Monday, 13 January 2025

 

DIALOGU I FUNDIT

Nga Timo Mërkuri

E kam lexuar dikur poezinë "Të kujtohet? e  Luan Ramës, e cila më ka lënë një trazim në ndërgjegje, por pa e ditur se pse e qysh. Poezitë që më ngacmojnë kështu unë i rilexoj detyrimisht, por s'di pse si rrallëherë këtë e kalova në harresë gjersa sot në prag mesnatë kujtesa e fb ma ripruri si  për vit të ri. E lexova me nge përsëri poezinë  e cila në thelbin e saj përçon një ndjenjë  introspeksioni dhe melankolie përmes një detaji, një momenti të ndjeshëm midis dy bashkëshortëve të moshuar. Ajo shfaq një natë të qetë vere ku dialogu i tyre nxjerr në pah një plagë të së kaluarës, tradhëtinë e (mundëshme të) bashkëshortit një natë, ndoshta në rini apo në fillim të jetës së përbashkët.

1. Në thelbin e saj, poezia trajton kujtesën për të vërtetat e pathëna, të fshehura , si plagë të turpshme dhe dhimbjet e tyre, mbetur pezull. Gruaja, e shtyrë nga një kujtim, i tregon burrit ankthin që ka përjetuar dikur, duke e kërkuar atë nëpër qytet, në shi dhe në erë, me një lutje të pazakontë: "lusja Zotin të ishe me një grua tjetër, të ishe gjallë." lutje që përvijon frikën njerëzore për humbjen e njeriut të dashur, ku edhe tradhtia bashkshortore shfaqet (lejohet, justifikohet)si shpëtim. E vërteta e burrit, e thënë me thjeshtësi prej tij: "Po… isha me një grua," shfaq një tjetër dimension të konfliktit, ku ndjenja e fajit zbehet përballë kohës (dhe rrezikut të mundshëm) të vdekjes. Çuditërisht qysh në leximin e parë më pati lindur mendimi se burri diku tjetër, në një rrezik të mundshëm real ka qenë, por pranon fajin e tradhëtisë, (të pakryer)për mos t'a ringjallur ankthin e gruas për rrezikun që ka përballuar. Të vërtetën nuk do t'a marrim vesh, por çfarë rëndësi ka sot ajo e vërtetë, ata jetuan dhe janë ende bashkë në këto momente të praggjumit të pambarimtë.

2. Mjeshtërisht poeti ndërthur simbolika të fuqishme për të krijuar një atmosferë ku ndërthuren jeta dhe vdekja tepër natyrshëm. "Pragu i natës së gjatë" shpreh afrimin e fundit të jetës, që çifti duket se e pranon pa rezistencë. Me siguri ata e kanë jetuar jetën e tyre dhe tashmë e ndjejnë se është koha të ikin, sado e trishtueshme të jetë kjo, por ja që gruas nuk i ikën meraku i asaj nate, ndodhur ndoshta në një jetë tjetër të largme, por ama e ndodhur, e cila i ka mbetur si një gozhdë në shpirt, nga ato gozhda që shpesh marangozët i harrojnë ti heqin, kaq të pavlefshme janë dhe as që duken fare në objekt, pavarësisht se aty janë. Pse janë aty dhembin herë pas herë, siç dhemb në kohë me shi plumbi i mbetur në trup. Ndaj quhen plagë që dhembin ende dhe dhëmbin në shpirt më shumë se në trup. Turtulleshat " që do marrin rrugët e qiellit" të krijojnë një ndjesi  përjetësie, përballë përkohshmërisë së jetës së tyre tokësore.

3. Poezia ka një gjuhë të thjeshtë dhe emocionale, e cila krijon një tension (të heshtur). Dialogu është i përmbajtur, si mësim nga jeta, por shkëmbimi i fjalëve është një dritare  prej nga shihet një botë ( e brendshme) me plagë. Vargjet si "Heshtja rëndonte plumb" apo "zemrat një mbi një, me plagët që rridhnin ende" krijojnë një ritëm të ngadaltë që pasqyron gjendjen emocionale të personazheve. Shtojmë se pikërisht kjo ngadalësi është një mjet i fuqishëm artistik, që i jep lexuesit kohë për të përjetuar dhe reflektuar mbi dramën.

Në thelb poezia "Të kujtohet? shfaq dashurinë si  përvojë që përtej kohës dhe hapësirës, ku plagët e së kaluarës dhe e vërteta e pathënë bëhen pjesë e një ballafaqimi të fundit. "Dhe ata iu ngjitën njëri-tjetrit, / sytë përballë, / krahët mpleksur, / zemrat një mbi një," një skenë që mbyll me qetësi një jetë me dashuri, vuajtje e pajtim. Në këtë akt të fundit të intimitetit, ata ndajnë heshtjen si  formë më të lartë të dialogimit, duke pritur agun që "s’donte të zbardhte më." Të lind dëshira t'u afrohesh dhe t'u bësh qoftë dhe një shërbim të thjeshtë, t'u ngresh batanijen psh apo t'u rregullosh jastëkun dhe të dëshirosh që kështu të të gjejë gjumi që nuk mbaron.

II- Që kjo poezi është e veçantë, këtë askush nuk e ve në dyshim, por pyetja është: Ku qëndrojnë veçantitë e saj? Së pari veçantitë e saj qëndrojnë në ndërthurjen unike të një stili minimalist në një poezi me shtrat poeme, dhe emocionalisht tepër të ngarkuar si dhe në fokusin e saj mbi dimensionet njerëzore dhe ekzistenciale të jetës. Krahasuar me poezi të tjera, ky krijim dallon për disa aspekte të spikatura:

1. Narrativa dramatike e poezisë zhvillohet përmes dialogut. Ndryshe nga shumë poezi që përdorin përshkrime ose introspeksion të drejtpërdrejtë, Luan Rama zgjedh dialogun si mjetin kryesor të zhvillimit të fabulës. Biseda midis burrit dhe gruas shfaq një histori të tërë brenda disa fjalive të thjeshta, duke krijuar një poezi që lexohet e përjetohet si dramë intime. Kjo qasje është e pazakonshme në poezinë tradicionale dhe moderniste shqiptare, e cila shpesh fokusohet te rrëfimi lirik.

2. Rama përdor një gjuhë të kursyer, një stil minimalist, ku çdo fjali dhe figurë bart një ngarkesë të madhe emocionale e simbolike. Ky minimalizëm stilistik i shërben intensitetit emocional dhe i lë hapësirë lexuesit të interpretojë dhe të përjetojë (vetë ai) ngjarjen dhe emocionet e saj. Ndryshe nga poezi të mbushura me figura stilistike dhe ndërlikime apo fragmentime stilistikore, kjo poezi zgjedh të jetë e qartë, intime dhe e prekshme.

3. Poezia vendos ngjarjet në një moment përfundimtar të jetës, thua se është llogaria e fundit që duhet të lahet. Interesant është se Rama e trajton me një qetësi filozofike, por ne ndjejmë peshën e madhe të saj që ka rënduar për gjithë jetën në shpirtin e gruas. Tradhëtia, edhe si mendim mbetet tradhëti dhe në mos vret, plagos të tradhëtuarin. Veç të tjerave, kjo temë në letërsinë shqipe trajtohet më shumë në prozë, se sa në poezi, arsyet mund te jenë të shumta , por nuk janë ato objekt i këtij shkrimi. Ajo çka duam të themi është se kjo shton te kjo poezi elementin e të veçantës në letërsinë shqipe.

4. Poezia jo vetëm që përdor përdor natën si sfond, (e parafytyrojmë dialogun në krevatin bashkëshortor)dhe e vendos ngjarjen në  kohën kur qetësia dhe errësira simbolizojnë  afrimin e fundit. Heshtja, që "rëndonte plumb," është mjet i fuqishëm poetik për të shprehur tensionin dhe ndjenjat që nuk thuhen me fjalë. Në poezitë tradicionale, simbolika e natës shpesh përdoret për dashuri romantike (Bie të fle, e s'më zë/ më bënte në ëndërrën/ një si xhinde femërë/ sikur loz e qesh me të.) ose dhimbje personale, (Atje poshtë te ato gjerdhe/ të prita mike pse s'erdhe/të zi gjumi a më gënjeve) ndërsa këtu natyra ekzistenciale e saj është më afër modernizmit dhe postmodernizmit.

III. Sigurisht që lind pyetja: Pse përdor këtë stil Rama? Luan Rama është poet i detajeve të jetësuara dhe jo i shpalosjes së panoramave dhe jetësimi i detajeve kërkon një stil minimalist .

1. Së pari ky stil dialogjik dhe minimalist është më i përshtatshëm për të shfaqur intimitetin dhe natyrën e brishtë të bisedës midis dy bashkëshortëve të moshuar që kanë kaluar një jetë së bashku. Poeti nuk përdor stil të stërholluar, pasi forca e ndjenjave shfaqet përmes thjeshtësisë.

2. Është pikërisht ky stili i Ramës ai që reflekton prirjet e tij moderniste dhe filozofike, e zhvendos (apo e zhvesh)poezinë nga rrëfimet tradicionale drejt një meditime mbi jetën,  dashurinë dhe vdekjen.

3. Poeti shprehet më shumë me heshtje dhe aluzione sesa me fjalë apo rrëfime të drejtpërdrejta. Kjo i lejon lexuesit të eksplorojë apo interpretojë vetë dimensionet e pashprehura të ngjarjes dhe të ndjejë thellësinë emocionale të çastit.

4.Çuditërisht poezia e Ramës, pavarësisht temës dhe karakterit shqiptar, shmang patetizmin dhe sentimentalizmin e zakonshëm, dhe i jep përparësi një qasjeje të qetë. Kjo bën që lexuesi të fokusohet në ndjenjat e pastra dhe dashuri të sinqertë të personazheve dhe jo në momente. Ai sheh rrugën e përshkruar jo gurët që kanë rënë nga skarparet e bregut mbi këtë rrugë, që gjithsesi nuk e kanë penguar ecjen e jetës.

Duhet të pranojmë se në këtë poezi, Luan Rama sjell një përvojë unike dhe universale, ku jeta, dashuria dhe vdekja shfaqen në formën e tyre më të thjeshtë dhe më të thellë: "Dhe ata iu ngjitën njëri-tjetrit, / sytë përballë, / krahët mpleksur, / zemrat një mbi një.".

A nuk është një mbyllje e bukur?Le të heshtim pra para bukurisë. Le t'a përjetojmë atë, jo t'a komentojmë.

 

Sarandë, më Janar 2025

Të kujtohet?

 

Ishte një natë e ngrohtë vere,

kishte kaluar mesnata,

dhe në shtrat,

ajo grua në moshë zgjati dorën

mbi gjoksin e burrit të saj:

- Po fle?

- Po!

- U kujtova, si në ëndërr…

- Çfarë?

- M’u shfaq ajo natë kur të kërkoja ngado në qytet,

nëpër shi, nëpër erë,

të kërkoja si e çmendur dhe lusja Zotin

të ishe me një grua tjetër,

të ishe gjallë…

thuamë, ku ishe?

Ai u kthye nga ajo dhe i preku buzët e rreshkur.

Ishte ftohtë.

- Fol! Heshtja rëndonte plumb.

- Po… isha me një grua,

gjithë jetën kam dashur të ta them,

e ç’rëndësi ka tani?

Ne së shpejti do shkojmë,

të lëmë diellin dhe kapërcejmë pragun e natës së gjatë…

Ai e puthi dhe ajo qau.

- Fli tani, është vonë,

dhe pak do këndojnë zogjtë,

turtulleshat do marrin rrugët e qiellit.

- Kisha frikë për ty!...

tani kam shumë kohë për të fjetur.

Dhe ata iu ngjitën njëri-tjetrit,

sytë përballë,

krahët mpleksur,

zemrat një mbi një,

me plagët që rridhnin ende,

që rrihnin ngadalë, në kohën pa kohë,

me në agun që s’donte të zbardhte më…

No comments:

Post a Comment