Çgroposja e thesareve të fjalës së shkruar
…mahnitje …mbi gazetën “Demokratia” të
viteve 25-39
Nga Timo Mërkuri
…mahnitje…mahnitje.Kjo është ndjenja që më shoqëroi gjatë gjithë kohës
së hulumtimit të gazetës “Demokratia”…
Me këto fjalë e fillon Odise Kote pasthënien e tij librit të tij
studimor “Demokratia”, shkollë e gazetarisë shqiptare”., botuar në këtë
fillimprilli nga Shtëpia Botuese “Milosao” në Sarandë, pa e ditur se do ishte
pikërisht kjo ndjenjë që më shoqëroi edhe mua, gjatë gjithë leximit të këtij
libri.
Më saktë, një lexim plot kureshtje, si të
isha duke lexuar poshtëshënimet e thesareve të zbuluara nëpër rrënoja dhe të ekspozuara në pavionet e
një muzeumi, poshtëshënime të tipit….Kjo
monedhë floriri është e kohës…, këtë kurorë floriri e ka mbajtur në kokë mbreti
x…, me këtë shpatë, të larë me flori, ka luftuar heroi
x….
…kureshtje që shumë shpejt u shndrua në
admirim me këto poshtëshënime.
Veçse këto poshtëshënime nuk flasin për emra e vepra mbretërish e
princash, kalorës a shpatëtarësh, por me emra të dëgjuar në jetën tonë, të anatemuar në rininë tonë
dhe të flakur në haresë në kohën tonë. Emra, që të rrëshqasin si mornica në
shpinë të kujtesës. Emra, që ndal hapin kur i dëgjon të pëshpëriten diku…Branko
Merxhani, Safet Butka, Javer Rushiti, Nebil Çika, Petro Marko, Avni Rustemi, Sterjo
Spasse, Ismet Toto e Lumo Skëndo,Tajar Zavalani e Eqerem Çabej, Musine Kokalari
e Ramiz Harxhi…
Sa shumnë emra të mëdhenj të mbledhur në
një gazetë të vogël (për nga tirazhi dhe
formati) që rezatonin dritën intelektuale mbi vendin tim.
Sa shumë yje të mbledhur në Gjirokastër,
që lëshonin dritën e tyre jo vetëm në këtë qytet.
Është pikërisht drita e tyre mbi qytet, që
…e drejtoi jetën e qytetit drejt
të shkruarit…
Kjo është arsyeja që gjithë Shqipëria
shikonte nga Gjirokastra, ku ndrinin këto yje, se Gjirokastra vetë shikonte nga
Europa…
Odise Kote qëmton e rrëmon nëpër ato fletë
gazetash të zverdhura nga koha, të mbuluara nga pluhuri i indiferencës së
kohës, të grisura e zhubrosura deri në prag të asgjësimit. Qëmton e rrëmon me
qetësi, me dashuri, si arkeologët e apasionuar nëpër rrënoja qytetesh antike,
shkatëruar nga zjarri i hordhive armike, duke aplikuar kështu një arkeologji të
re, arkeologjinë e fjalës së shkruar. Fshin pluhurin dhe nxjer në dritë
thesare, bashkon copat e grisura të gazetave si pjesë të mermerta të
statujave të thyera gjatë rrëzimit. Dhe
na i çfaq , ashtu siç kanë qënë, madhështorë e të thjeshtë.
Ja,shikojeni. Kjo statujë mermeri, e thyer
dhe e copëzuar, por gjithsesi impozante është
statuja e Branko Merxhanit. Lexoni poshtëshënimin në të…
…Lindëm në errësirë, por kërkojmë dritën …
Ah, po
ky nuk është poshtëshënim monumenti. Këto fjalë monumentale i shkruante
në vitet 29 gazetari i “Demokratia”,
Branko Merxhani, çami ortodoks, që në Shqipëri nuk kishte as fis, as pasuri, por kishte vetëm Atdheun.
Ai që do të sillte filozofitë europiane
për ti vendosur si gurthemeli të Neo-Shqiptarizmës së tij dhe që shkruante …Rroj me ëndrën e një vendi, njerëzit e të
cilëit janë më parë të tij se sa të vetës së tyre (fq 201).
Lexon shkrime të tilla, rrënqethesh e pyet
veten... Ka patur vendi ynë diejmëndje
të tilla dhe ç’gjëmë qe ajo që ra mbi këtë dritë, duke na lënë nëpër errësirë
mote e mote me rradhë, duke gëricur natën me dritën e bishtukut.
Kisha dëgjuar për Branko Merxhanin qysh në
rini, por s’kisha lexuar gjë prej tij. Ose më saktë, kisha lexuar vetëm një
farë ironizimi që u bënte teorive të tij diktatori. Por kjo s’mjaftontë për të krijuar një
portret. Ato shënime mjaftonin vetëm sa për të përbaltur një portret të
gdhendur në një bazoreliev dhe për të na
e treguar neve, se gjasme, ai paskësh qënë portret i pisët.
Por mjaftonte që të fshihej pak balta e
hedhur mbi të, për të dalur e për tu verbuar nga ndriçimi i argjentë i
portretit të atdhetarit mendjendritur e zemërmadh.
Atdhetari, që jetën dhe dijen e tij e vuri
si gurthemeli në shkallaren ku do ngjitej atdheu, në një kohë që pushtetarët e
mëpasëm, do shtronin atdheun si gurkalldrëmi, ku pretendonin, të ecte lavdia e tyre.
…Duke ecur nëpër faqet e këtij libri
studimor, të duket se ecën nëpër gërmadhat e posa zbuluara të një qytetërimi,
të mbuluar nga haresa e kohës.
Ja statujat e mermerta, me ndonjë dorë a
këmbë të thyer gjatë rrëzimit të tyre
nga piedestali, ja dekretet dritëshumë
“të zonjërisë” dhe “të kapellës allafrënga” gdhëndur në kulturën qytetare, si
dëshmi e orientimit europian të këtij qyteti…me minaretë e tij mesjetare.
Ja një dëshmi e një demokracie, që do ta
kenë zili brezat e ardhshëm dhe vende me më shumë përvojë demokratike…. Kundër
Bajos? Gabon tepër zoti Bajo
(Topulli) duke pandehur se ne jemi kundër personit të tij….Ne nuk kemi gjë me
personin e z Bajo, thamë dhe e përsërisim se si person e nderojme tepër. Po kjo
nuk do të thotë që nuk duhet ta kritikojmë si
kryetar bashkie….”
…Ja një…reklamë ,si një qyp mbushur me
flori informativ e një Agjensie detare…Jepen oraret e linjave të trageteve që lëvizin nga Porti I Sarandës
drejt destinacioneve të ndryshme Korfuz, Pire, Patra, Brindizi, Stamboll (?),
Suedi (?), Francë(?) e Gjermani(?). Për informata më të çkoqitura drejtohuni
n’axhensinë tonë në Sarandë…
E pra, unë kam lindur e jam ritur në
Sarandë dhe nuk e kam ditur se qyteti im
kishte linja të tilla detare në vitin 1929, linja detare që nuk i ka as sot.
Te kjo gazetë gjeta perla të ralla
informacioni për Neço Mukon e grupin e
tij famoz, informacione që politika
ishte përpjekur ti mohonte dhe ti kalonte në haresë, pa llogaritur dëmin
e madh që i sillte kulturës dhe
historisë së kulturës kombëtare.
Apo mos doni të lexojmë të botuara te “Demokratia” kryeveprat e
letërsisë botërore të Shekspirit e Tolstoit, Khajamit e Dante Aligerit,
Petrarkës, Tassos, Hygoit, e deri te Esenini e D’Anunco…
Këto monumente të të shkruarit kanë qënë
ngritur nga viganë, por liliputët e kohës, duke i goditur më kazmën e mohimit,
i rrëzuan nga piedestalet, për të ngritur në vend të tyre mediokritetin
politiko-ideollogjik. Ato mbetën aty, nënë gërmadha, mbuluar nga pluhuri i
haresës, në pritje që dikush ti çgroposte e ti nxirte në dritë.
Këtë mission çgroposjeje e ndërmori, me plot sukses Odise
Kote, duke ngritur nga harimi monumentet
e viganëve të kulturës dhe gazetarisë shqiptare.
Dhe ne, duke ecur nëpër faqet e këtij
libri, si nëpër sallat plot eksponante të një muzeu, admirojmë punën e djeshmë
të viganëve, hieja e të cilëve mbulon
meskinitetin dhe formalitetin e gazetarisë së sotme, duke na treguar shtigjet e
së ardhmes dinjitoze, drejt të cilës do ecim .
…edhe duke pëshpëritur me vete një falnderim për shkrimtarin Odise Kote.
No comments:
Post a Comment