ODISE KOTE SHKRUAN NATËN NË RËRË
Nga Timo
Mërkuri
Poezia
"Shkrime nate në rërë" është nga ato poezi që shkruhen vetëm në breg
të detit, në një mbrëmje vere ku poeti përfshihet në një lloj vuajtjeje e
trishtim të ëmbël për një kujtim dashurie, pa qënë ndoshta i ndërgjegjshëm se
në këtë mënyrë nis dhe eksploron temën e humbjes (së një dashurie vere),
shpresës dhe kërkimit të identitetit në një kontekst ku koha, pritja dhe
ndryshimi janë elemente të rëndësishme. Poeti Kote e ka ndërtuar poezinë me një strukturë të qartë
dhe imazhe të ngjarjeve e emocioneve të përjetuara, që e bëjnë atë të bukur (
ka vallë dashuri që të mos jetë e bukur) dhe të ndjeshme për lexuesin, e pse jo
edhe aktuale: Vera është stina ku në plazhe dashuritë vijnë dhe ikin si valë
deti, duke lënë përkohësisht lagështinë e tyre mbi rërën e bregut dhe sytë e
adoloshentëve. Sigurisht që unë e ndjej se kjo poezi është shkruar një mbrëmje
vere në plazhet e qytetit tim, ndryshe ska si shpjegohet që më është kaq e
afërt.
Poezia
e Kotes ka sipër një tis mjegulle ku përthyhet drita e hënës në shtatë ngjyra ,
duke i dhënë çdo strofe një ngjyrë më vete, të cilat së bashku formojnë një
ylber, si një urë mbi të cilën kalon dhimbja dhe melankolia “duke vrapuar si një shpirt harabeli” për
të ardhur te e sotmja, por ndjejmë që nëpër ylberë vetëm ëndrrat mund vrapojnë
dhe ato humbasin diku, pa arritur në një destinacion real ku të mund t’i
takojmë. Është e rrezikëshme vera në plazh, shpesh na le të plagosur me ca
plumba shikimesh që na vijnë pa krisma, na godasin e na mbeten në shpirt e në
zemër dhe ska kirurgji a terapi të na shërojë. Më e shumta qetësohesh duke
shkruar si Odise Kote netëve në rërë ca
fjalë pranë një emri, që e mban të fshehur si thesar në shpirt bashkë me
dhimbjen që ai mbart.
Është
e rrezikëshme vera në plazh, jua them unë se të le me plagë në shpirt, por çuditërisht
këto plagë kanë një dhimbje të ëmbël, që duam ta kemi gjithmon e të mos na
fashitet kurrë.
Janë
të rrezikëshme mbrëmjet e verës në rërën e plazhit, pse çdo kokrrizë rëre që të
hyn mes gishtave të ndriçon në kujtime si një yll, që duket se diçka do të të
thotë me sinjale drite, por nga që janë shumë, nuk gjejnë dot rradhë të flasin
ndaj nga marazi gremisen nga shkrepat e reve e bien diku në det, ku shpirti i
tyre shndrohet në kandil deti. Unë ju kam thënë se dhe yjet hidhen nga shkrepat
qiellore, si dikur vajzat nga bedenat e kështjellave.
Odise
Kote e di që çdo gjë e shkruar në rërë fshihet nga vala herët a von, por
ai shkruan në rërë jo për të harruar,
por për faktin se kjo rërë nuk është si simotra e saj e shkretëtirave, që vdes
çdo gjë. Kjo rërë është vendi ku lindi dikur një dashuri, e cila për poetin
ishte një qytet i ri plot me ndërtesa ëndrash e parqe lumturie, të cilat ai i përjetëson
në vargje. Rëra në kontekstin poetik është pjesë e poezisë dhe jo poezia pjesë
e rërës. Jo vetëm kaq, çdo grimcë e kësaj rëre ka qënë e pranishme në dashuri
gjer aty sa mund të themi se ajo ka qënë pjesë e lojës së dashurisë duke patur
parasysh se kokrizat e saj ngjiten në trup gjatë lojës mbi atë.
Odise
Kote shkruan në rërë, ai nuk shkruan me rërë. Në këtë kontekst të shkruash në rërë
është si të mbjellësh pemë (kujtime) në rërë, pasi e di që poshtë shtresës
ranore ka gjithmon tokë ushqyese për pemët.
I-Poezia
“Shkrime nate në rërë” e poetit Kote është një poezi e ngrohtë, që ngjason me
një plagë që ke dëshirë ta fërkosh me mollëzat e gishtit lehtë lehtë, thua se
do ta shërosh. Është një poezi me një dukje të thjeshtë, të cilat vetëm penat e
sprovu- ara i krijojnë, ashtu si Pikaso që me një vijëzim lapsi mbi letër
krijonte kryeveprat pëllumbore të tij.
E
lexon dhe të duket se ecën në ranishte, paralel me vijën bregdetare ku valët
përpiqen të të afrohen dhe diçka të të thonë, por nisin e largohen kur të
shohin lagështirën e një kujtimi në sy, pse aty afër dikur ka qe silueta e një
Afërdite shtrirë mbi rërë, po: “erdhi
batica dhe fshiu gjithçka” duke lënë një lagështirë në rërë e në shpirt.
Është
vërtet një poezi e thjeshtë, ku ndjen se çdo varg të depërton në shpirt e të
trazon ndjenjat. Përkundër natyrës së Odise Kotes, te kjo poezi, metaforat
ngjajnë si gurë deti të lëmuar nga valët, që të tërheqin vëmëndjen me ngjyrat e
format e ndryshme të tyre, të bëjnë kureshtar, ndaj i merr në dorë për ti
soditur. Pranë tyre, imazhet si guacka që reflektojnë dritën e hënës me
sipërfaqen e tyre të brendëshme, të lëmuar deri në shkëlqim ku kupton se dhe
ato, dikur kanë patur një jetë të tyre.
Te
kjo poezi, strofat vijnë si valë deti mbi ranishte duke sjellur në çastet e
tyre vezullime drite në kënde të ndryshme shikimi. A janë vezullime dritë hëne,
a janë vezullime dritë ëndrrash, kjo është tjetër gjë, por e përbashkëta është
se ky vezullim drite valëzohet gjersa mbrin te rëra e bregut, ku ndriçmi
çuditërisht mer një ftohtësi ranore, sikur do të thotë se nuk i përket këtij
ambienti. Dhe: “Unë mbeta i vetëm, /duke
mbajtur të fshehur dhimbjen, /si një thesar të groposur”. Gjithsesi në
jetën tonë e krijuam një thesar, pa çka se të groposur në…kujtesë.
II-
Te kjo poezi rrezëllin metafora: "kërkimi
i provës së zjarrit" që përshkruan sfidën dhe përpjekjet e përhershme
të kërkimit të pafund, duke na vënë në lëvizje kohore fantazinë, "vrapi këmbëzbathur mbi driza" shpalos
imazhin e një rendje djaloshare për të kapërcyer pengesat në rrugëtimin për të
dashuria, thua se është në një lodër fëmijërie,"shpirtin harabel, / që nuk ngopej me frymë" flet për një
ndjenjë të thellë të përkushtimit dhe përpjekjeve të pashuara, duke e paraqitur
me bukurinë e një harabeli.
Përballë
tyre imazhet ndrijnë si:"flakë që
digjnin e shkrumbonin" duke na shfaqur një pasion të fuqishëm si një
ngjarje reale, duke shfaqur ndikimin e ndryshimit të gjithçkaje, imazhi i
fëmijës që "gjuante me llastika"
na shfaq një situatë të përpjekjeve si dhe kërkesën për të kapërcyer kufijtë e
një moshe.
Plot
dritësim janë dhe simbolet si: "hëna
që ndoshta e ruan në memorie" apo për "poça elektriku", por sot unë dua të tregoj diçka tjetër. Du
tju them se poeti Kote përdor suksesëshëm atë që mund ta quajmë: Rrëfimi i
Ngjarjeve, ku përdorimi i ndodhive specifike dhe pamjeve përshkruan ngjarjet
dhe emocionet në mënyrë të thellë dhe të qartë, duke e bërë poezinë më
përfundimtare dhe të imagjinueshme. Kjo është jo vetëm e veçanta e kësaj
poezie, por edhe e poezisë shqipe në tërësi. Shumë veprime çfaqen në vargjet e
poezisë, shumë të tjera nënkuptohen midis vargjeve, disa prej tyre janë të së
tashmes, disa i përkasin të shkuarës dhe të tjerat do ndodhin në të ardhmen,
por që çuditërisht qëndrojnë natyrshëm në një poezi. Është njësoj sikur një
njeri i djeshëm dhe një tjetër i nesërm të gjënden në një shtëpi me njeriun e
sotëm dhe çuditërisht, bashkëbisedimi mes tyre të jetë në harmoni të plotë.
Duke
e parë në këtë kontekst arrijmë në përfundimin se poezia "Shkrime natë në
rërë" është një kundërshtim emocional ndaj ndjesive të vetmisë, të
braktisjes, të izolimit, kërkimit të identitetit të humbur dhe ndjenjave të
humbjes. Përmes këtij rrëfimi të ngjarjeve, autori përshkruan një udhëtim të
brendshëm të ndjenjave dhe paralelisht shpalos ndjenjat dhe mendimet e tij në
mënyrë të thellë dhe emocionale, duke na shfaqur një vizion të bukur për jetën.
Dhe ai trishtim që duket në vargje është në fakt një tis i hollë mjegulle që
vjen nga mbrëmja e djeshme dhe len mbi vargje një vesë, që shkrin në dritën e
agimit.
Unë
ju them se poezia “Shkrime nate në rërë …” e Odise Kotes është një mozaik ndodhish
të bukura, të ndodhura në realitet apo imagjinatë, të shfaqura plot dritësim ëndërre,
që ja përcjellin lexuesit natyrshëm, përzier me dritënm e hënës në plazh.
III-Më
dëgjoni pak, te kjo poezi shfaqen veçori psikologjike dhe filozofike që
ndikojnë në interpretimin dhe ndjenjat që i transmeton lexuesit. Ajo shpalos
thelbin e ndjenjave dhe kohës nëpërmjet vargjeve dhe imazheve të ngjarjeve të
thella. Pavarësisht ëmbëlsisë së saj, tiparet psikologjike dhe filozofike janë
të dukëshme dhe të ndjeshme, si gurët nën rërë që i ndjen kur ecën shpenguar.
Në veçoritë Psikologjike mund të dallojmë:
Njëndjeshmëri
dhe Ndjenja e Vonesës: Poezia shpreh ndjenjën e vonesës dhe kohëzgja-tjes,
ndodhur përmes përshkrimeve të kërkimit të pafund dhe ndjekjes së një premtimi
që nuk vjen: “Në një pjesë të shkrimeve
nuk ishte as ti, /por një premtim se një ditë do të vije”. Ky element
shkakton ndjenja të pakënaqësisë dhe zhgënjimit, që mund të lidhen me ndjenjat
e njerëzve përballë pritjes së gjatë dhe pasigurisë.
Ndjenja
e Humbjes dhe Vetmisë: Poezia përshkruan ndjenjën e humbjes së premtimit dhe
ndarjes nga diçka e rëndësishme, si dhe vetminë e përkohëshme që vjen si pasojë
e saj: “Unë mbeta i vetëm, /duke mbajtur
të fshehur dhimbjen, /si një thesar të groposur…”. Është e çuditëshme, kjo
vetmi, braktisje apo çfarëdo që është, nuk është dëshpëruese, ajo më shumë se
plagë që dhemb është një kujtim që ëmbëlson. Të gjitha dashuritë e humbura lënë
pas lulishte kujtimesh të çasteve të tyre.
Veçoritë
Filozofike:
Koha
dhe Ndryshimi: Poezia shpreh një ndjenjë të kohës së përjetshme dhe ndryshimit
të përhershëm. Kjo temë filozofike theksohet përmes imazheve të kërkimit të
pafund dhe përpjekjeve për të kapërcyer vështirësitë dhe kufijtë.
Identiteti
dhe Kuptimi i Jetës: Autori flet për përpjekjen për të kuptuar jetën dhe
identitetin e vet, si dhe për t'u lidhur me kuptimin e gjërave. Kjo ndihmon lexuesin
të reflektojë mbi pyetje filozofike mbi qëllimin dhe rrugën e jetës. Autori
Kote sjell në këtë mënyrë të gjallë përjetimet e një adoloshence të zjarrtë e
të vrullëshme dhe të pafajëshme në çiltërsinë e saj.
Disa
Vargje që shprehin këto tipare dhe cilësi:
"Ato nisnin të gjitha me kërkimin / e provës
së zjarrit, / tek vrapi këmbëzbathur mbi driza / dhe gjuhët e flakës që digjnin
e shkrumbonin." ku poeti shpreh
kërkimin e pafund për provën e zjarrit, ku termi "prova e zjarrit"
është një ndërthurrje metaforike që shërben si mënyrë për të paraqitur sfidat,
sakrificat dhe përpjekjet që subjekti poetik ka përjetuar, ndërsa imazhi i
"flakës që digjnin e shkrumbonin"
tregon një ndjenjë të ndryshimit dhe përpjekjeve për të kuptuar përvojën, ku
zjarri është një simbol i energjisë, pasionit dhe intensitetit të jetës
ndërsa shkrumbimi është një imazh i
shkatërrimit dhe ndryshimit që mund të shoqërojë përpjekjet e fuqishme dhe
përbaljet me sfidat. Kjo mund të tregojë për jetën e vështirë dhe shkatërruese
që subjekti poetik ka përjetuar në përpjekjen për të arritur një qëllim të
caktuar.
"Donin fëmijën
harakat që gjuante me llastika, / gjithë bestytnitë e fisit e gjinisë, / varur
nëpër pemë, / si poça elektriku."
Këto
imazhe poetike shfaqin pasigurinë, papjekurinë dhe përpjekjet e paefektë-shme
të një periudhe të hershme në jetën e subjektit poetik. Fëmija që "gjuan me llastika" tregon për një
ndjenjë të papjekurisë dhe të paaftësisë për të përballuar sfidat, ndërsa
"varja nëpër pemë" paraqe
ndjenjën e trashëgimisë pagane të fisit, bir i të cilit është.
"Vrapoje sikur diku doje të mbërrije, / me
shpirtin harabel, / që nuk ngopej me frymë." është varg që shpreh
ndjenjën e përgjatë dhe të pafund të kërkimit, si dhe ndjenjën e një shpirti të
pashuar dhe të ndezur për të arritur ndërsa vargjet: "Hëna që ndoshta e ruan në memorie, / kapërceu oqeanin, / iku në një
tjetër kontinent." tregon ndryshimin dhe ndarjen nga një realitet i
njohur (adoloshenca), dhe simbolizon lëvizjen nga një vend në tjetrin (pjekurinë
e njeriut).
Mos
u habisni: dashuria, sidomos një dashuri e humbur (plazhi në verë) plazhi në
verë, veçse poet, të bën edhe filozof e psikolog. Pyeteni Odise Koten pasi ta
lexoni këtë poezi të tij.
Sarandë, më 20 gusht 2023
Odise Kote
Shkrime nate në rërë …
Ato nisnin të gjitha me
kërkimin
e provës së zjarrit,
tek vrapi këmbëzbathur
mbi driza
dhe gjuhët e flakës që digjnin
e shkrumbonin.
Donin fëmijën harakat që
gjuante me llastika,
gjithë bestytnitë e
fisit e gjinisë,
varur nëpër pemë,
si poça elektriku.
Vrapoje sikur diku doje
të mbërrije,
me shpirtin harabel,
që nuk ngopej me frymë.
Në një pjesë të
shkrimeve nuk ishte as ti,
por një premtim se një
ditë do të vije.
Kështu deri në ag,
kur erdhi batica dhe
fshiu gjithçka,
pa lënë asnjë kopje të
vetme.
Hëna që ndoshta e ruan
në memorie,
kapërceu oqeanin,
iku në një tjetër
kontinet.
Unë mbeta i vetëm,
duke mbajtur të fshehur
dhimbjen,
si një thesar të
groposur…
No comments:
Post a Comment