë se do analizojmë shkurtimisht dhe krahasimisht disa nga figurat artistike
të dy poezive për të krahasuar rritjen cilësore të poezisë së Natasha Lakos në
kohën ndërmjet dy poezive do shpreheshim që:
-“Lotër”
janë simbol i emocioneve të thella dhe në poezi përfaqësojnë një formë
shpërthimi emocional, një lloj shkarkimi
nga ngarkesa shpirtëror e ndjenjave të fshehura, por në mënyrën se si shfaqen
te dy poezitë ka ndryshime të dukëshme: te poezia “Nuk më le bora që të shoh”
bora që shkrin ngjan me lotë të pastër dashurie, pra kemi nje krahasim direkt,
te poezia e dytë janë ëndrrat ato që lotojnë, në kontekst vargu:“një ëndërr, që
qan dhe qan e nuk pushon" që është metaforik, pasi shpreh një situatë ku
ëndrra për diçka, e cila nuk realizohet, vazhdon të shfaqet dhe të
"qajë" (të shprehë nevojën ose dëshirën për të) pa ndalim, e cila
interpretohet si një përjetim emocional që nuk mund të ndërpritet apo të
zgjidhet lehtësisht. Metafora e "qarjes" shton një element të
fuqishëm emocional në varg. Pra nga një kuptimshëmri e drejtpërdrejtë te poezia
e parë, kemi një të shprehur metaforik në të dytën. Por jo vetëm kaq, te poezia
e parë janë flokët e borës që shkrijnë , pra një ndryshim fizik i kristaleve të
borës nga akull në ujë që ofron simbolin e lotëve, te poezia e dytë loton një ëndërr,
e cila në këtë varg
mund të cilësohet artistikisht si një personazh simbolik ose një element
metaforik, term që do të përputhej më mirë me përshkrin e një qenie abstrakte
ose një përvojë simbolike që përdoret për të shprehur ndjenja dhe ide
emocionale në poezinë e vargut. Pra, ajo (ëndrra) përfaqëson një gjendje
emocionale ose një dëshirë shpirtëror që kërkon realizim, por vazhdon të jetë në
stadin e parë. Si figurë simbolike, "ëndrra" ka karakteristika
njerëzore, duke qenë në gjendje të shprehë nevojën ose dëshirën për diçka,
ndërsa si element metaforik, ajo paraqitet si një entitet që komunikon me emocionet
dhe gjendjen shpirterore të personit. Në të dyja rastet, "ëndrra"
shërben si një element që forcon mesazhin e vargut dhe shton kompleksitet në
interpretimin e tij artistik. Pra, nqse te poezia e parë jemi në një teren
konkret, në poezinë e dytë jemi në një terren abstrakt, madje jemi në një
terren shpirtëror, mirëpo bota ku “flasin” ndjenjat është poezia moderne,
element të cilin kurësesi nuk duhet ta harrojmë. Unë do mirëkuptoja çdo lexues
që do dëshirronte të sillte për ilustrim vargjet e poezisë: ’Binte shi me diell/ditën
e parë të çlirimit/dukej natyra si një njeri/ që qan e qesh prej gëzimit” pse
asgjë nuk do ndryshonte në interpretimin e mësipërm, veç tekstit vargor.
-Në
qoftë se do shohim në tërësi simbolet e poezisë “Nuk më le bora që të shoh”
vërejmë se ato janë simbole natyrore si “bora”, “çatitë e kuqe dhe pemët e
zhveshura”, ”pranvera”, “flokët e borës” dhe “lotët e bukur dhe të bardhë” të
cilët kanë një mënyrë interpretimi të drejtpërdrejtë, ndërkohë që simbolet te
poezia: “Nën qerpikë më ka ngelur një ëndërr”simbolet natyrorë janë përsosur
dhe modernizuar si psh: simbolika e puthjes shprehur te vargu ” Në merimangën e
qiellit shtrihet puthja ime, si ëndërimi që nuk do të vdesë" shpreh vazhdimësinë
dhe intensitetin e ëndrrave dhe dëshirave të heroit, të cilat edhe pse janë të
mbingarkuara me dhimbje e trishtim, vazhdojnë ekzistencën përjetësisht, si një
pjesë e ndërgjegjes së heroit, pavarësisht elementit natyror si qielli.
-Ndërsa
vargu "Dallëndysheve ngjyrë plumbi"na rikujton se dallëndyshja është
simbol i një shprese të re dhe lirisë. Cilësimi “me ngjyrë plumbi” sugjeron një
atmosferë të errët dhe të trishtuar, pse ngjyra e plumbit simbolizon
melankolinë dhe trishtimin. Fraza:"Çikrikut të një pusi të mbyllur",
ku pusi shpesh shfaqet si simbol i fshehtësisë, heshtjes dhe misterit, ku në këtë kontekst, pusi i
mbyllur mund të shprehë një heshtje, mister,
fshehtësi , duke sugjeruar se ka diçka që nuk është e zbuluar apo e
shprehur në mënyrë të hapur, por gjithsesi pusi dhe çikriku janë elementë
natyrorë.
-Të
njëjtën gjë mund të themi dhe për metaforat, ku te poezia e parë: metafora
“flokët e borës” shprehet për “ujin e ngrirë”në forma kristalore të bardha që duke
rënë nga qielli shkrijnë si lotë dhe cilësohen estetikisht si "lotë të
bukur" dhe "lotë të bardhë", duke sugjeruar formën e bukur dhe të
ëmbël të dhembjes, që përjetohet nëpërmjet dashurisë. Po kështu metafora: “Qepallat
e mia” si vend ku "flokët e borës bien e shkrijnë" sugjeron se
përjetimi i dashurisë ndikon ndjenjat shpirtërore të individit. Shtojmë se
metafora e “dashurisë” (kjo është tema kryesore e poezisë), shprehet e shfaqet si një forcë që mund të
shkrijë edhe borën më të ftohtë. Në këtë kontekst, dashuria sjell ngrohtësinë
emocionale në jetën e njeriut, duke bërë që edhe momentet më të vështira të
përjetohen me një lloj bukurie. Pra dhe metaforat te kjo poezi janë shprehur në një kuptimshmëri të
drejtpërdrejtë, madje dhe në rastet kur shprehen në formë vargore si: "Flokët
e borës/ bien e shkrijnë në qepallat e mia",apo "Kaq lotë të bukur,
kaq lotë të bardhë / mund të pikojnë vetëm nga dashuria".
Te
poezia e dytë metaforat kanë një tjetër dukje si në formë ashtu dhe në
kuptimshmëri. Kështu vargu "I gjithë trupi është mbushur me stërkala të
reja, të kripura" është metaforë ,
ku përdorimi i fjalëve "stërkala" dhe "kripura" nuk është i
drejtpërdrejtë, por përdoret për të shprehur një gjendje emocionale ose
ndjesore të heroit poetik. Në këtë kontekst, "stërkala" mund të
interpretohet si emocione ose ndjenja të reja që shfaqen në sipërfaqen (si djersa)
të trupit të heroit poetik, ato mund të jenë të paparashikueshme e të forta, dhe
shoqërohen me një shpërthim emocional. Ndërkohë, "kripa" sugjeron
intensitetin e këtyre ndjenjave, duke treguar se ato janë të fuqishme dhe të
dhimbshme.
-Po
ashtu dhe imazhet poetike te poezia “Nuk
më le bora që të shoh” kuptimshmërinë e kanë të drejtpërdrejtë, si psh:”Çatitë
e kuqe dhe pemët e zhveshura”, “pranvera”, “flokët e borës”, “lotët e bukur dhe
të bardhë”që janë imazhe të cilat shfaqen si elemente të një peizazhi dimëror
plot trishtim, ndërsa te poezia “Nën qerpikë më ka ngelur një ëndërr” kemi një
tjetër dukuri të tyre dhe konkretisht: “Merimanga
e qiellit” përdoret si një imazh për të shfaqur një atmosferë të misterioze dhe
emocionale. Ky imazh sjell ndjesinë e
një hapësire të pafundme shpirtërore të individit, dhe ndihmon në forcimin e
ndjesisë së trishtimit të poetes.
-Vargjet:
"Mbi të pëgërat e qenve, heshtjes prej ujku, Dallëndysheve ngjyrë plumbi,
çikrikut të një pusi të mbyllur" përmbajnë një sërë imazhesh simbolike që
përforcojnë atmosferën e poezisë, ku të analizuara veçmas secilën prej tyre,
kemi: "Mbi të pëgërat e qenve" paraqet një imazh të ndotur që lidhet
me qentë, të cilët zakonisht konsiderohen si simbole të besnikërisë dhe
besimit. Përdorimi i "pëgërat e qenve" mund të përfaqësojë një
dimension të besimit dhe të shpresës, duke sugjeruar se në një moment të errët
ose të vështirë, besnikëria mund të jetë një ndihmesë. Fraza:"Heshtjes
prej ujku", ku ujku është një simbol i forcës dhe pabesisë dhe heshtja prej ujku mund të shprehë një
gjendje të frikshme, një hapësirë ku heroi mund të ndjehet i braktisur apo i
vetmuar. Imazhi "I
dashuri im kalon përmes" është i rëndësishëm dhe i fuqishëm në kontekstin
e poezisë, pse shpreh ndjenjën e lidhjes dhe komunikimit midis heroit poetik
dhe dashurisë së tij, duke i dhënë një finish kuptimit poetik Në këtë
kontekst,"I dashuri im"përfaqëson një person që heroi(na) poetike e
do dhe për të cilin ajo ka ndjenja. Folja "kalon" sugjeron një lloj
lëvizjeje ose lidhjeje të ngushtë midis të dyve, lëvizje që mund të përfaqësojë
një lidhje të thellë emocionale, një ndjenjë të përjetuarit shpirtërisht, ose
një formë kontakti fizik apo komunikimi shpirtëror që tejkalon fjalët dhe
shprehjet konvencionale. Fjala "përmes" shpreh një lloj kalimi, ecjeje, përjetim apo
komunikim që ndodh në një nivel më thelbësor, më shpirtëror. Kjo dëshmon se
lidhja midis personazhit poetik dhe të dashurit shkon përtej fjalëve dhe
ndjenjave të thjeshta, duke arritur në një dimension më të thellë të përvojës
njerëzore.
III-
Më sipër përmendëm se poezitë e Natasha Lakos shquhen për melodicitetin e tyre,
ndaj në synim të sqarimit themi se: poezia "Nën qerpikë më ka mbetur një
ëndërr" nga Natasha Lakos ka një melodicitet të dukshëm dhe tërheqës në
përdorimin e zanoreve dhe ritmit. Melodiciteti në poezi është një aspekt që
përcakton se si tingujt, zanoret, ritmi dhe struktura e fjalëve bashkohen për
të krijuar një përvojë auditive të veçantë për lexuesin ose dëgjuesin. Ky term shpreh
harmoninë dhe elegancën e tingullit dhe zanoreve në një poezi, duke e bërë atë
të dukshme dhe tërheqëse për ata që e lexojnë ose dëgjojnë. Është fakt që melodiciteti poetik është
më i dukshëm në poezinë tradicionale, romantike dhe klasike për shkak të
përdorimit të rimes dhe ritmit. Këto periudha letrare shquhen për përdorimin e
strukturave të qëndrueshme të poezisë që përfshijnë rima të rregullta, ritëm të
qartë dhe organizim të qëndrueshëm të vargjeve dhe kjo është një ndër arsyet që
këto poezi këngëzohen lehtësisht dhe masivisht.
Në
poezinë tradicionale, përdorimi i rimës është një karakteristikë thelbësore.
Rimat e rregullta në fund të vargjeve ose brenda tyre krijojnë një strukturë të
përsosur zanore dhe tingujsh, që i jep poezisë një melodi të veçantë e cila ka
ndikuar jashtëzakonisht në perceptimin tonë të poezisë dhe në mënyrën se si e
vlerësojmë melodicitetin në poezi. Po ashtu, poezitë romantike shquhen për
përdorimin intensiv të melodicitetit.
Përdorimi i rimës dhe ritmit në poezinë romantike shpesh lidhet me përshkrimin
e emocioneve të thella dhe të ndjeshme, dhe krijon një atmosferë të zjarrtë e
romantike. Edhe në poezinë klasike, përdorimi i rimës dhe ritmit është tepër i dukshëm dhe i rëndësishëm. Këto forma
të poezisë shpesh kanë një strukturë të përcaktuar të vargjeve dhe përdorin
rima të rregullta për të krijuar një melodi tërheqëse si pasojë e shfrytëzimit
të zanoreve dhe ekuilibrit melodic që ato mbajnë në tekst. Për ta kuptuar këtë
mjafton tu kushtojmë vëmëndje teksteve të këngëve popullore me iso toske, ku
zanoret “komandojnë” melodinë.
Megjithatë,
është e rëndësishme të theksohet se edhe në poezinë moderne dhe post-moderne,
ku përdorimi i rimës dhe ritmit mund të jetë më i rrallë ose më i lirë, ende ka
elemente të melodicitetit. Përdorimi i aliteracioneve, asonancave, strukturave
të lira vargore, ritmit
të lire dhe shfrytëzimit të elementëve zanore për të krijuar struktura sonore janë
vetëm disa mënyra alternative për melodicitet në poezinë moderne.
Kështu,
në zbërthimin e melodicitetit te poezia e Natasha Lakos shohim se:
-Poezia
ka një strukturë ritmike, që përforcon melodicitetin e saj. Vargjet kanë një
lëvizshmëri të qëndrueshme dhe një fluks
të qetë, gjë që krijon një melodi të veçantë. Ndërkaq, përdorimi i rimës në
fund të vargjeve ("ëndërr" dhe "pushon") ndihmon në
përsëritjen e tingujve, duke krijuar një harmoni në poezinë.
-Përdorimi
i imazheve poetike si "merimangën e qiellit shtrihet puthja ime", "ëndërr",
"stërkala të reja, të kripura" ndikojnë në melodicitetin e poezisë
duke e bërë atë të pasur në ndjenjat dhe imazhet që përshkruhen, pasi sjellin
një lloj harmonie auditive dhe vizuale. Po kështu përsëritja e frazave "I
gjithë trupi është mbushur me stërkala të reja, të kripura" dhe "Si
ëndërimi që nuk do të vdesë" krijojnë një strukturë simetrike që rrit
melodicitetin dhe e bën poezinë më harmonike.
-Në
poezinë "Nën qerpikë më ka mbetur një ëndërr", fjalët dhe mendimet
janë të lidhura në një mënyrë që krijon një harmoni dhe një strukturë të
qëndrueshme, e cila përforcon melodicitetin e përgjithshëm të poezisë. Kjo
harmoni dhe lidhja mes fjalëve dhe mendimeve e bëjnë poezinë të jetë
muzikalisht e ëmbël për veshin.
-Fjalët
dhe frazat në poezi janë përzgjidhur me kujdes për të krijuar një atmosferë dhe
imazh të veçantë, ku përdorimi i zanoreve në fjalë të tilla si "ëndërr",
"qan", "pushon",
"trupi","stërkala","kripura","merimangë","qielli","puthja","ëndërimi",”dallëndyshe",
"ujku" , "plumbi", "çikriku",
dhe "pusi" kontribuojnë në melodicitetin e poezisë dhe e mbushin atë
me ngjyra dhe imazhe të forta dhe emocionuese. Zanoret që ndikojnë
melodicitetin janë: Zanoria
"a" te vargu “Në merimangën e qiellit shtrihet puthja ime" sjell
një ndjesi të butësisë dhe intimitetit, duke shprehur një moment të përzemërt
mes poezisë dhe natyrës. Zanorja "e", jo vetëm që mban ekuilibër të vargut dhe të
melodicitetit, por në artet gojore e përfshirë në iso, është ajo që jep miratimin e tekstit
dhe të vijës melodike me atë tingullin eeee të vazhdueshëm.“ Këtu, psh. te
vargu “që qan dhe qan e nuk pushon" përcakton një ndjenjë të vazhdueshmërisë
(të dhimbjes dhe pikëllimit, duke përforcuar intensitetin e emocioneve të
përjetuara) duke vijuar funksionin që ka dhe te poezia tradicionale. Zanorja
"ë" e përdorur në fjalën "ëndërr" jep një ndjesi të butë,
të ëmbël, ku fjala "ëndërr" shpreh një ndjenjë të pazakontë, një
ëndërr që shpesh përcillet me një melodi të butë dhe emocionuese. Zanorja "i" është themelor
në gjuhën shqipe dhe ndikon në melodicitetin e fjalëve ku përdoret, psh, fjala
"im" e përfshirë në rreshtin "I dashuri im kalon përmes"
shton një ndjenjë personale dhe intime në melodi, duke kontribuar në forcimin e
këtyre ndjenjave. Zanorja "u"në gjuhën shqipe ka një peshë të jashtëzakonëshme
dhe funksion të veçantë në kontekstin emocional që përjetohet. Te artet gojore
ajo është e fuqishme dhe tronditëse, psh në logatje, fraza: U, derëziu u” për
peshën e madhe të dhimbjes që trasmenton ajo sposton nga vëmëndja strofa
brilante të mundëshme. Te bororitja, ai fillim me “u” të zgjatur në formën “uuuu”, pastaj një
ndërprerje në formën “uhuuuu” paralajmëron
për një gjëmë të fortë sa që mund të gremisë botën në humnerat qiellore. Ajo
ngjan si një valvul nga shfryn dhimbja,
tensioni i së cilës ka shkuar në ekstrem. Kjo zanore ka ndikim në melodicitet , psh. në vargun “që
qan dhe qan e nuk pushon./I gjithë trupi është mbushur me stërkala të reja, të
kripura” ku:, zanorja "u" përdoret në fjalët " nuk pushon" që
tregon vazhdimin e funskionit të cituar “qan e qan” duke shtuar si element të
ri në melodicitetin vajtimor të vargut. Te vargu:"I gjithë
trupi është mbushur me stërkala të reja, të kripura", zanorja
"u" përdoret në fjalën "mbushur"duke dhënë një ndjenjë të
ekstremit të dhimbshëm, pra kjo zanore përcakton një gjendje stabiliteti dhimbjeje në
vargje, duke shtuar një element tërheqës në melodicitetin dhe forcimin e
atmosferës poetike të poezisë.
Pasi
kemi analizuar disa prej vargjeve të poezisë "Nën qerpikë më ka mbetur një
ëndërr" të Natasha Lakos, kushdo që
ka mbaruar një shkollë muzikore të mesme apo të lartë apo që ka përvojë në
aktivitete muzikore tradicionale mund të ndjejë një qasje muzikore të vargjeve
të poezisë për të kuptuar më mirë melodicitetin e tyre. Psh., vargu: "që
qan dhe qan e nuk pushon" ka një strukturë ritmike të përsëritur dhe një
ndjenjë të qëndrueshmërisë së ndjenjave të dhimbjes ose trishtimit. Në një
qasje muzikore, ky varg mund të interpretohet me një melodi të gjatë dhe të
përsëritur që përforcon ndjenjën e vazhdueshme të dhimbjes. Ritmi i përsëritjes
së fjalëve "qan dhe qan" mund të përforcohet në muzikë me përdorimin
e një “pattern-i” të përsëritur muzikor ose me zhvillimin e një motivi të
ngjashëm melodik.( Pattern-i
në kontekstin e muzikës është një shkallëzim ose organizim i strukturës
muzikore që përsëritet nëpër një këngë, pjesë muzikore ose kompozim), por kjo është
fushë tjetër që del jashtë kontekstit të këtij shkrimi. Nga sa e njoh muzikën
dhe sa kam mësuar nga muzika
iso-polifonike mund të them se në
një qasje muzikore për vargun "I gjithë trupi është mbushur me stërkala të
reja, të kripura" mund të kemi përdorimin e një melodie të shtrirë, që
shpreh një lloj lëvizjeje apo shtrirjeje melodike nëpër regjistra të ndryshme,
(mos u ngatërroni me shtrirjen e iso-s në këngët iso-polifonike). Një kompozim
muzikor i bazuar në vargjet e poezisë “Nën
qerpikë më ka mbetur një ëndërr"të Lakos mund të krijojë një përvojë të
pasur dhe tërheqëse për dëgjuesit, duhet vetëm kompozitori që ta ndjejë dhe ta
notizojë melodinë e cilë është në vargjet poetike. Gjithsesi muzika e nje
teksti të tillë poetik do jetë larg tradicionalitetit muzikor që ofron
muzikaliteti i poezisë “Nuk më le bora që të shoh” e cila ka një qasje me
këngën korçare: “Dëbora mbuloi maletë”, me gjithë diskordancën që ofron rima
dhe rrokjet.
Sarandë, më mars 2024
NËN QERPIKË
MË KA MBETUR NJË ËNDËRR
Nën qerpikë më ka mbetur një ëndërr,
që qan dhe qan e nuk pushon.
I gjithë trupi është mbushur me
stërkala të reja, të kripura,
Në merimangën e qiellit shtrihet
puthja ime,
Si ëndërimi që nuk do të vdesë.
Mbit ë pëgërat e qenve, heshtjes
prej ujku,
Dallëndysheve ngjyrë plumbi,
çikrikut të një pusi të mbyllur
I dashuri im kalon përmes.
Kundërpërfytyrimi,
Onufri, 2023 f.11
No comments:
Post a Comment