Monday, 7 September 2026

PRURJET E REJA QË TË ÇOJNË LARG.

 

Nga Timo Mërkuri

Në librin e tij “Odisea dhe Sirenat…”,(https://www.vasiltole.com/?product=odiseja-dhe-sirenat-grishje-drejt-viseve-iso-polifonike-te-epirit) Vaso Tole e vendos këngën iso-polifonike, (shumëzërëshe) në horizontin e kohës së Homerit. Në librin “Pse qanë kuajt e Akilit?”, ( https://www.vasiltole.com/?product=pse-qane-kuajt-e-akilit) kërkimi i tij shkon më tej. Ai përpiqet ta gjejë zanafillën e kësaj kënge te ritet mortore dhe, më konkretisht, te “e qara me bote”.

Kështu, kërkimi për origjinën zhvendoset drejt një shtrese parahomerike të jetës dhe kujtesës njerëzore. Dhe bashkë me këtë zhvendosje hapet një fushë e gjerë kërkimi, ku Tole sjell dëshmi, lidhje, interpretime dhe hipoteza që prekin jo vetëm historinë e këngës shumëzërëshe, por edhe vetë natyrën e saj. Disa prej këtyre prurjeve marrin formën e tezave, disa mbeten në terrenin e hipotezës, ndërsa të tjera kërkojnë të maten me dëshmitë që sjell libri.

Pikërisht kjo pasuri e prurjeve të librit na ka bërë që analizën ta ndërtojmë në tri pjesë, secila me objektin e vet. E para ndalet te “e qara me bote” dhe te mënyra se si, brenda këtij rituali mortor, shfaqen elemente të ndërtimit shumëzërësh. E dyta e ndjek gjurmët e vajtimit në kohë, duke parë zhvillimin e shumëzërëshit dhe shndërrimet që ai pëson në rrugën e tij. E treta zhvendos vështrimin te një çështje edhe më e gjerë: te teza e origjinës iliro-epirote të këngës iso-polifonike dhe argumentet që Tole sjell në mbështetje të saj. Kështu, tri pjesët nuk përsërisin njëra-tjetrën, por marrin nga kënde të ndryshme disa prej çështjeve themelore që ngre ky libër.

I. Prurja më e rëndësishme: “E qara me bote” si shtrat i hershëm i iso-polifonisë

“E qara me bote” nuk është vetëm një mënyrë për të vajtuar të vdekurin. Brenda saj ndodh diçka më e ndërlikuar: dhimbja e njërit del nga vetmia e vet dhe kërkon zërin e të tjerëve. Një grua vajton. Rreth saj janë gratë e tjera. Njëra nxjerr zërin, të tjerat përgjigjen, e mbajnë, e përsërisin, e shoqërojnë. Rënkimi, thirrja, fjala e shkëputur, zanorja, heshtja e shkurtër dhe shpërthimi i ri i vajit krijojnë një lëvizje ku zëri nuk është më vetëm. Pikërisht këtu rituali mortor fiton një përmasë që, po ta dëgjosh me veshin e muzikës, të bën të mendosh për një marrëdhënie zërash.

Këtë nuk e lexojmë vetëm në libra. E kemi dëgjuar. E kemi përjetuar në familjet tona.

Dhe ndoshta pikërisht këtu duhet të ndalemi: në çastin kur dhimbja individuale nis të bëhet shprehje kolektive. Sepse një zë i vetëm mund të jetë klithmë, por disa zëra që i përgjigjen njëri-tjetrit krijojnë tashmë një marrëdhënie. Në këtë kalim nga zëri te zërat, nga vetmia e dhimbjes te prania e të tjerëve, mund të kërkohet edhe një nga bërthamat e hershme të shumëzërëshit.

Qysh në fillim Vaso Tole e quan “të qarën me bote” një “bërthamë ende arkaike”, ku mund të dallohen lindja dhe perceptimi i iso-polifonisë, ndërsa vajtimet i cilëson si “djepi ku përkunden këngët e lashta dhe ato të reja” (f. 22). Kjo fjali është një nga çelësat për të kuptuar këtë prurje të veçantë të librit. Sepse këtu nuk kemi më vetëm një studiues që shikon një ritual të vjetër. Kemi një njeri që përpiqet të dëgjojë, brenda atij rituali, se si mund të ketë nisur të mendojë kënga me më shumë se një zë.

Për të kuptuar iso-polifoninë, autori kthehet te vajtimi; dhe për të kuptuar vajtimin, kthehet te njeriu përballë vdekjes.

1. Çfarë është “e qara me bote”?

Shprehja vetë mbart një kuptim të shumëfishtë. Në shpjegimin e Eqrem Çabejt, fjala “botë” lidhet me shtamën prej balte, pra me tokën, baltën e shtamave. Edhe toponimi Qafa e Botës, për shembull, shpjegohet në këtë kuptim: qafa e baltës, pasi, në kundërvënie me tërësinë shkëmbore të terrenit përreth, vendi aty ishte me baltë të butë. Nuk është pra e rastësishme që Tole e lidh “të qarën me bote” me rrëketë e lotëve dhe me tokën, duke e parë atë si një vajtim masiv, kolektiv, për njeriun. (f. 23)

Por kuptimin më të gjallë, atë që e nxjerr shprehjen nga fjalori dhe e kthen në përvojë njerëzore, e jep Lefter Çipa: “...është e qara me botën tënde. Një grua e re që i vdes burri, qan me botën e saj, ‘ç’do bëj unë tani’. Ajo qan me zë, qan me gjoks; nuk është ‘e qara e botës’, është ‘e qarë me botë’.” (f. 24)

Këtu dukuria zbret nga kuptimi i fjalës te dhimbja e njeriut. Gruaja nuk qan thjesht sepse ka vdekur dikush. Ajo qan sepse, me vdekjen e burrit, të djalit apo të vajzës, i është shembur bota e saj. Nuk ka humbur vetëm një njeri; ka humbur një rend të tërë të jetës. Prandaj e qara nuk mund të mbetet vetëm lot. Ajo bëhet zë, gjoks, frymë, fjalë, klithmë, thirrje dhe prani.

Në atë çast, dhimbja sikur kërkon të dalë nga trupi me çdo mënyrë. Gruaja shkul flokët, çjerr faqet, godet kokën pas qosheve të mureve. Janë veprime që, parë nga larg, mund të duken të skajshme, por brenda logjikës së vajtimit kanë një kuptim të thellë: kur bota e brendshme është rrëzuar, edhe trupi bëhet vendi ku ajo rrënohet. Bukuria, pasuria, rregulli i përditshëm – gjithçka që i përkiste jetës së mëparshme – për një çast humbet kuptimin.

Dhe pikërisht këtu “e qara me bote” merr kuptimin e saj më të thellë. Është çasti kur dhimbja e njërit kërkon të bëhet e dëgjueshme për të tjerët; kur zëri i individit nuk mbetet më vetëm brenda kraharorit të tij, por mund të bashkohet me zërat e të tjerëve. Sikur një krisje e vetme në një mur të bëhet, dalëngadalë krijohet çarje në të gjithë murin. Prandaj kjo e qarë është njëkohësisht personale dhe kolektive: nis nga një njeri, por gjen jehonë te të tjerët.

Në këtë kuptim, “e qara me bote” nuk duhet parë thjesht si një mënyrë për të qarë të vdekurin. Është një mënyrë për ta nxjerrë dhimbjen nga vetmia dhe për ta kthyer atë në një përvojë të përbashkët njerëzore.

2. Si nis “e qara me bote”?

E qara me bote bëhet kryesisht në raste vdekjesh të rënda: kur vdes babai ose nëna,

sidomos kur janë ende në moshë aktive për punë; djali, vajza, nusja, dhëndëri, motra, vëllai, kunata, kunati etj. Ajo kryhet kryesisht në shtëpinë e ksodhit.

Tole sjell një dëshmi të drejtpërdrejtë nga një vajtojcë e Gjirokastrës, e cila përshkruan edhe mënyrën se si nis dhe zhvillohet rituali: “...zënë qajnë atje ku është meiti..., qajnë e qajnë e qajnë, pastaj ngrihet një më këmbë... thotë, pushojeni të qarët me zë, edhe e merr ajo me bote...” (f. 29).

Ky pasazh është tepër i rëndësishëm, sepse na tregon praktikisht se si lind “e qara me bote”. Në fillim janë zërat e vajtimit, të përsëritur e të njëtrajtshëm. Pastaj, në një çast të caktuar, njëra prej grave ngrihet dhe e merr ajo me bote. Është sikur nga brenda atij zëri të përbashkët të dalë një zë tjetër, më i fuqishëm, që e merr mbi vete dhimbjen.

Këtë nuk e kemi njohur vetëm nga përshkrimet. E kemi përjetuar edhe në familjet tona, në raste vdekjesh të rënda. Pikërisht kur ndihet një farë lodhjeje te vajtoret dhe vaji nis të ulet apo të shtrihet në tonalitet, një grua shumë e afërt me të ndjerin e ngre zërin në një oktavë më të lartë duke “thirrur” disa vargje vajtimore. Pastaj e shoqëron njëra, ose dy të tjera, ndërsa pjesa tjetër e grave vazhdon ta mbajë vajin me rënkime vajtimore.

Kështu krijohet një lëvizje e veçantë e zërit: nga shumë zëra që vajtojnë së bashku, del një zë që ngrihet mbi të tjerët dhe i tërheq edhe ato pas vetes. Nuk është thjesht rritje e volumit. Është një ngritje e dhimbjes në zë.

Ka edhe raste të tjera. Në një vdekje të rëndë, në mes të ksodhit e të vajit, mund të vijë, për shembull, vajza e martuar në një fshat diku larg. Ajo e zë vajin qysh në të hyrë të fshatit. E shoqëron me gjeste vetëndëshkuese: çjerr faqet, shkul flokët. Sa më shumë afrohet te shtëpia, aq më shumë vaji i saj shndërrohet në ulërimë vajtimore. Një tekst i thjeshtë, si: “O i ziu babai im!” mund të jetë i gjithë ajo që i del nga goja.

Pastaj hyn në dhomën ku mbahet i ndjeri dhe lëshohet mbi trupin e tij me ulërima morti. Pikërisht në atë çast, jo vetëm ajo, por edhe gra të tjera e ngrenë tonalitetin e zërit vajtimor në kulm. Dhoma mbushet me zëra, por ata nuk janë të shpërndarë. Ka brenda tyre një lloj rendi të dhimbjes, një ngritje e njëra-tjetrës, një përgjigje e heshtur që nuk ka nevojë për fjalë.

Unë që i kam dëgjuar po ju them se nuk është një “kakofoni” zërash. Nuk janë ca “ulërima si të ujqërve”, siç i cilëson diku Hahni. Mendoj se ai ka bërë thjesht një krahasim të gabuar, duke dëgjuar tonalitetin e lartë e të pazakontë të këtyre zërave, por pa mundur të dëgjojë atë që ndodhte brenda tyre. Kjo thënie e tij është përdorur më pas edhe si një lloj arme kundër tezës së origjinës së isopolifonisë nga “e qara me bote”. Por unë nuk do të gëzohesha nga ky krahasim vetëm pse duket “i forte”dhe I bërë nga një persosnalitet.

Ne që e kemi përjetuar mortet nëpër  shtëpitë tona, nuk kemi ndjerë tek ai zë asnjë afërsi me ulërimën e ujqërve. Jemi dridhur trup e shpirt nga konotacioni i thellë i dhimbjes që ai mbart. Ulërima e ujkut është instinktive shtazore; “e qara me bote” është dhimbje njerëzore që bëhet zë. Prandaj, për mua, krahasimi i Hahnit nuk e rrëzon tezën e Toles. Përkundrazi, na shtyn të dallojmë tingullin nga kuptimi: njëri është ulërimë shtaze, tjetri është dhimbje që ka gjetur formën e vet të zërit.

Sepse, po ta dëgjosh nga afër, ajo që në pamje të parë mund të duket si rrëmujë zërash, apo ulërimë ujqish, ka një organizim të brendshëm. Ka një zë që ngrihet, të tjerë që e ndjek, një ritëm që mblidhet e shpërthen. Dhe mbi të gjitha ka një dhimbje që nuk po bërtet kot: ajo po kërkon të shndrohet në zë.

3. Vajtorja nuk është vetëm zë – në vajtim hyn edhe trupi

Imazhi i vajtores gjirokastrite që sjell Tole e bën të dukshme edhe anën trupore të ritualit. Vajtorja nuk qëndron e distancuar nga i vdekuri. Dhimbja nuk shprehet vetëm me fjalë e me zë, por e afron trupin drejt tij. Tole shënon: “...ajo ngrihet më këmbë i bije atija, të vdekurit sipër, edhe ia mollois të gjitha...” (f. 29).

Në fshatrat e Himarës, e qara me bote nuk është akti i vetëm një gruaje apo i një vajtoreje. Në të marrin pjesë disa gra, të cilat “i thonë” të ndjerit tekste ose fjalë të ndryshme, me zë të lartë vajtimor, por ky zë shoqërohet detyrimisht edhe me gjeste vetëndëshkuese. Shpesh duhet ndërhyrja e të pranishmëve për t'i shpëtuar vajtoret nga dëmtimi ekstrem, sidomos kur në kulmin e dhimbjes godasin me kokë muret e shtëpisë. Pra, trupi nuk është një shoqërues i vajtimit. Ai është brenda vetë vajtimit. Dhimbja që del nga goja vazhdon në duar, në gjoks, në fytyrë, në flokë, në gjithë lëvizjen e trupit.

E qara me bote është pjesë edhe e vajtimit të burrave. Qysh me ardhjen e lajmit në shtëpi dhe me sjelljen e trupit nga vendi i vdekjes, spitali apo vendi i aksidentit, ati, xhaxhai, vëllai e presin me të qarë me bote: vajtojnë tekstin vajtimor me zë të dhimbshëm, godasin gjoksin e fytyrën dhe hidhen mbi trupin e të ndjerit. Edhe të afërmit që vijnë në ksodh e zënë të qarët me bote afërsisht pesëdhjetë metra larg shtëpisë. Burrat e shtëpisë i presin te porta me të njëjtin vajtim. Kështu, vajtimi nis para se të hysh në shtëpi; sikur dhimbja të mos presë të hapet dera, por ta ketë kapërcyer atë shumë më herët.

Kulmin ky lloj vajtimi e arrin në çastin e varrimit, kur dhimbja arrin pikën e saj më të lartë. Për këtë arsye, porositen disa burra e gra me përvojë që të kujdesen për prindërit, vëllezërit e motrat e të ndjerit, sepse në atë çast dhimbja nuk është më vetëm për t'u shprehur; ajo duhet edhe të përballohet.

Prandaj themi se “e qara me bote” nuk është vetëm art i fjalës. Nuk është vetëm zëri që vajton të vdekurin. Është edhe art i gjestit, i lëvizjes, i trupit. Dhimbja artikulohet me zë, por trupi e vazhdon atë me mënyrën e vet: me goditjen e gjoksit, me çjerrjen e fytyrës, me shkuljen e flokëve, me rënien mbi trupin e të ndjerit. Zëri e thotë dhimbjen; trupi e përjeton.

4. Ka rregull edhe aty ku duket se ka vetëm shpërthim

Një nga risitë më befasuese që sjell Tole te të “të qarët me bote” është se, në pamje të parë, ajo duket si shpërthim i lirë i dhimbjes me zëra të paregullt. N ë fakt dhe aty ka një rregull të pashkruar: Zëri I parë ngrihet, një tjetër i përgjigjet, dikush qan, dikush thërret, fjalët lundrojnë mbi rënkimet. Gjithçka duket sikur del aty për aty, pa masë e pa rregull. Por, po ta dëgjosh më nga afër, brenda këtij shpërthimi ka një rend.

Vajtorja që e merr të qarin “me bote” nuk është thjesht gruaja që ngre zërin më shumë se të tjerat. Ajo merr përsipër fjalën që do vajtojë. Të tjerat e dëgjojnë, e mbajnë vajin, i përgjigjen me zërin e tyre. Kështu, pa u shpallur asnjëherë si rregull, ndërtohet një marrëdhënie ndërmjet zërit individual dhe zërit kolektiv. Njëra del përpara; të tjerat nuk mbeten pas. Ato bëhen shtrati mbi të cilin zëri i parë mund të ngrihet. Një shembull shumë i bukur është vajtimi për Riza Velçishtin që sjell Tole:

“Ku do ta bësh dimrin sivjet?”

“Medet, o Riza, medet!”

“Në Shqeri, përmbi Përmet.” (f. 29)

Në këto pak vargje ndodh më shumë sesa një pyetje dhe një përgjigje. I gjalli pyet, kori qan, i vdekuri përgjigjet. Vajtimi nis të marrë formën e një bisede ku njëri zë nuk mjafton më për të mbajtur gjithë dhimbjen.

Këtë pjesë rituali ne nuk e kemi njohur vetëm nga librat. E kemi dëgjuar edhe nëpër shtëpitë tona. Kam përjetuar një vajtim rrënqethës:

“Me kë do ma shkoç beharë

Xhan o shpirt, e shpirt o djalë

Pa motër e vëlla pranë.

Xhan o shpirt, e shpirt o djalë”

Nuk janë thjesht fjalë të thëna një të vdekuri dhe përgjigja e tij. Në to ndihet boshllëku që ka lënë pas. “Me kë do ma shkoç beharë?” është pyetje, por brenda saj është edhe e gjithë vera që nuk do të jetë më ajo që ishte. Dhe pas pyetjes vjen përgjigjja “Pa motër e vëlla pranë”, pastaj prapë zëri i parë, pastaj heshtja që i lë vend vajit.

Ose edhe ky shembull tjetër:“Ku ke rënë, o trëndelinë? /Pse s’kujton mua të zinë? /Të kujtoj e qaj me lot /Po jam thellë e s’ngrihem dot.” është një dialog djalë–vajzë e vdekur. Ne e kemi dëgjuar si kënga e Dilisë, por ajo ka lindur si vaj. Dhe ndoshta këtu qëndron një nga gjurmët më të bukura të shndërrimit të vajtimit në këngë: ajo që dikur ishte fjalë e drejtuar të vdekurit, me kohë mund të bëhet tekst; ajo që ishte përgjigje e një zëri tjetër, mund të bëhet marrëdhënie zërash. Por ajo që vjen si risi e veçantë në tekstin për Riza Velçishtin është se Tole nuk sheh vetëm fjalët. Ai gjen edhe “rolet”: pyet korifeu, qan me zë isoja masive, ndërsa përgjigjet vetë Rizai, nga vendi ku ishte vrarë (f. 29). Pra, kemi një ndarje funksionesh brenda vetë vajtimit.

Të njëjtin pozicion mund ta shohim edhe te vaji tjetër. Një zë pyet, zërat e tjerë e mbajnë dhimbjen, ndërsa i vdekuri, nëpërmjet fjalës së vajtores, sikur rikthehet për të dhënë përgjigjen e tij. Këtu rituali vajtimor bëhet pothuajse një dramë e vogël. Ka personazhe, ka role, ka thirrje e përgjigje. Njëri pyet. Kori përgjigjet me vaj. I vdekuri përgjigjet nga bota tjetër.

Por ajo që vjen si risi e veçantë në tekstin për Riza Velçishtin është se Tole nuk sheh vetëm fjalët. Ai gjen edhe “rolet”: pyet korifeu, qan me zë isoja masive, ndërsa përgjigjet vetë Rizai, nga vendi ku ishte vrarë (f. 29). Pra, brenda vetë vajtimit ka një ndarje funksionesh, edhe pse askush nuk i ka caktuar ato.

Njëri pyet, kori qan, i vdekuri përgjigjet përmes fjalëve të vajtores. Vajtimi nis kështu të marrë formën e një bisede, një dialogu të dhimbshëm ku secili zë ka vendin e vet. Dhe kur pas vajit fillon të dëgjosh edhe zërat, e kupton se ajo që dukej si shpërthim nuk është pa formë. Brenda dhimbjes ka një rend të çuditshëm: njëri pyet, një tjetër përgjigjet, të tjerët e mbajnë. Dhimbja, pa e ditur, po bëhet këngë.

5. Kolektiviteti është zemra e “të qarës me bote

Nëse do të duhej të veçoja një tipar që e përcakton më shumë se çdo tjetër dukurinë e të qarit me bote, ai do të ishte kolektiviteti. Tole thotë se “e qara me bote” ruan në strukturën e saj bërthamën e ndërtimit iso-polifonik, pra shumë zëra të lidhur ngushtë me ison, një “ngashërim masiv” të pjesëmarrësve. (f. 23–24) Dëshmia e Musine Kokalarit që sjell autori e bën këtë kolektivitet të prekshëm: “...s’mbeti njeri pa psherëtitur, e pa bërë ëh... ëh... Moj të thom kulloi odaja, xhur na venin lotët së gjithave.” (f. 24) Këtu ndodh diçka: oda duket sikur qan. Dhimbja e një gruaje përhapet te të gjitha gratë e pranishme, derisa nuk mund të dallosh më qartë lotin e njërës nga loti i tjetrës. Kjo është një skenë e zakonëshme nëpër mortet në krahinën e Himarës, asnjëherë nënat nuk vajtojnë vetëm. Qysh në mëngjës porsa zbardh dita, nëna e të ndjerit (flasim për një mort të një djali, që bëhet në shtëpinë e tij) nuk është vetëm me të ndjerrin në odë. Aty e kaluan natën dhe disa gra të afërme ose fqinja që e kanë shoqëruar nënën gjatë natës, ashstu si dhe disa burra në odën e burrave.  Kur dielli prek majat e maleve, nëna nis e lëkund trupin sikur ka humbur ekuilibrin dhe ja nis vajit. Gratë e tjera lëkunden dhe ato dhe e shoqërojnë vajtoren me rrënkime një zanorëshe të tipit: “-i-i”, ose  ëëë, ëhë, ëhë, uuuu ... ose me shprehje të njohura si : “I ziu djalë”, e gjora vajzë etj”. Në fakt në këtë moment dhimbja individuale shndrohet në kulturë kolektive. Befas vjen një moment që duket sikur vaji I nënës do këputet nga pesha e dhimbjes, aty ndërhyn menjëherë një grua e pranishme dhe e kthen vajin në gjëndjen apo nivelin e parë. Më pas një grua tjetër, si duke marrë zvarrë një copëz vajtimi e hedh zërin në një kuotë të epërme me tonalitet të fortë vajtimor, thua se i bërtet Zotit për vdekjen që ka prurë, dhe pak më pas e ul në detin e rënkimeve me formë “uhuu, uhu,uuu o djalëëëë…”. Kush e ka parë grupin e grave vajtimore sigurisht ka vërejtur që asnjera nuk “rri” si spektatore, por të gjitha janë pjesmarëse në vajtim, kush me zë të lartë e kush me rrënkime.

Ky kolektivitet dëshmon edhe nderimin që i bëhet të vdekurit shqiptar përmes një ceremonie të tërë rituale. Në faqen 37, Tole sjell një pasazh nga Lukiani, ku përshkruhen mënyrat e ndryshme me të cilat popujt e lashtë përcillnin të vdekurit e tyre: “greku e djeg, persiani e kall në dhe, indiani e mbulon me një tis të tejdukshëm, skiti e ha dhe egjiptiani e than etj.” (Lukiani, Vepra të zgjedhura, Tiranë, 1979, f. 227).

Por, përtej këtyre mënyrave të ndryshme të ndarjes nga i vdekuri, tek shqiptari duket sikur vetë ndarja është kthyer në një ceremoni të përbashkët zëri. I vdekuri nuk përcillet vetëm drejt varrit; ai shoqërohet nga e qara me botë, e cila nis si një zë i largët dhe, sa afrohet kortezhi, bëhet një lloj asambli mortor. Pastaj hyn dialogu i vajtimit, me pyetjet, përgjigjet, thirrjet dhe kujtimet e tij, derisa e gjithë skena merr përmasat e një tragjedie të kënduar.

Dhe këtu lind një pyetje që vështirë të mos të ndalet në mendje: a ka pasur, në ndonjë popull tjetër të kohëve të lashta, një mënyrë të tillë kolektive për ta përcjellë të vdekurin? A përcillej një mbret, një princ apo një njeri i zakonshëm me një ceremonial ku dhimbja e njërit bëhej zë i të gjithëve dhe ku vdekja kthehej në këngë?

Ndoshta pikërisht këtu duhet kërkuar një nga ato gjurmët e largëta që nuk kanë mbetur në gurë, por në zë. Sepse shqiptari, në vend që ta linte të vdekurin vetëm përballë heshtjes së varrit, e shoqëroi deri atje me zërin e të gjallëve. Madje edhe pas vdekjes.

6.Nga e “qara me bote” tek iso-ja

Më sipër thamë se nënat shqiptare nuk vajtojnë asnjëherë vetëm. Qysh në orët e para të mëngjesit, me lindjen e diellit, nis edhe vajtimi me grupin e grave. Njëra zë vajin, të tjerat hyjnë në të me rënkime, tinguj e gjeste. Zëri i njërës nuk mbetet më i vetëm. Rreth tij mblidhen zërat e të tjerave dhe, pa u marrë vesh se ku mbaron njëri e ku nis tjetri, dhimbja bëhet zë i përbashkët. Është pikërisht këtu ku duhet të ndalemi, sepse ajo që po ndodh nuk është vetëm bashkimi i disa zërave. Është edhe një mënyrë e caktuar e mbështetjes së një zëri mbi zërat e tjerë.

E kam ndjekur me interes këtë dukuri nëpër mortet e shumta ku kam marrë pjesë, shpesh edhe si i dërguar në emër të familjes nga im atë. Prandaj kjo mënyrë e të qarit nuk më vjen vetëm si përshkrim i një rituali të vjetër. E kam dëgjuar. E kam parë nga afër. Dhe pikërisht në këtë përvojë bëhet më e kuptueshme ajo që thotë Tole se “e qara me bote” ruan “bërthamën, modusin iso-polifonik të ndërtimit”, me shumë zëra të lidhur ngushtë me ison (f. 23–24).

Çfarë ndodh me këta zëra? Njëra grua mban fillin e vajit, ndërsa gratë e tjera nuk kanë nevojë të sjellin secila një tjetër rrëfim. Rënkimet e tyre, zanoret e zgjatura, thirrjet e shkurtra, fjalët që përsëriten, krijojnë një shtresë tingullore të përbashkët. Ato nuk janë në plan të parë, por as nuk janë në sfondin e zakonshëm. Mbi to nis dhe ecën vajtimi. Janë si trualli mbi të cilin mbështetet zëri i vajtores; si një det ku lundron e qara me bote. Pa këtë hapësirë të përbashkët tingullore, zëri i njërës do të mbetej zë i vetëm.

Këtu bëhet më e prekshme edhe lidhja me ison. Isoja nuk është thjesht një zë tjetër që i shtohet këngës. Ajo krijon bazën mbi të cilën mund të ecë zëri që prin. Në “të qarën me bote”, rënkimet dhe zanoret e grave të tjera kryejnë, në mënyrën e tyre rituale e vajtuese, një funksion të ngjashëm: mbajnë, rrethojnë dhe i japin vazhdimësi zërit të vajtores. E qara nuk ecën në boshllëk; ajo ecën mbi një shtrat zërash.

Më sipër përmendëm të qarën që “ia bëjnë të gjitha i-i-i”, ose ëëë, ëhë, ëhë, uuuu... Në këta tinguj fjala fillon të tretet dhe mbetet ajo që nuk ka më nevojë për fjalë: dhimbja. Kur dalin nga shumë gra njëherësh, ata bëhen një prani e vazhdueshme tingullore, një mbështetje kolektive ku zëri i vajtores mund të ngrihet, të zgjatet e të rrëfejë dhimbjen e saj.

Natyrisht, nuk duhet të themi se çdo rënkim i grave në vajtim është iso në kuptimin muzikor të plotë të fjalës. Por nuk mund të mos vërejmë funksionin që këta zëra marrin në tërësinë e vajtimit: ata e mbajnë të qarën me bote. Nuk e udhëheqin rrëfimin, por i japin atij truallin ku mund të zhvillohet. Njëra qan, të tjerat i mbajnë të qarën.

Ndoshta pikërisht këtu duhet kërkuar ajo “bërthamë” për të cilën flet Tole. Jo te një formë e përfunduar e iso-polifonisë, por te një parim shumë më i hershëm: një zë që del përpara dhe një bashkësi zërash që e mban. Nga fjala te tingulli, nga zëri individual te zëri i përbashkët, nga vajtorja te gratë që e rrethojnë — aty nis të duket ajo mënyrë e ndërtimit ku një zë nuk qëndron më vetëm.

Në këtë kuptim, “e qara me bote” nuk është thjesht një mënyrë për ta qarë të vdekurin. Në të mund të dëgjohet një kujtim i hershëm i mënyrës se si zëri i njeriut ka mësuar të mos mbetet vetëm: një zë që qan dhe shumë zëra që i bëhen truall, shtrat e mbështetje. Sepse ndonjëherë, për të kuptuar se si lind një këngë, duhet të dëgjosh më parë atë që e mban këngën në këmbë.

7. Kur e qara u bë këngë.

Siç po shohim, po përballemi me elemente të këngës shumëzërëshe, të formatuara në të qarën me bote. Atëherë lind një pyetje thelbësore: nëse ngremë hipotezën se kënga shumëzërëshe, iso-polifonike, e ka origjinën te ritet mortore dhe kryesisht te “e qara me bote”, a ka ardhur në këngën e sotme iso-polifonike, shumëzërëshe, ndonjë element thelbësor I kësaj  të qare me bote?

Sigurisht, koha është e gjatë që nga nisja e të qarës me bote gjer te kënga e sotme. Për këtë arsye mund të justifikohej gjetja vetëm e gjurmëve të elementeve arkaike. Por, çuditërisht, te kënga e sotme iso-polifonike, shumëzërëshe, ekzistojnë jo vetëm gjurmë, por elemente të plota të të qarës me bote në stadin e saj më të hershëm.

Më së pari është zëri “iso”. Ajo bashkësi e rënkimeve të grave, të mbledhura te grupi i vajtimit, nga të cilat nis vajtimi me tekst dhe ulet gjithë vajtimi kur mbaron. Është një zë i patemperuar, një zë arkaik dhe, sidomos, një zë kolektiv.

Në qoftë se zërat e marrësit, hedhësit dhe kthyesit janë zëra solo, isoja është i vetmi zë kolektiv. Ajo, figurativisht, i jep këngës lejen për të vazhduar. Kur isoja ndalet, ndalet edhe kënga. Në të qarën me bote, njëra vajton, por rreth saj janë zërat e grave të tjera. Ato mund të jenë rënkime, zanore, thirrje të shkurtra, tinguj që nuk mbajnë domosdoshmërisht një tekst të zhvilluar. Por ato janë aty. Janë trualli ku ecën vajtimi. Vajtimi ngrihet mbi to dhe, kur ato pushojnë, pushon edhe ai.

Në këtë kuptim, isoja e këngës së sotme më kujton pikërisht këtë shtresë të hershme të zërit kolektiv. Nuk po them se rënkimet e grave janë vetë isoja në kuptimin e plotë muzikor të saj. Por funksioni i tyre brenda strukturës së të qarës me bote na çon drejt një ngjashmërie që vështirë të mos vërehet. Njëra qan. Të tjerat i mbajnë të qarën.

Edhe zëri i hedhësit duket se ruan diçka nga kjo botë e hershme. Ai është zëri i asaj vajtores që, duke marrë me vete një pjesëz vajtimi, e ngre tonalitetin në nivelin më të lartë dhe më pas e ul përsëri në nivelin e rënkimeve. Kështu, ajo merr formën dhe funksionet e direkut kryesor, që mban ekuilibrin e anijes në det.

Edhe sot zëri i hedhësit është i tonalitetit të lartë, kryesisht në këngën himariote e pilurjote. Veçse sot është jashtëzakonisht muzikor, aq sa fiton gjithmonë duartrokitjet e dëgjuesve dhe mahnitjen e tyre. Në këtë lëvizje të zërit, nga baza drejt  lartësisë dhe përsëri në bazë, të vjen ndër mend ajo vajtorja që del për një çast mbi rënkimet e grupit, merr mbi vete një pjesë të dhimbjes dhe pastaj kthehet sërish te shtresa kolektive e zërit.

Më sipër folëm për krijimin e zërave të veçantë të “të qarës me bote”. Kjo prurje është një risi e Vaso Toles. Për këto zëra kam folur edhe në librin tim Origjina e këngës iso-polifonike, Tiranë, 2023, ASD-Studio, si dhe në libra e shkrime më të hershme. Por ajo që dua të theksoj këtu është se edhe sot grupi iso-polifonik përbëhet nga marrësi, kthyesi, hedhësi dhe grupi i iso-s. Pra, kemi një formatim të ngjashëm me atë që gjejmë te “e qara me bote”: zëra të veçantë që dalin nga grupi dhe një zë kolektiv që i mban e i bashkon. Nëse kjo lidhje nuk është ende një provë përfundimtare e prejardhjes, ajo mbetet një gjurmë strukturore që nuk mund të anashkalohet.

Por këtu ka edhe diçka më të thellë. Kënga jonë iso-polifonike nuk ka lindur si vepër apo krijim artistik i ndërgjegjshëm për rolin e vet estetik e zbukurues në jetë. Ajo ka lindur nga nevoja e jetës. Nga nevoja për ta zbutur dhimbjen, për ta ndarë atë me të tjerët, për të mos e lënë vetëm zërin e dhimbjes. Ndoshta pikërisht këtu duhet kërkuar kuptimi i asaj që ndodhi në këtë rrugëtim: dhimbja e njërit u bë zë i të gjithëve dhe, dalëngadalë, zëri gjeti formën e këngës.

Dhe ndoshta këtu qëndron edhe një nga shpjegimet më të bukura të shndërrimit të “të qarës me bote” në këngën iso-polifonike. Ajo që dikur ishte zë i dhimbjes u bë zë i artit, pa e humbur kujtesën e dhimbjes prej nga kishte ardhur. Ashtu si Krishti e shndërroi ujin në verë, edhe populli ynë, në kohën e gjatë të kujtesës së vet, duket sikur e shndërroi vajin në këngë.

 

Sarandë, gusht-shtator 2026