Xheladin
Mjeku
BIOLETRA E FATMIR TERZIUT
Përsiatje për librin
,,Dhoksologjia e atdheut ose ,,Diskursi kohor” i Fatmir Terziut”, nga Timo
Mërkuri
1. Abstrakt
Takimi me Fatmir Terziun, dhe në rastin
konkret edhe me Timo Mërkurin, që të dy emra të dëshmuar në letrat tona, ku për
aq kohë sa mbesim në shoqërim me krijimtarinë e tyre kemi ndiesinë e të
ndodhurit në një festë arti dhe kulture nga më të vlerësuarat. E them këtë për
shumë arsye, ndër të cilat do të veçoja përkushtimin e tyre të pasosur në
ndërtimin e opusit të veçantë krijues në akcilën nga zhanret që krijojnë, pa
mos e harruar asnjëherë edhe kontributin e madh në fushën e studimeve nga
letërsia, krijimtaria gojore dhe fenomene e sentenca të shumta gjuhësore,
teorike dhe kulturore, në përgjithësi.
Në librin ,,Dhoskologjia e atdheut ose
,,Diskursi kohor” i Fatmitr Terziut” Timo Mërkuri ka përfshirë pothuajse të
gjitha gjinitë letrare që krijon Fatmir Terziu, që e bëjnë më të dëshiruar këtë lloj monografie
letrare, ngase si vlerë e ka vendin meritor në dy relacione; edhe si dokumentim
i studimit të krijimtarisë letrare, edhe si ndërlidhje kohore e zhvillimit
kronologjik të krijimtarisë shkencore dhe veprimtarive tjera, si shënime
ngjarjesh kulturore-artistike, kritika, ese e studime autorësh dhe veprash të
shumta; trajtesa të shumta nga zhvillime të aktiviteteve kulturore, etj. që në
parim mund të kuptohet edhe jetë-rrugëtimi i tij nëpër ngjarje e kohë, si një
dëshmi biografike, e pasqyruar përmes motivacioneve të trajtuara dhe shtrirjeve
kohore, si dëshmi e patjetërsueshme e jetës së njeriut tonë në trojet etnike,
prej nga burojnë pothuajse të gjitha frymëzimet dhe provokimet e muzës, anipse krijuesi
prej dekadash jeton e vepron në mërgim.
2. Hyrje, apo kronologjia e trajtimit të
krijimtarisë së Fatmir Terziu
Një analizë sintezë për krijimtarinë
letrare, shkencore dhe veprimtaritë tjera të shumta të kësaj natyre me një përkushtim
të madh e ka bërë Timo Mërkuri, i cili në përgjithësi ka trajtuar vepra e
studime të shumta nga veprimtaria krijuese e Fatmir Terziut, që sipas një
kronologjie të përfshirjes në këtë libër do të konceptoheshin në atë poetike,
ku dominojnë trajtesa të poezive, për të cilat veç e veç ndanë mendimet e tij,
pastaj libra poetik, që e karakterizojnë opusin krijues të bollshëm prej mbi
njëmijë faqe poezi, të përmbledhura në më shumë se dhjetë tituj. Nuk do të
ishte e kompletuar një analizë gjithëpërfshirëse e krijimtarisë letrare pa mos
e prekur edhe prozën, që te Terziu e gjejmë edhe prozën e shkurtër tregimtare,
edhe atë romanore. Padyshim se ai
shquhet edhe si njohës i mirë i fushëveprimtarive të krijuesve individual, por
edhe të aktiviteteve grupore, që me një
maturi dhe përkujdesje të vazhdueshme do t’i ketë përfshirë në
fushëveprimtarinë e tij studiuese, duke u dhënë vend meritor, për vlerat,
arritjet estetike-letrare dhe për mesazhin që transmetojnë. Timo Mërkuri, del
të jetë shoqërues i kujdesshëm në çdo hap të krijimtarisë dhe aktiviteteve
tjera të Fatmir Terziut dhe për Fatmir Terziun, kudo që ndodhin ato. I vetëdijshëm se gjithë kjo veprimtari
krijuese dhe shkencore ka edhe vlerat dhe vlerësimet e saj, ai do të sjell
shkrime të shumta për këto aktivitete, që e potencojnë punën e vlefshme të
Terziut, duke qenë edhe vetë pjesëmarrës në ceremoni të organizuara për nder të
tij.
3. Poezia- kryetema e krijimtarisë letrare
Nuk janë pak dhjetë tituj me përmbledhje
poezish, që kapin mbi njëmijë faqe libri, ku Fatmir Terziu ka trajtuar tema e
motive nga më të ndryshmet, për të sjellur kështu një botë përplot ngjarje,
imazheve, figuracion, vlera estetiko-letrare, prej nga është vjelur ai
potencial krijues në periudha të ndryshme kohore dhe shtrirjeve gjeografike,
për ta përjetësuar përmes fjalëve dhe vargjeve më të zgjedhura me ngjyrime të
atdheut dhe njeriut të tij të dashur, të dhimbsur dhe të sakrificave.
Ndonëse në këtë libër radhitja e shkrimeve
nuk ka ndonjë sistemim, zgjodha formën kronologjike të trajtimit sipas gjinive,
që pastaj të kemi një pasqyrë sa më të kapshme të kësaj krijimtarie, që si
tërësi e përbëjnë bashkëdyzimin krijimtari letrare - jetë, për t’ia mundësuar
lexuesit ta kuptoj rrugëtimin e tij paralel me aktivitetet letrare dhe
veprimtaritë tjera jetësore. Lehtë mund të kuptohet se këtu poezia është vetë
kryetema e trajtuar nga Mërkuri, pa mos e anashkaluar edhe pjesën tjetër të krijimtarisë
së Fatmir Terziut.
Kryesisht, poezitë që analizohen në këtë libër
Mërkuri i gjen në portalin ,,Fjala e Lirë”, ku herë pas herë përzgjedh
ndonjërën që shquhet për veçoritë letrare dhe mesazhin që përçon, për ta
zbërthyer pastaj me kënaqësinë e interpretimit, me kujdesin sikur hap petalet e
luleve, për t’ua shijuar aromën e tyre.
Poeti është sikur bleta. Ngado që shkon,
miklon një lule, shpalos një petale dhe thithë pika nektari; merr frymë
hapësire dhe shkëlqim drite nga gjeografia e vendit për të krijuar pastaj një
buqetë të madhe ngjyrash prej vargjeve e motiveve të ndryshme, në kujtim të
ngjarjeve që percepton intuita e tij krijuese. Të tillë e gjejmë kurdoherë
Fatmir Terziun, vargu i të cilit frymon në çdo kohë dhe hapësirë, ngado që
eksploron ngjarje e tematika të reja.
,,Shpërthimi poetik i Fatmir Terziut” do të evoluoj vazhdimisht, e këto
,,fryte të reja” i kap me fiksionin prej analisti të përkushtuar Timo Mërkuri,
duke i zbërthyer me ,,dashamirësi” profesionale. Ai do të ndaloj në çdo
,,stacion” të ri poetik, kurdo që takon, për t’ia shijuar vlerat dhe për ta
personifikuar mesazhin që transmeton ajo poezi, pa mos e harruar edhe ngjyrën
poetike dhe tematikën që trajton. E filluar me ,,Të lexosh një poezi ….”, ku
bën një ,,Përsiatje mbi poezinë “Iso-ja e detit” e Fatmir Terziut”, Timo
Mërkuri prek ndjeshmërinë e vargut me aromë joni që do ta ketë provokuar unin
poetik të Fatrmir Terziut, ku shpreh mendimin e tij: ,,Të lexosh e të jetosh te
këto vargje një deklaratë dashurie dhe të mendosh se kjo pëshpërimë e shpirtit,
që poeti e dëgjon në Londër është zhaurima e valëve të Jonit, më e pakta që
mund të bësh është të admirosh këtë dashuri të madhe tejkontinentale.”. Fuqia e
këtij vargu shtrinë perimetrin e rrezatimit deri në atdheun e largët, duke
kaluar edhe kontinente. Ndërlidhje të përhershme me atdheun takojmë pothuajse në
të gjitha poezitë që janë trajtuar nga
Timoja, sepse poeti në vazhdimësi ruan lidhjet e tij me vendlindjen, me gjakun
dhe ushqen dashurinë e përjetshme për truallin e tij stërgjyshor. Të tilla janë
edhe poezitë tjera, si ,,Jelimo Kaone”, ,,Pa titull”, etj.
Një shkrim mjaft interesant dhe të
studiuar mirë, të paisur me një faktologji bindëse është ,,Dhoksologjia e
Atdheut ose “Pedalimi kohor” i Fatmir Terziut”, sipas të cilit merr titullin
edhe libri, sepse vetë Dhoksologjia është lutje hyjnore, poaq sa e sheh edhe
poezinë e Fatmir Terziut studiuesi Mërkuri. ,,Nuk e di në se Fatmir Terziu
ishte apo jo i ndërgjegjshëm për gjetjen e stilit të këtij shkrimi dhe qasjen
me hymnet kishtare, por në fakt ai është i pari që krijon një poezi
(pavarësisht se në prozë) të denjë për tu kënduar si Hymn, Lavd apo Psalm
kishtar për Atdheun. Të shkruash një Hymn për Atdheun dhe sidomos një Hymn që
ti qaset tekstit (të mundshëm) për një dhoksologji kishtare, duhet ta duash
Atdheun në gjithë qënien tënde, ashtu si Apostujt deshën Zotin, birin dhe
shpirtin e shenjtë. Kush i ka ndjekur në vijimësi shkrimet e Fatmir Terziut e
ndjen se ky shkrim nuk është një rastësi, pavarësisht në se ai është i
ndërgje-gjshëm për vlerën e krijimit të tij.” Supozimin rreth kësaj teme e shpjegon saktë ky citim nga po i njëjti
vështrim. Në poezinë e Fatmir Terziut studiuesi gjen edhe ,,Ngjitje në poezinë
moderne”, si në poezinë ,,Viktima numër një”, pastaj ,,Pandofla ime”,
,,Bulkthi”, ,,Dashuria”, ,,Milingonat”,
"Për rënien në mëkatin e pikturës", “Thjeshtësia e një
kishe”, etj.
Gjithësesi duhet veçuar edhe shkrimi
,,Moderniteti i një melodie pagane”, ku, siç shpreh mendimin e tij analisti:
,,Është interesante poezia "Pagane" e poetit Fatmir Terziu pse përtej
dukjes, ka tipare dhe karakteristika të ndryshme që e bëjnë të vështirë të
klasifikohet në një kategori të vetme, këtë e themi se ajo përmban elemente të
poezisë filozofike, psikologjike, mistike dhe realiste.”
E tillë është poezia e Fatmir Terziut.
Ajo të pehatë shtigjeve të jetës dhe të frymëzon për jetën, duke i dhënë
koloritin e atdheut dhe dashurinë për njeriun e tij të dashur, elemente të
cilat i takojmë jo vetëm në poezitë e trajtuara këtu, po në përgjithësi, në
opusin e tij krijues poetik.
Edhe në vështrimet letrare për dy librat
me poezi “Dashuri Jugu” dhe “At…një ëndërr e gjatë”, kemi një analizë
transparente, ku me pedantërinë e tij, prej vrojtuesi të spikatur, Timo Mërkuri
do të pasqyroj gamën e gjërë të shtrirjes poetike të Terziut në sfera e labirinthe
të shumta, ku nuk i ikën as edhe imtësirat mbresëlënëse, apo provokimet e
çastit të ngjarjeve a pamjeve të ndryshme ku rastisë të ndodhet për ndonjë
çast. Sidomos, në vështrimin për librin “At…një ëndërr e gjatë”, që e përbëjnë
poezi të shkruara kronologjikisht ,,si një ditar mbi situatën e rrënduar
shëndetësore të të atit, ecurinë e sëmundjes, dhimbjen e birit, mendimet e
meditimet e tij, dhe së fundi…ikjen e atit”, nuk mund ta kuptojmë veç një
përfaqësim i këtyre elementeve, por aty gjemë një shtjellim shumë më të thellë të ngjarjeve e temave të asaj
natyre, ku për temë kryesore kanë dhimbjen dhe krenarinë për babain e tij.
Ndërkaq, për krijimtarinë në prozë,
autori do të ndaloj veç te romani ,,Kojrilat”, si
kryeproza
e tij, ku shquhet për shtrirjen tematike që trajton dhe rëndësinë historike të
prekur këtu. Fatmir Terziu ka një vistër romanesh e libra me tregime, ku
trajton tema e ngjarje mjaft interesante dhe të vlefshme për lexuesin, meqë ua
rikthen kujtesën në të kaluarën, me njohuritë e shumta interesante nga
historia, dhe për vetitë dhe karakteristikat e asa kohe, ku njeriu paraqitet i
portretizuar me vrazhdësinë e kohës që jetoi, me vuajtjet, përballjen me të
keqen, por edhe me krenarinë dhe besimin
për një jetë ndryshe, për një ardhmëri të lumtur të brezave të rinj.
4. Kurorëzimi i vlerave provokon muzën
Bioletra e Fatmir Terziut, si një
biografi jetësore-krijuese shtrinë krahët në të gjitha pikat e burimeve letrare
që ia ofron lexuesit, duke shpalosur në një, apo mënyrën tjetër, vlerat,
synimet dhe mesazhet që sjell fjala dhe mendimi i tij prej krijuesi
shumëdimensional. Derisa kaluam nëpër trajtesat dhe eset për poezinë dhe librat
poetik, për të ardhur edhe te proza e tij, që këtu vjen si refleksion i një
krijimtarie të bujshme, ku temat dhe ngjarjet kanë rëndësi të veçantë, falë
shtrirjes së gjërë gjeografiko-tematike të ngjarjeve, nuk mungojnë edhe shkrime
e trajtesa për veçanti krijuese, si për “Artin Jonian” dhe për librin “Joni
Poetik 2”, ku është vlerësuar lartë aktiviteti i krijuesve jonian nëpër vite.
Fatmir Terziu çdoherë ka treguar interesim të jap kontributin e tij në
aktivitete e manifestime nga kultura, letërsia, etj. Atë e takojmë edhe në
manifestimin poetik “Trirema Joniane”, me fjalën e tij përshëndetëse, që këtij
manifestimi ia shton vlerën dhe shpërfaq rëndësinë e aktivitetit letrar që
vazhdon të funksionoj për dekada, ku mbledh krijues nga vende të ndryshme të
botës, që në një mënyrë mund të konsiderohet si urë lidhëse e kulturave dhe
krijuesve të shumtë me Shqipërinë dhe krijuesit e saj.
Timo Mërkuri nuk e fsheh gëzimin për këto
arritje të Fatmir Terziut. Ai këtë gëzim e shpreh vazhdimisht, e veçanërisht në
ditën kur Presidenti i Republikës i dorëzoi dekoratën e lartë ,,Mjeshtër i
Madh”, për kontributin e tij me veprat dhe vlerat e arritura në shkencë e
krijimtari. ,,Unë duartrokita i pari” e titullon shkrimin e tij, si një
shprehje gëzimi, që ia dedikon atij në vend të një urimi. Nuk gjen fjalët më të
përsosura ta shpreh urimin e përzemërt atë ditë kur po mbahej ceremonia e
zyrtare e dekorimit. Megjithatë shprehet me një fjali që instinktivisht do t’i
buron nga shpirti: ,,Krijimtaria e tij në fushat e fjalës është sa e gjërë aq
dhe cilësore, sa e thellë aq dhe vizionare. Jo vetëm kaqë, kontributi i tij
është pjesë e pandarë e arritjeve të një gjenerate të tërë krijuesish të cilët
kanë bashkëpunuar dhe bashkëpunojnë me Fjalën e Lirë dhe Fatmir Terziun.
Prandaj e ndjejmë tonin gëzimin e këtij vlerësimi të Fatmir Terziut”, do ta
përkufizonte fjalën e tij përshëndetëse plot emocione. Sa e gjithanshme është
puna, aktivitetet, krijimtaria dhe vlerësimet për punën e tij mjafton ta kemi
veç këtë urim zemre nga Timo Mërkuri.
Produktiviteti i krijimtarisë së
përgjithshme të Fatmir Terziut për asnjë çast nuk ndalon. Shumëllojshmëria e
gjinive dhe zhanreve të kultivuara; pastaj aktivitete e studime të shumta, e
bëjnë të qëndrueshme dhe të pritshme në vazhdimësi, meqë kurorëzimi i gjithë
kësaj krijimtarie të deritashme, nuk ka si të mos e provokoj muzën e tij
krijuese edhe për shumë vepra të ndryshme në të gjitha fushat e veprimtarive letraro-shkencore,
dhe më gjerë.
Këto që thamë në këtë vështrim i sforcon
dukshëm ky libër me trajtesa, ese dhe analiza të shumta nga Timo Mërkuri dhe,
padyshim, na bëjnë kurreshtar prurjet e reja nga Fatmir Terziu.
14.08.2023
No comments:
Post a Comment