Timo Mërkuri
EPIDEMIA
DEMOSTENIANA E MUSA RAMADANIT
Qysh
në leximin e titullit “Epidemia e quajtur Demosteniana” e poetit të shquar
kosovar Musa Ramadani sjell në kujtesë oratorin e famshëm të Greqisë antike Demostenin, fjala e të cilit në
Agora të Athinës disa herë i ka dhënë drejtimin zhvillimit historik këtij
qytet-shteti. Në informacion për lexuesin rikujtojmë se: Agora ishte një
hapësirë në qendër të qytetit, që shërbente si treg dhe në ditë të caktuara si
një vend për biseda e debate politike, shfaqjen e ideve, aty bëheshin dhe
ceremonitë shtetërore, ishte vendi ku oratorët mbanin fjalimet e mbronin pikpamjet e tyre apo paraqitnin çështjet që
preknin shoqërinë. Pra, Agora ishte qendra e jetës politike dhe shoqërore në çdo
qytet grek, ndërkohë që në Romë fjalimet
mbaheshin në Senat dhe vendimet shpalleshin publikisht para ndërtesës së tij.
Demosteni
ishte një nga oratorët më të njohur të Athinës së lashtë, i lindur rreth vitit 384 p.e.s. dhe vdekur në
vitin 322 p.e.s. Ai ishte një figurë e rëndësishme në historinë e Athinës dhe
në botën antike dhe u bë i njohur për aftësitë e tij të rralla oratorike dhe
pjesëmarrjen aktive në politikën e qytetit, ku spikatin disa momente në jetën e tij:
Në
fillimet e karrierës së tij politike, Demosteni luajti një rol kyç në politikën
e Athinës gjatë Luftës së Peloponezit (431-404 p.e.s.), një konflikt midis
Athinës dhe Spartës, ku u shfaq si një kundërshtar i fuqishëm i politikës së
Spartës dhe mbrojti politikat e demokracisë Athinase.
Në
historinë e oratorisë ka mbetur i famshëm
"Fjalimi për Harangin" i mbajtur në vitin 338 p.e.s. “Harangi” ishte një ritual i
rëndësishëm në jetën e Athinës së lashtë si një ceremoni nderimi për atletët e
ushtarët që kishin vdekur në betejat për të mbrojtur qytetin. Demosteni përdori
fjalimin për të nderuar trimërinë e heronjve të rënë në luftë dhe ajo që i dha
impuls këtij fjalimi, ishte fakti se ai u mbajt pas një beteje të humbur nga
Athinasit. Ai fitoi lavdi me “filipiket” e tij të vitit 351 p.e.s., një seri
fjalimesh kundër Filipit të II të Maqedonisë, i cili përpiqej ta pushtonte Greqinë duke përdorur gjerësisht tradhëtinë
brenda grekëve. "Përgjigja kundër Aiskhinesit" është një tjetër
fjalim mbajtur në vitin 330 p.e.s. ku akuzoi Aiskhinesin (një politikan i kohës)
për korrupsion dhe tradhëti në bashkëpunim me Fiilipin II të Maqedonisë, duke e
quajtur atë një kërcënim për shtetin.
Duhet
të shtojmë se Demosteni veç lavdisë përjetoi dhe ndëshkime zyrtare, të
dirigjuara nga kundërshtarët e tij për shkak të pjesëmarrjes së suksesëshme në
politikë e qëndrimeve të tij demaskuese. Kështu: ai u dëbua (internua) nga
Athina në vitin 323 p.e.s. kur menjëherë pas vdekje së Aleksandrit të Madh në
vitin 323 p.e.s. ai u akuzua, bazuar në një shpifje për bashkëpunim me maqedo-nasit,
pavarësisht se internimi vazhdoi për pak kohë, pasi ai vdiq në vitin 322 p.e.s.
Përjetoi gjoba financiare dhe përpjekje për diskredititim publik, me qëllim njollosjen
e figurës së tij politike e morale, por si gjithmon përgjigjet e tij ishin jo
vetëm brilante si art, por edhe shpartalluese për shpifësit.
I-Pas
kësaj natyrshëm lind pyetja, ç’ne poeti Musa Ramadani përdor metaforën “Demosteniana”
dhe ca më tëpër si cilësim të një “Epidemie”?
Vlen
të dimë se poezia “Epidenia e quajtur Demosteniana”është shkruar në fillim të
viteve ‘80 dhe është përfshirë së pari
në librin “Eugjenika e tri deteve” , botim i “Rilindjes” 1986 ndaj në këtë
kontekst kohor e historik duhet lexuar.
Koha
kur u shkrua kjo poezi ishte Kosova e vitit ‘80, që, e traumatizuar nga dhuna
serbe kishte nisur lëvizjen popullore, por hapat që duheshin hedhur për të
mbritur në një kurorëzim të saj, kishin nevojë për fjalën dhe vizionin e oratorëve
trima, të ditur e të qartë. “Oratorët” që mbinin gati çdo ditë dhe vetëquheshin
“demostenë” ishin më së shumti fjalamanë të tipit të kafeneve, flisnin shumë,
por pa talent, pa dije e vizion, duke i kundërshtuar të gjithë dhe duke u bërë
në këtë mënyrë një pengesë për organizimin popullor. Kosova në atë kohë kishte
nevojë të domosdoshme për një orator e lider vizionar, të nivelit të Demostenit
dhe jo për një mizëri “oratorësh” mediokër që poeti i përafron me viruset.
Kritika e autorit është ndaj kësaj "epidemie", duke sugjeruar se një
prirje e tillë për të folur dhe shkruar pa kuptim e ide të qarta, mund të çojë
në humbje të vlerave të vërteta misionit të fjalës oratorike, të shprehjes së
mendimeve dhe organizimit në një qëndrim të përbashkët, si ai që realizonte
Demosteni sa herë që Athina ishte në rrezik. Ramadani sugjeron se është e rëndësishme
të bëhet dallimi mes dëshirës së thjeshtë për të folur dhe aftësisë reale për
të shprehur veten në mënyrë që të sjellë vlerë e kuptim për audiencën. Në këtë
aspekt, poezia thekson nevojën për një reflektim më të thellë dhe një qasje më
të kujde-sshme ndaj komunikimit tonë në kohën moderne. Në qoftë se do shohim
dhe Jugosllavinë e asaj kohe, kjo epidemi kishte përfshirë çdo aspekt të jetës
politike dhe ekonomike, por unë duke hedhur shikimin në Shqipëri, ku “demostenët” e vegjël të kohs,
nën statusin e funksionarëve të partisë
shtet e kishin ndikuar në rritjen e shkallës së infektimit prej kësaj epidemie
në çdo qelizë të jetës shoqërore e ekonomike. Punonjës e funksionarë partie me
shkollë të mesme u mbanin leksione specialistëve të diplomuar nëpër
universitetet europiane dhe të vendit, madje duke u kërkuar që ti konspektonin
fjalët e tyre. Formalizmi ishte zoti i jetës së kohës. Më sipër thamë se poeti
e mori shkasin nga situate kosovare e viteve ’80, por talenti i tij e krijoi këtë
vepër poetike të tillë që ti përkiste, jo vetëm Kosovës por dhe shumë vendeve europiane,
madje edhe kohëve të sotme. Kjo tregon se si talenti kapërcen vende dhe epoka.
II-Poeti Musa Ramadani sigurisht e ka
njohur aktivitetin oratorik të
Demostenit dhe jo më kot poezinë e ka qasur te ky emër historik , pavarësisht
se duhet të themi se poezia "Epidemia e quajtur Demosteniana" ka
synuar fillimisht të shprehë një kritikë ndaj shoqërisë kosovare të kohës për
humbjen e pozivitetit
dhe vlerave në komunikimin e shkëmbimin e ideve me interes të gjerë, duke folur
e dalur si turmë. Kosovës atëherë i duhej lideri, jo turma, asaj i duhej masa e
mirëorganizuar dhe e drejtuar nga ky lider, të cilin koha do e sillte së shpejti
te tribuni vizionar Ibrahim Rugova.
Shpjeguam
se titulli "Epidemia e quajtur Demosteniana", i referohet metafori-kisht
epidemisë ku këtu ka patur parasysh maninë e një sërë individësh, që të vetëvlerësuar
“demostenë” flisnin duke ju imponuar të tjerëve, por që shoqëria i cilësonte si
“fjalamanë”të sëmurë nga pa aftësia për të folur e shkruar me ndikim e
kuptimshmëri masive. Duke qenë se Demosteni, ishte një prej oratorëve më të
njohur të Greqisë së lashtë, i cili kishte një aftësi të madhe bindëse dhe vizion
të qartë, qasja me emrin e tij për ca “fjalamanë”tingëllon si një tis ironie
hedhur mbi vargje.
Poezia nis ironikisht
me një kujtesë historike, ku autori prezanton një kohë kur njerëzit nuk e
kishin aftësinë për të shkruar ose folur, dhe se për këtë arsye do të shpallnin
të çmendur një person që dinte të fliste dhe të shkruante, sipas parimit që “në
fshatin e budallenjve, çdo i ditur quhet budalla”: ”Njëherë, dikur , kaherë,
kushedi se kur/ Kush dinte të shkruajë s'dinte të flasë/E kush dinte të flasë
s'dinte të shkruajë”duke krijuar një kontrast midis një kohe të largët dhe
situatës së vitit 1986 (shekulli XX) në Kosovë. Me këtë metaforë, Ramadani
kritikon mungesën e vlerësimit të aftësive të komunikimit dhe shprehjes së mendimeve
në shoqëri, duke nxjerrë në pah kohën ku njerëzit qenë të mbyllur në vetvete,
nuk qenë të gatshëm të dëgjojnë një lider e të komunikojnë me njëri-tjetrin, dhe
pikërisht paralelizmi me fenomenin “Demosteniana” që në vetvete është tepër e
zhurrmëshme,vizionare madje edhe publike, përmban ironinë.
Me cilësimin”Demosteniane”, qëllimi i poetit nuk është të thotë
që të gjithë u bënë si Demosteni, duke mbajtur fjalime të mrekullueshme, por të
shprehë një kritikë ndaj mungesës të shprehjes së mendimeve të qarta e në
mënyrë efektive. Përdorimi i emrit të Demostenit është mënyrë simbolike për të theksuar nivelin e lartë
të aftësisë oratorike dhe vizionare, aq shumë të vlerësuar në shoqërinë antike
greke, që pretendonin oratorët “fjalamanë” pse dihet që fjalimet e Demostenit
ishin të mirëpritura dhe të vlerësuara për aftësinë e tij për të bindur e për
të udhëhequr publikun.
III-Vargjet
"Nuk dihet se si ia nisi
gojëtarisë Demosteni / Vallë nga prirja, mosfrenimi apo nevoja" nuk është
se shfaqin ndonjë interesim të vërtetë mbi origjinën dhe shkakun e aftësisë së
lartë të Demostenit për të folur dhe për të udhëhequr në fjalime. "Përse
Demosteni nisi të fliste?" është një pyetje që tregon indirekt një talent
të jashtëzakonshëm në aftësinë e tij të retorikës, por që këtu vlen si një
sfond në idenë poetike të Ramadanit, gjë që shfaqet e shprehet te vargjet: "Kaluan
ditë, vjet e shekuj paluar në kalendar / Demosteni u harrua, u zhduk sesi
humbi", të cilat reflektojnë mbi natyrën e shkurtër e vlerës së një
personi në histori dhe në kujtesën e shoqërisë.
Duke
lexuar vargjet "Demosteniana u shumëzua deri në shekullin XX / E gjithnjë
e më pak dëgjues më pak ithtarë" shfaqin një zhvillim historik në lidhje
me aftësinë e komunikimit oral, të cilat lidhen me masivitetin në zhvillimet e
shoqërisë, ndërsa me fjalët "E
gjithnjë e më pak dëgjues më pak ithtarë", autori sugjeron që në të
vërtetë, ndërsa ka më shumë njerëz që flasin dhe përpiqen të komunikojnë, ka më
pak njerëz që janë të gatshëm të dëgjojnë dhe të ndjekin atë që tjetri ka për
të thënë, pse secili ka vlerësim më të lartë për veten.
Në
vargjet e fundit, "Njerëzia mbyllin veshët nga fjalamania / Demostenët e
kohës i flasin njëri-tjetrit", poeti bën vlerësimin
për shoqërinë bashkëkohore në Kosovë (dhe jo vetëm), ku sugjeron se ka
një mungesë të përgjegjshmërisë në të folur dhe në të dëgjuar ku. njerëzit janë
kaq të përfshirë në fjalët e tyre, saqë ata "mbyllin veshët" për të mos
dëgjuar çfarë tjetri ka për të thënë. Tashmë oratorët vetëquhen Demostenë, por
populli i quan fjalamanë, dhe vetë ky term tregon zhvlerësimin e fjalës që
flasin.
Në
fakt, përkufizimi i "Demostenëve të kohës" që i flasin njëri-tjetrit mund
të interpretohet në mënyra të ndryshme dhe më të gjera, ku një prej tyre mund
të jetë lidhur me ndryshimet në vlerat dhe idealet shoqërore në kohën tonë në
shek. XXI. Unë do tju
ftoja që ta shohim në kontekstin e sotëm “epideminë demosteniane” ku poezia
mund të interpretohet si një kritikë ndaj kulturës së mediave sociale dhe të
internetit, ku njerëzit janë të shtyrë nga dëshira për të folur dhe shkruar,
duke përdorur platformat e tyre për të shprehur mendimet dhe qëndrimet në
mënyra që shpeshherë nuk janë të mirëformuluara ose të menduara thellë. Niveli
i fjalimeve politike anon drejt vulgariteti, televizionet dhe radiot përdorin
një fjalor mjeran,emisionet e debateve publike në TV janë mbushur me fyerje
personale, mungojnë idetë, vizionet, kultura e të folurit dhe niveli i dijeve.
E parë në këtë kënd interpretimi, mund të themi që shpërthimi i
komunikimit të pavlerë midis njerëzve, për shembull, në formën e fjalëve të
zbrazëta ose që i dinë të gjithë dhe nuk shfaqin interes kur i shqipton tjetri,
mund të jetë rezultat i humbjes së vlerave e idealve të rëndësishme në shoqëri Nëse
shoqëria humbet fokusin nga ideja e përparimit intelektual, moral dhe kulturor
dhe zëvendësohet me një kulturë të materializmit dhe hedonizmit, kjo mund të
sjellë përqendrim më të madh në komunikim të pavlerë dhe të zbrazët, siç shpreh
poeti. Në këtë kontekst, shprehja "Demostenët e kohës i flasin
njëri-tjetrit" mund të përfaqësojë një humbje të lidhjes me vlerat tradicionale
dhe një fokus të shumëtrishtuar në aspektet e tjera të jetës, siç janë konsumi
dhe argëtimi, në vend të shkëmbimit të ideve dhe vlerave të rëndësishme
shoqërore. Pra, ndryshimet në shoqëri dhe në vlerat shoqërore mund të lidhen me
këtë interpretim të vargut, në mënyrë që ajo që dikur ishte një qasje e
respektuar dhe e nderuar për komunikim e shkëmbim të ideve të rëndësishme, tani
mund të jetë zëvendësuar me një formë të pavlerë e të përgjithshëm psh internetit,
e cila reflekton një humbje të theksuar të vlerave dhe idealeve në shoqërinë
bashkëkohore.
IV-Në
poezinë "Epidemia e quajtur Demosteniana" të Musa Ramadanit, aspekti
metaforik i poezisë "Epidemia e quajtur Demosteniana" është thelbësor
për të kuptuar vetë thelbin në poezi, e cila përdor një metaforë të fuqishme
për të shfaqur një realitet shoqëror dhe mendësi kolektive.
Krye-metafora
e poezisë është "Epidemia e quajtur Demosteniana", ku epidemia
simbolizon sëmundjen (virusin, infektimin) e mungesës së aftësisë për të
komunikuar dhe për të kuptuar njëri-tjetrin në një nivel thelbësor. Demosteni,
personazhi që përfaqëson aftësinë për të shkruar dhe për të folur në mënyrë
efektive, është metafora për një kohë kur komunikimi ishte i vlerësuar dhe i
njohur.
Përdorimi
i termave si "Epidemia" dhe "Demosteniana" jep një ndjesi
të një situate të përhapjes të sëmundjes metaforike që artikulohet. Kjo
metaforë e bën poezinë të shfaqë një ndjenjë të thellë të ngjarjeve dhe një
situatë të përhershme që prek shoqërinë.
Poetika
e poezisë së Musa Ramadanit përdor metaforën si një mjet për të krijuar imazhe
dhe për të shprehur ide dhe emocione në mënyrë të përmbledhur dhe të
ngjallshme. Përdorimi i metaforës shton dimension tjetër në interpretimin e
poezisë, duke e bërë atë më shumë se thjesht një përshkrim i ngjarjeve, por një
reflektim më i thellë i realitetit shoqëror dhe psikologjik.
Poezia
përmban edhe metafora të tjera, që ndihmojnë në vlerësimin e kuptimit të temave
dhe mesazheve të saj, ku disa nga këto metafora janë:
Përdorimi
i shprehjes "Njerëzia mbyllin veshët nga fjalamania" është një
metaforë që përshkruan tendencën e shoqërisë moderne për të injoruar apo për të
mohuar problemet dhe sfidat që lidhen me komunikimin dhe mungesën e vlerësimit
të “sëmundjes” së komunikimit.
Përdorimi
i terminologjisë "gjithnjë e më pak dëgjues më pak ithtarë" është një
metaforë që paraqet tendencën e uljes së niveleve të përkushtimit e të kujdesit
ndaj njëri-tjetrit në shoqërinë moderne. Kjo metaforë tregon për një zhvillim
negativ në nivelin e solidaritetit dhe bashkëpunimit shoqëror.
Në
vargjet "Ruajna zot, po të kishte prirje për të dyjat / Do ta shpallnin të
çmendur brenda nate", poezia shpreh një reflektim mbi prirjet dhe nevojat
e njerëzve për të shprehur veten dhe për të kuptuar botën rreth tyre. Kjo është
një metaforë që flet për kompleksitetin e natyrës njerëzore dhe për rrugët e
ndryshme të shprehjes dhe përballjes me realitetin.
Përdorimi
i metaforës në poezinë "Epidemia e quajtur Demosteniana" ndihmon
lexuesin të kuptojë më thellësisht temat dhe mesazhet që autorit i interesojnë
të shprehë. Metaforat shërbejnë si mjet për të përforcuar imazhet dhe për të
shtuar dimensionin estetik dhe simbolik të poezisë, duke e bërë atë më të pasur
dhe më thellë në përmbajtje. Nëpërmjet këtyre metaforave, lexuesi bëhet në
gjendje të lidhë më thellë me përvojën dhe mesazhin që poezia përmban.
Simbolika
në poezinë "Epidemia e quajtur Demosteniana" është e veçantë dhe i përshtatet
thelbit të poezisë, ku:
Simbolika
e Demostenit përfaqëson aftësinë për të komunikuar dhe shprehur veten në mënyrë
efektive. Ai gjithashtu është simboli i një kohe kur komunikimi dhe shprehja
ishin të vlerësuar në shoqëri. Përtej kësaj, Demosteni simbolizon dhe shpresën
për një lidhje të thellë njerëzore dhe për një kuptim më të thellë të
njëri-tjetrit.
Simbolika
e epidemisë përfaqëson sëmundjen sociale të mungesës së aftësisë së njerëzve për të komunikuar dhe për të
kuptuar njëri-tjetrin në një nivel thelbësor. Kjo simbolizon një krizë në
shoqëri, ku lidhjet njerëzore janë të dobëta dhe mungon solidariteti dhe
mirëkuptimi.
Në
poezinë "Epidemia e quajtur Demosteniana", simbolika e prirjeve
njerëzore është e rëndësishme, pse prirja për të shkruar e për të folur është
tema kryesore e poezisë. Simbolika e prirjeve njerëzore përforcon idenë e
nevojës së njeriut për të shprehur veten dhe për të qenë në lidhje me të
tjerët.
Mbyllja
e veshëve është një simbolikë që dëshmon për mungesën e dëgjimit dhe vëmendjes
ndaj komunikimit e nevojave të njëri-tjetrit, ku njerëzit mbyllin veshët për të
mos dëgjuar, për të mos ndjekur, dhe mos kuptuar problemet dhe nevojat e
njëri-tjetrit.
Pra,
simbolika në poezinë "Epidemia e quajtur Demosteniana" shërben për të
thelluar mesazhin dhe për të paraqitur një portret të thellë të shoqërisë së
sotme dhe sfidave të saj në lidhjet njerëzore dhe komunikimin. Kjo simbolikë
jep një dimension të shtuar emocional dhe intelektual në interpretimin e
poezisë, duke e bërë atë më të pasur dhe më të thellë në përmbajtje.
Poezia
"Epidemia e quajtur Demosteniana" përmban imazhe të forta dhe
personifikime që e pasurojnë përmbajtjen e poezisë dhe lejojnë lexuesin të
lidhet me temat e mesazhet e shprehura në poezi.Kështu:
Epidemia
është personifikuar si një entitet i veçantë, që përhapet dhe shkakton ndikim
në shoqëri. Ky personifikim e bën epideminë të duket si një forcë e pavarur që
drejton ngjarjet, që është e pranishme dhe aktive në jetën shoqërore.
Demosteni,
si personazh i poezisë, është personifikimi i aftësisë së komunikimit dhe të
shprehjess së vetes. Përmes personifikimit ai përfaqëson një figurë njerëzore
me karakteristika dhe fuqi të jashtëzakonshme komunikimi.
Edhe
pse nuk është një personifikim në kuptimin e vërtetë të fjalës, imazhi i
veshëve të mbyllura personifikon njerëzit që refuzojnë të dëgjojnë e të
kuptojnë, duke i dhënë një natyrë njerëzore një dukurie të qartë dhe të perceptueshme.
Fjalamania
është personifikuar në mënyrë të tillë që bën të duket sikur është një fuqi që
i bën njerëzit të mbyllin veshët dhe të refuzojnë të dëgjojnë njëri-tjetrin,
duke përforcuar idenë e një epidemie sociale që prek shoqërinë.
Pra:
përmbajtja dhe struktura e
kësaj poezie përdor efektivisht
elementet meta-forike, simbolike dhe imazhiste, madje dhe psikologjike e
filozofike për të shprehur një mesazh të thellë mbi mungesën e komunikimit dhe
vlerësimit të tij në shoqërinë modern, ku kombinimi i këtyre elementeve bën që
poezia të jetë e pasur e interpretueshme në shumë mënyra për lexuesin.
V-Poezia "Epidemia e quajtur
Demosteniana" e poetit Ramadani reflekton duke u fokusuar në aspektin
psikologjik të shoqërisë, duke shfaqur poetikisht disa aspekte psikologjikë që
identifikohen në analizën e saj:
Poeti shpreh një ndjenjë të
frustrimit dhe zhgënjimit ndaj situatës politike dhe shoqërore. Kjo ndjesi e
zhgënjimit dhe frustrimit shfaqet nëpërmjet ironizimit të pretendimeve të një sërë
individësh për pasjen e aftësive të një lideri të madh si Demosteni dhe
shprehet te vargjet:”Nuk dihet se si ia nisi gojëtarisë Demosteni / Vallë nga
prirja, mosfrenimi apo nevoja".
Në
poezinë "Epidemia e quajtur Demosteniana", pothuajse shpaloset një
ndjenjë e mungesës së liderëve të vërtetë dhe të fuqishëm në shoqëri. Njerëzit
janë të shqetësuar për mungesën e liderëve që mund të udhëheqin dhe frymëzojnë në një kohë të vështirë, mungesë që
shkakton një ndjesi të përgjithshme të pasigurisë dhe mosbesimit në të ardhmen.
:“ Kaluan ditë, vjet e shekuj
paluar në kalendar/Demosteni u harrua, u zhduk sesi humbi",.
Poezia
shpreh dëshirën për ndryshim e përparim në shoqëri. Në çdo kohë njerëz përparimtarë
kërkojnë ndryshime politike e shoqërore për të përmbushur aspiratat e tyre dhe
në këtë funksion poezia shpreh dëshirën
për një lidership më të mirë dhe më të fuqishëm, i cili të sjellë ndryshime
pozitive në shoqëri dhe
jo një tufë “virusesh” fjalamanë.
Në
një kohë të vështirë politike dhe shoqërore, ndër njerëzit mund të ketë një
ndjenjë të thellë solidariteti dhe përkrahjes reciproke. Kjo mund të shfaqet
nën ndjenjën e përjetuar se të gjithë janë në të njëjtën anije dhe përballen me
sfida të përbashkëta. Në këtë kontekst, poezia mund të shprehë nevojën për
unitet dhe bashkëpunim për të përballuar sfidat kolektive, madje edhe duke
ironizuar disa dukuri negative. Pasazhi: "Njëherë, dikur, kaherë, kushedi
se kur / Kush dinte të shkruajë s'dinte të flasë / E kush dinte të flasë
s'dinte të shkruajë" përfaqëson një lloj humori dhe mospërputhjeje në
shoqëri e mund të interpretohet si një
thirrje për bashkëpunim dhe mbështetje reciproke, duke treguar se në kohën e
vështirë, njerëzit mund të kenë nevojë për të mbështetur njëri-tjetrin
pavarësisht mungesës së aftësive të tyre. Kjo përshtatet me idenë e
solidaritetit dhe bashkë-punimit nëpërmjet sfidave të përbashkëta.
Në
përgjithësi, aspekti psikologjik i poezisë "Epidemia e quajtur Demosteniana"
ndihmon të shpalosë ndjenjat dhe emocionet e njerëzve në një kohë dhe situate të
caktuar për ndryshime dhe zhvillime shoqërore. Duke e kuptuar në këtë kontekst,
mund të shohim se poezia reflekton një ndjenjë të përgjithshme të mosbesimit në
drejtimin actual dhe nevojën për ndryshim në shoqëri. Këto aspekte psikologjike
të shprehura në poezinë "Epidemia e quajtur Demostenia-na" e bëjnë atë një shprehje të thellë e ndjenjave
dhe emocioneve të shoqërisë në çdo kohë. Në një periudhë të vështirë dhe të
pasigurt, poezia mund të ofrojë një mënyrë për t'i shprehur dhe për t'u
identifikuar me ndjenjat kolektive dhe përvojat.
Këto
aspekte e bëjnë poezinë e Musli Ramadanit jo vetëm të arirë artistikisht por
dhe të plotësuar psikologjikisht, duke e prurë si një poezi të realizuar në
mënyrë mjeshtërore nga një poet i madh, duke e prezantuar si një ftesë për
zgjidhje të lidershipit, zgjidhje që e solli koha në vitin 1989 .
Sarandë, më 27 janar
2024
Musa
Ramadani
EPIDEMIA
E QUAJTUR DEMOSTENIANA
Njëherë, dikur,
kaherë, kushedi se kur
Kush dinte të
shkruajë s'dinte të flasë
E kush dinte të flasë
s'dinte të shkruajë
Ruajna zot, po të
kishte prirje për të dyjat
Do ta shpallnin të
çmendur brenda nate
Nuk dihet se si ia
nisi gojëtarisë Demosteni
Vallë nga prirja,
mosfrenimi apo nevoja
Kaluan ditë, vjet e
shekuj paluar në kalendar
Demosteni u harrua, u
zhduk sesi humbi
Po sëmundja e tij u
përhap nëpër botë
Demosteniana u
shumëzua deri në shekullin XX
E gjithnjë e më pak
dëgjues më pak ithtarë
Njerëzia mbyllin
veshët nga fjalamania
Demostenët e kohës i
flasin njëri - tjetrit
Njëherë, dikur,
kaherë, kushedi se kur
Kush dinte të
shkruajë s'dinte të flasë
E kush dinte të flasë
s'dinte të shkruajë
Ruajna zot, po të
kishte prirje për të dyjat
Do ta shpallnin të
çmendur brenda nate
( faqe 259 )
No comments:
Post a Comment