Timo MËRKURI
POETI DHE POEZITË E PARA TË BOTUARA NË GJUHËN SHQIPE
Përsiatje rreth
librit studimor “Gjon Buzuku – poeti ynë i parë”
të Anton Nikë Berishës
Sa herë që bie fjala për poetin dhe poezinë e parë shqipe
shumëkujt i shkon mëndja te Lekë Matrenga[1]
dhe poezia e tij “Kënga e përshpirtshme[2]”,
një vjershë me tetë vargje e përfshirë te “E mbsuame e krishterë”, një libër i
vogël i shkruar në dialektin toskë, me 28 faqe, botuar në Romë në vitin 1592.
I-Për hir të së vërtetës duhet të pohoj se unë ndjehesha
krenar me cilësimin e tij si poeti i parë në letërsinë shqipe, pasi duke qenë
Lekë Matrenga me origjinë nga Himara edhe mbi mua “binte” diçka nga dritësimi i
tij, aq më tepër që për Matrengat, një i afërmi im i
moshuar më kishte dhënë tekstin e një kënge të hershme popullore, të cilën Fane
Veizi e kishte përfshirë te libri i tij “Bregu i detit në këngë”[3].
Isha mësuar me këtë “përparësi himarjote” në poezinë
shqipe ndaj rënia në dorë e librit studimor të Anton Nikë Berishës “Gjon Buzuku
– poeti ynë i pare[4]” ishte për mua si një
eklips i befasishëm, që më shumë huton se sa errëson dhe qysh në titull më
nxiti për lexim të kujdesshëm, me idenë se: “sigurisht që diku do kishte një
gabim”. E zgjerova gamën e leximeve me shkrime e tituj të tjerë, së pari për
Lekë Matrengën e më pas për Gjon Buzukun dhe “Mesharin” e tij.
II- Lekë Matrenga lini në Horën e Arbëreshëve (italisht Piana
degli Albanesi[5]) në jug të Palermos.
Studioi në Kolegjin grek të Shën Athanasit në Romë, që kishte qenë themeluar më
1577 dhe pastaj u kthye në Sicili ku themeloi një shkollë. Vepra e tij “E
mbsuame e krështerë”, Romë 1592 (Doktrina e Krishterë) është një katekizëm prej
njëzetetetë faqesh, i përkthyer prej Lekë Matrengës nga vepra në latinisht e
priftit jezuit spanjoll Jakob Ledesma[6].
Kopja e (vetme) në dorëshkrim e përkthimit, me shkrimin e vetë Lekë Matrengës
ndodhet në Bibliotekën e Vatikanit, ku data e shënuar në të na tregon se Matrenga
e përfundoi përkthimin më 20 mars 1592 në Piana dei Albanesi. Libri u botua në
Romë te Gulielm Façoti “me lejen e eprorëve”, botim nga i cili ka shpëtuar
vetëm një kopje.
Vepra përmban: një hyrje në italisht, poezinë, “Kënga e përshpirtshme” me tetë vargje metrike që përbën llojin e parë të vargut të shkruar
në shqip[7] si dhe katekizmin,
(një udhëzim fetar për doktrinat kishtare në formën e pyetje-përgjigjeve). Qysh
në hyrje, krahas kushtimit [që ishte një “normë e detyrueshme” për të përfituar
lejen e botimit (shën. im. T.M.)] për kardinalin Ludovico II de Torres, Lekë
Matrenga shpjegon se përkthimi i kësaj
vepre kishte si synim që të përdorej nga arbëreshët që nuk e kuptonin
variantin italisht dhe latinisht të katekizmit dhe se ai do t’u vlente “qindra
familjeve me prejardhje
shqiptare në Kalabri e në Pulje”. Ai e paraqet librin me shënimin: [..] “Dokrina e Krishterë. Bërë nga i urti at
Ledesma i shoqatës së Jezuit. Përkthyer nga italishtja në gjuhën arbëreshe nga
Lekë Matrenga, student i Kolegjit Grek të Romës”[..][8].
III- Pra, pranohet dhe theksohet nga vetë Lekë Matrenga
se libri “E mbsuame e krishterë” (Doktrina e
Krishterë), Romë 1592 nuk është një vepër origjinale e tij, por është përkthimi
nga italishtja e një vepre tjetër, që ka për autor priftin jezuit spanjoll,
Jakob Ledesma, dhe për pasojë, edhe poezia “Kënga e përshpirtshme” është krijim
i jezuitit spanjoll.
Pa mohuar rëndësinë e veprimit të Lekë Matrengës, të
përkthimit si dhe të botimit të veprës “E mbsuame e krishterë” në shqip, si e
para vepër e botuar nga një arbëresh dhe e shkruar në toskërisht dhe e dyta
vepër e botuar shqip (37 vjet pas “Mesharit” të Gjon Buzukut) të shkruarit
vetëm me germa latine dhe risitë që ajo solli në botën kulturore shqiptare,
duhet të pranojmë se Lekë Matrenga nuk është autori i librit, pra ai nuk është
autori i poezisë “Kënga e përshpirtshme”, por është vetëm përkthyesi dhe
botuesi i saj.
Sa i përket vjershës “Kënga e përshpirtshme” unë nuk e
kam origjinalin në italisht të shkruar nga spanjolli Jakob Ledesma për të bërë
krahasimet, për pasojë unë nuk e di a ka qenë e vargëzuar poezia në origjinal
apo jo. Gjithashtu unë nuk di sa i ka qëndruar besnik origjinalit Lekë Matrenga,
a ka bërë shtesa apo ndryshime në vargjet e poezisë origjinale etj. Kështu, në
pamundësi të një ballafaqimi të tillë, gjer sa të vërtetohet e kundërta pohoj
se Lekë Matrenga e ka përkthyer besnikërisht në formë dhe në përmbajtje, duke
mbetur në këtë mënyrë i pari autor shqiptar që ka sjellë në letërsinë shqipe “llojin e parë të vargut të shkruar në shqip”,
në njëmbëdhjetërrokësh me rimë të këmbyer duke “hapur “ në këtë mënyrë “portën”
për të hyrë në letërsinë shqipe poezia në varg metrik. Këtë e theksoj për
faktin se gjer atëherë, madje edhe shumë kohë më pas poezia e shkruar shqip
paraqitej në formën e prozës, me fraza lineare, që asaj i ulte dhe i “fshihte”
vlerat artistike.
IV-Pavarësish se Lekë Matrenga nuk kishte dijeni, plot
tridhjetë e shtatë vjet para botimit të veprës “E mbsuame e krështerë” në Romë
(1592), një prift i quajtur Gjon Bdek Buzuku[9]
, i cili [..]“ishte shkolluar si letrar dhe si murg[10]”[..]
kishte botuar (me gjasa në Venedik[11],
ku ishte strehuar si refugjat në vitin 1497, pas pushtimit të Shkodrës) një
libër, të cilin: “[...] filloi ta shkruante më 20 mars 1554 dhe e mbaroi me 5
janar 1555, në një moshë kur ka qenë burrë i pjekur[12]”.
Jo vetëm kaq, por “[...] e pajisi edhe me një pasthënie që e shkroi vetë në
gjuhën shqipe, pa e ditur se ç’përmasa historike do merrte kjo punë e tij[13]”[..].
Për ta kuptuar vlerën dhe përmasat historike të saj, mjafton të themi se fraza
e parë e kësaj pasthënieje do lexohej jo si një frazë e zakonshme, por me një
këngëzim himen nga shqiptarët[14].
Me këtë nismë Gjon Buzuku synonte: pajisjen e Kishës
Katolike shqiptare me një libër në gjuhën e vendit, të kuptueshme nga masa e
besimtarëve, duke zëvendësuar gjuhën latinishte që përdorej në shërbesat
kishtare, të ngrinte kulturën fetare të klerit dhe të plotësonte nevojat e
përditshme të tij gjatë shërbesave kishtare, aq më tepër që në atë kohë në Shqipëri mund të shkruheshin e
botoheshin vetëm vepra me karakter fetar për arsye se: “[...] publiku lexues
përbëhej kryesisht nga kleri i shkolluar… në Itali, kleri katolik kishte
monopolin e botimeve, gjë që u linte pak hapësirë botimeve të tjera[15]”
dhe se sulltanati e “[...] kishte ndaluar me ligj dhe dënonte me vdekje botimin
e librave në perandorin turke[16]”.
V- Libri “Meshari” njihet deri më sot nga një kopje e
vetme në Bibliotekën e Vatikanit dhe i mungon kopertina dhe 16 faqet e para.
Mendoj se mungesa e kopertinës dhe titullit mund të jetë arsyeja që shpëtoi kjo
kopje nga asgjësimi, pasi me siguri ka qenë në listën e veprave të ndaluara nga
Kisha katolike, por edhe pushtuesit turk meqenëse gjatë bastisjeve nëpër kisha,
manastire dhe banesa shqiptare i rrëmbenin dhe i asgjësonin librat shqip.
Kopja e vetme e “Mesharit” u zbulua më 1740 në
bibliotekën e Kolegjit të Propaganda Fide[17]
në Romë nga Gjon Nikollë Kazazi (1702-1752) nga Gjakova, ku ai, si arqipeshkëv
i Shkupit ishte me vizitë në Romë dhe bëri një vizitë tek selia dhe Biblioteka
e Propagandës Fide. Me gjetjen e rastësishme të këtij libri, ai e kopjoi një
pjesë ku bëhet fjalë për ritualin e unazës e të martesës, dhe ia dërgoi në
shenjë nderimi Atë Gjergj Guzetës (1682- 1756), themeluesit të Seminarit të
Palermos, duke vënë në lëvizje strukturat arbëreshe mbi qenien e tij. Nga fundi
i shekullit XVIII libri u dërgua në koleksionin e pasur të Kardinalit Stefan
Borgia dhe më pas kaloi në Bibliotekën e Vatikanit ku gjendet edhe sot.
Të qenët e “Mesharit” u bë e ditur nga studiuesi arbëresh
Pal Skiroi (1866-1941), i cili e fotokopjoi tekstin më 1909-1910, kreu
transliterimin e transkribimin fonetik të tij dhe e gatiti për shtyp, bashkë me
një studim të veçantë për gjuhën e autorit. Më 1929 u bënë tri kopje për françeskanin,
Justin Rrota (1889-1964), i cili më 1930 botoi në Shkodër fragmente të
“Mesharit”. Më 1958 u botua i plotë nga Namik Resuli (1908-1985), ndërsa më
1968 me “Mesharin” u mor Prof. Eqrem Çabej (1908-1980), i cili bëri botimin
kritik në dy vëllime në Tiranë si dhe transliterimin e tekstit dhe
transkriptimin fonetik.
Kur Gjon Nikollë Kazazi e gjeti në Kolegjin e Propagandës
Fide, libri kishte arritur në gjendje mjaftë të dëmtuar, ndaj ai e cilësoi me
fjalët: “një Meshar i lashtë shqip, i
rrëgjuar nga koha“, pa e kuptuar se me këtë shprehje i “dha” titullin
“Meshari” këtij libri pa kopërtinë dhe pa titull[18].
Në atë kohë vepra përfshinte 110 fletë ose 220 faqe ndërsa sot ka 94 fletë ose
188 faqe duke i humbur kështu nëpër vite 16 fletë ose 32 faqe[19].
VI- “Meshari” është libri i parë[20]
shqip dhe rëndësia e tij është e jashtëzakonshme, por ne do ta shohim vetëm në
një drejtim, në atë të librit të parë me poezi shqip, sipas librit studimor të
Anton Nikë Berishës “Gjon Buzuku – poeti ynë i parë”.
Qysh në parathënien[21]
e librit “Gjon Buzuku – poeti ynë i parë” Anton Nikë Berisha na paraqet një
seri të dhënash që përligjin mendimin se vepra “Meshari” nuk është thjeshtë një
përkthim i ndonjë vepre tjetër kishtare me autor përkatës, nuk është thjeshtë
një seri shkrimesh të shenjta, të përzgjedhura dhe të përkthyera nga Gjon
Buzuku e më pas të lidhura në një libër, por është shumë më shumë se kaq.
Zbulimi i prof. Anton Nikë Berishës: “[...] për katër tekste të botuara në të, që janë të
hartuara nga Buzuku, pra janë origjinale… Këto
katër tekste, bashkë me dhjetë tekste të tjera, sidomos shtatë poezitë kushtuar
shtatë mëkateve mortare, që mund të merren edhe si poema e parë e shkruar
dhe botuar në gjuhën tonë shqipe, dëshmojnë se ka ekzistuar edhe më parë një
traditë e shkrimit dhe e hartimit shqip
të ndonjë poezie (kursivi im T.M.) në frymën fetare ose kushtuar jetës së
përditshme dhe fatit të njeriut[22]”.
Pra, zbulimi i faktit që Gjon Buzuku ka ndërhyrë në tekstet që ka përkthyer duke
shtuar shkrime të tij origjinale si dhe hartimi prej tij i një pasthënieje të
librit, u jep këtyre shkrimeve vlerën e dokumentit të shqipes së shkruar. Fakti
që kjo ndërhyrje nuk është në një fragment të vetëm rastësor, por është në
shumë raste dhe në sasi të madhe, kjo na bën të themi se Gjon Buzuku jo pa qëllim
e ka bërë këtë veprim, me të cilin ka dashur ta dokumentojë dhe ta shpëtojë
fjalën e shkruar shqipe[23],
ndërkohë që vepra “Meshari” për “[...] nga gjuha e pasur shqipe që është
përdorur në të, nga stili, nga pasuria e saj leksikore shprehëse dhe nga gjuha
poetike që i cilëson krijimet origjinale ose përkthimet e teksteve[24]”,
është një dëshmi tradite e shkrimit dhe letërsisë së shkruar shqipe para
Buzukut[25].
Është fakt që ky “Meshar” i Buzukut është tepër “shqiptar”, aq më tepër që
përmban Psalme me vargje si: [..]”ashtu
thotë: Vete banem turk[26]” apo ”Gjithë popullinë e kërshtenë ņdë Arbanīt
/ata ņ mortajet largo,/ tȳ të lusmë, Zot[27]”, vargje që realisht nuk ndodhen në asnjë Psalm të
librit origjinal të Psalmeve. Mbi këto ndërhyrje që bën Gjon Buzuku me Psalmet
e tij, mund të qëndrojë edhe arsyeja që libri “Meshari” është ndaluar (siç hamendësohet
në disa raste) nga Kisha katolike.
Mundësinë e ndalimit të librit duhet parë dhe në dritën se
në faqet e tij s’ka ndonjë kushtim për ndonjë prelat kishtar, sipas traditës së
botimeve të librave të tillë, i cili ta ketë mbështetur më pas librin për botim
e shpërndarje. Sigurisht që ky nuk është fakt, por është thjeshtë një përfundim
logjik i rrjedhës së ngjarjeve. Ajo që ka rëndësi për ne është fakti që këto
Psalme të hartuara nga Gjon Buzuku me besimin dhe bindjen se ashtu si Psalmet e
Besëlidhjes së Vjetër, që jetuan rreth 2600 vjet, edhe Psalmet e tij te
“Meshari” do kishin jetën e gjatë. Këto Psalme, që në fakt janë tekste dhe
krijime letrare shqip, janë dokumenti i parë i një letërsisë shqipe, “filiz” i
ri i mbirë në skaj të mbetjeve të një trungut të një lisi të lashtë të rrëzuar
nga rrufetë e kohës e të tretura nën “shirat” dimëror të pushtimit.
VII-Psalmet e shkruara nga Gjon Buzuku te “Meshari’ nuk
janë krijime të rëndomta, por janë krijime të një niveli të lartë artistik, të
shkruara me frymëzim sipas stilit solomonik, ku autori shfaqet si poet me frymë
evropiane, ndonëse ai nuk i hartoi ato me qëllim që të shfaqej para lexuesit si
një poet. Duke folur për këto Psalme Ibrahim Rugova shkruan: “[...] duke i konsideruar këto lutje origjinale [...] del
mendimi se me Buzukun fillojnë elementet origjinale në letërsinë tonë dhe se
veprën e tij nuk mund ta konsiderojmë vetëm si përkthim[28]”.
T’i shohim më konkretisht këto Psalme të Gjon Buzukut të
përfshira te “Meshari”. Në faqen 53-55 të “Mesharit” të botuar nga Eqrem Çabej,
lexojmë Psalmin me tekstin: “O Jezu Krisht, shelbuosi i gjithë shekullite shpërblesi
i shpirtënavet, Zot, regj i pāmort, u tȳ të lus, Dom Gjoni, sherbëtori uit, të madhenë zotënī tande të pāfine për këta të kënduom të këtyne Psalme, qi u
ī pā-denji këndova, ti të më liberonjsh shpirtinë tem ņ katit, e ti vëliz
ze-mërënë teme përapëtë ņ duorshit s atyne qi për të keq ecnjënë. E ņ së
kujtuomeshit së pādërejta e të pāligje ti libero korpnë tem, aj përņdenë
sherbëtyrë ņ kati me mos klenë. E ti bdo ņ meje të deshëruomitë e katit gruosë.
E ņ meje hiq gjithë të pāligje qish i pāemëni mundë shtjerë ņdë mend, ansish
qish dukenë e ansish qi z dukenë, qi ata lypnjënë shpirtin tem me mbajtunë me
mos me ecunë pr udhë të Tinëzot. O Zot, bāsi i gjithë shekullit, tȳ të klofsha truam, qi
me Atët e me Shpirtinë shenjtë gjellin e jet, për gjithë jetë të jetës. Amen[29]”.
E parë në mënyrën se si është shkruar te “Meshari” teksti
të krijon përshtypjen e një proze entuziaste, por që çuditërisht ka një rimë
dhe ritëm të brendshëm poetik. Po ashtu, duke njohur natyrën e Psalmeve, që
“këndoheshin” ose recitoheshin me “këngëzim” dhe jo “lexoheshin” si dhe duke
parë nivelin e lartë artistik (përfshi dhe rimën e ritmin e brendshëm, që i
cituam më sipër) të krijohet bindja se kjo është një poezi, që në këtë libër
është e shkruar si “prozë”, ndaj me të drejtë autori Anton Nikë Berisha këtë
Psalm e paraqiti në vargje poezie, me besimin se po e kthen në “origjinën” e
tij si vijon:
“O Jezu Krisht,
shelbuosi i gjithë shekullit
e shpërblesi i shpirtënavet,
Zot, regj i pāmort,
u tȳ të lus, Dom Gjoni, sherbëtori uit,
të madhenë zotënī tande të pāfine
për këta të kënduom të këtyne Psalme,
qi u ī pādenji këndova,
ti të më liberonjsh shpirtinë tem ņ
katit,
e ti vëliz zemërënë teme përapëtë ņ
duorshit
s atyne qi për të keq ecnjënë.
E ņ së kujtuomeshit së pādërejta
e të pāligje ti libero korpnë tem,
aj përņdenë sherbëtyrë ņ kati me mos
klenë.
E ti bdo ņ meje të deshëruomitë e katit
gruosë.
E ņ meje hiq gjithë të pāligje
qish i pāemëni mundë shtjerë ņdë mend,
ansish qish dukenë e ansish qi z
dukenë,
qi ata lypnjënë shpirtin tem
me mbajtunë me mos me ecunë pr udhë të
Tinëzot.
O Zot, bāsi i gjithë shekullit,
tȳ të klofsha truom, qi me Atët
e me Shpirtinë shenjtë gjellin e jet,
për gjithë jetë të jetës. Amen”.
E paraqitur në formën e vargjeve të një poezie, teksti
fiton forcë shprehëse si një Psalm i nivelit dhe cilësisë së lartë biblike
teologjike “[...] që përligj dashurinë e thellë të Buzukut ndaj Birit të Hyjit,
Krishtit[30]” dhe që ne i përjetojmë
si tekste poetike që deklamohen publikisht me pasion, tamam si poezitë
atdhetare.
Realisht te vepra “Meshari” ky tekst është në formën e
një proze, por mundet që kjo paraqitje të jetë një “devijim” i radhitësve italianë
në shtypshkronjën e Venedikut, të cilët nuk e njihnin gjuhën shqipe dhe për
pasojë, nuk e kuptuan poezinë e Buzukut. Që radhitësit italianë nuk e njihnin
gjuhën shqipe, kjo është më se e dukshme te gabimet e shumta të radhitjes që ka
libri. Hamendësoj gabimin e radhitësve për faktin se, duke parë nivelin e lartë
artistik të këtij Psalmi, me njëherë na shkon në mëndje që Gjon Buzuku duhet të
kishte pasur njohuri dhe kontakte me poezi e shkrime letrare shqipe të
mëparshme, sepse vetë niveli i lartë gjuhësor dhe rrjedhshmëria e gjuhës së
përdorur, natyrshmëria e frazave të krijuara prej tij, figuracioni dhe stili i
përdorur në ‘to na bind për një njohje dhe përvojë të mëparshme gjuhësore dhe poetike
nga autori. Ndoshta Gjon Buzuku nuk e ka vargëzuar Psalmin me mendimin se:
meqenëse e cilëson “Oratio”, Psalmi do këndohet dhe murgjit që do e përdornin
librin, e njihnin ritmin e të kënduarit të Psalmeve.
Tej hamendësimeve zbulimi i natyrës poetike të këtij
Psalmi me ritëm dhe rimë të brendshme, me gjuhë poetike, me figuracionin dhe metafora të shumta,
apo dhe me mënyrën e përsëritjeve, të shqiptimit të dramës së brendshme të
njeriut etj., vargëzimi poetik i tij është një arritje e madhe në studimin e
fillimit të poezisë (po dhe të prozës) shqipe, edhe për faktin se shtyhet më në
hershmëri gjetjet e artit poetik shqiptar të shkruar dhe për këtë Anton Nikë
Berisha ka një meritë jo të vogël, që duhet njohur e vlerësuar, në qoftë se
duam të njohim hershmërinë e letërsisë së shkruar shqipe.
Sigurisht që për këtë paraqitje në prozë të këtyre
poezive – Psalme, lind pyetja se: a është e natyrshme paraqitja e tyre nga Gjon
Buzuku në formë proze, veç hamendësimeve që parashtruam më sipër. Me një fjalë
a mund të shkruhet në formë proze, historie a ligjërate poezia dhe anasjelltas:
a mund të paraqitet në formë poezie historia, proza apo ligjërata? Në lidhje me
këtë na vjen në ndihmë Aristoteli, i cili thotë: “Historiani edhe poeti
ndryshojnë pra në mes të tyre, jo sepse njëri shkruan në vargje dhe tjetri në
prozë (historia e Herodotit mund të kthehet në vargje, po prapë mbetet
gjithmonë histori), po sepse njëri rrëfen ç’ngjan e tjetri si mund të ngjajë[31]”[..],
pra në thelb poezia mund të shkruhet në formë proze a ligjërate dhe përsëri të
mbetet poezi si në rastet e Psalmeve të Gjon Buzukut te “Meshari”.
Do frenoheshim në entuziazmin tonë në qoftë se ky
Psalmi-poetik do t’ishte rasti i vetëm, por te “Mesharit” gjejmë edhe Psalmin e
dytë, që pas cilësimit “Oratio” shënon në formë lineare tekstin: [..] “Zot, ti
qi bane qiellë e dhënë, afërë vetī venë oratëtë e mī. E për të madhet mishërier
tande e për të kënduomit qi u tȳ këndonj këta Psalma sod, u i pādenji tue t u lutunë u tȳ të lus, muo
sherbëtorit tit mbi këtë jetë ti të denjonesh muo me më dhanë shëndet ņ mendjet
e ņ korpit, e mot u me bām pendesënë përpara mortsë sime. E më ban hir, Zot, me
pasunë të liruomi-të e katevet mive. Përse u mbi tjetëret jetë me gjithë Shenjt
të tū u të mundinj me pasunë patrienë e jetësë amshuome. Amen!”[..], tekst po
aq poetik sa dhe Psalmi i mëparshëm dhe të cilin Anton Nikë Berisha e paraqet
në formë vargu:
Zot, ti qi bane qiellë e dhënë,
afërë vetī venë oratëtë e mī.
E për të madhet mishërier tande
e për të kënduomit
qi u tȳ këndonj këta Psalma sod,
u i pādenji tue t u lutunë u tȳ të lus,
muo sherbëtorit tit mbi këtë jetë
ti të denjonesh muo me më dhanë
shëndet ņ mendjet e ņ korpit,
e mot u me bām pendesënë përpara mortsë
sime.
E më ban hir, Zot,
me pasunë të liruomitë e katevet mive.
Përse u mbi tjetëret jetë
me gjithë Shenjt të tū u të mundinj
me pasunë patrienë e jetësë amshuome.
Amen[32].
Edhe Psalmi i tretë dhe i katërt në këtë “ndarje” të
veprës “Meshari” na bindin që s’kemi të bëjmë me një rastësi apo “gabim” të
studiuesit Berisha, madje në mbështetje të natyrës poetike të Psalmeve të Gjon Buzukut
te libri “Meshari” na vijnë në ndihmë edhe dhjetë tekste të tjera, që në
vetvete janë Psalme kishtare dhe për nga gjinia e krijimit janë poezi
origjinale, në tekstin e të cilave [..]”vërehet një shqipe e përpunuar dhe e
lartësuar; ndërlidhje e kujdesshme e pjesëve që bëjnë tërësinë, po dhe e vetë
qëllimi të hartimit të tekstit përkatës[33]”.
Veç sa
argumentojmë natyrën poetike të katër Psalmeve që përfshihen në këtë ndarje apo
me dhjetë shkrimet e tjera origjinale të Buzukut, ku vlen të përmendim Psalmin “E paqnë tand neve na ep ņdë jetë tanë” i cili është një hymn
i vërtetë për paqen, lutjen “Gjithë popullinë e kërshtenë ņdë Arbanīt” apo
Psalmin tipik “Ashtu thotë: Vete banem turk”, natyra poetike e Psalmeve të tij
është më e dukshme te cikli: “Shtatë mëkatet mortore” ku, shtatë Psalmet mund
të mendohen si shtatë poezi të veçanta ose mund të merret si një poemë e tërë
prej 128 vargjesh, e copëzuar në shtatë poezi. Për këto shtatë poezi vlen të
theksojmë se “Falë pikërisht shtjellimit të teksteve, të sistemit shprehës
poetik të përdorur dhe, ato…, përligjin një rrafsh të ngritur të poezisë sonë
të botuar më 1555[34]”.
Në qoftë se këto shtatë tekste i vështrojmë si krijime të një tërësie, pra si
pjesë të një poeme, atëherë kemi të bëjmë me një dukuri që e vlen të shihet me
shumë kujdes sepse: ekzistenca e një poeme shqip në vitin 1555 është dëshmi e
një tradite shumë të pasur dhe të përparuar të artit poetik shqip, të shkruar
para Buzukut.
Sa i përket tematikës
së këtyre shtatë poezive, ajo janë: mëkatet mortore të njeriut dhe pikërisht
kjo temë e “përbashkët” është një argument i fortë që krijon bindjen se këto
shtatë poezi janë një poemë e vetme, e ndarë në shtatë pjesë. Po ashtu këto
shtatë tekste kanë një model krijimi, model që përfshin gjuhën poetike, llojin
e vargut apo mënyrën e qasjes së vargut te mendimi i autorit. Pra, mënyra e
përftimit dhe e shtjellimit vargjeve të shtatë poezive, rrjedh në të njëjtin
qëllim: paraqitjen e elementëve dhe formën e secilit mëkat, duke na dhënë në
këtë mënyrë edhe një element drejt shikimit të këtyre poezive si pjesë të një
poeme. Po ashtu edhe shenjëzimi i njëjtë si “mëkate mortore”, ku secila prej
tyre apo të gjitha bashkë ka përfundim mortor për “mëkatarin” është një element
bashkues në një poemë të shtatë poezive.
Meqenëse për vlerat poetike të këtyre shtatë poezive apo
të kësaj poeme të ndarë në shtatë pjesë ka folur më së miri Anton Nikë Berisha
te libri i tij studimor “Gjon Buzuku- poeti
ynë i pare” unë nuk po zgjatem, por pas leximit të kujdesshëm të këtij libri
bashkohem me autorin në përfundimin se: katër Psalmet e fillimit të librit,
dhjetë shkrimet e përmendura si dhe shtatë mëkatet mortore të trajtuara nga
Gjon Buzuku te “Meshari” janë krijime poetike, pavarësisht se janë shkruar në
prozë dhe shënojnë “poezinë e parë të shkruar shqip” duke e vendosur Gjon
Buzukun në rendin e nderit si “Poeti i parë shqiptar” që na ka lënë jo një
poezi, por një cikël poezish, madje edhe një poemë me 128 vargje, të shkruar
shqip. Ndërkohë Lekë Matrenga është, siç u tha dhe më parë, i pari autor shqiptar që ka sjellë në letërsinë shqipe
“llojin e parë të vargut të shkruar në shqip”, në njëmbëdhjetërrokësh me rimë
të këmbyer me poezinë “Kënga e përshpirtshme”, dhe se me librin “E mbsuame e
krishterë”, ai pruri të parën vepër të shkruar nga një arbëresh, të parën vepër
të shkruar në toskërisht dhe të dytën vepër të botuar në shqip, duke merituar
një vend nderi në historinë e kulturës dhe gjuhës sonë shqipe.
Sarandë, maj-qershor 2022
[1] Lekë Matranga (1569-1619), i njohur si
Luca Matranga (lindur më në fshatin Hora e Arbëreshëvet/Piana degli Albanesi
dhe vdekur më 1619 në Palermo), ishte prift dhe shkrimtari më i vjetër i
arbëreshëve.
[2] Teksti i poezisë prej tetë vargjesh të Lekë Matrengës, në shqipen e
standardizuar është si vijon:
Kënga e përshpirtshme
Gjithëve u thërres, kush do ndëlesë
Të mirë e të krështe, bura e gra
Mbë fjalët të tinëzot të shihni meshë
Se s’ishtë njeri nesh çë mkatë s’ka
E lum kush e kujton se ka të vdesë
E mentë bashkë mbë tënëzonë i ka
Se Krishti ndë parrajsit i bën pjesë
E bën për bir të ti e për vëlla.
[3] Fane Veizi, Bregu i detit në këngë. Sh. B. Arbri Tiranë 1998. f. 16.
Matreng o Matrenga
Të dal shpesh ma kishte ënda
Se këshmë një gjak në rrëmba
Po nuk gjen më njeri brënda
Matrengë o Matrenga
Me perivole të rrënda (perivole:
kopështet me agrume)
Lënë djerr e bërë gjëmba.
[4] Botim i “Faik Konica” Prishtinë 2016. Botimi i dytë Pellegrini Editore, Cosenza
2016.
[5] Ky fshat në atë kohë quhej “Piana dei
Greci” për arsye se banorët ishin të krishterë të ritit ortodoks bizantin - grek,
gjë që na shtyn te mendimi se ishin banorë të bregdetit himarjot dhe zonave të
tjera ortodokse shqiptare. (shën. im. T.M.)
[6] Jakob Ledesma: 1516-1575.
[7] Robert Elsie, Historia e letërsisë shqiptare. 4.2 Lekë Matrenga dhe Doktrina e
Krishterë (1592). Për këto të dhëna jemi konsultuar me një sërë autorësh si
Xhelal Zejneli, Sadik Bejko, Matteo Mandala etj.
[8] Robert Elsie, po aty.
[9] Gjon Buzuku u lind në fshatin Ljarje
të Krajës, trevë shqiptare në Malin e Zi, i biri i Bdekut. Hamendësohet se ka
qenë ipeshkv i dy dioqezave në zonat veriore të vendit. Sigurisht se ka qenë
murg. Zeqeria Neziri, Meshari i Gjon
Buzukut. LOGOS – 5 Shkup, 2006 f. 8 thekson: “[...] jeta e tij ka mbetur në
nivel hipotezash dhe e pandriçuar sa dhe si duhet. Nuk dihet ku dhe kur lindi,
ku u shkollua, ku jetoi dhe ku shërbeu, ku, kur dhe si vdiq.
Robert Elsie, vepër e cituar... “Ato të
dhëna të pakta që kemi për Buzukun, vijnë nga pasthënia e Mesharit”
[10]Robert Elsie, Po aty. Ky arsimim
kuptohet nga forma e niveli i shkrimit të “Meshari” që është e nivelit të
lartë.
[11] Anton Nikë Berisha, Vepra e cituar. f.
24 duke përshkruan gjendjen e klerit katolik shqiptar nën pushtimin turk
thekson: “Pas vitit 1501, kryeipeshkvi i Durrësit vendoset në Romë dhe që nga
viti 1535 “nuk është i detyruar të banojë te Kisha e vet”, shkruhet në një
dokument. Ndërkohë kujtojmë se më 1483 Sulltan Bajaziti e kishte ndaluar
botimin e librave në Perandorinë e tij duke i dënuar me vdekje shkelësit, për
pasojë mundësia e shtypjes së librit në Shqipërinë e pushtuar mënjanohej.
[12] Eqrem Çabej,, Gjon Buzuku dhe gjuha e tij. Studime gjuhësore. VI: 25.
[13] Robert Elsie, vepër e cituar.
[14] “U
doni Gjoni, biri i Bdek Buzukut, tue u kujtuom shumë herrë se gluha jonë nukë
kish gj~ të ëndigluom ën së shkruomit shenjëtë, ën së dashunit së botësë s'anë,
desha me u…”.
[15] Robert Elsie, vepër e cituar.
[16] Gjon Keka, Rëndësia e “Mesharit” të Gjon Buzukut http://www.buzuku.info Buzuku 2020/K.
[17] Nuk dihet si dhe nga kush u dërgua në
Romë libri “Meshari”, por duke qenë se fletët e tij janë mbushur me shënime
emrash priftërinjsh që e kanë përdorur dhe shënime e komente të ndryshme, hamendësojmë
se e ka shpurë ndonjë murg.
[18]Anton Nikë Berisha “Meshari” vepër e
shkruar nga Gjon Buzuku” Faik Konica Prishtinë 2013 f. 13: “Rreth mendimit se
vepra e Buzukut mund të kishte pasur titullin “Ungjijtë në gjuhën shqipe”, që e
shtronte Dhimitër S. Shuteriqi (Shkrimet shqipe 1332 – 1850. “Rilindja”,
Prishtinë 1978, f. 44) dhe e pandehte Engjëll Sedaj (Mbi titullin e saktë të
veprës së Buzukut. Në “Rilindja, dt. 4 janar 1986, f. 11), mbështetur në një
relacion të Pjetër Bogdanit të vitit 1665, ku ai propozonte botimin e Ungjijve
shqip (“L’Evangelij in Albanese”) po them vetëm se është e vështirë të përfillet”.
[19] Gjon Keka “Rëndësia e “Mesharit” të
Gjon Buzukut. Vepër e cituar.
[20]Prof. Jorgo Bulo, Letërsia shqiptare 2001: “Meshari” i Gj. Buzukut, botuar më 1555,
mbahet deri më sot, si e para vepër e shqipes së shkruar. Por ekzistojnë disa
dëshmi fragmentare më të hershme se vepra e Buzukut, të cilat flasin për
shkrimin e shqipes të paktën nga shek. XIV.
E para dëshmi që njihet është e vitit
1332, e domenikanit frëng, Gulielm Adale, kryepeshkop i Tivarit, i cili në një
relacion latinisht shkruan se shqiptarët kanë në përdorim në librat e tyre
shkronjat latine edhe pse gjuha e tyre është fare e ndryshme nga latinishtja.
Me rëndësi të veçantë janë: një formulë pagëzimi (Unte paghesont premenit Atit
et Birit et spertit senit) e vitit 1462, shkruar shqip brenda një teksti
latinisht, nga peshkopi i Durrësit Pal Engjëlli; një fjalor me glosa shqip i
vitit 1497, i gjermanit Arnold fon Harf, i cili pat kaluar si udhëtar në
Shqipëri dhe një fragment nga Ungjilli i Shën Mateut, po shqip, por me shkronja
greqisht, i shekullit XIV.
[21]Anton Nikë Berisha, Gjon Buzuku – poeti ynë i pare. “Faik
Konica” Prishtinë 2016 f. 7.
[22] Anton Nikë Berisha : “Gjon Buzuku –
poeti ynë i pare”. i “Faik Konica” Prishtinë 2016 f. 7-8 shkruan edhe se: “Në
studimin tim “Meshari – vepër e hartuar nga Gjon Buzuku ”, të botuar më 2014,….
Po ashtu kam përmendur të dhënën se janë edhe disa pjesë të tjera në “Mesharin”
që janë përshtatje të lira ose të hartuara nga Buzuku. Edhe rreth katërqind
ndërhyrjet, të natyrës kumtuese e sqaruese, që u prijnë teksteve të përkthyera,
të marra nga Bibla ose nga ndonjë vepër liturgjike, mund të merren si të
Buzukut. Në mënyrë të veçantë kam theksuar se disa variante të përkthimeve,
sidomos tri variantet e përkthimit të Psalmit 130, përligjin mendimin se në
veprën “Meshari” nuk janë vetëm tekste të përkthyera nga Buzuku, siç është
thënë deri më tani, po dhe të autorëve të tjerë, bashkëkohanikë ose paraardhës,
dhe se vepra duhet të cilësohet (duke përfshirë këtu dhe Pasthënien) e hartuar
nga ai.”
[23] Po të kemi parasysh edhe fragmentin e
pasthënies të cituar te footnoote 14.
[24] Anton Nikë Berisha, vepra e cituar f.
17 . “Tradita e shkrimit të veprave letrare ndër shqiptarë duhet të ketë
gjalluar edhe më parë se viti 1555. Pikërisht vetë “Meshari” i Buzukut, në një
mënyrë ose në një tjetër, dëshmon për këtë traditë […] Për ekzistimin e
pamëdyshtë të traditës së shkrimit në shqip para botimit të “Mesharit”,
dëshmojnë edhe përkthimet e ndryshme që janë brenda vetë kësaj vepre. Këtë e
përligjin veçmas tri variantet e përkthimit të Psalmit 130 dhe dy variantet e
Ungjillit të Lukës (1, 26 – 38), të vënë në pjesë të ndryshme të veprës (24, 28
dhe 80, 61).
[25] Anton Nikë Berisha, vepra e cituar f.
18. “S’do mend se në kuvende dhe në kisha të shumta, që ekzistuan në trojet
shqiptare duke filluar nga vitit 879, kur u themelua Ipeshkvia e Shtjefnit ,
duhet të jetë shkruar diçka edhe në gjuhën shqipe”. Kjo duhet te ketë ndodhur
edhe…në metropolinë e Durrësit: “Me përhapjen e krishterimit në Shqipëri,
përmendet në shekullin X metropolia e Durrësit me 14 peshkopata vartëse (sufragane),
ku përfshihej dhe Kunavia”. Vetëm në këtë Ipeshkvi thuhet se kishte mbi 210
priftërinj [...] Edhe në Ipeshkvinë e Arbnit [...] themeluar në mesin e
shekullit XII ...duhet të ketë ekzistuar tradita e hartimit në shqip të
teksteve të natyrës fetare ose përkthime të teksteve biblike – liturgjike nga
gjuha latine, greke, italiane, spanjolle, kroate ose ndonjë tjetër, po dhe e
hartimit të ndonjë lutje, psalmi edhe të ndonjë poezie të shkruar në stilin e
poezisë gojore”. Shih dhe footnote nr. 19.
[26] Anton Nikë Berisha, vepër e cituar f.
113.
[27] Po aty f. 107.
[28] Dr. Ibrahim Rugova, Buzuku i Çabejit. Cituar nga Anton Nikë
Berisha f. 62.
[29] Anton Nikë Berisha, Gjon Buzuku – poeti ynë i parë. “Faik
Konica” Prishtinë 2016 f. 66-67.
[30] Anton Nikë Berisha, Gjon Buzuku – poeti ynë i parë. “Faik
Konica” Prishtinë 2016, f. 66-67.
[31] Aristoteli, Poetika. Përktheu nga origjinali Sotir Papahristo, vep. e përm., f.
31.
[32] Anton Nikë Berisha, Gjon Buzuku – poeti ynë i parë. “Faik
Konica” Prishtinë 2016 f. 77-78.
[33] Anton Nikë Berisha, Gjon Buzuku – poeti ynë i parë. “Faik
Konica” Prishtinë 2016 f. 97.
[34] Anton Nikë Berisha, po aty, f. 117.
Nuk mund ta besoja se do të ribashkohesha ndonjëherë me ish të dashurin tim, isha aq i traumatizuar duke qëndruar vetëm pa një trup që të më qëndronte pranë dhe të ishte me mua, por isha aq me fat që një ditë takova këtë magjistar të Dr. Ediomo, pasi i tregova per gjendjen time ai beri cdo gje qe ishte e mundur qe te shihte te dashurin tim te kthehej tek une, ne fakt pasi beri magji ish i dashuri im u kthye tek une me pak se 48 ore, ish i dashuri im u kthye duke me lutur qe nuk do te rikthehej kurre. me ler perseri, 3 muaj me pas u fejuam dhe u martuam, nese edhe ti ke te njejten situate. Ai është shumë i fuqishëm në punët e tij;
ReplyDelete* magji dashurie
* magjitë e tërheqjes
* nëse doni që ish-i juaj të kthehet
* Ndaloni divorcin
*thyej obsesionet
* shëron goditjet në tru dhe të gjitha sëmundjet
* magji mbrojtëse
*infertiliteti dhe problemet e shtatzënisë
* magji llotarie
* magji me fat
Kontaktoni Dr Ediomo në emailin e tij: drediomo77@gmail.com
faleminderit shume zoteri qe ma ktheve ish te dashurin tim emailin e tij: drediomo77@gmail.com ose telefono/whatsapp:+2349132180420
+2348155926512