Monday, 29 September 2025

 

VARGJE PËR VETVETEN

 

Nga Timo Mërkuri

Poezia “Të jesh grua” është një perlë e hershme e krijimtarisë së Albina Idrizit, e shkruar në vitin 1994, kur  ishte në vitin e parë të studimeve universitare dhe botuar në vitin 1997 në vëllimin  “Heshtja e mbarsur”, ku shfaq një pjekuri të rrallë duke ndërthurur ndjesinë, reflektimin filozofik dhe vlerën estetikë në një mënyrë që rrallë shihet tek poetët e rinj. Kjo poezi nuk lind thjesht nga përvoja, por nga ndjenja e thellë e të qenit, nga përpjekja për ta kuptuar botën përmes dhimbjes, heshtjes dhe qetësisë së përditshme. Ajo shfaq jo vetëm zërin e një gruaje, por të një njeriu që kërkon kuptim në përplasjen me vetveten. Vargjet e poezisë nuk janë thjesht përshkrime të përvojave femërore; ato janë një meditacion mbi dualitetin e qenies, pluralitetin e identiteteve dhe kërkimin e vetvetes.

Poezia flet me një zë të brendshëm dhe të ndjerë, ku kontradiktat; shenjtëria dhe përdalja, heshtja dhe e folura, rolet e ndryshme dhe autentikiteti – shfaqen jo vetëm si situata të jetës së përditshme, por edhe si reflektim ekzistencial. Ajo tregon se përmes përvojave të përditshme dhe përballjes me rolet e ndryshme, gruaja  dhe, në një kuptim më të gjerë, çdo njeri  mëson të identifikohet me vetveten, duke ruajtur autenticitetin në mes të pluralitetit të përjetimeve.

1.Leximi artistiko-estetik

Poezia “Të jesh grua” e Albina Idrizit tërheq vëmendjen jo vetëm për temën që trajton, por edhe për mënyrën se si ajo, qysh në moshën e parë të rinisë studentore, arrin të sjellë një univers poetik të ngjeshur me tensione, kontradikta dhe imazhe të fuqishme. Është një poezi e cila shfaq një pjekuri të hershme artistike, ku estetika ndërthuret me psikologjinë dhe filozofinë e ekzistencës femërore. Vlera e saj qëndron në aftësinë për të dhënë një tablo të copëzuar por të plotë të femrës moderne, duke e vendosur në një hapësirë ku bashkëjetojnë hyjnorja dhe profania, shenjtëria dhe epshi, dhimbja dhe ironia. Lexuesi përballet me vargje që nuk thuhen, por përjetohen, ku çdo fjalë është si një frymë që ngrihet nga heshtja dhe merr trajtë në ndërgjegjen tone.

a. Simboli

Poezia e ngre gjithë barrën estetike mbi simbole të forta, ku femra nuk është vetëm një qenie reale, por një univers ku përplasen shumëzime kuptimesh.

Simboli i shenjtëreshës dhe të përdalës ;“me një fytyrë të re shenjtëreshe,

                                                                          për t’u shndërruar prapë

                                                                          mbrëmjeve në të përdalë

 mishëron dualitetin e femrës në shoqëri: të adhuruar dhe të stigmatizuar, të nderuar dhe të përçmuar.

Simboli i orgazmës së aktuar (“e të aktrosh orgazma”) nuk lidhet vetëm me intimen, por bëhet metaforë e gjithë roleve të imponuara që gruaja detyrohet të luajë në jetë, një akt i përhershëm i mbijetesës shoqërore.

b. Metafora

Metaforat shfaqin thellësinë filozofike të poezisë dhe e bëjnë tekstin një tablo moderne.

Të qeshësh më tepër

 kur s’ka asgjë për të qeshur”  është metaforë e boshllëkut të brendshëm, e asaj maskë që femra duhet të vërë për të mbijetuar në rutinë.

“Të jetojnë me ty

 në të njëjtën kohë

Nënë Tereza e Mata Hari” është metaforë e kontradiktës së brendshme, që shfaq kompleksitetin e figurës së femrës mes shenjtërisë dhe epshit, sakrificës dhe provokimit.

c. Personifikimi

Në poezi, ndjenjat dhe veprimet njerëzore marrin dimension të ri përmes personifikimit.

Të qash

 edhe kur s’të vjen për të qarë” e vendos ndjenjën në një pozitë të jashtme, sikur loti të ishte i huaj ndaj shpirtit, një akt i imponuar.

Gjithashtu, vetë fytyra e re e shenjtëreshës shihet si personifikim i maskës shoqërore, një fytyrë që ndërrohet çdo ditë, e pajetë në vetvete, por e gjallë në presionin që ushtron.

ç. Imazhi poetik

Forca e poezisë qëndron te krijimi i imazheve të forta kontrastive që lënë mbresë te lexuesi, ku: Imazhi i fytyrës së shenjtëreshës që kthehet në të përdalë është një figurë e goditur, ku kontrasti prodhon tronditje estetike.

Imazhi i galerisë së grave historike dhe mitike (Nënë Tereza, Mata Hari, Lolitë, Sherherzadë, Safo, Shën Mëri) krijon një panoramë universale të femrës, ku përplasen epoka, kultura dhe kuptime, por që mbeten të përfshira në një trup të vetëm, në një vetvete të papërsëritshme.

Kjo poezi është një perlë e hershme e Idrizit, ku spikat një modernizëm i natyrshëm në mënyrën e të ndërtuarit të figurave dhe tensioneve, duke shfaqur një vizion estetik ku gruaja nuk paraqitet si figurë e njëtrajtshme, por si hapësirë kontradiktash e mundësish, si një dramë ekzistenciale e përhershme. Me vargje si “Të jetojnë me ty / në të njëjtën kohë / Nënë Tereza e Mata Hari... / E prapë të jesh vetvetja”, poezia arrin të sintetizojë dramën dhe madhështinë e femrës moderne, duke e vendosur në një plan universal dhe bashkëkohor

2. Ndërthurja e figurave artistike n

 Kjo poezi  është një nga ato krijime që, edhe pse e shkruar në një moshë të re, mbart një pjekuri të jashtëzakonshme poetike. Ajo e sjell femrën jo si një imazh të ngurtë e të qartë, por si një hapësirë ku takohen kontradiktat, ku bashkëjetojnë hyjnorja e profania, qeshja dhe loti, shenjtëria dhe mëkati. Kjo poezi ngre një univers të ndërtuar mbi figurat artistike, të cilat nuk rrinë të veçuara, por ndërthuren me njëra-tjetrën, duke krijuar një tërësi që vibron estetikisht dhe filozofikisht.

a. Simboli dhe metafora

Në këtë poezi, simboli shpesh merr formën e një metafore, dhe metafora shndërrohet në simbol. Kështu, “fytyra e re e shenjtëreshës” dhe “të përdalës” janë njëkohësisht simbole të dy poleve të ekzistencës femërore dhe metafora të roleve që gruaja është e detyruar të luajë çdo ditë. Përplasja e tyre krijon një tension poetik ku lexuesi ndien dhimbjen dhe ironi në të njëjtën kohë. Në thelb, këto simbole nuk janë vetëm figura të letërsisë, por gjendje të shpirtit njerëzor që lëkunden midis dritës dhe errësirës, midis dëshirës për t’u pranuar dhe frikës nga humbja e vetes.

b. Personifikimi dhe imazhi poetik

Ndjenjat dhe veprimet e detyruara marrin formën e një personifikimi që krijon imazhe të fuqishme. Kur gruaja “qesh edhe kur s’ka asgjë për të qeshur” ose “qan edhe kur s’të vjen për të qarë”, kemi një njeri të shndërruar në maskë, ku loti dhe buzëqeshja janë bërë aktorë të jashtëm. Këto personifikime ushqejnë imazhe vizuale dhe dramatike, ku gruaja shihet si skenë e një shfaqjeje të përditshme, si trup mbi të cilin luhet drama e ekzistencës. Këtu poezia kthehet në një pasqyrë ku njeriu sheh veten të ndarë më dysh: një pjesë që jeton dhe një pjesë që luan. Kjo ndarje është plagë, por edhe vetëdije.

c. Simboli dhe imazhi

Galeria e figurave historike dhe mitike (“Nënë Tereza e Mata Hari, / Lolitë e Sherherzadë, / Safo e Shën Mëri”) është një ndërthurje ku simboli kthehet në një imazh universal. Këto emra nuk janë vetëm figura; ato janë simbole të femrës në dimensione të ndryshme kulturore e shpirtërore. Por vendosur bashkë, ato krijojnë një imazh polifonik ku lexuesi sheh një trup të vetëm që mban në vetvete shumë gra, shumë fate, shumë role.

ç. Metafora dhe personifikimi

Edhe akti  të aktrosh orgazma” është një metaforë e fuqishme e hipokrizisë së imponuar shoqërore, por në të njëjtën kohë merr nuanca personifikimi: është sikur vetë trupi të shkëputet nga ndjenja dhe të luajë një rol që nuk është i tij. Këtu metafora shndërrohet në një akt teatral, dhe poezia fiton dimensionin e një skene ku femra është aktore e detyruar.

Ndaj themi se ndërthurja e figurave poezi e ngre këtë poezi në nivel të lartë estetik. Simboli bëhet metaforë, metafora lind imazhe, imazhi mbart personifikime, dhe të gjitha së bashku krijojnë një univers ku gruaja shfaqet si dramë dhe si mister. “Të jetojnë me ty / në të njëjtën kohë / Nënë Tereza e Mata Hari...” është shembulli më i qartë se si këto figura, kur takohen, japin një tablo që është e bukur, tronditëse dhe universale. Kështu, përmes një rrjeti figurash që ndizen e shuajnë njëra-tjetrën, poezia e Idrizit na kujton se jeta nuk është një tablo e qartë, por një pasqyrë që thyhet e ribëhet çdo ditë brenda nesh. Poezia nuk është thjesht një përshkrim, por një shfaqje e brendshme e femrës moderne, e ndërtuar mbi një arkitekturë figurash që flasin me një zë të vetëm.

d. Në këtë poezi ka dy shtresa që e bëjnë të dallueshme: bukurinë artistike të imazheve dhe thellësinë filozofike të mendimit.Një nga vargjet më të bukura estetikisht është: “me një fytyrë të re shenjtëreshe, / për t’u shndërruar prapë / mbrëmjeve në të përdalë.”

Ky varg është i bukur për kontrastin poetik që krijon: fytyra e shenjtëreshës dhe fytyra e përdalës, dy skaje që nuk mund të bashkëjetojnë, por që në jetën e gruas shfaqen brenda të njëjtit trup. Këtu kemi një metaforë të fuqishme dhe një imazh tronditës që lartëson poezinë.

Ndërkohë,një nga vargjet më të thella filozofikisht është: “E prapë të jesh vetvetja, / prapë..” varg që shkon përtej estetikës, duke vendosur në qendër pyetjen filozofike të identitetit: pas gjithë roleve, maskave, dhimbjeve dhe përplasjes së figurave, çfarë do të thotë të jesh vetvetja? Ky “prapë” që përsëritet bart një peshë të thellë ekzistenciale, duke sugjeruar se gruaja nuk shuhet në asnjë rol të imponuar, por gjithmonë kthehet te thelbi i saj.Pra, bukuria estetike dhe thellësia filozofike takohen tek kjo poezi, duke e bërë atë një perlë të hershme të krijimtarisë së Albina Idrizit.

3.Në poezinë “Të jesh grua”, Albina Idrizi shfaq bukurinë dhe thellësinë në të njëjtin varg. Tek “me një fytyrë të re shenjtëreshe, / për t’u shndërruar prapë / mbrëmjeve në të përdalë”, imazhi është i fuqishëm, estetikisht i thurur me kontraste që lënë gjurmë vizuale dhe emocionale. Por ai nuk qëndron vetëm në nivelin e bukurisë; ai i paraprin reflektimit filozofik që zbret te “E prapë të jesh vetvetja, / prapë..”, ku gruaja, pavarësisht roleve, maskave dhe kundërshtive të jetës, ruan identitetin e saj të brendshëm. Kështu poezia ndërton një urë mes perceptimit estetik dhe thellësisë ekzistenciale, duke e bërë leximin një përvojë që ndjehet si emocion dhe kuptohet si mendim.

4.Leximi filozofik dhe poetik i poezisë Në vargjet e Idrizit, edhen pse në moshën e re të studentes, ndjejmë një zë që shfaq jo vetëm emocion, por një mendim të thellë mbi jetën, identitetin dhe kontradiktat e qenies. Filozofia që përvijon në këto vargje nuk është ajo e librave, por e shpirtit që përpiqet të kuptojë pse duhet të jetë i ndarë mes dritës dhe hijes. Poezia nuk është vetëm për gruan, ajo është për jetën që jetojmë të gjithë brenda roleve, pritshmërive dhe dyzimeve tona.

Vargjet: “me një fytyrë të re shenjtëreshe, / për t’u shndërruar prapë / mbrëmjeve në të përdalë.” tërheqin menjëherë vëmendjen: shenjtëria dhe përdalja, drita dhe hije, idealet dhe epshet – të gjitha jetojnë në të njëjtin trup. Kjo është një metaforë e fuqishme që tregon se jeta nuk është një vijë e drejtë, por një rrjedhë ku bashkëjetojnë kundërshtitë, dhe çdo ditë na kërkon të përballojmë dyzimet tona me guxim dhe ndërgjegje.

Në pasazhin:“të jetojnë me ty / në të njejtën kohë / Nënë Tereza e Mata Hari, / Lolitë e Sherherzadë, / Safo e Shën Mëri, / E prapë të jesh vetvetja, prapë..”ndjejmë një simfoni identitetesh, një ndërthurje që ngjan me poezinë europiane postmoderne, ku pluraliteti i figurave shfaq shpërbërjen dhe kompleksitetin e vetvetes. Gruaja nuk është vetëm një rol, ajo është bashkimi i historisë, mitit, shenjtërisë dhe rebelizmit, dhe kjo ndërthurje i jep poezisë një thellësi filozofike: të kuptosh veten do të thotë të pranosh shumëshmërinë brenda vetes.

Ndërkohë te vargu:“E prapë të jesh vetvetja, prapë..” gjithçka përmblidhet: pas maskave, pas kontradiktave, pas gjithë figurave që jetojnë në të njëjtën kohë, mbetet vetvetja. Ky “prapë” është një ritëm i jetës, një eko ekzistenciale që tregon se identiteti nuk është i dhënë, por fiton formë në përballjen e përditshme me rolet dhe pritshmëritë.

Gjithçka në këtë poezi është një thirrje për të ndjerë dhe për të reflektuar, një urdhër të heshtur për të jetuar me ndërgjegje dhe të pranojmë kompleksitetin tonë. Aktet e përditshme, të flasësh kur nuk ke çfarë të thuash, të qeshësh kur nuk ka asgjë për të qeshur, të qash kur nuk të vjen për të qarë bëhen ritual filozofik, ku çdo përvojë është një hap drejt vetëdijes dhe njohjes së vetvetes.

Në këtë mënyrë, poezia e Albina Idrizit nuk është vetëm një përvojë estetike, por një meditim i thellë mbi ekzistencën, ku ndjenja dhe mendimi bashkohen, ku kontradiktat nuk zhduken, por bëhen pjesë e një harmonie të brendshme, dhe ku vetvetja mbetet gjithmonë qëllimi suprem i jetës së njeriut.

5. Risitë poetike të poezisë “Të jesh grua” në kontekstin e poezisë shqipe në Kosovë.

Poezia e Idrizit, shkruar në fillim të viteve ’90, sjell disa elementë të rinj që e dallojnë nga poezia që lëvrohej në Kosovë deri atëherë. Kjo është një poezi që nuk e kërkon risinë në formë, por në shpirtin e saj; ajo guxon të thotë atë që përherë është heshtur. Në këtë mënyrë, Idrizi nuk ndryshon vetëm mënyrën se si shkruhet poezia, por edhe mënyrën se si ajo përjetohet

Në atë periudhë, poezia femërore në Kosovë sapo fillonte të kërkonte zërin e vet të pavarur. Në këtë kuptim, “Të jesh grua” shënon një kthesë të rëndësishme, sepse nuk e sheh më femrën nga jashtë, por e lë atë të flasë nga brenda, me gjithë thyerjet, pasiguritë dhe ndjenjat që përbëjnë thelbin e përvojës njerëzore.

a.Trajtimi i identitetit femëror me dyzime dhe kontradikta, ku ndryshe nga poezia tradicionale kosovare që shpesh idealizonte gruan si nënë, motër ose engjëll të shenjtë, Idrizi paraqet gruan si qenie të shumëfishtë, ku bashkëjetojnë shenjtëria dhe epshi, maska dhe vetvetja: “me një fytyrë të re shenjtëreshe,/për t’u shndërruar prapë/ mbrëmjeve në të përdalë.”Ky trajtim është një ndryshim radikal në përfaqësimin e gruas, duke i dhënë thellësi psikologjike dhe filozofike.

Kështu, gruaja e Idrizit nuk është më figurë alegorike apo model moral, por një qenie që guxon të përjetojë kontradiktat e saj, duke i shndërruar në substancë poetike. Ky vetë-shqyrtim përmes artit është një hap emancipues që ndryshon mënyrën si poezia shqiptare fillon të kuptojë identitetin njerëzor. Kjo thellësi nuk është thjesht përshkrim i ndjesive, por një zhytje në vetëdijen femërore që kërkon të kuptojë se kush është në botën e roleve të ndërtuara prej të tjerëve. Nga ky introspeksion lind edhe nevoja për një strukturë të re shprehjeje.

b.Poezia përdor një montazh poetik ku figurat e ndryshme: Nënë Tereza, Mata Hari, Lolitë, Sherherzadë, Safo dhe Shën Mëri bashkëjetojnë brenda të njëjtës përvojë. Kjo teknikë ishte e rrallë në poezinë shqipe që lëvrohej në Kosovarën e asaj kohe, ku poezia zakonisht ishte lineare dhe e fokusuar në përjetimet personale apo historike:“të jetojnë me ty/në të njejtën kohë/Nënë Tereza e Mata Hari,/Lolitë e Sherherzadë,/Safo e Shën Mëri.” Ky bashkim figurash mitike e historike krijon një univers poetik ku koha, përkatësia dhe morali shkrihen. Përmes këtij montazhi, poezia e Idrizit flet për përvojën e gruas si përvojë të përbotshme, ku çdo emër femre bëhet simbol i një pjese të shpirtit të saj.

c.Ndryshe nga poezia e viteve ’80-’90, që shpesh përdorte një stil dekorativ dhe retorik, Idrizi zgjedh një gjuhë të thjeshtë, por të fortë, që bën perceptueshme kontradiktën dhe dualitetin. Aktet e përditshme – të flasësh kur nuk ke çfarë të thuash, të qeshësh kur nuk ka asgjë për të qeshur – shndërrohen në rituale ekzistenciale që nuk janë hasur më parë në poezinë kosovare: “Të flasësh më tepër/kur s’ke asgjë për të thënë,/të qeshësh më tepër/kur s’ka asgjë për të qeshur,/Të qash/edhe kur s’të vjen për të qarë.” Thjeshtësia e gjuhës nuk është varfëri shprehëse, por zgjedhje estetike që e çliron poezinë nga retorika e tepërt dhe e afron me jetën e përditshme. Kjo i jep zë një ndjenje të re poetike, ku përvoja intime bëhet vend i filozofisë së përulur – aty ku e përditshmja fiton kuptim përmes heshtjes dhe paradokseve të saj.

ç.Për herë të parë në poezinë kosovare të asaj kohe shihet një zë që ndërthur dualitetin, pluralitetin e identiteteve dhe reflektimin filozofik, duke i afruar krijimtarinë e re me frymën e poetëve europianë të viteve ’80–’90. Idrizi nuk imiton, por përshtat këto elemente me realitetin lokal, duke krijuar një stil të vetin, që e bëjnë këtë poezi një perlë të hershme dhe të veçantë të poezisë shqipe në Kosovë.Në këtë mënyrë, poezia e saj bëhet një urë mes Lindjes dhe Perëndimit, mes trashëgimisë lokale dhe universales. Ajo dëshmon se letërsia e Kosovës, në prag të dekadës së re, ishte gati të hynte në një dialog të barabartë me modernitetin evropian, jo përmes imitimit, por përmes shpikjes së një gjuhe të vetën, që e bëjnë këtë poezi një perlë të hershme e të veçantë të poezisë shqipe në Kosovë. Në këtë mënyrë, risia e Idrizit nuk qëndron vetëm në guximin e formës apo të temës, por në mënyrën si ajo e kthen përvojën personale në universale. Ajo shndërron dhimbjen në dritë, dhe heshtjen në gjuhë poetike që sfidon kohën.

6. Portreti i Albina Idrizit sipas kësaj poezie

Në fillim të viteve ’90, Albina Idrizi shfaqet si një zë i ri, i freskët dhe i guximshëm në poezinë shqipe në Kosovë. Ende shumë e re në moshë, ajo vjen me një qasje që e largon poezinë nga retorika e rëndë e kohës dhe e fut në hapësirën intime të njeriut të zakonshëm. Në vend të toneve patetike e kolektive, poezia e saj i jep vend heshtjes, vetmisë, braktisjes, gjesteve të thjeshta, por të mbushura me kuptim ekzistencial. Në vargjet e saj, fjala, frymëmarrja, heshtja nuk janë më vetëm akte të zakonshme, por shndërrohen në simbole që mbartin dramën dhe të vërtetën e qenies. Kjo është risi e madhe, sepse poetja e sjell poezinë në një terren ku përvoja intime lidhet me universin, ku një detaj i vogël bëhet pasqyrë e gjithë botës së brendshme.

Albina Idrizi e re, 18-19 vjeçare, pati forcën të shpallë përmes artit se edhe brezi i saj, me gjithë rrethanat e rënda historike, nuk dëshiron vetëm të jetojë për të mbijetuar, por për të jetuar me ndjenjë dhe me thellësi. Poezia e saj është një refuzim i heshtur i patetikës kolektive dhe një afirmim i vetes si qenie që mendon, ndjen dhe kërkon kuptim në një realitet të zymtë.

Në këtë kuptim, portreti i Albinës Idrizi në fillim të viteve ’90 është portreti i një poeteje moderne, që vjen me një ton të ulët e meditativ, por me një forcë të madhe të brendshme, duke i dhënë një dimension të ri poezisë shqipe në Kosovë: intimen, fragmentaren, ekzistencialen. Ajo nuk flet si kor, por si një zë i vetëm që dridhet e rezaton.

a. Dialogu me poezinë europiane

Nëse e lexojmë Albinën Idrizi në fillim të viteve ’90, na lind natyrshëm pyetja: si lidhet ky zë i ri, ende studente, me frymën e poezisë europiane të kohës? Dhe aty e shohim se ajo nuk është e mbyllur në kufijtë lokalë, as e robëruar nga temat kolektive që mbizotëronin në letërsinë shqipe të Kosovës. Përkundrazi, poezia e saj është e hapur, e ndjeshme ndaj përmasës intime, ndaj fragmentit dhe ndaj paradoxit – tre shtylla që ishin të forta në poezinë moderne dhe postmoderne europiane.

Si tek Sylvia Plath apo Ingeborg Bachmann, tek Albina gjejmë guximin për të hyrë në brendinë e gruas jo si ideal i ngritur në piedestal, por si qenie me kontradikta, me maska, me dyzime. Vargjet “të zgjohesh për çdo ditë / me një fytyrë të re shenjtëreshe, / për t’u shndërruar prapë / mbrëmjeve në të përdalë” sjellin atë kontrast të dhimbshëm mes shenjtërisë dhe rrënimit, mes ëndrrës dhe poshtërimit, që na kujton dramat ekzistenciale të femrës moderne në letërsinë europiane.

Ndërthurja e figurave – nga Nënë Tereza te Mata Hari, nga Safo te Sherherazada – është një mënyrë për të futur polifoninë e zërave dhe fateve, ashtu siç poetët europianë të asaj kohe kërkonin të shprehnin shumëfishtëshmërinë e njeriut dhe prishjen e unitetit klasik të subjektit. Në këtë pikë, poezia e saj lidhet me frymën postmoderne: një grua nuk është më vetëm një figurë, por një galeri figurash që jetojnë në të njëjtën kohë brenda saj.

Dhe ndoshta më e rëndësishmja: Albina Idrizi sjell atë tonin e heshtur, meditativ, ku akti i përditshëm bëhet filozofi. Kjo e afron me poezinë europiane që pas viteve ’60 kishte braktisur retorikën dhe madhështinë, duke zgjedhur fjalën e thjeshtë, të zhveshur, por me peshë të brendshme. Ajo është më afër një poezie që dëshiron të tregojë tensionin e njeriut të zakonshëm, gruas së zakonshme, në një botë që i kërkon maska dhe sakrifica.

Në këtë kuptim, qasja e saj me poezinë europiane është e natyrshme: ajo sjell në poetikën shqipe një frymë që nuk njeh kufij – një poezi të thellësisë psikologjike dhe filozofike, të fragmentit, të kontrastit, të brendësisë njerëzore që rri gjithnjë në dialog me jashtësinë. Një poezi që është më afër vajzës që shkruan me sytë e rinisë dhe plagët e historisë, por që në thelb flet me një gjuhë universale. Në fund të leximit, mbetet një ndjesi e qetë, si pas një rrëfimi të brendshëm: që të jesh grua, apo njeri, është të përballesh me vetveten në çdo agim e perëndim, dhe nga ajo përplasje të ringjallesh në poezi.

 

Sarandë, shtator 2025

 

TE JESH GRUA

 

Shpesh herë,

të jesh grua do të thotë

të zgjohesh për çdo ditë

me një fytyrë të re shenjtëreshe,

për t’u shndërruar prapë

mbrëmjeve në të përdalë.

 

Shpesh herë,

të jesh grua do të thotë

të ndjellësh, të frenosh epsh,

e të aktrosh orgazma.

Të flasësh më tepër

kur s’ke asgjë për të thënë,

të qeshësh më tepër

kur s’ka asgjë për të qeshur,

Të qash

edhe kur s’të vjen për të qarë.

 

Eh, shpesh herë,

të jesh grua do të thotë

të jetojnë me ty

në të njejtën kohë

Nënë Tereza e Mata Hari,

Lolitë e Sherherzadë,

Safo e Shën Mëri,

E prapë të jesh vetvetja,

prapë..

 

Vëllimi poetik “Heshtja e mbarsur” 1997

Saturday, 20 September 2025

 

Kur heshtin sirenat

 

Nga Timo Mërkuri

Poezia “Zëri i sirenave” e Robert Martikos e shpie lexuesin në një udhëtim të dyfishtë: mes mitit homerik dhe botës së sotme, mes detit të lashtë dhe qytetit modern, mes këngës së harruar dhe heshtjes që sundon. Ajo ngjan si një pasqyrë e thyer ku pasqyrohet njeriu i kohës sonë, që nuk përballet më me sirenat joshëse të “Odisesë”, por me makinat, me ritmin e pashmangshëm të qytetërimit dhe me një heshtje që ka më shumë forcë se kënga. Ky udhëtim poetik hap shtigje leximi: estetik, artistik, filozofik dhe aktual. Çdo shtigje nuk është i ndarë nga tjetri, por lidhet si hallkat e një zinxhiri, duke krijuar një tablo të përbashkët të fatit modern të njeriut.

1. Leximi estetik

Në planin estetik, poezia mbart një bukuri të kthjellët, të thjeshtë, që lind nga kontrasti mes së shkuarës mitike dhe së tashmes moderne. Figuracioni është i përmbajtur, i përqendruar tek drita dhe heshtja – dy elementë që zëvendësojnë zërin dhe melodinë.

Drita këtu nuk është më shpresë, por një prush që djeg:

Mjafton drita:

kur prek lëkurën

kur verbon syrin,

 kur digjet në pëllëmbë.”

Ajo shfaqet si një përbindësh i padukshëm, që nuk ndriçon, por shkrumbon. Është një dritë që verbon, djeg dhe paralizon; një metaforë e kohës sonë të mbushur me pamje të forta, por pa kuptim shpirtëror.

Heshtja zë vendin e këngës:

“Kënga s’ka më tinguj.

 Heshtja është ngushtica

 ku Skilla nuk kafshon,

 veç vrojton.”

Është një heshtje që rrezikon më shumë se ulërima, një qetësi që bart brenda vetes frikën e pashpjegueshme. Heshtja këtu nuk është mungesë tingulli, por një forcë që ngulfat njeriun nga brenda.

Në këtë mënyrë, pamja poetike është e zhveshur nga zbukurimet, por e ngarkuar me ankth. Është një bukuri e ftohtë, që buron nga ndërthurja e miteve homerike me realitetin e ngurtë të sotëm. Drita dhe heshtja nuk janë më elementë natyrorë, por simbole të një bote ku shpirti endet pa strehë. Bukuria e kësaj poezie nuk është e natyrshme; ajo është produkt i një tensioni të brendshëm dhe një qetësie të ngurtë, që e bën leximin jo vetëm estetik, por edhe emocional.

2. Leximi artistik

Nga këndvështrimi artistik, Martiko përdor një stil lakonik, me vargje të shkurtra e të prera, që ngjajnë me frymëmarrje të ndërprera. Ky ritëm i ngushtë pasqyron gjendjen e njeriut të mbyllur, të rrethuar nga forca që nuk duken, por ndihen.

Mitit homerik i jepet një skenë e re: sirenat nuk këndojnë, Odiseu nuk ka nevojë të lidhet, Skilla nuk kafshon dhe Karibda nuk gëlltit. Kjo zbrazëti e figurave është një gjetje e hollë artistike: miti nuk zhduket, por merr trajtë tjetër. Në këtë heshtje të re, sirenat janë hija pa zë, ndërsa Odiseu është heroi i zhveshur nga legjenda, është një udhëtar i heshtur, i verbuar nga drita, i mpirë nga boshllëku:

“Odiseu kalon drejt,

 pa dridhje,

 me shikimin e ngulur në boshllëk.”

Ai nuk sfidon, nuk lufton, thjesht ecën. Nuk nxiton pwr te Penelopa. Përbindëshat nuk sulmojnë, por vrojtojnë. Tabloja homerike ridizenjohet si një peizazh i ngrirë, i ftohtë, ku heshtja bëhet fuqi e pamëshirshme. E më të ftohtë shfaqet tabloja moderne:

“Makinat i japin ritëm kësaj heshtjeje,

 si rrotulla që s’ndalen,

 si një oqean i fshehtë

 që e gllabëron njeriun –

 pa këngë.”

Ky varg është një pasqyrë e saktë e jetës moderne: autostrada që gumëzhijnë, motorë që nuk pushojnë, fabrika që punojnë me ritëm, një botë që lëviz pa ndalim. Gjithçka ka tinguj, por jo këngë; ka lëvizje, por jo shpirt.

Kjo pasqyrë artistike i jep poezisë një dimension universal: makina ngrihet në simbol, jo më thjesht si objekt, por si një sirenë e re që nuk të josh, por të thith. Arti i Martikos, përmes kësaj metamorfoze të figurave, e lidh lashtësinë me modernitetin duke treguar se miti nuk zhduket, ai vetëm ndryshon maskën dhe kuptimin e tij në botën bashkëkohore.

3. Leximi filozofik

Nga estetika dhe arti, rrjedhimshëm lind leximi filozofik. Poezia flet për zhdukjen e këngës, pra për humbjen e kuptimit: “Kënga s’ka më tinguj.”

Odiseu pa dridhje është portreti imazhist i njeriut të mpirë, që nuk ndjen më as tundimin, as frikën:

“Odiseu kalon drejt,

pa dridhje,

me shikimin e ngulur në boshllëk.”

Ky është njeriu që ecën thjesht nga zakoni, pa pasion, pa dramë, drejt një horizonti të zbrazët. Më shumë se sirenat, ai ka frikë nga heshtja që ia përpin kujtimet.

Këtu shfaqet kontrasti i madh mes Homerit dhe Martikos:  Te Homeri, kënga e sirenave ishte zjarr që tundonte; te Martiko, heshtja është akull që mpin.

Te Homeri përbindëshat sulmonin me britma; te Martiko, ato heshtin dhe zbrazin. Skila dhe Karibda nuk janë më përbindësha të furishëm, por shndërrohen në forca të heshtura që zbrazin brendinë e njeriut. Miti merr kështu kuptim ekzistencialist: rreziku i madh nuk vjen nga jashtë, por nga boshatisja e vetes.

Një thithje e padukshme

 që zbraz njeriun

 dhe botën.”

 

Tragjedia e kohës sonë, sipas Martikos, nuk është tundimi që na rrëzon, por mungesa e tij; jo kënga që na çmend, por heshtja që na zbraz. Kjo është një filozofi e hidhur e modernitetit: shpirti nuk digjet më nga pasionet, por shuhet nga boshllëku. Martiko na kujton se ekzistenca e njeriut nuk kërcënohet vetëm nga rreziku i jashtëm, por edhe nga rreziku i brendshëm, heshtja që fshihet në brendësinë e vetvetes.

4. Leximi modernist

Poezia e Robert Martikos “Kur heshtin sirenat” i afrohet ekzistencializmit modernist, asaj ndjesie që njeriu nuk kërcënohet më nga jashtë, por nga zbrazëtia e vetes. Nuk është një poezi që ngre heronj, por një poezi që rrëzon legjendën dhe na tregon se njeriu i kohës sonë është më i brishtë se Odiseu i Homerit. Në vend të sirenave që këndojnë, mbizotëron heshtja:

“Kënga s’ka më tinguj.

Heshtja është ngushtica

ku Skilla nuk kafshon,

veç vrojton.”

Kjo heshtje nuk është paqe, por një boshllëk që mpin. Ajo na kujton se moderniteti shpesh i kthen simbolet e lashtësisë në hije pa jetë.

Po ashtu, përshkrimi i makinave që zëvendësojnë sirenat na çon drejt simbolizmit modern: makinat nuk janë më mjete, por shndërrohen në metafora të ritmit të pamëshirshëm të qytetërimit:

“Makinat i japin ritëm kësaj heshtjeje,

si rrotulla që s’ndalen,

si një oqean i fshehtë

që e gllabëron njeriun –

pa këngë.”

Këtu ndjejmë edhe frymën e poezisë së huaj moderniste, si tek Eliot, ku njeriu endet në një botë të zbrazët, të paqëndrueshme, ku simbolet e dikurshme humbin dritën e tyre.

Në thelb, Martiko ndërthur ekzistencializmin me një simbolizëm modern, duke e vendosur njeriun përballë një bote të heshtur që nuk i ofron as tundimin, as shpresën.

Për ne si lexues, kjo poezi është një kujtesë e trishtw: heronjtë e sotëm nuk janë luftëtarë që mposhtin përbindësha, por njerëz të zakonshëm që rrezikojnë të shuhen nga brenda.

5. Leximi aktual

Poezia bëhet pasqyrë e botës sonë të zhurmshme e të boshatisur. Në kohën tonë, rreziku nuk vjen më nga dallgët e detit, por nga mekanizmat e ngurtë që shndërrojnë njeriun në një udhëtar të pavetëdijshëm të një sistemi të huaj. Sirenat e lashta janë zëvendësuar nga makinat, nga ritmet e pandalshme të qytetit, nga zhurma që nuk sjell këngë, por një heshtje më të thellë.

Poezia është edhe një reflektim për krizën e komunikimit: dikur joshja vinte nga zëri, nga kënga që ngjallte pasion; sot mbizotëron një heshtje e gjerë, një boshllëk që ngulfat shpirtin. Në mes të zhurmës së makinave, njeriu jeton i mbytur në një qetësi të brendshme që nuk ngroh, por shuan.

Në këtë ngushticë të re, rreziku nuk është i jashtëm, por i brendshëm, humbja e vetvetes. Epika moderne nuk është më beteja me sirenat e mitit, por përpjekja për të mbrojtur shpirtin përballë një bote që hesht, që rrotullohet pareshtur, që na mpin dhe na zbras nga brenda.

Duke e parë në këtë dritë, poezia ngre ura mes Homerit dhe Martikos: sirenat e Martikos nuk janë zjarr pasionesh, por hije të një bote të ftohtë. Odiseu i ri nuk është më hero, por një kalimtar i zakonshëm, që shkon drejt humnerës me sytë e ngulur në asgjë.

Martiko na thotë se epika e kohës sonë nuk është më sfida për trupin, por beteja për shpirtin. Dhe kjo e bën poezinë e tij një pasqyrë poetike të njeriut modern: një Odise pa këngë, pa dridhje, që kalon mes sirenave të heshtura drejt boshllëkut. Heshtja e tij është më e rrezikshme se çdo përbindësh i lashtë, sepse ajo rrëmben brendësinë dhe shpirtin e njeriut pa zhurmë, pa britmë, pa zjarr. Në këtë epikë të re, heroizmi nuk matet me fitore betejash, por me aftësinë për të mos u zhveshur nga shpirti.

 

Sarandë, 15–18 shtator

 

ZËRI I SIRENAVE

Sirenat nuk këndojnë më.

Mjafton drita:

kur prek lëkurën,

kur verbon syrin,

kur digjet në pëllëmbë.

 

Askush nuk i mbyll më veshët,

detarët nuk lidhen.

Odiseu kalon drejt,

pa dridhje,

me shikimin e ngulur në boshllëk.

 

Kënga s’ka më tinguj.

Heshtja është ngushtica

ku Skilla nuk kafshon,

veç vrojton.

 

Dhe kur mendon

se rreziku ka mbaruar,

ngrihet përbindëshi tjetër –

Karibdis –

pa zë, pa shkëlqim,

një thithje e padukshme

që zbraz njeriun

dhe botën,

në një rrotullim të heshtur

drejt humnerave të ujërave pa fund.

 

Makinat i japin ritëm kësaj heshtjeje,

si rrotulla që s’ndalen,

si një oqean i fshehtë

që e gllabëron njeriun –

pa këngë.

Sunday, 14 September 2025

 

 

 

KUR BURRI DEL NGA ZJARRI DHE FLAKA BËHET GRUA

 

 

Nga Timo Mërkuri

 

Poezia e Ilirian Zhupës “Burri ka dalë nga zjarri” është një shfaqje e fuqishme e figurës njerëzore përballë fatit, bukurisë dhe misterit të ekzistencës. Ajo ndërthur mitin me përjetimin personal, shndërrimin e njeriut me shndërrimin e natyrës, duke u ngritur zjarrit dhe flakës jo vetëm një vlerë simbolike, por edhe dimension estetik, artistik e filozofik. Poezia, përmes klithmave, heshtjeve dhe lojës së dritës me errësirën, krijon një hapësirë ku lexuesi jo vetëm shikon, por edhe ndjen ritmin e brendshëm të shpirtit. Në këtë vepër bashkëjetojnë forca moderne të simbolizmit, ekspresionizmit dhe një frymë ekzistenciale që e vendos njeriun përballë pyetjeve të përhershme: kush është ai, nga ka ardhur dhe ç’bën me bukurinë që i digjet brenda. Për ta kuptuar më thellë këtë poezi, duhet t’i afrohemi asaj jo vetëm me syrin e lexuesit, por me syrin e atij që kërkon bukurinë në mes të djegies dhe heshtjes.

I-Leximi estetik

Estetika e poezisë së Ilirian Zhupës është e mbështetur mbi një bosht të fuqishëm simbolesh, ku çdo figurë ngre një univers të veçantë: zjarri, flaka, nata, heshtja, gruaja. Këto nuk janë thjesht elemente poetike, por janë shtyllat mbi të cilat ngrihet e bukura, në përzierje me të frikshmen, e ndritshmja me të kobshmen, drita me hijen. Që në fillim, poeti shpall këtë tension: “Burri ka dalë nga zjarri, mes një nate të errët, ku pikturohen tmerret.”

Këtu lind një estetikë e përplasjes: njeriu që ngrihet nga zjarri dhe nata që e rrethon me tmerre. E bukura nuk shfaqet si qetësi harmonike, por si zjarr i brendshëm, si lindje nga përvëlimi. Ky tipar na kujton romantizmin e vonë, ku e frikshmja dhe e bukura shfaqen bashkë, dhe njëkohësisht simbolizmin, që i shndërron figurat e natyrës në shenja të shpirtit.

Në këtë poezi, estetika e errësirës dhe e dritës së ndërthurur është thelbësore. Zjarri është vendburimi i njeriut, por edhe shenja e vetmisë së tij. Nata është përmasa e tmerrit, por edhe kanavacë ku pikturohet kjo përballje. Estetika nuk qëndron në qartësi, por në mjegullën ku njeriu mëton të kuptojë veten.

Nga ana tjetër, metaforat e hapura i japin poezisë një frymë moderniste. Ato nuk e shpjegojnë botën, por e ngarkojnë atë me kuptime të shumëfishta. Vargu:  “Ato shenja zjarresh, janë bërë qenie të tjera përmes klithmash, misteresh.” … është tipikisht ekspresionist, sepse ngërthen klithmën, ankthin dhe misterin. Bukuria këtu nuk është e ngrirë, por një bukuri që lëviz, që trondit, që merr forma të ndryshme. Estetika e Zhupës është  një estetikë e shndërrimit, ku figura nuk ka një kufi të vetëm, por kalon nga njëra gjendje në tjetrën: nga zjarr në flakë, nga flakë në grua, nga grua në bukuri.

Në këtë pikë, poezia merr edhe ngjyrime surrealiste. Përfytyrimi i flakës që shndërrohet në grua, e cila loz e brishtë, nuk është më vetëm një metaforë, por një vizion:“Pastaj flaka ka dalë nga burri, është bërë bukuri tronditëse, është bërë grua.”

Ky varg e ngre estetikën mbi kufijtë e reales. Flaka nuk është më vetëm një element natyror, por një trup poetik, një figurë femërore që mbart pasionin dhe bukurinë e dhimbshme.

Një tjetër element estetik i rëndësishëm është heshtja, e cila shfaqet jo si boshllëk, por si zë i brendshëm:“Ti veç ke heshtur. Po heshtja jote ka folur.”

Këtu shfaqet një estetikë e kontrastit: fjala kundër heshtjes, tingulli kundër mungesës. Dhe pikërisht në këtë kontrast ngrihet e bukura, sepse estetika e kësaj poezie nuk rrjedh nga harmonia, por nga tensioni i përhershëm mes forcave të kundërta.

Prandaj, leximi estetik i kësaj poezie na tregon se e bukura e Zhupës është një e bukur e trazuar, një e bukur që lind nga djegia, nga klithma dhe nga misteri. Nuk është një bukuri që qetëson, por një bukuri që zgjon. Nuk është një bukuri që qëndron në sipërfaqe, por një bukuri që lind e shndërrohet brenda flakës.

Mund të themi se kjo poezi është shembull i gjallë se si poetika shqipe lidhet natyrshëm me modernizmin europian: merr nga simbolizmi ndjesinë e shenjës, nga ekspresionizmi klithmën dhe ankthin dhe nga surrealizmi vizionin e shndërrimit. Në këtë përzierje krijon një estetikë që është njëherësh shqiptare dhe universale. Por bukuria nuk qëndron vetëm në tensionin e errësirës me dritën; ajo merr frymë përmes figurave që e bëjnë zjarrin, flakën dhe gruan të vallëzojnë në gjuhën e poezisë.

II.Leximi artistik

Poezia e Ilirian Zhupës është një organizëm i gjallë figurash, ku metafora, simboli, imazhi dhe personifikimi nuk ecin veçmas, por derdhen tek njëri-tjetri, duke ndërtuar një hapësirë poetike ku njeriu, zjarri dhe gruaja vallëzojnë në një lidhje të pandarë.

a. Metafora është shtylla kurrizore e poezisë. Që në vargun e parë: “Burri ka dalë nga zjarri,” ajo vendos tonin e gjithë ndërtimit poetik. Zjarri nuk është më një dukuri natyrore, por përkthimi i dhimbjes dhe i lindjes, i shpirtit njerëzor që del prej provës dhe përvëlimit. Nuk është thjesht nxehtësi, por gjenezë e jetës dhe njëkohësisht, mallkim që e shoqëron atë. Metafora arrin kulmin kur flaka merr trajtën e gruas: “Pastaj flaka ka dalë nga burri, është bërë bukuri tronditëse, është bërë grua.”

b. Simboli lind mbi këtë metaforë. Flaka nuk është më thjesht zjarr, por shndërrohet në grua – energji krijuese, trup i brishtë dhe bukuri që trondit. Kjo grua-flakë është simbol i pasionit dhe i jetës që djeg e ndriçon njëkohësisht, një realitet që nuk zotërohet, por vetëm të përjetohet.

c. Personifikimi i jep poezisë frymë intime dhe mitike. Flaka shfaqet si “lozonjare” e “e brishtë,” duke hyrë në rolin e një qenieje që provokon, afron dhe lë gjurmë. Elementët e natyrës ngrihen në nivel njerëzor, ndërsa përjetimet njerëzore zbresin dhe marrin gjuhën e natyrës, duke krijuar një qarkim mes botëve.

d. Imazhet janë të dendura dhe të fuqishme. Në vargun:“Mes një nate të errët, ku pikturohen tmerret”shfaqet një tablo e fortë, ku errësira bëhet pikturë dhe drita e zjarrit vizaton ankthin. Por poezia nuk mbetet vetëm tek kjo tronditje vizuale. Ajo kalon në butësinë e një imazhi të padukshëm, të dëgjueshëm:“Ti veç ke heshtur. Po heshtja jote ka folur”. Këtu krijohet një partiturë e heshtur, ku lexuesi dëgjon atë që nuk thuhet , një muzikë që buron nga kontrasti mes zërit dhe heshtjes.

e. Ndërthurja e figurave është gjaku që lëviz në këtë poezi. Metafora e zjarrit, simboli i gruas, personifikimi i flakës dhe imazhet e natës krijojnë një qark të mbyllur, i cili kulmon në vargun:“Burri ka dalë nga zjarri. Zjarri ka dalë nga burri. Po flaka është grua gjithmonë…”Ky ritëm rrethor e bën poezinë të ngjasë me një ritual, ku fillimi dhe fundi bashkohen dhe ku lexuesi përfshihet në një lojë të pandërprerë shndërrimesh. Kështu p.sh. te vargu: “Ç’të bëj me zjarrin tim brufullues, që është Ti e më djeg pa mëshirë?” ndërthuren mes tyre disa figura letrare të fuqishme si:

-Metafora “zjarrin tim brufullues” nuk është zjarr real, por metaforë e pasionit, dashurisë dhe ankthit shpirtëror që digjet brenda burrit. Përdoret për të shprehur intensitetin emocional të poetit.

-Identifikim metaforik (alegori intime) “që është Ti” e shndërron këtë zjarr në një qenie konkrete: grua. Pra, gruaja nuk është thjesht e dashura, por bëhet vetë përfaqësuese e flakës, energjisë që djeg dhe magjeps.

-Hiperbolë “më djeg pa mëshirë” e thekson fuqinë e pakontrollueshme të këtij pasioni. Këtu kemi një ekzagjerim artistik që shërben për të treguar fuqinë shkatërruese dhe të pamëshirshme të dashurisë.

-Personifikim i zjarrit; zjarri merr tipare njerëzore (është “Ti”, një qenie e gjallë që djeg). Ky është një personifikim i drejtpërdrejtë. Pra, ky varg është një metaforë qendrore (dashuria = zjarr), e zgjeruar me personifikim (zjarri bëhet njeri, “Ti”) dhe e fuqizuar me hiperbolë (djegia pa mëshirë). Në planin artistik, kjo figurë është tipike ekspresioniste, sepse shfaq ankthin dhe klithmën e njeriut të përballur me pasionin që nuk mund ta kontrollojë.

Në këtë mënyrë, artistikisht, poezia e Zhupës është një valle figurash të ndërthurura, ku çdo varg djeg, ndriçon dhe shndërron ndjenjën njerëzore në vizion poetik. Ajo i flet lexuesit jo vetëm me kuptimin, por me ritmin, me dritëhijet dhe me tronditjen e saj të brendshme. E megjithatë, pas metaforave dhe imazheve që e ndezin vargun, qëndron pyetja e pashmangshme: ç’kuptim ka kjo flakë që nuk shuhet kurrë? Këtu poezia na fton në një lexim filozofik.

III.Leximi filozofik

Në thelb, poezia e Ilirian Zhupës është një meditim mbi ekzistencën, bukurinë dhe fatin e njeriut përballë forcave që e tejkalojnë. Vargu i parë  Burri ka dalë nga zjarri” e shfaq krijimin jo si akt hyjnor pa dhimbje, por si lindje nga përvëlimi, nga dhuna e elementit të zjarrtë. Ky zjarr është shenja e forcës, por edhe e vetmisë, sepse menjëherë njeriu gjendet “në këtë botë të qelqët.” Qelqi këtu është metafora e brishtësisë dhe e transparencës së jetës: e bukur për nga drita, por e rrezikshme nga thyerja.

Në këtë pikë, poezia ndërhyn në dialog me rrëfimin biblik. Zoti krijoi së pari burrin dhe pastaj, nga brinja e tij, krijoi gruan. Te Zhupa kemi një shndërrim poetik të këtij miti: nuk është më brinja, por flaka ajo që lind gruan.“Pastaj flaka ka dalë nga burri, është bërë bukuri tronditëse, është bërë grua.” Ky varg e pasqyron gruan si krijesë të zjarrtë, që mbart brishtësinë dhe madhështinë e njëkohshme, që lind nga dhimbja dhe njëkohësisht e kthen dhimbjen në dritë.

Në këtë mënyrë, poezia ngre pyetjen filozofike: çfarë është gruaja përballë burrit? Një dhuratë që i është dhënë prej vetvetes, apo një flakë që i është besuar për ta provuar? Përgjigjja e poetit është e dyfishtë: ajo është bekim dhe mallkim, dashuri dhe djegie. Ndaj burri pyet me ankth:“Ç’të bëj me zjarrin tim brufullues, që është Ti e më djeg pa mëshirë?”

Në këtë përballje shfaqet tensioni midis eros-it dhe logos-it, fjalës, midis dëshirës dhe arsyes. Njeriu kërkon ndihmën e engjëjve dhe të djajve, por as e mira e pastër dhe as e keqja absolute nuk e shuan dot zjarrin. Vetëm heshtja e gruas mbetet si përgjigje: “Ti veç ke heshtur. Po heshtja jote ka folur.” Kjo heshtje është filozofike, sepse nuk është boshësi, por tejkalim i fjalës. Është heshtja e qenies përballë misterit të vetvetes.

Në fund, poezia pranon misterin si pjesë të pandarë të jetës:“Burri ka dalë nga zjarri. Zjarri ka dalë nga burri. Po flaka është grua gjithmonë…”Këtu shfaqet një cikël i mbyllur, ku krijimi dhe përvëlimi, dashuria dhe dhimbja, bukuria dhe shkatërrimi nuk janë të ndara, por të bashkuara në figurën e gruas-flakë. Në këtë përqafim, njeriu e sheh veten si të lindur nga zjarri dhe të destinuar të jetojë në të.

Kështu, poezia e Zhupës ngrihet mbi tri shtylla filozofike: a.mbi idenë biblike të krijimit, ku gruaja lind nga një brinjë e burrit; b.mbi vizionin platonik të bukurisë që ngre shpirtin përtej vetesdhe c. mbi ankthin ekzistencial që e vë njeriun përballë kufijve të tij. Në këtë bashkim, poezia bëhet një këngë për vetë ekzistencën – të bukur, të dhimbshme dhe të përjetshme:“Kështu të stepur nga nata, ndezim zjarrin që zgjohet e zbukurohet te flaka, / E djeg qenien tonë.” Ky meditim mbi zjarrin, gruan dhe heshtjen nuk është vetëm një lojë e mendjes së poetit, por një frymë e re që futet në poezinë shqipe, duke sjellë risitë e saj të padiskutueshme.

Mendoj të shohim dhe një elemente tjetër: Në vargun “Burri ka dalë nga zjarri. Zjarri ka dalë nga burri. Po flaka është grua gjithmonë…” sfidohet një nga mitet më të forta të mendësisë tradicionale shqiptare: burri si shtyllë e jetës së familjes, si mbrojtës, si forca që mban gjithçka. Tek Zhupa, kjo shtyllë nuk është e vetmja qendër; ajo thyhet, shpërndahet dhe rilind nëpërmjet flakes, që merr trajtë femërore. Dhe në vend që burri të zotërojë zjarrin, ai bëhet prej tij; në vend që flaka të jetë vetëm një vegël e burrit, ajo del nga ai, për ta kthyer në një tjetër krijim – gruan.

Ky shndërrim e kthen marrëdhënien burrë-grua në dialog të ndërsjellë, jo një hierarki të njëanshme. Burri nuk është më vetëm krijuesi apo zotëruesi i shtëpisë; ai është i brishtë, i lënë në pritje “si fëmijë”, ndërsa flaka-grua hyn, loz, magjeps dhe digjet brenda tij. Gruaja nuk është thjesht pasqyrë e burrit, as e dalur nga brinja e tij, ajo është zjarr i vetë ekzistencës, energji e pandalshme që e formëson dhe e trondit burrin.

Në këtë mënyrë, poezia i jep gruas një status mitik, duke e vendosur në zemër të krijimit dhe shndërrimit. “Flaka është grua gjithmonë” nuk është vetëm një metaforë e bukurisë; është një pohim i fuqishëm se feminiteti është energji krijuese dhe tronditëse, që nuk mund të rreshtohet pas burrit, por që ndizet bashkë me të dhe përtej tij. Kështu, poezia e Zhupës çliron figurën e gruas nga kornizat e zakonshme dhe e ngre atë në një dimension të barabartë me zjarrin e ekzistencës njerëzore.

IV. Risitë që sjell në poetikën shqipe kjo poezi e Zhupës.

Poezia e Zhupës nuk është thjesht rrëfim i përjetimeve personale; ajo sjell një frymë të re që zgjeron horizontet e poetikës shqipe. Në çdo varg, poeti ndërthur intimitetin me filozofinë, figurat artistike me thellësinë ekzistenciale dhe traditën me shijen moderne që nuk është parë më parë në poezinë shqipe. Këto elemente përbëjnë risinë e saj:

a. Zhupa e shndërron përvojën personale në reflektim universale. Në poezinë shqipe, ndjenja intime shpesh mbetej e lidhur me tregimin dhe emocione të drejtpërdrejta; këtu ajo kthehet në meditim mbi jetën dhe ekzistencën:“Burri ka dalë nga zjarri, flaka bëhet grua.” Risia qëndron në këtë bashkim: poezia shqipe fiton një dimension filozofik brenda një eksperiencë të thjeshtë njerëzore.

b. Poezia e Zhupës i jep fjalës një dimension të dyfishtë: ajo bëhet trup, ndjesi, tingull. Kjo nuk ishte praktikë e zakonshme në poetikën shqipe, ku metafora ishte dekorative. Vargu:“Ti veç ke heshtur. Po heshtja jote ka folur”tregon se heshtja ka peshë dhe melodinë e saj, duke krijuar një dimension sensorik dhe emocional të paprecedent në poezinë tonë.

c.Në traditën e mëparshme shqipe, metaforat shpesh shërbenin për të zbukuruar një imazh apo ndjenjë. Në këtë poezi metafora bëhet struktura e kuptimit:“Flaka ka dalë nga burri, është bërë bukuri tronditëse, është bërë grua.” Kjo tregon një risi: metafora nuk është thjesht ornament, por mban brenda vetes të gjithë tensionin ekzistencial dhe emocional të poezisë.

ç. Zhupa integron elemente të brendshme të poezisë shqipe me përvoja europiane moderne, duke hapur një urë mes lokales dhe universalitetit. Vargu: “Ç’të bëj me zjarrin tim brufullues, që është Ti e më djeg pa mëshirë?” tregon një ndjeshmëri ekzistenciale që përkujton Georg Traklin (austriak) ose Paul Celanin (rumuno-gjerman), por ruan një tingull dhe një ndjenjë të veçantë shqiptare. Risia është se poezia hyn në dialog me poezinë europiane pa humbur identitetin e vet. Kështu, mund të themi se ky krijim i Zhupës nëpërmjet risive sjell në poetikën shqipe një fjalë poetike që ndizet si flakë, hesht si violinë e prishur dhe rrjedh si lumë, duke pasuruar traditën e saj me një vizion të ri, të thellë e të hapur ndaj botës. Në këtë pikë, poezia e Zhupës nuk është më vetëm një krijim i veçantë, por një hapësirë ku fjala poetike bëhet urë mes intimes dhe universales, mes traditës dhe modernitetit.

Në thelb, poezia e Ilirian Zhupës nuk kërkon përgjigje; ajo kërkon të lexohet me zemër. Aty ku burri del nga zjarri dhe zjarri kthehet në grua, gjejmë një të vërtetë të thjeshtë dhe të pamëshirshme: jeta lind dhe digjet njëkohësisht. Vargjet nuk shpjegojnë, ato ndezin, dridhen dhe mbeten si shenja në qelqin e botës. Është bukuria që djeg dhe heshtja që flet; është një përqafim i dhimbshëm dhe i palëvizshëm midis dëshirës dhe misterit. Kjo poezi na lë me atë ndjesi të rrallë që tërheq lexuesin brenda vetes: jo si një përgjigje, por si një dritë që vazhdon të pulsojë edhe pasi dimri ka zbritur.

 

Sarandë, shtator 2025

 

BURRI KA DALË NGA ZJARRI

 

Burri ka dalë nga zjarri, mes një nate të errët, ku pikturohen tmerret,

Dhe është ndjerë i vetëm, në këtë botë të qelqët, duke lënë shenja zjarresh përqark.

Ato shenja zjarresh, janë bërë qenie të tjera përmes klithmash, misteresh,

Dhe lozin me atë që kanë At.

 

Pastaj flaka ka dalë nga burri, është bërë bukuri tronditëse, është bërë grua,

Ka kaluar përmes tij lozonjare, e brishtë dhe e ka lënë të presë si fëmijë.

Kjo ka të ngjarë të ketë ndodhur me shumëkënd, po së pari, ka ndodhur me mua,

Kur u shfaqe ti!

 

Atëherë kam thënë me vete: -Ç’të bëj me bukurinë tënde, me sytë e tu që magjepsin,

C’të bëj me zjarrin tim brufullues, që është Ti e më djeg pa mëshirë.

Kam thirrur djajtë e zinj të më vijnë me të keqen, po ty s’të ka trembur e keqja,

Kam thirrur engjëjt, të të marr me të mirë.

 

Ti veç ke heshtur. Po heshtja jote ka folur: -Kot thërret frikën, pajtimin.

Burri ka dalë nga zjarri. Zjarri ka dalë nga burri. Po flaka është grua gjithmonë…

 

Kështu të stepur nga nata, ndezim zjarrin që zgjohet e zbukurohet te flaka

E djeg qenien tonë.

Friday, 5 September 2025

 

NJË PËRQAFIM AUREOLEJE

 

Nga Timo Mërkuri

Në ditën e Nënë Terezës, kur kujtesa e botës përkulet me respekt ndaj figurës së saj, poezia “Në përqafim aureoleje” e Albina Idrizit vjen si një lutje poetike, si një rrëfim i brendshëm dashurie e përulësie. Ajo nuk është thjesht një poezi kushtuar një shenjtoreje, por një shfaqje e thellë e mirënjohjes dhe dashurisë që poetja mbart për Nënë Terezën. Në vargjet e saj, shfaqet një adhurim i brishtë dhe i sinqertë, i cili e bën lexuesin të ndjejë sikur çdo fjalë është një petal që vendoset mbi aurën e dritës së saj. Këtë poezi në këtë ditë të shënuar menduam ta lexojmë disi më ndryshe nga poezitë e tjera dhe konkretisht të bëjmë :

1. Leximi shpirtëror

Në këtë lexim, poezia është një lutje e hapur e poetes përballë kujtimit të Nënë Terezës. Ajo nuk e sheh vetëm si figurë të lavdishme, por si një praninë shpirtërore të përhershme që përqafon njerëzimin: “Më kujto, si është / me një zgjatje krahu të përqafosh / qindra mijëra shpirtëra rruzullit / njëherësh.”

Poetja, përmes kësaj lutjeje, shpreh dashurinë e saj të pafund për Nënë Terezën, duke e përfytyruar atë si një nënë universale që nuk përqafon një fëmijë, por mijëra shpirtra. Ky përqafim i amshuar është prova e dashurisë që tejkalon kufijtë njerëzorë dhe shndrrohet në dashuri të hyjnizuar.

Edhe pjesa tjetër e lutjes “Të arrish tek tjetri / pa hedhur hapin”tregon adhurimin e poetes për fuqinë e dashurisë së Nënë Terezës, e cila nuk njeh distanca të pa aritëshme. Kjo është dashuria që prek shpirtrat pa fjalë, që mbërrin në zemra me një buzëqeshje të ngrohtë, me fjalë shëruese. Por ajo që duhet theksuar është fakti se këtu, poetja nuk është thjesht vëzhguese, por besimtare e kësaj dashurie universale.

Dashuria e Albina Idrizit për Nënë Terezën duket edhe në bindjen e saj se zemra njerëzore është vendi i takimit të të gjitha besimeve: “dhe zemra e njeriut / është altari më i bukur / i të gjitha besimeve.” Në këtë altar, dashuria nuk ka nevojë për gurë e katedrale, sepse tempulli i saj i vërtetë është zemra njerëzore që rreh për tjetrin. Ky është kulmi i leximit shpirtëror: poetja e sheh Nënë Terezën si shenjë të dashurisë së Zotit, që i përket të gjithëve pa dallim feje, gjuhe apo race.

2. Leximi artistik

Në aspektin artistik, poezia ngrihet mbi figura të qarta dhe domethënëse. Përsëritja e thirrjes “Më kujto” e jep poezinë si një lutje poetike, një psalm dashurie. Struktura e vargut të lirë i jep frymëmarrje të brendshme dhe e lë fjalën të rrjedhë natyrshëm, si një rrëfim intim.

Metafora e fuqishme e “anijeve prej letre” bart në vetvete një kontrast: brishtësia e letërsisë dhe kujtesës njerëzore përballë madhështisë së një figure të pavdekshme si Nëna Tereze. Kujtesa njerëzore është e lëkundshme, shpesh e brishtë, por në të njëjtën kohë ajo mban peshën e kujtimeve të mëdha: “Më kujto, të lutem / këtij udhëtimi sfilitës / në anijet prej letre / që ndërton vazhdimisht / kujtesa konkave e njerëzimit.” Anijet prej letre, ndonëse të brishta, bartin mbi valët e kohës peshën e kujtesës së përjetshme; dhe kjo e bën çdo kujtim të duket si një mrekulli që sfidon harrimin. Kjo figurë poetike është një nga shfaqjet më artistike të dashurisë së poetes për Nënë Terezën: dëshira për ta mbajtur të gjallë kujtimin e saj edhe kur mjeti është i brishtë.

3. Leximi filozofik

Në planin filozofik, poezia e Idrizit është një reflektim mbi praninë dhe mungesën, mbi universalen dhe të përkohshmen. Dashuria e poetes për Nënë Terezën merr trajtë pyetjeje ekzistenciale: “si është të jesh gjithandej / pa qenë askund”? Kjo pyetje na kujton se shenjtëria nuk është prani fizike, por energji shpirtërore që e kapërcen kohën dhe hapësirën, duke na bërë të besojmë se përjetësia është thjesht emri tjetër i dashurisë.

 Ky varg bart një kuptim të thellë filozofik: Nënë Tereza nuk është më në botë fizikisht, por prania e saj është kudo, në shpirtin e njerëzve, në kujtesën e botës, në gjestin e dashurisë që ajo u mësoi të gjithëve. Poezia e shfaq atë si një figurë që tejkalon qënien fizike, trupin dhe hyn në dimensionin e përjetësisë. Po ashtu, pohimi se dhimbja dhe gëzimi kanë të njëjtën gjuhë, është një reflektim filozofik mbi unitetin e përvojës njerëzore: “si dhembja si gëzimi / kanë të njëjtat pasthirrma / në të gjitha gjuhët e botës.” Këtu poetja shfaq bindjen se dashuria dhe dhembshuria e Nënë Terezës prekën diçka më thelbësore se kulturat e ndryshme ,prekën vetë natyrën njerëzore.

4. Në një ditë përkujtimore si kjo, kur emri i Nënë Terezës shndrit mbi kujtesën e njerëzimit, poezia e Albina Idrizit ngjan si një portë faltoreje e vogël e hapur për zemrat e njerëzve, ku lexuesi hyn për të ndier nga afër ngrohtësinë. Fjala poetike nuk është vetëm përkujtim, por është përjetim. Kur lexuesi dëgjoi vargjet: “Më kujto, si është / me një zgjatje krahu të përqafosh / qindra mijëra shpirtëra rruzullit / njëherësh,” ai nuk pa vetëm një imazh poetik, por ndjeu dhe një dridhërimë mallëngjimi në zërin e poetes, çka e bëri të përjetonte çastin  si i përfshirë  dhe ai vetë në atë përqafim. Ndaj themi se kjo poezi e bën të prekshme një dashuri që është e pamatshme. Në një ditë si kjo, lexuesi  dhe dëgjuesi merr një mësim të heshtur: dashuria nuk është teori, por gjest i përditshëm. Ndërsa vargjet thonë: “Me vështrimin që fshik, / me buzëqeshjen që ngroh, / me fjalën që shëron,” secili kujton se edhe gjesti më i thjeshtë ka peshë të pafund kur buron nga zemra.Kjo poezi, e lexuar në Letnicë, aty ku Nënë Tereza dëgjoi për herë të parë fjalën e Atit, bëhet një udhëtim i dyfishtë: kujtesë dhe përjetim. Lexuesi jo vetëm që përkulet me nderim, por përfshihet në një dashuri që nuk ka kufij, duke u bërë edhe vetë pjesë e saj. Dhe kështu, fjala poetike arrin të ribëjë për një çast atë që bëri jeta e Nënë Terezës: të mbledhë njerëzit rreth dritës së dashurisë.

5.Vlerat që shfaq Albina Idrizi në poezi; dashuria universale, respekti për çdo shpirt, përqafimi shpirtëror dhe introspektimi  gjejnë reflektim edhe  tek poetët modernistë europianë si Rainer Maria Rilke, T.S. Eliot dhe Federiko García Lorka, por me një ndryshim tepër domethënës për ne: Ndërsa këta poetë meditojnë filozofikisht mbi ekzistencën dhe humbjen, Idrizi e bën këtë në një mënyrë të ngrohtë, intime dhe humaniste, duke e shndruar përjetimin në një lutje dhe përqafim që prek zemrën e lexuesit. Vargjet:

Me vështrimin që fshik, / me buzëqeshjen që ngroh, / me fjalën që shëron.”

“dhe zemra e njeriut / është altari më i bukur / i të gjitha besimeve.”

tregojnë se humanizmi i poetes nuk është abstrakt e filozofik, por i prekshëm; nuk është vetëm përshkrim, por një përvojë shpirtërore që zgjon ndjesinë e përbashkët njerëzore dhe admirimin për praninë universale të dashurisë.

Kur ne e shohim Albina Idrizin duke ecur në modernizëm  paralel  me poetët më të zëshëm europianë, por në “trotuarin tjetër”, atë pranë jetës reale, ndjejmë një trishtim të ëmbël dhe një admirim të thellë. Afërsia shpirtërore është e dukshme: idealet e saj humaniste, përqafimi i njerëzve, dhe përjetimi i dhembjes dhe gëzimit janë pjesë e së njëjtës rrjedhë mendimi dhe ndjenje.

Por realiteti e ndryshon rrugën e saj; ajo nuk kërkon famë, as skena të mëdha. Ecën në trotuarin e përditshmërisë, duke dhënë dorën e dashurisë, duke përqafuar njerëzit në heshtje, dhe duke i dhënë kuptim jetës me fjalë që shërojnë: “Me vështrimin që fshik, / me buzëqeshjen që ngroh, / me fjalën që shëron.”

Ndjejmë përulësinë dhe nderimin, sepse vlerat e mëdha nuk varen nga famë apo tituj, por nga përkushtimi i përditshëm dhe pastërtia e shpirtit. Në këtë ecje paralel, ku modernizmi europian takohet me përulësinë e jetës reale, kuptojmë se dashuria dhe përkushtimi njerëzor janë të njëjta kudo dhe Idrizi bëhet bashkëudhëtare e shpirtit tonë, duke na mësuar se praninë e madhe shpirtërore e gjen jo në famë, por në gjestet e përditshme që ngrohin zemrat. Në këtë mënyrë fjala e Albina Idrizit nuk është thjesht kujtesë, por shndërrohet në një aureolë dritë që na përqafon të gjithëve, sikur vetë Nënë Tereza të zgjaste dorën e saj mbi njerëzimin

Ndaj dhe ne ndjejmë krenari për poeten tonë.

 

Sarandë, më 5 shtator 2025

 

NË PËRQAFIM AUREOLEJE

Më kujto, si është

me një zgjatje krahu të përqafosh

qindra mijëra shpirtëra rruzullit

njëherësh.

 

Të arrish tek tjetri

pa hedhur hapin.

 

Me vështrimin

që fshik,

me buzëqeshjen

që ngroh,

me fjalën që shëron.

 

Ndërmendmë, se

si dhembja si gëzimi

kanë të njëjtat pasthirrma

në të gjitha gjuhët e botës,

dhe zemra e njeriut

është altari më i bukur

i të gjitha besimeve.

 

Më kujto, të lutem

këtij udhëtimi sfilitës

në anijet prej letre

që ndërton vazhdimisht

kujtesa konkave e njerëzimit,

si është të jesh gjithandej

pa qenë askund.

Thursday, 4 September 2025

 

Dy poezi të një dhimbjeje.

 

Nga Timo Mërkuri

Poezia e Fatmir Terziut është një dritare e hapur mes botës së brendshme dhe asaj të jashtme, mes dhembjes së atdheut dhe ftohtësisë së kohës moderne, mes kujtesës së rrënjëve dhe shkëputjes nga përditshmëria digjitale. Poezitë “Atdheun nga lajmet” dhe “Këputja nga ekrani” janë dy degë të së njëjtës pemë poetike: e para prek nostalgjinë dhe dhimbjen e rrënjëve, ndërsa e dyta sjell krizën e individit në një botë të virtualizuar, ku ekrani shndërrohet në kufi të shpirtit. Leximi i tyre na ofron një përjetim të thellë psikologjik, artistik e filozofik.

1. Dimensioni shpirtëror.

Në “Atdheun nga lajmet”, shpirti i poetit ndjen një dhimbje që buron nga largësia. Lajmet nuk janë thjesht fjalë të shkruara, por “tufë që pëshpërit në një gjuhë të tretë”, pra larg gjuhës së poetit dhe vendit të tij. Ky varg flet për shpirtin që nuk gjen dot më qartësi as në gjuhë, as në vend, sepse zëri i atdheut i vjen i huaj. Është një dhimbje që nuk shpërthen me britmë, por rrjedh si një pëshpëritje e zbehtë, si një vajtim së brendshmi, si një nisje  logatje-je. Shpirti kërkon identitetin, por ndeshet me “njerëzit e zbehtë” e me “të huajt që kishin zëvendësuar në të huaj”. Kjo është plagë shpirtërore, që e bën poezinë një vajtim të heshtur për humbjen e rrënjëve. Kjo plagë është te emigrantët shqiptarë që nuk kërkojnë të kthehen në atdhe përsëri. Ndërsa ata flasin një gjuhë plot mall e dashuri, atdheu flitka një gjuhë tjetër, të ftohtë, si stalagmite akulli që të çpojnë në shpirt.

Në “Këputja nga ekrani”, shpirti i poetit është i mbërthyer nga ftohtësia moderne. Ftohtësia nuk është më e natyrës, por e ekraneve: “këputesha nga ekrani si ndonjë gjethe”. Shpirti është bërë një gjethe e brishtë që bie pa tingull, pa aromë, vetëm nga pesha e boshësisë. Këtu shfaqet një përjetim i thellë i vetmisë së njeriut të sotëm, i cili e humbet lidhjen me ngrohtësinë njerëzore.

2. Dimensioni artistik.

Artistikisht, Terziu përdor një gjuhë të ngjeshur me figura, ku simboli bëhet udhëheqës. Në “Atdheun nga lajmet”, lajmet marrin formën e një libri të fshehtë: “lexonin skupe nga një libër i fshehtë”. Ky imazh poetik e kthen realitetin mediatik në një mister, një libër të mbyllur, që nuk i përket më njerëzve. Muret e fjalës që ngrihen në ajër dhe engjëlli i lodhur që mbledh meloditë e zogjve janë tablo poetike që përzihen mes reales e mistikes, duke dhënë një frymë simboliste.

Ndërsa “Këputja nga ekrani” mbështetet mbi kontrastin e thjeshtësisë dhe ironisë. Imaginata e frigoriferit në Gusht, për shembull, është një figurë absurde dhe groteske që e bën poezinë të mbajë nuanca postmoderniste. Por brenda këtij grotesku, ka një art të hollë të ironisë: ftohtësia që përjashton shpirtin dhe e redukton në “perceptime të kota të reve”. Poezia është një tablo e kohës digjitale, ku imazhet janë të ftohta dhe njerëzimi i humbur.

3. Dimensioni filozofik

Filozofia e “Atdheun nga lajmet” është filozofia e humbjes së rrënjëve. Njeriu që jeton larg atdheut e njeh vendin e tij vetëm përmes lajmeve, por ato lajme nuk sjellin dritë: ato janë të zbehta, të huaja, të largëta. Fjala që ndërton mure në hava është metafora e  komunikimit që nuk bashkon, por ndan;  është filozofia e një bote ku informacioni nuk afron, por e thellon  hendekun mes njeriut dhe atdheut të tij.

“Këputja nga ekrani” ngre një pyetje filozofike mbi njeriun e kohës digjitale: a është ende i lirë, apo është thjesht një gjethe që këputet nga ekrani? Poezia flet për “dy gjendje, dy nivele, dy mendësi”, duke përshkruar krizën ekzistenciale të njeriut që nuk gjen dot më unitet. Kjo është filozofia e fragmentimit postmodern: njeriu nuk është më një i tërë, por i ndarë mes botës reale dhe asaj virtuale, mes trupit dhe shpirtit, mes sinqeritetit dhe ftohtësisë së teknologjisë.

Në fund, mund të themi se Fatmir Terziu, përmes “Atdheun nga lajmet” dhe “Këputja nga ekrani”, ngre një pasqyrë ku shfaqet dyfishtë drama e njeriut modern: drama e mërgimit dhe drama e shkëputjes nga vetja. Në njërën anë është dhimbja e mungesës së rrënjëve, ku lajmet e vendit kthehen në zëra të zbehtë që nuk e ushqejnë më shpirtin; në anën tjetër është ftohtësia e teknologjisë, ku ekrani kthehet në një mur të pakapërcyeshëm që e largon njeriun nga vetja dhe nga të tjerët.

 “Atdheun nga lajmet” mund të lexohet si një poezi e frymëzuar nga modernizmi simbolik-ekspresionist, ndërsa “Këputja nga ekrani” i afrohet një postmodernizmi ironik dhe fragmentar. Por pavarësisht dallimeve stilistike, të dyja bashkohen në një urë poetike që lidh dhimbjen e mërgimit me boshësinë e digjitalizimit, duke i dhënë lexuesit një përvojë shpirtërore, artistike dhe filozofike që mbetet gjatë në kujtesë.

Por unë dua t'i them mikut tim Fatmir Terziut: mos u tremb nga kjo akullsi në mes të gushtit, ajo është një rrymë ajri që erdhi nga larg. Atdheu flet vetëm me ngrohtësi shpirtërore, sepse, siç e di mirë t'i miku im, Atdheu është në shpirt.

 

Sarandë, më  04. 09.2025

 

 

ATDHEUN NGA LAJMET

Nga Fatmir Terziu

Lajmet e vendit tim i pashë të mbledhura tufë

flisnin me veten. Pëshpërisnin në një gjuhë të tretë,

edhe në mal, edhe në fushë,

lexonin skupe nga një libër i fshehtë:

Ai në të vetën. Ajo në të sajën.

 

Gjithnjë i dëgjonin njerëzit e zbehtë

ndërsa shfaqeshin nëpër varreza në një vend të largët,

dhe kështu ndodhte me ditë, me javë, me muaj,

askush nuk i njihte më të parët,

të huajt i kishin zëvendësuar në të huaj.

 

Direkë midis lajmeve. Fjala, ndërtonte mure në hava.

Një engjëll i lodhur mblidhte meloditë e zogjve aty pranë,

Po ata, pse po nxitonin, ku po iknin Ata?

 

 

KËPUTJA NGA EKRANI

Të ftohtën zor se e gjen në Gusht,

për të kuptuar ngricën dua të shprehem sinqerisht,

gjithnjë pikturoja frigoriferin me një kusht:

brendisë të mos i bëja bisht!

 

Dy gjendje. Dy nivele.

Dy mendësi në nevojë,

Më pyesnin, pastaj më bënin për vete

gjithnjë e më shpesh përgjigjesha me „Nuk e kuptoj“.

 

Ndërsa këputesha nga ekrani si ndonjë gjethe

e largoja habinë me thonj,

me perceptimet e kota të reve,

përulësinë: me konceptin e rëndomtë,

këputjen: me ekranin që na ftohte neve.