Timo Mërkuri
KALAJA E NDËRTUAR NGA FJALA
Përsiatje mbi librin “Vepra me rëndësi të
shumëfishtë” të Ajete Zogaj
I- Veprat e studimore dhe letrare të
Anton Nikë Berishës, të vështruara nga Ajete Zogaj në librin “Vepra me rëndësi
të shumëfishtë[1]”
më së pari shihen si një kala e ndërtuar pranë rrënojave të një kalaje tjetër
të hershme, themelet e së cilës qenë hedhur qysh në kohëra të hershme me gurë
pellazgjikë. Koha e largët e ndërtimit të tyre, pesha e madhe e gurëve të
themelit dhe pesha e mureve të larta e të gjera të kalasë kishte bërë që ato,
(themelet) të “shkriheshin” e të bëheshin një me truallin shkëmbor dhe si të
tilla, t’u qëndronin tërmeteve të hordhive, që suleshin mbi muret të cilat ato i
mbanin mbi supe. Erdhi një kohë dhe rrebeshet e zjarr-pushtimeve i gremisën
bedenat bashkë me nuset e bardha, ulën flamujt, vyshkën lulet e lemerisën
këngët e djemve e vallet e vashave. Shtresa e pluhurit që binte mbi gërmadha u
bë farishte dhe fidanishte e bimëve të harrimit.
Pranë rrënojave të kësaj kalaje,
pasardhësit e kështjellarëve ndërtuan një lagje banimi, e cila edhe sot quhet
“lagjja e vjetër”: me shtëpitë e “ngjitura” njëra me tjetrën, të larta e të
ngushta, që prej së largu ngjasojnë me bedenat e një kalaje të re të “mbirë”
nga toka. Pamja prej së largu si kështjellë mund të ishte arsyeja pse muret e
tyre i ndërtuan me gurë të bardhë gëlqerorë apo pse lanë disa rrugica të
kalldrëmta mes tyre, ndërkohë që dritaret i bënë të ngushta, si frëngji
kështjelle.
Një arsye e cilësimit “e vjetër” mund të
jetë edhe se këto shtëpi u ndërtuan me gurët e mureve dhe portikëve të kalasë,
të rrëzuar nga gjylet e luftërave dhe ende mbanin brenda tyre jehonën e
gjyleve, e cila u prish gjumin apo u ndez ëndrra të tymta banorëve. Në verë,
vapa që rrëshqet nga çatia e gurtë teposhtë mureve, ngjan me ziftin e ndezur që
kështjellarët hidhnin mbi sulmuesit, ndërsa në dimër prej mureve buron një
lagështirë dhe ftohtësi, që shfaqet mbi suva si njollë apo hije e një fermani
të kobshëm, ftohtësinë e të cilit nuk e ngroh dot zjarri i oxhakëve që rrinë
ndezur gjithë ditën.
Kjo kala tashmë është një kala moderne,
por banorët këmbëngulin ta quajnë “kalaja e vjetër” dhe është pikërisht kjo
dëshirë e tyre që të krijon përshtypjen se pikërisht kjo është shkaku që në
sytë e tyre pulson një dritësim i veçantë, sa herë që u flasin të huajve për
historinë e tyre.
Është, vërtet, një kala interesante:
kisha s’ka shumë vite që është ndërtuar e re, por banorët e quajnë: “kisha e
vjetër”, ngase është ngritur mbi gërmadhat e kishës së hershme, të tjetërsuar
dikur në xhami e të rrëzuar më vonë. Interesante është se dhe qelat e kishës,
banorët i thërrasim me emrat e priftërinjve që dikur qëndronin në ‘to si: qela
e Gjonit të Bdek Buzukut, qela e Pjetrit të Bogdanëve apo ajo e Pjetrit të Budëve,
sikur duan t’i mbajnë pranë vetes emrat dhe kujtimin e tyre. Madje, në varrezat
pas kishës, priftërinjtë të tregojnë një varr të mbuluar me rrasë guri mbi të
cilën janë gdhendur fjalët: “varri i vjetër i Kostandinit” dhe me një krenari
të dukshme të shpjegojnë se: “Kostandini s’ka varr të ri, pasi ai nuk vdiq
prapë mbasi u ngjall”. Ai është përjetësisht i gjallë.
Qendra e qytetit i ngjan asaj së
dikurshme, një shesh rrethor prej nga nisen rrugët dhe rrugicat nëpër qytet, si
rrezet e diellit që shpërndahen në çdo drejtim. Si zakonisht, te ky shesh bëhen
ende kuvendime, por tani këto kuvendime bëhen për libra dhe jo për luftëra.
Pikërisht aty, ku dikur turqit kishin
hedhur trupin e zhvarrosur të një prifti a të një prijësi lufte për liri (më
shumë thuhet se i ndjeri kishte qenë prift dhe prijës), shpeshherë vijnë edhe
të huaj që flasin për librat e bijve të këtij qyteti, që bota ende nuk i ka
“zbuluar” ato dhe vlerat e tyre. Gjendet lehtë ky shesh, është pikërisht aty ku
nga vashat kërcehet shtruar “vallja e librave” dhe djemtë fluturojnë te “vallja
e shpatave”.
Është e veçantë kjo kala për arsye se
kalaja është e ndërtuar nga Fjala.
II- [..]“Autori i këtij libri i ngjason
një arkitekti, i cili e studion deri në detaje projektin e një ndërtese”[..]
(f. 22) shkruan Ajete Zogaj te libri i saj, duke na treguar arsyen e
ngjashmërisë së korpusit të veprave të Anton Nikë Berishën me ndërtesat e një
kalaje dhe më tej duke na treguar thelbin e mënyrës së suksesshme të punës së
tij: “Arkitekti” i fjalës së
shkruar, Anton Nikë Berisha, i vë ‘themele’ të fuqishme krijesës së tij
artistike, pse jo dhe shpirtërore” (f. 22).
Po, Anton Nikë Berisha “ndërton”
(krijon) me “fjalën” vepra artistike
dhe studimore të cilat kanë në themele faktet historike dhe shkencore, madje këto
fakte janë shkrirë në një me “themelet “ e veprës së tij poetike, duke e bërë
veprën të qëndrueshme, të pa rrëzueshme nga “tërmetet”.
Ai është një “arkitekt” dhe “ndërtues”
veprash që i qëndrojnë kohës për nga pasuria stilistikore dhe shumësia kuptimore
dhe që tërheqin vëmendjen me bukurinë e tyre. Citimi i Ajete Zogaj se: “[...]
në strukturën artistike të tekstit poetik, asgjë nuk i është lënë rastësisë.
Gjithçka është e menduar dhe e thënë bukur dhe funksionon si një tërësi, si
‘një mur [...] i një kështjelle’ i cili nuk duron t’i heqësh asnjë gur” (f.
15); na flet për gjetjen e unitetit artistik të veprës së Anton Nikë Berishës:
“Vepra e letërsisë [...] është para së gjithash art i fjalës...” (f. 56)
thekson Antoni, si një i ditur i moçëm që i tregon rrugën nga të shkojë, një
djaloshi të ri,
Ngjasimi i veprës së Anton Nikë Berishës
me një kala - kështjellë është lehtësisht i kuptueshëm për ata që kanë lexuar
librin e tij “Hyrje në historinë e letërsisë gojore shqipe ”, e cila është një
vepër “hijerëndë” si një kala, që gjithsesi të fton të hysh në rreshtat e
faqeve dhe të ngjitesh në bedenat e kapitujve të saj, ku përjeton bukurinë, por
edhe heroiken e etapave të ecjes së artit tonë gojor dhe s’të bën zemra të
largohesh prej saj.
III-Anton Nikë Berisha ka aftësinë të
ndriçojë me llambën e arsyetimit dhe të logjikës shkencore zgafellet më të
errëta të epokave të hershme, të zbulojë e të identifikojë dijet dhe thesaret e
artit gojor, t’i bashkojë copat e fakteve në një mozaik logjik, të zbulojë dhe
të bëjë funksionale për kohën e sotme urën “primitive” nëpër të cilën kanë
kaluar epokat e artit gojor për të mbërritur te arti i sotëm i kultivuar (i
shkruar).
Me metodën e tij të punës ai ndryshoi
konceptin e studimit të origjinës dhe kohën e lindjes së disa llojeve të
letërsisë shqipe dhe provoi dhe argumentoi vijueshmërinë e artit gojor në artin
e kultivuar shqiptar (letërsinë e shkruar). Ai nuk është “një magjistar” i
fjalës që krijon vepra nga “hiçi”, ai është një njohës i thellë i “fjalës” dhe
i gjuhës shqipe dhe i zhvillimit të tyre nëpër epoka, madje duke e krahasuar
dhe ballafaquar edhe me arritjet e popujve të tjerë. Përkthimi i veprave si
“Epi i Gilgameshit”, ndër librat më të vjetër të shkruar të njerëzimit, i
“Këngës së këngëve”, i “Psalmeve”, të “qasje artit poetik” (Poetikës) së
Aristotelit, ka qenë në funksion të këtij studimi ballafaques të zhvillimit të
artit oral në epoka të hershme.
Me studimet e tij mbi artin letrar gojor
dhe mbi fillimet e artit të shkruar të fjalës shqipe, ai sjell kohën e hershme
pranë të sotmes moderne dhe e bën të pranishme tek njeriu ynë i sotëm dhe më
gjerë. Anton Nikë Berishës “i mësoi të flasë e kuptojë” shqipen moderne arti
gojor i hershëm dhe ne na tregoi se arti ynë gojor, si në fillesat dhe
vazhdueshmërinë e tij ka folur vetëm shqip. Argumentoi shkencërisht hershmërinë
e llojeve të letërsisë sonë gojore, i lidhi ato me ligjësitë tipike të
zhvillimit të shoqërisë shqiptare, si pjesë e tërësisë evropiane dhe si pjesë
evropiane e shkëputur nga kontinenti që, e lidhur me disa “zinxhirë azie”
tërhiqej si anie e shpartalluar nëpër tallazet e luftërave drejt një lindjeje
të panjohur dhe të padëshiruar për të.
Veprat studimore të Anton Nikë Berishës
janë të shumta por e përbashkëta e tyre është: themeli shkencor i veprës, gjuha
e qartë dhe e rrjedhshme artistike me të cilën është shkruar, informacioni i
madh i përzgjedhur nga disa burime të besueshme. Me këto tipare thelbësore
autori na sjell gjithmonë vepra tipike të rrafshit të epërm. Ajete Zogaj në
librin e vet unqaset dhe i analizon veprat: “Poetika e letërsisë për fëmijë[2]”,
“Vepra letrare e Martin Camajt[3]”,
“Poetika e fjalëve të gurta”[4],
“Arshi Pipa krijues i mendimit të lirë[5]”
dhe “Poezia
si shtegtim i qenësishëm shpirtëror”[6]
dhe ndriçon më të mirën për secilin libër studimor. Me gjithë tiparet e
përbashkëta që kanë këta libra si studime shkencore, ato kanë tipare të veçanta
interpretimi, portretin e gdhendur dhe vlagën shpirtërore me të cilën janë
“gdhendur”. Në kohën që “Poetika e letërsisë për fëmijë” ka një ndjenjë të
theksuar shpirtërimi në stilin e të shkruarit “Vepra letrare e Martin Camajt”
ka dimensione monumentale te portreti i tij, “Arshi Pipa krijues i mendimit të lirë”,
ndoshta ndikuar edhe prej letërkëmbimit të përfshirë në të ka, një frymë debati
mes miqsh, ndërkohë që “Poetika e fjalëve të gurta”(Qasje veprës letrare të
Azem Shkrelit) ka një frymë poetike dhe shpirtërim vëllazëror që e gjejmë me të
njëjtën ngrohtësi edhe te libri “Poezia si shtegtim i qenësishëm shpirtëror”,
gjetje që na dëshmon indirekt “dobësinë” dhe dashurinë e Anton Nikë Berishës
për poezinë. Këto tipare të veçanta janë vënë në dukje nga Ajete Zogaj në
mënyrën e saj të arguemntuar. Mirë, thuhet me të drejtë se analiza –
interpretimi i një vepre është gjithmonë në një rrafsh më të ulët se vetë
vepra.
IV- Anton Nikë Berisha me “fjalën” e tij poetike krijon vepra “të mira”(A. Z) që lexohen e rilexohen
gjersa të mbeten në kujtesën e lexuesit, si për të vërtetuar fjalën e
Abbasel-Akkad : “Lexoje
një libër të mirë tri herë, sepse është më e dobishme për ty se të lexosh tre
libra të mirë”. (f. 13). Vetëm pasi i lexon dhe i rilexon e kupton dhe e ndjen
se veprat e tij janë si poema të bukura për nga stili fin i të shkruarit, janë
lulishte ndjenjash të shprehura: të dëshirueshme për t’u lexuar, hyjnore për
t’u dëgjuar, thesare të pazëvendësueshme për nga vlera e dijeve dhe e të
dhënave që përmbajnë; ato të frymëzojnë për t’u ulur e për të shndërruar në
shkrime përshtypjet që të lindin. “Ky libër [...] më përkujtoi mendimin e
...Stendal: “Një libër i mirë është një ngjarje në jetën time”. Leximi i librit
[...] vërtet ishte jo vetëm një ngjarje në jetën time, por edhe një udhërrëfyes
për artin e fjalës që do të ‘udhëtojë’ gjatë jo vetëm me mua (A. Z., f. 19)”.
Krijimtarinë e Anton Nikë Berishës,
Ajete Zogaj e vështron edhe nga një kënd më vete, nga këndi i bukurisë dhe
finesës artistike. Në kushtet kur te veprat e Anton Nikë Berishës shihet
dukshëm madhështia natyrale e artit tonë gojor si shkëmbinj të ngritur mbi
hone, Ajete Zogaj tek “të çarat” e këtyre shkëmbinjve sheh lulet që kanë mbirë
pas shkrirjes së dëborës dhe niset për t’i mbledhur e për të bërë një tufë për
lexuesin. Nuk i druhet lartësisë, sepse çdo majë mali e ka një shteg nëpër të
cilin mund të arrish aty.
Le të shohim shkrimin “Rreth vëllimit
“Roman vlerash të jashtëzakonshme poetike”. 52 punime të autorëve shqiptarë dhe
të huaj për romanin “Gjin Bardhela i arbresh & Etja e gurëzuar” të Anton
Nikë Berishës. Rreth këtij vëllimi autorja e librit shkruan: “Vëllimi ‘Roman vlerash të jashtëzakonshme’ i përgatitur
nga Albana Alia dhe Labinot Berisha, është libër i veçantë dhe sigurisht edhe i
jashtëzakonshëm. I veçantë, ngase përfshin 52 punime për një roman të letërsisë
shqipe, dhe i jashtëzakonshëm për lexuesit e shumtë, jo vetëm shqiptarë por
edhe të huaj për arsye se për të deri më tani janë shkruar e botuar rreth 30
punime në italisht.
Këtë veçanti, këtë vlerë të jashtëzakonshme poetike, me stilin
e mëvetësishëm, me pasurinë gjuhësore, me koloritin e kujtesës historike, me
valljet, doket, zakonet, ritet... e shumëçka tjetër, autori Anton Nikë Berisha
e shtjellon romanin “Gjin Bardhela i arbresh& Etja e gurëzuar”, sikurse
‘fijet e pëlhurës së endur në vek’, duke e krijuar një vepër të mrekullueshme
arti, të ‘skalitur’ bukur në artin e fjalës, mbase kryeveprën e tij!
Romani ‘Gjin Bardhela i arbresh& Etja e gurëzuar’ me
të drejtë është vlerësuar si i jashtëzakonshëm. Të tillë atë e bëjnë një varg
elementesh si mënyra e shtjellimit të tekstit, sistemi i veçantë dhe i pasur i
të shprehurit si dhe gjuha poetike, që kanë nxitur lexime dhe rilexime të
shumta nga studiues të ndryshëm, përkatësisht një shumësi interpretime dhe
vlerësime” (f. 105).
Për të dëshmuar vlerën e veprave të
Anton Nikë Bershës, sidomos të romanit “Gjin Bardhela i arbresh& Etja
e gurëzuar”, Ajete
Zogaj i sjell disa mendime të rëndësishme të autorëve të ndryshëm për këtë vepër:
“Kasoruho shkruan: “Rrëfimi i Gjin Bardhelës është plot oht shpirti, është
malli i përvëluar, është dhembje dhe kohë e ngrirë, është shpirti që zien,
është shqiptim i shpresës përherë të gjallë. Shkurt është një shtegtim njerëzor
jo i individit, por i breznive”; Domenico Corradini H. Broussard, në punimin e
tij “Kënga e mallit në solo violinë” thotë se “Gjini është shtegtar i
durueshëm, Odiesu i ri në kërkim të Itakës së vet dhe se [...] Gjin – Anton
Nikë, si një gdhendës i shkathët që prej dimrit të thatë nxjerr lulet dhe
pjesët e larta ose rreth e përqark, rikujton me krenari legjendat, traditat dhe
mitet nga Iliria e lashtë [...] dhe se: “Tek ai është një kërkim gjuhësor që
nuk e gjen te shkrimtarët e tjerë”; Dante Maffia vlerëson: “Me aftësi të veçantë,
Anton Nikë Berisha ndërlidh në kontekstin e romanit, nga njëra anë, legjendat e
përrallat, si pjesë e traditave të rrënjosura të ngulimeve arbëreshe e, nga ana
tjetër, edhe tërësinë e paragjykimeve që shkallë - shkallë janë shndërruar në
një mënyrë të ekzistimit e të perceptimit “të realitetit; Sergio Paolo
Foresta-s e krahason romanin e Berishës me veprat e autorëve botërorë. “Në
rrafshin letrar është një shtegtim homerik, virgjilian, dantesk, pushkian,
sipas Edgar Lee Masters”.
“Ju shkruani hyjnisht” do t’i shkruajë
Berishës shkrimtarja e shquar italiane, Nicla Morletti”; Bardhyl Matraxhiu
shkruan: “Në romanin e Bardhelës gjithçka është bërë me kompetencë e shije”; Vinçenc Belmonte flet për frymën e
poezisë së pastër (në roman – v. ime) ‘gjë që, në të vërtetë, e bën atë një
poemë moderne mbi fatin e Arbrit e mbi tragjiken e ekzistencës njerëzore”; “Shpirti poetik i Anton Nikë Berishës
nga këndi që shprehet, nuk mohon për të bërë të ditur se edukimi i shpirtit
nëpërmjet së bukurës është punë e vështirë dhe e gjatë sa edhe vetë jeta”
shkruan Giuseppse Napolitano etj. (Citimet e më sipërme janë marrë nga libri i
Ajete Zogaj f. 101 e në vijim) dhe se përmbledhje a tyre në një shkrim[7],
ngjason me mbledhjen e trëndafilave në parcela kohore dhe tokësore të ndryshme,
krijimi me ‘to i një tufe të bukur dhe dhurimi i saj lexuesve të librit, duke i
vënë ata (lexuesit) në mendime për veprat e këtij autori. Me citimin e
mendimeve ajo bën bashkë-autorë të shkrimit të saj shkrimtarë dhe analistë të
tjerë, duke dëshmuar kështu modestinë, mirësinë por edhe nivelin krijues e
vizionar të saj.
V-Anton Nikë Berisha është poet, madje
një poet i veçantë që e zgjedh fjalën e duhur, e “gdhend” dhe e “lëmon” atë me
plot dashuri; edhe fjala ka nevojë për dashurinë e poetit, që të ketë
shkëlqimin e duhur në vargje. “Anton Nikë Berisha i ngjanë atij skulptorit që
dalë-ngadalë laton gurin për të nxjerrë figurën ...dhe e nxjerr bukur,
mahnitëse...ngase, arti i mirëfilltë synon t’i arrijë majat... me gjuhën e
artit, me ‘gdhendjen’ e fjalës” thotë Ajete Zogaj (f. 32).
Me qenë se Ajete Zogaj “na ftoi” në
fushën e skulpturës, në lidhje me dy veprat poetike “Prushi i bukurisë[8]”
dhe “Sytë e heshtjes[9]”
mund të paralelizojmë se: atë madhështi dhe hijeshi që Mikelanxhelo ka derdhur
te Davidi, poeti ynë e ka derdhur te poema “Prushi i dashurisë”, ndërkohë që
atë dritësim e përdëllim shenjtërie që skulptori derdhi te portreti i Shën
Mërisë në kompleksin “Shën Mëria mban në prehër Krishtin e zbritur nga kryqi”
që njihet edhe me emërtimin “Nëna” si dhe “Zbritja nga kryqi”, poeti e ka
derdhur te libri poetik “Sytë e heshtjes” kushtuar Nënës Tereza. Prandaj mund
të them se: Anton Nikë Berisha pikturon e gdhend përmes fjalës poetike.
VI-Stili letrar i Anton Nikë Berishës në
prozë dhe në poezi, sa të ndryshëm duken aq janë të ngjashëm dhe të afërt,
madje mund të themi se është i njëjti stil i derdhur në forma (skulpturore) të
ndryshme. Këtë mund ta shohim më së miri te romanet “Gjin Bardhela i arbëresh
& Etja e gurëzuar[10]”,
“Bimorja[11]”
dhe “Nëna e dritës”[12],
të cilët për nga rrjedhshmëria e ligjëratës, nga pasuria dhe pastërtia e fjalës
ngjasojnë me një muzikë, por: ndërsa “Gjin Bardhela...” ngjason me një simfoni,
“Nëna e dritës” së bashku me “Sytë e heshtjes” ngjason me Hymne lavdërimi për
hirin hyjnor, ndërkohë “Bimorja” tingëllon si një intermexo midis. Janë nga ato
libra që, pasi i lexon, i thua vetes në lidhje me Anton Nikë Berishën: ”Ndihem
me fat që e lexoj veprën e tij, ndihem i nderuar në miqësinë e tij”.
VII- Me librin e saj “Vepra me rëndësi
të shumëfishtë” Ajete Zogaj ka bërë një punë të lavdërueshme e me nivel të
lartë analize, duke paraqitur krijimtarinë e Anton Nikë Berishës si një
krijimtari e rrafshit të epërm. Ndërkohë kontributi i tij merr një vlerë të
shtuar në kohën tonë, kur “lumi” i rrëmbyer i botimeve mediokre “ka dalë nga
shtrati” dhe ka “përmbytur” raftet e librarive dhe të bibliotekave, ku zënë dhe
krijojnë myk nga mos leximi, duke krijuar, në këtë mënyrë një ambient mbytës
edhe për librin cilësor.
Sarandë, gusht 2022
[1] Ajete Zogaj, Vepra me rëndësi të
shumëfishtë. Mbi disa vepra të Anton Nikë Berishës. Botoi “Faik Konica”,
Prishtinë 2021.
[2]Anton Nikë Berisha, Poetika e
letërsisë për fëmijë. Botoi Universiteti i Gjakovës“ Fehmi Agani”, Gjakovë
2020.
[3] Anton Nikë Berisha, Vepra letrare e
Martin Camajt. Studim. Botoi Sh. B. “Beqir Musliu” Gjilan 2020.
[4] Anton Nikë Berisha, Poetika e
fjalëve të gurta. Qasje veprës
letrare të Azem Shkrelit. Botoi Argeta – LMG, Tiranë 2010.
[5] Anton Nikë Berisha, Arshi Pipa
krijues i mendimit të lirë. Letra, bisedë, poezi, kritikë. Botoi Sh. B.
“Faik Konica”, Prishtinë 2018.
[6] Anton Nikë Berisha, Poezia si
shtegtim i qenësishëm shpirtëror. Rreth poezisë së Daniele Giancane-s. & La
poesia è un viaggio esistenziale. Della poesia di Daniele Giancane. Shtëpia
botuese “Milosao” Sarandë 2020.
[7]Ajete Zogaj, vepra e cituar. Shkrimi “Romani Gjin Bardhela i Arbëreshs
&Etja e gurëzuar” në 52 këndvështrime” f. 101.
[8]Anton Nikë Berisha, Prushi i
bukurisë. Përsiatje poetike për artin e fjalës. Me parathënie të
shkrimtarit italian Dante Maffia. Botimi i tretë i pandryshuar. Shtëpia botuese
Beqir Musliu, Gjilan 2020.
[9]Anton Nikë Berisha, Sytë e heshtjes. Në
Nëna Tereze në shtatë shpalime; Shpalimi i tretë: Ujëvarë drite në zemër &
Sytë e heshtjes”. Botuan “Faik Konica” , Prishtinë, Kuvendi Françeskan Gjakovë
2019.
[10] Anton Nikë Berisha, Gjin Bardhela i
arbresh & Etja e gurëzuar. “Faik Konica”, Prishtinë 2002.
[11] Anton Nikë Berisha, Bimorja.
Roman. Botimi i dytë i përpunuar. “Faik Konica”, Prishtinë 2012.
[12] Anton Nikë Berisha, Nëna e dritës.
Në Nëna Tereze në shtatë shpalime. Shpalimi i parë. Botuan “Faik Konica” &
Kuvendi Françeskan Gjakovë, Prishtinë 2019.
Nuk mund ta besoja se do të ribashkohesha ndonjëherë me ish të dashurin tim, isha aq i traumatizuar duke qëndruar vetëm pa një trup që të më qëndronte pranë dhe të ishte me mua, por isha aq me fat që një ditë takova këtë magjistar të Dr. Ediomo, pasi i tregova per gjendjen time ai beri cdo gje qe ishte e mundur qe te shihte te dashurin tim te kthehej tek une, ne fakt pasi beri magji ish i dashuri im u kthye tek une me pak se 48 ore, ish i dashuri im u kthye duke me lutur qe nuk do te rikthehej kurre. me ler perseri, 3 muaj me pas u fejuam dhe u martuam, nese edhe ti ke te njejten situate. Ai është shumë i fuqishëm në punët e tij;
ReplyDelete* magji dashurie
* magjitë e tërheqjes
* nëse doni që ish-i juaj të kthehet
* Ndaloni divorcin
*thyej obsesionet
* shëron goditjet në tru dhe të gjitha sëmundjet
* magji mbrojtëse
*infertiliteti dhe problemet e shtatzënisë
* magji llotarie
* magji me fat
Kontaktoni Dr Ediomo në emailin e tij: drediomo77@gmail.com
faleminderit shume zoteri qe ma ktheve ish te dashurin tim emailin e tij: drediomo77@gmail.com ose telefono/whatsapp:+2349132180420
+2348155926512