Timo
Mërkuri
M E A C U L P A
E AGIM MATOS
I-Shumë
është folur e shkruar për poezinë “Mea Culpa” të poetit Agim Mato, shumë herë është
ribotuar në organe të ndryshme, por për rëndësinë e krijimit të saj nuk është
shprehur askush, pasi realisht askush nuk e dinte që ajo është poezia - simbol
e ringritjes së poetit nga heshtja e gjatë tridhjetëvjeçare. Ne lexojmë poezitë
e Agim Matos, mrekullohemi nga era e ngrohtë e “Jug”-ës dhe drita e saj, por pak kujtohemi që
kjo është drita dhe vala ngrohëse e zjarrit të shpirtit të tij, për të cilat ai
dogji si dru vitet më të bukura të jetës. Aroma e poezive të tij është e ëmbël
dhe ndjellëse, të cilën nuk e vyshku dot ftohtësia siberiane e soc-realizmit,
pavarësisht se ai ka gjalluar në Hadin e kohës, ku Zeusi nuk lejonte as diellin
të dërgonte ndonjë rreze për të ngrohur ëndrrat për një shpresë jete të lirë.
Agim
Mato në jetën e tij nuk bëri asnjë faj, faji i vetëm që ju rregjistrua për të
mbajtur kryqin mbi shpinë ishte atësia e tij, një arsimtar, i cili ndërsa
pregatitej të dilte në pension në fundvitet ’40, befas gdhihet me pranga në duar dhe cilësimin “armik i popullit” për arsyen e vetme pse
dijet e tij ishin më të thella dhe më të gjera se ato të komisarëve që zbritën
nga mali.
Agim
Mato u dënua pse ishte biri i Atit, faji i të cilit ishte cilësuar në ligjet e
kohës, ashtu si Jezu Krishti që u dënua si biri i Atit, dënim që ishte shkruar
në disa libra të shenjtë të mëhershëm. Krishti u dënua dhe u kryqëzua lart, në kodrën e Golgothasë, Mato u dënua të jetonte poshtë, në
Hadin e kohës në natën eklipsore të luftës së klasave. Mato nuk ishte mëkatar,
ai ishte një poet, madje ai ishte një poet të cilit as në monizëm nuk ju
kritikua asnjë libër, asnjë poezi, asnjë varg dhe kjo, jo pse kishte shkruar
poezi të tipit soc-realizmit (nja dy të tilla i përfshiu në librin e tij të parë,
si “takse” botimi), por për arsyen se poezitë e tij kishin kaq shumë dritë jete
sa që i dritësonte dhe censorët vëngëroshë të kohës.
Megjithatë
edhe dielli eklipsohet e jo më një poet i brishtë si Agim Mato. Eklipsi për atë
nis me tërheqjen nga qarkullimi të vëllimit të dytë poetik:“Në pragun e shtëpive
tona”(1974) dhe formatohet si ferman me ndalimin
dhe dërgimin për tu kthyer në karton vëllimi poetik “Buka e fjalëve” (1986).
Qysh nga kjo datë e gjer më 2 gusht 2009 (kur si pasojë e një takimi me Fatmir
Terziun, që i mori një cikël poezish dhe
ja publikoi te portali fjalaelirë), Agim Mato nuk publikoi asnjë poezi. Thamë
“nuk publikoi”, pse fakti i heqjes të së drejtës së botimit ishte mohimi i të
drejtës për të botuar, por jo për të menduar e jetuar me poezinë. Pas viteve ’90 kishte mundësi botimi, por në
atë kohë ai u gjend nën eklipsin e papunësisë, kur bashkë me gruan mbetën pa asnjë punë, pa asnjë
mjet jetese ndërsa kishin dhe tre fëmijë të vegjël për të ritur. Në këtë kohë u
përpoq të siguronte mjetet e jetesës, duke
nisur punën me një fotokopje dhe arriti të ngrinte një Shtëpi Botuese
(Milosao), duke i krijuar vetes komoditetin e krijimit të poezive që njohim
sot, aq origjinale dhe të arira artistikisht, të cilat rikthyen vëmëndjen e botës
letrare te emri i tij. Një nga këto krijime është dhe poezia “Mea Culpa” e
krijuar në vitin 2011 dhe botuar te vëllimi “Jashtë Ekslipsit”(2012), madje ky
libër nis me këtë poezi të botuar në f.3. si një symbol që u printe krijimeve
jashtë eklipsit si kohë dhe si krijime poetike.
Poeti
doli jashtë errësirës së eklipsit, por ai gjykon se duhet që ti kërkojë ndjesë
poezisë (dhe lexuesve) për atë heshtje të gjatë: “pas tridhjetë vjetësh”, ndaj saj. Vetëm pasi të mirrte
“faljen” e poezisë ai do të niste rrugën përsëri si një besimtar i lehtësuar drejt
tempullit të Zotit për ti blatuar shpirtin e tij. Rrugëtimi për te poezia,
faltoria e vetme që poetët nuk e braktisin kurrë është brenda shpirtit të tyre,
si një minierë dhe jo i shënuar në harta me sinjalisti-kën rrugore. Ai e
kujtonte “si sot” ditën që e (detyruan të) braktisi poezinë sepse : “Kujtesa është
një e tashme që nuk mbaron kurrë” (Oktavio Paz), ndaj si besimtarët që shkonin
në rrënojat e kishave dhe ndiznin qirinj, luteshin e kërkonin falje për mëkatet
që (nuk i kishin kryer ata), kështu dhe poeti zbriti në tempullin e tij duke bëlbëzuar
shpirtërisht “Mea Culpa” në vitin 2011, lutje të cilën ne e dëgjuam në vitin
2012 te vëllimi “Jashtë Ekslipsit”. Të pamësuar me ndjesa të tilla që dilnin
nga shpirti, të ndërgjegjshëm për pafajësinë e tij, ne më shumë na tronditi
pesha e fjalës së saj, thënë me një tonalitet shpirtëror, reflektimi ndaj të
cilës kërkoi një kohë të gjatë. Nuk është e lehtë të harrohet një ndjesë e
sinqertë për një faj të pakryer, ne nuk e kemi kuptuar lehtë kryqëzimin e
Krishtit për mëkatet e njerëzve, pranimin prej tij i dënimit dhe faljen e atyre
që e dënuan. Jam i bindur që shumë veta nuk e kanë kuptuar këtë poezi të Agim
Matos pse nuk e kanë njohur as Agimin dhe as shpirtin e tij.
II-
Poezia"Mea Culpa" e
Matos shfaq një reflektim të thellë dhe
introspektivë në lidhje me rrugëtimin e
tij në krijimtarinë poetike. Fjala latine "Mea Culpa" do të thotë
literalisht "fajin është imi" ose "unë kam faj" në kuptimin
“unë kam mëkatuar”, shprehje që përdoret për të pohuar një faj apo përgjegjësi
për një gabim ose veprim të gabuar që personi ka kryer. Kjo shprehje përdoret
në gjuhën e përditshme, por është shumë e njohur dhe e përdorur në kontekstin e
fesë katolike, veçanërisht gjatë ritualeve të pendimit apo të rrëfimit. Kjo
shprehje përdoret dhe në fusha tjera, siç janë politika, media etj. për të pohuar
fajin ose përgjegjësinë, edhe pse ky
përdorim mund të jetë më figurativ dhe jo aq zyrtar sa në kontekstin e fesë.
Në
këtë poezi, autori ka përdorur shprehjen "Mea Culpa" por kjo nuk
duhet të kuptohet si ndjesë e pranimit të
një faji konkret të kryer nga poeti, kjo
duhet të lexohet si një shprehje metaforike ndjese e poetit në dy
aspekte, ku : së pari është një ndjesë e poetit për braktisjen e poezisë për një
periudhë kohe të gjatë tridhjetë vjeçare, braktisje që solli efekte në
krijimtarinë e tij dhe botën poetike shqiptare të cilës i mungoi kjo krijimtari
dhe së dyti: kjo ndjesë poezisë i bëhet dhe në adresim të veprimit të bashkëkohësve
të tij shtetarë, të cilët ja mohuan të drejtën e botimit pse “aq dinin”. A ju
kujtohet fjala e Krishtit në kryq: “Fali o Atë se s’dinë se ç’bëjnë”, shihni
qasjen me kuptimin e ndjesës “Mea Culpa” të Matos dhe do ta kuptoni më mirë poezinë e tij. Unë nuk e di se çfarë
lexoni ju te kjo “ndjesë” e poetit, por unë për veten time shoh e ndjej të fryjë
një erë paqeje e faljeje, jo thirrje për hakmarrje në emër të vuajtjeve që ai
(dhe ata) pësoi në jetën e tij dhe ca më pak ndonjë tip thirrjeje për
“dëmshpërblim” apo prani të dikujt për ta ndihmuar. “Ai që ditët e vështira i
kaloi vetëm, nuk e ndjen më mungesën e askujt” (Charlës Bukovski).
Hamendësimi
se poeti e ka përdorur shprehjen “Mea Culpa” në një kontekst: “Kam faj unë që
jetoj në kohën”, e cila rëndom përdoret në kuptimin: “Kam faj unë që merrem me
ty” mendoj se nuk qëndron për dy arsye: e para se kjo shprehje ka një tis
ironie në brendinë e saj dhe mgjse Mato ishte tip që bënte humor dhe fliste me
shprehje ironie, në poezi ai ishte tejet serioz . Së dyti, në këtë kuptim, kjo
shprehje shndrohet në një llojë sfide publike, të cilën ai nuk do ta përdorte në
asnjë rast për arsye se: Agim Mato nuk ishte tip luftarak, tip debatues e kundërshtues
në shoqëri, ai ose tërhiqej ose e bluante brenda vetes padrejtësinë. Kjo
ndoshta ju imponua atij nga qënia si “bir armiku”dhe nuk zbutej nga fakti se kur
ju arrestua i ati, ai ishte vetëm një fëmijë
tre vjeç që nuk kuptonte asgjë nga bota ku erdhi, e jo më të kuptonte nga lufta
e klasave. Pavarësisht kësaj ai nuk i shpëtoi dot peshës së kryqit dhe nuk e
sfidoi atë. Ndaj ju them se kjo ndjesë është tepër e sinqertë dhe i adresohet
poezisë, ashtu si besimtarët ja adresojne ndjesën e tyre Zotit.
Dihet
se: në kohën e diktaturës, fjala artistike në veçanti dhe krijimtaria artistike
në përgjithësi ishin të kontrolluara dhe për disa krijues ishin të ndaluar, dhe
shkelja e këtij rregulli sillte
pasoja për krijuesit dhe familjet e tyre,
kështu që për të mbrojtur veten dhe familjen nga ndonjë formë e represionit,
shumë krijues vendosën të braktisin publikimin e veprës së tyre. Rasti i Agim
Matos vlen për ti përfaqsuar gjithë artistët e fjalës së shkruar.
III-
Poezia "Mea Culpa" e
Agim Matos nuk është një shprehje e drejtpërdrejtë e kundërshtimit ndaj
diktaturës moniste apo akuzë e drejtpërdrejtë ndaj dhunës që u ushtrua ndaj
poetëve dhe inteligjencës në atë periudhë, megjithëse ajo përmban elemente që mund të interpretohen
në këtë mënyrë.
Kështu:
Përmbajtja dhe ndjenjat e shprehura në poezi, sidomos nëpërmjet metaforave dhe
simboleve, mund të interpretohen simbolikisht si një mënyrë subtile për të shfaqur ndikimin e kufizimeve
politike dhe presionit mbi lirinë e shprehjes së intelektualëve dhe poetëve në
atë kohë.
Poezia
mund të shihet si një lloj dëshmie shpirtërore, një reflektim mbi vuajtjet dhe
vështirësitë që Mato përjetoi në kohën e diktaturës, edhe pse nuk është një
deklaratë e drejtpërdrejtë kundër regjimit. Krijimi i tij është formë e shprehjes së asaj që shpirti i autorit
përjetoi dhe perceptohet si një mënyrë për të hedhur dritë mbi periudhën e vështirë dhe kufizimet që kanë ndikuar
në krijuesit e asaj kohe.
Kjo
poezi mund të shihet si një një modalitet i shprehjes artistike që shfaq vuajtjet dhe përvojat e krijuesve që
jetuan nën censurën moniste. Autori
përdor një varg të sinqertë e simbolik për të shprehur këtë dëshmi shpirtërore, pa iu referuar
drejtpërdrejtë strukturës së pushtetit monist apo ngjarjeve konkrete politike.
“Si kishin rrojtur kaq gjatë në këtë harrim të pashpirt”? rrënkon
shpirtërisht poeti dhe nuk shkon më tejë.
Përdorimi
i metaforave, imazheve, dhe simboleve në poezi shërbejnë si një mënyrë për të paraqitur të vërtetën emocionale dhe
psikologjike të asaj kohe në mënyrë artistike. Këto elemente e bëjnë poezinë
një formë të denoncimit të fshehtë të kufizimeve dhe dhunës së përjetuar nga
poeti, duke e bërë atë një dëshmi të fuqishme për periudhën nën diktaturën
moniste.
Edhe
pse nuk është një deklaratë e drejtpërdrejtë e denoncimit të regjimit, poezia shërben
si një mënyrë për të dëshmuar ndjenjat dhe perceptimet e asaj kohe, duke e bërë
atë një formë të shprehjes së vërtetësisë dhe gjendjes së shpirtit të autorit
dhe, në një masë më të gjerë, të atyre që përjetuan kohën e diktaturës. Është
një shprehje artistike e vështirësive dhe shpresave të humbura nën dhunën
moniste, e përvojave që intelektualët dhe poetët përjetuan në atë kontekst
historik dhe shoqëror. ..”ku prej kohësh përgatitesha
për/salltanetin e madh të vdekjes”.
IV-Poezia
"Mea Culpa" është e njohur si një krijim modern i Agim Matos, pasi ai
e nisi krijimtarinë poetike në monizëm si një poet modern. Ndërprerja e botimit
nuk ndikoi te tipari modern i poezisë së tij, dhe kjo duket te kjo poezi metaforike që
reflekton një stil modern të
shprehjes së ndjenjave personale në një mënyrë të thellë simbolike, ku: përdorimi
i metaforave, simboleve dhe imazheve shërben për të shfaqur artistikisht
thellësinë në pasqyrimin e botës së brendëshme dhe përvojave të poetit, duke u bërë
simboli i ringritjes së tij pas “rrëzimit” nga goditja e monizmit.
Poezia
fillon me një reflektim të thellë të poetit mbi rrugën e tij në botën e
poezisë, ku përdor imazhe për të
shprehur ndjenjat e tij në kujtimet
për artin e “fshehur, në çaste të zemërimit
me perënditë” : "Kur zbrita sërish
pas tridhjetë vjetësh në minierën/e braktisur të poezisë/e po çapitesha në
galeritë e lëna përgjysmë, /duke kërkuar arin e fshehur nëpër guva,/veglat e
mia të punës/të shpërndara pa kujdes në çaste zemërimi/me perënditë,"
Poeti
ishte në kundërshtim me normat e shoqërisë dhe institucionet moniste, gjë që pruri heqjen e të drejtës së botimit, e
cila për atë ishte një e njejtë me vdekjen(shpirtërore): "ku prej kohësh përgatitesha për/salltanetin
e madh të vdekjes."
Përmes
imazheve të errëta, poeti shpreh ankthin dhe vetëreflektimin e tij, duke
paraqitur luftën që kishte bërë për të krijuar atë art që ju ndalua dhe dëshirës për të krijuar
pavarësisht nga pasojat: "Sërish,
vallë, do të ulërija nga dhimbjet, kur/si i babëzitur, do të gërmoja motivet/ derisa
të më zinin nën vete galeritë e tyre të frikshme?" thua se nuk besonte
në ndryshimet që kishin ndodhur në Shqipëri, mosbesim që buron nga vuajtja e
zgjatur në monizëm.
Mato
është një artist fin i përdorimit të metaforave dhe simboleve, kjo është e
dukëshme te kjo poezi ku këto mjete artistike përforcojnë imazhin dhe konfliktin
e brendshëm që ai përjeton: "frushullima mizëri e krahëve të/dëshirave e
të ëndrrave të dikurshme,/që përplaseshin tek unë si lakuriqë nate/dhe binin të
alivanosura para këmbëve të mia."
Struktura e poezisë ka elementë të fragmentuar
dhe një stil të lirë, që reflekton kaosin e zemërimin, si edhe lëvizjet në
kërkim të identitetit dhe vendit në botën e poezisë: “Si
kishin rrojtur kaq gjatë në këtë harrim të pashpirt? I prekja një nga një/e ato
përmendeshin me klithma duke mbushur me/dritë minerale/ tërë atë laborator
kujtese,"
Agim
Mato është një poet i njohur për aftësinë e tij për të shprehur emocionet dhe
mendimet në një mënyrë të thellë dhe me një mënyrë emocionale. "Mea
Culpa" përfaqëson një prej punimeve të tij më të njohura dhe të
diskutueshme, sepse shpreh në mënyrë të qartë reflektimet dhe vuajtjet e tij,
ndërsa përpiqet të kthehet në botën e krijimtarisë poetike pas një periudhe të
vështirë.
V-
Poeti Agim Mato në krijimtarinë e tij ishte një mjeshtër i veçantë në krijimin
e figurave artistike të gjalla në funksion të idesë dhe strukturës së poezisë.
Tipikja e tij qëndron te fakti se
metaforat janë të zbërthyeshme dhe japin një kuptimshmëri lineare, pa u
strukur në mister poetik të pazbërthyeshëm dhe se metaforat, simbolet dhe
imazhet janë thelbësore për të kuptuar botën e tij shpirtërore në këtë poezi.
Kështu
te vargu: “Kur zbrita sërish pas
tridhjetë vjetësh në minierën/e braktisur të poezisë/e po çapitesha në galeritë
e lëna përgjysmë,/duke kërkuar arin e fshehur nëpër guva”, metafora e “minierës së braktisur” simbolizon botën
shpirtërore të poetit e mbushur plot me “flori”
frymëzimesh e temash poetike, të
braktisur prej tij sepse monizmi me heqjen e të drejtës së botimit e nxorri
poetin nga shpirti i tij, duke e lënë atë të thahet. Çuditërisht miniera është
një term i shumëpërdorur në poezinë e soc-realizmit, por në këtë poezi të Matos
ajo qëndron më bukur dhe në mënyrë më origjinale, e shoqëruar me një imazh të errët të mbylljes. Poeti përpiqet të
kthehet, por gjen veten në një ambient të mjerueshëm dhe të pabesueshëm me “galeritë e lëna përgjysëm” dhe me:“veglat e mia të punës/të shpërndara
pa kujdes në çaste zemërimi/ me perënditë”.
Po
këshu metafora e “guvave” dhe “arit të fshehur” përfaqësojnë procesin e tij
krijues të lënë në mes, ndërsa ari i fshehur simbolizon vlerat poetike dhe
frymëzimin e dikurshëm që ai e kërkon përsëri. Metafora “salltanetet
e vdekjes” të trondit me kuptimshmërinë e saj, sepse poeti këtu nuk e ka
fjalën për ritualin mortor, plot dritë e tinguj të viseve tona, por për vetë vdekjen, e cila i
duket shumë më e bukur se sa jeta e birit të armikut të popullit, në të cilën
edhe bukën e blinin me një çmim shtesë në krahasim me banorët e tjerë, jo për të
“dëmtuar ekonomikisht klasat e përmbysura”por për të mos ushqyer normalisht këto
familje. Kjo metaforë shfaq një imazh të
fuqishëm të humbjes së shpresave për një normalitet jete dhe krijimtarie. .
Metafora
“asteroidi verbues” shfaq një imazh të
papritur të momentit të frymëzimit dhe rimarrjes së forcës krijuese, edhe pse
është e brishtë dhe e papritur, si një shfaqje e befasishme e ndriçimit në një
kontekst të errët.
Po
ashtu: “Këmishat e hekurosura dhe jeleku
i çmuar të dhëndërisë” janë metafora që përfaqësojnë lidhjet e thyera dhe
humbjen e lirive, ndërsa “jeleku i çmuar
i dhëndërisë” simbolizon humbjen e diçkaje të rëndësishme dhe të vlefshme,
duke shprehur ndjenjën e mungesës së lirive personale dhe humbjes së lidhjeve
në periudhën e largimit nga poezia, dhe
metafora “Zjarret e shpirtit dhe
zhelet e këmishës” përfaqëson pasionin dhe intensitetin e brendshëm, ku “zhelet e këmishës” simbolizojnë
pasigurinë dhe pabarazinë që ndjen poeti. Ky kontrast mes zjarrit dhe zheleve
në këmishë shpreh konfliktin shpirtëror të poetit, midis forcës krijuese dhe
pasigurisë së brendshme që e ka prekur. Ajo që duam të theksojmë është fakti se
poeti Mato përdor figura shumëfaqëshe, ku psh metaforat shfaqin imazhe të cilat
nga ana e tyre ja reflektojnë dritën përsëri metaforave (ose simboleve) sin ë
rastin e mësipërm.
Në
poezinë "Mea Culpa" të Agim Matos, ka edhe disa simbole dhe imazhe që
ndihmojnë në shfaqjen e ndjenjave të poetit, psh. imazhi “frushullima mizëri e krahëve të/dëshirave e të ëndrrave të dikurshme,/që
përplaseshin tek unë si lakuriqë nate/dhe binin të alivanosura para këmbëve të
mia." shfaq një ndjenjë dëshpërimi për humbjen që ka pësuar nga
monizmi me urdhërin e mosbotimit të poezive. Ai ndien se dëshirat dhe ëndrrat e
tij të mëparshme janë të shuarura dhe të humbura. Imazhi “Motorët e metaforave” të krijon një gjëndje entusiazte pasi shfaq fuqinë e mendimit dhe nishjen e krijimtarisë.
Këto
simbole dhe imazhe janë të rëndësishme për të theksuar ndjenjat dhe përvojat e
thella të poetit në lidhje me pasojat e largimit të tij nga poezia dhe betejën
e tij për tu rikthyer në botën e tij të pasionit dhe krijimtarisë poetike.
VI-
Kjo poezi modern e Agim Matos ka një strukturë
tipike moderne dhe një gjuhë të pasur që ndihmon në shprehjen e thellësisë së ndjenjave
të poetit dhe forcimin e modernitetit poetik.
Poezia
përdor një varg të lirë, pa një
skemë të ngushtë rime ose metrike. Kjo lirshmëri strukturore jep liri më të
madhe në shprehjen e ndjenjave dhe ideve të poetit, duke e lejuar atë të
eksplorojë ndjenjat e tij në mënyrë të lirë dhe të lirëpërdorë fjalinë poetike.
Duhet të shprehemi se jo vetëm kjo poezi por gjithë poezitë e Matos janë
krijime në shtrat balade për nga dhimbja që ato kanë në brendinë e tyre dhe e
shfaqin nëpërmjet metaforave, simbolikave dhe imazheve, gjëndje kjo që përjetohet
në një lexim të vëmëndshëm.
Fjala
e përdorur është e ngarkuar me ndjenja dhe imazhe të thella, përdorimi i
fjalëve të ngarkuara emocionalisht ndihmon në shfaqjen e konfliktit të thellë
emocional të poetit, duke e bërë poezinë të pasur dhe të thellë shpirtërisht.
Poeti
ka përdorur një gjuhë të lirë dhe imagjinative, duke kombinuar elementë të
ndryshëm gjuhësorë për të shprehur ndjenjat dhe idetë e tij. Unë ju them se
Agim Mato ishte një njohës i thellë dhe i hollë i gjuhës shqipe dhe e përdorte
atë me elegancë poetike, jo vetëm në vargje. Përdorimi i imazheve metaforike
dhe simbolike me këtë gjuhë është i rëndësishëm në këtë poezi, pasi sjell një
pasqyrë të thellë të ndjenjave dhe përvojave të poetit.
VII-
Poezia "Mea Culpa" e
Agim Matos shfaq një aspekt psikologjik të thellë që lidhet ngushtë me idetë
dhe ndjenjat e poetit në lidhje me marrëdhënien e tij me poezinë dhe me
vetveten. Nëpërmjet poezisë, ai paraqet një eksplorim të brendshëm të ndjesive
dhe konflikteve të tij emocionale, duke shfaqur disa aspekte të rëndësishme
psikologjike:
Kështu
nëpërmjet vargut: "Kur zbrita sërish
pas tridhjetë vjetësh në minierën e braktisur të poezisë" shfaq poetin
me një ndjenjë fajësie duke u
rikthyer në “minierën e poezisë” pas
një periudhe të gjatë ndarjeje, ku
"miniera e braktisur "
përfaqëson botën shpirtërore të
krijimtarisë së tij poetike, e cila u zhvendos nga diktatura dhe kufizimet që i
kanë ndikuar fuqishëm krijimtarinë. Koha e gjatë larg kësaj “miniere” i kanë krijuar një farë
pasigurie, një lloj ngurimi të cilën e shpreh me vargjet:"Sërish, vallë, do të ulërija nga dhimbjet, kur/ si i babëzitur,
do të gërmoja motivet/derisa të më zinin nën vete galeritë e tyre të
frikshme?" Është pikërisht fjala "Sërish"
që sugjeron përsëritjen e një procesi të mëparshëm, ndërsa "vallë" ndihmon në shprehjen e një
dyshimi dhe një mosdijeje. Shfaqja e
tij si "i
babëzitur" ndihmon në përforcimin e ndjesisë së pasigurisë dhe
dobësisë që ai ndjen kur përballet me këtë sfidë të rikthimit për të cilën është
i “urritur”. "Gërmoja motivet"
shfaq përpjekjet dhe dëshirën e tij për të kuptuar dhe gjetur frymëzim, por
përballja me "galeritë e tyre të
frikshme" paraqet pengesat dhe vështirësitë që ai përjeton në kthimin
e tij në botën e poezisë.
Në
aspektin psikologjik kjo poezi shfaq edhe konfliktin
midis dëshirës dhe frikës te vargjet:"I jepja zemër vetes: kush e çan tani kokën për profkat poetike?"
frazë që tregon përvojën e përballjes me frikën dhe dyshimin që vjen ndërkohë
që përpiqet të rikthehet në botën e poezisë pas periudhës së gjatë largimit. Ky
perceptim më i thellë i vargut e pasqyron metaforën si një shprehje simbolike të
pasurive shpirtërore të poetit dhe
dëshirën e tij për të rinisur lidhjen me pasionin dhe krijimtarinë poetike. Çdo
pasazh shfaq një përpjekje të thellë dhe të ndjerë për të rikthyer botën e
humbur të poezisë dhe të kuptuarit të vetvetes në kontekst të krijimtarisë së
tij.
Përpjekja për rimarrje
dhe rimëkëmbje
shfaqur te pasazhi: "Po kur ndjeva
të ndizen rreth e rrotull motorët e metaforave," shpreh momentin e
frymëzimit dhe nxitjen e forcës krijuese të poetit. "Motorët e metaforave" janë një imazh për krijimtarinë dhe
fuqinë e mendimit krijues, që bëhet e dukshme përsëri në shpirtin e tij. Ky
moment shfaq një kthim të forcës dhe
pasionit për krijimtari dhe e bëri të vetëdijshëm për kohën dhe humbjen,
shfaqur te vargjet:"E pashë sërish
qartë vrullin e marrëzive të dikurshme për të përplasur kokën tek e
paarritshmja," ku paraqet një moment të vetëdijesimit të thellë për
fuqinë dhe pasionin që e ka pasur në të kaluarën, ngulmimin : “deri sa llamba prej karbiti yjesh në ballin
tim/thyhej/duke qëlluar me tërë fuqinë magmën e trashë të kohës” ku çasti
poetik i vjen si një shpërthim yjesh në vetëdije. "E paarritshmja" është një imazh për forcën, kreativitetin dhe
idetë që duket të jenë jashtë aftësive të kufizuara të tij aktualisht.
Këto
dy pasazhe të fundit shfaqin një moment të ndriçimit dhe vetëdijesimit të
poetit në lidhje me fuqinë e humbur të krijimtarisë dhe pasionin për poezinë.
Ata shfaqin momentin e transformimit të tij, një rikthim e rimarrje të forcës
dhe kreativitetit që i lejon atij të shohë dhe ndiejë sërish marrëzitë e
dikurshme dhe potencialin e pasur të shpirtit të tij poetik. Kjo poezi na shfaq
Agim Maton me botën e tij të trazuar në rikthimin në poezi, ku nisi dritësimin
ajo yllësi e pamatë vargjesh të tij.
Poezia
e Matos është vuajtje miq, është vuajtje, “më
pas vjen lumturia”.
Sarandë, më nëntor 2023
Agim Mato
MEA CULPA
Kur zbrita sërish pas tridhjetë
vjetësh në minierën
e braktisur të poezisë
e po çapitesha në galeritë e lëna
përgjysmë,
duke kërkuar arin e fshehur nëpër
guva,
veglat e mia të punës
të shpërndara pa kujdes në çaste
zemërimi
me perënditë,
ngurova papritur dhe ashtu
fluturimthi
bëra të ngjitem lart, ku prej kohësh
përgatitesha për
salltanetin e madh të vdekjes.
Vallë sërish do të fillonin vuajtjet
netëve të vetmuara,
derisa zjarret e shpirtit do të më
kthenin në zhele
këmishat e hekurosura dhe jelekun e
çmuar
të dhëndërisë?
Sërish, vallë, do të ulërija nga
dhimbjet, kur
si i babëzitur, do të gërmoja motivet
derisa të më zinin nën vete galeritë
e tyre të frikshme?
I jepja zemër vetes: kush e çan tani
kokën
për profkat poetike?
E ndërsa po mendoja t’ia mbathja
nga kisha ardhur,
më rrethoi befas frushullima mizëri
e krahëve të
dëshirave e të ëndrrave të
dikurshme,
që përplaseshin tek unë si lakuriqë
nate
dhe binin të alivanosura para
këmbëve të mia.
Si kishin rrojtur kaq gjatë në këtë
harrim të pashpirt?
I prekja një nga një
e ato përmendeshin me klithma duke
mbushur me
dritë minerale
tërë atë laborator kujtese,
tërë atë punishte arti që ma mbyllën
me forcë,
tërë atë alkimi të shpirtit
që filloi të më shfaqet
si një asteroid verbues. E pashë
sërish qartë
vrullin e marrëzive të dikurshme
për të përplasur kokën tek e
paarritshmja,
deri sa llamba prej karbiti yjesh në
ballin tim
thyhej
duke qëlluar me tërë fuqinë magmën e
trashë të kohës.
Po kur ndjeva të ndizen rreth e
rrotull
motorët e metaforave,
në djall, thashë, këmishët e
hekurosura, oportuniteti
dhe bisedat eklektike mbrëmjeve,
në djall programimi i jetës,
oraret e përpikta për medikamentet
dhe filmat.
Sarandë, 2011
No comments:
Post a Comment