PUTHJA TË BËN
TË BUKUR
Nga Timo Mërkuri
Qysh te fjala e parë e titullit të
poezisë “Puthjet vijnë nga malli” e Fatmir Terziut mu kujtuan vargjet e
Eseninit : “Puthjes emër djemtë si kanë gjetir/Puthja s’është mbishkrim qivuri i
ngrirë/ Puthja është një lule e porsaçelur/Që mbi buzë petalet i ka shtrirë”
dhe si për t’i bërë shoqëri më erdhën në
kujtesë dhe vargjet e Kacalidhës: “Me siguri Parisi s’e ka puthur Helenën/ Se
po ta kishte puthur do të zbuteshin dhe detet”. I dritësuar nga këto poezi dhe
i provokuar nga titulli i poezisë së Terziut nisa ta lexoj me një kureshtje të
shtuar pse sigurisht që diçka të re do sjellë poeti. Nuk u gabova , pasi në këtë
poezi Terziu sjell disa risi poetike në nivelin e figuracionit, ndërthurjes së
imazheve dhe trajtimit filozofik të ndjesive njerëzore.
I-Kjo poezi me një qasje ndaj simbolizmit
poetik, ndryshe nga dy poetët e sipërcituar, puthjen nuk e përshkruan thjesht
si një akt dashurie, por si një simbol kompleks i emocioneve, kohës dhe artit.
1. Poezia e Terziut e zgjeron
konceptin e puthjes përtej aspektit fizik, duke e lidhur me situatën ndjesore: me zgjedhjen, kujtesën dhe
sfidën e ndjenjave:
"Puthjet janë si agimet,
pasaportë e shkruar me buzë, me
tru e me zemër,
lejekalime të përkohshme për zgjimet"
Këtu puthja nuk shfaqet si një
gjest sensual, por si një pasaportë kalimi mes gjendjeve të ndryshme ndjesore
dhe mendore. Është një “lejekalim”
nga përhumbja në ndërgjegjësim, një reflektim mbi rolin e ndjenjave në formësimin
e përjetimeve njerëzore. Lehtësisht mund të parafytyrohet një tra ndalimi midis
gjëndjes së përhumbjes dhe dhërgjegjësimit të dy personave që realizojnë
puthjen.
2. Një nga risitë më interesantë
të kësaj poezie është përdorimi i ngjyrave për të dhënë intensitetin e
ndjenjave:
"Edhe puthjet kanë ngjyra
peneli është një shëtitje e lazdruar me buzë"
ku, në këtë rast puthja
shndërrohet në akt artistik, ku buzët janë penel dhe fytyra është kanavaci. Është
një imazh i bukur për tu përfytyruar, madje të nxit të ëndërrosh dhe për
ngjyrrat e ndryshme të puthjes mbi kanavacë, të kuqen, të verdhën, jeshilen… Në
poezi ngjyra simbolizon ndryshueshmërinë e ndjenjave, duke kaluar nga bardhësia
e pastërtisë në bruzin e ftohtë:
"herë çel si pranvera, herë
digjet nëpër dimra,
me ngjyrë të bruztë."
ku ky imazh e shndron ndjenjën në
një element vizual dhe të prekshëm, duke krijuar një sinestezi mes shqisave, ku
ndijime të ndryshme përzihen mes tyre dhe krijojnë një efekt poetik më të thellë.
Sinestezi krijon te kjo poezi edhe vargu: “Peneli
është një shëtitje e lozdruar mbi buzë” apo vargjet: "Puthjet janë si agimet,/pasaportë e shkruar me buzë, me tru e me
zemër,/lejekalime të përkohshme për zgjimet".
3. Puthja te poezia e Terziut kalon
nga sfera e tokësores në atë të mbinatyrshmes:
"Ti më sheh dhe unë të
ëndërroj si që moti,
më puth në ëndërr dhe ti s'je as
djalli,
po më ripikturon me trup dhe ti s'je as Zoti!"
ku, akti i puthjes bëhet një
forcë krijuese, që ndodhet mes njerëzores dhe hyjnores. Sigurisht që nuk është
një veprim i shenjtë,(ndonëse të rinjtë e vlerësojnë si një akt hyjnor, një
lloj ripagëzimi në dashuri) por as diçka djallëzore; është një formë e
rishfaqjes së identitetit, një mënyrë për të rindërtuar lidhjet dhe për të
ripërjetuar mallin. Ky rikrijim i puthjes si një proces artistik dhe shpirtëror
është ajo që i jep poezisë risinë dhe veçantinë e saj.
Pra Fatmir Terziu e trajton
puthjen si një simbol të ndërlikuar që shkon përtej romantizmit tradicional,
pse ai e lidh atë (puthjen) me kujtesën, artin dhe metafizikën, duke sjellë një
qasje moderniste që ndërthur imazhet dinamike dhe filozofinë e ndjenjave.
II-Fatmir Terziu nuk është
piktor, por ai është poet dhe si i tillë është mjeshtër i pikturimit të
portreteve me artin poetik. Kështu në këtë poezi Terziu ndërton një galeri të
pasur portretesh të puthjeve (sigurisht që kemi një shumësi puthjesh) përmes
figuracionit dinamik dhe shumëdimensional. Çdo portret i puthjes i dhënë nga
Terziu nuk është thjeshtë një imazh i
ngrirë ( “Puthja s’është mbishkrim qivuri i ngrirë”. Esenini), por një gjendje
që shfaqet, transformohet dhe mbart tensionin mes ndjenjës dhe artit, trupores
dhe shpirtërores. Le ta soditim këtë gaaleri puthjesh poetike të Terziut:
1. Në vargjet hyrëse, puthja
përshkruhet si një agim – portreti i zgjimit, dritë e re, një kalim nga
errësira në ndriçim: "Puthjet janë
si agimet,/pasaportë e shkruar me
buzë, me tru e me zemër,/lejekalime
të përkohshme për zgjimet" ku puthja nuk shfaqet një akt fizik, por
një shenjë kalimtare, një akt që zgjon shpirtin, kujtesën dhe mallin. Ky
portret poetik i puthjes i afrohet idesë së përjetimit që prek të gjitha
shqisat de përfshin mendjen, trupin dhe zemrën, i zgjon ato nga “gjumi” në një
agim të ri.
2. Një imazh tjetër i puthjes
shihet të shfaqet në formën e stuhisë, që përmban tensionin e brendshëm dhe
shpërthimin emocional:
"puthjet janë stuhi,
shpërthime të një bote të brendshme"
ku puthja nuk është e qetë apo
harmonike, por është një shpërthim, herë i kontrolluar dhe herë spontan
(kujtoni puthjen e parë), një energji që shpërthen nga thellësia e shpirtit.
Kjo e bën atë një akt të fuqishëm, të pakontrollueshëm, që nuk ndjek rregulla
apo logjikë, por vjen si një forcë natyrore.
3. Në një tjetër shfaqie, puthja merr
një dimension artistik, dhe shndrrohet në një akt krijues: "Edhe puthjet kanë ngjyra/peneli
është një shëtitje e lazdruar me buzë". Sigurisht që ky është një nga
portretet më poetike të puthjes, ku ajo shfaqet si një akt pikturimi. Pra, në këtë
rast puthja nuk është thjesht ndjesi, por një gjurmë e dukëshme, një penelatë
mbi fytyrën e tjetrit, ku ndjenjat lënë ngjyra dhe përkufizojnë një përjetim
emocional të veçantë. A i kini vënë re vajzat pas puthjes së parë, u bie një
përskuqje e hollë ëngjëllore. Bëhen shumë të bukura dhe dëshiron t'i puthësh
prapë e prapë. Puthuni të bëheni të bukur.
4.A e dinit që puthja shfaqet herë
si dritë dhe herë si shkatërirm? Poezia e Terrziut ndërton një tension mes
puthjes si dritë dhe puthjes si shkatërrim:
"nëse do të më puthje Ti do
të bardhënusërohej natyra,
nëse do të ndodhte ndryshe Bota
bëhej tërkuzë"
Sigurisht që këtu puthja
përshkruhet si një akt që mund të transformojë realitetin – ajo ose e pastron,
e ndriçon botën, ose e fundos në kaos. Unë mund tju tregoj ngjarje që për një puthje
janë vrarë njerëz (jo vetëm çifti) dhe ka lindur një hasmëri që ka vazhduar me
vite, por mund tju tregoj dhe histori ku një puthje ka mbyllur një hasmëri
dhjetravjeçare vjeçare, me dhjetra varre të hapur. Ky dualitet e bën puthjen
një forcë të madhe emocionale dhe jetësore, që lidhet jo vetëm me ndjenjat
personale, por edhe me një ekuilibër të jetës,
të botës.
5. Në përmbyllje, poeti e shfaq
puthjen si një formë rindërtimi, por pa fuqi hyjnore absolute:
"më puth në ëndërr dhe ti
s'je as djalli,
po më ripikturon me trup dhe ti s'je as Zoti!"
Nuk di pse kjo më kujton një këngë
popullore ku rapsodi e quan vajzën që kthehet në shtëpi as takimit: “vajzë e
puthur”. Në poezi, puthja nuk lidhet skajet e të mirës apo të keqes, por me
artin e krijimit, me rindërtimin e përjetimeve dhe kujtimeve, si tek ajo kënga
popullore që i shton një cilësor vajzës. Puthja në vetvete nuk është e
përjetshme, por është një akt që lë shenja, krijon dhe transformon.
Përmes kësaj shumëllojshmërie
imazhesh, poezia arrin të japë një kuptim të thellë të puthjes si një përvojë
që kalon përtej trupores dhe bëhet pjesë e artit dhe ekzistencës. por kjo mund
ta lidha këtë poezi me Paul Valéry, veçanërisht me mënyrën se si Valéry trajton
ndjesitë si procese artistike dhe intelektuale, duke i shndërruar në akte krijuese
dhe filozofike.
III-Ndonjë lexues me të drejtë
mund të pyesë: poeti i këndon mallit jo dashurisë. Në këtë aspect Terziu ka një
qasje me poetët arbëreshë të cilët dashurinë e quanin thjeshtë “mall”I shpirtit.
Në poezi, malli nuk është thjesht një mungesë apo nostalgji e thjeshtë, por ai
përfshin dhe ushqen dashurinë. Malli nuk do të kishte kuptim pa dashurinë, ai është
produkt i dashurisë sepse është pikërisht ndjenja e fortë dhe e gjallë e
dashurisë ajo që lind mallin mes dy personave.
Në vargjet: "Puthjet janë si agimet,/pasaportë
e shkruar me buzë, me tru e me zemër,"
poeti e qartëson se puthjet nuk
janë thjesht akte fizike, por një përzierje e ndjenjave, kujtesës dhe dëshirës,
të cilat lidhen drejtpërdrejt me dashurinë. Po ashtu në vargun "puthjet janë e sotmja, e nesërmja është
kotësi," mund të kuptohet se dashuria e shprehur përmes puthjeve është
ndjenjë e fuqishme dhe e përjetshme, që kapërcen kohën. Kjo sugjeron se malli
dhe dashuria janë të pandashme; malli lind sepse dashuria ekziston, dhe puthjet
janë mënyra për ta rikthyer ose përjetuar atë dashuri. Në këtë kontekst, puthja
bëhet shumë më tepër sesa një akt i thjeshtë, ajo ka ngjyrë, ajo shndërrohet në aromë, ajo shndrohet në këngë, (e kush nuk i ka kënduar
puthjes), ajo është dritë, sepse zgjon shpirtin dhe sjell ngrohtësi; është
bukuri, sepse përfaqëson një ndjenjë të pastër dhe të thellë; është shëndet dhe
jetë, sepse ushqen shpirtin dhe trupin me energjinë e dashurisë. Duke e parë në
këtë aspekt, vargu përmbyllës mund të shndërrohet në një filozofi të jetës:
"Prandaj puthuni, të jeni të bukur e të kini jetë." Kjo është një
ftesë për të mos e kursyer ndjenjën, për ta përjetuar dashurinë dhe mallin në
formën më të plotë, sepse ato e mbajnë njeriun të gjallë dhe të ndritshëm. Por
ne le ta shndrojmë në një sentencë poetike mendimin: Puthuni të jeni të lumtur.
Sarandë, më 19.03.2025
Puthjet e tilla vijnë nga malli
Nga Fatmir Terziu
Puthjet janë si agimet,
pasaportë e shkruar me buzë, me tru e me zemër,
lejekalime të përkohshme për zgjimet,
nga përhumbja e natyrshme në sfidën për të mbjell,
mallin, dashurinë, dhimbjet,
ndonjëherë në shi,
ndonjëherë në lagié të mistershme,
puthjet janë stuhi,
shpërthime të një bote të brendshme
puthjet janë e sotmja, e nesërmja është kotësi,
shenja që i struk si vemje.
Edhe puthjet kanë ngjyra
peneli është një shëtitje e lazdruar me buzë,
nëse do të më puthje Ti do të bardhënusërohej natyra,
nëse do të ndodhte ndryshe Bota bëhej tërkuzë,
puthjet janë kanavaci ku fytyra,
ngjyros dhe pikturon një stinë shpuzë,
herë çel si pranvera, herë digjet nëpër dimra,
me ngjyrë të bruztë.
Puthjet e tilla vijnë nga malli,
Ti më sheh dhe unë të ëndërroj si që moti,
më puth në ëndërr dhe ti s'je as djalli,
po më ripikturon me trup dhe ti s'je as Zoti!
No comments:
Post a Comment