Monday, 31 March 2025

 

DASHURIA QË NUK VDES

 

Nga Timo Mërkuri

Një poezi që dhemb gjer në kockë mund ta quajmë  poezinë “M’ka vdekë dashnia për festa” e Sherefedin Kadriut sa që të lind mendimi se kjo poezi nuk është shkruar me penë, as në kompjuter, madje kjo poezi nuk është shkruar fare nga poeti. Me siguri që kjo poezi nuk është thjesht e shkruar, kjo është rrënkuar, është vajtuar në mënyrë poetike. Çdo varg I saj duket sikur nuk është rezultat i mendimit, por i një dhimbjeje që vjen nga thellësia e shpirtit, nga përplasja me vetë qenien dhe ekzistencën. Dhimbja e poetit këtu nuk është e zakonshme; ajo nuk është thjesht fizike, as vetëm shpirtërore. Ajo është një përzierje mes humbjes, vetmisë, harresës dhe sfidës së fundit ndaj fatit. Kur poeti thotë: "Vetëm një varg vaj më paska mbetur", ai nuk po i referohet një vargu të zakonshëm. Ky varg është fryma e fundit poetike, është klithma e një shpirti që refuzon të heshtë. Dhe ky varg nuk është as i Bodlerit, as i Jeseninit, as i Kadaresë—ai është i vetë poetit, një varg që del nga rrënjët më të thella të ligjërimit shqiptar, aty ku dhimbja nuk shprehet vetëm me fjalë, por me tinguj që mbesin, me klithma që bëhen këngë, me vajtime që shndërrohen në përjetësi. Kjo poezi të dhemb gjer në kockë, sepse nuk është një poezi e thjeshtë. Është një testament i dhimbjes, një dorë e shtrirë nga përtej vuajtjes, një thirrje që nuk shuhet por vazhdon të kumbojë, një varg vaj që ka forcën të jetojë më shumë se çdo festë, më shumë se çdo dhimbje, më shumë se vetë poeti.

Por le ta dëgjojmë këtë poezi, në heshtje sigurisht.

1.Poezia është një rrëfim i dhimbshëm, por edhe një përballje e hapur me realitetin e sëmundjes dhe të mungesës së dëshirës për të festuar. Personalisht e dija që poeti ka qenë i sëmurë qysh në shkurt të vitit 2023 kur publikova sprovën time”Një poezi modern lindur në shtrat balade” për poezinë Çafkat, të cilën poeti e pati shkruar në spital, por qysh atëherë pata menduar se e tejkaloi sëmundjen. Para 20 ditëve poeti Sabit Rrustemi më dërgoi librin e pregatitur nga poeti “Kur vdesin ngjyrat” me dëshirën që të thoshja diçka, mirpo leximi i tij më tronditi si rrallëherë ndonjë libër me peshën e dhimbjes që mbartëte, ndaj e pyeta Rrustemin se a mos ishte sëmurë Sherefedini. Përgjigja e tij “Është shumë i sëmurë” ishte e papritur, çka më ngujoi mbi librin e tij. Dhe ja tani, në postimin e tij Sabit Rrustemi publikon këtë poezi, që filimisht më uli kokën me peshën e dhimbjes, por shpejt më flakëroi shikimin me kurajën e poetit. Në pamje të parë poezia është e thjeshtë, një përgjigje për mikun e tij Anton Nikë Berisha, ku Kadriu, jo vetëm refuzon ftesën për praninë e tij në një festë miqsh, por e bën këtë me një ton ku përzien trishtimin me një formë të heshtur rebelimi ndaj fatit të tij, pse ai nuk e sheh festën si diçka ku mund të marrë pjesë, sepse për të, një ndjenjë e rëndësishme ka vdekur: "Po, mua m’ka vdekur dashnia për festa / Ka pesë vjet …" Është pikërisht  heshtja pas tre pikave që lë të kuptohet se kjo gjendje e tij është një proces i zgjatur që ka nisur vite më parë dhe që tani është bërë një realitet i pakthyeshëm. Këtu shfaqet dhe arsyeja e refuzimit ndaj mikut të tij : "Po sot më paska vdekur edhe një poezi / diku në thellësi të shpirtit". Ky është një lajm i kobshëm për një poet. Poezia, që për të ka qenë gjithmonë një formë ekzistence, tashmë po vdes brenda tij. Madje dhe kur ai rreshton emrat e poetëve të mëdhenj nga Lorka te Jesenini, nga Kadareja te Pushkini, tëë krijohet përshtypja se ai e bën këtë me një qasje ironike, sikur po thotë se nuk ka rëndësi kujt i përket vargu i fundit që i ka mbetur, sepse gjithçka po humbet në harresë.

Çuditërisht këtu  Kadriu  e kthen poezinë në një reflektim mbi qenien dhe agjendën e vdekjes, duke i drejtuar një pyetje mikut të tij: "I dashuri Njeri/të jesh ekzistencialist/ a të dhemb mjaftueshëm agonia/që të gërryen për çdo ditë?". Ka një nëntekst  filozofik te këto vargje: poeti po e përjeton sëmundjen e tij si një proces të pashmangshëm dhe pyet nëse miku i tij e kupton këtë dhimbje, me një nëntekst: a je vërtet ekzistencialist? A mund ta përballosh  agoninë, siç e përballoj unë? Duke riparë strofën që nis me fjalën “I dashur Njeri” ndjejmë se poeti ja drejton pyetjen jo personit por çdo njeriu që njihet me gjëndjen e tij. Se përsa i përket rraportit me mikun e tij, kjo është e dukëshme te vargjet: "Një fjalë nga Ti e pres/edhe ditëve pa festa/si një nga ilaqet më të rralla të kësaj bote/sepse n’ato çaste i harroj përpak dhembjet". Ka një krahasim : “si një nga ilaqet më të rralla të kësaj bote” që tregon shkallën e miqësisë së tyre dhe jo vetëm përforcon interpretimin tim të mësipërm por për më tepër, nëpërmjet vargut “Një fjalë nga ti e pres”, poeti nuk është ai që sfidon, por është ai që shpreson te miku dhe miqësia.

2. Mirpo unë nuk kam ndërmend të bëj analizën e kësaj poezie, pse kjo analizë duhet të bëhet “ndryshe” dhe duhet të fillojë pikërisht të vargu: “Vetëm një varg vaj më paska mbetur”(/I Lorkës a i Bodlerit/Floberit a Gëtes/Hesses a Eliotit/Nerudës a Jeseninit/Kadaresë a Pushkinit). Përmendja e vargut të vetëm që i ka mbetur dhe fakti se ai është “një varg vaj”është një metaforë e fuqishme që e ngre poetin Kadriu nga shtrati i spitalit me gjithë plagët (varrët) e trupit e të shpirtit që ka tash pesë (nëntë) vjet dhe të dalë në “mejdanin” poetik si një Gjergj Elez Ali i Ri. Këtë mendim nuk ma përforcon dhe aq emri “varg” se sa emri shoqëruese “vaj”, e cila ka kuptimin “gjëmë” (në këtë rast kemi ndërtimin emër plus emër ku fjala e dytë (vaj) specifikon më tejë të parën (varg). Pra në thelb ky varg është një gjëmë, që do shkruhet apo do klithet  nga poeti. Unë ju them se kjo fjalë jo vetëm që nuk është pak, por është shumë më shumë se sa mund të pritet nga një i sëmurë, qoftë ky dhe poet, sepse vargu vaj i kësaj natyre lehtësisht shndrohet në një monument. A ju kujtohet Ajkuna, vetëm një varg vaj klithi: “T'u shkimtë drita ty,o mori hanë” dhe pas kësaj shpirti e zemra e saj ligjëroi atë monument madhështor që nuk e ka vend në botë. Apo mos doni tju kujtoj Lekë Dukagjinin atë ditë janari në Lezhë, që flokëshpupurisur nga rendja me revan u hodh ( nuk zbriti) nga kali dhe qëndroi në gjunjë vetëm një moment, aq sat ë mbështeste pëllëmbën në tokë e të bëlbëzonte dy fjalë: “Iku Kryezoti”. Për një sekond u gjend në këmbë, ngriti duart drejt qiellit, i shtrëngoi grusht dhe i përplasi në gjoks duke bëlbëzuar: “Iku Ati”. Me këto dy fjalë e nisi gjëmën historike, fjalë dhe gjeste që i përsëriste gjithë ushtria shqiptare e porsa kthyer nga beteja. Në fakt dhe Ajkuna dhe Lekë Dukagjini nuk bënë ndonjë shpikje të re, nënat shqiptare gjithmon kanë vajtuar me ligje bijtë e tyre dhe burrat shqiptarë kanë vajtuar me gjamë atin, por ky vajtim dhe kjo gjamë u shkruan së pari dhe mbetën në histori. Askush gjer më sot nuk e ka mburur bukurinë e Ajkunës dhe askush nuk i mba mend betejat e Lekë Dukagjinit, se sa për kanunin ai thjeshtë interpretoi atë të mëparshmin, Kanunin e Maleve. Port ë gjithë kujtojnë Vajtimin e Ajkunës dhe Gjamën e Lekë Dukagjinit, pse thjeshtë ato qenë “vargje vaj”. Vargjet vaj janë më të fortat që ka mundur të krijojë njeriu gjer më sot, ato janë të forta si diamanti ndonëse janë të bukura si loti e prej loti, por që kanë forcën e shpirtit brenda tyre. Një varg i  tillë është dhe ky “varg vaj” që të ka mbetur ty i dashur Sherefedin. Ti ndoshta nuk e di por vargje të tilla unë i hasa të libri yt i fundit “Kur vdesin ngjyrat”, mbi të cilin kam njëzet ditë që kam mbetur “i kryqëzuar” në lexim e shkruaj e shuaj pa pushim. Ti ndishta nuk e ke ndjerë, por vargje të tilla ka dhe kjo poezia yte e fundit, e cila, jo vetëm që s’të tregon të dobët por të shfaq tepër modern dhe madhështor.

3. Po të them i dashur Sherefedin se kjo poezia yte nuk është thjesht një vajtim apo

rrënkim për dhimbjen, mbi të gjitha është sfida e poetit ndaj sëmundjes, ajo është  testamenti yt poetik. Në dukje miku im, ti shpreh një dorëzim, duke thënë: "Vetëm një varg vaj më paska mbetur", por ky varg nuk është gjunjëzim dorëzimi. Përkundrazi, ai është një akt sfidues, një shprehje (jo e fundit) e fuqisë krijuese. Edhe pse sëmundja po të dobëson, ti ende shkruan. Ende ke një varg që të ka mbetur. Dhe ky varg është yti, i rrënjosur në traditën shqiptare të dhimbjes që shndërrohet në këngë e në kujtesë.Në këtë kuptim, poezia yte shndrohet në triumf mbi dhimbjen, sepse Ti nuk hesht. Përkundrazi, Ti flet me zë të fortë dhe e sfidon sëmundjen me artin tënd. Mendoj se më kot deklaron se dashuria për festa të ka vdekur, dashuria për poezinë dhe fuqia e fjalës sate të mbajnë gjallë. E parë në këtë kontekst kjo poezi është një testament poetik sepse nuk flet vetëm për dhimbjen personale, Ti na por për atë që mbetet pas: vargu, poezia, trashëgimia letrare që lë pas si sfidë ndaj harresës. A e di si e lexoj unë atë vargun tënd të famshëm: “Vetëm një varg vaj më paska mbetur”? Unë nuk e lexoj si një shenjë dorzimi por si një pohim se aq sa të ka mbetur , aq do të thuash. Dhe shpesh herë  mjafton një varg për tu shkruar  një histori. Ju ende kërkoni fjalën e mikut tuaj Anton Nikë Berisha, e cila asnjehërë nuk ju ka munguar, ende kërkoni dialogun me atë, sepse ju zgjidhni të jetoni përmes të shkruarit poezi. Poeti nuk dorzohet lehtë, sepse poezia është jeta e tij.

Prandaj shkruajeni atë varg miku im, le të jetë varg vaji, le të jetë varg loti, bota është brenda lotit të poetit dhe Zoti e ka zili. Sepse poezia është dashuria që nuk vdes.

 

Sarandë, më 31.03.2025

 

Sherafedin KADRIU

M’KA VDEKUR DASHNIA PËR FESTA

(Anton Nikë Berishës)

 

Me mëngjes

më thirre për gëzim

 

E marr me mend

do t’më urosh festën në Ditën e madhe

që i jep fund agjërimit

si për herë

prej se u njohëm nga afër

 

Hej, njeri

a hyjni qofsh

i shtrirë me kollin në jastëk

të trishtova dhe Ty

 

Ti qofsh i uruar

e shëndetin e botës paç

po, mua m’ka vdekur dashnia për festa

Ka pesë vjet …

 

 

II

 

Nuk e di

ku paskam tretë

e ku paskam mbërri

po sot më paska vdekur edhe një poezi

diku në thellësi të shpirtit

 

Vetëm një varg vaj më paska mbetur

I Lorkës a i Bodlerit

Floberit a Gëtes

Hesses a Eliotit

Nerudës a Jeseninit

Kadaresë a Pushkinit

 

Pak ka rëndësi

 

Harresa është frymëmarrja e Zotit

me ngufatjet metafora

që ta zbardhin e ta nxijnë gërhitjen e fundit

pa ta varur në kular

 

I dashuri Njeri

të jesh ekzistencialist

a të dhemb mjaftueshëm agonia

që të gërryen për çdo ditë

 

Apo të vdes në secilën pranverë

para se të kem jetuar

Pikën e nisjes

 

Më thuaj

 

Një fjalë nga Ti e pres

edhe ditëve pa festa

si një nga ilaqet më të rralla të kësaj bote

sepse n’ato çaste i harroj përpak dhembjet.

 

(30 Mars 2025)

Wednesday, 19 March 2025

 

PUTHJA TË BËN TË BUKUR

 

Nga Timo Mërkuri

Qysh te fjala e parë e titullit të poezisë “Puthjet vijnë nga malli” e Fatmir Terziut mu kujtuan vargjet e Eseninit : “Puthjes emër djemtë si kanë gjetir/Puthja s’është mbishkrim qivuri i ngrirë/ Puthja është një lule e porsaçelur/Që mbi buzë petalet i ka shtrirë” dhe si për t’i bërë shoqëri  më erdhën në kujtesë dhe vargjet e Kacalidhës: “Me siguri Parisi s’e ka puthur Helenën/ Se po ta kishte puthur do të zbuteshin dhe detet”. I dritësuar nga këto poezi dhe i provokuar nga titulli i poezisë së Terziut nisa ta lexoj me një kureshtje të shtuar pse sigurisht që diçka të re do sjellë poeti. Nuk u gabova , pasi në këtë poezi Terziu sjell disa risi poetike në nivelin e figuracionit, ndërthurjes së imazheve dhe trajtimit filozofik të ndjesive njerëzore.

I-Kjo poezi me një qasje ndaj simbolizmit poetik, ndryshe nga dy poetët e sipërcituar, puthjen nuk e përshkruan thjesht si një akt dashurie, por si një simbol kompleks i emocioneve, kohës dhe artit.

1. Poezia e Terziut e zgjeron konceptin e puthjes përtej aspektit fizik, duke e lidhur me  situatën ndjesore: me zgjedhjen, kujtesën dhe sfidën e ndjenjave:

"Puthjet janë si agimet,

pasaportë e shkruar me buzë, me tru e me zemër,

lejekalime të përkohshme për zgjimet"

Këtu puthja nuk shfaqet si një gjest sensual, por si një pasaportë kalimi mes gjendjeve të ndryshme ndjesore dhe mendore. Është një “lejekalim” nga përhumbja në ndërgjegjësim, një reflektim mbi rolin e ndjenjave në formësimin e përjetimeve njerëzore. Lehtësisht mund të parafytyrohet një tra ndalimi midis gjëndjes së përhumbjes dhe dhërgjegjësimit të dy personave që realizojnë puthjen.

2. Një nga risitë më interesantë të kësaj poezie është përdorimi i ngjyrave për të dhënë intensitetin e ndjenjave:

"Edhe puthjet kanë ngjyra

peneli është një shëtitje e lazdruar me buzë"

ku, në këtë rast puthja shndërrohet në akt artistik, ku buzët janë penel dhe fytyra është kanavaci. Është një imazh i bukur për tu përfytyruar, madje të nxit të ëndërrosh dhe për ngjyrrat e ndryshme të puthjes mbi kanavacë, të kuqen, të verdhën, jeshilen… Në poezi ngjyra simbolizon ndryshueshmërinë e ndjenjave, duke kaluar nga bardhësia e pastërtisë në bruzin e ftohtë:

"herë çel si pranvera, herë digjet nëpër dimra,

me ngjyrë të bruztë."

ku ky imazh e shndron ndjenjën në një element vizual dhe të prekshëm, duke krijuar një sinestezi mes shqisave, ku ndijime të ndryshme përzihen mes tyre dhe krijojnë një efekt poetik më të thellë. Sinestezi krijon te kjo poezi edhe vargu: “Peneli është një shëtitje e lozdruar mbi buzë” apo vargjet: "Puthjet janë si agimet,/pasaportë e shkruar me buzë, me tru e me zemër,/lejekalime të përkohshme për zgjimet".

3. Puthja te poezia e Terziut kalon nga sfera e tokësores në atë të mbinatyrshmes:

"Ti më sheh dhe unë të ëndërroj si që moti,

më puth në ëndërr dhe ti s'je as djalli,

po më ripikturon me trup dhe ti s'je as Zoti!"

ku, akti i puthjes bëhet një forcë krijuese, që ndodhet mes njerëzores dhe hyjnores. Sigurisht që nuk është një veprim i shenjtë,(ndonëse të rinjtë e vlerësojnë si një akt hyjnor, një lloj ripagëzimi në dashuri) por as diçka djallëzore; është një formë e rishfaqjes së identitetit, një mënyrë për të rindërtuar lidhjet dhe për të ripërjetuar mallin. Ky rikrijim i puthjes si një proces artistik dhe shpirtëror është ajo që i jep poezisë risinë dhe veçantinë e saj.

Pra Fatmir Terziu e trajton puthjen si një simbol të ndërlikuar që shkon përtej romantizmit tradicional, pse ai e lidh atë (puthjen) me kujtesën, artin dhe metafizikën, duke sjellë një qasje moderniste që ndërthur imazhet dinamike dhe filozofinë e ndjenjave.

II-Fatmir Terziu nuk është piktor, por ai është poet dhe si i tillë është mjeshtër i pikturimit të portreteve me artin poetik. Kështu në këtë poezi Terziu ndërton një galeri të pasur portretesh të puthjeve (sigurisht që kemi një shumësi puthjesh) përmes figuracionit dinamik dhe shumëdimensional. Çdo portret i puthjes i dhënë nga Terziu  nuk është thjeshtë një imazh i ngrirë ( “Puthja s’është mbishkrim qivuri i ngrirë”. Esenini), por një gjendje që shfaqet, transformohet dhe mbart tensionin mes ndjenjës dhe artit, trupores dhe shpirtërores. Le ta soditim këtë gaaleri puthjesh poetike të Terziut:

1. Në vargjet hyrëse, puthja përshkruhet si një agim – portreti i zgjimit, dritë e re, një kalim nga errësira në ndriçim: "Puthjet janë si agimet,/pasaportë e shkruar me buzë, me tru e me zemër,/lejekalime të përkohshme për zgjimet" ku puthja nuk shfaqet një akt fizik, por një shenjë kalimtare, një akt që zgjon shpirtin, kujtesën dhe mallin. Ky portret poetik i puthjes i afrohet idesë së përjetimit që prek të gjitha shqisat de përfshin mendjen, trupin dhe zemrën, i zgjon ato nga “gjumi” në një agim të ri.

2. Një imazh tjetër i puthjes shihet të shfaqet në formën e stuhisë, që përmban tensionin e brendshëm dhe shpërthimin emocional:

"puthjet janë stuhi,

shpërthime të një bote të brendshme"

ku puthja nuk është e qetë apo harmonike, por është një shpërthim, herë i kontrolluar dhe herë spontan (kujtoni puthjen e parë), një energji që shpërthen nga thellësia e shpirtit. Kjo e bën atë një akt të fuqishëm, të pakontrollueshëm, që nuk ndjek rregulla apo logjikë, por vjen si një forcë natyrore.

3. Në një tjetër shfaqie, puthja merr një dimension artistik, dhe shndrrohet në një akt krijues: "Edhe puthjet kanë ngjyra/peneli është një shëtitje e lazdruar me buzë". Sigurisht që ky është një nga portretet më poetike të puthjes, ku ajo shfaqet si një akt pikturimi. Pra, në këtë rast puthja nuk është thjesht ndjesi, por një gjurmë e dukëshme, një penelatë mbi fytyrën e tjetrit, ku ndjenjat lënë ngjyra dhe përkufizojnë një përjetim emocional të veçantë. A i kini vënë re vajzat pas puthjes së parë, u bie një përskuqje e hollë ëngjëllore. Bëhen shumë të bukura dhe dëshiron t'i puthësh prapë e prapë. Puthuni të bëheni të bukur.

4.A e dinit që puthja shfaqet herë si dritë dhe herë si shkatërirm? Poezia e Terrziut ndërton një tension mes puthjes si dritë dhe puthjes si shkatërrim:

"nëse do të më puthje Ti do të bardhënusërohej natyra,

nëse do të ndodhte ndryshe Bota bëhej tërkuzë"

 

Sigurisht që këtu puthja përshkruhet si një akt që mund të transformojë realitetin – ajo ose e pastron, e ndriçon botën, ose e fundos në kaos. Unë mund tju tregoj ngjarje që për një puthje janë vrarë njerëz (jo vetëm çifti) dhe ka lindur një hasmëri që ka vazhduar me vite, por mund tju tregoj dhe histori ku një puthje ka mbyllur një hasmëri dhjetravjeçare vjeçare, me dhjetra varre të hapur. Ky dualitet e bën puthjen një forcë të madhe emocionale dhe jetësore, që lidhet jo vetëm me ndjenjat personale, por edhe me një ekuilibër të  jetës,  të botës.

5. Në përmbyllje, poeti e shfaq puthjen si një formë rindërtimi, por pa fuqi hyjnore absolute:

"më puth në ëndërr dhe ti s'je as djalli,

po më ripikturon me trup dhe ti s'je as Zoti!"

Nuk di pse kjo më kujton një këngë popullore ku rapsodi e quan vajzën që kthehet në shtëpi as takimit: “vajzë e puthur”. Në poezi, puthja nuk lidhet skajet e të mirës apo të keqes, por me artin e krijimit, me rindërtimin e përjetimeve dhe kujtimeve, si tek ajo kënga popullore që i shton një cilësor vajzës. Puthja në vetvete nuk është e përjetshme, por është një akt që lë shenja, krijon dhe transformon.

Përmes kësaj shumëllojshmërie imazhesh, poezia arrin të japë një kuptim të thellë të puthjes si një përvojë që kalon përtej trupores dhe bëhet pjesë e artit dhe ekzistencës. por kjo mund ta lidha këtë poezi me Paul Valéry, veçanërisht me mënyrën se si Valéry trajton ndjesitë si procese artistike dhe intelektuale, duke i shndërruar në akte krijuese dhe filozofike.

III-Ndonjë lexues me të drejtë mund të pyesë: poeti i këndon mallit jo dashurisë. Në këtë aspect Terziu ka një qasje me poetët arbëreshë të cilët dashurinë e quanin thjeshtë “mall”I shpirtit. Në poezi, malli nuk është thjesht një mungesë apo nostalgji e thjeshtë, por ai përfshin dhe ushqen dashurinë. Malli nuk do të kishte kuptim pa dashurinë, ai është produkt i dashurisë sepse është pikërisht ndjenja e fortë dhe e gjallë e dashurisë ajo që lind mallin mes dy personave.

Në vargjet: "Puthjet janë si agimet,/pasaportë e shkruar me buzë, me tru e me zemër,"

poeti e qartëson se puthjet nuk janë thjesht akte fizike, por një përzierje e ndjenjave, kujtesës dhe dëshirës, të cilat lidhen drejtpërdrejt me dashurinë. Po ashtu në vargun "puthjet janë e sotmja, e nesërmja është kotësi," mund të kuptohet se dashuria e shprehur përmes puthjeve është ndjenjë e fuqishme dhe e përjetshme, që kapërcen kohën. Kjo sugjeron se malli dhe dashuria janë të pandashme; malli lind sepse dashuria ekziston, dhe puthjet janë mënyra për ta rikthyer ose përjetuar atë dashuri. Në këtë kontekst, puthja bëhet shumë më tepër sesa një akt i thjeshtë, ajo ka ngjyrë,  ajo shndërrohet në aromë,  ajo shndrohet në këngë, (e kush nuk i ka kënduar puthjes), ajo është dritë, sepse zgjon shpirtin dhe sjell ngrohtësi; është bukuri, sepse përfaqëson një ndjenjë të pastër dhe të thellë; është shëndet dhe jetë, sepse ushqen shpirtin dhe trupin me energjinë e dashurisë. Duke e parë në këtë aspekt, vargu përmbyllës mund të shndërrohet në një filozofi të jetës: "Prandaj puthuni, të jeni të bukur e të kini jetë." Kjo është një ftesë për të mos e kursyer ndjenjën, për ta përjetuar dashurinë dhe mallin në formën më të plotë, sepse ato e mbajnë njeriun të gjallë dhe të ndritshëm. Por ne le ta shndrojmë në një sentencë poetike mendimin: Puthuni të jeni të lumtur.

 

Sarandë, më 19.03.2025

 

Puthjet e tilla vijnë nga malli

Nga Fatmir Terziu

Puthjet janë si agimet,

pasaportë e shkruar me buzë, me tru e me zemër,

lejekalime të përkohshme për zgjimet,

nga përhumbja e natyrshme në sfidën për të mbjell,

mallin, dashurinë, dhimbjet,

ndonjëherë në shi,

ndonjëherë në lagié të mistershme,

puthjet janë stuhi,

shpërthime të një bote të brendshme

puthjet janë e sotmja, e nesërmja është kotësi,

shenja që i struk si vemje.

 

Edhe puthjet kanë ngjyra

peneli është një shëtitje e lazdruar me buzë,

nëse do të më puthje Ti do të bardhënusërohej natyra,

nëse do të ndodhte ndryshe Bota bëhej tërkuzë,

puthjet janë kanavaci ku fytyra,

ngjyros dhe pikturon një stinë shpuzë,

herë çel si pranvera, herë digjet nëpër dimra,

me ngjyrë të bruztë.

 

Puthjet e tilla vijnë nga malli,

Ti më sheh dhe unë të ëndërroj si që moti,

më puth në ëndërr dhe ti s'je as djalli,

po më ripikturon me trup dhe ti s'je as Zoti!

Tuesday, 11 March 2025

 

 

MOZAIKU I RISIVE NË NJË POEZI TË ILIRIAN ZHUPËS

 

Nga Timo Mërkuri

Poezia “Në Çorraj prej kohësh s’kam qenë” e Ilirian Zhupës është një përshpirtje poetike ku malli, kujtesa dhe frika e përballjes me ndryshimin ndërthuren në një gërshet të hollë ndjenjash dhe imazhesh të gjalla. Fshati nuk është më thjesht një vend fizik, por është një hapësirë e rikrijuar nga ndërgjegjja poetike, një peizazh ku ëndrra dhe realiteti shkrijnë kufijtë mes tyre. Me një gjuhë të ngrohtë e të hijshme, poeti i dhuron vendlindjes së tij një dimension pothuaj mitik, duke i ngjyrosur rrëpirat me lëndina, duke i freskuar shtëpitë me gëlqere dhe duke e mbushur hapësirën me një frymë të re. Por përtej kësaj dashurie të thellë, frika për t’u kthyer bart në vetvete një shqetësim më të thellë filozofik: a mund ta përballojë e tashmja peshën e kujtimeve dhe bukurinë e ëndrrës?

Në kontekstin e vitit 1988 kur është botuar për herë të parë, kjo poezi shënon një risi të spikatur në poezinë shqipe. Në një kohë kur letërsia e realizmit socialist e paraqiste vendlindjen si një simbol të madhështisë kolektive, Zhupa i qaset asaj përmes një lirizmi të brendshëm, me një zë intim e reflektues, duke e çliruar nga klishetë ideologjike dhe duke e shndërruar në një hapësirë personale të ngarkuar me ndjesi e kujtime. Kjo qasje e re, së bashku me strukturën e saj të lirë dhe imazhet poetike të freskëta, e vendos poezinë në një pozicion të veçantë në zhvillimin e poezisë shqipe të atyre viteve.

I.Në kohën kur letërsia i kushtonte rëndësi realitetit kolektiv, subjekti lirik i kësaj poezie në kapërcim të formën e soc.realizmit, flet për një përvojë thellësisht personale dhe intime. Poeti nuk mjaftohet me kaq, por përkundër stivave të vargjeve që flasin për bukurinë dhe dashurinë për fshatin socialist, Zhupa… ka frikë të kthehet në vendlindje: “Kam ikur prej kohësh nga Çorraj dhe kam frikë të vij...”.

1. Ju kam treguar se Ilirian Zhupa është nga fshati Çorraj dhe çdo verë në fëmijëri shkonte aty, te gjyshja. Kushdo që ka jetuar me gjyshen në fshat në fëmjëri, sidomos në stinë vere, ka njohur  gjithë llojet e bimëve nga gjethet dhe aromat, gjithë  llojet e zogjve nga ngjyra e pendëve dhe kënga, ka njohur kafshët shtëpiake dhe egërsirat, shpendët, ujrat, erërat, honet etj. Shtoju këtyre përrallat, këngët, mitet, legjendat. Është kjo magji gjysheje që mbolli te fëmija Ilirian farën e poezisë. Duke ndënjur me gjyshen te pragu i shtëpisë, duke i parë pamjet me lenten e saj përrallore, pemët, rrugët, shtëpitë ishin më të bukurat në bote, madje çupkat me gërshetat e verdha ishin të bukurat e dheut ose bijat e hënës.  Me siguri që princat e botës ato do kërkonin për nuse dhe ai e shokët  do t’u premtonin nënave se do tua sillnin  si Kostandini Dhoqinën.

Unë ju them se Çorraj është një fshat i vogël malor në krahinën e Kurveleshit të poshtëm, me rreth 80 shtëpi dhe rreth treqint banorë (në kohën kur u shkrua poezia, sigurisht) afro tetë km larg (detit) Borshit, në një teren të thyer, i cili ka shërbyer si pozicion natyror në luftrat e shumta, ku është organizuar në formacionet e kryengritëse. Një këngë popullore, ndër shumë të tjera ka gdhendur në vagje e melodi karakterin e pamposhtshëm të popullit të këtij fshati: “Gjithë fshatërat u falë/ Çorrajtë hal e brihalë”. Sigurisht që lexuesi do kujtohet se ky është fshati i heroinës Maro Kondo, që u hodh nga shkëmbi me fëmijën në gji, duke tërhequr pas vetes një togë ushtarësh turq të lidhur me litar me Maro Kondon dhe njeri tjetrin për siguri nëpër atë kalim greminash. Sigurisht që Zhupa ka të drejtë të krenohet me fshatin e tij, ka të drejtë të ëndërrojë …siç ëndërron poeti.

Pikërisht ky ëndërrim është arsyeja pse poeti ka frikë të kthehet në fshat. Ai ka frikë se mos zhgënjehet kur ta shohë realisht fshatin e tij, shumë ndryshe nga fshati i ëndrrës dhe i fëminisë. Në fëmijëri, fshati ishte një hapësirë magjike, e ndërtuar mbi përrallat e gjyshes dhe trimëritë e gjyshit. Ishte një vend ku gjithçka ishte një bukuri e paprekur, një botë ëndrrash. Tani, poeti ka frikë të kthehet sepse koha ka kaluar dhe fshati nuk është më ai i ëndërrimeve të tij. Interesante është se kjo frikë e poetit është dyfishe: nga njëra anë, ai ka frikë se do ta gjejë fshatin të ndryshuar, të mbetur pa atë shkëlqim fëmijëror. Nga ana tjetër, ai ka “ndërtuar” në subkoshiencën e tij një fshat të ri, të idealizuar, ku ai ka bërë me dashurinë e tij ndërhyrje poetike: ka shtuar lëndina, ka lyer shtëpitë, ka dhuruar sekrete dhe dashuri, duke e bërë fshatin e tij më të bukur se ç’ishte ndoshta ndonjëherë në të vërtetë.

Sa i bukur ishte Çorraj e fëminisë, por ja që fëminia iku dhe Iliriani e nis poezinë me një pohim që vendos përjetimin e tij në një terren të pasigurt ndjesor:

"Kam ikur prej kohësh nga Çorraj dhe kam frikë të vij..."

2. Ky varg i parë i poezisë është një deklaratë e ndarjes nga vendlindja, ndonëse unë do ju ftoja që ta shihnit si një ndarje nga fëminia. "Frika" nuk është pasojë e largësisë fizike, por një ndjesi jetësore: a do të jetë Çorraji siç e ëndërronte ai? A do të përputhet realiteti me ëndrrën? Kjo dilemë i jep poezisë një thellësi reflektuese.

-Vargu "Kam ikur prej kohësh nga Çorraj dhe kam frikë të vij" ngërthen një kompleksitet ndjesish që shkojnë përtej nostalgjisë së zakonshme për vendlindjen. Në fakt, frika e tij nuk është fizike, ajo është një frikë psikologjike dhe krijon një ndjenjë tensioni mes së shkuarës dhe së tashmes.

Së pari, frika shfaqet si figurë poetike e dyzimit emocional. Ajo, nuk është e zakonshme, siç mund të jetë frika nga ndonjë rrezik, ajo është frikë abstrakte, që buron nga raporti mes kujtesës dhe realitetit. Poeti nuk druhet p.sh. se mos sheh fshatin të shkatërruar, ai druhet se  mos kthimi fizik mund të shkatërrojë fshatin e  idealizuar. Në aspektin stilistik, kemi një kontrast midis dy veprimeve: "kam ikur" dhe "kam frikë të vij", kontrast që përforcon idenë se largimi nuk ka qenë thjesht ndarje fizike, por një ndarje që ka krijuar hendek të gjerë midis tij dhe fshatit.

Së dyti, e parë nga këndvështrimi psikologjik, kjo frikë mund të lidhet me ndjenjën e humbjes së identitetit, pse largimi nga fshati ka krijuar te heroi një boshllëk, dhe rikthimi mund t’i krijojë poetit ndjenjën se nuk i përket më atij vendi si dikur.

3.Të kuptojmë se ëndrrat shpesh idealizojnë kohën e fëminisë dhe fshatin e gjyshërve. Në këtë kontekst, poeti mund të trembet se realiteti i sotëm i Çorrajt nuk i ngjan fshatit të fëmijërisë së tij, të mbushur me legjenda e përralla, këngë e valle. Problemi i Zhupës është i dyanshëm: nqse Çorraji real është më i bukur se ai i ëndërruar prej tij, kjo do ta shpinte në zhgënjim, pse  fantasia e tij, ëndrra e tij do të zbehej, do të zhvlerësohej. Nëse Çorraj do jetë më i shëmtuar nga sa e ka ëndërruar, atëherë ëndrra e tij do të thyhej. Pra dilema është shpirtërore dhe pikërisht kjo dilemë dy faqëshe e bën frikën e tij një element ekzistencial.

4.Realisht ky varg krijon një figurë poetike të vendit të paarritshëm, pra e trajton Çorraj si një vend që ekziston (më shumë) në kujtesë sesa në realitet. Në fakt, pikërisht kjo vendosje e fshatit në subkoshiencë është një teknikë e re (risi) që pasuron poezinë shqipe me një mënyrë të re ballafaqimi me vendlindjen: jo si një vend konkret, por si një vend që jeton në vetëdijen e poetit. E parë në këtë aspekt, Çorraji nuk është një fshat (fizik, me kordinata gjeografike), ai është një simbol (i të kaluarës), që mund të ekzistojë vetëm në ëndrrat e poetit. Kjo risi e bën poezinë më filozofike dhe më të ndërlikuar psikologjikisht, duke e larguar nga klishetë e nostalgjisë së thjeshtë.

II-Duke qenë se nisëm të flasim për risitë që sjell kjo poezi në letërsinë shqipe të kohës kur u shkrua sqarojmë se këto risi qëndrojnë në mënyrën (e re) se si poeti e koncepton raportin me vendlindjen dhe frikën nga rikthimi, duke e larguar nga nostalgjia klasike dhe duke i dhënë një dimension ekzistencial e psikologjik më të thellë.

1. Në letërsinë shqipe, vendlindja zakonisht përshkruhet si një hapësirë e dashur, që zgjon mall dhe dëshirë për kthim. Në shumë poezi dhe proza, rikthimi shihet si nevojë shpirtërore, si shlodhje, çmallje, rikthim në origjinë, në kohën më të bukur të jetës, fëmininë etj. Mirëpo tek Zhupa ndodh diçka e çuditëshme: poeti ka frikë të kthehet. Kjo është një përmbysje e traditës poetike dhe si e tillë e bën vargun një risi poetike, pasi krijon një marrëdhënie të re me vendlindjen: jo më si një vend që të thërret apo ke mall të rikthehesh, por si një vend që të ngjall frikë e të vë në dyshime ekzistenciale.

2.Në letërsinë shqipe,sidomos në poezinë e mërgimit, frika zakonisht lidhet me humbjen e identitetit ose harresën. Por tek Zhupa, frika ka karakter tjetër: ajo buron nga mëdyshja e poetit nëse realiteti që do gjejë do  përputhet me kujtimet e tij për atë. Këtu poeti nuk druhet nga ndryshimet e fshatit, ai trembet nga fakti se fshati mund të jetë më i bukur se ëndrra, dhe sfidon imazhin poetik që ai ka ndërtuar në vetvete.

3. Vargu i parë na jep një pamje të re të ndarjes së poetit nga fshati, ku ai nuk e sheh largimin si ndarje mes të shkuarës dhe të tashmes, por gjatë leximit mësojmë se ai e përdor kohën e largimit si një periudhë procesi krijues.Poeti nuk është vetëm një i larguar fizikisht , por edhe krijues i një Çorraji imagjinar, të cilin e ka ndërtuar përmes kujtimeve, përrallave, dhe idealizimit. Frika e tij është frika e një artisti që druhet se realiteti mund ta rrëzojë mitin që ai ka ndërtuar, ndaj shihet si një risi poetike.

5.Në letërsinë shqipe, raporti me vendlindjen është raport i qartë: vendlindja është "atdheu i shpirtit", vendi ku njeriu e gjen veten. Tek Zhupa, ndodh një pasiguri: poeti ka humbur lidhjen e drejtpërdrejtë me fshatin dhe druhet se kthimi mund ta vërtetojë këtë humbje. Kjo është një krizë identiteti, një element i ri modernist në letërsinë shqipe dhe e vendos poezinë në një kontekst më universal dhe filozofik. Në këtë mënyrë, Zhupa jo vetëm që rinovon mënyrën se si trajtohet motivi i vendlindjes, por e fut atë në një dimension modern dhe  kompleks psikologjikisht, risi poetike për kohën.

III-.Duke lexuar vargjet ndjen se poeti nuk ka ardhur fizikisht në Çorraj, por ka ardhur shpirtërisht, ka ardhur me mëndje, ose më saktë ai e ka krijuar fshatin në mendjen e tij, duke e bërë (ndërtuat, pikturuar) më të bukur e më të ngrohtë:

“Në rrëpirat e tua kam shtuar ca lëndina të vogla,

Plakave u kam lidhur nga një shami të re te kryet,

Shtëpitë e murme t’i kam lyer me gëlqere të bardhë,

Fëmijëve motakë u kam treguar një përrallë.”

1.Siç shihet nëpër vargje, poeti nuk e paraqet fshatin siç është në realitet, ai e rindërton poetikisht siç do dëshironte të ishte. Ai i jep jetë një realiteti të zbukuruar, ku:  natyra është më e lulëzuar, pleqtë më të gëzuar, fëmijët më të lumtur etj. Ky rol i poetit si krijues i një bote më të mirë përmes poezisë ështe një risi në letërsinë e kohës, e cila ishte e prirur për të paraqitur realitetin si një baçe me lule (artificiale, pa aromë), mbi të cilin ndriçonte “dielli i partisë”.

2.Le të ndalemi pak te vargu "Në rrëpirat e tua kam shtuar ca lëndina të vogla", i cili është shembull i ndërthurjes së imagjinatës poetike me realitetin, duke pasqyruar forcën e kujtesës dhe ëndrrës për të shndruar fshatin e tij në një hapësirë të idealizuar.

a. Kontrasti midis rrëpirave dhe lëndinave: "Rrëpirat" janë shpate të pjerrëta, terrene të vështira, që mund të simbolizojnë sfidat e jetës, vështirësitë e fshatit apo ndoshta edhe një pamje të ashpër të natyrës. "Lëndinat e vogla" janë hapësira të buta, të gjelbra, që rëndom quhen dhe “vale”, (kujto këngën Vajz’ e valeve) të cilat krijojnë një kontrast me rrëpirat. Përmes këtij transformimi imagjinar, ai e bën më të butë dhe më mikpritës peizazhin e tij të fëmijërisë.

b. Ky varg tregon se poeti nuk është vëzhgues pasiv i së kaluarës, por është një krijues që "shton" elemente të reja në kujtesën e tij, pse ai nuk e sheh vendlindjen si një vend fizik, por si një hapësirë shpirtërore që mund të rikrijohet përmes ndjenjës dhe artit.

c. Në poezi lëndinat mund të përfaqësojnë kujtimet e bukura, momentet e fëmijërisë, ose edhe një dashuri fëminore në një mjedis që mund të ketë qenë i ashpër.

ç. Vlen të theksojmë se ky varg ka një ton meditativ dhe figurativ, tipik për modernizmin, ku realiteti nuk shfaqet drejtpërdrejt, por transformohet përmes ndjesive e simbolikës. Në vend që të tregojë një fshat realist, poeti e rindërton atë përmes ndjenjave dhe kujtimeve të tij. Në fakt duhet të theksojmë se ky varg është shembull i forcës së poezisë për të rindërtuar realitetin sipas ndjesisë dhe imagjinatës.

IV- Në kohën kur është shkruar poezia, krijimet që paraqesnin fshatin ishin plot “ngjyra të pranverore”, arritje dhe tejkalime planesh në bujqësi e blegtori, traktoristë e barinj që punonin për vitet e ardhëshme, ku artificialiteti ishte i dukshëm si në përmbajtje ashtu dhe në tonin propogandistik. Zhupa shmang këto imazhe të zakonshme dhe krijon një kod të ri poetik, ku dashuria nuk është thjesht një ndjenjë që ndodh spontanisht, por një rrugë që mund të hapet me ndërgjegje dhe kujdes. Ky kod është një largim nga sentime-ntalizmi klasik dhe një qasje më filozofike dhe ndërtuese ndaj temës së dashurisë:

“U kam thënë djemve një sekret dashurie,

U kam dhënë një shteg nate për përqafimet dhe puthjet”

Këto dy vargje përfaqësojnë një prurje të re në poezinë shqipe në disa nivele ku shfaqet: -Poeti si ndërtues i realitetit poetik (U kam thënë;U kam dhënë…), jo vetëm si dëshmitar. 

-Dashuria si një sekret i transmetueshëm (U kam thënë djemve një sekret dashurie), jo vetëm si një përjetim i çastit.

-Nata si hapësirë e lire (shteg nate) për përqafimet, jo si simbol i errësirës apo ndarrjjes.

-Dhe shmangia e simbolikës së zakonshme të dashurisë në poezinë shqiptare.

 Ilirian Zhupa sjell një risi, i jep poezisë shqipe një frymë të re të trajtimit të ndjenjave rinore, larg patetikës dhe më pranë një qasjeje delikate dhe moderne.

V- Vargjet: "Vajzave u kam mësuar ca çapkënllëqe ngacmuese

                   Për t’u bërë shpejt të dashura dhe nuse."

të venë në mendime, pse duhen parë në kontekstin e vitit 1988  dhe në atë periudhë poezia ishte ende përgjithësisht në ndikimin e real. socializmit dhe këto vargje përbëjnë një risi të fuqishme sepse:

1. Në letërsinë e kohës, vajza shfaqej si figurë ideale e ndershmërisë, sakrificës, punës etj. E parë në kontekstin kohor, imazhi i vajzës si lozonjare, që mëson "çapkënllëqe" për të fituar dashurinë dhe për t’u bërë nuse, ishte diçka e tepërt. Sigurisht që termi “vajzë lozonjare” egzistonte në këngët e popullit, por ajo kishte kuptimin e një vajzë të shkathët, por jo të një vajze që bënte “çapkënllëqe ngacmuese/ për tu bërë më shpejt e dashur dhe nuse”. Përgjithësisht ishte djali ai që ngacmonte, jo vajza, e cila ishte më e drojtur. Vetë termi “çapkënllëqe ngacmuese” sjell një frymë spontane dhe natyrale, e cila nuk ishte e zakonshme në poezinë shqipe të asaj kohe.

2. Ka dhe diça që ja vlen ta vemë në dukje,poezia e viteve ‘80 ruante një ton solemn ose idealizues kur trajtonte tema si rinia, dashuria dhe figura e gruas. Në këtë rast Zhupa i sjell këto tema me një ton më lozonjar, më të çlirët dhe më të përditshëm, madje dhe me një tis humori, ku vargjet krijojnë harmoni mes ëndrrës dhe realitetit, duke dhënë një imazh të freskët të jetës në fshat.

VI- Sigurisht që poeti nuk mund të linte pa takuar pleqtë, të mbledhur te rrapi në qendër apo te i vetmi klub i fshatit. Duke i takuar aty, poeti u drejtohet, jo me fjalë pompoze si i ardhur nga “qëndra”, por duke i inkurajuar të mos i trembeshin  rritjes së moshes .

“U kam thënë pleqve ca fjalë të rralla,

Të harrojnë reumatizmën dhe therrjen e eshtrave,

Të heqin dorë prej pleqërisë dhe ankesave.”

Zhupa shfaqet një poet novator me këto vargje pasi ato sjellin risi poetike në mënyrën se si trajtohet pleqëria në letërsinë shqipe, duke e zhvendosur perceptimin e saj nga një gjendje fizike dhe ndjesore drejt aktit të mundshëm të kapërcimit shpirtëror.

1.Në traditën poetike shqiptare, pleqëria zakonisht paraqitet si një etapë e rëndë dhe e pashmangshme e jetës, shpesh e lidhur me vetminë, kujtimet dhe dorëzimin ndaj fatit (si te Poradeci, Dritëro Agolli, apo Ali Podrimja). Zhupa e trajton ndryshe këtë : ai i fton pleqtë ta refuzojnë pleqërinë jo fizikisht, por përmes një ndryshimi në mendësi. "Të heqin dorë prej pleqërisë" është një sfidë ndaj mënyrës tradicionale të përjetimit të pleqërisë. Kjo qasje është një prishje e kodit të zakonshëm poetik, ku plakja shihet si një rrjedhë e pandalshme, dhe e kthen atë në një gjendje që mund të ripërkufizohet përmes mendimit dhe fjalës.

2.Vargu "U kam thënë pleqve ca fjalë të rralla" dëshmon forcën e fjalës për të ndryshuar realitetin. Në poezinë tradicionale, romantike e klasike fjala mbi pleqërinë ka shërbyer si mjet ngushëllim mbi dhimbjen saj ( O moj jetë, jetë e rreme/ Që kur leva më gënjeve/ Pleqërinë s’ma rrëfeve), ndërsa këtu ajo shndrohet në mjet shërimi, pse në vend që të shfaqë vuajtjen e pleqve dhe trishtimin, poeti u ofron një fjalë “të rrallë” që mund të ketë fuqi çudibërëse, si në përralla: tu kujtojë ndonjë trimëri apo dashurinë djaloshare . Kjo është një risi në letërsinë shqipe.

3.Në poezinë shqipe, pleqve u drejtohet me respekt, gjë që e trajton heshtazi pleqërinë si gjendje për tu mëshiruar. Zhupa nuk i trajton pleqtë si viktima të kohës, ai ve në lojën poetike ironinë dhe u sugjeron pleqve që “të harrojnë reumatizmën dhe dhembjet”. Kjo sigurisht që është një formë humori, e cila e shmang temën e plakjes si një temë e rëndë drejt një qasjeje të lehtë, gati si diçka me të cilën e vlen të bësh humor lehtazi. Poezia bëhet kështu më pak elegjiake, duke sjellë një frymë të re në letërsinë shqipe.

4. Kemi edhe një dukuri tjetër interesante te këto vargje: në traditën shqiptare, pleqëria shoqërohet me një pozicion  të veçantë shoqëror: ata trajtohen si këshilltarë të urtë, por shihen edhe si njerëz të lodhur nga jeta, nga sëmundjet, siç thotë kënga: “Pleqëri moj me kusure/Unë stë desha, ti më zure” etj. Zhupa me finesë e sfidon këtë mendim dhe i fton ata: “Të harrojnë reumatizmën dhe therrjen e eshtrave,/Të heqin dorë prej pleqërisë dhe ankesave”, pra janë ata që duhet të heqn dorë prej pleqërisë, ssi nga një ëndërr e keqe që kanë parë në një natë dimri. Kjo formë, e ardhur si risi në letërsinë shqipe, e çliron pleqërinë nga korniza tradicionale dhe e trajton atë si një problem mendimi, jo fizike. Në thelb, kjo qasje e Zhupës sfidon parafytyrimin e zakonshëm të pleqërisë dhe sjell një mënyrë moderne dhe universale të të menduarit për jetën, ku njeriu mund të refuzojë të ndalet edhe kur trupi i tij plaket.

VI- Pjesa më novatore e poezisë qëndron në vargun përmbyllës:

“Dhe përsëri s’kam ardhur edhe pse të shtova kaq gjëra

Nga frika mos je më i bukur se ëndrra.”

pse ky reagim është reflektim jetësor dhe qasje moderniste. Thamë se në letërsinë shqipe rikthimi në vendlindje zakonisht shoqërohet me ndjenja nostalgjie, mallëngjimi ose një përpjekje për të rifituar një pjesë të humbur të vetvetes.  Në thelb, subjekti lirik druhet (Nga frika) se realiteti nuk do të jetë në lartësinë e ëndrrës së tij.

1.Pikërisht kjo mëdyshje mes ëndrrës së idealizuar dhe realitetit të zhveshur nga magjia e përfytyrimit nuk ishte e zakonshme në poezinë e kohës, ku realiteti socialist trajtohej si diçka sipërore. Zhupa, e vë në dyshim këtë realitet dhe pranon se ndonjëherë është më mirë të jetosh me ëndrrën sesa të përballesh me zhgënjimin. Ndaj themi se pikërisht këto elemente e bëjnë poezinë e Zhupës një pikënisje të re për poezinë shqipe, duke e afruar atë me lirikën moderne dhe duke i dhënë një frymë të lirë dhe më universale.

2.Ka diçka interesante te këto vargje; letërsia shqipe, kryesisht në poezinë e mërgimit, ka ton të parashikueshëm: realiteti është më i vrazhdë sesa kujtimi, gjërat janë përkeqë-suar dhe kthimi sjell trishtim. Në periudhën e soc-realizmit, në poezitë e të njejtës temë, kurbetllinjtë gjenin një fshat dhe jetë të idealizuar gjer në kufijtë e parajsës. Tek Zhupa ndodh diçka e veçantë: frika nuk është nga shkatërrimi i ëndrrës, por nga tejkalimi i saj (ëndrrës) nga realiteti (Nga frika mos je më i bukur se ëndrra). Është kjo një përmbysje që sjell dimension të ri filozofik, ku kujtesa dhe realiteti nuk janë në raport kundërshtish, por në një raport të ndërlikuar të papriturash.

3. Së fundi, në letërsinë shqipe, kthimi në vendlindje është udhëtim i pashmangshëm, që të gjithë heronjtë e kryejnë: fizikisht ose në mendime. Por Zhupa çuditërisht vendos të mos kthehet, jo për arsye të zakonshme, por sepse ai nuk do ta rrezikojë me zhvlerësim ëndrrën e tij. Ky qëndrim sjell një risi në letërsinë shqipe, pasi e lë fshatin në kufirin midis ëndrrës dhe realitetit, duke refuzuar një rikthim që mund ta shkatërrojë këtë magji.

5. Veçse duhet të shtojmë se ky varg, përtej tensionit mes ëndrrës dhe realitetit, në thelb është një shprehje e dashurisë së thellë dhe delikate që poeti ka për fshatin e tij. Në mënyrën më fine, ai tregon se fshati nuk është thjesht një vend fizik, por është një hapësirë shpirtërore, një botë e ndërtuar nga kujtimet, ndjesitë dhe magjia e fëmijërisë. Dashuria e poetit për atë është kaq e madhe, saqë ai ka frikë se rikthimi në fshat mund ta trondisë atë përjetim të pastër e ideal që ka ndërtuar në vetvete. Ky lloj hezitimi, kjo frikë e ëmbël, e thellon dashurinë, sepse tregon se poeti e ka ngritur Çorrajn e tij në një piedestal kaq të lartë, saqë nuk dëshiron të përjetojë asnjë zhgënjim, edhe nëse ai zhgënjim do të vinte pozitivisht, nga bukuria e madhe. Është kjo një formë adhurimi që kalon përtej racionales, një lidhje ndjesore kaq e fuqishme, saqë frika nuk lind nga largësia, por nga ndjenja se fshati mund të jetë edhe më i bukur se ëndrra që ka krijuar për të. Në këtë mënyrë, vargu shfaq një dashuri të heshtur, të pamatë dhe të shenjtë, e cila nuk ka nevojë për fjalë të mëdha, por shfaqet me një paradoks poetik delikat dhe të fuqishëm.

VII- Vlen ta shohim këtë poezi dhe në aspektin e risive që sjell edhe në mënyrën sesi ndërton figurat poetike. Qysh në ato vite Zhupa e çliron poezinë nga skematizmi, duke përdorur stil të butë, më personal dhe figurat poetike ndërton e i sjell si risi.

1. Personifikimi në poezi shfaqet jo  thjeshtë si një mjet stilistik tradicional, por një mjet poetik që krijon një raport intim mes poetit dhe vendlindjes.Le ta shohim këtë te disa personifikime të kësaj poezie:

Te vargu: "Në rrëpirat e tua kam shtuar ca lëndina të vogla" poeti ndërhyn në natyrë (në mënyrë imagjinare), dhe e bën atë një hapësirë të gjallë që transformohet sipas dëshirës së tij. Po kështu vargu: "U kam shtuar ujërat burimeve dhe pemëve frutat" është një tjetër shembull i ndërveprimit poetik me natyrën, ku kujtesa bëhet forcë krijuese dhe trasformuese e natyrës. Kjo lloj qasje e personifikimit të vendit të origjinës nuk ishte e natyrëshme në poezinë shqipe të kohës, e cila shpesh e trajtonte fshatin si një hapësirë kolektive, jo si një subjekt të personalizuar dhe të mitizuar përmes kujtesës.

2. Risi më vete në figuracion është krijimi i kontrastit të fortë mes realitetit dhe ëndrrës, të cilin e përmbledh mjeshtërisht vargu i fundit: "Dhe përsëri s’kam ardhur edhe pse të shtova kaq gjëra/Nga frika mos je më i bukur se ëndrra."

Këtu  figura është  bazuar në paradoksin e përjetimit poetik  dhe përbën një risi stilistike. Në letërsinë e kohës, vendlindja paraqitej ose si një realitet konkret i idealizuar, por këtu, poeti e vendos në një hapësirë të ndërmjetme, ku frika se realiteti mund të mos jetë si ëndrra e shtyn të mos kthehet. Realisht ky është një përdorim psikologjik dhe filozofik i kontrastit, psee krijon një tip figure poetike të re, që ndërlidh mallin, mitizimin dhe pasigurinë ekzistenciale.

3. Ilirian Zhupa te kjo poezi ndërton ato që mund ti quajmë figura të veprimit poetik, duke shmangur figurat e përshkrimit statik, ku poezia nuk tregon thjesht ndjenja, por përmes veprimeve (këtu, të imagjinuara), ndërton një atmosferë shumëdimensionale:

Te vargu: "Plakave u kam lidhur nga një shami të re te kryet"  poeti vepron mbi kujtesën, dhe  rinovon elementet tradicionale me ndjeshmëri të brendshme. Po kështu dhe te vargjet: "U kam thënë pleqve ca fjalë të rralla…” etj. Madje këtu figura shihet në dy nivele: si një akt simbolik p.sh.i rinimit të pleqërisë dhe si një shprehje ironike e qasjeve romantike ndaj plakjes, duke e trajtuar atë jo si pashmangshmëri fizike, por si gjendje mendore që mund të sfidohet me fjalë e mendim. Në këtë mënyrë, poeti jo vetëm që luan me kontrastin mes reales dhe dëshirës, por dhe e shtyn poezinë drejt reflektimit më të thellë mbi kohën, kujtesën dhe fuqinë e fjalës për të transformuar perceptimin e jetës.

4. Në këtë poezi Zhupa ndërton simbole që s’janë të zakonshme në poezinë shqipe të asaj periudhe, duke i dhënë një kuptim të ri elementeve të përditshme. Psh te vargu: "Kam ikur prej kohësh nga Çorraj dhe kam frikë të vij..." simboli i frikës këtu nuk është frikë e zakonshme, por një frikë ekzistenciale dhe emocionale, madje  ky simbolizëm e çon poezinë në një nivel filozofik të rrallë për kohën. Te vargu:"Plakave u kam lidhur nga një shami të re te kryet" shamia e re simbolizon rinimin e tyre, freskinë dhe respektin për traditën, (kujtoni fjalën që u thotë pleqve) por njëkohësisht është edhe një gjest i imagjinatës poetike, që mban  gjallë imazhin e një fshati ideal. Po kështu te vargjet: "U kam thënë djemve një sekret dashurie,/U kam dhënë një shteg nate për përqafimet dhe puthjet." shtegu i natës është një simbol  interesant dhe risor në poezinë shqipe të viteve ’80, ku dashuria përjetohej nëpër ara dhe kantiere, aksione etj.

5. Edhe metaforat që sjell poeti janë jo vetëm të reja, por edhe origjinale  që tejkalojnë përshkrimin statik dhe e bëjnë fshatin më të gjallë, plot jetë dhe dinamizëm. Te vargu: "Në rrëpirat e tua kam shtuar ca lëndina të vogla" autori ndërhyn në peizazhin e kujtesës për ta bërë më të bukur. Ky proces krijues është një risi poetike në letërsinë shqipe të asaj kohe, ku kujtesa nuk është vetëm rikujtim, por edhe transformim artistik. Po kështu te vargu: "Shtëpitë e murme t’i kam lyer me gëlqere të bardhë" është një metaforë e rigjallërimit, pse bardhësia e gëlqeres nuk është një përshkrim fizik, por një simbol i pastërtisë, rinovimit, që shfaqet nëpërmjet veprimit poetik të subjektit lirik.

6. Sigurisht që dhe imazhet poetike vijnë në formën e një risie në këtë poezi të Zhupës pse ai krijon imazhe poetike të gjalla, që e vendosin lexuesin brenda botës së tij imagjinative dhe jo si një soditës prej së largu. Kështu p.sh. vargu "U kam dhënë një shteg nate për përqafimet dhe puthjet." krijon imazhin e  natës si një hapësirë lirike dhe të fshehtë, duke i dhënë asaj një aspekt romantik e misterioz. Në letërsinë shqipe të kohës, dashuria, përqafimet e puthjet shkruheshin në mënyrë më të koduar dhe të disiplinuar, ndërsa këtu kemi një hapje poetike drejt një lirshmërie më të madhe emocionale. Të njejtën gjë mund të themi dhe për imazhin e rinimit të pleqve te vargu:"U kam thënë pleqve ca fjalë të rralla….." ndërsa vargjet:"Dhe pastaj pragjeve,/ Dhe pastaj avllive,/Përrenjve,/Gurëve,/Shpendëve dhe qiejve..." krijojnë një imazh gjithë -përfshirës të natyrës, madje vendosin dhe një ritëm kumtues e një frymë liturgjike, thua se jep një lloj bekimi poetik që përhapet në të gjithë hapësirën. Pikërisht dhe kjo teknikë është një risi në ndërtimin e imazhit poetik, psee përdor një renditje kumulative dhe krijon një efekt emocional dhe melodik.

Sigurisht që te kjo poezi mund të flasim dhe për risinë e prurë në stilin poetik nëpërmjet lirshmërisë dhe strukturës së ndërtimit, risinë në aspektin psikologjik që shfaqet te frika nga realiteti dhe ndryshimi, risi në aspektin filozofik  që shfaqet te marrëdhënia midis kujtesës, ëndrrës dhe realitetit, risi në universalitetin poetik, pse poezia nuk është vetëm për Çorrajn , por të gjitha këto i kemi cikur ose zbërthyer më gjerë gjatë analizës të elementeve të tjera. E rëndësishme është të themi se poezia e Ilirian Zhupës përbën një mozaik risish në poezinë shqipe të viteve ’80, duke sjellë qasje të re si në ndërtimin e figurave, ashtu edhe në dimensionin psikologjik, filozofik dhe stilistik. Kjo shumësi risish e bën poezinë një pikë të rëndësishme referimi në modernizimin e vargut shqip.

 

Sarandë, më shkurt-mars 2025

 

NË ÇORRAJ PREJ KOHËSH S’KAM QENË

Kam ikur prej kohësh nga Çorraj dhe kam frikë të vij...

 

Në rrëpirat e tua kam shtuar ca lëndina të vogla,

Plakave u kam lidhur nga një shami të re te kryet,

Shtëpitë e murme t’i kam lyer me gëlqere të bardhë,

Fëmijëve motakë u kam treguar një përrallë.

 

U kam thënë djemve një sekret dashurie,

U kam dhënë një shteg nate për përqafimet dhe puthjet,

U kam shtuar ujërat burimeve dhe pemëve frutat.

 

Vajzave u kam mësuar ca çapkënllëqe ngacmuese,

Për t’u bërë më shpejt të dashura dhe nuse.

 

U kam thënë pleqve ca fjalë të rralla,

Të harrojnë reumatizmën dhe therrjen e eshtrave,

Të heqin dorë prej pleqërisë dhe ankesave.

 

Dhe pastaj pragjeve,

Dhe pastaj avllive,

Përrenjve,

Gurëve,

Shpendëve dhe qiejve...

 

Dhe përsëri s’kam ardhur edhe pse të shtova kaq gjëra

Nga frika mos je më i bukur se ëndrra.

 

Nga libri: “Mos më pyet ku kam qenë”,  botuar: 1988, 2016

Monday, 10 March 2025

 

 

TRIKO E NËNËS

 

Nga Timo Mërkuri

Sot më 8 Mars 2025 Ilirian Zhupa hodhi në fb poezinë  "Penelopa". Kureshtjen që ngjall ky titull poezie publikuar këtë ditë e shndroi në mister shënimi i autorit se poezinë ja kushtonte nënës së tij, Aleksandra. Vetvetiu lind pyetja: ç’lidhje apo qasje ka Penelopa me nënën e poetit? Para se të vazhdoj, po publikoj poezinë edhe për të zhbleksur fillin e misterit të saj poetik.

                      PENELOPA

          -Nënës sime, Aleksandrës!

“Nëna punon në shtiza një triko të leshtë për mua,

Ndërsa shiu zhurrmon jashtë mbi rrasat e të dashurve tanë...”

 

I-Poezia është e shkurtër, madje tepër e shkurtër edhe për një ditë feste si 8 Marsi, por megjithatë mund të themi se: në këtë krijim Zhupa ndërton portretin poetik të nënës së tij, Aleksandrës, dhe e ndërlidh me figurën mitike të Penelopës për një sërë arsyesh. Sigurisht që lexuesi do pyesë ku qëndron qasja e këtyre dy figurave, Penelopës mitike me nënën e poetit

1.Së pari: në vargje nëna e poetit shfaqet si figurë mëmësore e përkushtuar, thur triko me shtiza dore për birin e saj, poetin për ta mbajtur ngrohtë në dimë. Mirpo kjo figurë i përngjan Penelopës përmes aktit të thurjes, pse dhe kjo thurte  në avlëmënd pëlhurën. Thurja e trikos nga nëna e poetit dhe thurja e pëlhurës nga Penelopa kanë një qasje të përbashkët sepse të dyja janë veprime që shkojnë përtej funksionit të tyre praktik dhe bëhen shprehje të dashurisë, durimit dhe vazhdimësisë shpirtërore.

a. Në rastin e Penelopës ajo thur dhe ç’thur pëlhurën si një akt pritjeje, qëndrese dhe strategjie shpëtimi të të birit. Realisht studiuesit e letërsisë e kanë parë figurën e Penelopës si një grua besnike e Odiseut, e cila i mashtron mtonjësit me endjen në avlëmënd të një pëlhure që nuk përfundonte kurrë, falë dinakrisë së saj në çthurrjen netëve të asaj që thurrte ditën, duke shtyrë kështu kohën e mbajtjes së premtimit për të zgjedhur mes tyre bashkëshortin e ri. Gati të gjithë studiuesit e letërsisë (përjashto poetin Varnalis) këtë këtë dinakri të saj e lidhin me besnikërinë ndaj Odiseut dhe pak kujtohen se ajo veçse grua, ishte dhe nënë. Ajo kishte një djalë, Telemakun i cili kishte njëzet vjet pa e parë të atin, Odisenë, i cili e la foshnjë (apo motak) kur morri detin për në Trojë. Mtonjësit kërkonin dorën e Penelopës ose më saktë do ishte të thoshnim se kërkonin kurorën mbretërore të saj dhe sigurisht, pas marrjes së saj, fati i Telemakut ishte në dorën e mbretit, pra të mtonjësit që mbretëresha do zgjidhte për bashkëshort.  Prandaj themi se shtyrja e afatit të martesës me një nga mtonjësit kishte të bënte edhe me zgjatjen e afatit të sigurisë të të birit Telemakut si princ trashëgimtar, dmth i i paprekshëm.

Në rastin tjetër, nëna e poetit thur një triko jo vetëm për të ngrohur fizikisht të birin, por e thur si një akt përkujdesjeje dhe dashurie. Thurja e saj nuk është një strategji si ajo e Penelopës, por një përpjekje për të siguruar të birit një mbrojtje nga të ftohtit e dimrit.

b. Të dyja figurat e thurin me përkushtim punën e tyre për një njeri të dashur: Penelopa thur pëlhurën për vjehrin e saj Laertin, pasi me atë do ta mbështjellë në momentin e varimit, por në realitet pëlhura thuret për Odiseun dhe për të birin: Pëlhura e saj është simbol i besnikërisë dhe dashurisë së përjetshme, një mënyrë për të mbajtur lidhjen e saj me burrin që ka shkuar në luftë, si dhe një mënyrë për të mos e lënë të birin pa mbrojtje para mtonjësve. Varnalasi te “Ditari i vërtetë i Penelopës”  na thotë që ajo “harroi” që ishte gruaja e Odiseut, por asnjë autor nuk thotë që Penelopa harroi ndonjëherë që ishte nëna e Telemakut, madje ajo nuk e harroi këtë as atëherë kur dhe vjehri i saj, Laerti, i lodhur e i dëshpëruar nga presionet e mtonjësve “braktisi” apo harroi detyrën e tij si gjysh i Telemakut; u tërhoq nga pallati dhe shkoi të jetojë në një kasolle. Pra Penelopa, edhe atëherë që mbeti vetëm pa mbështetje, nuk e braktisi detyrën si nënë, ndërkohë që detyrën si mbretëreshë e la fare pas dore; e la pallatin dhe pasurinë në duar të mtonjësve, të cilët e shpërdoronin çdo ditë e natë. Edhe kur Telemaku u largua për të gjetur të atin ose ndonjë lajm për atë, dhe pse mtonjësit e kapën gafil në mashtrimin e çthurrjen e pëlhurës së thurur, ajo i bindi (detyroi) tha të prisnin sa të kthehej i biri nga udhëtimi. Thjeshtë donte të sigurohej që i biri nuk ishte prekur dhe nuk do prekej.

Ndërkohë rikoja që thur nëna e poetit është një akt i kujdesit dhe dashurisë mëmësore, një mbështjellje mbrojtëse jo vetëm për trupin, por edhe për shpirtin.

c. Në këtë aspect është interesant të shohim rraportin e kohës me aktin e tyre, ku:  Penelopa e ndal kohën me pëlhurën që thur, puna e saj nuk është një proces  normal, pasi ajo thur e çthur në një ditë të njëjtën punë, pra koha nuk ecën përpara.

Përkundrazi, nëna e poetit jeton kohën e saj reale, ajo nuk po thur për të pritur dikë që është larg, ajo thur një triko për birin që është aty, pranë saj. Kjo e bën trikon e saj një symbol të kujdesit të saj të vazhdueshëm dhe të dashurisë konkrete.

ç.Në të dyja rastet, thurja nuk është thjesht një veprim fizik, por është një gjuhë e ndjenjave: Penelopa thur pëlhurën për të mos lejuar harresën të ndërhyjë mes saj dhe Odiseut dhe si strategji mbrojtëse për të birin, ndërsa nëna e poetit thur triko për të shprehur dashurinë mëmësore dhe mbrojtjen e të birit nga të ftohtit.

2. Babai i Ilirianit qëlloi të quhej Odise si mbreti i Itakës. Penelopa qëndroi 20 vjet pa Odiseun, pse ai ishte dhjetë vjet në luftëm e Trojës dhe dhjetë vjet në udhëtime. Nëna e poetit jetoi 20 vjet pas shuarjes së bashkëshortit Odise, ati I poetit.

-Ati i Ilirianit nuk ishte mbret i Çorraj, por për poetin ai ishte idhulli i tij, një burrë i drejtë dhe i fortë.

-Ati i Ilirianit ishte themeluesi i Arsimit në Tepelenë dhe për këtë arsye nderohej më tepër se Odiseu në Itakë, pse Odisenë e nderonin edhe nga frika, ndaj kur ai mungoi njëzetvjet nga ishulli, mtonjësit u ngritën për t’i marrë gruan dhe fronin. Ndërkohë për Odisenë nga Çorraj dhe tani pas njëzet e pesë vjetësh mungesë vetëm konsiderata dëgjon i biri.

3.Në poezi, figura e nënës shfaqet përmes një momenti të përditshëm, një veprimi të thjeshtë por domethënës: ajo thur një triko për të birin. Ky akt, përtej funksionit praktik të ngrohjes, bart një ngarkesë ndjesore dhe simbolike, ai përfaqëson kujdesin, dashurinë dhe lidhjen midis nënës dhe fëmijës,

a.Poeti vendos një kontrast midis ngrohtësisë shpirtërore të nënës që thur trikon dhe ftohtësisë së jashtme, ku shiu bie mbi varret e të dashurve. Sigurisht ky detaj jipet pse nëna kujton të shoqin që është në varreza, por  ky detaj forcon indirekt ndjesinë e kufirit mes jetës dhe vdekjes. Këtu, poeti le të  nënkuptohet se dashuria mëmërore nuk kufizohet vetëm në kohën e tashme, por vazhdon të mbetet mburojë shpirtërore, edhe kur vetë nëna të mos jetë më.

b.Më sipër kur folëm për Penelopën I kushtuam rëndësi faktit se ajo ishte jo vetëm mbretëreshë e Itakës, por ishte dhe nëna e Telemakut. Edhe  nëna e poetit nuk është thjesht një grua, por mbi të gjitha është një nënë, një figurë e përkushtuar ndaj të birit. Është pikërisht ky përkushtim e qas me mitin e Penelopës. Ashtu si Penelopa përdor pëlhurën për të ruajtur familjen dhe për të vonuar zgjedhjet e mtonjësit që do bëhej bashkëshort i saj, dhe nëna e poetit e shfaq dashurinë dhe mbrojtjen e saj përmes një procesi krijues, thurjes së trikos.

c.Në momentin e krijimit të poezisë nëna e poetit është gjallë,por figura e saj merr një dimension që shkon përtej kohës. Poeti e sheh dhe e shfaq atë jo vetëm në çastin e tashëm, por edhe si një kujtim të gjallë nga fëmijëria, pse ai e shihte çdo ditë duke thurur triko pranë vatrës, ndërsa familja pushonte pranë zjarrit. Kjo rikthim në kohë e trasformon thurjen e trikos në një akt të përjetshëm, një shprehje e përjetëshme e  dashurisë, madje dhe me mungesën fizike.

ç. Në këtë poezi, ngrohtësia që  buron prej vargjeve të sjell ndërmend se trikoja e leshtë e punuar nga nëna shkon përtej funksionit të saj material. Ajo bëhet metaforë e mbrojtjes, e kujdesit, e një dashurie që mbështjell të birin jo vetëm fizikisht, por edhe shpirtërisht. Ky aspekt e vendos atë pranë figurës së Penelopës, e cila, ndonëse thurte e çthurte për një qëllim tjetër, e përdorte aktin e thurjes si një mjet për të mbrojtur atë që i ishte më i shtrenjtë, familjen dhe të birin.

4.Le ti kushtojmë pak vëmendje vargut: “Ndërsa shiu zhurrmon jashtë mbi rrasat e të dashurve tanë”. Ky shi që bie nuk është thjeshtë një element i natyrës por më së pari është një metaforë për kalimin e kohës, ciklin e pandalshëm të jetës dhe vdekjes. Ndërkohë që shiu lag rrasat e varreve, nënna e poetit vazhdon të thurë trikon, duke e vënë aktin e saj krijues përballë  harresës, duke nënkuptuar se jeta dhe dashuria vazhdojnë edhe përballë humbjeve të pashmangëshme.

Në këtë poezi nëna nuk është thjeshtë gruapor mbi të gjitha është një nënë, figura e saj shfaqet me një dimension të dyfishtë: si një person real, por edhe si një kujtesë poetike e përherëshme, si një symbol që shtrihet përtej kohës.

 Ashtu si Penelopa që ndodhet mes të shkuarës dhe të ardhmes, edhe nëna e poetit “krijon” në të tashmen një “triko” metaforike, e cila shkon përtejë funksionit të saj praktik dhe duhet të shihet si metaforë e mbrojtjes së përherëshme të të birit. Në këtë kontekst rrënia e shiut mbi rrasat e varreve krijon një kontrast që e vendos trikon si një urë mes të gjallëve dhe dëshmon se ndërsa jeta vazhdon ciklin e saj, dashuria e nënës nuk shuhet kurrë. Unë ju them se trikoja  është më shumë se një send, ajo është një “poezi e thurur me duar”, një metaforë e dashurisë që nuk venitet. Zhupa përmes këtij imazhi nuk shfaq një moment të zakonshëm por një simbol universal të kujdesit mëmësor dhe vazhdimësisë përmes kujtimit.

Së fundi ju them se e kam dhe unë një triko të tillë që e vesh çdo ditë, sot e 57 vjet, pavarësisht se s’kam bërë ende një poezi për atë. Për këtë arsye e falnderoj Ilirianin që e krijoi këtë poezi dhe për mua.

Sarandë, më 8 Mars 2025