TË PRESËSH DIAMANTIN
I-Nuk
e di pse, por te titulli i poezisë “Intervistë për puthjen” e Natasha
Lakos fillimisht sytë më shkuan te fjala
“puthje” e cila më solli në kujtesë Eseninin me vargjet:” Puthjes emër djemt'
s'i kanë gjetur/puthja s'është mbishkrim qivur i ngrirë/puthja fryn si
trëndafil me fletë/ që në buzë petalet i ka shtrirë” e poezisë “Lejlës
bukuroshe” që më kishin lënë një aromë dehëse qysh në leximin e parë. Ndërkohë
u kujtova që Kacalidha me vargjet: ”Puthja fillon me një buzore /Pu-pu, pu-pu,
pu-pu, pu-pu! /Puthja fillon me një buzore /Fillon në buzë, tretet këtu”. (
“Puthja”, Heraldikët e borës, Onufri 2023 f 286) ende hezitonte të jipte
puthjen e parë, ku ajo pu-pu-ja e tij ndjehej a lexohej si një “pu-pu, sa
turp”. Esenini fokusohet në ndjenja romantike në këtë poezi me varg e rimë të
rregullt, tipike poezi klasike, ndërsa Kacalidha paraqet emocione të qeta
intime, të lidhura me një situatë dhe moment dashurie, të shprehura me poezi
moderne. Ndërkohë që Esenini përdor imazhe natyrore si simbole përjetimesh të
ndjenjave, Kacalidha përdor imazhe të thjeshta, të kuptueshme e të qarta për të
shprehur momentin intim dhe gjëndjen e trazuar shpirtërore. Esenini është në
(ose pas) momente përjetimi, ndërsa Kacalidha i emocionuar “bëlbëzon” në çaste para puthjes për të cilën duket se
ende nuk e ka kurajën, Esenini shpalos hapësirën e puthjes në kufijtë e erës së
trëndafilit ndërsa Kacalidha hipotekon kufijtë e saj te “parcela” e buzëve, por
për ne ajo që ka rëndësi është fakti se të dy poetët i këndojnë puthjes së
dashurisë dhe për të vijuar më tejë, po shohim konturet e kuptimit të puthjes
shprehur në vargjet e Lakos (e pranoje si një petale/që ta pranonin si një
petale) sepse duke perifrazuar Eseninin, do thoshnim që puthjes djemtë, as
emër, por as përkufizim nuk i kanë gjetur.
E
parë në këtë këndvështrin, krahasimi i puthjes me një petale (si një petale)
nga Natasha Lako përdoret për të shprehur ndjeshmërinë, delikatesën, bukurinë
dhe fragilitetin e puthjes krijon një imazh të bukur fin, duke i dhënë asaj një vlerë të veçantë, duke e bërë të shihet dhe perceptohet si diçka tërheqëse
, e përkryer në delikatesën e saj,
përcjellëse e bukurisë dhe freskisë. Fjala "petale" e përdorur
nga poetja sugjeron bukuri, finesë dhe pranueshmëri ndjenjash të holla, ndryshe
nga diçka fizike e rëndë apo e fortë. Ky krahasim shpall se puthja nuk është
thjesht një kontakt fizik, por një trazim
ndjenjash shpirtërore. Krahasimi me një petale thekson fragilitetin,
fresiknë e bukurinë e asaj që mund të duket e vogël në pamje, por ka një ndikim
të madh dhe vlerë thelbësore në jetën e njeriut, qoftë për faktin se puthja
zgjat pak, por përjetohet me vite, madje puthja e parë përjetohet gjithë jetën.
Nga
kjo ndjejmë se puthja e dy dashnorëve është një akt emocional i shprehur me
kontaktin e buzëve, që shihet e vlerësohet si shprehje e ndjenjave në një
lidhje shpirtërore e fizike, e cila mund të jetë e ëmbël, e përzemërt,
pasionante, që gjithsesi përfshin një moment intim që jep siguri, ëmbëlsi e
ngrohtësi, shuan debatet mes partnerëve dhe u mundëson të përjetojnë një moment
lumturi të pakrahasueshme. Puthja mbyll gojët që të flaës heshtja, mbyll sytë
që të shihet parajsa, ajo të bën të ndjehesh i pasur dhe i kompletuar. Unë nuk
pretendoj për saktësi përkufizimi, ndaj ftoj për ndihmë Shekspirin që thotë se:
"Puthja është gjuha e dashurisë", Nerudën që ligjëron se:
"Puthja është një tingulli që flet ato fjalë që nuk mund të thuhen",
për të ndalur te Viktor Hygo me postulatin e tij: "Puthja është gjëja më e
sinqertë në botë". Këto ka thënë Natasha Lako me krahasimin e saj petalor,
duke ju qasur metaforës së Eseninit në kufijtë e Kacalidhës.
II-
Natasha Lako jo vetëm flet pak, por stili i saj modern i të shprehurit poetik
ka një dendësi të diamanntë arti e kuptimshmërie, që kërkon një mjeshtër prerës
diamanti në zbërthimin e kuptimshmërisë dhe vlerave të saj, pse dihet që ky gur
i çmuar në formën natyrore rrallë e shfaq plotësisht vlerën dhe bukurinë e tij,
ndaj nevojitet një mjeshtër që të shohë
nç brendësi të tij vijat ndarëse të formave dhe të realizojë atë prerje
delikate, e cila nxjerr në pah pasurinë e shumëllojëshme të tij.
Kështu
te poezia e Lakos qysh te strofa e parë
të lindin hamendësime mbi kuptimshmërinë poetike : “Epo, po të të pyesnin për
puthjen,/çfarë do të thoshe ti,/ po të kërkoje punë”. Në kundërshtim me sa
thotë në titull, te ky varg shohim se nuk jemi në një intervistë, por është
momenti i një pregatitje për intervistë pune, ku poetja (ç’ne poetja?) pyet një
vajzë të re, që pregatitet për atë intervistë, për të parë në se është e
pregatitur. Duket se biseda ka nisur më herët, ndaj poezia fillon (vazhdon, në
fakt) me fjalën “Epo”, fjalë që përdoret në kuptimin "e pra" (…po të
pyesnin).
Vazhdimi
i leximit të ngatëron me shumë me vargjet: “E pranoje (ti), si një petale
(puthjen) /që ta pranonin (ata), si një petale”? Vargjet kanë qasje me poezinë
e Eseninit: “…që në buzë petalet i ka shtrirë” dhe për krahasimin e
puthjes me petalet folëm më sipër, por ndërkohë metafora e petales ka
qasje dhe me diçka tjetër të brishtë, me naivitetin vajzëror, mungesën e
përvojës së saj në shoqëri. Kjo qasje jep një interpretim të ri, dhe mundëson
një perceptim tjetër të dilemës që shpreh poezia, lidhur me pyetjen e papritur
për diçka të brishtë e të bukur në botën e punës. Pyetja (ç’kërkon kjo pyetje
në një intervitë pune xhanëm?) ndez imagjinatën e vajzës, e cila instiktivisht
nis e percepton bukurinë dhe ëmbëlsinë ndjesore të puthjes, por përgjigja
cilado qoftë është e rrezikëshme: në rastin e pranimit të puthjes si petale,
intervistuesi mund të hamendësojë për atë si për një vajzë e lehtë, në rastin e
kundërt hamendëson si për një vajzë me kulturë patriarkale. Intervistuesi
përfaqson një institucion shtetëror apo një kompani private, por asnjeri rast
nuk e favorizon vajzën, pavarësisht se ne vazhdojmë të admirojmë krahasimin e
puthjes si petale. Nuk e di pse por më duket se po qaset malësorja e Migjenit
me atë: “A don qymyr zotni?” të cilën
poetja “lehtësisht” mund ta kishte futur si pyetje interviste për dukurinë e
njejtë të dy kohëve. Është kjo qasje që më shtyn të shoh te pyetjet një ‘vijë’
ironie të poetes për dukuritë e kohës, përfshirë dhe “intervistat e punës”, të
vetmet që nuk nuk mund të mendojnë si pyetje puthjen, këtë esenciale të jetës,
sepse në kohët moderne ka shumë puthje por pak dashuri.
III-Më
sipër përmenda diamantine, por duhet të dimë se struktura e diamantit përbëhet
nga një shumësi diamantësh më të vegjël në formën e trupave gjeo-metrikë brenda
njeri tjetrit, të ngjeshur nga një
trysni e jashtëzakonëshme. Kjo strukturë rrit fortësinë dhe vështirëson ndarjen
e tij në pjesë, nqse ushtrohet një goditje ritmike e fortë në të njëjtin vend
të diamantit, struktura e tij shpërbëhet në pjesëza të vogëla që shpërndahen në
formën e nje reje pluhuri të shndritshëm, duke u bërë i pavlefshëm. Për këtë
arsye ka lindur profesioni i mjeshtrave ndarës të diamantit, të cilët pasi
studiojnë vijat, më saktë hijet e vijave
të brendëshme realizojnë mbi ato goditjen e lehtë dhe ritmike, e cila e ndan
atë në aq pjesë sa kërkon. Natyrshëm që mund të rezultojnë dhe pjesë më të
vogëla, por ato shfaqin më qartë finesën dhe bukurinë e tij, ndaj pasi
lëmohen,përdoren si gurë unazash, ndërsa copat relativisht të mëdha kanë
destinacione të tjera përdorimi duke filluar që nga gjerdanët, kurorat
mbretërore e deri te rezervat valutore në banka.
Kështu
dhe poezia e Lakos ka strukturën e diamantit: ajo shfaq aktin e puthjes së
dashurisë të krahasuar me një petale, por petalja në vetvete është një imazh që
sjell në vëmendje bukurinë, delikatesën dhe fragilitetin aktit. Përsëritja e
saj: “E pranoje, si një petale,/që ta pranonin, si një petale” shfaq imazhin e petales në dy skaje duke e
forcuar atë në kujtesën e lexuesit dhe
tingullin poetik, ndërkohë që vetë puthja në këtë poezi nuk shfaqet vetëm si
simbol e metaforë e dashurisë, ajo
shpalos një vështrim më të gjerë mbi kuptimin dhe ndikimin e saj në një
marrëdhënie. Lako e shfaq puthjen në mënyrë të ndërlikuar, duke krijuar një
dimension më të gjerë se thjesht një akt romantik, pasi sjell në vëmendje
aspekte të historisë në imazhin e pyjeve të djegura, sjell imazhin e puthjes
“copë të mbetur mijëravjeçare” si diçka e çmuar dhe e vlefshme, e cila mbetet
pjesë e kujtesës për mijëra vjet, shfaq dukurinë identitare të saj në prizmin
zakonor të traditës patriarkale. Nga mënyra se si e shfaq në poezi. Ndërkohë
poetja na flet për“puthje të mëdha”, një metaforë që mund të ketë
domethënie të ndryshme në situate të ndryshme, duke shfaqur një ide më
shumë se sa një vlerë e madhe financiare. Shihni pra sa pazgjidhmërisht janë
lidhur në tërësinë e tyre këto element artistikë sa që të duket se heqja e
njërës prej tyre, rrezikon shkatërrimin e gjithë poezisë dhe kjo është bërë në
funksion të nxjerrjes në pah të vlerave
të dashurisë, duke i treguar nëpërmjet puthjes, ku disa fragmente pyetjesh janë
si ato pjesët jo organike mbi diamantin në momentin që nxirret nga toka, të
cilat sigurisht që pastrohen, por kujdes: mos e hiqni cilësorin “torrollakët”,
është shumë i bukur.
Jo
më kot e krahasova poezinë e Lakos me një diamant të madh, të cilit i duhen
gjetur vijat (damarët) ndarrëse, aq më tepër që këto vija janë kufijtë ku
ndahen ngjyrat e dritës që reflekton imazhet ky diamant poetik. Unë ju them se
të realizosh një poezi të tillë është vërtet si të presësh dimamantin e ta shndrosh në gurë unazash
a gjerdani, madje në dimamant kurore mbretërore apo rezervë valutorë. Eshtë
pikërisht kjo bukuri e diamanttë e poezisë që më bind në mendimin se poetja ka dashur të na shfaqë
puthjen e dashurisë si “një trëndafil në fundëri”(Neruda) rurale të
modernitetit të kohës, mbi të cilin hedh një tis ironie me pyetjet e saj.
IV-
Le të lexojmë vargjet: “apo se puthja ka ardhur pas pyjeve të djegura /e të
përvëluara nga zjarri,/që mijëra vjet më parë” të cilat shfaqin një sfond poetik
në kontekstin historik dhe tradicional të puthjes, duke na e shfaqur atë si një
akt që ka ekzistuar në të kaluarën e largët, ka ardhur në kohët tona nëpër
flake ( në fakt e kemi mbartur me vete nëpër flakë), është e rëndësishme, ndaj
ende egziston, ëndërohet dhe flitet për atë..
Natasha
Lako përdor historinë për të krijuar një portret të trishtueshëm të puthjes,
duke e paraqitur atë si diçka që ka ardhur pas tragjedish të lashta, ku vajza
dhe djali nuk mund të realizonin lirshëm një puthje, pasi ajo shkaktonte pasoja
të rënda: vrasje të nxitura nga kodet zakonore. Indirekt Lako hedh spirancën e
kësaj poezie moderne në identitetin tonë kombëtar pasi reflekton mbi kodet
zakonore në kulturën tradicionale shqiptare që ndalonte puthjen e të dashuruarve lirshëm. Këtu duhet të
ndalemi te arti ynë gojor, i cili është plot me vargje triumfuese djemsh
që“puthin gushë e faqe”apo“dy mollët e gjirit”, vargje që këndoheshin në shesh
të fshatit në festa dhe, jo vetëm që askush nuk revoltohej kundër tyre, por
përkundrazi, bashkoheshin në grupin e këngës duke mbajtur iso, akt ky që
shprehte miratimin popullor për puthjen dhe dashurinë. Vajzat putheshin lirshëm
nëpër këngë, por kur tentonin të dilnin jashtë portës së shtëpisë drejt
puthjeve, ose do dëgjonin sokëllimiën e babait si një krismë pushke: “Futu
bërna” ose qortimin e nënës: ”Bëj të dal e s’më lë nëna /Më thotë: “Vajzë futu
bërna”/Se janë dyfeqe të rrënda”. Poeti popullor nuk sqaron se cilat janë ato
dyfeqe të rrënda që nëna i përmend vajzës por i metaforizon: ”Dyfeqet e
djalërisë/ Që i vën zjarrin shtëpisë”. Këto “dyfeqe të djalërisë”nuk janë vetëm
aset i këngëve, ato janë realitete historike e jetësore të dashurive në trevat
tona, që kanë mbritur gjer te ne në formën e hasmërive. Një gjë kaq e ëmbël si
puthja, e cila në fakt është porta e parajsës mbi tokë ka sjellur kaq shumë
plagë, në trup e në shpirt, të cilat as nëpër këngë nuk janë mbyllur dot.
Prandaj poetja thotë: “Pyete puthjen vetë çfarë ka parë /këtë copë të mbetur
qindramijëravjeçare” sepse duhet të pranojmë që “puthja” është pjesë e
historisë sonë, e përgjakur apo e mbuluar me orizin e dasmave.
Vargjet
e poezisë së Lakos ("kur puthja quhet,/e ardhur si forcë shkëmbi ose kuje
, të cilat bota i njëson, / a mund ta përkeqësonte apo ta përmirësonte më tepër,
/ gjendjen tënde ekonomike, kredinë e madhe, / të puthjeve edhe më të
mëdha") i ngjajnë asaj cope diamantit që ka disa vijë në brendësi, të
cilat duket se shfaqin një ndërlidhje të shpirtit, kujtesës dhe ndjenjave me
aspektet e realitetit të shoqërisë. Poetja mund të na referojë te puthjet e
mëdha si simbol i ndryshimeve të mëdha në jetën e individëve apo shoqërisë së
gjerë. Në këtë kontekst, "puthjet më të mëdha" mund të paraqesin
ndryshime thelbësore, transformime apo veprime që ndikojnë në gjendjen ekonomike,
financiare dhe në dinamikën shoqërore. Kjo lidhje e puthjeve me gjendjen
ekonomike dhe kredinë e madhe mund të jetë një mënyrë metaforike për të
shprehur fuqinë e dashurive të mëdha.
Një "puthje më e madhe" mund të simbolizojë një ndryshim të fuqishëm,
pozitiv (ose negative), që ka forcën për të ndryshuar gjendjen shoqërore të
individëve, të një komuniteti apo të një populli. Puthja e Halilit me Tanushën
ishte një puthje e madhe, po ashtu e Skënderbeut me Donikën, pa haruar puthjen
legjendare të Jerina Dushmanit me Lek
Zaharinë. Kujtojmë se shpesh herë aleancat princërore arbërore që
bëheshin garantohe-shin nëpërmjet krushqive. Sigurisht që kjo lidhje metaforike
mund të ndërtojë një paralele midis fuqisë së ndikimit të dashurisë, afërsisë dhe veprimeve të mëdha që ndikojnë
në jetën e njerëzve në nivele të ndryshme të shoqërisë. Megjithëatë ajo vija te
diamanti synon të na thotë se ato “puthjet edhe më të mëdha” u përkasin shefave
të mëdhenj ku do punësohet vajza e intervistuar, ndërsa “kreditë e mëdha” janë
favoret financiare, por unë them që ti kushtoni vëmëndjen dashurisë dhe
puthjeve se shefat e mëdhenj nuk dinë të puthin, ata dinë vetëm të kafshojnë.
Kur
poetja përmend puthjen si "një copë të mbetur mijëravjeçare", ajo
duhet të interpretohet si një qasje që e çon kujtimin dhe kuptimin e puthjes
përtej kohës aktuale, ku përdorimi i një periudhe të gjatë kohore është për të
theksuar se ky akt nuk ka ndryshuar shumë në thelb, pavarësisht zhvillimeve e
ndryshimeve të shoqërisë nëpër kohë, dhe e sheh atë si një gjë të çmuar. Puthja
është një simbol universal i dashurisë dhe afërisë që ka ekzistuar në të
njëjtën mënyrë dhe formë në epoka dhe sisteme shoqërore të ndryshme të popullit
ton. Këtu Lako hedh spirancën te identiteti kombëtar shqiptar i aktit të
puthjes si simbol dashurie (sepse ka kombe që dashurinë nuk e shprehin me
puthje). Përpos kësaj, përdorimi i termave të gjatësisë kohore është një mënyrë
që thekson rëndësinë dhe vlerën e këtij akti në shoqëri, duke e paraqitur si
një traditë të vjetër (jo relike) e të gjallë, që vlen për dashurinë si
oksigjeni për njeriun, që ka qëndruar dhe vazhdon të ketë një impakt të madh në
jetën dhe kulturën tonë .
Është
koha që dashuria dhe puthja jo vetëm vlerësohen pak, por tentohet të shndrohen
në diçka pa vlerë, ndaj poetja ngre zërrin e vargjeve: "Por mos i beso,
torollakët/që pyetjen për puthjen thonë mos e beso/megjithëse është gjëja më e
sigurt" dhe unë ju them se është hera e parë që Lako përdor epitetin
përbuzës “torrollak”, të cilin e rezervon vetëm për ata që minimizojnë apo
mohojnë rëndësinë e puthjes, atë që është
“gjëja më e sigurtë” dhe më e bukur (do shtoja unë) në këtë botë.
V-
Poezia "Intervistë për puthjen" e Natasha Lakos shpalos disa
dimensione psikologjike të ndërveprimit të individit me një aspekt të gjerë
emocional. Kjo poezi shpreh një vështrim mbi përvojën e puthjes, por në të
vërtetë, nëpërmjet këtij subjekti, ajo eksploron ndjesinë e dashurisë,
identitetin dhe kërkimin e kuptimit të gjerë emocional në kohën tonë të
modernitetit rural.
Aspekti
i identitetit e dashurisë është thelbësor në poezi, ndaj poetja përdor puthjen
si një metaforë për ndjenjat, të cilat njeriu i përjeton, por i mban të
fshehura në shpirt, ku puthja përfaqëson një mënyrë për të shprehur ndjenjat, emocionet, por dhe për të kuptuar largësinë
emocionale që ndjehet në jetën e sotme të përditshme.
Poezia
paraqet kërkim të përhershëm për kuptim
mbi puthjen dhe dashurinë në kohët e sotme. Pyetjet e hapura dhe dilemat që
shfaqen rreth puthjes, siç janë "çfarë do të thoshe ti për puthjen?"
apo "pyete puthjen vetë çfarë ka parë?" pavarësisht se me një tis
ironie poetja i shfaq si pyetje interviste, reflektojnë kërkimin e vazhdueshëm
të njeriut për të kuptuar dhe për të gjetur kuptim më të thellë në ndjenjat dhe
eksperiencat e tij.
Përvoja e dhimbjes dhe vuajtjeve shpirtërore të
individit, apo tragjeditë e shkaktuara në botën patriarkale shqiptare, të
përmendur në poezi si "pyjet e djegura," shpalos një dimension
psikologjik që sugjeron se shpirti ka përjetuar vuajtje dhe shpesh herë puthja
ka shkaktuar tragjedi të mëdha, pasi ka qenë në kundërshtim me doket kanunore
të jetës patriarkale shqiptare. Përmendja e "pyjeve të djegura e të
përvëluara nga zjarri, që mijëra vjet më parë," shfaq tragjeditë e
shkaktuara nga puthja, e cila ka qenë e përjetuar në jetën e shqiptarit.
Mosbesimi
ndaj këshillave të tjerëve për të mos e besuar vlerën e puthjes ("Por mos
i beso, torollakët ") reflekton aspektin
psikologjik të pavarësisë emocio-nale.
Poezia
paraqet konfuzionin e madh emocional me kuptimin e puthjes. Një vështirësi për
të kuptuar si duhet të interpretohet apo vlerësohet puthja bëhet qartë
nëpërmjet pasazheve që trajtojnë se çfarë do të thoshte apo përfaqësonte puthja
për individin. Ky konflikt mund të lidhet me mungesën e qartësisë në
interpretimin e ndjenjave dhe të sjelljes së një personi.
IV-Poezia
"Intervistë për puthjen" e Natasha Lakos ka një theks të dukshëm
filozofik në paraqitjen e puthjes si një subjekt për të reflektuar mbi të
vërtetën, ndjenjat, dhe interpretimet e subjektit në një nivel më të lartë.
Në
thelbin e saj, puthja është përdorur si një simbol që shpreh kompleksitetin e
jetës së njeriut dhe përvojën e tij, ku puthja, si një gjest i thjeshtë në
dukje, bëhet më shumë se një akt fizik, ajo shfaq ndjenjat, identitetin dhe
kuptimin e vërtetë të vetvetes dhe të marrëdhënies me të tjerët.
Një
ndërhyrje filozofike shfaqet në mënyrën
si puthja shihet nga këndvështri-mi i individit dhe shoqërisë. Një
ndarje mes interpretimit individual dhe atij kolektiv pasqyrohet në dilemën
lidhur me vlerësimin e puthjes, duke çuar
në pyetje njohjen e së vërtetë dhe si shoqëria interpreton apo
shqetësohet për interpretimin e veprimeve të thjeshta.
Në
këtë poezi, filozofia shfaqet në mënyrën se si puthja përcakton identitetin e
një personi. Puthja është mjeti i përdorur për të shprehur ndjenjat, si dhe të
zbulojë misterin e mendimeve e perceptimeve personale në lidhje me vetveten dhe
me të tjerët.
Poezia
ndriçon dilemën filozofike të vlerësimit të thjeshtësisë së puthjes në krahasim
me hapësirën e të vërtetave të fshehura
të ndjenjave njerëzore.
Thuhet
se "puthja është një gjuhë", poezia shfaq qartësinë e komunikimit mes
individëve nëpërmjet gestit fizik të puthjes. Aspekti filozofik i kësaj poezie
qëndron në interpretimin e puthjes si një mjet i cili përdoret për të shprehur
dhe kuptuar një sërë ndjenjash, mendimesh dhe emocionesh në një nivel më të
epërm.
Një
aspekt filozofik lidhet me kompleksitetin e thjeshtësisë, ku puthja, një veprim
i vogël në dukje, shpreh një botë të madhe emocionale dhe ndjesore që shpesh
nuk mund të shprehën me fjalë. Kjo shkakton një dilemë: a mund të përfaqësohet
një kompleksitet aq i madh me një gjest kaq të thjeshtë si puthja?
Një
element i rëndësishëm filozofik është edhe reflektimi mbi interpretimin e të
vërtetave dhe perceptimeve. Poezia paraqet një mosbesim ndaj këshillave të
tjerëve,(torrollakëve) duke shtuar shkallën e vështirësisë për të kuptuar një
realitet të fshehur. Ky aspekt shpërfaqet në dilemën filozofike të kërkimit për
një kuptim më të thellë përtej asaj që mund të duket të qartë në sipërfaqe.
Poezia
fillon me një pyetje retorike në lidhje me puthjen dhe vazhdon me një reflektim
të thellë mbi kuptimin dhe ndikimin e saj, ku kjo lloj pyetjeje dhe reflektimi
shfaq ndërveprimin midis poezisë dhe filozofisë, ku puthja nuk është vetëm një
veprim, por një objekt i analizës dhe mendimit thelbësor.
Kontrastet
dhe dilemat filozofike që shfaq poetja në lidhje me puthjen janë në aspektin
filozofik, psh pyetja nëse puthja ka ardhur pas pyjeve të djegura nga zjarri që
mijëra vjet më pare, shfaq një kontrast midis historisë dhe aspektit më
bashkëkohor të puthjes.
Puthja
në poezinë e Natasha Lakos është një subjekt i analizuar gjerësisht dhe
interpretuar nëpërmjet metaforave komplekse dhe pyetjeve filozofike. Duke e
krahasuar atë me një petale të mbetur mijëra vjet, ajo ngre kuptimet e puthjes
si diçka që tejkalon kohën dhe ka një ndikim të qëndrueshëm. Nëpërmjet dilemave
dhe kontrasteve të shfaqura në poezi, Lako sjell një aspekt reflektues të
ndërveprimit midis njeriut dhe puthjes, duke e paraqitur atë si një fenomen që
mund të interpretohet në mënyra të ndryshme nga individi. Kjo qasje filozofike
tregon një reflektim të thellë mbi kuptimin dhe ndikimin e një veprimi të tillë
të thjeshtë në një nivel më të thellë intelektual.
V-Poezia
e Natasha Lakos shprehet nëpërmjet kontrasteve poetike të gjera që e bëjnë atë
një përvojë letrare të pasur, një risi, çka e shtyn ta ndërtojë poezinë mbi
kontraste.
Poezia
shfaq një kontrast mes qasjes filozofike dhe emocionale ndaj puthjes, pasi ajo
fillon me një përkujdesje për kuptimin e puthjes nga një këndvështrim filozofik,
ndërsa më pas kalon në emocione dhe ndjenja që lidhen me përvojën personale dhe
qëndrimin ndaj këtij veprimi.
Një
tjetër kontrast që vërehet është mes kuptimit të puthjes në këndvështrim filozofik dhe rëndësisë
së njohjes së këtij veprimi në përvojën
njerëzore.
Kontrasti
mes puthjes së analizuar e kërkimit për kuptim të saj, në krahasim me
përditshmërinë e puthjeve dhe përvojave të thjeshta që njerëzit përjetojnë,
sjell një polaritet midis këtyre dy llojeve të përvojave.
Poezia
e Lakos ka një tonalitet të rëndë dhe reflektues në disa vende, por ka vargje
të thjeshta dhe të qarta, duke sjellë një kontrast në stilin dhe tonalitetin e
saj. Në këtë poezi mbizotëron ngjyra gri e mendimit, por nëpër vargje, si
vetëtimat mes reve shkëlqet e rozta e puthjes. Kjo poezi është një poezi e
mendimit, por në strukturë ka vargje plot frymëzim e dritësim imazhesh.
Këto
kontraste poetike e pasurojnë krijimtarinë poetike të Natasha Lakos , pasi
shfaq një gamë të gjerë emocionesh, analizash dhe perspektivash të ndryshme
lidhur me një temë të tillë si puthja
Pra,
poezia "Intervistë për puthjen" e Lakos mund ta karakterizohet si një
poezi që shfaq një gamë të gjerë kontrastesh në lidhje me temën, duke qënë një
poezi me tipare metaforike e imazhiste shprehur në aspektin psikologjik dhe
filozofik, ku kontrastet shprehin ndërveprim kompleks midis ideve filozofike dhe
emocioneve, duke e bërë atë një përvojë poetike të re dhe të pasur.
Poezia
shfaq kontraste midis analizës së thellë të kuptimit të puthjes nga një
këndvështrim intelektual dhe emocioneve që lidhen me përvojën personale. Ky
kontrast në mes këtyre dy qasjeve tregon një tension të thellë midis kuptimit
filozofik dhe përjetimit emocional të puthjes. Kjo është një poezi e veçantë në
letërsinë shqipe dhe ajo që ka më shumë rëndësi është se ajo është një poezi e
realizuar mjeshtërisht, fin dhe ëndrrandjellëse si një gur diamanti i vogël në
një unazë fejese, të cilën vajza që e mba jua tregon shoqeve me krenari.
Sarandë, më janar 2024
Natasha
Lako
INTERVISTË
PËR PUTHJEN
Epo, po të të pyesnin për puthjen,
çfarë do të thoshe ti,
po të kërkoje punë,
sipas përvojës që nuk lë njeri në
terr.
E pranoje, si një petale,
që ta pranonin, si një petale,
apo do të thoshe se puthja në
vetvete është asgjë,
që të miratonin me kokë se puthja në
vetvete është asgjë,
apo se puthja ka ardhur pas pyjeve
të djegura
e të përvëluara nga zjarri,
që mijëra vjet më parë,
por që mund të dilte gjatë
intervistës bllof.
Një tundje miratuese koke, ose një
dështim,
ose një mëdyshje e madhe kur puthja
quhet,
e ardhur si forcë shkëmbi ose kuje,
të cilat bota i njëson,
a mund ta përkeqësonte apo ta
përmirësonte më tepër,
gjendjen tënde ekonomike, kredinë e
madhe,
të puthjeve edhe më të mëdha.
Pyete puthjen vetë çfarë ka parë,
këtë copë të mbetur qindramijëravjeçare,
që edhe një tjetër të paktën,
puthjen, ta ketë një copë të mbetur
mijëravjeçare.
Por mos i beso, torollakët,
që pyetjen për puthjen thonë mos e
beso,
No comments:
Post a Comment