IBRAHIM KADRIU
DHE ZËRI I VETMISË
(Një udhëtim shpirtëror i poetit)
Nga Timo Mërkuri
Poezia "Vetë i
dyzeti" e Ibrahim Kadriut është një reflektim mbi përballjen me
vështirësitë e jetës dhe peshën e problemeve kolektive që ngarkojnë individin.
E krijuar mbi një shtrat tradicional, por me qasje ekzistencialiste, ajo sjell
në vëmendje të lexuesit kryesisht sfidat shpirtërore të njeriut si vetminë dhe
kërkimin e kuptimit të jetës. Poeti shfaq një udhëtim të brendshëm e të
jashtëm, ku përballet me pengesat e përditshme, njerëzit dhe emocionet e tij.
Vetmia dhe ndjenja e një kërkimi përshkojnë vargjet, duke theksuar përpjekjen
për të kuptuar jetën dhe për të gjetur qetësi shpirtërore.
Në përpjekjen për
kuptim të jetës, nëpërmjet vargjeve poeti shpreh ndjenjën e zhgënjimit dhe
pasigurisë. Ai kërkon vazhdimisht kuptimin e jetës, por çdo përpjekje duket se
rezulton në përplasje herë me paqartësinë dhe herë me problemet e ekzistencës.
Ky është elementi bazë që krijon cikël të vazhdueshëm kërkimi dhe humbjeje dhe
thellon ndjenjën e vetmisë. Përmes një strukture të rregullt e përdorimi fin të
figurave letrare, Kadriu përcjell ndjenjën e ngarkesës së tij shpirtërore, por
duke lënë gjithashtu hapësirë për një rezistence pozitive që buron nga akti i
krijimit poetik.
I-Duke pasur parasysh që kuptimi
i shprehjes "Vetë i dyzeti" është një frazeologji popullore që përdoret
rëndom nga një person i rënduar me derte, brenga e halle të shumta, të cilat për
t’i mbartur normalisht duhen dyzetë vetë (apo dhe katërqint në disa variante),
poezia e Ibrahim Kadriut më sjell ndër mend një këngë popullore të viseve të
mia që thotë: “Hallet e dertet e mia/Nuk i di as Perëndia/Por i di zemër mavria
(e zezë)” duke shfaqur kështu peshën e rrëndë të jetës që i ka rënë mbi supe
dhe brengat e shumta të shpirtit. Meqënë se populli ynë brengat dhe hallët e
tij i shprehte në këngë, le ta dëgjojmë
kur rrënkon-këndon: “O moj ti zemër e shkretë/Hapu bënu fletë fletë/Që të dalin
marrazet-ë”. Sigurisht këngëtari popullor ka brenga shpirti për të cilat:”Tu
drejtohem maleve/ Malet më largohen”, sepse dhe ato (malet) nuk ishin në
gjendje ta mbanin peshën e tyre. Para se të flasim për peshën e halleve dhe
derteve të Ibrahim Kadriut, unë dua t’ju them se: shpalosja fletë fletë e zemrës
së tij në vargje është një qasje me artin oral, ku artisti popullor vetëm
këngës i beson sa brengat dhe hallet aq dhe të fshehtat e zemrës. Duke krijuar
këtë poezi shumëvargëshe Kadriu s’bën gjë tjetër veçse respekton traditën e
artit shqiptar, me një ndryshim të vogël: ai ja beson poezisë sekretet e tij të
shpirtit. Mos u mërzitni ju këngëtarë, melodiciteti dhe muzikaliteti që përmban
poezia e çon lehtësisht atë drejt këngës, ja sa të gjejmë një kompozitor,
pastaj do ta këndojmë së bashku dhe do harrojmë fare që është poezi e Ibrahim
Kadriut. Sigurisht unë dhe disa shokë nuk do ta harrojmë këtë fakt, por në
dalldinë popullore të këngës askush nuk do ketë nge të na dëgjojë.
II-Le ti dëgjojmë poetikisht
këto halle dhe derte të Kadriut e më pas të flasim për ato:
Në poezinë
"Vetë i dyzeti," poeti Ibrahim Kadriu shpreh në mënyrë të ndjeshme
brengat dhe shqetësimet e tij personale, të cilat kapërcejnë barrierën e përvojës
individuale dhe ngrihen në dimension universal, në përjetimet e njerëzimit. Problemet
që poeti trajton janë si pasojë e rraskapitjes së përditshme fizike në punë, vetminë,
hipokrizinë, zhgënjimet dhe pyetjet ekzistenciale, por pikërisht këto elemente
i japin poezisë së Kadriut një përmasë filozofike.
1. Poeti shpreh rraskapitjen e
tij në jetë, e cila buron nga veprimet e përditëshme të lodhshme dhe përpjekjet
për të përballuar jetën. Ai ndjen se koha kalon dhe i shton në jetë vetëm barrë
lodhjeje e stërmundimi, siç shprehet në vargjet: “Koha vete në ikje në mua veç
lodhje /Për çdo ditë raste me njerëz përballë”, te strofa e dytë. Kjo
rraskapitje është pasqyrim i vështirësive të jetës, ku çdo përballje me të
tjerët shton peshën e saj mbi barrën që mban poeti, i cili përmes këtyre
vargjeve, shfaq një ndjenjë njerëzore, ku koha dhe përballja e përditshme me
sfidat e jetës shpesh e rëndon individin me lodhje fizike e shpirtërore.
2. Një problem thelbësor që
poeti paraqet është vetmia, e cila për atë nuk është thjeshtë një gjendje e përkohshme,
por një peshë e rëndë shpirtërore, që e lodh sa shpirtërisht aq dhe fizikisht më
tepër se ndonjë ngarkesë fizike. Kjo shprehet bukur në vargjet: “Pesha dhembjes
më ktheu nga vetja / Të shikoja nga larg se si unë dukem / Kur jetoj në vetmi
më rrëmben etja”. Vetmia nuk është një gjendje fizike, por duke patur një
dimension shpirtëror, ajo madje madje është shndërruar në dhembje shpirtërore. Ajo e largon poetin nga
të tjerët, e izolon atë, madje e shndërron
në një njeri që mbetet vetëm në jetën tij. Ajo është një përjetim i rëndë dhe
universal, pse shpreh një ndjesi izolimi që e përjetojnë shumë individë në
shoqëritë moderne.
3. Brengat e tij i ka shtuar dhe
përballja me hipokrizinë e njerëzve përreth tij, të cilët i afrohen miqësisht,
ndërsa nuk ndjejnë dhe as afrojnë asgjë miqësore, pse dashamirësia dhe miqësia
që ofrojnë janë thjeshtë maska, ndërsa janë të gatshëm për ligësi ndaj atij dhe
të tjerëve. Në vargjet “Endem gjithandej mes njerëzve të uritur / Për t’u
shfaqur prore sikurse nuk janë,”, strofa e katërt, poeti denoncon këtë hipokrizi
pse ndjen se jeton në një botë ku maskat janë pjesë e njeriut dhe e jetës së tij.
Pikërisht kjo ndjenjë e fshehjes së identitetit “me maska” me sjellje të rreme,
është reflektim i shqetësimit të shoqërisë,
ku jeta pranë hipokri-zisë bëhet një burim trishtimi dhe zhgënjimi për të
gjithë.
4. Një tjetër brengë që poeti
përjeton është përballja me ironinë e botës dhe kufizimet që i ofron koha.Vargjet
“Kur durimi e humb toruan para ironisë / Që sulet e ma plagos shpirtin pa
mëshirë”, strofa e gjashtë, shfaqin dhimbjen e shkaktuar nga ironia, sidomos në
sfidat e përditshme. Ironia godet
(plagos shpirtin) individët e ndjeshëm dhe delikatë që përpiqen të mbijetojnë,
dhe u shtuar peshën e vuajtjes, pasi efekti i ironisë është nënvlerësimi i
aftësive dhe mundësive të këtyre njerëzve të ndjeshëm e të ndershëm. Duke
gjykuar këto vargje duket se poeti është përballur keqas me ironinë e cila i ka
dalur përpara në rrugën e jetës, pse është përballur me cinizmin dhe fyerjet e
atyre që janë në pushtet apo në pozita më të larta.
5. Në vargjet “Nuk gjej
përgjigje në pyetjen ç’është jeta / Që më shtynë andej e këndej deri n’ varr,”,
strofa e katërt poeti trajton brengën shpirtërore ekzistenciale mbi kuptimin e
jetës. Realisht ky shqetësim ka munduar njerëzimin përgjatë shekujve dhe në
poezinë e Kadriut merr format filozofik, gjë që tregon rëndësinë e përgjegjes të
tij. Pyetja “ç’është jeta” është shqetësim universal, dhe kërkojnë përgjigje të
gjithë ata që përballen me dilemën e ekzistencës dhe përpjekjen për të kuptuar thelbin
e saj. Kjo pyetje nuk ka një përgjigje,ndaj dhe poetin përplasjet e përditshme
e mbajnë të lidhur pas këtij kërkimi të pafund. Në fakt mendohet se gjetja e
përgjigjeve për jetën është problem I filozofëve, por nqse I qasemi artit gojor
të popullit, mund të dëgjojmë dhe vargjet: “O moj jetë, jetë e rreme/që kur
linda më gënjeve/ pleqërinë s’ma rrëfeve”.
6. Vargu “Në çdo hap më ndjek
hija e fatit të keq,” përfaqëson fatalizmin
që mbulon jetën e poetit. Ai e ndjen veten të përndjekur nga tersi, fati i keq, një pengesë a peshë që ai s’ka
fuqi ta kapërcejë apo ta mbajë. Ky fatalizëm shpreh brengën se përpjekjet e tij
për të përmirësuar jetën janë të kota, dhe ajo do vazhdojë me pengesa, që ai s’do
t’i kapërcejë dot. Kjo ndjenjë pesimizmi dhe fatalizmi është reflektim
përjetimi për njerëzit supersticiozë ose që ndihen të mbërthyer në rreth vicioz
ku fati i përcakton të gjitha gjërat.
7. Brengë e madhe e poetit është dhimbja e vetmisë, e
cila në këtë poezi mund të shihet si metaforë dhe simbol dhe përfaqëson
gjendjen ekzistenciale të poetit, që është i përfshirë në një udhëtim të pafund
shpirtëror, duke kërkuar kuptimin e jetës, por pa gjetur përgjigje. Kjo vetmi
nuk është thjesht mungesa e pranisë fizike të të tjerëve, por një vetmi
shpirtërore dhe filozofike, një distancë nga shoqëria dhe kuptimi i saj.
Në poezi kjo
dhimbje shndërrohet në një metaforë për rrugëtimin e tij të brendshëm, një
përballje me vetveten dhe me kohën, siç shihet në vargjet: “Isha gjithnjë në
rrugë të arrija prehje / Ecja n ‘largësi - që do të kishte fund / Në luhatje n
‘vazhdim - kërkoja dehje / E kuptimin e jetës nuk e gjeja askund.” ku vetmia
është një udhëtim i pafund në kërkim të një qëllimi, por me një ndjenjë të
thellë boshllëku dhe mungese. Dhimbja e tij është simbol i zhgënjimit nga vetë
jeta dhe njerëzit, si dhe një pasqyrim i jetës njerëzore në përgjithësi. Në
aspektin ekzistencialist, kjo vetmi dhe dhimbje pasqyrojnë ndjenjën e
absurditetit dhe humbjes së orientimit, një temë qendrore në ekzistencializëm.
Po ashtu vargu
"Pesha e dhembjes më ktheu nga vetja", strofa e tretë, na sjell idenë
se dhimbja, në vend që ta lehtësojë poetin, e shtyn atë të përballet me ato
plagë që kërkojnë dashuri për të shëruar. Kështu dhimbja, bëhet formë kërkimi e dashurisë, një përpjekje për t'u
rikthyer te vetvetja dhe për të rikuperuar pjesët e humbura të identitetit që
dashuria mund të kompletojë. Këtu shfaqet aspekti ekzistencial i dhimbjes, i
cili lidhet me mungesën e reciprocitetit
në dashuri, mungesë që ndikon në ndjesinë e poetit për jetën. Vargu "Duke
më lenë kështu në rropatje vetë i dyzeti" përfaqëson kërkimin e pafund në
jetë, që krijon boshllëk shpirtëror, ku kërkimi për dashuri
shndërrohet në përjetim të ankthit ekzistencial.
Nqse ndalemi te personifikimi
"Vetmia lëshon rrënjët" shohim se ai shton dimensionin e dhimbjes, e
cila ka kapluar jetën, jo vetëm të poetit. Në qoftë se lexuesi do kthejë kokën
pas në jetë, me siguri do sjellë shembullin e tij për ilustrim. Në këtë aspekt
mendoj se në kërkimin e dashurisë, poeti shfaq edhe një përpjekje për t'u
shkëputur nga vetvetja, për ta gjetur “ilaçin” diku jashtë tij..
III- Ndoshta duhet të flasim për
zhgënjimet e Ibrahim Kadriut në këtë poezi, si ndjenjë e përhershme dhe e
ngulitur në vetëdijen e tij, të cilat shfaqen në vargjet ku poeti përpiqet të
përballojë realitetin dhe përmes figurave artistike, ai shfaq vuajtjen e tij,
duke ndërtuar kështu një univers poetik që reflekton vetminë e individit. Kështu
veç vargut "Pesha dhembjes më ktheu nga vetja", ku metafora e
"peshës" pasqyron barrën emocionale të poetit, në vargun tjetër:
"Koha vete në ikje në mua veç lodhje," zhgënjimi merr përmasa të mëdha,
ai shndërrohet vetë në një lodhje shpirtërore më shumë se fizike dhe ku personifikimi i "kohës" që
largohet pa lënë gjurmë pozitive, është një pasqyrë e qartë e zhgënjimit të tij
ekzistencial, që është gjithnjë në rritje. Një zhgënjim më vete na sjell edhe
imazhi:"I rraskapitur n' ofshamë - brez me brez" në strofën e tetë, i
cili tregon se këtu nuk bëhet fjalë për një zhgënjim individual (vetëm në
dashuri), por një trashëgimi dhimbjeje që
kalon nga një brez në tjetrin, duke e bërë zhgënjimin edhe më të thellë dhe të
rëndë. Zhgënjimi kulmon në vargun "Vetë i dyzeti në vrapin e pafund të
pritjes", në strofën e fundit, ku poeti shpreh ndjenjën e vetmisë, por këtu
shfaqen dy element që kanë nevojë të zbërthehen: I pari , poeti e përjeton zhgënjimin
si një barrë që e ndan “vetë i dyzeti”, gjë që të le të kuptosh se nuk bëhet
fjalë për zhgënjimin në dashuri. Së dyti fraza e “vrapit të pafund” nënkupton
një situatë ku poeti dhe ata që e ndajnë këtë situatë vazhdojnë “pa fund” të kërkojnë
një dalje prej saj, por pa ja arritur qëllimit asnjëherë. Së treti, duhet të
dimë se numri “dyzetë” në kulturën shqiptare është simbol i plotësisë, gjë që
do të thotë se ky zhgënjim është shumëdimensional dhe sigurisht që kjo ndjenjë
kolektive lidhet me vetë realitetin shoqëror në Kosovë dhe nuk është thjeshtë
një barrë e rrëndë, e përballueshmë për dyzetë vetë, që i ka rënë shorti ta
ngrejë vetëm Ibrahim Kadriu, si ndonjë Atlas i ri.
IV- Në poezinë e Ibrahim Kadriut "Vetë i dyzeti", le të thellohemi në
disa aspekte të poezisë që shprehin përmasa më të gjera se ekzistencializmi,
duke sjellë në pah elementet universale që i japin kësaj poezie një përmasë më
të gjerë njerëzore dhe kulturore. Në vend që ta kufizojmë poezinë në
ekzistencializmin si qasje filozofike, le ta shohim si reflektim mbi natyrën e
përbashkët të përjetimit njerëzor në kontekste të ndryshme, përtej rrymave
filozofike specifike.
1. Nëse analizojmë vargjet
"Një vend nuk e gjej për asnjë pushim / Det i trazuar, as një valë për
shërim," te strofa e tretë, mund të dalim përtej ekzistencializmit dhe ta
shohim këtë si një shprehje të përpjekjeve njerëzore për të gjetur stabilitetin
dhe qetësinë. Valët e trazura të detit nuk janë vetëm simbol i luftës së
brendshme individuale, por një metaforë universale që pasqyron mënyrën se si
jeta e njeriut, përmes brezave, është e ndikuar nga forca të papritura dhe në këtë
mënyrë ky pasqyrim i brengave njerëzore tejkalon kufijtë e ekzistencializmit, dhe shndërrohet
në simbol të përvojës së përhershme njerëzore për t’u përballur me realitetin e
paqëndrueshëm të jetës.
2. Ka një dyvargësh të bukur (mes
të tjerëve) Ibrahim Kadriu te kjo poezi, dyvargëshin "As koha s’është më
kohë që dikur më preu rrugën / tani vjen si fshesë që m’i merr kujtimet,"
(te strofa e katërt) që të ngelet në mendje, jo vetëm pse poeti shpreh ankthin
ekzistencial mbi kohën, por pse ai përçon një perceptim universal të kohës si forcë
shkatërruese gjer në humbje të gjurmëve të egzistencës. Ky koncept i kohës nuk
është i kufizuar në filozofinë moderne, por e përshkon të gjithë historinë e
njerëzimit, duke u bërë një element në mite, legjenda, përralla të ndryshme si
greke, babilonase etj. Koha, siç është në realitet, por edhe shfaqet në këtë
poezi, është një fuqi që ndikon mbi të gjithë qeniet njerëzore dhe që çon harresën
e kujtimeve njerëzore.” Koha fshin çdo gjë” thotë një fjalë e urtë e jona.
3. Vargjet "Djegur nga
dritat që s’janë asgjë veç hije / Vështroj si nata më ngulfat me frikë" mund
të interpretohen përtej zhgënjimit të ekzistencializmit individual, pse kapin
një ndjesi të thellë dëshpërimi, ku
përpjekja për t'u kapur pas "dritës" si shpresë, megjithëse e
pranishme, nuk ofron ngushëllim por vetëm hije. Kjo kontradiktë mes dritës dhe
hijeve forcon ndjenjën e vuajtjes së poetit, por ndërkohë hijet përfaqësojnë
limitet e përvojës njerëzore në përballjen me forca të mëdha, natyrore apo
shpirtërore. Kjo është një ide
universale dhe prek kulturat që kanë hulumtuar marrëdhënien mes njeriut dhe
forcave të natyrës apo të botës shpirtërore.
4. Gjithashtu ajo që e thellon
universalitetin e poezisë është përdorimi i imazheve natyrore si "det i
trazuar" e "valë." Deti dhe vala janë simbole në letërsi e poezi
dhe këtu, Kadriu i përdor këto elemente për të shprehur shqetësimin mbi
paqëndrueshmërinë dhe përpjekjet e njeriut për të mbijetuar në një botë të tillë.
Nga mitet e lashta greke deri te poezitë bashkëkohore, deti ka qenë një
metaforë për forcat e brendshme dhe të jashtme që ndihmojnë formimin e fatit
njerëzor. Pra, në këtë kontekst, poezia e Kadriut nuk trajton thjesht problemet
individuale të poetit, por përfaqëson një përvojë universale për njeriun në
rrapor me natyrën.
5. I trishtë vargu"Në
rrugët pa fund, njerëz shfaqen dhe ikin / Asnjë fytyrë s’e njoh, vetëm në
përplasje fikem", i trishtë gjer në dhimbje, pse vetmia që përjeton poeti
nuk është një reflektim i vetmisë ekzistencialiste, por është përvojë që prek
individin në çdo kohë dhe në çdo vend. Vetmia është përjetim i përhershëm
njerëzor, që jeton në të gjitha kulturat dhe epokat historike. Kjo ndjesi e vetmisë, e ndarjes së njeriut nga komuniteti
është aspekt i përbashkët i njerëzimit dhe mund të kuptohet vetëm në kontekstin
filozofik ekzistencialist, por edhe si pjesë e një përjetimi universal të të
qenurit njeri.
V-Poezia e Ibrahim Kadriut “Vetë
i dyzeti” është një poezi moderne, por e
ngritur mbi një shtrat tradicional, madje mund të themi se është shembull i shkëlqyer i integrimit të
elementeve tradicionale që shërbejnë si bazë për thellimin e ndjenjave
ekzistencialiste të poetit. Qasja me këngë të ndryshme popullore të viseve
jugore, që përmendëm në fillim të shkrimit, është një dëshmi e pakundërshtueshme.
Në realitet kjo poezi e Ibrahim Kadriut përfaqëson një ndërthurje harmonike mes
elementeve tradicionale dhe ndërtimit
modernist, ku tradita shërben si bazë për krijimin e një poezie bashkëkohore
dhe ekzistencialiste. Poezi tregon se si Kadriu merr elementë të tradicionalitetit
dhe i përpunon në një formë moderne, ku ndjenjat dhe përvojat e individit
marrin një kuptim më të gjerë, duke prekur përjetimin e përgjithshëm njerëzor.
Për të kuptuar ndërthurjen, le të shqyrtojmë disa prej elementeve dhe mënyrën
sesi ato funksionojnë si bazë për poezinë moderniste.
Ndër elementët
tradicionalë që kanë shërbyer për krijimin e kësaj poezie moderniste ne mund të
përmendim:
1. Figura e vetmisë, durimit
dhe vuajtjes, në poezinë tradicionale
shqiptare janë motive të zakonshme që lidhen me përballjen e individit me
sfidat e jetës.”Morra udhën për Janinë/ Natën-o, vetëm-o” dhe “Duro vashë të
durojmë, siç duron mali dëborën” rrënkon-këndon artisti popullor. Në të njëjtën
linjë dhe Kadriu përdor këto motive për të ndërtuar ndjenjën e përjetimit të
vetmisë dhe vuajtjes, por ndryshe nga tradita, ai u jep atyre një dimension më
të gjerë, më kolektiv. Vargu "Vetë i dyzeti në vrapin e pafund të
pritjes" përfaqëson këtë përjetim emocional, ku individi ndjen peshën e
vuajtjeve të të gjithëve, jo vetëm të vetes. Këtu shohim dhe ndjejmë se vetmia
nuk është vetëm personale, por një dukuri kolektive.
2. Motivi i pritjes në traditën
poetike shpesh është simbol për një shpresë, për një ardhje që do të zgjidhë problemet
dhe tu japë jetë shpresave. “Të prita mike pse s’erdhe” thotë një këngë
popullore. Si te kjo këngë popullore edhe në poezinë e Kadriut, pritja është e
pafund, pa shpresë, është një zhgënjim. Te vargu "Një vend nuk e gjej për
asnjë pushim/ det i trazuar as një valë për shërim" pritja humbet kuptimin e saj si shpresë, shndrrohet në një përjetim të
lodhjes dhe dëshpërimit.”Nga muri do ngjitem,
ta di se do vritem” klith poeti popullor në caste të tilla.
3. Koha dhe kujtesa në poezinë
tradicionale, shpesh shihet si forcë që shëron plagët (koha I shërron plagët) ose
i jep kuptim jetës në një të ardhme të afërt. Por te Kadriu, koha merr një
karakter të egër dhe të pamëshirshëm. Në vargjet "As koha s'është më kohë
që dikur më preu rrugën/ tani vjen si fshesë për të marrë kujtimet," koha
nuk sjell shërim, por përku-ndrazi ajo fshin gjithçka, duke e lënë njeriun, pa
një të kaluar, qoftë dhe ëndërr dhe pa një pikë referimi. Kjo qasje ndaj kohës
është një element modernist, që pasqyron ndjenjën e humbjes së orientimit në
botën bashkëkohore.
Sigurisht që këtu
mund të shtojmë dhe strukturën poetike, rimën dhe ritmin e poezisë si dhe
tonalitetin e ulët dhe të trishtë që ka qasje me tradicionalen, por kjo është
tepër e dukëshme për këdo, por për ne ka më shumë rëndësi të shohim ndërtimin
modernist të poezisë mbi bazën tradicionale.
1. Le ta shohim këtë dukuri te
fragmentarizimi i përvojës, pse ndryshe
nga poezia tradicionale, që ka linjë të qartë narrative ose përfundim moral,
poezia e Kadriut është fragmentuar dhe
përjetimet janë të copëzuara. Psh, vargjet "Djegur nga drita që s'janë
asgjë veç hije/ Vështroj si nata më ngulfat me frikë" tregojnë sesi drita,
që në traditën poetike përfaqëson shpëtim dhe shpresë, këtu është e zbrazët, pa
substancë, dhe e len individin në errësirë dhe frikë. Ky fragmentarizim i
përvojës është karakteristikë e modernizmit, pse ai nuk kërkon një zgjidhje,
por përjeton momentin në të gjitha kontradiktat e tij.
2.Elementet tradicionale në
poezinë moderniste përdoren për të krijuar simbole e metafora komplekse, të
cilat i japin poezisë një dimension filozofik. Psh, simbolika e fshesës që
fshin kujtimet në vargun "tani vjen si fshesë për të marrë kujtimet"
përfaqëson jo vetëm harresën, por dhe zhdukjen e gjurmëve të individit, duke
theksuar kështu krizën identitare në
modernizëm. Pra, ndërsa në tradicionalitet kujtesa shërben si arkivë për të
ruajtur vlerat identike dhe momentale, në modernizëm zhduket, duke lënë
individin pa kujtesë, pa origjinë në
botën moderne.
3. Në poezinë tradicionale,
shpresat janë të pranishme në fundin e poezisë, dhe ofrojnë një zgjidhje ose
një rrugëdalje nga vuajtja. Në "Vetë i dyzeti," nuk ka një përfundim të
tillë, Kadriu e lë poezinë të hapur, me ndjenjë pasigurie e ankthi, si te vargu
"Vrapin e pafund të pritjes," ku pritja nuk sjell asgjë, dhe
zhgënjimi është i përhershëm. Kjo mungesë e zgjidhjes përfundimtare është
karakteristikë thelbësore e poezisë moderniste.
Pra, këtu shohim se
poezia "Vetë i dyzeti" është poezi që ngre ura mes tradicionalitetit dhe
modernitetit, ku elementët tradicionale si vetmia, koha dhe pritja janë të
pranishëm në bazën e saj, por Kadriu i shndërron këto elemente në mjete për të
eksploruar një krizë ekzistenciale moderne. Duke i përdorur këto elemente si
bazë për ndërtimin e një poezie moderne, ai krijon një vepër që pasqyron
ankthin dhe pasigurinë e individit bashkëkohor, duke ruajtur lidhje me
traditën, veprim me të cilën shfaqet si një mjeshtër që ndërtton kryevepra me
mjete rrethanore.
VI- Mënyra se si i ka formuar Kadriu
figurat artistike, që japin finesë estetike poezisë dhe mbështesin
ekzistencializmin tregon për një talent në rritje dhe një përvojë të pasur
krijimtarie. Kështu ndjejmë se poezia "Vetë i dyzeti" shfaq
estetikisht vargun poetik dhe shpreh thellësinë ekzistencialiste të jetës
njerëzore përmes një përdorimi të sofistikuar të figurave artistike. Metaforat,
simbolet, personifikimet dhe imazhet, përveçse shërbejnë për të pasqyruar
ndjenjat dhe emocionet, krijojnë gjithashtu një kontekst të pasur për reflektimin
mbi ekzistencën, dhimbjen dhe kërkimin për kuptim.
Metaforat në
poezinë e Kadriut nuk janë thjeshtë “lule” në ballkonin poetik, por ato
ilustrojnë kompleksitetin e jetës dhe ndihmojnë në thellimin e mesazhit
ekzistencialist. Vargu "Pesha dhembjes më ktheu nga vetja" sugjeron
barrën emocionale që individi përballon, pse dhimbja shpirtërore e shkëput atë
nga identiteti i tij. Ky fragment thekson ndjenjën e vetmisë, duke reflektuar
krizën e identitetit që shpesh ndjek individin në jetë. Po kështu metafora,
"I tëri shndërrohem veç një rrëfim", e bën individin të ndihet si një
histori e humbur në rrjedhën e kohës, duke krijuar atmosferë ekzistencialiste
ku individi përballet me pyetje mbi ekzistencën e tij. Një varg tjetër,
"Koha vete në ikje në mua veç lodhje", personifikon kohën si një
forcë që ecën si njeriu, që kalon, duke përcjellurr ndjenjën e kalimit të
shpejtë të jetës dhe lodhjes që e shoqëron atë. Kjo metaforë tregon mënyrën se
si individi përjeton kalimin e kohës si një ngarkesë që përplaset me realitetin
e tij ekzistencial.
Simbolet në poezi
ofrojnë një dimension kuptimi. Psh, simboli "Njerëz të uritur" sugjeron
nevojën për mbijetesë në një botë të varfër, të ashpër, duke e bërë individin
të humbasë besimin në vlerat dhe aftësitë e tij. Vargu "Vdekja që
pret" simbolizon frikën, panikun për të humbur ose mos realizuar
diçka, thekson pasigurinë e individit përballë
ekzistencës. Simboli, "Flluskë sapuni", shpreh brishtësinë e jetës
dhe iluzionin e sigurisë,e bëjnë indivi-din të ndjehet në ankth për të ardhmen.
Kështu pra, këto simbole ndihmojnë ndriçimin e ndjenjave dhe emocioneve që e
përfshijnë individin në përballjen e tij me realitetin.
Personifikimet u
japin jetë ndjenjave dhe ideve, i bëjnë ato më të prekshme për lexuesin dhe theksojnë
ndikimin e tyre në jetën e individit. Vargu "Koha m’ shoqëron n’
tokë" e trajton kohën, një element abstrakt në një shok, person fizik,
madje duke theksuar ndjenjën e përgjegjësisë apo pasigurisë për të ardhmen. Po
ashtu, vargu "Etja m’ shtyn" e personifikon etjen si forcë reale
fizike që vepron mbi individin, ndërsa shpreh dëshirat apo nevojat e tijnë atë
moment. Një tjetër personifikim, "Vetmia lëshon rrënjët", tregon se
vetmia në identitetin e poetit, duke bërë që individi të përjetojë një lloj
vetmie, qëndrimi në një vend, palëvizshëm.
Këto figura kontribuojnë në reflektimin e thellë ekzistencialist të individit,
duke theksuar sfidat e tij emocionale.
Imazhet i japin
bukuri dhe finesë poezisë pse ndihmojnë
në krijimin e një atmosfere të të përshtatëshme dhe pasqyrojnë ndjenjat njerëzore.
Psh, imazhi "I rraskapitur n’ ofshamë - brez me brez" krijon një
pamje të lodhjes dhe vuajtjes që kalon nga një brez në tjetrin, dhe thekson
vazhdimësinë e dhimbjes. Vargu "Dhe bota e ethshme - sillej vërdallë"
sugjeron një botë kaotike, gjë që pasqyron tensionin dhe pasigurinë e individit
karshi sfidave. Imazhi "Dritëhija e kujtimeve" sugjeron se kujtimet,
edhe të trishtme, ndihmojnë në ndriçimin e rrugës së individit, dhe e bën atë
të reflektojë mbi kalimin e kohës. Realisht duhet të theksojmë se edhe figurat
artistike kanë një ngjyrë gri, që i qaset shpirtërisht tekstit poetik, një
vlerë e shtuar kjo në talentin e Kadriut.
VII. Unë do t’i ftoja lexuesit që
poezinë "Vetë i dyzeti" të Ibrahim Kadriut, të shihnin përtejë vetmisë
dhe dëshpërimit të shfaqur në vargje, pasi ajo në vetvete është dhe një shembull se si poezia vetë
përbën forcën e poetit për të përballuar vështirësitë dhe ruajtur besimin në të
nesërmen. Në këtë kontekst, krijimi poetik nuk është thjesht një akt estetik,
por formë e fuqishme e rezistencës ndaj vetmisë, dëshpërimit, vështirësive dhe
përplasjeve shpirtërore të subjektit lirik. Ky akt krijues është një formë
kundërvënieje ndaj të gjitha problemeve ekzistenciale, jo vetëm të poetit, duke
shprehur qëndresën shpirtërore dhe një besim, sado i mjegullt, në një të
nesërme më të mirë. Në këtë poezi vetë akti i të shkruarit shndërrohet në një mekanizëm
mbijetese dhe rezistence. Vërtet që poezia përshkohet nga tonalitet dëshpërimi e
tensioni shpirtëror, por poeti refuzon t'i dorëzohet pesimizmit. Vetë përpjekja
për të artikuluar këto ndjenja përmes poezisë, duke u dhënë atyre bukurinë e
artit, bëhet një formë e luftës kundër pesimizmit dhe harresës. Figura e
Ibrahim Kadriut që shkruan, në këtë rast, përfaqëson individin që kërkon të
krijojë dhe të ruajë kontrollin mbi jetën edhe kur duket sikur të gjitha gjasat
janë kundër tij. Ndoshta edhe këtu duhet parë ndikimi i fuqishëm I optimizmit të
artit tradicional.
Sarandë, më tetor 2024
Ibrahim Kadriu
VETË I DYZETI
Isha gjithnjë në rrugë të arrija prehje
Ecja n ‘largësi - që do të kishte fund
Në luhatje n ‘vazhdim - kërkoja dehje
E kuptimin e jetës nuk e gjeja askund
Koha vete në ikje në mua veç lodhje
Për çdo ditë raste me njerëz përballë
Bagazhin plot me aq shumë ndodhje
Dhe bota e ethshme - sillej vërdallë
Pesha dhembjes më ktheu nga vetja
Të shikoja nga larg se si unë dukem
Kur jetoj në vetmi më rrëmben etja –
Diçka m ‘shtyn si n ‘ëndërr t ‘zhdukem
Dhe i tëri shndërrohem veç një rrëfim
Që zgjatë aq – sa zgjatë një valë lumi
I ngarkuar me gëzim dhe me hidhërim
Mbetur n ’harresë – çdo gjë n ‘humbje
Endem gjithandej mes njerëzve t ‘uritur
Për t’u shfaqur prore sikurse nuk janë,
I shoh në përpëlitje jete për t’u ngritur
M’i lënë përshtypje të tjerëve si azgan
Në vazhdim të jetës - fshehin qëllimin
Për synim etjesh s’iu shkel këmba kurrë
Me ngritje koke - e lëndojnë mendimin
Dhe kapërcejnë jetën - pa nofkën burrë
Përpiqem për t ‘marrë veten me të mirë
Kur durimi e humb toruan para ironisë
Që sulet e ma plagos shpirtin pa mëshirë
Kur i përulem dhe i bëjë shërbim vetmisë
Nuk gjej përgjigje në pyetjen ç ‘është jeta
Që më shtynë andej e këndej deri n’ varr
Pa kuptim të kërkuar në ndërkohë mbeta
I përplasur gjithnjë - nuk dita çfarë t’ marr’
Nga koha shterpë që m ’shoqëroi n’ tokë
I rraskapitur n ‘ofshamë - brez me brez
Ileti i urrejtjes - më zë pisk e më rrokë
Më shtrëngon e më shtrydh sikur ushejz’
Jam pajtuar gjithherë e mirë me durimin
Për t’i ndihmuar shpirtit ia bëj krejt rrafsh
Në kohë hamendjesh e thërras shpëtimin
T’më mbaj n ‘këmbë, të më qafojë me afsh.
Ia kam zënë pritën kohës - për biografinë
E lus të më ndihmojë të ec tutje i zgjuar
Dhe të shëtis gjithandej nga ndjesia prinë
Gjurmëve të traditës esëll duke kërkuar
Dhe ndeshem shpesh me hire që frenojnë
Qëllimi është i qartë – për ndalje të hapit
Se si vlon gjaku pastaj - e etjet urdhërojnë
Për vazhdim më tutje me forcën e vrapit
Iu qasem veprave - iu rri me vullnet gatitu
Prej faqe në faqe i tëri n ‘ekstazë shtrihem,
Edhe gjumin e lë anësh – eci e eci pa përtu’
Derisa kënaqem - dhe sa i lumtur ndihem
I strehuar në fjalët mbëltuar me emocione
Vazhdoj rrugën andej drejt vdekjes që pret
I mbetur shumë larg të afërmve të kësaj ane
Vetmia lëshon rrënjët kur gjithçka afër vret
Iu fala kohës me të gjitha telashet ç ‘kishte
E ajo tutje në rrugëtim e sipër pa mua mbeti
E tëra si flluskë sapuni në këtë rrugëtim ishte
Duke më lënë kështu në rropatje vetë i dyzeti.