Monday, 30 March 2026

 

Timo Mërkuri

 

REALIZMI MAGJIK DHE MAGJIA BIBLIKE NË POEMËN “UJËVARË DRITE NË ZEMËR”

 

 

A janë mrekullitë biblike një formë magjie?

 

A mund të lexohet ringjallja e Lazrit, shërimi i të verbërve dhe i të gërbulurve me nje frazë biblike apo kthimi i ujit në verë si realizëm magjik? Dhe ku është kufiri i padukshëm midis së shenjtës që beson dhe së magjishmes që imagjinon arti?

Këto pyetje nuk lindin nga dyshimi, por nga habia njerëzore. Ato shfaqen në çastin kur lexuesi kalon nga faqet e Biblës te letërsia modern e realizmit magjik dhe ndien se diçka e njohur vazhdon të pulsojë edhe atje. Kjo hapje nuk është vetëm një çarje në rrjedhën e ngjarjeve, por një ftesë për të reflektuar mbi thelbin e qenies: çfarë është reale dhe çfarë mund të jetë e mundur kur syri dhe shpirti bashkëpunojnë.

Megjithatë, ngjashmëria është vetëm sipërfaqësore. Ajo që në tekstin biblik është shenjë e pranisë hyjnore, në letërsinë moderne bëhet mënyrë artistike për të parë botën. Në Bibël, mrekullia nuk synon të habitë, por të zbulojë, pra nuk është lojë imagjinate, por dëshmi besimi, ndërsa realizmi magjik lind nga nevoja e njeriut për ta shpjeguar e krijuar realitetin përmes simbolit, ëndrrës dhe misterit poetik.

Pra, dallimi mes tyre nuk qëndron te akti i jashtëzakonshëm, por te burimi i tij: njëri vjen nga transcendenca që kërkon besim, tjetri nga imagjinata që kërkon kuptim. Pikërisht këtu nis udhëtimi im për të kuptuar se si e shenjta biblike dhe magjikja letrare, megjithëse duken si motra, flasin në gjuhë të ndryshme të botës e të shpirtit njerëzor.

1. Mrekullia biblike shfaqet si ndërhyrje hyjnore, jo si efekt artistik

 Në faqet e Bbilës mrekullia nuk lind për të mahnitur syrin, por për të zgjuar shpirtin. Ajo nuk paraqitet si një efekt i bukur rrëfimtar, as si një lojë imagjinate që kërkon miratim estetik. Bibla nuk ndërton skena për habinë e lexuesit, ajo rrëfen ngjarje që besimtari i përjeton si prani reale të Hyjit në historinë njerëzore.

Kur Krishti ringjall të vdekurin, e shëron të gërbulurin, i shumëzon bukët, e shndërron ujin në verë apo ecën mbi ujë, këto akte nuk synojnë të thyejnë ligjet e botës për hir të së jashtëzakonshmes. Përkundrazi, ato duket sikur zbulojnë një rend më të thellë, një kuptim të fshehur që nuk shihet nga syri i zakonshëm. Mrekullia nuk është kundër realitetit, ajo është hapja e tij drejt një dimensioni tjetër.

Në këtë kuptim, mrekullia biblike e ka burimin gjithmonë jashtë njeriut. Ajo nuk vjen prej fantazisë, por prej vullnetit hyjnor. Njeriu nuk e prodhon mrekullinë, ai vetëm bëhet dëshmitar i saj. Pra, edhe akti i mrekullisë s’ka funksion zbavitës apo estetik. Ai mbart një qëllim shpëtimtar: e rikthen shpresën, e shëron trupin dhe shpirtin, e ringrit besimin e humbur.

Në rrëfimin biblik njerëzit nuk qëndrojnë si spektatorë të një fenomeni të pazakontë artistik. Ata nuk analizojnë, nuk kërkojnë simbolikë letrare. Reagimi i tyre është përulja, frika e shenjtë, besimi. Mrekullia nuk kërkon interpretim estetik, ajo kërkon besim të brendshëm.

Kështu, mrekullia nuk është dekor i rrëfimit biblik, po është vetë zemra e tij. Nuk është një element që e zbukuron historinë, por momenti kur historia prek përjetësinë. Bibla nuk flet për një botë të çuditshme që duhet lakmuar. Ajo flet për një botë ku Hyji ndërhyn, ku e padukshmja bëhet e prekshme dhe ku njeriu ftohet të shohë përtej asaj që syri i zakonshëm arrin të shohë e mendja të kuptojë.

 

2. Realizmi magjik: arti që e bën të zakonshme të pamundurën

 

Në realizmin magjik e jashtëzakonshmja nuk zbret nga qielli si shpallje e vullnetit te Zotit, por rritet brenda vetë jetës njerëzore. Ajo nuk hyn në rrëfim si ndërhyrje hyjnore që ndryshon fatet, por si një frymëmarrje e zakonshme e realitetit. Pra, çudia nuk shpallet; ajo thjesht ndodh, krijohet.

Në këtë lloj letërsie askush nuk ndalet i tronditur përballë së pamundurës. Personazhet nuk bien në gjunjë dhe as nuk kërkojnë shpjegim. Një i vdekur mund të kthehet në shtëpi, një grua mund të ngjitet drejt qiellit, koha mund të rrjedhë mbrapsht, dhe gjithçka pranohet me qetësinë me të cilën pranohet lindja e mëngjesit. Në këtë letërsi, realiteti nuk është vetëm ai që shihet; përkundrazi, është ai i mbushur me kujtesë, me mite, me besëtytni, me ëndrra dhe me histori të trashëguara brez pas brezi. Këtu magjia nuk është akt hyjnor. Ajo lind nga mënyra se si një komunitet e ndien ose mund ta ndijë botën. Nga rrëfimet e gjysheve, nga legjendat që jetojnë në ndërgjegjen individuale e kolektive, nga imagjinata që nuk e ndan të dukshmen nga e padukshmja, nga doket zakonore të trashëguara ndër shekuj.

Realizmi magjik nuk kërkon që lexuesi të besojë në një të vërtetë fetare; ai e fton të pranojë se realiteti njerëzor është më i gjerë sesa arsyeja e ftohtë. E pamundura ndodh pa shpjegim dhe pa predikim. Në këtë mënyrë, arti nuk imiton jetën, por e zgjeron perceptimin tonë, duke na kujtuar se çdo përvojë, edhe ajo më e heshtura, mbart brenda vetes misterin e të qenit Askush nuk e interpreton si shenjë shpëtimi apo si provë të një force hyjnore. Ajo mbetet një mister i heshtur, një mënyrë për të treguar se jeta njerëzore është e mbushur me shtresa të padukshme ku bashkëjetojnë realja dhe ëndrra. Në këtë kuptim, realizmi magjik është një krijesë që ndërtohet dhe ekziston përmes gjuhës artistike. Ai nuk synon të zbulojë të vërtetën metafizike të botës, por të shprehë të vërtetën shpirtërore dhe kulturore të njeriut. E jashtëzakonshmja bëhet mjet për të treguar frikën, kujtesën, vetminë, dashurinë, historinë e plagosur të shoqërive njerëzore.

Nëse në Bibël mrekullia dëshmon praninë e Hyjit, në realizmin magjik ajo ndriçon misterin e vetë njeriut. Njëra kërkon besim; tjetra kërkon ndjeshmëri, gjakim. Njëra e hap horizontin e përjetësisë; tjetra e zbulon thellësinë e përvojës njerëzore brenda kohës. Dhe pikërisht aty qëndron dallimi i tyre i heshtur, por thelbësor.

 

3. Diferenca thelbësore

 

Kur përpiqemi të dallojmë mrekullinë biblike nga e jashtëzakonshmja e realizmit magjik, kuptojmë se ndryshimi nuk qëndron te vetë ngjarja. Në të dyja rastet ndodhin gjëra që tejkalojnë arsyen e zakonshme njerëzore. Ringjallja, shërimi, kthimi i kohës, prania e të pamundurës - të gjitha këto mund të shfaqen si në tekstin e shenjtë, ashtu edhe në letërsinë moderne. Mirëpo, thelbi nuk është çfarë ndodh; thelbi është pse dhe nga vjen ajo që ndodh.

a. Në Bibël, e jashtëzakonshmja ka gjithmonë një burim të vetëm: Hyjin. Mrekullia nuk lind nga imagjinata e njeriut dhe as nga nevoja për ta zbukuruar rrëfimin. Ajo vjen si shenjë e një vullneti që e tejkalon botën njerëzore. Pra, edhe rrëfimi biblik nuk e paraqet mrekullinë si një mundësi ndër shumë të tjera, por si të vërtetë që kërkon pranimin e zemrës. Ajo është zbulesë, jo shpikje.

b. Në realizmin magjik burimi i së jashtëzakonshmes është krejt tjetër. Ai nuk është qiellor, por njerëzor. Vjen nga kujtesa kolektive, nga mitet e një populli, nga mënyra se si kultura e ndien realitetin. Shkrimtari nuk shpall një të vërtetë hyjnore, ai krijon një mënyrë të re për ta parë jetën. E pamundura bëhet gjuhë artistike, një mënyrë për të shprehur atë që realiteti i zakonshëm nuk arrin ta thotë.

c. Edhe funksioni i së jashtëzakonshmes ndryshon thellësisht. Në Bibël, mrekullia ka qëllim shpëtimtar. Ajo e rikthen besimin, e shëron, e udhëzon dhe e orienton njeriun drejt një kuptimi moral dhe shpirtëror të ekzistencës. Çdo akt mrekullie është një thirrje për transformim të brendshëm.

Në realizmin magjik, përkundrazi, e jashtëzakonshmja nuk shpëton askënd në kuptimin teologjik. Ajo ndihmon të kuptohet më mirë jeta njerëzore. Është një interpretim poetik i realitetit, një mënyrë për të treguar se bota nuk është vetëm logjikë dhe fakt, por edhe ëndërr, kujtesë, frikë, dëshirë, gjakim dhe mister.

ç. Ndryshon edhe marrëdhënia me të vërtetën. Bibla kërkon besim ekzistencial; lexuesi nuk qëndron jashtë rrëfimit, por ftohet të hyjë brenda tij me gjithë qenien. Realizmi magjik kërkon një pranim tjetër - jo besim fetar, por hapje imagjinative. Lexuesi nuk përkulet përpara së shenjtës, ai pranon lojën poetike të realitetit.

d. Edhe zëri që rrëfen është i ndryshëm. Teksti biblik flet nga autoriteti i së shenjtës, si një fjalë që nuk negocion me dyshimin estetik, ndërsa shkrimtari i realizmit magjik ndërton një botë artistike që ngjan me realitetin, por nuk synon kurrë statusin e zbulesës. Ai nuk kërkon adhurim, po bashkudhëtim imagjinativ.

Kështu, megjithëse të dyja hapin derën e së jashtëzakonshmes, ato ecin në drejtime të ndryshme: njëra drejt besimit dhe përjetësisë, tjetra drejt kuptimit poetik të përvojës njerëzore dhe pasurimit të saj. Pikërisht në këtë ndryshim të heshtur qëndron kufiri mes së shenjtës biblike dhe magjikes letrare.

 

4. Pse ato përngjajnë mes tyre?

 

Pavarësisht dallimeve të mëdha që i ndajnë mrekullinë biblike dhe realizmin magjik shpesh na duken të afërta. Lexuesi ndien një lloj njohjeje të brendshme, sikur po përballet me dy forma të ndryshme të së njëjtës etje njerëzore. Dhe në një farë mënyre, kjo ndjesi nuk është e gabuar.

Që në fillesat e historisë së tij njeriu s’ka mundur ta përballojë botën vetëm me arsyen. Realiteti ka qenë gjithmonë më i gjerë sesa shpjegimet logjike. Lindja dhe vdekja, dhimbja dhe shpresa, rastësia dhe fati - të gjitha këto kanë kërkuar një gjuhë më të thellë se ajo e mendjes së ftohtë. Pra, njerëzimi ka krijuar mite, ka besuar në mrekulli, ka ndërtuar rrëfime ku e dukshmja dhe e padukshmja jetojnë së bashku.

Bibla i përgjigjet kësaj nevoje duke e hapur realitetin drejt qiellit. Ajo i jep botës një kuptim që vjen nga lart, nga një prani hyjnore që ndërhyn dhe i jep drejtim historisë së njeriut. Mrekullia bëhet shenjë se njeriu, nuk është i braktisur në univers; se ekziston një dorë që vepron përtej kufijve të së mundshmes.

Realizmi magjik zgjedh një rrugë tjetër, por lind nga e njëjta etje. Ai nuk kërkon qiellin për ta shpjeguar botën, ai e zgjeron vetë hapësirën e veprimit e të mundësisë së krijimit e të pasurimit. Realiteti paraqitet aq i pasur, aq i mbushur me kujtesë, ndjenja dhe përjetime kolektive, sa fillon të duket vetvetiu magjik. E jashtëzakonshmja nuk zbret nga lart; ajo lind nga mënyra si njeriu e gjakon ose si e përjeton jetën.

Në këtë mënyrë, të dyja qasjet i përgjigjen të njëjtit gjakim dhe ankth njerëzor: dëshirës për të mos e zvogëluar ekzistencën në një mekanizëm të ftohtë racional. Njëra thotë se mrekullia ekziston, sepse Hyji vepron në botë. Tjetra sugjeron se realiteti është aq i thellë dhe i ndërlikuar, sa brenda tij vetë magjia është e mundur. Ndoshta pikërisht këtu qëndron afërsia e tyre më e madhe: të dyja i japin njeriut të drejtën për t’u habitur; pa habi, as besimi dhe as arti nuk do të kishin lindur kurrë.

 

5. Një përfundim i qetë

 

Në fund të këtij udhëtimi krahasues, kuptojmë se ngjashmëria mes mrekullive biblike dhe realizmit magjik është më tepër një afri sipërfaqësore sesa një përkim i vërtetë. Aktet e Krishtit mund të duken, në syrin letrar, si episode të një bote magjike, por thelbi i tyre qëndron diku tjetër. Ato nuk janë ndërtuar si teknikë rrëfimi dhe as si zgjedhje estetike. Janë përvojë besimi, një realitet i jetuar shpirtërisht nga komuniteti që i ka trashëguar dhe besuar nëpër shekuj.

Mrekullia biblike nuk synon të krijojë atmosferë poetike ose të zgjojë kënaqësi estetike. Ajo është dëshmi. Është momenti kur njeriu ndien se natyra nuk është kufiri i fundit i ekzistencës dhe se mbi të vepron një vullnet hyjnor. Në këtë kuptim, mrekullia nuk është metaforë; ajo është shpallje.

Realizmi magjik, përkundrazi, i përket territorit të artit. Ai nuk kërkon të bindë për një të vërtetë dogmatike, por të hapë një mënyrë tjetër të të vështruarit. Shkrimtari nuk ndërhyn si profet, por si krijues. Ai i jep realitetit një përmasë e dritë të re, duke treguar se misteri nuk është vetëm përtej botës, por edhe brenda saj - në kujtesë, në ëndërr, në përvojën njerëzore që shpesh e tejkalon logjikën.

Kështu, Bibla flet për një tejkalim të natyrës nga Hyji, për një ndërhyrje që vjen nga përtej njeriut. Realizmi magjik, në heshtjen e vet poetike, flet për magjinë e fshehur në vetë natyrën njerëzore, për atë çast kur realiteti duket më i thellë sesa duket në sipërfaqe.

Ndoshta dallimi më i bukur qëndron pikërisht këtu: njëra mrekulli lind në hapësirën e lutjes dhe kërkon besim; tjetra lind në hapësirën e fjalës artistike dhe kërkon ndjeshmëri dhe dije për ta përfillë. Njëra e ngre njeriun drejt qiellit, ndërsa tjetra e ndihmon ta zbulojë misterin që ai mbart brenda vetes. Kjo dyanshmëri na mëson se çdo përjetim i jashtëzakonshëm, qofshin fjalët e shenjta apo ato artistike, është një dritare drejt së panjohurës që e fton njeriun të hulumtojë thellësitë e mendjes dhe të shpirtit. Në këtë mënyrë, besimi dhe arti nuk e përjashtojnë njëri-tjetrin; ata thjesht e ndriçojnë botën nga dy horizonte të ndryshme të shpirtit njerëzor.

 

6.Një arsye për sa shkrova më sipër.

 

Këto mendime lindën si vazhdim i natyrshëm i punës sime studimore, pikërisht gjatë analizës së realizmit magjik në poemën “Ujëvarë drite në zemër” të Anton Nikë Berishës, që janë 14 pamje të hirit hyjnor të Nënës Terez.

Që në leximin e parë ndjehet se poezia frymon me një gjuhë të afërt me ligjërimin kishtar; vargu mbart ritmin edhe të lutjes, ndërsa figuracioni poetik ndjek hap pas hapi shtegun shpirtëror të një jete që shndërrohet në shenjtëri. Kjo ngarkesë ungjillore nuk është e rastësishme. Ajo buron nga njohjet e thella të autorit mbi literaturën dhe traditën kishtare, por edhe nga përthithja e botës shpirtërore të Nënës Terez dhe e misionit të saj të njohur për të gjithë ne.

Poeti nuk e rrëfen thjesht jetën e saj; ai përpiqet të ndiejë e ta shprehë ritmin e brendshëm të atij flijimi të heshtur që e çoi drejt shenjtërimit. Për këtë arsye, teksti shpesh tingëllon si një ndërmjetësim midis poezisë dhe meditimit – përsiatjes shpirtërore.

 “Ujëvarë drite në zemër” mbetet para së gjithash një vepër artistike. Pikërisht këtu bëhet i domosdoshëm dallimi: realizmi magjik në këtë poemë nuk është imitimi i mrekullisë biblike, por një ndërthurje e ndjeshme e biblikes, mistikes dhe reales njerëzore. Është pikërisht talenti i Anton Nikë Berishës që këtë ndërthurje e realizon në mënyrën më të arrirë të realizmit magjik, deri në atë masë sa vetë realiteti poetik merr tingëllimin dhe solemnitetin e një teksti biblik.  Ndaj në çdo kapitull e jashtëzakonshmja nuk ndjehet si dogmë, por si përjetim poetik - si një dritë që kalon nga shenjtëria te fjala artistike pa shmangur asnjërën prej tyre.

Kjo kërkonte një sqarim paraprak, sepse në poemë këto tri shtresa janë aq të ndërthurura, sa lexuesi mund t’i shohë si një të vetme. Realja, biblikja dhe mistikja rrjedhin së bashku, si ujëra që bashkohen në të njëjtën rrjedhë drite. Pra, çdo varg duhet parë më vete, me një vëmendje të përqendruar, sikur të afrohemi pranë një ikone: jo për ta shpjeguar menjëherë, por për ta soditur derisa kuptimi të fillojë të ndriçojë nga brenda vetë poezisë.

 

Sarandë, mars 2026

No comments:

Post a Comment