Një
vlerë mbi vlerat poetike
(Libri “Kur flasim për
Artin Jonian” i Timo Mërkurit)
Nga Dr.
Zejnepe Alili REXHEPI
Të pranosh mahnitjen, gjatë leximit të librit “Kur flasim për Artin
Jonian…”, është e pamjaftueshme ndoshta, përderisa në të, gjenë një formë
rrëfimore të mrekullueshme, në të cilën spikat urtia e dijeve të thella të Timo
Mërkurit. E përgëzoj autorin, për stilin e veçantë narrativ, të sjellur si një
mozaik kujtimesh, dialogjesh e vargjesh…, ku reflekton shpirti i një poeti, për
të nxjerrë në pah artin e më shumë poetëve bashkëvendas. Kur, në saje të
“Triremës Poetike Joniane” - Sarandë, 2013, bëhej dhe përurimi i librit “Kur
flasim për Artin Jonian…”, erdhi edhe njohja më për së afërmi, me autorin e
librit, T. Mërkuri, e veçmas natyra e tij e çiltër, të bënte të ndihesh, ashtu
siç ndihesh me një mik që njeh prej vitesh.
Libri i Mërkurit, një tip monografie do thosha, vjen me një narracion të
ngjeshur ngjarjesh e stilizimesh gjuhësore! Të lë mbresën e një kronike, përmes
së cilës, poeti sjell rrjedhën e një krijimtarie, të vargëzuar mbi kulturën
sarandiote dhe përvijimet jetësore të miqve e kolegëve të tij - poetë. E bukura
e këtij libri, është mënyra se si është sjellur rrëfimi! Narrator është vetë
poeti e miqtë e tij bashkëpoetë, vijnë përmes dialogjesh e rrëfimesh si prurje
mahnitëse, pasi poetët Jonianë janë unikë dhe këtë e reflekton vargu i tyre me
frymë polifonike. Megjithëse, Mërkuri i quan një grup spontan poetësh, më saktë
miqësh, ata janë një shkollë më vete, që bashkëveprojnë në emër të artit të
Sarandës - vendlindjes së tyre të bukur, me histori të lashtë. Në të vërtetë,
ata janë zëri unikal i poezisë Joniane.
Ngjarje të shumta jetësore e krijuese, si një thesar brenda këtij libri, të
krijojnë përshtypjen e një kronike, monografie a ditari, të gërshetuara
artistikisht, meqë autori, me devotshmëri arrinë të vërë në spikamë më të
bukurën e kësaj krijimtarie, duke vënë në përdorim “vetëdijen historizuese”,
përmes një trajtimi të arrirë artistik. Teksa shfleton fletët e librit dhe
lexon vargjet, e imagjinon veten se si bredh nëpër Sarandë, duke e fiksuar atë
si një kështjellë ëndrrimtare, ku jeta ka formën e një idile plot nuanca të
ylberta. Po ç’e do, kur kjo ndjenjë zvetënohet
nga aktualiteti shoqëror, nga shqetësimet e përditëshme, të cilat janë dallgë
të pandalura që e rrahin këtë fortesë, si shkëmbinjtë bregorë gjatë furtunash?!
E një ndjesi e bukur të kaplon, derisa e lexon “ Kur flasim për Artin
Jonian”, sikur pushtohesh në detin magjik të artit. Leximi i këtij libri, vë në
pah mjeshtërinë e përshkrimeve mërkuriane, që zënë fill e degdisen tej përgjatë
kufijve hapësirorë dhe kohorë të Jonit, ku si një perlë vendoset qyteti i
Sarandës, që të zgjon mijëra imazhe përsiatjesh të admirueshme. Kjo shpjegon
se, krijuesit sarandiotë e kanë mbajtur të pashkëputur linjën e raportit
individual me përvojën universale njerëzore, qoftë edhe përmes afreskash
narrative të legjendave.
Këtë libër e përmbushin autorë dhe krijime të përzgjedhura, arti i të
cilëve ngrihet mbi botën e luhatur ekzistenciale, për t’u shndërruar në
margaritar, vlera e të cilit do t’u mbijetojë kohërave. Në të, vjen një
prezantim i denjë për autorin e vëllimeve “Jashtë eklipsit” dhe “Fundo”, Agim
Maton, sipas të cilit, në “Artin Jonian rrinë lirshëm legjendat e djeshme dhe
marrëzitë e dashuritë e sotme”(13). Poezitë e A. Matos, kanë vlerë jetike,
andaj “Të kultivosh Artin Jonian do të thotë t’i ngresh hymn jetës në mes të
mortit, t‘i japësh frymë paqes në zgrip të luftës, të ngjyrosish me kaltërsinë
e detit shpirtin e njerëzve, të mbjellësh në jetët e tyre një... ulli,
pavarësisht se prej tyre mund të kesh hequr... të zitë e ullirit”. Atëherë, a
thua vallë, mund të zërë fill këtu edhe shprehja “Sa pak det paska në poezinë
time”?!
I trishtë përkah tematika, por i bukur për nga vargëzimi metaforik, vjen
vëllimi “Mos e shiko fundin e detit”, i Andrea Zarballës, kur fati i hidhur
deshi që ai, në vend që t’i botonte poezitë, i groposte ato pranë një rrënje
ulliri në vendlindje - Llazat, të Sarandës, për të pritur kohë më të mira. E ai
nuk dorëzohet, pret…, ka durim dhe shkruan: …Ullinjë tanë nuk janë pemë /
janë gjyshërit tanë / të rrudhosur / shekullorë. Nuk kanë ndërmënd të ikin nga
kjo jetë…(48). Dhe shumë krijues të tjerë më pas, përshkohen nga e njëjta
ndjeshmëri, si: Kristo Çipa dhe “Këmbana e dashurisë”, Spiro Llajo me “Një
grusht det” dhe “Motiv Jugor”, Kiço Papa me “Lirikat e Jonit”, në të cilën nuk
vuri ndonjë fotografi heroi, por vuri shpirtin e tij, pastaj poeti Petraq
Dhima, i cili u shpreh me sinqeritet: Dhe do shikojmë ndonjë dramë / Ndonjë
koncert a komedi / Por ne e dimë, e para çfaqje / ka qenë e jona dashuri...
(130). Natyrisht, pa harruar këtu, edhe krijuesit: Niko Kacalidha, Thanas
Dino, Odise Kote…, krijimtarinë e të cilëve e përvijon një varg tejet
domethënës i Mërkurit: “Dhimbja është banore e qytetit tim”! Me këtë,
nënkuptohet një tëhuajësim ideor e kulturor, pre e të cilit bëheshin shpesh
poetët.
Këtij vargani poetësh nuk i shihet lehtë fundi! Aty njihesh me krijuesit:
Edmond Llaçi e Drita Lushi, të cilës “…dashuria për njeriun dhe dashuria për
jetën më shumë se krahë fantazie, i jep guxim…”. Gjithashtu, Aqif Hysa
prezantohet me “Poema e ikjes”, e si i mbetur “Peng midis Ekuinoksesh” është
Ymer Nurka, me “Atdhe tjetër” reshtohet Faruk Myrta…, e të tjerë, të cilët vijnë
me subtilitet e delikatëse në nismë, e më pas përthyhen përballë vrullit të
mesazhit poetik, gjithmonë me ngjyrime të thekshme. Plotënia shpirtërore e
këtyre poetëve shfaqet mjaft sensitive, andaj herë - herë, vargu i tyre jep
mesazhe udhëzuese dhe përjetohet njësoj prej lexuesit. Po në to, qartazi del në pah përvoja
moderne e ligjërimit artistik të vetë krijuesve, si dhe shija përzgjedhëse e
autorit të këtij libri.
Prirja personale e Mërkurit, si e drejtë individuale, për të përkapur
përsiatjet poetike të më shumë poetëve sarandiotë dhe më gjerë, e shtrirë në
një kuadër diskursesh tërësore, sajon një vepër estetike. Kuvendimi me miqtë
poetë, i një rrafshi ligjërimor modest e madhështor, në të njëjtën kohë ...,
“është një botë e bukur, gati magjike, bota e Artit Jonian”! (20). Me këtë,
fryma e individit (autorit) merr tiparet e një baritjeje shpirtërore që
përshkon harkun kohor, nën portretizimin e lirikës joniane. Pata fatin dhe unë,
që të njihem me këta poetë, e të pasuroj ëndjet e mia poetike nga vëllimet e
tyre, të dhuruara miqësisht. E si mund të harrohen poetët: Dashamir Malo,
Bardhyl Maliqi, Andriana Dhrami, Irena Gjoni, Vangjel Zafirati, Lediona Braho…
Sa do të doja të mos kemë harruar asnjë poet, vargjet e të cilëve përmbajnë
diell dhe det…, e ata, a nuk janë vetë jeta jonë!?
Imagjinatë e poetit apo gjurmim mbi
arkitekturën poetike të Sarandës
Të dish të vrojtosh vëmendshëm detin dhe thesarin në të,
nënkupton të njohësh atë botë të tërë legjendash që të përcjellin imazhe
ëndrrash e realitetesh, teksa ndodhesh në Sarandë! Deti është hapësira e pafund
që i lag brigjet e këtij vendbanimi dhe fortesat e gurta janë harku më i
natyrshëm i ndërlidhjeve kulturore e qytetërimeve, pasi ato kanë të njëjtin
“shtrat lindjeje” - Jonin. Për këtë, Timo Mërkuri, përvijon: “Te zemra jonë
fillon deti”, lajtmotiv ky, që e përcakton metaforën unikale të Artit Jonian.
Më duhet të pohoj se, me shumë interesim e vëmendje, i lexoja vargjet e
poetëve të përfshirë në librin “ Kur flasim për Artin Jonian”, jo pse për herë
të parë ndeshesha me detin, valët, buzëqeshjen diellore, legjendat… që shumë
herë dhe shumë kohë më parë i pata bërë pjesë të vargut tim, madje edhe:
nimfat, guacat, pulëbardhat…, por pse aty e ndjeja vetë frymëmarrjen e poetëve,
jetën e tyre midis sfidash. Çuditërisht, ata me forcën e tyre, ditën që këtë ta
kthejnë në art. Vargjet e tyre na rikujtojnë se këto nota poetike kanë
tingëlluar si metafizikë, duke synuar që përmes vargjesh të shpjegojnë natyrën
e qenies dhe realitetin e hidhur. Kjo sfidë krijuese është si një “pina”, që
deri në vetmohim i joshte krijuesit. Me këtë rast, Mërkuri dhimbshëm veçon:
“Ndërmend kam vargun e poetit A. Mato “Mea Culpa” ku dëshmon se tridhjetë vjet
poeti i privuar nga botimi, rriste në shpirt perlat e tija poetike, nën një
pamje të ashpër indiference publike”, por që vetë poeti këtë mohim e shpreh me
një varg të butë në dukje “Heshta si bilbili në degë”, por gjithsesi një “varg
tronditës artistikisht” (41). E këtillë, me një histori nga më të pazakonshmet,
vjen poezia e A. Zarballas, e cila mbijetoi edhe në kohë stuhish. Ishte një
traditë e patjetërsueshme kjo, që i përndiqte poetët e mesazheve të mëdha.
T. Mërkuri, në librin “Kur flasim për Artin Jonian”, me nostalgji i
rikujton shëtitjet pranverore, nëpër bulevardet e vendlindjes, qytetit
bregdetar…, për të cilin vargje pakrahasueshëm të bukura, shkroi edhe poeti nga
Vlora, Fatos Arapi. I frymëzuar kësisoj, për Arapin shkruan: “Nëpër shtratin e
lumenjve, në vrapin e tyre drejt detit, mes gurriçkave të zallit, ato që
ndrrijnë tek-tuk janë grimca floriri. Grimca të vogëla, gati pluhurore, por
përsëri grimca floriri janë. Në shtratin e lumit të lotëve të popullit tim,
ndrrin floriri i ligjërimeve të nënave, flori i cili na veshi shpirtin në
galvanizimin e rritjes sonë, duke mos e lejuar ndryshkun e kohës të depërtojë
brenda tij.”
Ca fleta më pas, në libër, me një pleksje tematike e mesazh therrës,
analizohet edhe poezia “Borxh ajrit” (119), e Fatmir Terziut, një mik i
autorit, apo më mirë të thosha, një mik gati i të gjithë krijuesve të botës
shqiptare dhe më gjerë. I ndërgjegjshëm për mesazhin “Qenka e thënë të iki
borxhli” që përçon vëllimi “Lum Lumi” i Ali Podrimes, F. Terziu përçon mallin
që kaherë poetët i bën borxhli ndaj Atdheut. “…Poetët e duan Atdheun, sepse i
japin dashuri dhe shpresojnë që, pikërisht tek Atdheu, të rriten e lulëzojnë
dashuritë e tyre” (120). Madje, T. Mërkuri, po në këtë linjë, e rikujton edhe
Ismail Kadarenë, i cili ndonëse “lindi në Gjirokastër, por ai tash nuk është më
i Gjirokastrës. Ai është i gjithë Shqipërisë, për mos me thënë që është i
gjithë Europës e më tej”.
Tendenca e bashkëveprimit poetik midis krijuesish, të së njëjtës trevë,
feks me ca ndryshime të Mërkurit, që do të rendnin tok me shpirtin e poetit,
për të prekur lartësinë që ai synonte. Dhe më duhet të përsëris, se dilema e poetit vazhdon…!
Dikur, ai konstatoi dhembshëm: “Sa pak det paska në poezinë time”!
Kjo klithmë, jo vetëm për liri vetjake e Timo Mërkurit, sikur bëhet
inspirim që nuk resht së yshturi secilin poet…, që të ndrydhin dhembjen e kohëve
të shkuara e më pas, me butësi e ngrohtësi të thuret vargu poetik i një grupi
të madh poetësh sarandiotë, të mbledhur në Klubin Jonian. Kështu, vargu i tyre
jetësohet…, dhe deti e pulëbardhat e Jonit, nuk e sjellin pranë vetëm
brishtësinë dhe ngrohtësinë e vargut poetik, por një pleksje të pafundësisë
qiellore dhe kaltërsisë ujore, midis të cilave fluturon ky shpend, që sfidon
hapësira e josh shpirtëra poetësh, këtu e gjetiu në botë, për t’i lënë fillikat
përpara legjendave e Perëndive. Mërkuri paralajmërues, thotë: “Duhet patur
kujdes në Sarandë, miqtë e mi! Po të lëvizësh një gur, nën të zgjohet një
legjendë, po të mënjanosh një shkurre në breg, mund të sodisësh një nimfë,
sirenë a ndoshta vetë Afërditën”.
Poezia Joniane sajohet si një përsiatje mbi “fluturime ëndërrash e
pulëbardhash”, prandaj forma poetike joniane, nuk është vetëm dhunti e
përdorimit të vargut të shkurtër e fin, që lirshëm përthyhet…, por fat, fat i
të qenurit poet bregdetas, sepse atëherë mund të përshkruash relieve që ngrihen
nga valët e detit, bashkë me puhizën erake të mbrëmjeve në këtë qytet dhe
shndërrohen në rrezengrohtësi për lexuesin, teksa ajo njelmësi e detit kthehet
në ëmbëlsi për vetë ata. Yllësia metaforike të hap vizione paqesore e me
fluiditetin e vet të bën të pyesësh: prej nga kjo filozofi në poezi? E të duket
sikur përgjigjen e gjenë në vargun e A. Matos: “Gjithë ditën fjalosemi me
detin” e më pas i vetëdijshëm për ndryshimin e dukshëm, shkruan: “valët u
ngjirën duke folur”! (15). Në të vërtetë, ai këtu i rreket një sinqeriteti
përvijues të situatës: “Kjo s’e ka penguar faktin që, tej klimës së acartë
ndërshtetërore, nga të dy anët e piramidave, të çelnin dhe aromatizonin ajrin
të njëjtët trëndafila, apo që në mes të luftanijeve, që e shihnin njëra-tjetrën
me grykësynë e topave, të fluturonin pulëbardhat krahëndërr e ngjyrëpaqe”.
Po e tërë kjo, vjen si një kujtesë kulturore e shtresuar ndër vite, që nga
pasuria kulturore e Pilurit, prej ku autori i librit e ka dhe origjinën, deri
tek hapësira më të gjera që e përfshijnë tërë kulturën e Sarandës. Pra, këtë
s’e ka penguar fakti që kontaktet me me njëri-tjetrin, t’i afrojnë edhe më
shumë poetët Jonikë. Deti Jon është hapësira e pafund që i lag brigjet e këtyre
vendeve: “Shqipërinë Jugore, Italinë Jugore dhe Kalabrinë në veçanti, si dhe
Greqinë Veriperëndimore dhe Qipron”. E kalatë e gurta të qyteteve fortesa janë
lidhja më e mirë, e natyrshme e ndërlidhjeve kulturore, qytetërimeve, madje ata
kanë të njëjtin “shtrat lindjeje” - Jonin. “Fjala poetike e Artit Jonian është si
një pulëbardhë, që me lojën e saj nëpër e mbi vale, tërheq shikimin e
meditimin, qoftë të një djaloshi të dëshpëruar në fundbotë, nga dhimbja e
refuzimit të dashurisë së parë, qoftë edhe e luftëtarit që shkon e vjen nga
lufta. Kësaj pulëbardhe i ka hije të fluturojë mbi kryet e …lavdisë me një degë
ulliri në sqep. Dhe në qoftë se nuk mban degë a gjethe ulliri, atëherë ne i
ofrojmë një varg poetik, të kaltër si qielli dhe si shpirti ynë, të bukur si
ëndrra jonë, të patjetërsueshëm si ne vetë” (11).
Klubi Jonian shërben si urë miqësie e poetëve të më shumë viseve, sepse
poezia e tyre reflekton një botë shpirtërore ku dallgëzon deti dhe trazon
aromën e ullinjëve e të mbush frymë e sy me nuanca portokalli të portokajve që
i sheh gjithandej këtij qyteti. Vetë Joni është misteri i një shtegëtimi
heroik, romancash virgjiliane, danteske “fryt i një frymëzimi jonian, që na
shpie tek legjendat”. Është jetike thënia e Timos “Të kultivosh Artin Jonian”,
duhet të jesh i madh sa bota joniane…, megjithëse nganjëherë duhet që
zhgënjimin jetësor dhe marshimin para sfidave, ta sajojnë me një tjetër
ndjenjë, me një pleksje të vargëzimit erotik.
Sajimi i formës poetike joniane, nuk është vetëm dhunti e përdorimit të
vargut të shkurtër e fin, që lirshëm përthyhet…, por fat, fat i të qenurit poet
bregdetas, sepse atëherë mund të përshkruash relieve që ngrihen nga valët e
detit bashkë me puhizën erake të mbrëmjeve në këtë qytet dhe shndërrohen në
rrezengrohtësi për lexuesin, teksa ajo njelmësi e detit kthehet në ëmbëlsi për
lexuesit. Yllësia metaforike të hap vizione paqësore e me fluiditetin e vet të
bën të pyesësh: prej nga kjo ngrohtësi në poezi? Madje…, edhe atëherë, kur
“Gjithë ditën fjalosemi për detin” (15).
Vargjet autoktone, të gjallëruara përmes figuracionit, tani më, të ambalazhuara
me maturi të re artistike, janë motivuese, jo vetëm për besueshmërinë ndaj
artit të vetë poetëve Jonianë, por edhe të atyre që ndikohen e frymëzohen nën
peshën e këtyre krijuesve. Ky libër realizohet këndshëm, është mbresëlënës, me
një dritëmagji legjendash e shpërthimesh të bukura emocionale, që vijnë si
rigjetje para lexuesit. Besoj, në një të nesërme të qëndrueshme, ku vargëzuar
do të mbetet, një përvijim legjendash nga e kaluara, me një realitet të ri
poetik, mjaft të fuqishëm e të mirëpritur nga lexuesit e vëmendshëm.