FRYMËZIME JONIANE
Nga Timo Mërkuri
Fatmir Terziu ka publikuar kohët
e fundit tre cikle me poezi për Sarandën në një kohë të shkurtër prej një jave,
duke i cilësuar si dedikime në kontekstin e Manifestimeve poetike Trirema
Joniane që organizon Klubi i krijuesve Jonianë të këtij qyteti, ku ai ka qenë i
ftuar në disa edicione rresht. Sigurisht që në këto manifestime veç prezantimit
të krijimeve poetike janë kryer dhe biseda mbi poezinë, shkëmbime mendimesh si
dhe vizita nëpër resurset turistike dhe historike të Sarandës, të cilat ajo i
ka të shumta.
Shoqata e krijuesve Jonianë e ka
vlerësuar dhe nderuar poetin, kritikun dhe shkrimtarin Fatmir Terziun me disa çmime, madje deri me
Kurorën e Artë me gjethe ulliri, Institucioni i Bashkisë dhe titullarët e kanë
pritur dhe nderuar me Mirënjohjen e qytetit, televizion lokal e ka prezantuar
në edicionet e tij dhe vetë Terziu ka krijuar miqësi të shumta e të sinqerta me
krijuesit dhe qytetarë të Sarandës. Veç këtyre tre cikleve, Terziu vite më parë
ka shkruar librin Joni poetik në dy vëllime, i cili është promovuar së pari në
Sarandë, u ka kushtuar disa krijuesve saranditë poezi të ngrohta, ka shkruar e botuar disa cikle poetike po për
Sarandën, njerëzit dhe natyrën të cilat gjithashtu janë botuar nëpër libra. Me
të drejtë Fatmir Terziu vlerësohet si Miku i Sarandës dhe banorëve të saj. Po
të mbledhësh krijimtarinë e Fatmir Terziut me temë sarandite me siguri bëhen
disa vëllime më vete.
I-Këto tre cikle poetike të
njëpasnjëshme të Fatmir Terziut mund të cilësohen si një akt i thellë dhe intensiv
i krijimtarisë që paraqet ndërlidhjen e veçantë të poetit me Sarandën, si dhe
një përkushtim ndaj mjedisit dhe artit të saj. Ato përbëjnë një shprehje
artistike që tejkalon kufijtë e poezisë si formë e veçantë, pasi krijojnë një
dialog të midis natyrës, artit dhe njerëzve të këtij qyteti.
1. Sigurisht që poeti krijon një
dialog me Sarandën, pasi ajo, nuk është vetëm një qytet bregdetar, por një
burim i pashtershëm frymëzimi që përshkon të gjithë krijimtarinë e poetit,
madje ka zenë vend në artet e shumë krijuessve shqiptarë dhe të huaj. Terziu i
kthehet natyrës së Sarandës në një seri ciklesh poetike, si për ta përjetësuar
dhe për t'i dhënë zë peizazheve të saj, detit Jon, dritës dhe ngjyrave që
mbushin këto poezi dhe dashurisë që ndjen për atë. Përmes një gjuhe të ngarkuar
me simbolikë dhe ndjeshmëri të lartë, ai arrin të mbërthejë në vargje momentet
e bukurisë dhe fragilitetit që Saranda ofron.
2.Krijimi i cikleve poetike njëra
pas tjetrës, për një periudhë të shkurtër kohore, përveçse shfaq një vullnet të
jashtëzakonshëm dhe intensitet krijues, tipike kjo për Terziun është dëshmi e
një lidhjeje të fortë shpirtërore të poetit me këtë hapësirë gjeografike dhe
kulturore. Ky intensitet krijues dhe kjo krijimtari e gjerë jo vetëm që nuk e
shteron poetin, por e pasuron atë, duke sjellë varietete tematikash dhe ndjenjash që
përfshijnë dhe reflektime mbi artin dhe krijuesit saranditë. Përtej poezisë,
Terziu ka shkruar studime dhe analiza mbi krijuesit e kësaj zone, duke u bërë
kështu një zë kritik dhe studiues që angazhohet jo vetëm poetikisht, por edhe
intelektualisht.
3.Studimi i vazhdduesshëm i
Terziut mbi Artin Jonian përbën themel të rëndësishëm në poezinë e tij.Ky
dialog me traditën poetike joniane dhe veçoritë e saj është tregues i
angazhimit të tij me historinë dhe kulturën shqiptare në tërësi dhe të këtij
rajoni, në veçanti. Për më tejë, përmes poezive, Terziu ndriçon këtë art dhe e
risjell në kohët moderne, duke e pasuruar me ndjeshmëri bashkëkohore. Kjo
ndërthurje e traditës dhe modernitetit në krijimtarinë e tij është thelbësore
për të kuptuar se si poeti arrin të mbajë një rrjedhshmëri të vazhdueshme në të
gjitha format e shprehjes së tij artistike.
4.Duke shkruar jo vetëm për
natyrën, por dhe krijuesit saranditë,Terziu krijon një peizazh jo vetëm fizik
por edhe shpirtëror. Kështu poezia e tij
shtrihet përtej kufijve të personalitetit të tij krijues, duke reflektuar dhe
vlerësuar kontributin e artistëve të tjerë të kësaj hapësire, dhe duke ofruar
kështu një pasqyrë të plotë të artit jonian dhe identitetit kulturor të
Sarandës.
Në këtë mënyrë duhen parë këto
tre cikle poetike të Terziut që shfaqin lidhje të ngushtë midis krijimtarisë
individuale dhe një hapësire të veçantë gjeografike e kulturore, duke e bërë
poezinë e tij një homazh ndaj natyrës dhe artit të Sarandës.
II-Cikli i ri i poezive nga
Fatmir Terziu, ofron një shfaqje të hollësishme, të ndjeshme e plot ngjyra e
dritë të natyrës dhe elementeve të Sarandës, dhe i shndërron ato në simbole poetike.Terziu
krijon në vargjet e tij një botë ku deti, qielli, guralecët dhe dashuritë shpirtërohen dhe bashkëjetojnë në harmoni të
përjetshme. Përmes figurave stilistike dhe një ndjenje të fortë lidhjeje me
hapësirën, këto poezi marrin një dimension të veçantë, ku natyra dhe emocionet
njerëzore ndërthuren në mënyrë të pandashme. Le ti shohim poezitë e këtij cikli
me radhe:
1. Te poezia “Edhe deti
tekanjozet” vargjet personifikojnë detin, duke e shndërruar atë në një qenie që
përjeton emocione njerëzore. "Si një sy i lodhur nga dhimbjet, / fsheh në
retinë lotët e tij," përcjell një ndjesi trishtimi dhe ndjeshmërie, ku
deti duket sikur përjeton dhimbje shpirtërore Ky personifikim i detit krijon
një përvojë ku natyra shfaqet para syve të poetit e ndjeshme dhe e gjallë, duke
reflektuar gjendjen shpirtërore të tij. Lidhja e poetit me Sarandën reflektohet
këtu përmes mënyrës se si ai ndien detin si një partner që ndan emocionet dhe
përjetimet e tij.
2. Poezia:“E dirigjuar”
shfaq lëvizjet natyrore si një simfoni
të harmonizuar. "Batica e ngre të zotin e hutuar / guralecët mësojnë të
zgjohen nga gjumi" këtu vërehet një tjetër personifikim i elementeve
natyrore, ku batica dhe guralecët veprojnë sikur të ishin pjesë e një
orkestrimi të drejtuar. Si një vëzhgues I hollë Terziu përdor figurat për të shfaqur lëvizjet e
natyrës, si "dirigjuar", që e bëjnë detin dhe bregun pjesë të një ansambli
artistik, duke krijuar një perceptim të natyrës si diçka të organizuar, të bukur
dhe organikisht të lidhur me përvojën
njerëzore.
3.Në poezinë “Siç shihet nga
Lëkurësi” poeti shfaq një peizazh të dashurisë midis detit dhe tokës.
"Deti ngre dolli shkumë me të dashurën në breg", dmth me Sarandën,
duke sjellur një imazh të gjallë të lidhjes romantike midis detit dhe qytetit.
Ky element i natyrës, ku "deti" dhe "dashura" e tij,
Saranda bashkëveprojnë në ceremoni të përjetshme, është një metaforë e
dashurisë së poetit për natyrën e Sarandës. Ngjyrat në vargjet "Grija e
blusë dhe grija e jeshiles" krijojnë një kontrast të fuqishëm vizual, që
të kujton një pikturë të lëvizshme natyrore, ku përhumbja dhe dashuria
ndërthuren me peizazhin. Duhet ta duash shumë një qytet që të dallosh dhe
veçanti të tillë si nuancat e ngjyrave, që të sjellin në kujtesë nuancat e syve
të vajzës në takimet e para të dashurisë.
4.Sinqerisht më befasoi poezia
“Fraksion kohe” për temën ashtu dhe për stilin e saj, ku për herë të parë e
shoh poetin të shfaqë një lojë delikate me konceptin e kohës dhe hapësirës.
"Guaska del / me një të katërtën e shpejtësisë së dritës" është një
metaforë që shfaq,(gati në vizualizëm) një lëvizje të shpejtë dhe të papritur,
duke shprehur momentin e jetës që vjen e shkon në një çast. Në këtë poezi, koha
dhe dashuria ndërlidhen, siç tregon vargu "Dashuritë lindin Jonit
prore", duke krijuar një ndjenjë sa përjetësie, aq dhe kalueshmërie të
njëkohshme. Poezia përdor referenca muzikore me "pesë minutat e këngës së
Agron Berishës", duke e lidhur përjetimin e momentit me muzikën si pjesë
të qenësishme të përvojës njerëzore.
5. Te poezia“Vendin e fronit”Terziu
eksploron një kontrast mes natyrës dhe pushtetit, me një atmosferë plot me
simbolizëm. "Në Sarandë, nën shi, ka gjithnjë diell" përcjell një
ndjenjë optimizmi dhe qëndrueshmërie, ku dielli bëhet një simbol i përhershëm i
shpresës dhe jetëgjatësisë. Kjo ndjenjë ka diçka nga realiteti i qytetit, i
cili i ka të pakta rastet e një shiu të rrëmbyeshëm, me vetëtima e bubullima. Këtu
dhe kur bie shi, të duket sikur je nën dritën e diellit. Ne që banojmë në këtë
qytet e shohim këtë varg si një figurë reale dhe jo si imazh poetik. Ndërkohë,
retë që "largohen, megjithatë, pa mbikëqyrje" krijojnë një imazh të
ndryshimit të natyrshëm të ritmeve të jetës. Përdorimi i metaforës së fronit në
vargun "skicojnë në Qafë Gjashtë vendin e fronit" përforcon idenë e
një lufte mes forcave natyrore dhe pushtetit të vendosur nga njeriu, duke e
parë natyrën si një mbretëri të lartë dhe të fuqishme. Veç të mos harrojmë se në
Qafën e Gjashtës është rrënoja e Manastirit të dyzet shenjtorëve dhe dhomat e nëndheshme
të murgjve, ndaj ky varg mund të shihet dhe në tjetër kuptimshmëri.
III-Poezitë e Fatmir Terziut për
Sarandën përshkohen nga përdorim i thellë dhe i ndjeshëm i figurave artistike
të zgjedhura që reflektojnë ndjenjat e tij të holla për
bukurinë dhe fragilitetin në hapësirën sarandite. Përmes simboleve,
metaforave, personifikimeve dhe imazheve të gjalla, poeti arrin të shfaqë jo
vetëm peizazhin natyror, por edhe lidhjen e tij emocionale me qytetin dhe
natyrën. Në një analizë të këtyre figurave shprehemi se:
1. Simbolet e detit dhe elementeve
natyrore në poezitë e Terziut përfaqësojnë diçka më të thellë sesa një
përshkrim i thjeshtë i mjedisit. Deti në vargjet e tij është simbol i fuqisë së
madhe, por edhe i qetësisë dhe fragilitetit të natyrës. Në poezinë “Edhe deti
tekanjozet,” deti paraqitet si simbol i emocioneve të fshehta të poetit:“Si një
sy i lodhur nga dhimbjet,/ fsheh në retinë lotët e tij”,ku deti, ndërsa
simbolizon bukurinë e jashtme, fsheh brenda fragilitetin dhe dhimbjet e
padukshme, një metaforë e brishtë për ndjeshmërinë e poetit ndaj botës përreth.
Ky fragilitet për bukurinë është element që nuk shfaqet shpesh në poezinë
shqipe, ca më tepër me këtë ndjenjë, ndaj mendoj se ky është një tregues i
ndjeshmërisë poetike të autorit, që gjeti rastin të shprehej në qytetin e
Sarandës.
2.Metaforat janë të pranishme në çdo
poezi të ciklit, dhe shërbejnë si mjete për të shprehur përjetimet e poetit në
mënyrë të ndërlikuar dhe të ndjeshme. Në poezinë “Siç shihet nga Lëkurësi,”
metafora e "gjerdanit të artë" që i lidhet detit krijon një imazh të
fuqishëm: “dhe gjerdani i artë po i lidhet me shpejtës/përhumbjes, prej
pijes.”k u, poeti përshfaq detin në mënyrë metaforike, duke i lidhur elementet
natyrore me idenë e përhumbjes në bukurinë dhe ndjeshmërinë e tij për të
përjetuar natyrën si frymëzim të pavdekshëm.
3.Poezitë janë të pasura me
personifikime, që u japin natyrës dhe elementëve të saj tipare njerëzore, duke
e sjellë atë më afër ndjenjave të poetit. Në poezinë “Vendin e fronit,” natyra
merr një jetë të vetën:“Në Sarandë, nën shi, ka gjithnjë diell,/pasi i soset
durimi Jonit.”duke krijuar njuë kontrast midis shiut dhe diellit, duke përdorur
këtë imazh për të shprehur ndjenjën e durimit të natyrës dhe kthimit të
bukurive pas ndonjë kohe të keqe. Shprehja “ i soset durimi Jonit”nënkupton që
Joni, det edhe pse i qetë dhe i durueshëm në mot të keq në gjirin e Sarandës, më
në fund arrin një pikë dhe durimi i soset dhe kthen prapë diellin, duke larguar
retë. Poeti përdor personifikim duke i dhënë detit cilësi njerëzore. Pra, këtu,
natyra shfaqet si qenie me vullnet të lirë dhe durim, e cila përfaqëson
qëndrueshmërinë dhe fuqinë që poetit i frymëzon Saranda.
4. Imazhet që Terziu krijon e
mbushin poezinë me atmosferë të gjallë e të prekshme, duke sjellë para syve të
lexuesit një Sarandë të ndritshme, plot ngjyra e detaje. Kështu, në poezinë
“Fraksion kohe,” përdorimi i imazheve krijon ndjesinë e lëvizjes së përhershme: “Guaska del/me një të
katërtën e shpejtësisë së dritës.” Ky imazh afron një përvojë të ndjeshme të
kohës dhe hapësirës, duke theksuar se si poetika e tij është e mbështetur mbi
vëzhgimin e detajeve të vogla që përcjellin delikatesën dhe fragilitetin e
bukurisë natyrore.
5. Përmes këtyre figurave
artistike, Terziu krijon një përshkrim të ndjeshëm të bukurisë së natyrës së
Sarandës, një bukuri që është e brishtë dhe e ndjeshme ndaj ndryshimeve të
jashtme. Vargjet e tij shpesh ofrojnë
ndjenja kalimtare, sikur bukuria e natyrës është e kërcënuar nga
ndryshimi e koha, siç shihet në poezinë “Fraksion kohe”:“Koha nuk pret pa të
puthur sikurse e sheh:/Dashuritë lindin Jonit prore.” Këtu, koha dhe dashuria
janë të lidhura ngushtë me fragilitetin e bukurisë, ku përjetimi i natyrës së
Sarandës mbetet gjithnjë i përkohshëm dhe i çmuar, ashtu si bukuria e një vajze
e cila duhet puthur sa është e re.
IV- Në ciklin poetik të Terziut,
poeti përqafon një gamë të gjerë stilesh moderniste, duke i dhënë vargut të tij
një dimension të veçantë artistik dhe filozofik. Poezitë reflektojnë mbi
natyrën e Sarandës dhe ndjesitë që ajo zgjon te autori, duke përdorur figura letrare
dhe rryma të ndryshme estetike për të shprehur emocionet dhe mendimet e tij.
Çdo poezi në këtë cikël lidhet me një rrymë specifike të modernizmit, duke krijuar
një mozaik artistic dhe sjellë një
harmoni midis përvojës njerëzore dhe peizazhit natyror, të përpunuara me artin
e figurave si simbolika, metaforat, dhe ngjyrat.
1.Kështu, poezia "Edhe deti
tekanjozet" i qaset ekspresionizmit, pse vargjet “Si një sy i lodhur nga
dhimbjet, fsheh në retinë lotët e tij” krijojnë lidhje emocionale midis natyrës
e ndjenjave njerëzore, ku deti përfaqëson një qenie të gjallë që ndjen dhimbje.
Realisht ekspresionizmi karakterizohet nga theksimi i ndjenjave të brendshme,
dhe këtu dhimbja dhe lotët e detit shërbejnë si reflektim i shpirtit të poetit.
Pra, duke përdorur figurën e lotëve dhe dhimbjes, poeti krijon lidhje
emocionale me lexuesin, duke zbuluar një botë të brendshme të trazuar dhe të
ndjeshme.
2. Poezia "E dirigjuar" ka qasje
surrealiste. Kjo duket te vargjet “Guralecët mësojnë të zgjohen nga
gjumi dhe nuk qenka kjo e dirigjuar?” ku poezia përqafon surrealizmin, pse sjell personifikon elemente të natyrës në
mënyrë të pazakontë e fantastike.Këtu guralecët janë personifikuar dhe
imagjinata krijon lëvizje të natyrës të dirigjuar nga forca misterioze, si në ëndërr.
Këtu surrealizmi shpreh ndjenjën e çuditshme dhe të pabesueshme të
bashkëveprimit midis elementeve të natyrës, ku gjërat më të zakonshme, si
guralecët, fitojnë një rëndësi dhe jetë të re.
3.Ndërkohë poezia "Siç
shihet nga Lëkurësi" i qaset Impresionizmit, gjë që shihet te vargjet “Deti
ngre dolli shkumë me të dashurën në breg, grija e blusë dhe grija e jeshiles.” Kjo
poezi është një pasqyrim i ndikimit të impresionizmit në artin e poezisë, pse
shfaqja e ndërlikuar e ngjyrave dhe përzierja e tyre krijon një imazh të gjallë
dhe emocional të natyrës, duke u përqëndruar te përjetimi i momentit dhe
ndijimi vizual, ku bluja dhe jeshilja bashkohen për të krijuar një përvojë
estetike të fuqishme. Poeti kap çastin estetik të natyrës me detaje delicate.
4.Ndërsa poezia"Fraksion
kohe"fton tuturizmin, që siç shihet te vargu:“Guaska del me një të
katërtën e shpejtësisë së dritës.” që futet përmes konceptit të shpejtësisë dhe
lidhjes me dritën dhe kohën. Vargjet eksplorojnë dinamizmin dhe lëvizjen e
pandalshme të kohës dhe natyrës. Dimë se futurizmi i kushton rëndësi shpejtimit
të përvojës dhe këtu, guaska dhe shpejtësia reflektojnë këtë perspektivë.
5. Së fundi poezia:"Vendin e
fronit" qaset te simbolizmi, gjë që shihet te vargjet “Në Sarandë, nën
shi, ka gjithnjë diell, pasi i soset durimi Jonit.” përmes përdorimit të
metaforave dhe simboleve që lidhen me natyrën dhe shpirtin njerëzor. Dielli dhe
Joni përfaqësojnë durimin dhe shpresën që rikthehet pas vështirësive. Këto
elemente krijojnë një lidhje të brendshme mes natyrës dhe gjendjes shpirtërore
të poetit, duke e shndërruar natyrën në një pasqyrë të ndjenjave të tij të
brendshme.
Pra këto poezi ndërthurin një
mori figurash artistike, duke përfshirë simbole, metafora dhe personifikime,
për të shprehur ndjenjat e poetit për të bukurën dhe fragilitetin e saj në
hapësirën e Sarandës. Ndërsa deti, guralecët dhe ngjyrat e natyrës vijnë në
jetë përmes vargjeve, ato përfaqësojnë përvojën vetiake të poetit me këtë
hapësirë të veçantë, ku natyra dhe ndjenjat njerëzore gërshetohen në një mënyrë
organike dhe harmonike.
V- Te poezitë e Fatmir Terziut
ndjehet një melodicitet shpirtëror, i cili
krijpn ndjesinë që më shumë se lexohen, ato "këngëzohen." Kjo ndjenjë
vjen si rezultat i një kombinimi të veçantë të elementeve stilistike dhe
figurave poetike që mbushin vargjet me ritëm dhe harmoni. Ekzistojnë disa
faktorë që ofrojnë këtë përjetim melankolik dhe melodik, dhe kjo lidhet ngushtë
me mënyrën se si Terziu krijon vargje me tonalitete të ngrohta, të qarta dhe të
qeta.
1. Së pari për krijimin e
melodicitetit në poezitë e ciklit ndikojnë ritmi dhe kadenca e vargjeve.
Vargjet e poezivë kanë strukturë të organizuar, ku ritmi rrjedh
natyrshëm dhe krijon një kadencë të brendshme, si një valë e qetë që lëviz
ngadalë dhe pandalshëm. Kjo qasje me valët e detit na krijon përshtypjen se
poeti ka “fiksuar” në manjetofon zhurmat e qytetit, për ti sjellur përsëri nëpërmjet
vargjeve, këtë ndjesi të krijon. Ky ritëm krijon ndjesinë që poezia nuk është
thjesht për t’u lexuar, por është një melodi e cila duhet ndjerë. Është e natyrëshme
që në bulevardin e qytetit të shohish ndonjë person që këngëzon me vete melodi
, duke mos folur për grupe të rinjsh që këndojnë në bordurat e bulevardit. Poezia
"Vendin e fronit" ilustron mirë këtë element: "Në Sarandë, nën
shi, ka gjithnjë diell, / pasi i soset durimi Jonit, / retë largohen,
megjithatë, pa mbikëqyrje, / skicojnë në Qafë Gjashtë vendin e fronit" Këtu,
struktura e vargjeve krijon një ritëm që lëviz me qetësi. Fjala e fundit e çdo
vargu bie me kadencë të tillë që ngjan me përfundim melodik, duke e kthyer
poezinë në një këngë të qetë natyrale.
2.Aliteracioni dhe asoneca,
ripërsëritja e tingujve në vargje, kontribuojnë në krijimin e një harmonie
akustike dhe ndihmojnë krijimin e një melodie të brendshme. Përsëritja e
tingujve, sidomos tingujt e butë dhe zanoret, i japin vargut ndjesi ritmike, të
ngjashme me muzikën. Kështu,në poezinë"Fraksion kohe", vargjet: "Guaska
del / me një të katërtën e shpejtësisë së dritës / e ngurta e fsheh, / në
shkumën e bardhë të syrit"përdorin tingujt e përsëritur "sh" dhe
"g" që krijojnë një ndjesi të qetë dhe valëzuese, duke imituar
lëvizjen e butë të detit dhe duke nxjerrë në pah përjetimin melodik të poezisë.
3. Në shumë poezi të ciklit,
natyra shfaqet jo vetëm si peizazh i jashtëm, por edhe si burim i melodisë së vargjeve.
Terziuka aftësinë që i shfaq elementet natyrore si pjesëmarrëse në simfoni të
heshtur, duke përdorur metafora që evokojnë tingujt natyrorë e harmoninë e
tyre. Po të shohim poezinë: "E dirigjuar", batica dhe guralecët duket
sikur formojnë një orkestër të natyrës: "Ndërsa batica e ngre të zotin e
hutuar / guralecët mësojnë të zgjohen nga gjumi / dhe nuk qenka kjo e
dirigjuar?" ku poezia të jep ndjesinë se natyra është në lëvizje të
vazhdueshme dhe harmonike, e dirigjuar në heshtje nga forca që nuk shihen. Ky
"dirigjim" i natyrës sugjeron një muzikë që përshkon të gjitha
elementet e saj.
4.Teknika e zgjedhjes së fjalëve
të buta, që mbajnë ngarkesë emocionale të qetë, ndihmon në krijimin e ndjesisë melodike.
Fjalët që përshfaqin elemente natyrore , si "lotët,"
"baticën," "shkumën," dhe "diellin," përdoren në
mënyrën që krijojnë një tingull të butë, duke i bërë vargjet të rrjedhin
natyrshëm. Në poezinë "Edhe deti tekanjozet", fjala "lotët"
lidhet me një dhimbje të heshtur, por të bukur, që rezonon në mënyrë melodike: "Si
një sy i lodhur nga dhimbjet,/ fsheh në retinë lotët e tij." Zgjedhja e
këtyre fjalëve të buta, plot me emocione të brendshme, krijon ton të qetë dhe
të ndjeshëm, i cili përforcon ndjesinë që poezia këndohet. Kjo nuk ka pse të na
habisë, në qytetin e Sarandës dhe rethinat e tij vetëm fjalë të buta, të ngrohta
dhe të ëmbëla mund të përdorësh.
Poezitë e Fatmir Terziut për
Sarandën shfaqin një lidhje të thellë mes poetit, natyrës dhe njerëzve të këtij
qyteti, të cilët poeti i ka parë dhe takuar personalisht dhe janë bërë një
burim i vazhdueshëm frymëzimi që ndikon si në shpirtin ashtu dhe në krijimtarinë
e tij. Përmes përshkrimeve të ngjyrave, ajrit të pastër dhe ritmit të jetës, Terziu
kthen natyrën e kësaj hapësire në një fushë të ndjesive dhe përjetimeve të tij
më intime. Këtu, poeti gërsheton përvojat personale dhe miqësitë e tij me
peizazhin, duke krijuar një poezi të gjallë që e lidh ngushtë natyrën me
dimensionin njerëzor.
Sarandë, më tetor 2024
No comments:
Post a Comment