Thursday, 28 November 2019

PËRSËRI ERDHI MARSI


PËRSËRI ERDHI MARSI

Shënime gjatë leximit të romanit…



Ndërsa  përjetoja në lexim  metaforën e fuqishme të romanit “Përsëri Mars” të shkrimtares Albina Idrizi, m’u kujtua shënimi i Akademikut Rexhep Qosja te romani i saj i mëparshëm  “Për një mëngjes ndryshe” ku shkruan…Lexojeni këtë roman: do t’ju përvetësojë me ngjarjen shumë përshtypjebërëse, me ligjërimin mjeshtëror dhe me bukurinë e shprehjes artistike. Mjaftueshëm që të dëshironi roman të ri prej Albina Idrizit…
     1- Nuk e di pse ndërsa po lexoja romanin e ri  “Përsëri Mars” të kësaj autoreje më dukej se nisa të dialogoj me profesorin e nderuar, ose më saktë, nisa të pohoj konstatimin e bërë prej tij te romani i mëparshëm por adresuar romanit të ri. Ka diçka përtej këtij konstatimi ky roman, gati në të gjithë strukturën e tij. Ka një subjekt më shumë se përshtypjebërës, ka një ligjërim dhe një bukuri të shprehjes artistike që e kalon bukurinë e shumë romaneve të cilësuar “të suksesshëm”, ka një frazë sa të bukur në ndërtim sa edhe muzikore në ndijim. Të tillë frazë që të ndjell të lexosh më tejë, jo aq për të parë ecurinë e subjektit se sa për të shijuar edhe më larminë e saj. Ashtu siç  prêt që të dëgjosh këngën pasardhëse të një grup iso-polifonik pasi je mrekulluar nga kënga e parë. Ka ca personazhe që të duket se i ke njohur dhe je takuar me ta diku. Aq të gjallë janë. Ka një jetë, që ndryshe nga çdo vend i botës jetohet në varreza. Madje, edhe po të dëshirosh të blesh libra për të lexuar, duhet të shkosh në varreza për ti blerë. Për sa ju them, ndokush do mendojë se bëhet fjalë për një roman absurd, por unë ju siguroj se është një roman realist, madje kushdo mund të identifikojë edhe qytetin ku zhvillohet ngjarja në vitet e para pas luftës së fundit. Dhe jo vetëm në Kosovë. Një roman i shkruar me frymëzim e art që më së shumti ka qasje me një prozë poetike.
        2- Kishte të drejtë Rexhep Qosja! Ne e dëshironim një roman të ri nga Albina Idrizi. Por
puna është se ne dëshironim një roman   ta lexonim qetësisht, duke admiruar bukurinë e ligjërimit të autores, që para syve tanë të pasqyronte  shumllojshmëri ngjyrash dhe nëpër veshë të na emetonte heshtazi një melodi violine. Si e Paganinit.
    Ndërkohë, Albina na dha një roman, i cili qysh në faqet e para  na bëri të hidheshim përpjetë, sikur të ishim ulur mbi gjëmba. Ligjërimi i  romanit jo vetëm që mbart bukurinë e dëshiruar dhe muzikalitetin e ëndëruar, por në tejkalim me romanin e mëparshëm mbart një strukturë solide dhe estetike të fjalive që  lidhen me njera tjetrën, si për nga mënyra e formulimit frazeologjik ashtu dhe në atë kuptimor. Shto mbi këtë  si një qershi mbi tortë, edhe një rritje guximi të autores  për të depërtuar  në thellësi të shpirtit njerëzor apo për të formuluar pasazhe e skena edhe për tema të quajtura tabu. Vërtet që ke dëshirë ti rilexosh pjesë të këtij romani, si për të shijuar edhe njëherë artin dhe stilin e të shkruarit, mënyrën e hartimit të frazave e fjalive të ligjërimi apo zhvillimin befasues të ngjarjeve.
Ato janë aty, në pritjen tënde, të të marin përdore  nëpër faqet e romanit, si prindërit që marin përdore fëmijët e vegjël për një vizitë në  kopështin zoologjik. Dhe ty, si një fëmijë i mahnitur , të shkëlqejnë sytë e të mprehet vëmëndja, kur has nëpër kapituj pasazhe e ndodhi befasuese, si kafshë të panjohura  në kopështin zoologjik, të cilat as që e dije se egzistojnë. Kureshtja rritet e rritet dhe nuk ndalesh së ecuri, sepse ky roman është plot të papritura e të panjohura, që nga mendimet  e gjer te qyteti i varreve  Gëzimi e njohu vështrimin e dikurshëm të shokut të klasës, Vështrim që luste e përgjëronte nën shkëndijat e sipërfaqëshme false të guximit …fq 56 Lida e lidhte natyrën e drojtur të së jëmës me të kaluarën e saj të cilës nuk kishte mundur tia gjente portën asnjëherë…fq 118.,  Çasti kur ndjen dhe ke gjithçka, sepse je gjithçka. Asgjë nuk të duhet.Asgjë nuk të mungon. Ishte zona ku të gjitha fizikat, të gjitha materiet, të gjitha njehësimet dilnin nga përdorimi. Edhe sytë , edhe veshët, edhe gjuha. Sepse nuk ishin fjalët ato që kapnin dhe përshkruanin atë që ndjehej. Ishte heshtja. Fq 211 etj, etj.
          3-Por nuk është vetëm këtu shkaku i “tronditjes” sonë në leximin e këtij romani. Personazhet plot mister në jetën dhe karierën e tyre  janë tepër të tejdukshëm në penën e Albina Idrizit, madje mund të themi se në këtë roman Albina është “specializuar” në pikturimin e portreteve të personazheve. Shpesh këtë e bën nëpërmjet gjesteve e veprimeve të tyre. Qysh në fjalimet e para të Agimit në kandidimin e tij për kryetar komune, qysh në mënyrën e prezantimit të Gëzimit në tubimet zgjedhore, me fjalë që më së shumti synonin të tregonin kinse bujarinë e tij ndaj jetimëve të luftës së fundit…Pse kështu more djalë? Apo nuk të kam afruar kushtet dhe mundësitë për të qënë më i miri?  Fq 20 ose..”Ja ku është pasqyra e zemërbardhësisë së kryetarit tonë të ardhshëm. Këtu tek fëmija që shikoni para jush”…fq 21, njihemi me një njeri me shpirt të boshatisur, si një shishe e pambushur. Është ky njeri që pretendon të jetë i parë i qytetit, që synon të martohet me një vajzë pse ajo është e bukur dhe e arsimuar dhe jo pse e dashuron, dhe mqse nuk e dashuron, nuk di as si ti propozojë, ndaj i kërkon Gëzimit ti shkruajë një letër dashurie me emrin e tij si autor… Letra pati sukses të përkohshëm, i dhuroi Agimit një fundjavë të bukur pasuar nga një braktisje e përherëshme. Dhe fundi i këtij njeriu  bosh është  një ikje nëpër vakum. Synimi i vetëm dhe i  mbetur në jetën e tij ishte që të kishte varrin më të mirë se kundërshtari i tij politik, kryetari aktual i Komunës dhe meqënëse ky e kishte përfunduar varrin e tij, e vetmja mënyrë që ai të varrosej te varri i lakmuar, pse ai ishte në vendin më dominues të varrezave, ishte që ai të vriste veten dhe të linte amanet për vendvarrimin, mqse ai vdiq i pari...
         3.1- Përgjithësisht Albina Idrizi skicon mjaftueshëm portretin fizik të pesonazhit, por ndërkohë paraqet bindshëm botën shpirtërore të tij, çka e bën personazhin aktual dhe të pranishëm  në seancën e leximit. Përgjithësisht në letërsi portreti fizik i personazhit shumë rrallë është faktor letrar. Këtë mision e luan  portreti shpirtëror  i cili vë në lëvizje procesin letrar.  Këtë  Albina Idrizi di ta krijojë mjeshtërisht me pak reshta, shpesh me pak fjalë, por këto fjalë duket sikur vallzojnë kur Albina skicon portretet. Gëzimi, jetimi i pagëzuar me epitetin “birbo” por që u sillte veç gëzime ne jetë njerëzve është një njeri fjalëpakë, madje është personi që flet më pak ndonëse është personazhi kryesor dhe më aktiv në roman.  Në portretin e Lidës ai u bind se e bukura ishte gjethkë, larg tipareve…Ishte diku më thellë. Brenda tyre…Vetëm ajo (dashuria) mund të depërtonte aq thellë dhe ta ndiente… fq 101. Për të njohur Metin, na mjaftojnë disa rreshta që flasin për gdhëndjen e fluturave te mermeri i varrit të së bijës, përshkrim që  na bën ti njomim me lotë krahët e tyre.  Na mjafton një fjali e Dulit me atë bëlbëzimin e tij karakteristik, për ta njohur këtë njeri të punës jo vetëm fizikisht. Na mjaftojnë pak radhë për të njohur Lidën, Limin, Difen apo Fatën, se Zarifen e njohëm në sallën e konferencave pa folur fare.
             4-  Natyrshëm  gjatë leximit të këtij romani mu kujtua “Shpirtërat e vdekur”  të Gogolit
dhe “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” të Kadaresë, i pari për lojën e Çiçikovit me emrat e të vdekurve, që  vetëm sa i regjistronte  emrat e tyre, për ti deklaruar si bujkrobër të tij dhe i dyti  që solli një general e një prift për t’u nxjerrë ushtarëve të vrarë eshtrat nga varret e për ti kthyer në Itali nëpër arkivolë të vegjël..
          5- Albina Idrizi jo vetëm që I qaset kësaj teme por e shpie në skajshmëri, ndryshe nga dy mjeshtrat e mëdhënj të letërsisë ruse dhe shqiptare, dhe  gati në të njëjtin nivel artistik me ‘ta, e  trasferon jetën në kreshtën e varreve. Nuk gabohem kur them “gati në të njëjtin nivel artistik”. Po të lëmë mënjanë modestinë tonë dhe të autores dhe të analizojmë vlerat artistike, ju siguroj unë se një vlerësim më të lartë meritor do shprehim për autoren. Shpresoj në vëmëndjen dhe durimin tuaj për të më dëgjuar...
         …Qyteti po braktiset. Jo vetëm që ka ndryshuar qasja e tyre ndaj krastës së varreve, por ka ndryshuar edhe botkuptimi i tyre ndaj jetës. Askush nuk duket duke ndërtuar apo rinovuar shtëpi….madje as shitoreve të veshmbathjeve nuk shiheshin turma si dikur. Sallonet estetike kurrë nuk kanë qënë më të zbrazura dhe sheshi asnjëherë nuk është dukur më i qetë e më i                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                          trishtuar se këtë muaj…fq 164. Të gjithë  nxitojnë të blejnë tokë për varre… pesëqind euro…Duhet të jenë mjaftë apo jo? fq 68 , madje këtë e synojnë si qëllimin më kardinal të jetës dhe e quajnë sukses kur ja mbrijnë  Ah, për pak të haroj…Kam marrë një vendvarri për ne të dy në krastën e tij ….fq 92 dhe gëzohen si fëmijët me lodra, kur  e blejnë tokën e varrit në vend të mirë … Oh, vetëm ta shohësh…. ku është? Pikërisht mes varrit të profesorit të letërsisë dhe atij që mban atë portalin e njohur… fq 93  I kam angazhuar puntorët menjëherë. … fq 93.  Çuditërisht edhe këtu krijohet një hierarki vendvarimesh…Ata më të kamurit dhe më të ngriturit…, kishin rezervuar menjëherë pas kryetarit vendet dhe…kishin filluar punimet e varreve…fq 111 .Radhët e mëposhtëme u ishin lënë qytetarëve të rëndomtë kurse…rendi i fundit…ishte për të skamurit, për të papunët, lypësit…fq 112.  Qyteti është boshatisur dhe jeta zhvillohet në varreza, ku dëgjohej…zëri i hollë … i shitësit të petullave që endej me tepsinë e mbushur mbi kokë përgjatë kanalit: Petulla të ngrohta. Petulla të ngrohta…, Pa shitësin e librave me tezgën e tij lëvizëse dhe iu afrua. Edhe ti këtu? Sigurisht miku im. Sheshi është zbrazzur I gjithi. Kujt tja shes aty. fq 112. Madje janë ngritur dhe kioskat e para ku njerëzit gjerbnin kafe apo çaj.  
         Aty pranë janë edhe varret e të rrënëve për liri, ngushtuar në parcelën e tyre nga varret e njerëzve që me boshësinë e tyre pompoze, pretendojnë madhështi fizike pas vdekjes, si për të kompesuar këtë boshësi gjatë jetës… u ndal… pikërisht përballë varrezave të dëshmorëve të cilët, midis asaj katrahure që i rrethonte, qenë tulatur brenda modestisë të cilën ajo nuk e vuri në dyshim se i kishte shoqëruar në gjallje të tyre…fq 153 ndërkohë që më sipër …varri i kryetarit kishte përfunduar. I madhe dhe i bukur si një mauzole perandori. fq 112.
Përgjithësisht njerëzit kanë filluar të  ndërtojnë varre për të dashurit e tyre të ndjerë, duke shprehur në këtë mënyrë dashurinë e respektin ndaj tyre, shpesh herë shprehin një ndjenjë  ndjese dhe pendimi për mungesat që nuk ua plotësuan dot në jetë dhe po e kompesojnë tani me  ndërtimin pompoz të banesës së fundit. Shpesh edhe për një dukje niveli të lartë fiktiv të mirëqënies në të gjallë. Arsyet janë të ndryshme por asnjë nuk e kënaq  personin të cilit i kushtohet ky pompozitet. Sepse gjithmon varrin e ndërtojnë ata që mbeten mbi dhe për atë që ikën nga kjo jetë.
           Por te romani “Përsëri mars” varret njerëzit i ndërtojnë qysh në gjallje të tyre, secili për vete dhe po vetë u japin dhe formën që dëshirojnë, formë që u përjetëson ëndrat e parealizuara në jetë,  materializuar në objektimn më të pamenduar që njeriu mund të ndërtojë për vete, varrin e tij. Dikush që në rini pati ëndëruar të bëhej kitarist, e bën varrin në formën e një kitare. Dhe na tregon…Mos shiko rradhët e sipërme. Po çmënden të mëdhenjtë së treguari madhështinë e tyre…E sheh atë varrin në formë tulipani? Duhet të jetë i dikujt që i do tulipanët. Aq i është dashur për lumturinë e tij….e dallon atje pas tij varrin si top basketbolli. Po atë varrin ….si libër i hapur?...Tjetrin afër tij në formë peme me dy zogj në majë?...Në vend që të kënaqemi me atë që duam ndërtohen rrokaqiej e grumbullohet pasuri, grindje e ndërskamca që komplikojnë jetën…pa nevojë… fq 179
         6-Njerëzit janë qënie shoqërore që duan ta jetojnë jetën në nivele të caktuara mirëqënie materiale e shpirtërore dhe që mosrealizimi, mungesa apo pengesa në sigurimin e tyre prodhon forma të ndryshme revolte. Albina na paraqet një revoltë të heshtur, braktisjen e një forme të jetuari, braktisje që mjeshtërisht artistikisht e sos në dëshirën të materializuar në varre.
       6.1- Ama të  ndërtosh varrin tënd për së gjalli është më shumë se rrënqethëse, edhe ta
mendosh. Ndërsa ta shohësh të përfunduar, duke të pritur si një gojë lubie e hapur, për njerëzit normal është më se makabre. Por personazhet e romanit kanë një këndvështrim tjetër. Sipas tyre, varret janë një vend i përshtatshëm për të …fjetur…sidomos kur të nxjerr gruaja nga shtëpia…   Po flija. Është varri im ky. Të pëlqen? Ditën duket akoma më i bukur. Fq 176 , Fata na tregon se duke u vetvrarë me ilaçe brenda varrit të përfunduar dhe aq shumë të dëshiruar nga Limi, është një formë hakmarjeje ndaj shfrytëzimit të tij. Ndërsa Agimi pretendon që të përfitojë varrin e kundërshtarit të tij  duke vdekur më parë se ai, prandaj vret veten.
         6.2-Është një jetë plot paradokse, ku rrugët e mundimëshme të jetës, shtruar me dhimbjen njerëzore, veprimet dhe dëshirat e njerëzve, ngjajnë me labirinthe të cilëve nuk u gjëndet shtegdalja. Por janë të bukur këto labirinthe. Dhe këtë bukuri e ka dhënë autorja në një mënyrë që të mos e lëshosh librin nga dora, duke të mbajtur në ankth për sa lexon e me dëshirë e shpresë për një shtegdalje në një lëndinë të bukur ku…do ndërtojmë shtëpinë tonë. Do ndërtojmë jetë… fq 217. Dhe vetëm në fund të romanit kujtohemi që jemi në muajin mars, muaj kur gjithëçka rilind, që “pavarësisht gëzofit të ngjarjeve me të cilën e vesh koha jetën, ai vjen gjithmon i njëjtë, ripërtëritës”.  Ashtu siç vjen talenti i Albina Idrizit gjithnjë në rritje, gjithnjë e më  fin, me një stil dhe elegancë  që të imponon ta lexosh e ta riliexosh më se një herë, duke të dhënë gjithmon një kënaqsi estetike në rritje   
Dhe më pas, duke dëshiruar prej saj një libër tjetër të ri.


Sarandë, më 04.11.2019                 

Sunday, 11 August 2019

Për ju që s’më deshët…


                Për ju që s’më deshët…


Për ju që s’më deshët…
po mbjell  një ulli në breg të detit
që t’ju spërkatë me të gjelbër akullsinë e shikimit,
të pagëzoni zjarrin e vatrave me gjethet e tij
dhe me filizat e  njomë,
 t’u kurorëzoni ballin
                                   ditëve që do vijnë.
.

Fjalët tuaja,
         jehojnë si  goditje  çekiçi.

Ju ëndëroni të më kryqëzoni
ndërsa unë ju lutem,
               me dru ulliri  të ma bëni kryqin.


… po mbjell një ulli në jetën tuaj
ndonëse nga ju kam hequr të zitë e ullirit.

Cili është "gabimi" yt?



                                                         Cili është "gabimi" yt?

                             Shënime për poezinë e Petrit Rukës “U stis vashëza nga varri”
               

            1- Përsëri Petrit Ruka ringjalli  një baladë tjetër shqiptare dhe e solli mes nesh. Në fakt duhet të pranojmë që Petrit Ruka është mjeshtër i pashoq në ringjalljen e baladave shqiptare,  madje deri në atë shkallë sa të krijohet përshtypja që, në një jetë tjetër, në një kohë tjetër,  balada  ka qenë pikërisht poezia e shkruar nga Petrit Ruka, e cila, me kalimin e kohës na ka ardhur e cunguar në variantin që njohim ne në folkloristikë. Të duhet një farë kohe meditimi të orientohesh mes baladës origjinale dhe poezisë të Petrit Rukës për të kuptuar se kush është e para. Kaq besnikërisht është përshtatur balada në poezinë e Petritit. Madje duke e parë me vëmendje “kostumin” e personazhit  në poezinë e Petrit Rukës, sheh edhe grimcat dhe shtresat e pluhurit të shekujve dhe epokave, të cilat  i pandeh stilizime qëndismash të veshjeve. Përtej kënaqësisë estetike që të jep kjo “besnikëri”, e derdhur mjeshtërisht në vargje poetike të Petrit Rukës, kjo mbart në vetvete  edhe fillesat e një “gabimi”, të cilën studiuesit tanë e kanë kaluar në heshtje duke e lënë në haresë, gjer në atë pikë, sa që ky gabim është parë si pjesë organike e baladës. Është njësojë si të nxjerrësh vajzën apo mbesën nuse veshur me kostumin popullor, me të cilën ka nusëruar edhe gjyshja jote, por ndërkohë të “harosh” ta shkundësh” pluhurin që ka zënë moteve, e palosur në sënduq. Vetkuptohet që kostumi popullor është ku e ku më i bukur se velloja moderne, por ai detyrimisht duhet shkundur, larë dhe hekurosur para se të vishet. Por ne le ta shohim  më hollësisht këtë problem.
            2-Trungu i poezisë “U stis vashëza nga varri” është pjesa e dytë e baladës arbëreshe “Cili është mëkati yt” përfshirë te përmbledhja “Rapsodi të një poeme arbëreshe”, mbledhur nga Jeronim De Rada[1] dhe ka këtë tekst: Erdhi trimi të kungohej./ Porsa priftin e dalloi/ atje larg, e ktheu mbrapsh/-Eja më bëj një të mirë/ eja dhe më kungo/ Prej andej trimi i bardhë /në kishë e çoi priftin:/-Cili është mëkati yt?/-Vajta krushk unë me një nuse./ Udhës nga shkonim/ na zuri një rrëpirë shi/ Gjithë ç' ishim u shpërndanë/ kush nën mollë e kush nën dardhë/ kush nën kumbullzën e bardhë /unë i ziu s’pata se ku/ po te dera e vendit të shenjtë/ dhe e lidha kalin/ te pragu , nën stuhi/ Po me patkonjtë e parë/ ai i shkretë e i rrëmbyer/çau pllakën prej mermeri/ nga firasi drita në varr/ dhe zgjoi vashën e bardhë./ Trim i bukur e plot dritë/si më shkunde vdekjen/ ulu e puthëm një herë/ e më nxirr erën e mykut/ erën e dheut të zi/ Trimi i bukur e plot dritë/ si më puthe për të parën/ puthëm edhe për të dytën”/ Tri herë unë e putha/ tri herë bëra mëkat:/retë që shkonin në qiell/ më linin hije në zemër./ Prifti ndënji një copë herë/ pastaj i tha: Haroje bir/se dhe zoti do ta harojë[2].
            Pra balada arbëreshe na dëfton për një vajzë të vdekur, e cila ngrihet nga varri, tërhequr nga magjia e pranisë së një djali të ri dhe i lutet atij që ta puthë tre herë. Djali ja plotëson dëshirën dhe… retë që shkonin në qiell/ më linin hije në zemër…, ndërsa Petrit Ruka na e jep me vargjet e mëposhtme situatën e djaloshit: Ika flisja pas çdo loti, /"Mirë prifti, mirë Zoti,/Unë i ziu, mot pas moti/Si do ta harroj një herë, /Këtë mendje ku fryn erë,/Këtë shi që bie paprerë,/Këtë varrin ku ke lerë,/ Mendje prishurën pa derë[3]..., por në të dy rastet pranohet se…dhe zoti do harrojë.
              3-Në lidhje me baladat arbëreshe kemi folur në shkrimin tonë “Atdheu i mbartur në
këngë[4]” por këtu vlen të ritheksojmë se: Ato ruajnë origjinalitetin e baladave shqiptare para pushtimit turk dhe për pasojë nuk kanë shtresime të kësaj kohe. Po ti shohësh me vëmendje baladat arbëreshe, asgjë turke nuk është në ‘to. Dhe kur ka diçka turke është vetëm “qeni turk” që i detyroi të iknin nga atdheu..
            Pra duhet të pranojmë faktin se baladat arbëreshe janë të kohës paraturke. Por  te këto
balada insistohet në diçka të çuditshme, gjithë ngjarjet  ndodhin ose lidhen me kishën dhe priftin ose në prani të tyre apo të një date fetare…(Ditën e Pashkës së Madhe…). Kujtoni Kostandinin e besës që hyn e del në ajodhimë   “ditën e Pashkës së Madhe”, ndonëse në atë kohë kisha as qe ndërtuar, se populli ynë ishte pagan[5]…E njëjta gjë ndodh edhe në këtë baladë, djali rrëfehet te prifti se kishte puthur tre herë një vajzë, e cila ishte ngritur[6] nga varri dhe i ishte lutur atij që ta puthte…Që në pamje të parë duket se prania e priftit dhe rrëfimi është shtesë e një  kohe tjetër, nga koha e baladës dhe si e tillë, roli i tyre është dytësor. Roli kryesor është ringjallja e vajzës
dhe etja apo dëshira e saj për puthjen e djalit.
             Në fakt te balada kemi një specifikim interesant kur citohet...unë i ziu s’pata se ku/ por te dera e vendit të shenjtë...Pra djaloshi e ka lidhur kalin te dera e një vendi të shenjtë,  i cili mund të ketë qënë shumë mirë një tempull pagan. Besnikërisht edhe Petrit Ruka e specifikon këtë fakt me vargjet... Unë i shkreti s'pata fat,/ Gjeta strehë diku më larg/Në një tempull, vend i shenjtë,/Ku binte dritë e argjendtë, /Midis varreve të rëndë...
           Pra balada dhe poezia e Petritit janë në unison në këtë drejtim, por duke qënë se në skenë del më pas  prifti dhe procesi kristian i rrëfimit, të krijohet iluzioni se bëhet fjalë për kishën kur citohet vendi i shënjtë. Madje mënyra kristiane e rrëfimit dhe e faljes së mëkateve është e pranishmë edhe në pjesën e parë të baladës arbëreshe dhe ky fakt ta përforcon idenë se vërtet kemi të bëjmë me një prift  dhe kishë kristiane.
            Por, siç theksuam më sipër motivi kryesor është ringjallja e vajzës (për tu puthur me djalin). A e kishte kjo vajzë kaq forcë sa të ringjallej, për një puthje apo jo?
          Sipas krishtërimit vetëm Jezu Krishti[7] u ringjall pas tre ditëve i vdekur,  ju shfaq dishepujve të tij si provë që ishte biri i perëndisë dhe më pas, u ngjit në qiell, pranë të atit zot. Por në rastin tonë, kush është kjo vajzë buzëpaputhur që ka fuqi të ngrihet nga varri, të ngjallet kushedi sa kohë pas vdekjes, vetëm e vetëm që ta puthë një djalë, prania e të cilit e risjell në këtë botë? Vetëkuptohet që kjo është një vajzë pagane që s’di asgjë për krishtërimin, ashtu si s’dinte gjë as  Kostandini.
         Pra kuptojmë se këto balada janë të kohës parakristiane, por duke qenë se jetuan në kohën
kristiane, duke qenë se kombi ynë është ndër të parët që përqafoi krishtërimin me dëshirë, nuk e quajti ndonjë “hata” që baladat e tij t'i  linte të “loznin” si fëmijët në oborrin e një vendi të shënjtë, që atë kohë ishte  shndruar në kishë[8]. Është normale që në mes të lojës së tyre mund të dëgjohej ndonjë tingull kambane, tingull të cilën e mbartën me vete në rritjen e tyre, gjer në kohën tonë , këta “fëmijë”.
            Fakti i hershmërisë së kësaj balade dëshmohet edhe nga “lapsusi” i priftit në fund të rrëfimit, ku në vend që ti thotë djaloshit formulën e zakonëshme të faljes së mëkateve, i hutuar i thotë: Haroje bir/se dhe zoti do ta harojë. Por sipas  kristianizmit  zoti fal por nuk haron.
       Pra kaq shumë është hutuar prifti nga rrëfimi i djaloshit, sa që ngatron formulën e faljes. Kjo
s’ka gjasa të ndodhë me priftërinjtë kristianë. Atëherë ne duhet të pranojmë që:
      a-ngjarja, mëkati i rrëfyer nga djaloshi është diçka e përtejëbotëshme, për të cilën prifti ska fuqi  të gjykojë e të falë,
      b- “prifti” nuk është prift kristian dhe vendi i shenjtë nuk është kisha. Ajo që ne e cilësojmë kishë, në fakt është diçka më e herëshme, psh një tempull pagan dhe prifti është shërbyesi i këtij tempulli.
         Pra “lajthitja” e “priftit” kristian në faljen e mëkatit pagan shpjegohet në distancën e madhe kohore nga njera tjetra. Priftërinjtë e kanë kopjuar baladën, por nuk kanë qënë në gjëndje ti japin shpjegim këtij “mëkati” ringjalljeje, bisedimit dhe puthjes së të gjallit me të vdekurin.
             3.1- Befasues  dhe tepër të diskutueshëm në informacionin që bartin janë dhe vargjet “Po me patkonjtë e parë/ ai i shkretë e i rrëmbyer/çau pllakën prej mermeri”. Në një variant thuhet: “çau rrasën e gurtë” dhe  ka kuptimin “çau rrasën e varrit”  dhe ne mendojmë se ky varg është origjinali i baladës. Hipotezën mbi origjinalitetin e vargut “çau rrasën e gurtë” ose  “çau rrasën e varrit” në vend të vargut “çau pllakën prej mermeri” e mbron edhe fakti se përdorimi i mermerit në varreza, në botën shqiptare   është futur në kohët moderne, dhe kryesisht me efekte artistike zbukuruese dhe jo si pjesë e varrit, si mbulesë .
            Kështu që, ndërsa në mendimet tona na u krijuarn rezerva për përshtatjen e vargut origjinal në shqipen letrare të sotme te botimi i cituar, argumentojmë se rrasa e gurit në botën shqiptare ka qënë tradicionalisht mbulesë e varreve nëpër epoka. Kujtoni Eposin e Kreshnikëve kur Muji varros Omerin dhe e mbulon me rrasa guri varin e tij. Më von vijoi mbulimi i varreve me dhe dhe vetem në kohët modern varreve anash u vihen  pllaka betoni dhe mbulohen me
betonim, duke u veshur  me pllaka të stilizuara, zbukuruese, mermeri.
                 këtë mënyrë konkludojmë se vargu origjinal “çau rrasën e gurtë”  ose “çau rrasën e varrit”  na jep si datlindje të këngës kohën kur të vdekurit e kombit tonë mbuloheshin me rrasa guri, pra shumë më herët se të lindte krishtërimi.
             4- Në baladat shqiptare kontakti, bashkëbisedimi dhe bashkëudhëtimi i të gjallit me të
vdekurin është gjë tepër e zakonshme. Kujtoni Kostandinin dhe Doruntinën. Dhe aty problem
ishte era e dheut të lagësht që kishte në flokë Kostandini. Te kjo baladë vajza i lutet djalit ta puthë njëherë që t'i heqë erën e mykut të dheut (të varrit). Pra elementët janë të njëjtë.
            Le të shohim në mitologjinë greke mitin e Orfeut (biri i Apolonit dhe Kaliopës) i cili zbriti në botën e nëndheshme për të tërhequr prej andej të dashurën e tij, Euridikën, në marrëveshje dhe me lejen e  Hadit dhe Persefonës. Kushti ishte që Orfeu të ecte para dhe e dashura e tij t'i shkonte nga pas dhe ai të mos e kthente kokën mbrapa për ta parë Euridikën, gjer sa të dilnin në botën e të gjallëve. Përpjekja dështoi pikërisht nga padurimi i Orfeut për të parë Euridikën. Duke këpërcyer udhëtimin e Odisesë në botën e Hadit për të takuar nënën, se s’ka ndonjë gjë të re, shohim një legjendë egjiptiane, ku një djalosh i dashuruar, (vajza e të cilit kishte vdekur në tentativë  aratisjeje nga robëria e faraonit) pasi lufton dhe bën kompromise me disa
perëndi, më në fund e rikthen në jetë vajzën, por kjo i kushtoi kohës egjiptiane vdekjen e disa
perëndive dhe prishjen e botës aktuaale të të gjallëve dhe të të vdekurve, si dhe rikrijimin e një bote të re.
            Që forca e dashurisë është e aftë të tronditë dhe të shembë themelet dhe muret e dy
botëve, kjo është pjesë e mitologjisë së disa qytetërimeve. Por ndërsa në qytetërimet  e tjera
duhet pjesëmarrja aktive e perëndive, në baladat shqiptare perëndia nuk paska asnjë rol, veçse ….të harrojë. Te baladat shqiptare lufton vetëm njeriu shqiptar. Çfarë datëlindje do kenë këto balada kaq të veçanta dhe ç’kohë e ç’ambient i lindi dhe i rriti? Dhe më e rëndësishmja, a nuk është më e bukur paraqitja e tyre në variantin e hershëm të tyre, pa shtojcat fetare, të cilat stonojnë me botën pagane të legjendës? 
          5-A do pajtohet krishtërimi me pastrimin nga pluhuri i kohërave të këtyre baladave, duke njohur autorësinë dhe portretin e vërtetë të tyre.
         Unë, shqiptar i besimit kristian në ritin ortodoks, që e kam lexuar dhe jam mahnitur e mrekulluar nga Ungjilli, besoj se edhe Jezu Krishtin po të pyesni për këtë problem, i drejtë siç është ai,  ashtu siç tha…Jepi Qezarit ç’është e Qezarit… do thotë me zë të plotë:- Jepi shqiptarit ç’është e shqiptarit!

Amin!


Sarandë, më 29.4.2019


[1] Shih “Rapsodi të një poeme arbëreshe”, botim i MILOSAO Sarandë 2014  fq 53
[2] Për të interesuarit, pjesa e parë e kësaj balade është: Doli dielli nga mali/dhe mbuloi dy pallate/I ndriti zonjës Lenë/tek i plekste gërshetin/me një cohë gjithë lule ari/të bijës përmbi fron/e mbi qafë ja paloste: më poshtë pastaj i ndriti/zonjës Agat në këmbë/përpara pasqyrës/ku stoliste djalin/ me pellush dhe me argjend/se do shkonin në rrëfim/për rrëfim edhe kungim/te kisha e Todrit/Ndaj mesditës vasha/shkoi e ra në gjunjë te prifti/I tha: Zot unë dua/ një trim që kam në gji/po shokët më shajnë/shokët dhe prindërit e mi/Ky është mëkati im/Prifti i tha:U çlirove./Vetë të jap pendesë/asnjeri të mos takosh/asnjeriu t’i bësh nder/veç atij që deshe shumë/U ngre vajza me uratën.(shih te libri Rapsodi të një poeme arbëreshe”, botim i MILOSAO Sarandë 2014  fq 53)

[3]Petrit Ruka “U stis vashëza nga varri”.Poezi, publikuar në fb datë 31.03.2019
[4] Shih T.Mërkuri “Identiteti iso-polifonik” MILOSAO Sarandë  2018 fq 140
[5] Shih T. Mërkuri “Identiteti iso-polifonik” MILOSAO Sarandë  2018 fq 95 “Kostandini nuk hyri në ajodhimë”

[6] Fakti që ishte vajza ajo që u ngrit vetë nga varri, e përjashton tezën hipotezare te nekrofilisë nga ana e djalit.
[7] Krishtërimi pranon ringjalljen e Llazarit, por këtë e shpjegon si mrekulli të Jezu Krishtit.
[8]  Shumë kisha janë ndërtuar mbi themelet e vendeve të shënjta të kulteve pagane, ashtu si më pas shumë kisha u shndruan në xhami duke ju shtuar një minare dhe u fshirë  pikturat e shënjtorëve.