DHIMBJA QË KA EMRIN PETRIT RUKA
Nga Timo
Mërkuri
I-Odise
Kote në krijimtarinë letrare të krijon përshtyjen e një njeriu të “sertë”,
imazh që të krijohet kryesisht nga tonaliteti i “rëndë” i fjalës dhe vargut të
tij poetik, por duke qënë se poezitë e tij në tërësi shfaqin imazhin e monumenteve,
ku dominojnë ato prej guri, pa përjashtuar dhe ato prej bronxi apo të lara me
flori, mjafton të vendosësh veshin në
vargje , si te monumenti dhe do të ndjesh se pas metaforave, si pas brinjëve, rreh
një zemër e madhe, e dhimshur, të cilën ai më kot përpiqet ta fshehë.
Odise
Kote e krijon poezinë e tij me metafora, si tempujt antikë me kollona mermeri të
gdhëndur, jo si mure me gurë të
skalitur, por një poezi, vetëm një poezi
e ka ngritur pa metafora, por me drithërima dhe rrahje zemre. Vetëm një poezi
ai e ka gdhendur brenda zemrës me fjalë të thjeshta e të dhimshura, fjalë që i
shpreh vetëm një dashuri vëllazërore, një poezi që mund ta quajmë “ e vërteta
ulëritëse për Petrit Rukën”, ku thjeshtësia e saj tejkalon bukurinë, forcën dhe
vizionin poetik të dhjetra metaforave. Poezi të tilla si kjo me titullin e
thjeshtrë “Poeti” kushtuar Petrit Rukës, me vargje të qarta e të kristalta si
loti, drithëruese si vajtime nënash në mort i krijojnë vetëm poetët e mëdhenj.
Të shkruash për këtë poezi do të thotë të shkruash për vetë shpirtin kur dhemb,
për fjalën kur ulërin në heshtje, për dritën e diellit të dëshiruar në thellësi
të minierave, pas shembjeve.
II-“Poeti blen duhan rruge, të lirë, të hapur /dhe
pi cigarë të dredhur…” na jep Kote
imazhin në lëvizje të poetit Petrit Ruka, me fjalë të thjeshta që rrëshqasin në varg si uji i shiut nëpër xhamin e
dritares. Ne e ndjejmë se kjo lagështirë nuk është ndonjë shi (jemi në një
korrik të thatë sivjet, dhe do e dëshironim një shi) por një lagështirë në sytë
e poetit tek shkruan pas reve të dendura të kujtimit të mikut të tij. Këtë lagështirë
në sytë e Kotes do ta ndjejmë në gjithë poezinë, por ai dëshiron ta fshehë nga
lexuesi, do ti krijojë atij mendimin se gjoja këtë ja shkakton tymi i duhanit të
fortë të Petrit Rukës dhe se ja mjegullon pakëz shikimin. Përpjekje e kotë
gjithsesi: Petrit Ruka vërtet pinte duhan të dredhur, por gjithmon ishte i
kujdeshëm që tymi i duhanit të tij të mos bezdiste miqtëdhe shokët e pranishëm. Kot e ka Odisea që “dredhon”,
Petrit Rukën nuk e ka përballë, sado që do e dëshironte këtë, Petrit Rukën ai e
ka brenda tij, në zemër dhe në kujesë dhe ky tym duhani vjen nga brenda
shpirtit e zemrës së tij, i njom pakëz sytë dhe rrëshqet nëpër vargje, dhe
mqse me këto vargje ai e mbyll poezinë,
vargjet voziten si varka mbi liqen. Është i kripur shumë ky liqen lotësh ndaj në
brigjet e tij nuk kanë mbirë metafora.
Sikur
të mos mjaftonte kjo, Kote e vazhdon vargun me fjalët: ”e kollitet rëndë” fjalë që na godasin si grushta të fortë dhe na palosin mendimin si në një nokaut.
Ata që kanë pirë duhan e dinë se çfarë është ajo “kollë e rëndë”, por e dimë më mirë ne që kemi qënë e mbetem miq të
Petrit Rukës, ne që: (“me cabrioleta të
pastër/(nuk) Hyjnë në ministri,
dikastere e kuvend”).
III-“Poeti gjithë ditën pi veç një kafe të zezë” shkruan
Kote dhe mua mu shfaq imazhi i poezisë “Baladë pensionistësh” të Petrit
Rukës me vargjet: “Në lagjen
tjetër, një kafe e hidhur,/Kushton dhjetë lekë më pak” me atë mbylljen e
saj si një këmbanë morti: “Po Atdheu,
atdheu, ku është që s`e shoh,/Do jetë shkrehur në vaj”? Ky imazh varfërie i
Petrit Rukës më kujtoi përgjigjen e atij mini-strit francez të kulturës që, kur
e pyetën gazetarët e huaj se: pse e kishin lënë në varfëri të skajëshme poetin
e shquar (Alfred de Musse, nqse nuk gaboj) ai qetësisht u përgjegj: “Varfëria e
poetit është pasuria e Francës”. Sado
cinike që tingëllon kjo përgjigje e ministrit francez, në qasje me Petrit Rukën
është fatkeqësisht e saktë: varfëria e Petrit Rukës është vërtet pasuria e
Shqipërisë. Ajo varfëri e shkaktuar nga pesëmbëdhjet vjet papunësi, ai tension
për mbijetesë i dha impuls krijimtarisë së tij poetike falë të cilit krijoi ato
perla aq të dashura dhe të kërkuara nga
lexuesit. Unë do them se më shumë se sa poezitë perla, Petrit Ruka është
prurësi i baladave shqiptare nga mugëtira e shekujve, të cilat si kështjella të
të restauruara dhe pastruara nga myshku e pluhuri i kohërave, i vuri në rrugëkalimet
kyçe të letërsisë shqipe, në mbrojtje të identitetit të kombit. Për të
restauruar një pikturë apo mur bedene shteti paguan jo pak, po për të
restauruar një kështjellë arti gojor, sa do ti kushtonte vallë?
IV-“Poeti thur baladat, si në balada tretet”
rrënkon në vargje poeti Kote, dhe mua më përshkroi një mornicë si një rrymë
trefazore, pse mu kujtua se pikërisht shprehjen “tretem mbi baladë” ma pati thënë dikur vetë Petrit Ruka. Në një
bashkëbisedim telefonik me atë para se të shkruante baladën “Kostandini dhe Jurentina”, i thashë: Erdhi
koha të mirresh me Kostandinin dhe besën e tij, Petrit. Vetëm ti mund ta
risjellësh mes nesh këtë baladë, ndaj leri fare baladat e tjera. Të gjitha ato
bashkë nuk kanë peshën dhe vlerën e saj. –E di mu përgjegj ai, por po të them se kam
plot pesë vjet që po lodhem, stërlodhem e tretem
mbi atë baladë, por të “jap besën” se do ta përfundoj së shpejti. Kjo “së shpejti” ishte vërtet “shpejt”, pse ai
e publikoi baladën e tij brenda dy muajsh.
U
drodha kur e lexova këtë frazë te Odise Kote. Ku e dinte Odiseja këtë
thënie
të sivëllait Ruka, se unë askujt nuk ja kam thënë gjer më sot. Në fakt nuk
duhet të habitem shumë, miqësia mes poetëve krijon mes tyre diçka të ngjashme
me vëllezërit siamezë, me ndryshimin se mes tyre nuk trasmento-het gjaku, por
ndjenjat e mendimet. Kështu shpjegohet që Odise Kote në vargun e tij ka cituar
fjalën e Petrit Rukës. Sikur
të mos mjaftonte kjo, Odise Kote na sjell vargun: “si një shenjt po vdes pak e pak”. Në fakt ky varg nuk më tronditi
shumë sepse atë: “vd..s pak e pak” e
kisha ndjerë qysh te ajo “tretja” e
tij mbi baladë, por ajo që më hutoi ishte krahasimi ”si një shenjt”, prej nga mua mu shfaq imazhi i Shën Jeronimit,
ashtu i dobët nga të pangrënët, ose më saktë nga mospasja kohë për të ngrënë
sepse po përkthente Biblën. Dhe Petriti nxitonte të shkruante ndaj s’kishte kohë
as për të ngrënë, tretej mbi vargje, e largonte gjumin me vargje…
Unë
ju them se Petrit Ruka është vërtet një shenjtor i letërsisë shqipe, ai besonte
dhe ishte vënë në shërbim të Perëndisë Art dhe Odise Kote është i pari që e
shprehu këtë të vërtetë. Ne duhet vetëm ta besojmë Odisenë dhe ta lexojmë
Biblën poetike të Petrit Rukës.
Thamë
më sipër se: Për të restauruar
një pikturë apo mur bedene shteti paguan jo pak, po për të restauruar një
kështjellë arti gojor, sa do ti kushtonte shtetit vallë? Petrit Ruka jo vetëm që nuk u pagua për kështjellat -balada
që ripruri në kohën tonë, në ruajtje të gjuhës dhe identitetit kombëtar, por
edhe ato pak kursime që kishte i shpenzoi për shkrime e botime dhe kur erdhi
koha, ai : “për seanca me rreze kobalti
s’ka lekë”. Një ngulç të mblidhet në shpirt, gati për të shpërthyer në ulërimë,
por na ngec në fyt kur shohim se: “Miq të dikurshëm, që i vjedhin idetë,/
vargjet e tij recitojnë në parlament”. Dreq o punë kjo: po ku dinë deputetët të
lexojnë poezi? Po të dinin të lexonin, eh po të dinin të lexonin, së paku të
lexonin poezitë e Petrit Rukës, sa mirë do qe, sa punë të mira dhe të bukura do
bënin: s’do mërgonte rinia duke plakur vendin, s’do “qante atdheu” ditë e natë. Ja që deputetët, miq të dikurshëm të
poetit dinë vetëm “t’i vjedhin idetë’,
ato ide që shfaqin vizione për rrugët e së ardhmes, ata i përddorin për asfaltimin
e rrugëve të së shkuarës. Të vjen të shkosh para parlamentit kur hyjnë apo
dalin ata dhe tu ulërish para fytyrës, por çfarë do fitonte Petrit nga kjo? Ne
se ndihmuam dot kur pati nevojë, ndaj ndjehemi
fajtorë për ikjen e tij. Ndjehmei fajtor që nuk u bë ndonjeri nga ne
ministër apo drejtor dikasteri, të bënte një tender koruptiv, sa për ti paguar
poetit shepnzimet e seancave me rreze kobalti, sigurisht pa i treguar gjë atij,
të mirit, të ndershmit, të tepelentit të madh Petrit Ruka. Sepse nuk e ndihmuan
as ata: “Miq të dikurshëm, që e lanë të papunë,/ (që për vete) ngrejnë grataçiela dhe kulla binjake”.
V-“Poeti hyn në tekste librash,
mediume,vetmitar..” shkruan Kote. Sigurisht që Poeti do hyjë nëpër tekste
librash, ngarkuar me baladat e poezitë e tij, siç hynte në portën e shtëpisë
prindi ditën e rrogës ngarkuar me ushqimet e porsablera të familjes për muajin
dhe fëmijët vrapojnë e i mblidhen rreth për ëmbëlsirat e mundëshme që ka prurë.
Veçse
Petrit Rukës nuk i mblidhen rreth baladave vetëm fëmijët, por edhe pleqtë e
moshuar i dëgjojnë me ëndje dhe i japin uratën aty ku ka rënë në gjumin e
gjatë. Madje dhe Atdheu i dëgjon baladat e tij, përlotet dhe e shtrëngon lehtë
në gjoksin e tij me dashuri e ëmbëlsi nëne, e përkëdhel lehtë lehtë dhe përpiqet
ta mbajë sa më gjatë ashtu të bukur. Atdheu nuk e ka plagë në zemër Petrit
Rukën, Atdheu e ka këngë në zemër Poetin.
Vetëm
“Miq të dikurshëm, kanë gati fjalimet
/Për mëshirë një titull dhe një dekorate”, do mblidhen nëpër salla nëpër përvjetorët
e ikjes së tij, do flasin me pasion për
madhështinë e (pakuptueshme prej tyre) të tij, do citojnë vargje e libra të
poetit, do…, por unë nuk do jem aty. Unë nuk do jem në asnjë përvjetor të ikjes
së poetit sepse unë, diku, vetmitar, në përvjetorët e botimeve të poetit do
çfletoj librat e tij. Sigurisht që do vijë dhe Petrit Ruka e do flasim për
poezinë shqipe, të sotme e të djeshme,
do përmendim poetët e mëdhenj (si ai) të shpërfillur nga institucionet,
pavarësisht dashurisë, bukurisë, finesës dhe forcës metaforike të vargut të
tyre. Do këmbngul në bisedë për baladat që ai i ripruri në kohën tone, si një
flamur që shpalosej në sulmin mbi hordhitë që synonin kështjellat tona.
Sigurisht që do të flasism për poetin Odise Kote dhe monumentet e tij poetike, dhe si
rastësisht unë duke nxjerr ndezur celularin do ti them: Shih si shkruan Odise
Kote te poezia “Poeti” për ty.. Shih sa bukur të ka shpirtëruar në vargje!
Sarandë, më gusht 2023
POETI
- Petrit Rukës.
Poeti blen duhan
rruge, të lirë, të hapur,
dhe pi cigarë të
dredhur e kollitet rëndë.
Miq të dikurshëm, me
cabrioleta të pastër,
Hyjnë në ministri,
dikastere e kuvend.
Poeti gjithë ditën pi
veç një kafe të zezë,
për seanca me rreze
kobalti s’ka lekë.
Miq të dikurshëm, që
i vjedhin idetë,
vargjet e tij
recitojnë në parlament.
Poeti thur baladat,
si në balada tretet,
nuk ka kura speciale,
s’blen dot as ilaçe.
Miq të dikurshëm, që
e lanë të papunë,
ngrejnë grataçiela
dhe kulla binjake.
Poeti hyn në tekste
librash, mediume,
vetmitar, si një
shenjt po vdes pak e pak.
Miq të dikurshëm,
kanë gati fjalimet,
Për mëshirë një
titull dhe një dekoratë.
Poeti blen duhan
rruge, të lirë e të hapur,
dhe pi cigarë të
dredhur e kollitet rëndë.
Miq të dikurshëm, me cabrioleta
të pastër,
Hyjnë në ministri,
dikastere e kuvend.
6 korrik 2023
No comments:
Post a Comment