PORTRETI I
DUÇES GDHENDUR NË SHKËMB DHE POEZIA
Nga Timo Mërkuri
I-Kujtimet e adoleshencës u
ngjajnë farëzave të rëna në tokë e të mbuluara nga gjethet e vjeshtës, të cilat
u krijojnë një ambient të ngrohtë për shpërthimin e tyre dhe nxjerrjen e
filizit të pemës apo biskut të lules, i cili nxiton të hedhë shtat. Koha e këtij
shpërthimi kujtimesh është e ndryshme, nga një deri në disa dhjetvjeçarë: në
varësi të moshës së përjetimit të ngjarjes e cila ka nevojë për asimetrinë
kohore të shpërthimit të saj .
Kështu i ka ndodhur Fatmir
Terziut në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare, në një ditë vere në Linoz ku u
mahnit me një masiv shkëmbor, në të cilin ishte gdhendur një portret njeriu, te
i cili njohu fytyrën e Duçes, fotografia e të cilit me helmetë ushtarake në kokë
ishte shumë e njohur nga filmat e kohës. Djaloshi Terziu i ndiqte shumë filmat,
të cilat ishin një pasion i tij, që do të
lulëzonte shumë vite më vonë, ndaj ishte i familjarizuar me dukjen e portretit
të jerarkut fashist, por që ta gjente të gdhendur diku në Linoz në një masiv
shkëmbor , këtë nuk e kishte menduar.
Ishte koha kur ai si shumë moshatarë të tij synonin të ndihmonin familjet, qoftë
dhe duke siguruar disa të ardhura sa për të mbuluar shpenzimet e shkollës, ndaj
punonte në periudhën e verës. Fakti që i ati i tij ishte drejtor në Ndërmarrjen
Rruga Ura të Elbasanit i jipte “privilegjin” e gjetjes së punës shpejt, por ata
që e dinë se çdo të thotë të punoje në Ndërmarjen e Rrugëve në ato vite do ti
shprehnin keqardhjen djaloshit për zgjedhjen, në vend që ta kishin “zili”. „Isha djalosh i ri dhe hallet më sillnin
Rruga Urës /të bëja ndonjë para për librat, leksionet, /e muajt e verës më
gjenin në krye të punës“. Gjithsesi më shumë se fitimin financiar djaloshi
do mësonte se të mirat materiale të jetës sigurohen me punë dhe jo në rrugë të
tjera, arsye dhe mësim që ndikoi në karakterin e tij, i cili dhe në Londër u bë
një “puntor i palodhur” i artit dhe letërsisë.
Ishte koha që hapej rruga Brosh Bardhet,
Linoz dhe Shëngjergj i Martaneshit, kur
në një moment në Linoz u “përball” me Duçen. Ishte një Duçe i gurtë, me një
pamje impozante me kokën e ngritur paksa, sikur shikonte diku në largësi, pozë
tepër e njohur nga fotografimet dhe filmimet, por që këtu në Linoz dikush i kishte
thyer hundën, madje i kishte lënë dhe një blagë grushti në mjekër e në buzë,
ndaj me atë kokën pakëz të ngritur ai dukej si një boksier në momentin që po
binte nokaut nga një goditje e fuqishme. Dukej jo vetëm i mundur, por edhe i
braktisur aty në ringun natyror të Linozit, humbje dhe braktisje që e bënte më
të theksuar e kaluara e tij si një autokrat i zhurmshëm dhe ca më tepër e
theksonte këtë ndjesi peisazhi piktoresk ku ndodhej.
Pyetjes se si u krijua kjo skulpturë
e kreut fashist italian në këtë vend, ne do ti shpjegojmë se në vitet e
pushtimit aty pranë ishin gazermat ushtarake italiane dhe një ushtar, me gjasë
skulptor i mobilizuar ndërmori nismën e gdhëndies në shkëmb të portretit të
Duçes, si pasion të vetin apo për të përfituar ndonjë lehtësim në shërbimin
ushtarak. Historia na dëshmon se ky ushtar skulptor shpëtoi në luftë, madje pas
kapitullimit të ushtrisë italiane jetoi në disa familje shqiptare deri në
çlirimin e vendit, kur më pas u largua.
Për ne ka rëndësi se këtë imazh djaloshi Terziu e mbarti në
kujtesën e tij dhe e solli sot mes nesh në formën e një poezie duke na e dhuruar si një
trëndafil të çelur, që na dëshmon se fara e trëndafiltë e frymëzimit ka qëndruar
në gjumë përmbi 40 vjet. Te poetët çdo kujtim shndrohet në krijim, pavarësisht
nga koha.
II-Duçes
sigurisht do ti ketë pëlqyer lajmi i gdhëndjes së portretit të tij në një
shkrep shkëmbor në Linoz, pse diktatorët
kërkojnë gjithnjë që të përjetësohen me të gjitha format. Nuk janë të pakta
rastet kur diktatorët në përjetësim të pushtimit ushtarak të një vendi, të
ngrejnë në këmbë pushtuesit e detyruar (ushtarët
e urdhëruar) të përdorin artin për të përjetësuar
dhe zbukuruar portretin dhe veprën e tyre në vendin e pushtuar. Janë shkruar
libra, janë bërë portrete, janë përjetësuar në monumente e plot gjëra të tjera.
Kështu ngjashëm është dhe rasti që citon poeti dhe studiuesi Fatmir Terziu në
poezinë e tij të fundit "Portreti i Duçes në shkëmbin e
Linozit", ku: „Ai ishte i
gdhendur në një shkëmb,/ishte bërë art nga ushtarët e tij“,
Qysh në krye të poezisë vargjet
të krijojnë idenë e një zbrazëtie që
udhëton nëpër të ftohtën e gurit, bashkohet me zërat dhe gojët e të vdekurve,
tashmë të heshtur. Edhe pse diktatorët pushtues nuk shohin, ka një zi të
pafundme. Në transfertat gurore, dhuna ndërton atë art të momentit, të
mbivlerësimit të diktatorit pushtues, duke bërë që një shkrep i gurtë i
shkëmbit të tërbuar nga gdhendja e ushtarit, të mbushet me heshtje dhe baltë.
Nga kjo heshtje del një hakmarrje, e cila shtrihet në dy kohë: njëra është në
kohën e realizimit të artit me këtë gdhendje në gurë, dhe tjetra në kohën kur
një diktator tjetër, në rolin e fituesit të luftës, kërkon të çgdhend atë art
pushtuesi. Hakmarrja në të dy rastet ka dhimbje, ka shpërqëndrim, por më
kryesorja është se mbart mesazhe të ndryshme.
Dhjetë rreshtat e parë të
poezisë fokusohen në vendosjen dhe vënien përballë dy mjedise shumë të ndara,
ku njëra është skena e moshës në kuintat e saj, ku janë shpërndarë lidhjet,
arsyet, substanca e ngurtë, arti që ka mbetur, për aq sa mund të quhet art dhe
e dyta është komoditeti i mbyllur i një rrethi vicioz ku madhështohen dhe
humbasin në asgjë diktatorët. Këtu, në gjysmën e dytë të punës, këto dy
cilësime konvergojnë dhe kjo ilustrohet
përmes një krahasimi. Terziu i bashkon skenat së bashku me imazhet e zërit që
perceptohet, duke e portretizuar tingullin si një forcë lëvizëse, pothuajse të
mishëruar. E ndezura heshtazi e qiririt: „ me të ndiznin
heshtazi qiri ndonjë natë“ është një formë komode e diktatorëve që takohet
me fatet e të vdekurve, me përjashtim të faktit se toni dhe funksioni i tyre
është heshtur. Kjo heshtje na kujton se
ata janë në botën tjetër, por ka gjithashtu një domethënie më metaforike, duke
u kujtuar lexuesve mënyrën se si fashizmi dhe diktatura mund të heshtin
mospajtimin dhe shprehjen, sidomos kur ata që heshtin janë ende gjallë.
Pas kësaj pike, poezia bëhet
edhe më e ndërlikuar nga ana metaforike, duke u kthyer në alegorike dhe
spektakolare misterioze në rreshtat e saj në vazhdim. Së pari, Terziu e
krahason pikëllimin e njerëzve që jetojnë nën diktaturë me fatin e një qiriri të ndezur. Tretja e qiririt është
një faktor tjetër që vjen, ose ndoshta vetë pikëllimi i ushtarëve fashistë,
mqse sintaksa e poemës e lë këtë pikë paksa të fiksuar tek dashuria „për të dashurat që i kishin lënë në
shtëpi,/për nënat e baballarët e tyre detit matanë“ dhe kjo nxit rritjen e
urrejtjeve të reja. Këto, nga ana tjetër, krijojnë edhe më shumë errësirë dhe
ngatërrim në ambientin ku gdhendja e gurit tashmë është më shumë se një mit,
një faktor që ka heshtur nga kundërpërgjigjja tjetër.
Ky përshkrim ngjall një peizazh
natyror të harlisur, intrigues pranë vendit të vuajtjes njerëzore, aty ku në
një vend mjaft piktoresk si Brosh Bardheti apo Linozi, të qëndrojnë ende: “në kazermën e
rrethuar, gërmadhë të shkatërruar“ e një të shkuare të dhimbshme
shqiptare. Në mënyrë metaforike, Terziu vë në dukje se qasja alegorike e
fytyrës të lënë në errësirën e prishjes mund të jetë ciklike në kohë diktature
ose vetëpërjetësuese, si guri që gurëson vetveten. Errësira dhe verbëria e
përshkruar këtu mund të jenë referenca ndaj frikës gjithnjë të pranishme të
krijuar nga diktatura, e cila mund të krijojë një autocensurë aq efektive sa çdo e detyruar nga jashtë: „nuk e di pse revoltohesha egërsisht me të
padukshmen/një ushtri e panjohur, me kuaj/ e lodhur, e dërmuar/e braktisur me
muaj/në kazermën e rrethuar, gërmadhë të shkatërruar /ndjeja atë ushtri të
sprapsur“.
Aty ka dhe gjetje të tjera,
shihen kuaj, kazerma, imagjinohen ushtri, që vijnë nga leximi: „ m'u duk sikur
ngreja brenda meje një ushtri,/nuk e di pse revoltohesha egërsisht me të
padukshmen/një ushtri e panjohur, me kuaj“, nga përhumbja tek libri, i
cili ka një funksion tjetër, është një pjesë simbolike komplekse, e shumë-anshme,
misterioze. Ndërkohë që poezia e Terziut na tregon për
natyrën e saj simbolike, nuk është e lehtë të përcaktohet se çfarë përfaqëson
ai: një libër historie apo një libër që në kohën e diktarit e zhvetëson vetë
historinë:“ në fakt se isha duke lexuar kisha harruar /dhe librin e kisha lënë gjysmë
të hapur“. Në fakt, konfuzioni që lexuesit mund të ndiejnë në lidhje me librin
pasqyron konfuzionin dhe mungesën e qartësisë së lidhur me vetë përdorimin e
kësaj forme arti të pushtuesit në një vend të pushtuar. Thua synon e beson vërtet në përjetësimin e pushtetit të
tyre apo pushtimin e përjetshëm të këtij vendi?
Ashtu si të gjithë elementët
simbolikë të lartpërmendur, libri ka disa role metaforike njëherësh. Krahasohet
me dhimbjen, lotin, vajtimin, por përshkri-mi i librit vazhdon më pas, duke
u ngarkuar me imazhe dhe simbolikë. Terziu përshkruan librin që lexon si vetë
kohën, apo kohërat që ngjeshen aty, i cili nga ana tjetër bën që të prodhohen
më shumë kuptime. Këto kuptime rriten në errësirë dhe rriten "verbërisht",
pa vetëdije dhe pa qëllim të përacaktuar, mjafton që të gjejnë faktorin e aftë
për ilustrim. Është interesante që Terziu përdor të gjithë këtë nëntekst për të
prezantuar leximin e historisë, duke nënkuptuar se ajo tashmë është e njohur
ose e pranishme, edhe nga ky fakt, ku portreti i gdhendur në gur është i
destinuar të zvetënohet. Duke pasur parasysh lidhjet e tij me errësirën dhe
pakuptimësinë, është e arsyeshme të konkludohet se ajo simbolizon natyrën
njerëzore gjithnjë të pranishme, shtypëse të diktaturës dhe mënyrën se si ajo
vulos kuptimin dhe diskursin në subjektet e saj, mes marrëdhënies midis
shprehjes dhe shtypjes.
Marrëdhënia midis shprehjes
artistike dhe shtypjes së qeverisë shkon prapa shumë më gjatë se shekulli i
njëzetë: monarkitë absolute të Evropës së Hershme Moderne luftuan, me njëfarë
suksesi, për të kontrolluar fjalimin politik në teatrin e vetë jetës që dirigjojnë
ato, madje dhe në teatër ku pritej art. A nuk janë në të dy rastet duart e
diktatorëve që drejtojnë këtë art-kaos? Në rastin e gdhendjes në gur të Duçes,
është ushtari pushtues italian, dhe në rastin e zhbërjes së tij, është ushtari
i xhenjos, i reparteve të Enver Hoxhës, të vendosura në Bizë të Martaneshit.
Edhe Shekspiri shpesh merrte
masa krijuese për të diskutuar çështjet e kohës së tij pa tërhequr zemërimin e
monarkisë. Ai përshkruante monarkë absolutë të paqëndrueshëm e të rrezikshëm
përmes thjerrëzave të trillimeve historike, ose duke
vendosur shfaqjet e tij në vende të largëta. Megjithatë, ai u përball me
një urdhër të prerë, pra që e detyronte atë, dhe kjo është më shumë se sa një
fakt, në faktorin e diktarëve në kohë, hapësirë dhe vend. Aty vepron memorja, pra
të gjitha këto vijnë nga një memorje e shëndoshë, nga njohuria dhe nga koha kur
autori i kësaj poezie ka mbajtur gjallë bredna vetes të gjithë rekursin e një
forme që ritregon, dhe na rizgjon edhe në këtë kohë.
Për sa më sipër mund të themi se
në strukturën poetike ne lexojmë më shumë se sa kujtimet e adoloshencës
terziane për një vepër arti gdhendur në gur edhe kulturën e të shkruarit të
njohur në adoloshencën e tij të këtij elbasanlliu të ri pse dihet që Elbasani
qysh në ato vite rezatonte një kulturë e qytetari europiane të të shkruarit
artisik, kulturë të cilën Terziu e përsosi dhe e shndroi në stil modern të
artit të tij. Kjo duket dhe te kjo
poezia, vargjet ngjasojnë me pemë të dëndura
të një pylli të hershëm, sa që të krijohet përshtypja e një pamundësie kalimi nëpër atë, por mjafton nisja e udhëtimit
dhe shtegu i kalimit çuditërisht të duket jo vetëm i qartë por edhe shumë
panoramik, sa që të imponon ndalesa soditjeje.
III-Në perceptimin artistik sheh
se poezia fillon me një atmosferë misteri dhe kureshtjeje adoloshenti: “Eh, ishte mosha kur kureshtja shkonte përtej
natyrës,/me substancën e gjetjes së artë dhe të gurtë”, kohë kur autori ndihet tërhequr nga substanca
e artit dhe substanca e gjetjes së artit të gurtë. Portreti i Duçes: “… ishte i gdhendur në një shkëmb,/ishte
bërë art nga ushtarët e tij” duke na shfaqur poetikisht idenë se diktatorët
e të gjithë kohërave nxitonin të ngrinin
sa më shumë statuja vetes së tyre, përkundër njerëzve të dijes dhe të
shkencës, të cilët vetëm për përjetësimin e tyre në mermer e në bronx nuk kanë menduar, madje kanë ironizuar çdo
propozim të bërë nga bashkëkohësit për bronximin e tyre qysh në gjallje.
Koha e mëpasme i ka rrëzuar të
gjitha statujat e diktatorëve kudo në botë, ndërsa ka përjetësuar ata që asnjëherë
nuk kanë menduar për lartësim, pse ata kanë qënë më të mëdhenj se statujat,
madje edhe se vetë koha kur jetuan e krijuan., ndaj dhe djaloshi: “pyes ende, a mund të kthehen gurët e shkelur
nga diktatorët në art,/vetëm memorja më përgjigjet prerazi vëngër:/Jo! Aspak”,
duke shprehur përfundimin llogjik, jo të
kureshtjes së djaloshit të djeshëm, sot një intelektual dhe poet i njohur, por
të së vërtetës se diktatorët më së pari janë armiqtë e artit, të dijeve dhe
progresit. Thyerja e shtatores së një diktatori pushtues në kohën e një
diktatori vendas (me urdhër apo porosi të tij) është ironia që koha u rezervon
atyre, pse ne jemi dëshmitarë të kohës që tërhoqi zvarrë statujën e diktatorit
vendas.
Terziu përjeton ndjenja të
furrishme para shtatores së gurtë ku revolta është ndjenja e parë: “U afrova tek shkëmbi t'ia shihja nga afër
fytyrën /të dalloja … Duçen/m'u duk sikur ngreja brenda meje një ushtri/nuk e
di pse revoltohesha egërsisht me të padukshmen/një ushtri e panjohur, me kuaj/e
braktisur me muaj/në kazermën e rrethuar, gërmadhë të shkatërruar/ndjeja atë
ushtri të sprapsur”, madje duhet të themi se gjithë struktura e poezisë është
ndërtuar me ndjenjat e këtij djaloshi. “Isha
djalosh i ri …//ishte mosha ime, ishin refleksionet,/profili i panjohur që
sfidoi motin e egër/të harruar edhe nga Lart,/nuk është thjesht për të thënë
ishte kohë tjetër” shkruan poeti
duke shprehur se edhe sot tensionet nuk e lënë të qetë mendjen e tij dhe
ai shikon kohën, lexon kohërat.
Është interesantë ajo pjesë e
poezisë ku autori përshkruan ndjenjën e revoltës: “E në tërë atë përhumbje ndjeja flakë,/kur Kroi i Kuq, Biza e rrethinat
e saj,/kishin ngrirë ishin plak,/e Uji i Burimit pastaj,/me një forcë të madhe
tështinte gjak,/në barin jeshil të mbushur me gjëmbaçë”, pse ai
sheh të vërtetën historike në portretin
e Duçes të shprehur me vargjet: „e Uji i
Burimit pastaj/me një forcë të madhe tështinte gjak“.
IV-Poezia "Portreti
i Duçes në shkëmbin e Linozit" është e pasur me figura artistike për të
forcuar mesazhin dhe për të krijuar imazhe të fuqishme, ku disa nga figurat
artistike të përdorura në vargje janë:
Në poezinë përdoren metafora për
të përshkruar imazhet dhe ndjenjat, psh. "Ai ishte i gdhendur në një shkëmb" është një metaforë që e
përshkruan portretin e Duçes si të ngulitur në një shkëmb, duke dhënë një
ndjenjë të përhershme dhe të pandryshueshme të figuras së portretit, çka ishte
dhe synimi i skulptorit, pa-varësisht se
koha rrodhi ndryshe.
“U afrova tek shkëmbi t'ia shihja nga afër fytyrën/të dalloja ..,
Duçen" shkruan poeti duke përdor metaforën e fytyrës së Duçes për të
përshkruar portretin e tij, pasi fytyra simbolizon identitetin dhe
personalitetin e Duçes.
Te vargu "shikoj kohën, lexoj kohërat pas të shtunës" përdor
metaforën e "leximit të kohës" për të treguar se si poeti po
reflekton mbi kalimin e kohës dhe përvojat që ajo sjell
Te vargu "në kazermën e rrethuar, gërmadhë të
shkatërruar"kazerma e rrethuar dhe e shkatërruar përdoret si metaforë
për të përshkruar situatën e trazuar dhe të dëshpëruar të ushtarëve të
panjohur, të mbetur mënjanë dhe të braktisur, ndërsa metafora "retë që mbështilleshin në Tiranë"përshkruan
praninë e vështirë të trishtësisë dhe tundimit që poeti ndjen në Tiranë.
Këto metafora shtojnë imazhin
dhe emocionin në poezinë e Fatmir Terziut dhe i japin asaj një dimension më të
hollësishëm dhe të thellë, duke shërbyer njëkohësisht për krijimin e një stili
të pasur e tërheqës për lexuesin, duke e bërë poezinë më përfshirëse dhe të
kuptueshme.
Ne mund të renditim këtu dhe
figura të tjera letrare si psh hiperbola te vargjet "nuk e di pse revoltohesha egërsisht me të padukshmen" që e përforcon ndjesinë e të qenurit të
revoltuar dhe të përplasur me situatën, simbolizmi psh “Uji i Burimit" që simbolizon forcën dhe vitalitetin, ndërsa
"Mali me Gropa" përfaqëson
pengesat dhe sfidat, simbole që
ndihmojnë në thellimin e kuptimit dhe në krijimin e një atmosfere misterioze
dhe të ngarkuar emocionalisht.
Përdorimi i zërit "sh"
në vargjet "shërronin me lutje
qindra plagë" dhe "shkulja
retë që mbështilleshin në Tiranë" është një shembull i aliteracionit, përdorim i ripërsëritjes së tingullit që
krijon një efekt të rrëmujshëm dhe thellon ndjesinë e dëshirës së poetit për të
ndryshuar situatën.
Interesant është përdorimi i konstrastit
visual në përshkrimet e poetit, si "barin
jeshil të mbushur me gjëmbaçë" dhe "mantel
i lëmuar në malet përkarshi", imazhe të kundërta që e bëjnë poezinë të rrëfyer, të imazhueshme
dhe të pasur vizualisht.
V-Fjala, gjuha dhe vargu i
poetit në poezinë "Portreti i Duçes në shkëmbin e Linozit"
janë të veçanta dhe të fuqishme. Autori përdor një gjuhë poetike dhe imazhore
për të shprehur ndjenjat dhe vizionin e tij në mënyrë të ngazëllyer.
Fjala që përdoret në poezi është
e pasur dhe e veçantë, poeti zgjedh fjalë me kujdes për të shprehur ndjesitë
dhe idetë e tij në mënyrë pikante dhe të thellë, ashtu siç janë të përziera me
ndjenjën e trishtimit, revoltës dhe melankolisë, duke krijuar një atmosferë të
ngarkuar emocionalisht që e përforcojnë temën dhe imazhet e poezisë.
Gjuha që përdoret në poezinë e
përmendur është poetike dhe e pasur me imazhe, pse poeti përdor imazhe të
fuqishme dhe simbole për të përshkruar emocionet dhe situatat. Gjuha e tij
është e imazhueshme dhe krijon një përvojë vizuale dhe emocionale për lexuesin,
ku përdorimi i figurave artistike dhe simboleve ndihmon në thellimin e kuptimit
dhe në krijimin e një atmosfere të veçantë.
Vargu i poezisë është i
strukturuar dhe i rregulluar me kujdes, ato kanë një rrjedhë të lirë, pa
sforcime, duke krijuar një melodi poetike. Autori përdor ritmin dhe rimën në
vargje për të krijuar harmoni dhe rregullsi në poezi, ku zgjedhja e fjalëve
krijon një intensitet emocional dhe thellësi në vargje.
Kam përshtypjen se kjo poezi është
shkruar me “një frymë” shpërthyese ashtu si shpërthen uji nga honestra e
tejmbushur në një burimin e ri veçse ky „ujë“ i freskët ka një stili modern
poetik në një shtrat filozofik, çka e bën poezinë të misterëshme në shumë
vargje, por edhe plot ngjyrime. Për sa thamë në krye, kujtesa djaloshare e Fatmir
Terziut e mbajti në brendësi të saj imazhin e këtij portreti të gurtë në Linoz,
imazh që brenda kujtesës shtoi e shumoi
veten gjer në shpërthimin e kësaj poezie që lexohet dhe përjetohet së tepërmi
pas leximit.
Sarandë, më korrik 2023
Unë kurrë nuk e dija se kisha një shans të madh për ta kthyer burrin tim derisa takova Dr. Ellen. Ishte shumë e vështirë për mua kur i dashuri më la për një grua tjetër. Isha i shkatërruar dhe nuk mund të shërohesha. Miqtë dhe familja e tij bënë gjithçka që mundën për të na bashkuar, por nuk funksionoi. Isha beqar për disa muaj dhe nuk mund ta shihja veten duke dashur dikë tjetër. Kështu që më duhej të kërkoja ndihmën e Dr. Ellen, e cila më dha privilegjin të sigurohesha që dëshirat e zemrës sime të realizoheshin. Na bashkoi, dashuria dhe lumturia u rikthyen. Fjalët e tij janë angazhimi i tij dhe ai nuk dorëzohet kurrë kur i premton dikujt një rezultat brenda 48 orëve, gjë që më befasoi kur doli rezultati im. Mos ngurroni të kërkoni ndihmë diku tjetër. Kontakto me të tani. Email-i i tij: ellenspellcaster@gmail.com ose WhatsApp: +2349074881619
ReplyDelete