Timo Mërkuri
POETI ME
FLATRA
I-Duke
lexuar poezinë e Preng Maca “Flatrat” kushtuar poetit Agim Spahiu mu kujtua legjenda
e Dedalit dhe Ikarit, babë e bir, që të mbajtur rob nga Minotauri në
labirinthin e tij të famshëm, për të shpëtuar
ndërtuan krahë si të zogjve dhe u ngritën në fluturim, por Ikari, si një
djalosh pa përvojë, duke ju gëzuar lirisë së fituar papritur dhe i lumturuar që mund të fluturonte, duke bërë lojra
fluturimi në ajër ju afrua së tepërmi diellit, rezet e të cilit aty lart ishin shumë më të ngrohta dhe e
shkrinë dyllin me të cilin ishin ngjitur krahët. Djaloshi fatkeq ra në det, ku
u mbyt dhe më as ati i tij Dedali, i dëshpëruar kërkoi vetë vdekjen
duke u rrëzuar e copëtuar mbi shkëmbinj dhe nga gjithë ky rebelim na ka mbetur
kjo legjendë dhe emri Ikar i detit që përkujton jo aq birin fatkeq se sa mitin
e tyre.
Këtë
ngjarje të njohur nga mitologjia greke e kemi parë si një metaforë të rrezikut
të synimit dhe kërkimit të lirisë përmes shpirtit krijues, por sot shohim se na
jep një qasje origjinale me poezinë “Flatra” të poetit Preng Maca, bazuar
kryesisht te ideja e përbashkët dhe elementët e përdorur në poezi me ngjarjen
mitologjike. Në qoftë se do shqyrtojmë qasjen e mundshme do kishim këto elementë:
Dedali ndërton krahë
prej druri për të fluturuar e për të shpëtuar nga robëria (labirinthi) dhe si
një mjeshtër druri që ishte ndërton krahë për të fluturuar si zogjtë, ku krahët
shihen si një formë e shprehjes artistike të dëshirës për liri por dhe pasionit
të krijimtarisë, simbolizuar nga flatrat në poezi, por ndryshe nga Dedali që i
ndërtoi, poetit i mbinë vetvetiu krahët (taalenti, frymëzimi etj), duke qënë
pjesë organike e qënies së tij (shpirtërore)si poet. Në këtë kontekst,
fluturimi mund të interpretohet si liria e shprehjes dhe krijimit.
Ikari, i
entusiazmuar, fluturon shumë lart dhe afrohet diellit, moment ku që shihet si
shprehje e një suksesi të pasigurt dhe një ambicjeje e pashtershme që po
përballet me rreziqe të mëdha, ku në poezi këtë moment rrezikshmërie deri në
humbje të jetës, poeti e paraqet nëpërmjet një sërë imazhes, e metaforash: “
kur t’i kesh ato flatra duhet t’i
fshehësh,/ndërsa përpiqesh t’i fshehësh ato dhembin,/ pastaj ti do të jesh në
një dhembje të vazhdueshme , të padurueshme./do të kërkosh ndoshta më pas që
t’i presësh” me të cilat e paralajmëron poetin “Ikar” , Agim Spahiun, i cili
pati fatin që të “mos rrëzohej” në det, por dhe fatkeqësinë që të mos e gëzonte
për shumë kohë fluturimin..
Nxehja e diellit dhe
shkrirja e dyllit që lidhte krahët e Ikarit simbolizonë rrezikun dhe pasojat e fluturimit, duke shfaqur ashpërsinë
e sfidave që vijnë me një kërkim për liri, që në poezi shprehet te vargjet: “A
e di?/Nëse do t’i presësh /ti do të vdesësh”.
Në përgjithësi, kjo
qasje duhet të interpretohet si shqyrtim
mbi tensionin midis dëshirës për liri dhe sfidave që vijnë me këtë dëshirë në
kontekstin e veprës së Dedalit dhe Ikarit dhe poezisë "Flatrat".
II-Nëse
shohim poezinë
"Flatrat" nga Preng Maca në kontekstin e një rebelimi ndaj shtetit
monist dhe e krahasojmë me mitin e Dedalit, nuk mund të mos vërejmë disa
ngjashmëri dhe elementë simbolikë të përbashkët. Le ta shohim në këtë qasje:
Labirinthi i
mitologjisëë greke përfaqëson kufizimet dhe vështirësitë që viheshin nga shteti (monist) ndaj aspiratave dhe dëshirave
për liri të shtetasve përgjithësisht dhe poetëve
veçanërisht. Në këtë kontekst, flatrat në poezi mund të interpretohen si
simbol i shpirtit krijues dhe imagjinatës që është nën kërcënim nga kufizimet
dhe censura e shtetit monist.
Dedali, duke ndërtuar
krahë prej druri, dhe Ikari duke fluturuar drejt lirisë të shihen si figura të
rebelimit që përpiqen të shpëtojë nga kufizimet dhe të qenurit rob të
Minotaurit, ose në kontekstin tonë, rob të shtetit monist.
Ngritja e Ikarit
lart, pranë diellit duke qeshur e lozur në ajër shfaq entusiazmin (ëndërrat me
krahë) dhe mosnjohjen e rrezikut (shkrirja
e dyllit) dhe pasojave të mundshme të përpjekjeve për të kapërcyer kufizimet.
Kjo është një metaforë për rrezikun dhe sfidat që përcjellin krijimtarinë dhe
rebelimin ndaj një shteti monist.
Në poezi, flatrat
përfaqësojnë ndjenjat, imagjinatën dhe shpirtin krijues të poetit, të cilat të
fshehur nga sytë e autoriteteve dhe censurës, shfaqen si një formë e rebelimit,
një përpjekje për të tejkaluar kufizimet dhe censurën të imponuar nga shteti
monist.
Në këtë kontekst, shohim
se poezia dhe miti kanë temë të
përbashkët rebelimin ndaj kufizimeve dhe përpjekjeve për të arritur lirinë dhe
shparehjen e lirë artistike, ku u duhet
të ballafaqohen me kërcënimet dhe pasojat e revoltës së tyre kreative kundër
një sistemi të caktuar.
III- Poezinë "Flatrat" poeti Preng Maca jka kushton poetit Agim
Spahiu dhe e ka shkruar me shumë dashuri e ngrohtësi shpirtërore, sa që të
krijohet përshtypja se ata të dy do kishin qenë miq të ngushtë. Sigurisht do
befasohesisht po tju thoshja se ata të dy nuk ishin njohur në asnjë rast, nuk
ishin takuar kurrë fzikisht, i vetmi takim i tyre ka qënë shpirtëror, në
planetin e poezisë. Kjo është arsyeja që portretizimi poetik që Maca i bën
Spahiut është portret shpirtëror, ngrohtësia e të cilit dëshmon talentin poetik
të poetit Maca dhe botën e tij të pasur. Sigurisht që një poezi e tillë plot me
ndjenja i takon denjësisht poetit Agim Spahiu, talenti i të cilit jo vetëm që e
ngriti atë në qiellin poetik, por dhe e
shpëtoi atë shpirtërisht nga robëria e censurës. Unë e kam njohur Agim Spahiun
gjatë kohës që kam qenë me punë në Helshan të Kukësit në vitet ’80, një djalë i
bukur, me baluke të gjata, krehur gjysëm anash mbi ballë, që gjithnjë ishte me
një trishtim të hollë në sy, si pasojë e goditjeve të njëpasnjëshme që i bënin
strukturat mediocre të partrisë dhe të shtetit. Unë nuk e di për rrethet e
tjera, por di që organet e partisë dhe të shtetit në Kukës “shkrofëtimin” dhe “u vente dora në kobure porsa dëgjonin fjalën
poet”. Më kujtohej që në një nga takimet tona, (më saktë në një bashkëudhëtim
me këmbë nga fshati Tregtan gjer te kthesa e fshatit Fajza, ku unë u ktheva për
të bujtur atë ditë te Met Dervishi dhe Flora Gjondeda ndërsa ai vijoi rrugën për
në Krumë) biseda solli dhe zhurmën që bënin
organet e rrethit për një manjetofon që poeti kishte siguruar, thua se ishte një
vepër e ndaluar. Agim Spahiu ka vuajtur shumë në përndjekjen që i bëhej, ku
ngado që të kthehej do shihte si lartësoheshin rreth tij muret e labirinthit
monist, por ai “nxorri” flatrat e talentit të tij poetik për të fluturuar jo
vetëm mbi muret e këtij labirinthi, por edhe të kohës, duke hyrë në epokën e re
shumë vite para se të rrëzoheshin “muret e Berlinit” shqiptar. Prandaj është e
bukur qasja me Dedalin dhe Ikarin në funksion të kohës moniste, ku ai, ndonëse
ju afrua shumë “diellit” nuk u rrëzua, pasi flatrat nuk i kishte të ngjitur me
dyll, por i kishte pjesë të organizmit të tij (poetik).
Unë dua të besoj që
poeti Maca ka patur parasysh këtë qasje mitologjike kur e krijoi poezinë me
metaforën e flatrave, kjo dhe për faktin se poezia ka një shtrat mitologjik në
strukturën artistike të saj, ku:
Flatrat janë metaforë e fuqishme për ndjenjat, shpirtin
artistik dhe imagjinatën që janë realisht të kufizuara nga regjimi, ndaj themi
se përdorimi i flatrave si metaforë është element kyç i poezisë. Flatrat
shërbejnë si një figurë simbolike që përfaqësojnë përpjekjet për liri dhe
shprehje artistike, të cilat mund të jenë nën kërcënimin e kufizimeve dhe
censurës, ku vargu "Sa fatkeq je o
njeri... një flatrambajtës si ti!" ndërsa sugjeron një vlerësim të lartë
për poetin si një rebel kundër kufizimeve dhe një shpallje e aritjes së lirisë
së tij artistike, shpall njëkohësisht edhe
mundin e përpjekjet e tij për të mposhtur pengesat pse termi
“flatrambajtës” tingëllon si “flamurmbajtës”) . Përdorimi
i "tokësorëve" gjithashtu është
një metaforë për shoqërinë e zakonshme dhe kulturën masive. Duke e paraqitur
poetin Spahiu si diçka më shumë se një "tokësor," poeti Maca pohon dallimin a poetit (Spahiu) ndaj
masës dhe zakoneve të vendosura nga shoqëria.
Përdorimi i imazheve
poetike, si dhembja e vazhdueshme dhe fluturimet në ëndrra, ndihmon në krijimin
e një pasqyre vizuale dhe thelbin e poezisë, duke kontribuuar në forcimin e
ndjenjave dhe ideve të shprehura në poezi.
Nëse shohim flatrat
si shpirt krijues, ato personifikohen si një forcë ose entitet që ka veti dhe
veprime njerëzore.
Pra,e parë në gjerësinë
e saj, poezia mund të quhet një vepër
metaforike dhe simbolike, pasi shfrytëzon këto teknika letrare për të shprehur
mesazhet dhe ndjenjat e saj në mënyrë të veçantë.
IV- “Flatrat” e
poetit Prenga Maca është një poezi e shkruar me dashuri dhe adhurim për poetin
Agim Spahiu. Në këtë interpretim përmban
disa elementë dhe vargje që e shprehin në mënyrë të dukëshme këtë ndjenjë të
autorit. Kështu : titulli i poezisë: "Flatrat" tregon se poezia është
dedikuar poetit Agim Spahiu, fakt që në
vetvete shërben si një indikacion i ndjenjave të veçanta, vlerës së krijimeve të
Spahiut dhe dhimbje për vuajtjet e tij në diktaturë, si dhe ndikimit që poezia
e tij ka patur mbi poetin Maca.
“Më trishtove kur më
the, se të kanë dalë flatrat” , një varg i bukur poetik, i cili kuptohet si një reagim emocional ndaj titullit
të bukur të gjetur prej vetë poetit Maca, por tëshprehur si një njoftim i
Spahiut. Realisht poezia ka formën e një bisede miqsh me tone të ulëta, thua se
druhen mos i dëgjon dikush, duke sjellur në sfond një kohë tjetër
Vargu “...dhe me
fluturime i sheh ëndrrat” sugjeron se poeti Spahiu shihet si një burim i frymëzimit
dhe shpirtit artistik, pasi fluturimet dhe ëndrrat janë simbole të lirisë dhe
imagjinatës krijuese.
“Sa fatkeq je o njeri...
një flatrambajtës si ti”, varg mund të konsiderohet si një përsiatje dhe
vlerësim i lartë për poetin Spahiu, ku përdorimi i "flatrambajtës"
mbart konotacionin e një titulli me rëndësi (flamurmbajtës) dhe interpretohet
si një shprehje e lartësimit të poetit.
Vargjet: “A e di?
Nëse do t’i presësh, ti do të vdesësh” shfaqin një ndjesi tragjike dhe mund të interpretohen
në mënyrë të ndryshme: si një paralajmërim për një lloj sakrifice apo vuajtje
që poeti mund të përjetojë në rast dorëheqjeje nga krijimtaria poetike, për të
cilën aq shumë i është sugjeruar Agim Spahiut në monizëm, për të mos u
përndjekur. Unë ju them se organet në Kukës kishin shumë frikë nga poezia e
Agim Spahiut (dhe jo vetëm), është kjo frikë e tyre që çoi në masa të ashpra ndaj
poetëve të tjerë. Në Kukës, në kohën e monizmit i ishte shpallur luftë poezisë.
Te vargu “...Miku im
të lutem ruaju” fjala "lutem" përforcon ndjenjën e thirrjes dhe
kujdesit ndaj mikut Spahiu,, fjala “ruaju”
ishte një këshillë që ja jipnin poetit gjithë miqtë e tij të sinqertë, ndërkohë
vargjet: “Kur t’i kesh ato flatra duhet t’i fshehësh, ndërsa përpiqesh t’i
fshehësh ato dhembin” sugjerojnë një ndjeshmëri dhe dhimbje të padurueshme që shoqëron shpirtin
krijues të poetit Maca, (i cili spostohet në kohën e poezisë) për mikun e tij,
pse flatrat, si simbol i imagjinatës dhe lirisë, duhet të mbahen dhe fshihen
për të shmangur pasojat e njohura nga kufizimet dhe censura.
Është pikërisht
dashuria vëllazërore mes dy poetëve që i sugjeron Macës vargjet :”...pastaj ti
do të jesh në një dhembje të vazhdueshme, të padurueshme. do të kërkosh ndoshta
më pas që t’i presësh” , vargje që
shfaqen si një parashikim i mundshëm i sfidave dhe vuajtjeve që mund të
përjetojë poeti ( Spahiu) për shkak të përpjekjeve për të mbajtur fshehur
pasionin e tij poetik.
Të tronditin vargjet
profetike:”Do të kërkosh ndoshta më pas që t’i presësh. Por e pamundur o mik i
vlerë! Nëse do t’i presësh, ti do të vdesësh”, të cilat kanë një konotacion
tragjik me fatin e poetëve në monizëm, të cilët sido që të vepronin do kishin një
përfundim të dhimbshëm. Prerja dhe sakrifica mund të shihen si një pasojë e dhimbëshme
e dëshirës së madhe për liri dhe
krijimtari poetike.
Pra, poezia
"Flatrat" shpreh një adhurim dhe dashuri për poetin Agim Spahiu, duke
e konsideruar atë si të veçantë e të vlerësuar mes (krijuesve) tokësorë e
shprehur kjo imazhe të fuqishme, që gati na afrojnë me një shenjtërim të figurës
së mikut të tij poet. Në këto vargje adhurimi dhe dashuria vijnë si dallgë
njera pas tjetrës, duke shpërndarë imazhe që u ngjasojnë stërkalave të detit
mbi shkëmb, ku përthyhen si në prizma drita e na shfaqin një brerore dritësimi mbi
kryet e poetit Agim Spahiu. Kemi pak poezi me kaq shumë dallgë shpirti.
Sarandë, më
Janar 2024
Preng Maca
FLATRAT
(Poetit Agim Spahiu)
Miku im të
lutem ruaju!...
Më trishtove kur më the,
se të kanë dalë flatrat
dhe me
fluturime i sheh ëndrrat!
Është e vështirë të kesh flatra.
(këto gjëra të veçanta më trembin!)
kur t’i kesh ato flatra duhet t’i fshehësh,
ndërsa përpiqesh t’i fshehësh ato
dhembin,
pastaj ti do të jesh në një dhembje
të vazhdueshme , të padurueshme.
do të
kërkosh ndoshta më pas që t’i presësh.
Por e
pamundur o mik i vlerë!
A e di?
Nëse do t’i presësh
ti do të
vdesësh.
Sa fatkeq je o njeri...
mes tokësorëve,
një flatrambajtës si ti!
No comments:
Post a Comment