Timo Mërkuri, ky
det që nis te
zemra …
Thanas Dino:-Intervistë me poetin dhe studiuesin Timo Mërkuri
Pyetje:-Kisha
menduar për titull të intervistës disa variante si psh; Timo Mërkuri në …libra me
vjersha, në…. përmbledhje me këngë popullore dhe në ...libra me studime, por ja
që më pëlqen ky varg i yti dhe e zgjodha
per ta vënë në titull. Besoj se
mund të bisedojmë për çfarë të duam, apo jo?
Përgjigje;-Faleminderit që e nise bisedën
me një varg timin. Kjo është mënyra më e mirë për ta ‘’robëruar’’, për ta bërë
për vete një poet. Dhe me që unë u bëra ‘’robi yt’’ tashmë,
do t’u ‘’bindem’’ kërkesave tuaja,
gjer në momentin që do ‘’revoltohem’’ dhe do ‘’ngre krye’’. Por gjer sa
të vijë ai moment, do derdhë shumë ujë në det lumi i Bistricës. Pastaj, bisedat
me ty, janë vërtet një kënaqësi për këdo, e jo më për mua, që i kam provuar.
Pyetje; -Edhe pse ju njohim, po ju pyesim; Kush jini ju?
Përgjigje;-Unë jam Timo Mërkuri… dhe prapa…
s’më vjen historia. Jam unë ai që vrapoj pas historisë dhe historive, (si bleta
pas luleve), për të vjelur prej tyre ‘’nektarin’’ e për të prodhuar mjaltin e
poezisë. Dhe këtë mjaltë prodhuar
viteve, e kam derdhur në katër vëllime
poetike (pa përfshirë këtu një vëllim të
përkthyer në greqisht), tre vëllime me sprova e studime për iso-polifoninë,
novelën “Thomai që mbolli kripë”, librin me
esse “Epoka që verbon poetët”.
Kam hulumtuar, mbledhur e botuar, shoqëruar
me shënimet përkatëse nja katër vëllime me këngë,vaje e bejte pilurjote etj,
etj.
Tani më thuaj ti, a të ka pëlqyer
‘’mjalti’’im, apo si gazetar pëlqen vetëm ‘’të thartat’’.
Kam lindur në Sarandë dhe këtë e konsideroj
një fat të madh. Jam diplomuar për financë dhe kam punuar dhe punoj në sektorin
e financës.
Pyetje:-Ç’kanë të përbashkët financa me
poezinë?
Përgjigje:-Për ju, asgjë. Për mua financa
është një poezi më vete, që të habit me
konçizitetin e saj. Në ato pak faqe
bilanci, në ato shifra renditur me skrupulozitet, unë lexoj rezultatin e një pune periodike (mujore,
tremujore apo vjetore) të një grupi
njerëzish. Te kjo poezi nuk ka fjalë, aty ka shifra që flasin. Por edhe te
pentagrami, janë notat që flasin, teksti
është komentues....
Pyetje;-Ç’do të thotë të jeshë nga Piluri?
Përgjigje;- Kur isha i vogël, dëgjoja
shpesh të thoshnin ‘’hajdut nga Piluri’’ ose ndonjë tipi ngatërestar, plakat e lagjes t’i thoshnin;-Ti more djalë
do keshë në bark ,ose shejtanin ose ndonjë “pilurak”. Unë nuk i kuptoja
çdomethënie kishin, aqë më tepër që unë
kam lindur në Sarandë dhe vizitat e mia në Pilur kanë qënë të pakta, kjo e
kushtëzuar nga problemet ekonomike
familjare, në fëmini e rini dhe nga largësia e punësimit, më pas. Por për fat
të mirë, në s’vajta unë në Pilur, Piluri
erdhi ai tek unë me gjithë madhështinë dhe humanizmin, legjendat dhe përrallat, trimërinë e zgjuarsinë e tij.
Erdhi e më mbuloi të tërrin. Në
fëmini, atë ma solli në Sarandë gjyshja
dhe nëna, me këngët e përrallat, të cilat edhe sot nuk i kam haruar dhe i kam
cituar nëpër librat e mi. Pastaj, çuditërisht, gjeta Pilurin e këngëve dhe rapsodëve dhe atëherë ndjeva,
më shumë se sa e kuptova, se unë gjithnjë kam qënë në Pilur, ndonëse jo
fizikisht.
Të mësosh se edhe Zeusi flet me fëshfërimën e lisave
të Pilurit, të mësosh e të ndjesh se je pasardhës i një fisi të lashtë,
tejet të lashtë, aqë sa të të ketë mbetur
edhe emërtimi ‘’bir i këmbëcjapit’’, duke nënkuptuar në këtë Panin e
Madh, kjo ndjenjë të vë para një përgjegjësie morale. Është si të jeshë duke
mbartur një thesar në shpinë, të cilën
do ta shpiesh të pacënuar diku larg,
nëpër kohëra. Qoftë edhe duke ecur përmes
njerëzve që të ngacmojnë.
Të jesh pilurjot është edhe si të mbash një amanet të shënjtë, jo
thjeshte si trastë në shpinë, por si pjesë organike, pikërisht në gjakun tënd.
Më pas, duke njohur historinë e Pilurit,
fshatit të djegur tre herë vetëm pse nuk pranoi të ndëronte fenë, fshatin
e aqë trimave, kapedanëve e kuvendarëve, vetkuptohet që të ritet ndjenja
e krenarisë së origjinës.
Duke shkruar për Pilurin, në një poezi them;
Në këtë majë mali u ka hije/Të
bëjn’ kuvend a të këndojnë/Vetëm poetët dhe …perënditë/ Këtu i kemi ne
shtëpitë.
Vetëm katër vargje, por s’besoj se duhen
më.
Pyetje;-Po
të jesh poet nga Piluri?
Përgjigje;-Më kupto, të lutem. Në Pilur,
vetëm në shekullin që lamë pas, kanë krijuar
mbi tetëdhjetë rapsodë, të nivelit të lartë, që u kanë rezistuar
kohërave..Ose që të jem më i saktë, nga hulumtimet e mia, që u përkasin vetëm
kohëve të vona, kam ‘’takuar’’ kaqë rapsodë
dhe krijimet e tyre. Poezia është pjesë e jetës në Pilur.Të folurit e të
ngacmuarit me bejte, vajtimet e famëshme të grave e plakave pilurjote, të
vlerësuara kudo, janë si tempuj të shënjtë . Nuk është e lehtë
të hysh e të pranohesh si poet në mjediset poetike të tilla, gati gati aristokratike.
Po të sqaroj diçka për ta kuptuar, duke marë shëmbullin nga ceremoniali i vajtimit me ligje. Në qoftë
se në një mort, një vajtore nis
e ligjëron dhe e ngre, e vlerëson më
shumë nga sa duhet të ndjerin, vajtoret e tjera, me vajtimin e tyre të mëpasëm
e korigjojnë menjëherë lartësimin e pamerituar të vajtores së mëparëshme dhe
këtë korigjim janë gati ta mbrojnë edhe me sherr, edhe brenda shtëpisë së
mortit.
Kur kushte të tilla të vështira u vihen,
ose më saktë u vetëvihen rapsodëve, bejtexhinjve apo vajtoreve, duhet të
kuptosh që poetëve u kërkohet shumë më shumë.
Pyetje:-Po
në Sarandë, si është klima letrare?
Përgjigje:-Në Sarandë klima është e
ngrohtë. Nuk e kam fjalën për këtë pragsezon plazhi, por për klimën letrare…
Pyetje:- Më fal që të ndërpres, por dua të
sqaroj diçka që kam dëgjuar. Thuhet se në Sarandë jeni mbi 80 poetë që…
Përgjigje:-Boll me këto statistika
bufatorike, që të kujtojnë …rendimentet në parcelat e misrit të N.B.Vrinës,
dikur. Pse ç’janë poetët, misër që mbillen në parcela eksperimentale, me kubikë
e pa kubikë. Më kujtohet me këtë rast Basho, i cili diku ka thënë se një komb
është fatlum, në qoftëse në një shekull nxjer një poet të madh.…Një qytet duhet të ndjehet i nderuar në rast se një
poeti, bir apo bijë e tij, i kujtohen pas disa vitesh katër apo pesë poezi të
tij. Madje ka detyrimin moral t’ja
kthejë borxhin e ..nderit.
Pyetje:-…mbi këtë shifër mund të shtoj edhe
mbi 200 libra të botuar…
Përgjigje:-Nuk po miremi vesh, më duket.
Unë të flas për poetë dhe poezinë, ti më flet për libra të botuar dhe vargje të
shkruara…Më kupto miku im. Çdo gjimnazist i ka bërë një poezi dashurie shoqes
së bangës ose shoqes tjetër, dhe çdo gjimnaziste i ka derdhur në vargje
emocionet e pritjes,takimit, puthjes dhe zhgënjimit të parë, por ata nuk qenë
dhe nuk u bënë poetë dhe ato vjershëza nuk janë poezi. Të gjithë pensionistët
shkruajnë kujtime dhe bëjnë bejte, madje dhe i botojnë me kushtime dhe amanete,
por nuk janë as shkrimtarë dhe as poetë.
Le të ta sqaroj pak më ndryshe. Të gjithe
ne vemi në kishë, në pashkë e krishlindje, ndezim qirinj, lutemi, marim naforën
e bëjmë kryqin dhe këndojmë hymne e lavdërime fetare... Por ne jemi thjeshtë
besimtarë, ndonëse jemi gati njëmiliardë njerëz. Ne nuk jemi as shënjtorë dhe as profetë
dhe askush nuk pretendon që është Jezusi. Ai është një dhe i vetëm,
madje edhe në shkrimet e shënjta ai quhet “I vetëmlinduri”. Kështu dhe poeti, në
mes të një mase të madhe lexuesish,
recitueshish, shkruesish (shpesh grafomanë) është një i vetëm. Shpesh herë është
ai, i heshturi, i drojturi.
Mund të keshë shkruar …tetëdhjetë libra
poetikë…dhe të mos jesh poet, ashtu si shpesh mjafton vetëm një vëllim poetik,
që të tronditë botën letrare dhe ti ndryshojë orbitën globit…poetik.
Pyetje: Po
ti, ku je?
Përgjigje:-Unë? Unë kam ca vite që kam marë rrugën për të shkuar te
Tempulli i Poezisë. Për të bërë një lutje a për të bërë një …fli. Për
P(oezi)erëndinë. Ky tempull qënka në majëmali dhe shtegu qënka i ngushte e i thiktë. Shumë kanë mbritur para meje. I
dëgjoj këngët (himne dhe lutje) dhe e ndjej
aromën e “flive” të tyre, siç ndjehet në oborin e kishës, aroma e
qirinjve të ndezur. Unë ngjitem. Nuk e
di në do arij dot te obori i këtij
tempulli, por dhe në mbritsha, do trokas te porta e tij, të cilën, nuk e di në
se do ma hapë ndokush, ndonjëherë.
Këtë doje të dëgjoje? Dakort, është dhe kjo
një pjesë e të vërtetës, madje finalja. Por në fakt ka dhe një anë tjetër, më
njerëzore. Poezia, në veçanti dhe shkrimtaria në përgjithësi është shndruar në një farë oksigjeni për mua. Unë
nuk shkruaj, që të më shohin të tjerët që shkruaj e të më vlerësojnë. Unë
shkruaj, sepse nuk mund të ri pa shkruar. Ashtu si çdo njeri, që s’mund të
rojë pa thithur oksigjen.
(Më duhet që t’ju them se shprehja në korsiv, nuk është e
imja, por e një poeteje, dhe unë e citova motamo, në respekt të shënjtërisë
që ajo përmban dhe të faktit që është
shprehja më konçize e të vërtetës
sime.)
Pyetje;-Ç’mesazhe përçojnë librat e tua me
poezi?
Përgjigje;-Më kanë thënë se poezitë e mia kanë shumë dhimbje, shumë trishtim, ka shumë lot nëpër
to. Po a s’më thoni, si mund të mos derdhë
lotë poeti në trazirën e ’97, kur më shumë shihnim makinën e varrimit të ecte rrugëve të qyteteve se sa taksitë. Kush
do këndonte këngë gazmore ndërsa numëroheshin ditë për ditë viktima njerëzore.
Pastaj unë kam një mendim tjetër për
poezinë. Poezia e vërtetë është poezia e dhimbjes, jo poezia entusiazte. Edhe
simboli i dashurisë është një zemër e çpuar nga shigjeta. Mendoj se dhëmb edhe
gishti kur çpohet me një gjemb e jo më një zemër e çpuar nga shigjeta. …Një
dashuri që ska lotë, nuk është dashuri…thotë një fjalë arabe.
‘’Dhimbja
është banore e qytetit tim’’
është vargu i parë i librit tim të parë.
Duke kënduar për të, unë ftoj gëzimin
njerëzor të vijë e të bëjë si zog,
folenë te pema e dhimbjes. Duhet ta njohësh dhimbjen që të kërkosh
lumturinë.Për vete e për të tjerët.
Pyetje;-Si do e karakterizoje poezinë tënde?
Përgjigje;-Unë mendoj se poezia ime është
aktuale. Por ju dhe lexuesi duhet ta
dini më mirë. Unë e shkruaj, ju e vlerësoni. Unë ua jap ‘’mjaltin’’ e lotëve të
mia, mos ju duket shumë i kripur? Se i sheqerosur e di që nuk është.
Pyetje;-Ç’lidhje ka poezia jote me artin
popullor,( iso-polifoninë) dhe si rri me të
e ndaj tij?
Përgjigje;- Ç’lidhje ka drita me lumin, që
buron rrëmbyeshëm teposhtë, hyn nëpër turbine e përsëri del e përfundon në det? Në pamje të
parë s’ka lidhje fare.
Në pamje të parë poezia ime s’ka asnjë
lidhje me artin popullor, me krijimtarinë popullore, qoftë ajo edhe në prozë.
Unë kam vjersha të shkurtëra, populli ka
rapsodi të gjata.Unë i kam në varg të lirë, populli i ka në vargje të
rimuara.
Por ka një gjë që harohet. Dhe më kryesori.
Njeriu dhe shpirti i tij. Unë jam Brgedetas, jam pilurjot dhe në vargje derdh
shpirtin tim bregdetas, pilurjot. Pavarësisht në se i derdh në vargje të
rimuara apo vargje të lira. Unë jam aty
, në mes të librave, në mes të vargjeve, me brengën, hallet e dertet e mia. Që
nuk janë thjeshtë të miat, personale.
Janë hallet e dertet e kohës dhe të kohrave, të kombit e të kombeve.
Le të bëjmë një largim nga unë dhe ti bëjmë një vizitë Fatos
Arapit, psh. Fatos Arapi është një poet modern, që i përket të ardhmes,
pavarësisht se shkruan sot. Vargjet e tija të lira s’kanë asnjë lidhje me
vargun tradicional të poezisë popullore. Por po
të lexosh me vëmëndje poezitë e tij, sidomos ciklin kushtuar vëllait të
tij, Vllas Arapit, për mënyrën se si shprehet e trasmetohet dhimbja njerëzore,
të krijohet ndjenja se je duke lexuar(dëgjuar apo vajtuar) vajet e nënave labe
dhe bregdetase. Vetëm një “sistemim” mund t’u
bëhet vargjeve të tij dhe të çfaqet para teje një vajtim. E pra, në
shtratin e lashtë (të artit popullor) rrjedh rrëmbyeshëm lumi ( i fryrë ) i poezisë moderne të tij. Diku shtrati është
më i “gjërë” apo më i “ngushtë”, diku në brigje kanë mbirrë rrepe apo shelgje
lotues, diku koha ka ndërtuar “kaskada”,
por gjithësesi, lumi rrjedh teposhte e derdhet në det, i pastër e i kthjelltë,
pa baltovina nëpër të. Prandaj është kaqë e bukur poezia e tij.
Shiko miku im, poezinë e Ali Podrimes. Në
dukje, një poezi e largët, me vargje të “çuditëshme”. Por ajo, poezia e tij, nuk është gjë tjetër,
veçse shpirti i poetit (dhe i popullit të
tij) që reh me ritëm të shpeshtë, të mbytur nga gulçet e dënesat e fshehura mes
vargjeve. Po ta lexosh me vëmëndje, të duket
se në çdo varg, ai ka vënë një copëz zemre, të zemrës së tij të coptuar nga
fatkeqsia (personale dhe kombëtare).
Dhe këto copëza zemrë nëpër vargje, ende
janë të lidhura me njera tjetrën me nerva e damarë dhe rahin si një e tërë në
gjithë krijimtarinë e tij.
E pra, të thuash se ç’lidhje ka poezia e
këtyre dy viganëve modernë me artin popullor, është si të pyesësh se çfarë
lidhjeje kanë mes tyre vera me vreshtin, vetëm e vetëm se e para është e
amballazhuar mirë e bukur në shishe dhe tregëtohet nëpër restorante moderne,
ndërsa vreshti është aty, në një shpat mali, në shi e në borë, me baltë e
barishte nëpër rënjë dhe shpesh herë, edhe me insekte besdisëse nëpër gjethe.
Pyetje;-Pse u hodhe në studime të isopolifonisë,
bile pa kaluar nga proza?
Përgjigje;-Këtë nuk e di as vetë
saktësisht. Vlerësimi i iso-polifonisë si kryevepër e njerëzimit dhe marja e
saj në mbrojtje nga UNESCO më gëzoi pa masë. Mendo dhe vetë;U shtua edhe një kryevepër e njerëzimit që populli ynë
i jep botës, krahas Butrintit, Beratit e Gjirokastrës. Pra, brenda një
sipërfaqeje afro dhjetëmijë kilometra
katrore, populli ynë ka katër kryevepra
të njerëzimit, të njohura e të çertifikuara. Nuk di ndonjë vend tjetër me një dëndësi të tillë gjeografike
kryeveprash. Çertifikimi i iso-polifonisë
është vërtet një vlerësim për popullin tim. Po kur dëgjova se disa
studiues, fatkeqësisht shqiptarë, filluan ta sulmojnë me argumente jo serioze
si psh, jo po pse u quajt iso-polifoni kur ne e kishim mirë polifoni, jo po pse
nuk na pyetën edhe ne etj etj, atëherë, pa
ju futur studimeve teorike, fillova të hedh në letër mendimet e mia,
duke i argumentuar me shëmbuj konkretë të jetuar, kryesisht të marë nga
bregdeti dhe veçanërisht nga Piluri. Kjo më diktoi që këto shënime ti trajtoja në formën e
sprovës dhe jo në formën e studimit akademik. Mandje në librin “Vesa mbi
këngë”, këto tema i trajtoja më shumë në formën e një tregimi, gjë që solli dhe
leximin dhe përthithjen massive të tyre, ndryshe nga çmund të ndodhte po të
qenë studime të tipit akademik, ku lexuesi do qe një numër i kufizuar.
Pastaj, kureshtja është sëmundja më e njohur e poetëve dhe studiuesve.
Kureshtja se si ka ardhur kënga nga
vajtimi, apo si fluturon shqiponja e
këngës në qiellin e isos, si ka shtegëtuar kënga nëpër shekuj, si është krijuar
vallja, e gjer edhe te zakonet e kanunet, këto janë shpella që duhen ekploruar
nga studiuesit e folklorit dhe duhen
ditur e përthithur nga shkrimtarët e poetët.
Pastaj, arti popullor është një shkollë e
pazvëndësueshme e shprehjes dhe konçizitetit të shprehjes artistike. Le të
shohim, psh vargjet e një këngë, për një nuse të re, ardhur në vizitën e parë
pasmartesore në shtëpinë e të jatit. Dikush e pa, ashtu të stolisur me unaza e
zinxhirë floriri dhe këndoi… Ky zinxhir i hollë larë më flori/as na
fol një fjalë si në vajzëri… Dy vargje janë, por sa dramë, dhimbje e brengë
mbajnë nëpër gërmat e tyre. Do duheshin vëllime të tëra për ti shpjeguar
teorikisht. Pra,shih sa qartë,shkurt dhe artistikisht flet populli.Kemi ç’të
mësojmë, apo jo.
Të kaluarit nga proza për te studimet ska
të bëjë fare. Për tu larë në det mund të hidhesh nga ndonjë gur, nga një varkë,
mund të futesh me këmbë etj etj.
Pyetje;-Sa e kanë pikturuar poetët e
Sarandës Jonin dhe sa është dhënë në përgjithësi në artet tona Mesdheu?
Përgjigje;-Të kuptohemi, s’ka rëndësi sa e
kanë pikturuar poetët sarandiotë Jonin e
Mesdheun. Ata ditë për ditë shkruajnë e
flasin për Sarandën, Jonin e Mesdheun, por ka rëndësi si shkruajnë për Jonin e Mesdheun, si e pikturojnë atë.
Ajo që ka rëndësi është fakti se sa u ka
hyrë në shpirt, në jetën e tyre, në botën e tyre Joni dhe Mesdheu. Sa jonianë
dhe mesdhetarë janë ata, sepse kur thua Joni dhe Mesdheu ke thënë Europa,
kultura,dija, përparimi, civilizimi etj etj. Mund të banosh pranë Jonit dhe të
jesh banor i prapamaleve. Mund të vish pranë Jonit dhe Mesdheut me kanun,
koncepte e botë të ngushtë provinciali,
të jetosh e të vdesësh pranë Jonit e të mos marësh vesh se ke humbur një botë
të ndritur e të madhe.
Mund të vish edhe si shtetar i plotfuqishëm, psh në Sarandë dhe të
kapardisesh e të thuash psh ; -Do ta bëj Sarandën të këndojë me çifteli, apo të
këndojë vetëm labçe.
Këta mjeranë nuk e kuptojnë se e kanë
humbur që në fillim Sarandën, Jonin e Mesdheun. Nuk bëhesh dot qytetar pse shite dhëntë e dhitë dhe bleve një “kullaro”
e një kostum.
Ky është problemi more mik.A bëhemi dot
jonianë e mesdhetarë, europianë. Për veten tonë, jo për botën. Pastaj
vetkuptohet që do shkruajmë si jonianë për Jonin e si mesdhetarë për Mesdheun
dhe sidomos do shkruajme, do mendojmë , do jetojmë e do punojmë si europianë
për Shqipërinë Europiane. Dhe duke i dhënë shpirtin tonë jonian artit tonë,
fjalës sonë, vargut tonë poetik..
Këtë objektiv ka edhe Klubi i Krijuesve të Artit Jonian, Ky
është në thelb ajo që ne e quajmë Arti Jonian. Jo Arti Jonik i antikitetit, por
Arti Jonian i kohës dhe jetës sonë
moderne, me ritme e vizione.
Unë do tju ftoja ta mirni poezinë e miqve
të mi, psh Agim Matos, Andrea Zarballa,Niko Kacalidha, Adriana Dhrami etj, dhe
nëpërmjet vargjeve të tyre të shihnit botën. Ju siguroj që do shikoni një botë magjike, që as në ëndra nuk e kini parë.
Një botë (moderne)që të magjeps e të
mrekullon. Dhe të fton të bëhesh pjesë active e saj.
Pyetje;-Ç’krijimtari ka dhënë tema e
kurbetit?
Përgjigje;-Kurbeti, kjo plagë shekullore e popullit tim, u gëric përsëri e
filloi të kullojë gjak, dhimbje, e …këngë. Populli ynë gjithnjë, edhe dhimbjet
i ka përjetësuar nëpër këngë, qofshin këto dhimbje të ëmbëla dashurie, qofshin
edhe dhimbje të rënda morti. Është një bibliotekë e tërë me këngët, apo më mirë
me këngëvajet e kurbetit, e cila
fatkeqësisht dhe fatmirësisht,
ritet ditë për ditë. Them fatkeqësisht, sepse ajo tregon se vazhdon
vuajtja e popullit tim në kalvarin e kurbetit dhe them fatmirësisht, se edhe
sot në kohët moderne, bota shpirtërore e njeriut shqiptar, ka trokitur te
laboratori krijues i këngëve të vjetra të kurbetit, për të artikuluar artistikisht brengat, hallet e
dertet e jetës së tij të përditëshme, duke riaktivizuar këtë laborator, i cili
në të kaluarën ka dhënë perla të poezisë dhe këngës popullore dhe sot në kohët
moderne, rezikohej të amortizohet nga mospërdorimi.
Pyetje;-Si do ta shihje dramën e një plaku
të mbetur vetëm?
Përgjigje;-Vetëm këtë dramë s’dua të shoh
më te asnjë njeri. Do dëshiroja të mos e shihja tek asnjë njeri mbi këtë dhe,
pavarësisht nga kombësia e tij. Kam
shkruar për plakat që ua bren ditët
ndryshku i vetmisë, kam shkruar për pleqtë që vdesin duke pritur, pleqtë tanë
të mbetur vetëm, dhe të them të drejtën, e kam përjetuar dhimbjen rëndshëm. Por
ta përjetosh artistikisht dhe ta jetosh realisht, është një det me lotë në mes,
dhe unë s’dua të lundroj nëpër të.
As me anie luksoze.
Pyetje;-Sa njihet dhe sa jeton në kulturën
e përgjithëshme të vendit krijimtaria dhe kultura jonë lokale ose
rajonale?Ç’mund të bëjmë më mirë?
Përgjigje;-Nuk ka kulturë lokale, nuk ka
kulturë rajonale. Ka kulturë, ka art, ka stil të shkruari, të pikturuari, të
vallzuari, të kënduari etj etj. Po ju donit të
thoshnit, plot dashamirësi, për krijuesit që
jetojnë e krijojnë në ‘’rajone apo lokale’’, qytete provicialë
e ca më shumë nëpër fshatra, ku hapërsirat e shikimit artistik janë më
të kufizuara. Ky është problem i vogël që zgjidhet lehtësisht. Problemi është se sa këta
shkrimtarë, poetë, piktorë në përgjithësi artistë, krijojnë vepra që, për
nivelin artistik dhe mesazhin që
emetojnë i kalojnë hapërsirat gjeografike të vendbanimit të tyre. Sa
vend zënë këta artistë dhe vepra e tyre në jetën artistike të vendit.
Ismail Kadareja lindi në Gjirokastër, por
ai tashmë nuk është më i Gjirokastrës. Ai është i gjithë Shqipërisë, për mos me
thënë që është i gjithë Europës e më tejë
Por ajo që ka rëndësi,në këtë këndvështrim, është fakti se ajo që quhet zakonisht ‘’krijimtari lokale’’,
kënga popullore, po bastardohet nga
përpunimet dhe përpunuesit e këngës popullore, duke i shndruar shpesh edhe
perlat e vërteta të artit të popullit në
‘’xhingla arixhiu’’ pa vlerë e pa shije, thjeshtë për komercializëm. Këta janë
barbarët e kohëve moderne, këta janë barbarët e artit.
Pyetje;-Sa jetojmë si krijues?
Përgjigje;-Po
u fute në det, do lagesh i tëri. S’mund ta pyesësh tjetrin që është në mes të detit në se e ka
lagur këmbën e djathtë apo dorën e majtë.
Po u fute në detin e krijimit do ‘’lagesh’’ i tëri
dhe do jesh i lagur sa kohë që do jesh në atë ‘’det’’. Shpesh herë poezia nis duke bërë një vjershë
dashurie.Në këtë rast je një djalë fatkeq ose fatlum i dashuruar, por nuk je
poet. Të jesh poet do të thotë të jetosh çdo moment të jetës poetikisht, të
gjesh poezinë dhe artin edhe aty ku të tjerët shohin banalitetin. Dhe një debat
ose konflikt të rëndomtë, ta shohish si
një fenomen artistik aktual apo në prespektivë. Është njësoj si dashuria.
S’mund të thuash që do dashuroj të hënën e të martën dhe do bëj pushim të
mërkurën dhe të ënjtën. Po të zuri dashuria e
krijimtaria, të zuri të tërin dhe për gjithë kohën. Është si sëmundje. Mund të
të dhëmbë vetëm koka, por këmbët s’bëjnë çap më tutje.
E pra, shërimi është që të sëmuresh i tëri
e përgjithnjë.
Ilaçet nuk më bëjnë gjë… thotë një këngë
popullore.
Pyetje;-Kur shkruan dhe si?
Përgjigje; Puna e zyrës bëhet me
tetëorarsh, jo arti. Arti bëhet gjithnjë. Për tu shkruar, mos u habit po më pe
ndonjëherë që të kem ndalur makinën në anë të autostradës dhe të jem përkulur
mbi bllok.
Pyetje;Cilin poet mba për idhull, po
prozator.
Përgjigje; Unë i dua dhe i respektoj të
gjithë krijuesit dhe lexoj sa më shumë të mundem. Jo vetëm kaqë, por kam nisur
edhe ti rilexoj shumë autorë dhe gjithnjë bëj zbulime që dikur më kanë
shpëtuar. Nuk kam idhuj. Nuk i vë krijuesit në peshë për të parë kush është më
i rëndë a më i majmë. Secili ka
portretin e tij, ka botën e tij, ka artin e tij. Floriri është flori
pavarësisht se ku hidhet nga ai që sja
di vlerën.
Pyetje;-Ç’ke në shtyp dhe mbi se po punon?
Përgjigje:- Akoma do për ….mua.
Zakonisht unë flas pasi e kam mbaruar
punën.Tani porsa mbarova këtë intervistë, për të cilën ju falnderoj së tepërmi,
juve dhe lexuesit e nderuar që do kenë
rastin të njihen me të.
Ju faleminderit.
Nuk mund ta besoja se do të ribashkohesha ndonjëherë me ish të dashurin tim, isha aq i traumatizuar duke qëndruar vetëm pa një trup që të më qëndronte pranë dhe të ishte me mua, por isha aq me fat që një ditë takova këtë magjistar të Dr. Ediomo, pasi i tregova per gjendjen time ai beri cdo gje qe ishte e mundur qe te shihte te dashurin tim te kthehej tek une, ne fakt pasi beri magji ish i dashuri im u kthye tek une me pak se 48 ore, ish i dashuri im u kthye duke me lutur qe nuk do te rikthehej kurre. me ler perseri, 3 muaj me pas u fejuam dhe u martuam, nese edhe ti ke te njejten situate. Ai është shumë i fuqishëm në punët e tij;
ReplyDelete* magji dashurie
* magjitë e tërheqjes
* nëse doni që ish-i juaj të kthehet
* Ndaloni divorcin
*thyej obsesionet
* shëron goditjet në tru dhe të gjitha sëmundjet
* magji mbrojtëse
*infertiliteti dhe problemet e shtatzënisë
* magji llotarie
* magji me fat
Kontaktoni Dr Ediomo në emailin e tij: drediomo77@gmail.com
faleminderit shume zoteri qe ma ktheve ish te dashurin tim emailin e tij: drediomo77@gmail.com ose telefono/whatsapp:+2349132180420
+2348155926512