Timo Mërkuri
PËRSIATJE PËR VETMINË OSE NGROHTËSIA QË
TË KRIJON NË SHPIRT GJUHA POETIKE
I-Në
letërsinë shqipe “soneti”[1]
(tingëllima) është shfaqur në periudhën e Rilindjes, si ndikim kryesisht i
letërsisë italiane me krijimet e Pjetër Zarishtit, Nue Bytyçit, Leonard De
Martino, Filip Shiroka, Zef Serembe, Gjergj Fishta, Llazër Shantoja, Ernest
Koliqi etj. duke marrë një përmasë të lartësuar me Ndre Mjedën në tre poemat e
tij sonetike (tingëllimat) “Lissus”, “Scodra” dhe “Liria”. Madje Ndre Mjeda ka
përdorur vargun njëmbëdhjetë rrokësh, varg i quajtur tipik italian, por që dalë
prej penës së tij ka një elegancë dhe tingëllimë të pashoqe shqiptare.
Të shkruarit “sonete” “kërkon një përvojë
poetike të një niveli të arrirë artistik për të kapërcyer vështirësitë e shumta
si në teknikën e krijimit ashtu dhe në artin e të shprehurit poetik”, por veç
vështirësive të krijimit, “sonetet” kërkojnë edhe një lexues të kualifikuar,
lexues që nuk mjaftohet vetëm me leximin e vargjeve, por synon përjetimin e
tyre. Ndoshta pikërisht kjo vështirësi e dyfishtë ka sjellë edhe mungesën e
dukshme të lëvrimit të soneteve në poezinë bashkëkohore.
II-Pikërisht në këtë kohë mungese, kur
gati po harrohet shija e lartë artistike e “soneteve” krijuesi i shumanshëm
Anton Nikë Berisha befason duke botuar te Shtëpia Botuese “Argeta LMG” (Tiranë
2022) veprën me sonete “Hire të vetmisë – Përsiatje poetike”.
Pas vëllimit “Prushi i bukurisë” dhe
“Sytë e heshtjes” autori ka dëshiruar të shprehet poetikisht, si gjithmonë me
një stil të veçantë poetik në një nivel të lartë artistik, por pa iu larguar
vetvetes. “[..] Është një lloj
vazhdimi, një lloj ballafaqimi me veten e me të tjerët, do shprehej Martin
Camaj” ... më thotë autori në një bashkëbisedim telefonik. Niveli i tij
krijues, i dëshmuar në një sërë veprash letrare e studimore, arti poetik me të
cilin ka krijuar librat “Prushi i bukurisë” dhe “Sytë e heshtjes” kanë dëshmuar
për talentin e tij poetik dhe frymëzimin thellësor, i cili edhe këtë herë i ka
përballuar denjësisht vështirësinë e krijimit të “soneteve”, duke na dhënë 35
krijime me vlerë që hapin një faqe të re dhe tepër interesante në letërsinë
shqipe. Me këtë vepër mbushet njëkohësisht dhe një boshësi në letërsinë tonë
bashkëkohore.
Do të thosha se ky vëllim poetik i ri i
Anton Nikë Berishës nuk është një “trëndafil në gotë” që zbukuron studion e
autorit, por është një trëndafilishte e vogël, ku porsa kanë çelur 35
trëndafila të rinj në “lulishten e poezisë shqiptare” që përhapin aromën e
rinisë së tyre.
III- Ka edhe një anë tjetër interesante
ky libër: ndërsa Petrarka i shkroi “sonetet” me adresim dashurie, Shekspiri ia
adresoi si këshilla një djali të ri, Rilindësit tanë ia kushtuan atdhedashurisë
dhe lirisë, Anton Nikë Berisha këto 35 sonete ia adreson filozofikisht ndjenjës
(Hireve) të ...”Vetmisë”.
“Vetmia
mund të jetë një dënim i tmerrshëm
ose një shpëtim i mrekullueshëm”[..]
citon autori Bernardo Bertoluçi-n dhe Fabricio Karamanjan (Fabrizio Caramagna)
kur shprehet metaforikisht: “[..] vetmia
është një det që asnjëherë nuk mbërrin në asnjërin breg, një urë që s’del në
asnjë rrugë dhe një ngjyrë që nuk e mbërrin asnjë dritë”[..].
“Me pak fjalë - thotë Berisha në
parathënie - vetmia ngërthen cilësi e kuptime të shumta: është ndjenjësim,
gjendje e veçantë shpirtërore e mendore... Shprehet kryesisht në dy rrafshe
kryesore: kur jemi vetëm e kur jemi të vetmuar.
Vetmia është vuajtje shpirtërore, dhembje;
është brengë e pashuar, po dhe shpëtim, prehje e pazëvendësueshme.”(f. 6).
E parë në këtë aspekt “vetmia” mund të
quhet me të drejtë si një “vetmi” krijuese, e nevojshme dhe e domosdoshme për
njeriun (krijuesin) që të qartësojë idetë dhe mendimet e tij, të hulumtojë
brenda tyre për të gjetur më të “bukurën”, më të “përsosurën”, për të admiruar
dhe përjetësuar “hiret” e tyre.
E bukura është një bashkim (unitet) dhe
harmonizim “hiresh” për shikimin dhe ndijimin e njeriut. Te një lule p.sh. ne
admirojmë hiret e formës sw petaleve, ngjyrës dhe aromës sw saj, tw raportit me
pistilin, ngjyrën, freskinë e petaleve,gjetheve, kërcellit etj. Që t’i
përjetojmë këto “hire” na duhet që të jemi në një gjendje “vetmie”, larg
zhurmave e shqetësimeve të tjera me qëllim që mendja jonë të përqendrohet tek
ato, raporti i tyre mes veti dhe njësimi i së tërës, pastaj ne t’i meditojmë
dhe t’i admirojmë ato.
Ndërkohë kemi edhe vetminë “gri”,
vetminë e krijuar si pasojë e braktisjes, e varfërisë, pafuqisë, sëmundjeve, moshës
etj., vetmi që kullon dhimbje e mjerim. Ka një varg te tingëllima e pestë që
nis me fjalën: “Shtjellë” (f. 21) ku
mes tronditjes kujtojmë se shtjellat janë vorbulla uji (gjeratore) ose vorbulla
ajri (tornado), të cilat, thithin njeriun brenda tyre (si vetë mjerimi) prej
nga del në sipërfaqe nga uji ose zbret
në tokë nga tornado pa jetë, por edhe i shpërfytyruar.
Megjithatë edhe në këtë rast, ngjyrën
“gri” të kësaj vetmie poeti e përshkon me ngjyrën e bardhë të shpresës: “Shtjellë .../ lëvron si heje akulli të
mprehtë/e nuk kursen ta akullsosh palcën/ .. /Plagë stinësh që s’di të
përmbyllet/po asnjëherë nuk e puth
fundin”(f.. 21).
“Shtjella” janë dhe mendimet e ndjenjat
e njeriut në vetmi apo të vetmuar që, megjithatë krijojnë tek ai imazhe shprese
plot hire për një të ardhmen pse “asnjëherë
nuk e puth fundin”.
IV-Vetmia nuk është një yll me dy cepa.
Vetëm apo të “vetmuar” janë dhe yjet, por drita e tyre del si shigjeta nga
harku në formë rezesh nga gjitha drejtimet dhe vjen drejt nesh me të gjithë
skeptrin dritësor të tyre edhe shumë vite pasi ata janë shuar.
E tillë është edhe poezia, drita e një
ylli që udhëton tej jetës së poetit në formë vargjesh, ku forca që kushtëzon
kohëjetën e saj është forca e talentit të tij, sepse poeti u jep dritë dhe
brezave pasardhës.
Libri “Hiret e vetmisë” i Anton Nikë
Berishës është një vëllim poetik që kërkon vëmendje “vetmie” në lexim, kërkon
meditim mbi secilin varg për të kuptuar strukturën e mendimit të formatuar në
strofa katër dhe tre vargje.
Sonetet e Anton Nikë Berishës janë të
një shtrati filozofik kur lexon vargje të tilla: “Yllësi e zhytur në vorbullën e kureshtjes / si të veprohet më lehtë,
sa më mirë, / me ngrohtësinë e vajzës dehur nga epshi / kur e ndien të dashurin
apo e ëndërron” (f. 33), “Ti e ndez
etjen për shtegtime të reja /edhe nëpër rrugët që shkojnë e nuk kthejnë” (f.
32), “me mendim i prek retë që stuhia i
përkund” (f. 18), “Tis brengash
gërryese të vëna në lëvizje/si kallinj guri të pjekur ndër ara/kur i shtyn era
e përqafojnë njëri – tjetrin” (f. 21),
“lule në brymë ku ëndërrohet ngrohtësia/e rrezeve të diellit – ledhatim
petalesh” (f. 21), “Zonjë e
fisme që jeton përherë nga /joshja dhe kërkimi i pafundësisë” (f. 42), “gjelbërim pranveror kur e pushton pyllin/e kur këngë e zogjve derdhet
hirplote” (f. 44), “zhytje në lumin
Lete dhe pastrim/i ndërgjegjes ose zhbërje e harresës”(f. 46) etj. dhe ky
fakt përbën të veçantën e krijimtarisë poetike të tij, që kërkon një përqendrim
të madh në lexim dhe kulturë leximi e mendimi, por ndërkohë ëmbëlsia e
shprehjes së tyre, ngrohtësia që të krijojnë në shpirt, gjuha poetike e vargjeve,
rima dhe ritmi i soneteve ta bëjnë të dukshme qenien e poezisë, siç dallohen në ujin e lumit malor copat e floririt natyror
që rrjedha i sjell me vete.
Thashë që vargjet janë në një shtrat
filozofik, por njëherit fjalët janë tepër të kuptueshme dhe ritmi i tyre nëpër
vargje këndon si “gjashtë bilbila”, duke u dhënë soneteve një muzikalitet tipik
që është e dallueshme te poezia e Anton Nikë Berishës. Figurat artistike në
sonete nuk janë “vazo” lulesh të vendosura në parvazin e fjalëve, por ashtu si
harqet e urave, që më shumë se stilizim estetik janë “struktura” që mbajnë në
këmbë urën ( sonetin), duke e paraqitur të bukur ndërsa është e fortë.
V- Anton Nikë Berisha ka botuar vetëm katër
vepra me poezi, libra poetikë, por ai ka ndjerë dhe përjetuar shumë poezi. Mjafton
të lexosh parathëniet dhe shkrimet e tij për librat poetikë dhe krijimtarinë e
poetëve të ndryshëm, të shohësh nivelin e tyre për t’u bindur për dijen dhe për
botën e pasur poetike të veprave të tij.
Në veprat e tij në prozë, herë - herë
dhe në ata studimorë ka shumë poezi (veças romani “Gjin Bardhela i Arbëresh” që
është një simfoni poetike), ndërkohë që në poezinë e tij nuk gjen fare vargje
prozaike. Kjo do të thotë se, para së gjithash, Anton Nikë Berisha është poet
kur shkruan vepra letrare dhe elegancën
e artit poetik, muzikalitetin dhe figuracionin e tij e përdor suksesshëm dhe në
prozë. Prandaj ka kaq shumë poezi në prozën e tij letrare. Njëkohësisht ai
është edhe një njohës i mirëfilltë i gjuhës shqipe dhe fjalët që ai shtjellon
në tekste, kanë ngjyrë, aromë dhe muzikalitet të mëvetësishme.
VI- Leximi i këtyre 35 soneteve të Anton
Nikë Berishës dhe përjetimi i tyre do t’i japë hapësirë më të madhe mendimit,
një thellësi të re gjykimit dhe një largësi e dritësi shumë-ngjyrëshe vështrimit
tonë poetik.
Sarandë, më Prill 2020-Gusht
2022
[1] Fjala “sonet” rrjedh nga fjala italiane “soneto” dhe nënkupton një “këngë
të vogël” dhe se fjala e origjinës “sonetto” përkthehet “tingull”, prandaj
sonetet quhen edhe “tingëllima”. Në letërsinë evropiane “soneti” është përhapur
në saj të poezisë italiane dhe sidomos pas suksesit të madh të veprës “Il
Canzoniere” të Françesko Petrarkës. Teknikisht soneti shpjegohet si një vjershë
lirike prej 14 vargjesh, e ndarë në strofa: dy strofat e parë prej katër
vargjesh dhe dy të fundit prej tre vargjesh, zakonisht njëmbëdhjetërrokësh e me
rima të gërshetuara në mënyra të ndryshme.
Në letërsinë evropiane njihen
sonetet e Petrarkës dhe të Shekspirit si kulme të këtij lloji letrar, madje me
termat “sonete petrarkiane” dhe “sonet shekspiriane” përdoren sepse Petrarka
dhe Shekspiri përfaqësojnë dy format e ndryshme sonetesh të krijuara në Evropë.
Petrarka ka shkruar gjithsej
366 poezi lirike nga të cilat 317 janë sonete që u botuan në vëllimin poetik
“Il Canzoniere”, ndërsa Shekspiri ka shkruar gjithsej 154 sonete në vitet 1590
– 1600.
Të shkruarit e sonetit kërkon një përvoje poetike në një nivel të arrirë
artistik për të kapërcyer vështirësitë e shumta si në teknikën e krijimit ashtu
dhe në artin e të shprehurit poetik. Për këtë arsye Petrarka dhe Shekspiri e
pas tyre poetë të tjerë e kanë përdorur “sonetin” për të treguar “nivelin
superior”, “superioritetin e arrirë” poetik.