MATANË KORNIZËS SË KOHËS…
Kiço Papa me “Lirikat e Jonit” në ciklin “Kur
flasim për Artin Jonian” Nga Timo Mërkuri
1-Gjatë
leximit të një romani, botuar muajt e
fundit, më tërhoqi vëmëndjen një
personazh, i cili dëshironte të hapte një ekspozitë në kryeqitet. Në
fakt, unë nuk e mora vesh mirë, në se
ishte fjala për ekspozitë pikture
apo ekspozitë fotografie. Kjo, jo për
fajin tim, po për faktin se personazhi do paraqeste në këtë ekspozitë vetëm
…kornizat. Imagjino pak të lutem, një ekspozitë me korniza …bosh. Veç të
tjerave, fantasia jote është e lirë që të vendosë në atë boshësi, piktura apo
fotografi nga më të ndryshmet. Çdo gjë mund të bësh në një ekspozitë të tillë,
por më normalia do të jetë që, të
marrësh në duar kornizën dhe duke e mbajtur
para para fytyrës, të sodisësh përmes kuadratit të saj ambientin përeth.
Efekti është vetëm kornizimi i hapësirës, ajo ndjesi e ngushtësisë së hapësirës që sodit, se në vetvete ambienti
dhe hapësira nuk ndryshojnë vlerat dhe
cilësinë. Psh, soditja e pranverës nëpërmjet një kornize të tillë, vetëm sa të
kufizon hapësirën e fushave, pyjeve apo
detit që sodit, sepse nuk ka asnjë ndikim në ngjyrën e luleve, këngën e
zogjve apo lojën e valëve të detit. Pranvera aty është
me gjithë bukurinë e saj dhe lulet aty janë, duke u lëkundur si vajza të
dashuruara. Madje dhe ngjyrat e luleve
duken si ëndrat e shpirtit, në sytë e vajzave. Si ëndëra fluturojnë dhe
pulëbardhat mbi valë.
Efekti
fillestar është vetëm kornizimi i hapësirës, por ama është pikërisht ky
kornizim, herë i madh e herë i vogël, sipas largësisë së mbajtjes së kornizës
nga sytë, që të krijon atë ndjesi të të qënit i vogël, fare i vogël, madje i
papërfillshëm përpara asaj hapësire që sodit dhe që mundohesh më kot ta kornizosh. Kjo ndjesi
ritet e përforcohet më shumë kur e sodit pa kornizë pikërisht atë, hapësirën që
doje të kornizoje dhe sheh, se ajo është gjithmon e më e madhe nga sa ke parë
apo ke kujtuar. Dhe vogëlan je vetëm ti
dhe ideja jote e marrë.
Kjo është
arsyeja që, i revoltuar nga zhgënjimi, klith me dëshpërim…”në djall të vejë,
nuk do ta shoh fare”.
Të duhet një
forcë e madhe, që të kuptosh se fajin nuk e ka hapësira, madje as korniza, por
e ka pikërisht ideja e të parit të
hapësirës nëpërmjet një kornize.
2-Nuk di pse
mu kujtua ky personazh dhe ideja e tij,
gjatë rileximit të librit “Lirikat e Jonit” të poetit Kiço Papa. Vërtet nuk e
di pse, por ndërsa lexoja poezitë njëra pas tjetrës, më dukej se vërtet po
sodisja pranverën e brigjeve të Jonit,
nëpërmjet një kornize.
Korniza, herë
ishte ngjitur me fytyrën time dhe për pasojë, hapësira që sodisja nëpër
vargje ishte e madhe, sa që rinin apo rendnin nëpër të,
pyje e lumenj, fluturonin zogj dhe ëndëra, rendnin dallgë të ndjekura nga
një trumbë pulëbardhash .
Por shpesh
here, më dukej se mbaja kornizën me duar të zgjatura, larg fytyrës
dhe mezi shikoja nëpërmjet saj, nga ballkoni i shtëpisë sime, dy hektarë qiell dhe tri dynimë det.
Ngushtësi e
madhe dhe e trishtueshme. Madje as zogu
nuk fluturonte dot nëpër të, e jo më që ndonjë këngë bilbili të të ftonte fantazinë për shoqëri. Valët
copëzoheshin në skajet e kornizës, pikërisht aty ku
pulëbardhave u këputej (s’them
dot që u mbetej jashtë kornizës ) një
krah.
E megjithëatë
pranvera ishte aty, e shtrirë nëpër
vargje, e kornizuar nëpër tema.
3-Një vëllim
poetik, i botuar nga shtëpia botuese “Naim Frashëri” para viteve ’90, ishte e kuptueshme që të kishte kornizën e
temave të kohës. Madje, nga një poet i ri, në botimin e vëllimit të parë, pritej që
brenda kornizës së temave të dukej së largu fotografia e “njeriut të ri”
shpatullgjërë e buzëqeshur, që punonte për vitin …2020 e më tejë. Duke patur fatin e zakonshëm, të lagej në stendën e
emulacionit nga shiu i parë dhe të
…flakej në… harim.
Por Kiço Papa
në këtë kornizë nuk vuri ndonjë fotografi heroi.Vuri thjeshtë shpirtin e tij i
cili…ka qënë në breglumë dhe ka dëgjuar
bilbilat/u zhyt thellë në lumë dhe troftat/nuk u trembën prej tij/kur doli
vizatoi dhe lumin dhe bilbilat/dhe ligjërimin e
bilbilave/dhe guximin e troftave dhe guralecët/dhe leshtërikët e
lumit/Ky është lumi tha…/Hyri në pyll dhe u shkri me gjelbërimin/doli andej dhe
vizatoi gjethet,trungjet/rrënjët,moshën e pyllit/dhe vizatoi gjelbërimin jo
vetëm të drurët/por dhe te hieja e tyre.Ky është pylli tha.(Ftesë, fq 3)
… vijon dhe në
poezinë tjetër “Emri i ditës” ku shkruan…Zgjohem
herët dhe i vë emrin ditës./… /Kërkoj shëmbëllimin tim në të gjithë sa
krijova…/E prapë u hipi trenave, kamionëve…(lere fare, ky varg i fundit është pjesë e kornizës. Ashtu siç
janë korniza dhe temat e titujt e
disa vjershave të këtij vëllimi, korniza
dikur plot shkëlqim varaku, por që sot
përshkohen nga labirinthet e tuneleve,
që kanë hapur krimbat e kohës, nëpër të).
…për të
shpërthyer të cikli “Prillet e mi” …i
dehur nga bukuria.. me vargjet
brilante… Në ditlindjen e saj më
ftoi pranvera/dhe miqësisht më dehu/…pemët këndonin ca si ninulla/për lulet që
do bëhen kokrra.
Sepse…çdo
prill që erdhi la diçka tek unë/diçka të përzëmërt nga bukuria e tij…duke
shprehur dëshirën e tij si poet…dua të bëj një këngë/që të ngjajë me një
shtëpi të madhe/Çatinë tja bëj me kaltërsinë e rpillit/me diell tja lyej dyer e
dritare…
…për të aritur te poema “Krijo bukurinë”
me vargjet e ëmbëla …kujdes,kur të jap
një lule/duhet të krijosh pranverën me të/../dhe kur ta kesh njohur mirë
arkitekturën e ëndrës/mendo se ku do ti vendosim krevatet e vogla/të fëmijëve
që ende skanë lindur…
4-Një vëllim
poetik ky, i botuar para viteve ’90, nga një poet i ri, që dhe tani pas njezetë
vjetëve mbart te ne, freskinë pranverore të …ëndrave djaloshare të poetit.
Kur e mora në
dorë për ta rilexuar vëllimin poetik, mendova se në faqet e tij, do ti gjeja lulet
e ëndrave të petëzuara nga shtypja e
faqeve dhe të thara nga koha. Pak a
shumë, siç gjenim dikur, në mes të
fletëve të librit të botanikës, lulet dhe bimët e mbedhura nëpër eskursione dhe
futur mes fletëve, për praktikë mësimore.
Lule pa aromë,
me petale të thara, që të ndillnin veç të vajtoje mbi to. Apo
edhe mbi kujtimin e çasteve të mbledhjes së tyre.
Por nga ky
vëllim, çuditërisht, në fillim erdhi drejt meje me duhmë aroma e luleve përzier me ëndëra ( sikur të qenë shpërthyer kacekët
e Eolit, ku qenë mbyllur)dhe më pas nisa të shoh ato, lulet dhe ëndërat, dhe kaltërsinë e detit që e kishte pirë të tërën,
aty ku gjej profilin e brezit tim/dhe
ëndërrën e Leftër Talos..
Në fillim ja
behu kënga e zogjve …mbrëmë në dritare
çukitën shumë zogj…dhe zhaurrima e lumit ( si nuk qe tharë shtrati i tij kaqë mote) e më pas nisa të
ecij vetë brigjeve të tij.
Aty ku…Dimri i fyer nga mospërfillja/i bie gjoksit
dhe shfryn shkulma ere.
Për të takuar
poetin i cili…na ka premtuar se një ditë
prej ditëve/diçka të bukur ka për të na thënë…
…që na e tha
në fakt në këtë libër, të bukur dhe të freskët përjetësisht, si një ëndër. Si një ëndër rinore, të parë nëpërmjet lojës
së afrim-largimit nga sytë, të kornizës së temave të imponuara të kohës.
5- Sepse kornizën, para poetit dhe para poetëve e
vendosi diktatura, e cila gjithmon
përpiqej ta mbante në një distancë nga sytë e poetit, jo për të shtuar misterin
e kornizës, por thjeshtë për të ngushtuar hapësirën që shikohej. Ose më saktë,
duke lënë hapur për shikim dhe admirim vetëm atë hapësirë, ku ndodhej ajo vetë.
Poetët
gjithmon përpiqeshin ta afronin kornizën, thjeshtë për të rritur hapësirën e
shikimit, për të parë edhe yjet e qiellit tejë “yjeve” tokësorë, për të parë
edhe vjeshtën e dimrin natyror tejë “pranverës” që ndërtonim ne.
Por loja me
afrim-largimin e kornizës të krijon atë ndjesi të të qënit “i vogël”, gati i
papërfillshëm përballë hapësirës.( Pak a shumë
këtë ndjesi provoi dhe Amstrongu kur e pa tokën nga hëna).
Shtoi kësaj
fatkeqësitë familjare, nga ato fatkeqësi që …vajtohen me gjëmime deti, që e thinjën
brenda një çasti e s’e lanë gonxhen e
buzëqeshjes të çelë në fytyrën e poetit, për dekada me radhë.
Vazhdo me
fatin e trishtueshëm të stërmundimit në punë, për të përballuar jetën, gati të të gjithë poetëve emigrantë, për të
kuptuar atë …”në djall të vejë, nuk do ta
shoh fare hapësirën” edhe të Kiço
Papës, që rezulton me mosbotime të krijimeve poetike të
mëvonëshme të këtij poeti lirik.
6-Ama, themi
me mosbotime, sepse dhe të dojë, Kiço Papa nuk largohet dot nga poezia.
Sepse dhe të
dojë të largohet, s’ka ku vete, sepse shpirtin e ka lënë te Lirikat e Jonit.
Te ato lirika
ku, çuditërisht, vargjet që flasin për detin e për valët numërohen me gishta,
por ama, mbi të gjitha vargjet fryn flladi i Jonit. Jodi i flladit jonian ka pastruar mushkëritë e poezive duke ua bërë
më të pastër tingëllimën vargjeve. Limonat dhe ullinjtë i reh era e detit dhe
këngën e bilbilave e shoqëron iso-ja e valëve. Duke ecur bashkë me Kiço Papën
nëpër poezitë e këtij vëllimi, të duket se
ja, pas atij vargu do të të mbulojë një dallgë deti apo pas metaforës së radhës, do fluturojnë mbi ty
pulëbardhat, duke të spërkatur shikimin me kaltërsinë e stërkalave të valëve. Me atë kaltërsi që kanë
dhe vetë poezitë . Ato poezi që , jo më kot Kiço Papa i ka titulluar “Lirikat e Jonit” . Unë ju them se jo
rastësisht, poeti ka emigruar në
…brigjet e Jonit. Përballë brigjeve ku u shkruan këto poezi. Për të mos u
larguar nga vendlindja e tyre.
7-Unë e di, që
Kiço Papa, mbrëmjeve, ulur në parvazin e dritares të shtëpisë të marë me qera,
herë nis shikimin të lozë me hënën e yjet në qiellin e Korfuzit, e herë dërgon mendimet të shëtisin në bulevardin e
Sarandës, aty ke jemi ne, miqtë e tij. Dhe nis me ne një bisedë në heshtje, dhe i
shkruan bisedat që mos ti harojë, por
çuditërisht i shkruan në vargje. Sepse Kiço Papa është poet dhe i tillë do të
mbetet. Unë ju them se së shpejti ai do na pranverojë bisedat me lirika të reja.
Edhe me
përkthime, si përkthimi mjeshtëror, prej poeti, i poezive të Vretakos, botuar
para pak kohësh te Fjala e Lirë.
No comments:
Post a Comment