MELODIA E TRISHTIMIT
DHE IMAZHI I VETMISË
Nga Timo
Mërkuri
Për
të hyrë në një analizë të imtë të poezisë “Letër Hamurabit” të Sadik Bejkos
duhet që të dimë se: Hamurabi ishte një ndër sundimtarët më të famshëm të Babilonisë
së lashtë, që sundoi rreth vitit 1792 p.e.s. deri në 1750 p.e.s. Ai ishte
mbreti i gjashtë i dinastisë së parë babilonase dhe njihet më së shumti për
krijimin e një prej kodifikimeve të para ligjore në histori, të njohur si
"Kodi i Hamurabit". Ai lindi dhe u rrit në Babiloni, një qytet-shtet
në Mesopotaminë e lashtë (zona midis lumenjve Tigër dhe Eufrat), trashëgoi fronin nga ati i tij, Sin-Muballit,
dhe shpejt filloi të konsolidojë pushtetin e tij duke zgjeruar territorin e
Babilonisë dhe forcuar administratën e shtetit. Një nga arritjet e Hamurabit
është Kodi, një përmbledhje ligjesh që mbulonin aspektet e jetës në Babiloni,
duke përfshirë çështjet penale, civile, tregtare, dhe familjare. Ky kod, i
shkruar në gurë dhe i vendosur në vende publike për t'u lexuar nga të gjithë,
është një nga shembujt më të hershëm të ligjit të shkruar në historinë e njerëzimit.
Kodi përbëhej nga rreth 282 ligje dhe kishte synim të siguronte drejtësi dhe
rend në shoqëri, duke vendosur rregulla të qarta për dënimet, varësisht nga
veprat e kryera. Ky kod i Hamurabit mbetet një nga dokumentet më të rëndësishme
të qytetërimit të lashtë, dhe ndikimi i tij në zhvillimin e sistemit ligjor
është i pamasë.
Në
poezinë "Letër Hamurabit" të Bejkos, personazhi i
"murgarit" i referohet një eremiti apo asketi, njeriu të vetmuar që
banon në një shpellë dhe ka gjasa ta kalonte jetën me shkrime e lexime. Ky
“murgar’ i shkruan një letër mbretit Hamurabi lidhur me detyrën e ngarkuar prej
tij që ai, murgari të hartonte ligjet e mbretërisë, si njeriu më i ditur dhe më
i pa korruptueshëm. Sipas përshkrimit, ky personazh banon në një shpellë të
quajtur "Aram."
Për
saktësime historike sqarojmë se: Termi "murgar" është një krijim
letrar që përdor autori për të shfaqur një figurë askete, tërhequr nga shoqëria
dhe që jeton në një vend të largët, një shpellë. Në kontekstin e letërsisë, ky
term mund të ketë një simbolikë të thellë dhe nuk është e thënë të lidhet
drejtpërdrejt me ndonjë term historik të njohur. Sa i përket emrit
"Aram," nuk ka të dhëna historike që tregojnë se ka ekzistuar një
shpellë e tillë, ose që "Aram" është emri i ndonjë personi të njohur
të kohës së Hamurabit. Aram është një emër që ka kuptime të ndryshme në
kontekste të ndryshme. Psh në Bibël, Aram i referohet një rajoni në Mesopotami
(pjesë e Sirisë së sotme), por nuk ka ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë me ndonjë
shpellë ose me Hamurabin. Pra ky informacion na sugjeron se "murgari"
dhe shpella "Aram" janë krijime letrare, përdorur nga autori për të
ndërtuar një atmosferë mitike ose për të shprehur ide apo temë të caktuar në
poezinë e tij. Pra, nuk janë elemente që kanë një bazë historike të
dokumentuar, por janë më tepër pjellë e imagjinatës poetike të Bejkos.
I-Poezia
"Letër Hamurabit" nga Sadik Bejko mund të vlerësohet si një poezi me
një natyrë filozofike, por gjithashtu mbart edhe elemente të tjera që e bëjnë
të vështirë kufizimin e saj në një kategori të vetme. Ja disa mënyra se si mund
të vlerësohet kjo poezi:
1. Poezia mund të vlerësohet
si poezi filozofike, që reflekton mbi tema të rëndësishme dhe universale si
drejtësia, pushteti, morali, dhe natyra njerëzore. Murgari, një figurë e urtë
(e ditur) dhe e vetmuar, ngre pyetje mbi vlefshmërinë e ligjeve dhe ndikimin e
tyre në një shoqëri që ai e sheh të korruptuar. Ky fakt e bën poezinë të pasur
me reflektime filozofike . Pyetja qëndrore që ngrihet është nëse ligjet, edhe
kur hartohen me qëllim të mirë, mund të arrijnë të ndreqin një shoqëri të
përfshirë në konflikt të egër, antagonizma dhe brutalitet. Te vargjet: "Ti më thirre të gdhend ligje e kode për ta,
imzot.
Ata duan dhëmbët e qenit, shkopin e
xhelatit,
Imzot
Hamurab, ata s’i ndreq që nuk i ndreq dot."
murgari
reflekton mbi kotësinë e përpjekjes së tij për të sjellë drejtësi npërmjet
ligjit në një botë që përfshirë në konflikt, duke ngritur një pyetje filozofike
mbi natyrën e ligjit dhe të drejtësisë.
2.
Në një nivel tjetër, poezia mund të interpretohet si kritikë e fshehur e
shoqërisë dhe e institucioneve të saj. Murgari, përmes zërit të tij, shfaq një
mosbesim të thellë ndaj aftësisë së ligjeve për të sjellë ndryshime reale, duke
nxjerrë në pah një kontradiktë midis idealit të drejtësisë dhe realitetit të
ashpër të jetës së përditshme. Kjo kritikë mund të shtrihet edhe më tej, duke
iu referuar një sistemi të korruptuar ose të pashpresë, duke aluduar ndoshta në
një kontekst politik apo social më të gjerë. Kështu vargjet:
"Njerëzit këtu janë me nga një
bodrum të zi,
me nga një hambar terri mbi shpinë
dhe nën tru.
Kur ata bien nga shpellat në
bodrumin e vetes,
për ta s’ka më nënë, mik e të
dashur,
janë më të ftohtë se një gur,
më
të thatë se një dru."
tregojnë
një portret të zymtë të shoqërisë, ku njerëzit janë të mbyllur në vetminë dhe
terrin e tyre të brendshëm. Kjo kritikë tregon një mosbesim ndaj efektivitetit
të ligjeve dhe pushtetit për të sjellë ndonjë ndryshim real.
3.Në
këtë poezi, ka një ndjenjë vetmie dhe kotësie të përpjekjeve njerëzore. Murgari
shpreh një ndjenjë lodhjeje, duke e parë jetën dhe punën e tij si përpjekje e kotë
përballë realitetit të pamëshirshëm dhe konfliktuaal të shoqërisë njerëzore. Ky
ton ekzistencialist është i ngjashëm me ndjenjën e absurditetit dhe shpërthimit
të pyetjeve mbi kuptimin e jetës, një motiv i zakonshëm në letërsinë
ekzistencialiste. Psh te vargjet:
"Uji është drita e eshtrave të
mija të thara.
S’më duhen teatrot, hipodromet,
stadiumet e vulgut… lumë, djersë dhe
gjak?
Imzot
Hamurab, nuk e mbaj dot shpatën."
murgari
shpreh një lodhje përballë jetës, duke refuzuar gjithçka që lidhet me botën
materiale dhe brutalitetin e saj. Kjo ndjenjë e thellë ekzistencialiste
reflekton absurditetin dhe kotësinë e përpjekjeve njerëzore.
4. Poezia ka një
natyrë meditative dhe reflektuese. Murgari, duke u tërhequr nga jeta e qytetit,
preferon të kthehet në vetminë e shpellës së tij, ku ai mund të jetojë në paqe
me natyrën dhe mendimet e tij. Kjo e bën poezinë një reflektim të qetë mbi
natyrën e njeriut dhe mbi atë që është vërtetë e rëndësishme në jetë. Psh te
vargjet: "Imzot Hamurab, më i madh
se qytete dhe muret,/te shpella ku
kthehem, le të mbulohem krejt me pluhur."
shprehet
dëshira e murgarit për të lënë pas botën dhe për t'u kthyer në shpirtin e tij
të brendshëm,(shpella) ku ai mund të gjejë paqen dhe urtësinë e vërtetë. Ai
dëshiron të mbulohet me pluhur, duke simbolizuar kështu dorëzimin ndaj natyrës
dhe ciklit të jetës.
Pra
poezia "Letër Hamurabit" e Sadik Bejkos mund të shihet kryesisht si
poezi filozofike, që njëkohësisht shfaq elemente të satirës, kritikës sociale,
ekzistencializmit dhe mediti-meve të thella. Ajo përfshin një gamë temash dhe
pyetjesh, duke e bërë atë një vepër të pasur dhe komplekse, që mund të
interpretohet nga perspektiva të ndryshme. Kjo shumëkuptimësi i jep poezisë një
vlerë të veçantë, duke e vendosur atë në një nivel të lartë artistik dhe
intelektual.
II-Poezia
"Letër Hamurabit" e Sadik Bejkos është një poezi moderniste dhe ka
qasje me rrymën e ekzistencializmit dhe modernizmit kritik në letërsinë moderne,të
cilat reflekto-jnë shqetësimet për ekzistencën, kotësinë e përpjekjeve
njerëzore, dhe kritikën ndaj strukturave shoqërore dhe politike.
1.Ekzistencializmi
fokusohet në pyetjet mbi ekzistencën, absurditetin e jetës e përpjekjen për të
gjetur kuptim në një botë që duket plot kotësi. Në poezinë "Letër
Hamurabit" murgari Aram shfaq një ndjenjë vetmie dhe kotësie, duke pyetur
pse u nxorr nga shpella e tij dhe u ngarkua me detyrën e hartimit të ligjeve,
kur ai e kuptonte që këto përpjekje janë të destinuara të dështojnë.
"Imzot Hamurab, mua plakun e
përvojtur
pse më nxore nga shpella ime,
nga
budallallëku im pse më nxore?!"
Këto vargje shprehin
zhgënjimin e murgarit me përpjekjet e tij për të sjellë drejtësi në një
botë që është
thellësisht e korruptuar dhe e pashpresë. Vargjet pasqyrojnë ndjenjat
ekzistencialiste
të absurditetit dhe kotësisë.
2.Modernizmi
kritik angazhohet me shqyrtimin dhe kritikën e shoqërisë, politikës dhe
kulturës. Në këtë poezi, Bejko kritikon pafuqinë e sistemit legjislativ që, megjithëse ligjet e tij duken
të drejta, në realitet nuk arrijnë të përmirësojnë jetën e njerëzve. Poezia reflekton
mbi dështimin e misionit të ligjeve për të ndrequr problemet e thella shoqëro-re
dhe ekonomike.
"Ata duan dhëmbët e qenit,
shkopin e xhelatit,
Imzot Hamurab, ata s’i ndreq që nuk
i ndreq dot.
... Ja, t’i hartova ligjet, merri
kodet e tua,
për mua zoti, zoti im me ligjin e
tij të pamort."
Vargjet
tregojnë se ligjet, pavarësisht nga qëllimi i tyre, nuk mund të kenë efektin e
dëshiruar në një shoqëri ku dhuna dhe padrejtësia janë në rrënjët e saj. Kjo
kritikë ndaj strukturave shoqërore dhe politike e bën poezinë të lidhet me
modernizmin kritik.
III-Duke
qenë se është një poezi moderniste, kuptimshmëria e saj mund të shihet edhe në
kontekstin personal të poetit. Sadik Bejko e shkroi këtë poezi në gjashtëmujorin
e dytë të vitit 1996, kohë në të cilën ai e kishte mbaruar mandatin e tij si
deputet dhe ishte tërhequr nga politika, por Shqipëria përjetonte tensione të
mëdha sociale dhe politike, që i paraprinë vitit 1997, kur shpërthyen trazirat
e mëdha pas rënies së firmave piramidale. “…për vendin tim në situatën kritike
me botimin e këtij libri dëshiroja pak rend e mirësi për të gjithë ne” shprehej
poeti në një intervistë. Duhet të kemi parasysh se Bejko nuk ka qenë asnjëherë
pjesë e superstrukturës politike të vendit: para se të bëhej deputet, ai ishte
krijues letrar i suksesshëm dhe pedagog letërsie, i dënuar nga shteti monist
për prurje moderniste në letërsi dhe arte. Gjatë vuajtjes së dënimit në
minierën e Memaliajt ai u njoh më mirë me kushet e mjerrueshme të jetës dhe të
punës së klasës puntore dhe kjo e nxiti që ta pranonte propozimin e PD për të
kandiduar nën siglën e saj në zonën e majtë të Tepelenës, ku ai gjithsesi fitoi
me shumicë dërrmuese. Duke qenë një
deputet intelektual pati besim se fjala dhe vota e tij do sillnin një
përmirësim në gjëndjen aktuale të jetës së popullit, por u zhgënjye. Zhvendosja
nga krijimtaria letrare në politikë rezultoi një eksperiencë zhgënjyese për të
gjë që shprehet te vargjet:
"Imzot Hamurab, mua plakun e
përvojtur
pse më nxore nga shpella ime,
nga
budallallëku im pse më nxore?!"
të
cilat tingëllojnë aktuale në vitin 1996 dhe personale për poetin, i cili flet për
nxjerrjen e tij nga “shpella” e krijimtarisë letrare dhe vendosjen në
“pallatin” e legjislacionit, ku nqse në fushën e letrave ai ishte një mjeshtër
i madh, në këtë pallat ai e ndjeu veten më pak se një çirak. Qasja është e dukëshme
sepse poeti pas mbarimit të mandatit të deputetit u shkëput nga çdo angazhim
politik duke ju kthyer letërsisë, mirëpo “... Të shkruash vjersha, do të thotë
t’i bësh vetes Gjyqin e Madh” kam lexuar diku nga Knut Hamsen. Këtë gjyq po i bën
vetes me poezinë “ Letër Hamurabit” Sadik Bejko” i veshur me zhgunin e
“murgarit’.
Sadik
Bejko e kryejti detyrën e tij si deputet, ai i votoi ligjet që pruri në
parlament partia e tij, megjithatë, pa me keqardhje se jeta nuk po
përmirësohej, ndaj shpreh zhgënjimin e tij përballë realitetit politik dhe
ekonomik që që mbizotëronte.
"Ja, t’i hartova
ligjet, merri kodet e tua,
për
mua zoti, zoti im me ligjin e tij të pamort."
Këto
vargje janë më shumë një shfrym revolte e poetit se sa një dorëzim i hidhur nga
ana e murgarit (dhe metaforikisht e Bejkos), i cili kuptoi se ligjet që ai votoi
nuk mundën të përmirësonin gjendjen e njerëzve dhe ai nuk kishte fuqinë për të
ndrequr realitetin e zymtë që e rrethonte.
Pas
përfundimit të mandatit të tij si deputet, Bejko vendosi të tërhiqej nga
politika, duke preferuar të kthehej në jetën e tij të mëparshme si krijues dhe
pedagog. Kjo reflektohet në poezinë e tij, ku shpreh dëshirën për t'u kthyer në
"shpellën" e tij, duke u
tërhequr nga bota politike dhe duke u fokusuar përsëri në atë që është më e
rëndësishme për të:
"Imzot Hamurab, më i madh se
qytete dhe muret,
te
shpella ku kthehem, le të mbulohem krejt me pluhur."
Këtu,
kthimi në "shpellë"
simbolizon kthimin në krijimtarinë letrare dhe në një jetë më të thjeshtë dhe
të qetë, larg kompleksitetit dhe korrupsionit të botës politike.
Pra,
poezia "Letër Hamurabit" si një poezi moderniste mund të shihet si
një reflektim i zhgënjimit personal të Bejkos nga përfshirja e tij në politikë
dhe përpjekjet për të sjellë ndryshime përmes ligjeve në shoqërinë shqiptare të
kohës, të përfshirë nga korrupsioni dhe
tensionet sociale, pa siguruar bazën ekonomike të vendit dhe njerëzve, mbi të
cilën të mbështetej ky legjislacioni. Sigurisht që te kjo poezi nuk vihet
gishti mbi asnjë parti politike, por është dhe pa vend hamendësimi se kjo poezi
shprehet kundër monizmit. Komunizmi nuk e pranonte termin “imzot”, ai përdorte
cilësorin “shok”. Te kjo poezi më shumë është në shinjestër periudha e
pluralizmit politik pas viteve ’90 se sa koha e monizmit.
III-
Megjithëatë le të kthehemi te murgari I cili shfaq mosbesimin e tij qysh në
fillim jo thjesht për shkak të mungesës së autoritetit të mbretit, por për
shkak të një kuptimi më të thellë prej tij të natyrës njerëzore dhe realitetit
social. Ai nuk e vë në dyshim fuqinë e Hamurabit për të imponuar ligjet, por
dyshon në pranimin e shoqërisë për t’i zbatuar ato në mënyrë të drejtë e të
qëndrueshme. Ja disa arsye pse murgari shfaq këtë mosbesim:
1.
Murgari e sheh natyrën njerëzore si të prirur ndaj egoizmit, dhunës, dhe
padrejtësisë. Ai përmend se njerëzit "janë
më të ftohtë se një gur, më të thatë se një dru," duke sugjeruar se
ata kanë humbur ndjeshmërinë dhe humanizmin e tyre. Kjo ftohtësi dhe thatësi
morale është ajo që, sipas murgarit, pengon zbatimin e drejtë të ligjeve. Ai e
di se pavarësisht ligjeve të shkruara, nëse njerëzit nuk kanë një bazë të fortë
morale dhe etike, ato ligje do të shkelin ose do të përdoren për qëllime
egoiste.
2.
Murgari Aram, si personazh i urtë(i ditur) dhe i përvojtur, është i vetëdijshëm
se ligjet nuk mund të funksionojnë vetëm mbi bazën e moralit dhe filozofisë, por
duhet të mbështeten në një strukturë ekonomike të qëndrueshme dhe të drejtë. Në
poezinë "Letër Hamurabit," edhe pse murgari nuk e shpreh këtë fakt në
mënyrë të drejtpërdrejtë, ai lë të kuptohet se përpjekjet për të sjellë
drejtësi përmes ligjeve janë të pamjaftueshme dhe të kota në një shoqëri që nuk
ka një bazë ekonomike të fortë dhe të drejtë. Te vargjet:
"Imzot Hamurab, ata s’i ndreq
që nuk i ndreq dot.
... Ja, t’i hartova ligjet, merri
kodet e tua,
për
mua zoti, zoti im me ligjin e tij të pamort."
të
cilat tregojnë se, pavarësisht nga
përpjekjet e murgarit për të hartuar ligje të drejta, ai e kupton se ato nuk do
të funksionojnë nëse nuk mbështeten nga një sistem që siguron mirëqenie
ekonomike. Ligjet e vendosura nga Hamurabi, ndonëse të fuqishme dhe të
mbrojtura nga mbreti, nuk mund të respektohen dhe të zbatohen në një shoqëri ku
bazat ekonomike janë të paqëndrueshme ose të padrejta. Murgari Aram e di se për
të ndrequr shoqërinë, nuk mjaftojnë vetëm ligjet, por duhet një transformim më
i thellë që përfshin dhe bazën ekonomike të shoqërisë. Kjo i shton poezisë një
dimension të rëndësishëm të kritikës ndaj sistemeve që nuk arrijnë të krijojnë
një themel të qëndrueshëm për zbatimin e ligjit dhe drejtësisë.
3.Është
e natyrëshme pyetja se pse ankohet murgari: mbreti Hamurab e mori nga jeta
asketike dhe sigurisht, kundrejt nje pagese të majme e porositi të hartonte
legjislacionin e një shoqërie në nivel të epërm kulturor e marrdhëniesh dhe jo
legjislacionin e shoqërisë aktuale, të molepsur nga korupsioni dhe kontraditat.
Murgari e hartoi legjisla-cionin mbi baza filozofike, për një shoqëri ideale
mirëpo ky legjislacion nuk i shërbente
shoqërisë. Një legjislacion ideal do kishte në themel të tij barazinë
ekonomike dhe lirinë e individit por këto dy parime legjislative do kërkonin më
së paku shëmbjen e mbretërisë. Një legjislacion ideal për mbretërinë do
sanksiononte shfrytëzimin e skajshëm të njeriut në interest të mbretërisë, por
murgari kishte marrë detyrën për të bërë një legjislacion filozofik, gjë që
ishte kontraditore me mbretërinë. Kjo është arsyeja që murgari ishte i mërzitur
pse ju ngarkua atij kjo detyrë e pamundur.
4.
Shoqëria që shfaq murgari është shoqëri që ka një "bodrum të zi" brenda çdo individi, e cila simbolizon errësirën
morale dhe shpirtërore. Kjo errësirë është aq e thellë dhe e rrënjosur saqë
njerëzit janë rezistentë ndaj ndryshimeve pozitive. Ata janë "egërsuar" dhe janë të prirur
për të "shqyer"
njëri-tjetrin, duke sugjeruar një tendencë të natyrshme drejt konflikteve dhe
padrejtësisë që nuk mund të kontrollohet plotësisht nga ligji.
5.
Edhe pse ligjet vendosen nga mbreti, murgari dyshon se ato do të zbatohen në
mënyrë të drejtë nga ata që janë në pozita shtetërore. Ai përmend "këshilltarët e urtë" dhe "gjeneralët" e mbretit, duke sugjeruar
se këta janë të prekur nga korrupsioni dhe prirja për të përdorur pozitën për
interesat e tyre. Ky skepticizëm ndaj njerëzve në pushtet është një tjetër
arsye për mosbesimin e tij në suksesin e ligjeve.
5.
Murgari argumenton se njerëzit kërkojnë "dhëmbët e qenit" dhe "shkopin
e xhelatit," duke theksuar se dhuna dhe nënshtrimi përmes frikës janë
mjetet që ata kuptojnë dhe respektojnë. Ligjet e drejta, që bazohen në parime
morale dhe etike, mund të mos kenë fuqinë për të ndryshuar një shoqëri të prirur
drejt dhunës dhe egoizmit, ku forca e pushtetit është më e vlerësuar se
drejtësia.
IV-Poezia
"Letër Hamurabit" e Sadik Bejkos është tepër e pasur me figura
artistike që shërbejnë për të thelluar dhe pasuruar kuptimin e saj. Saadik
Bejko është mjeshtër I përdorimit të figurave artistike, ai përmes simboleve,
metaforave, personifikimeve dhe imazheve poeti krijon një univers poetik
kompleks, i cili reflekton shqetësimet sociale dhe ekzistenciale të individit
dhe shoqërisë.
1.Në analizën e
simboleve veçojmë:
-Shpella: në këtë poezi simbolizon
izolimin, vetminë dhe mënjanimin nga shoqëria, vendin e meditimit dhe të dijes,
ku murgari kalon jetën e tij i
përkushtuar ndaj studimit dhe urtësisë. Shpella është vendi ku murgari ka qenë
i mbrojtur nga ndikimet negative të botës së jashtme ghjer në atë shkallë sa që
ai ndjehet i njësuar me atë (shpellën):
"Jam shpella ime e përvojtur,
imzot…
eshtrore,
e gurtë… Mjaftohem me pak dritë."
Ligjet dhe kodet: simbolizojnë përpjekjet për të
prurë drejtësi dhe rregull në shoqëri, ndonëse në kontekstin e poezisë, ato
simbolizojnë gjithashtu kufizimet dhe dështimet e sistemit juridik për të
ndrequr shoqërinë në mënyrë të vërtetë.
"Ja, t’i hartova ligjet, merri
kodet e tua,
për
mua zoti, zoti im me ligjin e tij të pamort."
Shpata: simbolizon pushtetin, dhunën dhe
autoritetin. Murgari shprehet se nuk mund ta mbajë dot shpatën, duke
simbolizuar refuzimin e tij për të përdorur forcën ose dhunën për të imponuar
ligjet. "Imzot Hamurab, nuk e mbaj
dot shpatën."
Pluhuri: simbolizon kalimin e kohës,
harresën, pavlefshmërinë e përpjekjeve njerëzore përballë realitetit të
pamëshirshëm të botës. Ai shpreh dëshirën e murgarit për t'u kthyer në një gjendje
të thjeshtë dhe pa pretendime.:"te
shpella ku kthehem, le të mbulohem krejt me pluhur."
2.Metafora
"Tullat e librave ha, i brej si
brejtësit" krahason përkushtimin e murgarit ndaj dijes me brejtjen e
librave, duke nënkuptuar se ai jeton dhe ushqehet me njohuri. Është një
metaforë që ilustron obsesionin e tij për të mësuar dhe për të reflektuar mbi
jetën.
Metafora:"Uji është drita e eshtrave të mija të thara":
tregon për rëndësinë e ujit si burim jete dhe freskie për murgarin, duke e
barazuar atë me dritën që i jep jetë eshtrave të tij të thara.
3.Personifikimi:"Thinjat e mia trembin gjeneralët e tu"
ku thinjat, që përfaqësojnë urtësi-në dhe përvojën, janë personifikuar si
të afta të trembin gjeneralët e mbretit Hamurabi. Kjo nënkupton se mençuria dhe
mosha e murgarit janë më të fuqishme se forca ushtarake.
Personifikimi:"Kur ata bien nga shpellat në bodrumin e
vetes" ku bodrumi i vetes është personifikuar si një vend i errët dhe
i thellë ku njerëzit bien, duke nënkuptuar rënien e tyre në depresion, egoizëm
dhe izolim emocional.
4.
Poezia "Letër Hamurabit" nga Sadik Bejko është e pasur me imazhe
komplekse dhe të gjalla që përshfaqin një botë të ndarë midis shpirtërores së
folësit dhe realitetit të jashtëm. Këto imazhe krijojnë kontraste të fuqishme
dhe përmbajnë ngjyra të ndryshme që pasqyrojnë ndjenjat e trishtimit, vetmisë
dhe reflektimit të thellë. Ja disa nga imazhet më komplekse dhe plot ngjyra të
poezisë:
-
Te vargu:"Jam shpella ime e
përvojtur, imzot… eshtrore, e gurtë…" figura simbolike e shpellës
përfaqëson izolimin dhe mënjanimin e folësit nga bota e jashtme. Shpella
përshkruhet si "eshtrore"
dhe "e gurtë," duke i dhënë
asaj një ndjesi të ftohtë dhe të fortë, sikur të jetë një mbetje e një gjëje të
vdekur. Ky imazh është kompleks sepse ndërthur një përvojë të thellë të plakjes
dhe jetesës asketike, duke sugjeruar që shpella është një pjesë e brendshme e
folësit, një vend ku ka gjetur paqe në vetmi, por që është gjithashtu e ngurtë
dhe e pa jetë.
-Imazhi
vizual:"Nën dritat e shandanëve me arin e gjithë botës" përmban një
kontrast të thellë midis luksit të jashtëm dhe përvojës asketike të folësit.
Shandanët që ndriçohen nga ari i tërë botës përfaqësojnë pasurinë dhe fuqinë që
janë të huaja për murgarin, që e përjeton botën në mënyrë shumë më asketike.
Kjo përplasje ndërmjet dritës dhe arit me botën e brendshme të folësit shton
një dimension të thellë filozofik dhe emocional.
-Te
vargu:"Thinjat e mia trembin
gjeneralët e tu, këshilltarët e tu të urtë.” thinjat, simbol i plakjes dhe
urtësisë, përbëjnë një kontrast të fuqishëm me fuqinë e gjeneralëve dhe
këshilltarëve. Ky imazh është plot ngjyra sepse ndërthur ftohtësinë e thinjave
të bardha me fuqinë dhe frikën që ato ngjallin tek njerëzit e fuqishëm. Ngjyra
e bardhë e thinjave kundërshton fuqinë e këshilltarëve, duke treguar se përvoja
dhe urtësia kanë një forcë të vetën që nuk mund të injorohet.
-Imazhi:"Uji është drita e eshtrave të mija të thara."
është një imazh metaforik shumëngjyrësh që kombinon dy elementë thelbësorë:
ujin dhe dritën, të cilët bashkë krijojnë një simbol të jetës dhe shpëtimit në
një trup të tharë dhe të lodhur. Uji këtu nuk është vetëm një element fizik,
por edhe një burim shprese dhe ushqimi shpirtëror, duke krijuar një pamje të ndritshme
brenda errësirës dhe tharjes.
-Te
vargu:"Njerëzit këtu janë me nga një
bodrum të zi, me nga një hambar terri mbi shpinë dhe nën tru."kemi nje
pamje komplekse që krijon një atmosferë të rëndë dhe të zymtë. Bodrumi i zi dhe
hambari i territ përfaqësojnë pjesën e errët dhe të fshehtë të njerëzve, që ata
mbajnë mbi shpinë dhe në mendjet e tyre. Kjo ngjyrë e zezë e errët dhe e
ngushtë përshkruan një peshë të brendshme që i shtyp dhe i izolon njerëzit nga
njëri-tjetri dhe nga bota e jashtme.
-Vargu:"u derdhtë më pak gjak dhe lot i purpurt." Shfaq një imazh të mbushur
me ngjyrë dhe simbolikë. Gjaku dhe loti i purpurt përfaqësojnë vuajtjen dhe
dhimbjen që janë përjetuar, ndërsa ngjyra purpurt shton një dimension mbretëror
dhe të thellë, duke sugjeruar dhimbje të përzier me një formë të lartë pasioni
ose sakrifice.
Pra,
këto imazhe komplekse dhe plot ngjyra jo vetëm që pasqyrojnë trishtimin dhe
izolimin e murgarit, por gjithashtu krijojnë një botë të pasur me simbole dhe
kontraste të fuqishme që ndërveprojnë dhe ndihmojnë në ndërtimin e një poezie të
thellë dhe e menduar, duke përdorur ngjyrat dhe figurat për të pasqyruar
ndjenjat e brendshme të folësit dhe për të shtuar një dimension të lartë
artistik dhe filozofik
V-
Poezia "Letër Hamurabit" e Bejkos përmban një tonalitet të ulët dhe
një melodicitet të trishtueshëm që përshkruan
ndjenjën e vetmisë, përvojën e hidhur dhe përplasjen midis botës së
brendshme dhe asaj të jashtme. Këto cilësi theksohen në poezi nëpërmjet
zgjedhjes së fjalëve, ritmit të vargjeve, dhe përdorimit të imazheve të errëta
dhe të heshtura.
1.Tonaliteti
i ulët i poezisë krijohet nga zëri i përvuajtur dhe i heshtur që rrjedh nga
vetmia dhe përvoja jetësore e folësit. Ky zë i ulët reflekton një ndjenjë
përuljeje përballë botës dhe detyrës së dhënë.
Qysh
te vargjet e para:"Imzot Hamurab,
mua plakun e përvojtur / pse më nxore nga shpella ime" shfaqet një zë
i qetë dhe i lodhur, që kërkon të kuptojë pse është nxjerrë nga vetmia “shpellore” e tij. Fjalët "plakun e përvojtur" dhe
"shpella ime" krijojnë një
atmosferë të rënduar nga përvoja e gjatë e vetmisë.
Te
vargjet:"Jam shpella ime e përvojtur,
imzot… / eshtrore, e gurtë…" folësi identifikohet me shpellën, duke e
përshkruar si një vend të fortë, por të ftohtë dhe të vdekur. Përdorimi i fjalëve
si "eshtrore" dhe "e gurtë" i jep poezisë një
tonalitet të errët dhe të rënduar.
2.Melodiciteti
i poezisë është i ngadaltë dhe i trishtueshëm, duke përforcuar ndjenjën e
izolimit ndaj botës së jashtme. Ky melodicitet vjen nëpërmjet ritmit të
vargjeve dhe zgjedhjes së fjalëve që janë të ngarkuara me emocion të thellë dhe
melankoli. Te vargjet ”Mjaftohem me pak
dritë. / pak ujë, vaj për kandilin, pak bukë" përsëritja e fjalës "pak" krijon një ritëm të ngadaltë dhe monotone që
reflekton modestinë dhe mjaftueshmërinë e folësit. Kjo mjaftueshmëri e ulët dhe
trishtueshme shton tonalitetin e hidhur të poezisë.
Te
vargjet: “Thinjat e mia trembin
gjeneralët e tu, / këshilltarët e tu të urtë." kontrasti midis
thinjave të bardha dhe fuqisë së gjeneralëve tregon për moshën dhe përvojën e
folësit që kundërshton fuqinë e dhunës. Këtu, melodiciteti trishtues vjen nga
ndjenja e pa fuqisë për një përballjetë
drejtë.
Vargu:“Uji është drita e eshtrave të mija të thara."
është një metaforë e fuqishme që ilustron nevojën për dritë në errësirë, por në
të njëjtën kohë tregon trishtimin dhe tharjen e brendshme të folësit.
Melodiciteti këtu është i qetë, por i ngarkuar me trishtim, si një e folur
plaku të mundur nga jeta.
3.Melodiciteti
i poezisë "Letër Hamurabit" I Bejko është i ndërtuar me mjeshtëri,
duke u mbështetur në ritmin e vargjeve, rimën e brendshme, dhe përdorimin e
kujdesshëm të zanoreve, të cilat krijojnë një ndjesi të trishtueshme dhe një
atmosferë reflektive. Këta elementë kontribuojnë në përforcimin e tonalitetit të
ulët dhe ndjenjës së izolimit që përshkruan tërë poezinë.
-Ritmi
i poezisë është i ngadaltë dhe i matur, duke reflektuar një ndjesi përmbajtjeje
te vetes si pasojë e një përvoje së gjatë jetësorë. Ky ritëm krijon një ndjesi
të zvarritur dhe të rënduar, e cila përforcon melodicitetin e trishtueshëm.
Te
vargu:“Mjaftohem me pak dritë. / pak ujë,
vaj për kandilin, pak bukë" përsëritja e fjalës "pak" ngadalëson ritmin e vargjeve,
duke dhënë ndjesinë e një përjetimi të zgjatur dhe të kujdesshëm. Ky ritëm i
ngadalë kontribuon në atmosferën melankolike të poezisë.
Te
vargu: “Uji është drita e eshtrave të
mija të thara." ritmi është i qetë dhe i ekuilibruar, duke krijuar një
ndjesi të qetësisë së trishtuar që shfaq tharjen e brendshme të folësit.
4.Rima
e brendshme, megjithëse jo e theksuar, është prezente në mënyrë delikate në
poezinë e Bejkos, duke shtuar një strukturë të qëndrueshme dhe një rezonancë që
thekson tonin e ulët të poezisë.
Te
vargjet: “Thinjat e mia trembin
gjeneralët e tu, / këshilltarët e tu të urtë." përsëritja e tingullit
"t" dhe "r" krijon një rime të brendshme që ndihmon në
lidhjen e elementëve të ndryshëm të vargut, duke dhënë një ndjesi të mbyllur
dhe të izoluar që përforcon temën e vetmisë dhe trishtimit.
Te
vargu: “Tullat e librave ha, i brej si
brejtësit." rima e brendshme midis "ha" dhe "brej"
krijon një ritëm të shkurtër dhe të përsëritur, që i jep vargut një ndjesi të
mbyllur dhe të përqendruar, duke reflektuar aktin e përtypjes së dijes në një
mënyrë të trishtuar dhe të përvuajtur.
5.Përdorimi
i zanoreve në poezi ka një ndikim të madh në melodicitetin e vargjeve, duke
krijuar
një rezonancë që shton tonalitetin e ulët dhe ndjesinë e trishtimit. Zanoret si
"a", "u" dhe "ë" janë përdorur për të krijuar një
ndjesi të mbyllur dhe të kufizuar, që i shton vargjeve një ndjesi të
ngushtësisë dhe lodhjes.
Te
vargu:"Imzot Hamurab, mua plakun e
përvojtur / pse më nxore nga shpella ime", përdorimi i zanoreve
"a" dhe "u" krijon një ndjenjë rezonance të ulët, që shton
peshën emocionale të vargut dhe përforcon ndjesinë e trishtimit dhe lodhjes.
Te
vargu:”S’më duhen teatrot, hipodromet, / stadiumet e vulgut…" – Zanoret
"u" dhe "o" krijojnë një tingull të errët dhe të rënduar,
që shton tonalitetin e ulët dhe ndjenjën e refuzimit ndaj botës së jashtme.
Pra,
melodiciteti i poezisë "Letër Hamurabit" të Bejkos është rezultat i
një kombinimi të kujdesshëm që poeti I bën ritmit të ngadaltë dhe të matur,
rimës së brendshme delikate, dhe përdorimit të zanoreve të errëta dhe të
thella. Këta elementë bashkëpunojnë mes tyre për të krijuar një poezi të mbushur
me ndjenjën e trishtimit dhe vetmisë, duke i dhënë lexuesit një përvojë të
thellë dhe reflektuese poetike.
Përfundimisht
poezia "Letër Hamurabit" përdor tonalitetin e ulët dhe melodicitetin
e trishtueshëm për të krijuar një poezi introspective, të mbushur me ndjenja të
përvojës së hidhur dhe ndarjes nga bota e jashtme. Kjo poezi na çon në një
udhëtim të brendshëm, duke përdorur tingujt e qetë dhe të zymtë për të ndërtuar
një botë ku folësi është i plakur, i pafuqishëm, izoluar dhe i vetëdijshëm për
kufijtë e tij.
Sarandë, më gusht 2024
Letër
Hamurabit
nga murgari
i shpellës Aram
Imzot Hamurab, mua plakun e
përvojtur
pse më nxore nga shpella ime,
nga budallallëku im pse më nxore?!
Nën dritat e shandanëve me arin e
gjithë botës
sot po e shkruaj rreshtin e fundit
në kode.
Jam shpella ime e përvojtur, imzot…
eshtrore, e gurtë… Mjaftohem me pak
dritë.
pak ujë, vaj për kandilin,pak bukë
Tullat e librave ha, i brej si
brejtësit.
Më mjafton plasa e mekur e diellit në
mur.
Thinjat e mia trembin gjeneralët e
tu,
këshilltarët e tu të urtë.
Uji është drita e eshtrave të mija
të thara.
S’më duhen teatrot, hipodromet,
stadiumet e vulgut… lumë, djersë dhe
gjak?
Imzot Hamurab, nuk e mbaj dot
shpatën.
Lavirhanet e tregut e të valleve
për gjakun tim të paktë
nuk ngrenë dot rrjeta, as lak.
Pse më torturon, zoti im, me sjellje
të këso bote?
Njerëzit këtu janë me nga një bodrum
të zi,
me nga një hambar terri mbi shpinë
dhe nën tru.
Kur ata bien nga shpellat në
bodrumin e vetes,
për ta s’ka më nënë, mik e të
dashur,
janë më të ftohtë se një gur,
më të thatë se një dru.
Në atë bodrum ata shqyhen egër mes
veti.
Ti më thirre të gdhend ligje e kode
për ta, imzot.
Ata duan dhëmbët e qenit, shkopin e
xhelatit,
Imzot Hamurab, ata s’i ndreq që nuk
i ndreq dot.
… Ja, t’i hartova ligjet, merri
kodet e tua,
për mua zoti, zoti im me ligjin e
tij të pamort.
Imzot Hamurab, më i madh se qytete
dhe muret,
te shpella ku kthehem, le të
mbulohem krejt me pluhur.
Dhe uroj: në hipodromet, stadiumet,
lavirhanet e tua
nga bodrumet e zinj të njerëzve,
u derdhtë më pak gjak dhe lot i
purpurt.
fq 132.-33
libri "kalorësit e shiut" onufri, 2021
No comments:
Post a Comment