SHTATË MALE, SHTATË FUSHA NË NJË
POEZI
Nga Timo Mërkuri
Që
Odise Kote të befason me poezitë e tij, kjo tashmë nuk është një gjë e re dhe e
papritur për lexuesin, por shpesh kjo befasi të krijon një ndjenjë hutimi për
sa ka shkruar dhe stilin me të cilin e ka shkruar, hutim që të shtyn në një
rilexim të përqëndruar dhe më pas në meditim mbi poezinë. Poezia e tij të duket
se flet apo vjen si nga bodrumet e një
kështjelle të vjetër e të mbyllur për shekuj, ajo vjen e stërpikur nga mitet e
baladat, historia, filozofia etj. gjë që të imponon njohjen e tyre, kushtëzim
që është tepër i dukshëm te poezia: “Shtatë male, shtatë fusha”.
Kjo
duke te poezia "Shtatë male, shtatë fusha" e Odise Kotes, e cila ka
një shtrat balade dhe përshkruan një peizazh të veçantë tek i cili ndërlidhen
jo vetëm historia, filozofia, por dhe antropologjia e besimi , ku këndvështrimi
i tij është përqëndruar te marrëdhënia e
popullit tonë me besimin në të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen, si pjesë e
linjë estetike: histori, filozofi, antropologji, duke marrë shkas nga një kështjellë
e vogël pranë Papatit.
1-“Në Kështjellën e vogël Loreto /mbi përrenjtë
e thepisur të Papatit” e nis Odise Kote poezinë e tij dhe ne detyrimisht
kujtojmë se: Loreto, në Itali është një
kështjellë nê rajonin e Markeve, vendosur “mbi
përrenjtë e thepisur të Papatit” . Në anë të përroit janë shtypshkronjat e
vjetra ku janë shtypur shkrimet e shenjta të Vatikanit në shek. IV-V.
Sot në Loreto dhe për shkak të tyre është një vend turistik ku shkojnë vizitorë nga e gjithë bota: “Mijëra vizitorë nga bota magjepsen, hutohen/
blejnë syvenire, mbështillen me mistikë”
të cilët ndjejnë një lidhje të veçantë me këtë vend të shenjtë. Duke
qënë se Loreto është vend, historia e të cilit ka lidhje me historinë e gjithë
vendeve të krishtera të rruzullit, madje dhe me mardhëniet me vendet e besimeve
të tjera, çdo vizitor vihet para pasqyrën së ndërgjegjes historike, e cila në
poezi është prizmi ku thyhen e përthyhen idetë.
Nëpërmjet
krahasimit: "Inkuzicioni dhe vdekja
ende fryjnë si erë e marrë" poeti duke vënë në dukje inkuziocionin si
institucion historik dhe vdekjen si pasojë e veprimeve të tij që fryjnë si një
“erë e marrë”, na paraqet ndjesinë e
një lufte të brendëshme për jetën e njeriut dikur dhe të vizitorëve sot.
"Për të shpallur ndjesinë e betejës me
vetveten" shkruan poeti për ndjesinë e betejës së brendshme që çdo
individ përjeton me vetveten, betejë që simbolizon konfliktin shpirtëror, që bëhet tek çdo turist që vizitojnë Loreton.
Në kët betejë:"Ku humbja dhe fitorja
fqinjërojnë, sublimohen", shfaqet paradoksi i luftës me vetveten, ku
humbja dhe fitorja janë fqinjë dhe ndërveprojnë me njëra-tjetrën. Ato nuk janë
krejt të kundërta si dy ushtri në front, ato janë të lidhura ngushtë dhe
shkëlqejnë së bashku, duke krijuar një ndjesi të lartë dhe të sublimuar.
Nëpërmjet
vargut “Dhimbja bëhet tjetërfarë, e jotja
dhe e tjetërkujt”, ku përdorimi i fjalës "tjetërfarë" sugjeron se dhimbja ndryshon formë dhe
karakter dhe se ajo mund të ndikojë te
secili në mënyrë të ndryshme, shprehja
"e jotja dhe e tjetërkujt"
tregon që secili përjeton joveç dhimbjen e vet, por edhe të tjetrit, duke
nënkuptuar shumë faktorë që na bashkojnë në këtë jetë, ku shpesh edhe vetë
dhimbjen bëhet bashkuese.
"Dhimbje që përbuz të përzishmen, të voglën"
shkruan poeti duke përshkruar një lloj dhimbjeje që përbuz dhe nuk i jep
rëndësi aspektit të vogël ose të përzishshëm, ku fjalët "të përbuz" dhe "të vogël" tregojnë pakënaqësinë dhe
mospërfilljen ndaj kësaj dhimbjeje, kohës së humbur, duke sugjeruar një dëshirë
për t'u distancuar nga ajo.
Ndërkohë
vargjet "Përpëlitet në shqyrtim,
vetëflijohet, kërkon të harrohet" përshkrua-jnë reagimet dhe
përpjekjet për të trajtuar dhimbjen e brendëshme. Fjala "përpëlitet" tregon për një lëvizje
të frenueshme dhe të paqëndrueshme, ndërsa fjalët "vetëflijohet" dhe "kërkon të harrohet" tregojnë për përpjekje për të larguar dhe
haruar dhimbjen, duke shprehur dëshirën për të tejkaluar dhimbjen, për të
arritur në një gjendje të re, ku ajo nuk ka më ndikim.
Të
kuptohemi, unë nuk marr përsipër të shpjegoj tekstin e poezisë së Odise Kotes
dhe ca më pak ta përshkruaj atë, por për të kuptuar strukturën poetike unë
duhet të hyj brenda saj dhe të flas për elementët strukturorë të poezisë si për
themelet, kollonat dhe muret e një godine. Unë tregoj si e shoh krijimin nga
një prej ngjyrave të dritës së vargjeve të përthyer mbi prizmin poetik dhe ajo
që ka rëndësi është fakti se ju tregoj si e shoh nga brenda poezisë. Shumësia e
këndvë-shtrimeve dhe interpretimeve është bukuri e ylberit poetik dhe jo meritë
individuale.
II-Në
dy strofat e para ne vrasim mëndjen se ku do dalë poeti duke ecur nëpër botën e
filozofimeve dhe mistikës që mbërthen vizitorët në Loreto, kur befas strofa e
tretë na shpalos vendin tonë me ca vargje
që i ndjejmë qysh te fjala “matanë”
e përmendur aq shpesh nga arbëreshët plot dhimbje e mall: “Matanë kështjellës Loreto, matanë detit, /është Atdheu im, plot diell,
i qeshur” shkruan ai dhe ne na qeshin sytë nga drita e vargjeve, por befas
na vijnë si goditje pas koke vargjet: “grotesk,
çudan, tinzar, i ngrysur/ me njolla të mbetura stepash ruse/orizore kineze,
gjëmbaçë Anadolli”. Vetëm pas këtyre vargjeve kujtojmë se ne shqiptarët nuk
e njohim Loreton dhe atë që ajo përfaqson, madje për vetë zhvillimin historik
ne e kemi “humbur” Loreton dhe nuk e
kemi kuptuar se kemi humbur shekuj qytetërim.
Jam
shprehur se: “Krishterimi ishte ndërtuesi i Evropës, pasi në shembu-llin e
kishave e katedraleve, në shembullin e ndërtimit të Vatikanit, u ndërtuan
pallate dhe struktura shtetërore, u ndërtuan kryeqytete evropiane. Krishtërimi
ishte dhe ndërtuesi i Evropës së bashkuar (në krishterim) me synimin për t’u
shtrirë në një botë (të krishterë) të bashkuar, dhe kjo ishte e dukshme te
fakti që çdo mbret, për tu fronëzuar e kishte si domosdoshmëri kurorëzimin nga
Vatikani. Ishte e detyrueshme që dhe krushqitë mbretërore t’i miratonte Papa,
si dhe aleancat apo luftërat duhej të kishin lejen e tij[1]”. Patër Anton Harapi ka shkruar se “Te njeriu
vetë, kristianizmi ndërtoi idetë, lartësoi ndjenjat dhe sistemoi tërë jetën
vetjake. E bëri të mirë shpirtin e njeriut dhe kërkoi prej tij pastërtinë edhe
të mendimit e të dëshirës[2]”,
aq më tepër që “Edhe atdhetarizmi është një ndër idealet e krishterimit[3]”,
i cili vlerësohej si një virtyt i shenjtë[4].
Kjo
është arsyeja që na tërheq vëmëndjen dhe interesimin kjo poezi, raporti i
vendit tonë përballë Loretos, në konteksin e besimit, zhvillimit dhe europiani-zimit.
Krishtërimi ishte spiranca që e mbajti Shqipërinë në Europë në ato pesëqint
vjet robërie osmane. Vendi ynë është vend i prelatëve, shenjtorëve dhe
martirëve të krishtërimit, madje dhe në kohën moderne i dhamë krishtërimit
shënjtoren më tipike. Në lidhje me kontributin e krishtërimit në vendin tonë
është e drejtë të themi se asnjë fe, besim apo rrymë besimi nuk ka bërë aq
shumë për kombin tonë sa krishtërimi, asnjë feje, besimi apo rrymë besimi nuk i
kemi dhënë ne si komb kaq shumë martirë e shenjtorë, madje dhe Heroi ynë
Kombëtar është shpallur zyrtarisht nga Papati si "Atlet i
Krishtërimit", titulli më i lartë i mundshëm për gjithë kohërat.
Konvertimi
nga një pjesë e popullsisë nën dhunën dhe diktatin osman ishte një tërmet
lemeritës në ndërgjegjen e kombit, ndërsa heqja e “spirancës”së krishtërimit në monizëm e nxori anijen shqiptare në
mes të detit me furtunë, duke vetë-eksperimentuar ateizmin, si dikush që
eksperimenton se: a e mban dega e pemës peshën e trupit të tij, nëpërmjet
litarit të lidhur në qafë?
Shqipëria
gjithmonë ka patur nevojë për krishterimin ashtu si një pemë ka nevojë
për
rrënjët dhe dheun. Tashmë që e kërkojmë Loreton jemi një përzierje kulturash,
besimesh, paganizmi dhe teorish ateiste: “Kalit
të hazdisur të vetëdijës /i duhet të kalërojë pa ndalim/ Në shtatë male e
shtatë fusha”, aty “ku vigjëlojnë
rojet e moskuptimit, /për të mbërritur”. Është larg Loreto nga ne? (jo në
distancë kilometrike) madje më drejt është të thuhet se ne jemi shumë larg nga
Loreto dhe na duhet shumë kohë të arrijmë aty. Në qoftë se vizitorët nga e
gjithë bota shkojnë në Loreto të përjetojnë magjinë dhe mistikën e saj
shpirtërisht, ne na duhet që së pari ta kuptojmë dhe besojmë si një shpëtim.
Imazhi metaforik "Kalit të hazdisur
të vetëdijës, i duhet të kalërojë pa ndalim": përshkruan vetëdijen
tone, kal të hazdisur që shpesh provokon dëshirën për të eksploruar, për të
kërkuar kuptimin dhe për të përparuar. Fjala "hazdisur" tregon për një dëshirë të shfrenuar, të
papërmbajtur, ndërsa fjala "kalërojë"
shfaq një lëvizje të vazhdueshme dhe pa ndalim drejt një qëllimi të paqartë.
Nëpërmjet
vargjeve "Në shtatë male e shtatë
fusha ku vigjëlojnë rojet e moskuptimit, për të mbërritur" poeti na
shfaq vendin ku dëshirojmë të mbrijmë, një vend i vështirë për t'u kuptuar dhe
për të arritur. Fjalët "shtatë male
e shtatë fusha" tregojnë për një vend të gjerë dhe të ndërlikuar, që
rëndom është trevë baladash ndërsa "rojet e moskuptimit" tregojnë për
pengesat dhe sfidat që duhet të përballim brenda vetes dhe që më së pari janë
pasojë dhe copëza: “njolla të mbetura
stepash ruse, /orizore kineze, gjëmbaçë Anadolli”, pse është vështirë të
hysh në Europë duke mbartur azinë me vete, është vështirë të hysh në të ardhmen
kur je “lidhur” në të shkuarën.
III-Poezia
"Shtatë male, shtatë fusha" e Odise Kotës ka një stil të thellë, i
cili ndihmon në krijimin e një atmosfere emocionale dhe në përhapjen e kësaj te
lexuesi. Tipare që japin këtë ndjesi janë:
Tonaliteti
i thellë i poezisë shprehet me fjalët dhe frazat që kanë një tingull të rëndë,
duke krijuar një ndjesi dhe intensitet emocional, ku përdorimi i fjalëve si "inkuzicioni", "vdekja",
"dhimbja", "humbja" e "grotesk" theksojnë
ndjesinë e peshës emocionale që përshkruhet në poezi.
Poezia
përdor figura dhe simbolike për të paraqitur emocionet dhe ide për të cilat
duhet të mendohesh për ta përjetuar. Përdorimi i antitezave, hipotezave,
imazheve të fortë dhe dramatike , siç është përdorimi i fjalëve "tjetërfarë" dhe "tinzar", krijon një imazh të
ngarkuar emocionalisht.
Krijimi
i një atmosferë mistike i shërben idesë së poezisë, ku: përdorimi i fjalëve dhe
imazheve që lidhen me mistikën, si "mbështillen
me mistikë" dhe "grotesk",
krijon mistiçizmin që shton në tonalitetin e poezisë duke e bërë atë të duket
sa mistike aq dhe e pazakontë.
Te
vargu: "Ngjan çdo gjë është bulb e
palcë" poeti përdor një krahasim për të përshkruar natyrën e gjërave,
ku fjala "bulb" nënkupton
diçka të thjeshtë, të pazhvilluar ende, syth i fshehur gati në shpërthim,
ndërsa "palcë" tregon diçka të brendëshme, jetëdhënëse duke treguar
se përtej dukjes së jashtme të gjërave, diku ka diçka të fshehur dhe të
pazakontë, që është e vlefshme dhe e rëndësishme.
Epiteti
"Asht antropologjik"
përshkruan natyrën e gjërave si "antropologjik",
fjalë që sugjeron mendimin se gjërat janë të lidhura me studimin dhe kuptimin e
njeriut, me historinë dhe trashëgiminë njerëzore, duke paraqitur një dimension
më të gjerë e më të rëndësishëm të gjërave që
kuptohen dhe shpjegohen në
kontekstin njerëzor.
Ideja
e shprehur në vargun "Ndonëse
shekujt s’ikën kurrë paqësisht" është për kohën dhe përjetësinë, ku
fjala "shekujt" është
matësi kohor, ndërsa pohimi se ata "s'ikën
kurrë paqësisht" dëshmon mënyrën se si ka ecur koha shqiptare në botë.
Vargjet
e analizuar shprehin një ndjenjë mospranimi, ku përdorimi i fjalëve si "tjetërfarë" dhe "përbuz", dhe përdorimi i veprimeve
të shprehura, si "vetëflijohet"
dhe "kërkon të harrohet",
krijojnë një atmosferë emocionale të tendosur. Poeti përshkruan dhe na jep
pëmasën individuale dhe universale të dhimbjes, duke lënë hapësirë për lexuesin
të reflektojë mbi kuptimin dhe përballjen me dhimbjen në jetën e tyre.
Përmes
kësaj poezie, Odise Kote reflekton duke na e bërë të qartë se poezitë duhet të
kenë shikim të thellë, tejçpues në fenomenent e sotëm, të djeshëm dhe të
ardhshëm dhe kombinimi i historisë, filozofisë, antropologjisë me besimet në
krijim, nuk janë vetëm një mjet për të shprehur emocione, por kanë rol të
rëndësishëm në të shprehurit e mendimeve komplekse dhe refleksioneve mbi
njerëzimin dhe botën.
IV-Për
nga përdorimi i figurave artistike të krijohet perceptimi se poezia është një
mozaik figurash, ku secila prej tyre është vendosur mjeshtërisht dhe natyrshëm
në vendin e vetë. Kështu metafora "Ngjan
çdo gjë është bulb e palcë” tregon se çdo gjë në Loreto është e vlerësuar
dhe e rëndësishme, edhe në formën e saj të thjeshtë dhe të pakuptueshme.
Ndërkohë
metafora "Dhimbja bëhet tjetërfarë,
e jotja dhe e tjetërkujt" paraqet dhimbjen si një gjë që kalon përtej
individit, duke përfshirë edhe të tjerët në përvojën e saj.
Kontrasti
i vargjeve "Inkuzicioni dhe vdekja
ende fryjnë si erë e marrë" egziston midis frikës e vuajtjes dhe betejës
së brendshme të individit.
"Dhimbja bëhet
tjetërfarë, e jotja dhe e tjetërkujt"
shfaq një kontrast të krijuar mes dhimbjes personale dhe ndjenjave të tjera të
të tjerëve.
Personifikimi
"Dhimbja përpëlitet në shqyrtim,
vetëflijohet" shfaq dhimbjen si një entitet që e vlerëson veten dhe
ndjehet në mënyrë të ndryshme.
Te
vargu "Vigjëlojnë rojet e
moskuptimit" rojet personifikohen për të paraqitur moskuptimin dhe
pengesat që vijnë në rrugën e kuptimit dhe shpjegimit.
Antiteza
"Humbja dhe fitorja fqinjërojnë,
sublimohen" paraqet një kontrast thelbësor midis humbjes dhe fitores,
ku ato janë të lidhura ndërsa antiteza "Grotesk, çudan, tinzar, i ngrysur" përshkruar Atdheun si një
kombinim të veçantë dhe kontrastues të përmasave dhe tipareve.
Këto
figura artistike ndihmojnë në krijimin e imazheve të forta dhe të ndjeshme,
duke e bërë poezinë tërheqëse dhe të pasur në përmbajtje, duke shprehur
thellësinë e temave dhe emocioneve të ndjeshme që poezia përmban.
V-Fjalët
dhe gjuha e përdorur nga poeti Kote janë të pasura me ngjyra emocionale dhe
simbolike, duke qënë tipari kryesor në poezinë e tij. Ai di ta zgjedhë fjalën
në mënyrë të tillë që ajo të zejë vend natyrshëm në varg, pa qënë nevoja ta
gdhendë apo ta vendosë me forcë. Lidhja mes fjalëve bëhet nëpërmjet
kuptimshëmrisë së vargut dhe ritmit të brendshëm të poezisë dhe pak herë përdoren
lidhëset. Përdorimi i fjalëve të ndryshme, tërheqëse dhe imazheve të fuqishme
krijon një ndjesi të thellë dhe tërheqëse për lexuesin. Përdorimi i gjuhës
poetike dhe figurave artistike bën që poezia të shprehë idetë dhe emocionet në
një mënyrë të fuqishme dhe tërheqëse, duke i dhënë atij një dimension të veçantë
estetik dhe interpretues.
Ka
një veçori poetika e Odise Kotes, natyrshëmrinë e “çeljes” së figurave
artistike si sythe lulesh që shndrohen në fruta. Figuracioni i tij poetik nuk
është në asnjë rast një shartim, qoftë edhe prej një mjeshtri, madje mund të
themi se figuracioni i tij poetik me fjalët dhe shprehjet tipike “gur i rëndë” në tonalitet, të cilat i
japin bukurinë pemës së tij poetike, janë absolutisht të pamundura të “shartohen” pasi gjithmon mbishartesa
është një filiz i lehtë në rraport me nënshartesën (pema ku shartohet).
Dukuria
e kësaj natyrshmërie mund ta quajmë të menduarit poetik të autorit, proces ku
gjithmon është e vështirë gjetja e vargut të parë, që ngjason me gjetjen e
damarit të ujit nëntokësor te vendi ku do ndërtosh çezmën apo kroin, pasi ndërtimin
e një, dy apo shtatë sylinjarëve e ke lehtësisht të realizueshme ndërsa rrjedha e ujit (vargjet e tjera) e gjen vetë
rrugën. Në këtë drejtim themi se Odise Kote natyrshmërinë e të menduarit poetik
e ka pjesë të krijimtarisë, ku “problem” i tij është tema dhe struktura
filozofike e saj dhe jo vargu. Kjo natyrshmëri
është e dukëshme edhe në bashkbisedime të lira, ku Kote dhe të folurin e
ka të lirshëm, me leksik dhe tingull
poetik. Nuk gabohemi po të themi se për Odise Koten poezia është
frymarjeje, krijimtaria është mënyrë të jetuari.
Sarandë, më 2 korrik
2023
[1] T.Mërkuri:“Vepra që hapin horizonte të gjera
shikimi dhe frymëmarrje”Beqir Musliu, Gjilan 2022: f.108
[2] Anton Harapi, Njisimi kombtár dhe ideali
kombtár. Zgjodhi dhe përgatiti për shtyp Anton N. Berisha, Kuvendi françeskan i
Gjakovës, Gjakovë 1977, f. 277.
[3] Atë Anton Harapi,
po aty, f. 280.
[4] Patër Anton Harapi,
Vlerë shpirtërore. Shpresa & Faik Konica, Prishtinë, 2003: “Hiqni nga bota
e qytetëruar kontributin që ka dhënë kristianizmi në ide, në ligje e zakone, në
shkencë dhe art, në sistemin e amiljes, në rendin shoqëror dhe vetjak, në
përmirësimin moral dhe material; hiqni të gjitha këto dhe kultura moderne nuk
mbetet më ajo, por një skelet i zbehtë, një mozaik pa unitet, një send pa
kuptim” f. 73.
No comments:
Post a Comment