Kojrillat…dëshmojnë krimin
Përsiatje rreth romanit
“Kojrillat”
të Fatmir Terziut
Si sot 80 vjet më parë në afërsi të monumentit
Cenotaph të Londrës u gjend e vrarë shqiptarja e bukur Zeinep Vlora. Bashkë me
vrasjen e saj, erdhi heshtja, udhëtoi edhe një enigmë e madhe ..., sa
diplomatike, aq edhe... Heshtja ishte dhe mbetet një mister. Po ku qëndron ky
mister? Këtë e zbulon romani jolinear dhe tejet postmodern i shkrimtarit Fatmir
Terziu... Nga leximi parë deri tek fleta e tij e fundit e ndjeva të them këto
radhë që mbesin edhe një arsye më shumë. Vdekja e vlonjates së bukur ndodhi në
prag të Krishtlindjeve të vitit 1932...Zbulimi i Fatmir Terziut e solli atë për
herë të parë në vëmendjen e duhur në një roman tejet të veçantë për nga vlera e
tij...
***
1-Titulli i këtij romani, natyrshëm të kujton poezinë e bukur të Frederik Shilerit “Kojrillat e Ibikut”. Ose
më saktë, mua mu kujtua kjo poezi, ndaj qysh në momentin që e mora librin në
dorë, të printuar, në vënd të një
“mirëseardhjeje” të zakonëshme, e
përshëndeta me vargjet e poezisë së
Shilerit;- Të ngjatjetoj tufëz e
lirë/ për mua je ogur i mirë…
Dhe unë ju
siguroj edhe juve që është vërtet një
“ogur i mirë” botimi i këtij romani.
1.1-Por, meqënëse dikush mund ta ketë haruar këtë
poezi, të përkthyer mjeshtërisht nga
Perikli Jorgoni, me lejoni tju rikujtoj se…Ibiku, një poet e këngëtar,
nxitonte për të marë pjesë në një garë
artistësh në Korinth dhe rastësisht, udhëtimin e tij nëpër male e pyje e shoqëronte edhe fluturimi
shtegëtues i një tufe kojrillash. Diku në një pyll i dalin përpara dy grabitës
vrasës, por poetit këngëtar, dora që…në
kordha harpash ç’i lodronte/ por hark nuk mbajti kursesi nuk mundi ta shpëtonte nga vdekja tragjike.
Miqtë që e prisnin në Korinth dhe që shpresonin që ai të fitonte kurorën me dafinav, e kërkuan dhe e gjetën të
vdekur në pyll. E vajtuan dhe e mbuluan
siç e meritonte dhe më pas shkuan të shohin garën e artistëve. Çuditërisht edhe
vrasësit kishin shkuar të shikonin
garën, ku në një moment, në mes të garës, ndërsa në qiellin mbi amfiteatër
fluturuan një tufë kojrillash, një nga vrasësit
i thiri shokut të vetë…pa
shih, pa shih/kojrillat e Ibikut.. Dhe miqtë pyetën vetën se…Ç’kujtim i ngjallka këtij horri/ kjo tufë që s’rri në një vënd… Poetin , pra e paskan vrarë/ dhe vrasësit na
u zbuluan…
U përmënd
emri i poetit këngëtar të vrarë dhe u dëgjua nga miqtë e tij, të cilët
pasi kapën vrasësit…mbërtheje këtë fjalëshumë/dhe atë që fjalët ju drejtuan…, i
shtrënguan në pyetje…në gjykatore
skenën kthyen/dhe vrasësit me shpirt acar/çdo krim nga frika e rrëfyen…
2-Në qoftë se ka në historinë e shtetit tonë një fat të dhimbshëm njerëzor, ku në
vend të nderimit për kontributin e dhënë, të jetë dhënë si shpërblim mohimi i
kontributit dhe ca më keq, dënimin me vdekje, burgimin, mohimin e një
vendvarimi në atdhe, përndjekjen e të afërmve etj, ky është fati i Firmëtarëve
të Aktit të Pavarësisë, shpirtërat e të cilëve …si një vajgurlambe ne i mbajmë ato në udhëkthinë/të shtëpive
tona,ndjesive tona… ata…me
dritën e firmave të tyre koha merr ngjyrë…
Kujtoni bashkë me mua: -Mit’hat Frashëri, i biri i
Abdyl Frashërit vdes në mërgim. Varrin e ka në Nju Jork. Rexhep Mitrovica e ka
varrin në Stamboll. Qazim Kokoshi vdes nga torturat në burg dhe nuk ka varr.
Lef Nosi, ai që fotografoi dhe ruajti
nga humbja Aktin e Pavarësisë, pushkatohet dhe nuk ka varr. Bedri Pejani, Salih Gjuka, Aristidh Ruci,
Eqerem Bej Vlora, Mustafa Kruja e Myfit Libohova, Hajredin Cakrani e Xhelal
Koprencka etj gjithë jetën janë anatemuar si tradhëtarë.
…Ata
ikën,mbeten të ikur, apo edhe të zverdhur në gazeta e arkiva, ndërsa tretja e
tyre mbetet një plagë.As dheu nuk i tret kur politika i stërvret.
Bëhen të Ujtë.
E pra, 40 burra ishin ata që hodhën firmën e tyre
në dokumentin themeltar të shtetit të ri dhe nga këta, gati gjysma e tyre u
…shpallën si…antishtetarë shqiptarë, në vend që tu ngrihej monumenti në çdo cep
të shtetit që ata themeluan. Ata
ishin…dhe sot skanë as Atdhe. Pjesa tjetër u la në heshtje, sepse
shtetarët që erdhën pas tyre, donin që
të zbardhnin pak blozën e biografisë së
tyre, duke fallsifikuar në dokumentin
themeltar të shtetit emra
baballarësh apo xhaxhallarësh, të cilët, në kohën kur burrat thoshnin fjalën dhe
hidhnin firmën në histori, ata hanin hallvë pranë oxhakut apo pranë hanëmeve.
Ata,firmëtarët
ishin…dhe sot skanë as Atdhe.
…Kushëriri i
tij ka qënë Kryeministër i vendit, por ai bashkë me të pastruan banjot e
qytetit në këtë pushtet. Dhe ati i atij Kryeministri ishte Aqif Pasha, një nga emrat e Pavarësisë, një nga miqtë e familjes sonë.
Të lexosh këto radhë dhe s’ke si të mos
revoltohesh me ata që projektuan dhe zbatuan
këtë lloj masakre mbi dinjitetin dhe historinë tonë.
Apo mos doni të përmëndim këtu fatin e fëmijëve të themeluesit të vetë
shtetit, Ismail Qemalit, fat i cili na rëndon në ndërgjegje, thua se jemi ne
shkaktarët, qoftë edhe me mosdijen tonë.
Shqipërinë e bënë burrat, por e komanduan horrat.
2.1-Pakujdesia
shqiptare është e pafalëshme.
Ndërsa themelohej shteti, si nuk u kujtua dikush
që të mirte një fotograf për ta përjetësuar në celuloid momentin e
papërsëritshëm të firmosjes së atij Akti
të shënjtë. Të fotografonte një për një ose
të tërë bashkë të 40 firmëtarët dhe të 86 pjesmarësit. Të fotografonte
shtëpinë ku u shpall Pavarësia dhe mbi të gjitha, të fotografonte flamurin që u
ngrit atë ditë. Sot ne rimë e flasim për pesë variante flamuri, jo po si i
kishte pendët e si i kishte kthetrat, diskutojmë kush e solli dhe nga e solli,
kush e qëndisi dhe kush e shpalosi.
2.2-Por ajo që është më skandaloze është fati i
Aktit të Pavarësisë.
Ku ndodhet origjinali i tij? Kush e mori, pse e
mori, si e mori dhe ku e shpuri, pasi u firmos nga 40 firmëtarët apostuj të
shtetit të ri? Ne jemi ndoshta i vetmi shtet në botë që nuk disponojmë Aktin e
Themelimit të Shtetit. Ne ngushëllojmë veten me egzistencën e një fotografie të këtij dokumenti, fotografi
që, gjithsesi dëshmon për dy gjëra;
e para-egzistencën e këtij dokumenti, dhe …
e dyta- dëshmon emrat e firmosësit të këtij Akti,
duke u prerë rrugë fallsifikimeve.
Por
origjinali është zhdukur dhe sot
egzistojnë disa hipoteza mbi vendndodhjen e tij, që nga Vatikani
e Beogradi, Roma, Boni apo edhe arshiva private.
2.3-Zhdukja e këtij Akti i leverdiste tre subjekteve;
-E para, i leverdiste individëve shqiptarë,
pretedentë për poste shtetërore apo për tratativa tradhëtie ndaj shtetit, për
të marë merita të pamerituara apo për të fshehur gjurmët e tradhëtive gjatë kohës së ushtrimit
të pushtetit apo të shitjes së atdheut.
…im
shoq ishte i dhënë pas pasurisë, por e humbi atë thuajse kur e kërcënuan për të
zhdukur letrat e pavarësisë…Kishte miq, por miqtë u bënë armiqtë më të betuar
pastaj…
…siç paguan për
të zhdukur edhe kushërirën tonë Zeinepen, me gjithë dokumentat që mbante ajo me
vete.
-E dyta, u leverdiste disa shteteve me pretendime
teritoriale apo historike ndaj Shqipërisë, që të justifikoheshin më von me
shprehjen … se Shqipëria qënka vetëm një shprehje gjeografike…(Ore, mos dinte
gjë Bismarku kur tha këto fjalë)….
…Misteri i
vdekjes së gruas shqiptare Madam Zeinep Vlora kishte hyrë në kanale të larta.
Nga Stambolli interesi kishte kaluar kufijtë.Nga Parisi kërkohej me çdo kusht
zgjidhje.Nga Italia kishte ndërhyrje të qarta diplomatike…
… Po në Itali,
a keni marë të dhënat e duhura? Atje madam Vlora ka ndenjur për një kohë të
mirë.
-E treta, shitblerja e dokumentave dhe relikeve
historike është një biznes shumë fitimprurës. (Mund të kujtojmë se edhe armët e Skënderbeut, dëshmohet se u shitën për
efekte financiare).
Si i tillë Akti i Pavarësisë kishte vlera të
pallogaritëshme, se veç vlerave historike që përmbante në vetëvete,
automatikisht i shtohej dhe kërkesë- oferta e dy subjekteve të cituar më
sipër…
...por nga që
sipas hetimit, na kanë dalë edhe çështje
që kanë të bëjnë me shitje dhe blerje dokumentash me vlerë për
Shqipërinë…Thuhet se kanë disa plaçka me një vleftë të madhe, si shpata e
sultan Bajazitit me xhevahire, shala dhe armatime të Ali Pashë Tepelenës…
3-Këto fakte më sëmbonin në shpirt, ndërsa
ç’fletoja romanin “Kojrillat”, dhe një ëndër e kaherëshme (besoj jo vetëm e
imja) m’u shndrua në dëshirë e shpresë se, ndoshta në faqet e këtij romani do
të gjeja zgjidhje e përgjigje, për disa pyetja që më kanë lindur në prag të çdo përvjetori të pavarësisë. Madje titulli i tij
dhe lidhja simbolike e subjektit me poezinë
e Shilerit, sikur i dha krahë fantazisë
simë, duke me ftuar që ta ripërsërisja
poezinë te vargjet… Të
ngjatjetoj tufëz e lirë/ për mua je ogur i mirë…
Madje emri
i personazhit me mbiemër të Vlorajve, më
bëri të haroj faktin që në duar kisha, jo dokumenta autentike arkivore, por
një…roman.
Sa do dëshiroja të mos ishte kështu.
Jo pse
ishte vrarë përsonazhi i Zeinep
Vlorës, (vdekja është rethuar me
mistere diplomatike dhe pyetjet janë bërë edhe në House of Commons),
sepse historia ka dëshmuar se Vlorajt
janë vrarë, qëlluar e helmuar ( a ju
kujtohet se edhe Ismail Qemali vdiq i
helmuar në Itali.) gjithë jetën, por
shpresoja se autori do kishte shtirë në dorë dokumenta arkivore, që dëshmonin
shkakun pse ishte vrarë dhe ca më tepër, ku janë dokumentat që kishte me vete
Zeinepe Vlora, kur u vra.
Kjo dëshirë mu shndrua në një ankth gjatë
leximit,… ja pas kësaj faqeje do zbulohet e vërteta, ja pas faqes tjetër,
tejë shkrepave modernë të kompozicionit,
do dëshmohet ku janë dokumentat që kishte me vete personazhi, ja pas disa faqesh do dëshmojnë kojrillat, ja dhe
pak faqe e do dëshmojnë shqiponjat,
të cilat i kanë fushat në pëllëmbë të dorës dhe detin e kanë në kthetra…
….dhe, në përfundim të romanit, pashë se kisha
rënë në “kurthin” e autorit për të më mbajtur në tension, të lidhur me subjektin, të ecja dhe unë bashkë me
personazhet nëpër kohë. Qysh nga ajo ikje
nga Shqipëria e atyre që e bënë shtet Shqipërinë, e gjer te Hivzi Nelaj
që lëkundej në litar, në prag të ikjes së diktaturës.
4- …E
kam mbajtur në gjoks gjithmon këtë
libër,Siç mbaja ato fotografi dhe ato foto. Ishin amaneti i gjyshit tim. Ai iku
nga Vlora dhe u vendos në Velçan të
Mokrës, në kohën kur Vlorajt e Pavarësisë ikën drejt Strugës. Por meqënëse atje
s’kishte shumë siguri, ata i lanë këto letra te gjyshi im.
Këto fjalë të thëna nga …Lutfiu, një inxhinjer i diplomuar jashtë shtetit, por që shteti aktual nuk e pa
të arsyeshme që të punonte si inxhinjer. Arsyeja ishte shumë e thjeshtë …ishte
pasardhës i atyre që firmosën dhe ruajtën
dokumentin e pavarësisë.
Vetëm ky fakt ndrinte dhe i trulloste me dritën e tij lakuriqët e
natës, që kishin … shtetin në dorë.
…Kanë
qënë dy gjëra në jetën time që më kanë prodhuar trishtim. Njera kur më iku
babai…dhe tjetra kur më zhdukën tërë kasafortat me dokumenta që kishte babai në
dhomën e tij...
Është një
fakt ulëritës në historinë tonë, fakti që …thuhet se Akti i Pavarësisë ishte në arkivin e shtetit
deri në 1947, pastaj , thuhet se ..ju dhurua …Jugosllavisë.
(Besoj se ka qënë koha kur nga politika
jugosllave ofroheshin divizionet për të… mbrojtur vendin tonë).
Është një fakt i trishtueshëm në historinë tonë,
fakti që dokumentat e shtetit gjejnë siguri më të madhe në kasafortat private
të patriotëve, se sa në arkivat shtëtërore. (Madje as thesari i shtetit nuk
është i sigurtë në tunelet e sigurisë së lartë .Mos doni t’ju kujtoj fakte).
Kjo për arsyen e thjeshtë se, atdhetarët i ruajnë
me zemër e shpirt Atdheun, flamurin, dhe dokumentat e shtetit, përkundër faktit
që shteti i ruan vetëm me…dryna. Me nga
ato dryna, që ndryshken e këputen, kur dikush
i pushtetit, kërkon ti këputë.
Është një ndjenjë e bukur që të lind gjatë leximit
të këtij libri, ndjenja që të rrosh dhe po
të jetë nevoja edhe të vdesësh, për të ruajtur identitetin e vendit
tënd. Qoftë ky i identifikuar në një dokument apo në flamur.
Është vërtet një libër i bukur, me një kompozim
modern, por që gjithësesi mban aromë Shqipërie në të gjithë faqet e tij.
Është nga ato libra, ardhja e të cilëve, është
vërtet një…ogur i mirë.
No comments:
Post a Comment