Tuesday, 11 March 2025

 

 

MOZAIKU I RISIVE NË NJË POEZI TË ILIRIAN ZHUPËS

 

Nga Timo Mërkuri

Poezia “Në Çorraj prej kohësh s’kam qenë” e Ilirian Zhupës është një përshpirtje poetike ku malli, kujtesa dhe frika e përballjes me ndryshimin ndërthuren në një gërshet të hollë ndjenjash dhe imazhesh të gjalla. Fshati nuk është më thjesht një vend fizik, por është një hapësirë e rikrijuar nga ndërgjegjja poetike, një peizazh ku ëndrra dhe realiteti shkrijnë kufijtë mes tyre. Me një gjuhë të ngrohtë e të hijshme, poeti i dhuron vendlindjes së tij një dimension pothuaj mitik, duke i ngjyrosur rrëpirat me lëndina, duke i freskuar shtëpitë me gëlqere dhe duke e mbushur hapësirën me një frymë të re. Por përtej kësaj dashurie të thellë, frika për t’u kthyer bart në vetvete një shqetësim më të thellë filozofik: a mund ta përballojë e tashmja peshën e kujtimeve dhe bukurinë e ëndrrës?

Në kontekstin e vitit 1988 kur është botuar për herë të parë, kjo poezi shënon një risi të spikatur në poezinë shqipe. Në një kohë kur letërsia e realizmit socialist e paraqiste vendlindjen si një simbol të madhështisë kolektive, Zhupa i qaset asaj përmes një lirizmi të brendshëm, me një zë intim e reflektues, duke e çliruar nga klishetë ideologjike dhe duke e shndërruar në një hapësirë personale të ngarkuar me ndjesi e kujtime. Kjo qasje e re, së bashku me strukturën e saj të lirë dhe imazhet poetike të freskëta, e vendos poezinë në një pozicion të veçantë në zhvillimin e poezisë shqipe të atyre viteve.

I.Në kohën kur letërsia i kushtonte rëndësi realitetit kolektiv, subjekti lirik i kësaj poezie në kapërcim të formën e soc.realizmit, flet për një përvojë thellësisht personale dhe intime. Poeti nuk mjaftohet me kaq, por përkundër stivave të vargjeve që flasin për bukurinë dhe dashurinë për fshatin socialist, Zhupa… ka frikë të kthehet në vendlindje: “Kam ikur prej kohësh nga Çorraj dhe kam frikë të vij...”.

1. Ju kam treguar se Ilirian Zhupa është nga fshati Çorraj dhe çdo verë në fëmijëri shkonte aty, te gjyshja. Kushdo që ka jetuar me gjyshen në fshat në fëmjëri, sidomos në stinë vere, ka njohur  gjithë llojet e bimëve nga gjethet dhe aromat, gjithë  llojet e zogjve nga ngjyra e pendëve dhe kënga, ka njohur kafshët shtëpiake dhe egërsirat, shpendët, ujrat, erërat, honet etj. Shtoju këtyre përrallat, këngët, mitet, legjendat. Është kjo magji gjysheje që mbolli te fëmija Ilirian farën e poezisë. Duke ndënjur me gjyshen te pragu i shtëpisë, duke i parë pamjet me lenten e saj përrallore, pemët, rrugët, shtëpitë ishin më të bukurat në bote, madje çupkat me gërshetat e verdha ishin të bukurat e dheut ose bijat e hënës.  Me siguri që princat e botës ato do kërkonin për nuse dhe ai e shokët  do t’u premtonin nënave se do tua sillnin  si Kostandini Dhoqinën.

Unë ju them se Çorraj është një fshat i vogël malor në krahinën e Kurveleshit të poshtëm, me rreth 80 shtëpi dhe rreth treqint banorë (në kohën kur u shkrua poezia, sigurisht) afro tetë km larg (detit) Borshit, në një teren të thyer, i cili ka shërbyer si pozicion natyror në luftrat e shumta, ku është organizuar në formacionet e kryengritëse. Një këngë popullore, ndër shumë të tjera ka gdhendur në vagje e melodi karakterin e pamposhtshëm të popullit të këtij fshati: “Gjithë fshatërat u falë/ Çorrajtë hal e brihalë”. Sigurisht që lexuesi do kujtohet se ky është fshati i heroinës Maro Kondo, që u hodh nga shkëmbi me fëmijën në gji, duke tërhequr pas vetes një togë ushtarësh turq të lidhur me litar me Maro Kondon dhe njeri tjetrin për siguri nëpër atë kalim greminash. Sigurisht që Zhupa ka të drejtë të krenohet me fshatin e tij, ka të drejtë të ëndërrojë …siç ëndërron poeti.

Pikërisht ky ëndërrim është arsyeja pse poeti ka frikë të kthehet në fshat. Ai ka frikë se mos zhgënjehet kur ta shohë realisht fshatin e tij, shumë ndryshe nga fshati i ëndrrës dhe i fëminisë. Në fëmijëri, fshati ishte një hapësirë magjike, e ndërtuar mbi përrallat e gjyshes dhe trimëritë e gjyshit. Ishte një vend ku gjithçka ishte një bukuri e paprekur, një botë ëndrrash. Tani, poeti ka frikë të kthehet sepse koha ka kaluar dhe fshati nuk është më ai i ëndërrimeve të tij. Interesante është se kjo frikë e poetit është dyfishe: nga njëra anë, ai ka frikë se do ta gjejë fshatin të ndryshuar, të mbetur pa atë shkëlqim fëmijëror. Nga ana tjetër, ai ka “ndërtuar” në subkoshiencën e tij një fshat të ri, të idealizuar, ku ai ka bërë me dashurinë e tij ndërhyrje poetike: ka shtuar lëndina, ka lyer shtëpitë, ka dhuruar sekrete dhe dashuri, duke e bërë fshatin e tij më të bukur se ç’ishte ndoshta ndonjëherë në të vërtetë.

Sa i bukur ishte Çorraj e fëminisë, por ja që fëminia iku dhe Iliriani e nis poezinë me një pohim që vendos përjetimin e tij në një terren të pasigurt ndjesor:

"Kam ikur prej kohësh nga Çorraj dhe kam frikë të vij..."

2. Ky varg i parë i poezisë është një deklaratë e ndarjes nga vendlindja, ndonëse unë do ju ftoja që ta shihnit si një ndarje nga fëminia. "Frika" nuk është pasojë e largësisë fizike, por një ndjesi jetësore: a do të jetë Çorraji siç e ëndërronte ai? A do të përputhet realiteti me ëndrrën? Kjo dilemë i jep poezisë një thellësi reflektuese.

-Vargu "Kam ikur prej kohësh nga Çorraj dhe kam frikë të vij" ngërthen një kompleksitet ndjesish që shkojnë përtej nostalgjisë së zakonshme për vendlindjen. Në fakt, frika e tij nuk është fizike, ajo është një frikë psikologjike dhe krijon një ndjenjë tensioni mes së shkuarës dhe së tashmes.

Së pari, frika shfaqet si figurë poetike e dyzimit emocional. Ajo, nuk është e zakonshme, siç mund të jetë frika nga ndonjë rrezik, ajo është frikë abstrakte, që buron nga raporti mes kujtesës dhe realitetit. Poeti nuk druhet p.sh. se mos sheh fshatin të shkatërruar, ai druhet se  mos kthimi fizik mund të shkatërrojë fshatin e  idealizuar. Në aspektin stilistik, kemi një kontrast midis dy veprimeve: "kam ikur" dhe "kam frikë të vij", kontrast që përforcon idenë se largimi nuk ka qenë thjesht ndarje fizike, por një ndarje që ka krijuar hendek të gjerë midis tij dhe fshatit.

Së dyti, e parë nga këndvështrimi psikologjik, kjo frikë mund të lidhet me ndjenjën e humbjes së identitetit, pse largimi nga fshati ka krijuar te heroi një boshllëk, dhe rikthimi mund t’i krijojë poetit ndjenjën se nuk i përket më atij vendi si dikur.

3.Të kuptojmë se ëndrrat shpesh idealizojnë kohën e fëminisë dhe fshatin e gjyshërve. Në këtë kontekst, poeti mund të trembet se realiteti i sotëm i Çorrajt nuk i ngjan fshatit të fëmijërisë së tij, të mbushur me legjenda e përralla, këngë e valle. Problemi i Zhupës është i dyanshëm: nqse Çorraji real është më i bukur se ai i ëndërruar prej tij, kjo do ta shpinte në zhgënjim, pse  fantasia e tij, ëndrra e tij do të zbehej, do të zhvlerësohej. Nëse Çorraj do jetë më i shëmtuar nga sa e ka ëndërruar, atëherë ëndrra e tij do të thyhej. Pra dilema është shpirtërore dhe pikërisht kjo dilemë dy faqëshe e bën frikën e tij një element ekzistencial.

4.Realisht ky varg krijon një figurë poetike të vendit të paarritshëm, pra e trajton Çorraj si një vend që ekziston (më shumë) në kujtesë sesa në realitet. Në fakt, pikërisht kjo vendosje e fshatit në subkoshiencë është një teknikë e re (risi) që pasuron poezinë shqipe me një mënyrë të re ballafaqimi me vendlindjen: jo si një vend konkret, por si një vend që jeton në vetëdijen e poetit. E parë në këtë aspekt, Çorraji nuk është një fshat (fizik, me kordinata gjeografike), ai është një simbol (i të kaluarës), që mund të ekzistojë vetëm në ëndrrat e poetit. Kjo risi e bën poezinë më filozofike dhe më të ndërlikuar psikologjikisht, duke e larguar nga klishetë e nostalgjisë së thjeshtë.

II-Duke qenë se nisëm të flasim për risitë që sjell kjo poezi në letërsinë shqipe të kohës kur u shkrua sqarojmë se këto risi qëndrojnë në mënyrën (e re) se si poeti e koncepton raportin me vendlindjen dhe frikën nga rikthimi, duke e larguar nga nostalgjia klasike dhe duke i dhënë një dimension ekzistencial e psikologjik më të thellë.

1. Në letërsinë shqipe, vendlindja zakonisht përshkruhet si një hapësirë e dashur, që zgjon mall dhe dëshirë për kthim. Në shumë poezi dhe proza, rikthimi shihet si nevojë shpirtërore, si shlodhje, çmallje, rikthim në origjinë, në kohën më të bukur të jetës, fëmininë etj. Mirëpo tek Zhupa ndodh diçka e çuditëshme: poeti ka frikë të kthehet. Kjo është një përmbysje e traditës poetike dhe si e tillë e bën vargun një risi poetike, pasi krijon një marrëdhënie të re me vendlindjen: jo më si një vend që të thërret apo ke mall të rikthehesh, por si një vend që të ngjall frikë e të vë në dyshime ekzistenciale.

2.Në letërsinë shqipe,sidomos në poezinë e mërgimit, frika zakonisht lidhet me humbjen e identitetit ose harresën. Por tek Zhupa, frika ka karakter tjetër: ajo buron nga mëdyshja e poetit nëse realiteti që do gjejë do  përputhet me kujtimet e tij për atë. Këtu poeti nuk druhet nga ndryshimet e fshatit, ai trembet nga fakti se fshati mund të jetë më i bukur se ëndrra, dhe sfidon imazhin poetik që ai ka ndërtuar në vetvete.

3. Vargu i parë na jep një pamje të re të ndarjes së poetit nga fshati, ku ai nuk e sheh largimin si ndarje mes të shkuarës dhe të tashmes, por gjatë leximit mësojmë se ai e përdor kohën e largimit si një periudhë procesi krijues.Poeti nuk është vetëm një i larguar fizikisht , por edhe krijues i një Çorraji imagjinar, të cilin e ka ndërtuar përmes kujtimeve, përrallave, dhe idealizimit. Frika e tij është frika e një artisti që druhet se realiteti mund ta rrëzojë mitin që ai ka ndërtuar, ndaj shihet si një risi poetike.

5.Në letërsinë shqipe, raporti me vendlindjen është raport i qartë: vendlindja është "atdheu i shpirtit", vendi ku njeriu e gjen veten. Tek Zhupa, ndodh një pasiguri: poeti ka humbur lidhjen e drejtpërdrejtë me fshatin dhe druhet se kthimi mund ta vërtetojë këtë humbje. Kjo është një krizë identiteti, një element i ri modernist në letërsinë shqipe dhe e vendos poezinë në një kontekst më universal dhe filozofik. Në këtë mënyrë, Zhupa jo vetëm që rinovon mënyrën se si trajtohet motivi i vendlindjes, por e fut atë në një dimension modern dhe  kompleks psikologjikisht, risi poetike për kohën.

III-.Duke lexuar vargjet ndjen se poeti nuk ka ardhur fizikisht në Çorraj, por ka ardhur shpirtërisht, ka ardhur me mëndje, ose më saktë ai e ka krijuar fshatin në mendjen e tij, duke e bërë (ndërtuat, pikturuar) më të bukur e më të ngrohtë:

“Në rrëpirat e tua kam shtuar ca lëndina të vogla,

Plakave u kam lidhur nga një shami të re te kryet,

Shtëpitë e murme t’i kam lyer me gëlqere të bardhë,

Fëmijëve motakë u kam treguar një përrallë.”

1.Siç shihet nëpër vargje, poeti nuk e paraqet fshatin siç është në realitet, ai e rindërton poetikisht siç do dëshironte të ishte. Ai i jep jetë një realiteti të zbukuruar, ku:  natyra është më e lulëzuar, pleqtë më të gëzuar, fëmijët më të lumtur etj. Ky rol i poetit si krijues i një bote më të mirë përmes poezisë ështe një risi në letërsinë e kohës, e cila ishte e prirur për të paraqitur realitetin si një baçe me lule (artificiale, pa aromë), mbi të cilin ndriçonte “dielli i partisë”.

2.Le të ndalemi pak te vargu "Në rrëpirat e tua kam shtuar ca lëndina të vogla", i cili është shembull i ndërthurjes së imagjinatës poetike me realitetin, duke pasqyruar forcën e kujtesës dhe ëndrrës për të shndruar fshatin e tij në një hapësirë të idealizuar.

a. Kontrasti midis rrëpirave dhe lëndinave: "Rrëpirat" janë shpate të pjerrëta, terrene të vështira, që mund të simbolizojnë sfidat e jetës, vështirësitë e fshatit apo ndoshta edhe një pamje të ashpër të natyrës. "Lëndinat e vogla" janë hapësira të buta, të gjelbra, që rëndom quhen dhe “vale”, (kujto këngën Vajz’ e valeve) të cilat krijojnë një kontrast me rrëpirat. Përmes këtij transformimi imagjinar, ai e bën më të butë dhe më mikpritës peizazhin e tij të fëmijërisë.

b. Ky varg tregon se poeti nuk është vëzhgues pasiv i së kaluarës, por është një krijues që "shton" elemente të reja në kujtesën e tij, pse ai nuk e sheh vendlindjen si një vend fizik, por si një hapësirë shpirtërore që mund të rikrijohet përmes ndjenjës dhe artit.

c. Në poezi lëndinat mund të përfaqësojnë kujtimet e bukura, momentet e fëmijërisë, ose edhe një dashuri fëminore në një mjedis që mund të ketë qenë i ashpër.

ç. Vlen të theksojmë se ky varg ka një ton meditativ dhe figurativ, tipik për modernizmin, ku realiteti nuk shfaqet drejtpërdrejt, por transformohet përmes ndjesive e simbolikës. Në vend që të tregojë një fshat realist, poeti e rindërton atë përmes ndjenjave dhe kujtimeve të tij. Në fakt duhet të theksojmë se ky varg është shembull i forcës së poezisë për të rindërtuar realitetin sipas ndjesisë dhe imagjinatës.

IV- Në kohën kur është shkruar poezia, krijimet që paraqesnin fshatin ishin plot “ngjyra të pranverore”, arritje dhe tejkalime planesh në bujqësi e blegtori, traktoristë e barinj që punonin për vitet e ardhëshme, ku artificialiteti ishte i dukshëm si në përmbajtje ashtu dhe në tonin propogandistik. Zhupa shmang këto imazhe të zakonshme dhe krijon një kod të ri poetik, ku dashuria nuk është thjesht një ndjenjë që ndodh spontanisht, por një rrugë që mund të hapet me ndërgjegje dhe kujdes. Ky kod është një largim nga sentime-ntalizmi klasik dhe një qasje më filozofike dhe ndërtuese ndaj temës së dashurisë:

“U kam thënë djemve një sekret dashurie,

U kam dhënë një shteg nate për përqafimet dhe puthjet”

Këto dy vargje përfaqësojnë një prurje të re në poezinë shqipe në disa nivele ku shfaqet: -Poeti si ndërtues i realitetit poetik (U kam thënë;U kam dhënë…), jo vetëm si dëshmitar. 

-Dashuria si një sekret i transmetueshëm (U kam thënë djemve një sekret dashurie), jo vetëm si një përjetim i çastit.

-Nata si hapësirë e lire (shteg nate) për përqafimet, jo si simbol i errësirës apo ndarrjjes.

-Dhe shmangia e simbolikës së zakonshme të dashurisë në poezinë shqiptare.

 Ilirian Zhupa sjell një risi, i jep poezisë shqipe një frymë të re të trajtimit të ndjenjave rinore, larg patetikës dhe më pranë një qasjeje delikate dhe moderne.

V- Vargjet: "Vajzave u kam mësuar ca çapkënllëqe ngacmuese

                   Për t’u bërë shpejt të dashura dhe nuse."

të venë në mendime, pse duhen parë në kontekstin e vitit 1988  dhe në atë periudhë poezia ishte ende përgjithësisht në ndikimin e real. socializmit dhe këto vargje përbëjnë një risi të fuqishme sepse:

1. Në letërsinë e kohës, vajza shfaqej si figurë ideale e ndershmërisë, sakrificës, punës etj. E parë në kontekstin kohor, imazhi i vajzës si lozonjare, që mëson "çapkënllëqe" për të fituar dashurinë dhe për t’u bërë nuse, ishte diçka e tepërt. Sigurisht që termi “vajzë lozonjare” egzistonte në këngët e popullit, por ajo kishte kuptimin e një vajzë të shkathët, por jo të një vajze që bënte “çapkënllëqe ngacmuese/ për tu bërë më shpejt e dashur dhe nuse”. Përgjithësisht ishte djali ai që ngacmonte, jo vajza, e cila ishte më e drojtur. Vetë termi “çapkënllëqe ngacmuese” sjell një frymë spontane dhe natyrale, e cila nuk ishte e zakonshme në poezinë shqipe të asaj kohe.

2. Ka dhe diça që ja vlen ta vemë në dukje,poezia e viteve ‘80 ruante një ton solemn ose idealizues kur trajtonte tema si rinia, dashuria dhe figura e gruas. Në këtë rast Zhupa i sjell këto tema me një ton më lozonjar, më të çlirët dhe më të përditshëm, madje dhe me një tis humori, ku vargjet krijojnë harmoni mes ëndrrës dhe realitetit, duke dhënë një imazh të freskët të jetës në fshat.

VI- Sigurisht që poeti nuk mund të linte pa takuar pleqtë, të mbledhur te rrapi në qendër apo te i vetmi klub i fshatit. Duke i takuar aty, poeti u drejtohet, jo me fjalë pompoze si i ardhur nga “qëndra”, por duke i inkurajuar të mos i trembeshin  rritjes së moshes .

“U kam thënë pleqve ca fjalë të rralla,

Të harrojnë reumatizmën dhe therrjen e eshtrave,

Të heqin dorë prej pleqërisë dhe ankesave.”

Zhupa shfaqet një poet novator me këto vargje pasi ato sjellin risi poetike në mënyrën se si trajtohet pleqëria në letërsinë shqipe, duke e zhvendosur perceptimin e saj nga një gjendje fizike dhe ndjesore drejt aktit të mundshëm të kapërcimit shpirtëror.

1.Në traditën poetike shqiptare, pleqëria zakonisht paraqitet si një etapë e rëndë dhe e pashmangshme e jetës, shpesh e lidhur me vetminë, kujtimet dhe dorëzimin ndaj fatit (si te Poradeci, Dritëro Agolli, apo Ali Podrimja). Zhupa e trajton ndryshe këtë : ai i fton pleqtë ta refuzojnë pleqërinë jo fizikisht, por përmes një ndryshimi në mendësi. "Të heqin dorë prej pleqërisë" është një sfidë ndaj mënyrës tradicionale të përjetimit të pleqërisë. Kjo qasje është një prishje e kodit të zakonshëm poetik, ku plakja shihet si një rrjedhë e pandalshme, dhe e kthen atë në një gjendje që mund të ripërkufizohet përmes mendimit dhe fjalës.

2.Vargu "U kam thënë pleqve ca fjalë të rralla" dëshmon forcën e fjalës për të ndryshuar realitetin. Në poezinë tradicionale, romantike e klasike fjala mbi pleqërinë ka shërbyer si mjet ngushëllim mbi dhimbjen saj ( O moj jetë, jetë e rreme/ Që kur leva më gënjeve/ Pleqërinë s’ma rrëfeve), ndërsa këtu ajo shndrohet në mjet shërimi, pse në vend që të shfaqë vuajtjen e pleqve dhe trishtimin, poeti u ofron një fjalë “të rrallë” që mund të ketë fuqi çudibërëse, si në përralla: tu kujtojë ndonjë trimëri apo dashurinë djaloshare . Kjo është një risi në letërsinë shqipe.

3.Në poezinë shqipe, pleqve u drejtohet me respekt, gjë që e trajton heshtazi pleqërinë si gjendje për tu mëshiruar. Zhupa nuk i trajton pleqtë si viktima të kohës, ai ve në lojën poetike ironinë dhe u sugjeron pleqve që “të harrojnë reumatizmën dhe dhembjet”. Kjo sigurisht që është një formë humori, e cila e shmang temën e plakjes si një temë e rëndë drejt një qasjeje të lehtë, gati si diçka me të cilën e vlen të bësh humor lehtazi. Poezia bëhet kështu më pak elegjiake, duke sjellë një frymë të re në letërsinë shqipe.

4. Kemi edhe një dukuri tjetër interesante te këto vargje: në traditën shqiptare, pleqëria shoqërohet me një pozicion  të veçantë shoqëror: ata trajtohen si këshilltarë të urtë, por shihen edhe si njerëz të lodhur nga jeta, nga sëmundjet, siç thotë kënga: “Pleqëri moj me kusure/Unë stë desha, ti më zure” etj. Zhupa me finesë e sfidon këtë mendim dhe i fton ata: “Të harrojnë reumatizmën dhe therrjen e eshtrave,/Të heqin dorë prej pleqërisë dhe ankesave”, pra janë ata që duhet të heqn dorë prej pleqërisë, ssi nga një ëndërr e keqe që kanë parë në një natë dimri. Kjo formë, e ardhur si risi në letërsinë shqipe, e çliron pleqërinë nga korniza tradicionale dhe e trajton atë si një problem mendimi, jo fizike. Në thelb, kjo qasje e Zhupës sfidon parafytyrimin e zakonshëm të pleqërisë dhe sjell një mënyrë moderne dhe universale të të menduarit për jetën, ku njeriu mund të refuzojë të ndalet edhe kur trupi i tij plaket.

VI- Pjesa më novatore e poezisë qëndron në vargun përmbyllës:

“Dhe përsëri s’kam ardhur edhe pse të shtova kaq gjëra

Nga frika mos je më i bukur se ëndrra.”

pse ky reagim është reflektim jetësor dhe qasje moderniste. Thamë se në letërsinë shqipe rikthimi në vendlindje zakonisht shoqërohet me ndjenja nostalgjie, mallëngjimi ose një përpjekje për të rifituar një pjesë të humbur të vetvetes.  Në thelb, subjekti lirik druhet (Nga frika) se realiteti nuk do të jetë në lartësinë e ëndrrës së tij.

1.Pikërisht kjo mëdyshje mes ëndrrës së idealizuar dhe realitetit të zhveshur nga magjia e përfytyrimit nuk ishte e zakonshme në poezinë e kohës, ku realiteti socialist trajtohej si diçka sipërore. Zhupa, e vë në dyshim këtë realitet dhe pranon se ndonjëherë është më mirë të jetosh me ëndrrën sesa të përballesh me zhgënjimin. Ndaj themi se pikërisht këto elemente e bëjnë poezinë e Zhupës një pikënisje të re për poezinë shqipe, duke e afruar atë me lirikën moderne dhe duke i dhënë një frymë të lirë dhe më universale.

2.Ka diçka interesante te këto vargje; letërsia shqipe, kryesisht në poezinë e mërgimit, ka ton të parashikueshëm: realiteti është më i vrazhdë sesa kujtimi, gjërat janë përkeqë-suar dhe kthimi sjell trishtim. Në periudhën e soc-realizmit, në poezitë e të njejtës temë, kurbetllinjtë gjenin një fshat dhe jetë të idealizuar gjer në kufijtë e parajsës. Tek Zhupa ndodh diçka e veçantë: frika nuk është nga shkatërrimi i ëndrrës, por nga tejkalimi i saj (ëndrrës) nga realiteti (Nga frika mos je më i bukur se ëndrra). Është kjo një përmbysje që sjell dimension të ri filozofik, ku kujtesa dhe realiteti nuk janë në raport kundërshtish, por në një raport të ndërlikuar të papriturash.

3. Së fundi, në letërsinë shqipe, kthimi në vendlindje është udhëtim i pashmangshëm, që të gjithë heronjtë e kryejnë: fizikisht ose në mendime. Por Zhupa çuditërisht vendos të mos kthehet, jo për arsye të zakonshme, por sepse ai nuk do ta rrezikojë me zhvlerësim ëndrrën e tij. Ky qëndrim sjell një risi në letërsinë shqipe, pasi e lë fshatin në kufirin midis ëndrrës dhe realitetit, duke refuzuar një rikthim që mund ta shkatërrojë këtë magji.

5. Veçse duhet të shtojmë se ky varg, përtej tensionit mes ëndrrës dhe realitetit, në thelb është një shprehje e dashurisë së thellë dhe delikate që poeti ka për fshatin e tij. Në mënyrën më fine, ai tregon se fshati nuk është thjesht një vend fizik, por është një hapësirë shpirtërore, një botë e ndërtuar nga kujtimet, ndjesitë dhe magjia e fëmijërisë. Dashuria e poetit për atë është kaq e madhe, saqë ai ka frikë se rikthimi në fshat mund ta trondisë atë përjetim të pastër e ideal që ka ndërtuar në vetvete. Ky lloj hezitimi, kjo frikë e ëmbël, e thellon dashurinë, sepse tregon se poeti e ka ngritur Çorrajn e tij në një piedestal kaq të lartë, saqë nuk dëshiron të përjetojë asnjë zhgënjim, edhe nëse ai zhgënjim do të vinte pozitivisht, nga bukuria e madhe. Është kjo një formë adhurimi që kalon përtej racionales, një lidhje ndjesore kaq e fuqishme, saqë frika nuk lind nga largësia, por nga ndjenja se fshati mund të jetë edhe më i bukur se ëndrra që ka krijuar për të. Në këtë mënyrë, vargu shfaq një dashuri të heshtur, të pamatë dhe të shenjtë, e cila nuk ka nevojë për fjalë të mëdha, por shfaqet me një paradoks poetik delikat dhe të fuqishëm.

VII- Vlen ta shohim këtë poezi dhe në aspektin e risive që sjell edhe në mënyrën sesi ndërton figurat poetike. Qysh në ato vite Zhupa e çliron poezinë nga skematizmi, duke përdorur stil të butë, më personal dhe figurat poetike ndërton e i sjell si risi.

1. Personifikimi në poezi shfaqet jo  thjeshtë si një mjet stilistik tradicional, por një mjet poetik që krijon një raport intim mes poetit dhe vendlindjes.Le ta shohim këtë te disa personifikime të kësaj poezie:

Te vargu: "Në rrëpirat e tua kam shtuar ca lëndina të vogla" poeti ndërhyn në natyrë (në mënyrë imagjinare), dhe e bën atë një hapësirë të gjallë që transformohet sipas dëshirës së tij. Po kështu vargu: "U kam shtuar ujërat burimeve dhe pemëve frutat" është një tjetër shembull i ndërveprimit poetik me natyrën, ku kujtesa bëhet forcë krijuese dhe trasformuese e natyrës. Kjo lloj qasje e personifikimit të vendit të origjinës nuk ishte e natyrëshme në poezinë shqipe të kohës, e cila shpesh e trajtonte fshatin si një hapësirë kolektive, jo si një subjekt të personalizuar dhe të mitizuar përmes kujtesës.

2. Risi më vete në figuracion është krijimi i kontrastit të fortë mes realitetit dhe ëndrrës, të cilin e përmbledh mjeshtërisht vargu i fundit: "Dhe përsëri s’kam ardhur edhe pse të shtova kaq gjëra/Nga frika mos je më i bukur se ëndrra."

Këtu  figura është  bazuar në paradoksin e përjetimit poetik  dhe përbën një risi stilistike. Në letërsinë e kohës, vendlindja paraqitej ose si një realitet konkret i idealizuar, por këtu, poeti e vendos në një hapësirë të ndërmjetme, ku frika se realiteti mund të mos jetë si ëndrra e shtyn të mos kthehet. Realisht ky është një përdorim psikologjik dhe filozofik i kontrastit, psee krijon një tip figure poetike të re, që ndërlidh mallin, mitizimin dhe pasigurinë ekzistenciale.

3. Ilirian Zhupa te kjo poezi ndërton ato që mund ti quajmë figura të veprimit poetik, duke shmangur figurat e përshkrimit statik, ku poezia nuk tregon thjesht ndjenja, por përmes veprimeve (këtu, të imagjinuara), ndërton një atmosferë shumëdimensionale:

Te vargu: "Plakave u kam lidhur nga një shami të re te kryet"  poeti vepron mbi kujtesën, dhe  rinovon elementet tradicionale me ndjeshmëri të brendshme. Po kështu dhe te vargjet: "U kam thënë pleqve ca fjalë të rralla…” etj. Madje këtu figura shihet në dy nivele: si një akt simbolik p.sh.i rinimit të pleqërisë dhe si një shprehje ironike e qasjeve romantike ndaj plakjes, duke e trajtuar atë jo si pashmangshmëri fizike, por si gjendje mendore që mund të sfidohet me fjalë e mendim. Në këtë mënyrë, poeti jo vetëm që luan me kontrastin mes reales dhe dëshirës, por dhe e shtyn poezinë drejt reflektimit më të thellë mbi kohën, kujtesën dhe fuqinë e fjalës për të transformuar perceptimin e jetës.

4. Në këtë poezi Zhupa ndërton simbole që s’janë të zakonshme në poezinë shqipe të asaj periudhe, duke i dhënë një kuptim të ri elementeve të përditshme. Psh te vargu: "Kam ikur prej kohësh nga Çorraj dhe kam frikë të vij..." simboli i frikës këtu nuk është frikë e zakonshme, por një frikë ekzistenciale dhe emocionale, madje  ky simbolizëm e çon poezinë në një nivel filozofik të rrallë për kohën. Te vargu:"Plakave u kam lidhur nga një shami të re te kryet" shamia e re simbolizon rinimin e tyre, freskinë dhe respektin për traditën, (kujtoni fjalën që u thotë pleqve) por njëkohësisht është edhe një gjest i imagjinatës poetike, që mban  gjallë imazhin e një fshati ideal. Po kështu te vargjet: "U kam thënë djemve një sekret dashurie,/U kam dhënë një shteg nate për përqafimet dhe puthjet." shtegu i natës është një simbol  interesant dhe risor në poezinë shqipe të viteve ’80, ku dashuria përjetohej nëpër ara dhe kantiere, aksione etj.

5. Edhe metaforat që sjell poeti janë jo vetëm të reja, por edhe origjinale  që tejkalojnë përshkrimin statik dhe e bëjnë fshatin më të gjallë, plot jetë dhe dinamizëm. Te vargu: "Në rrëpirat e tua kam shtuar ca lëndina të vogla" autori ndërhyn në peizazhin e kujtesës për ta bërë më të bukur. Ky proces krijues është një risi poetike në letërsinë shqipe të asaj kohe, ku kujtesa nuk është vetëm rikujtim, por edhe transformim artistik. Po kështu te vargu: "Shtëpitë e murme t’i kam lyer me gëlqere të bardhë" është një metaforë e rigjallërimit, pse bardhësia e gëlqeres nuk është një përshkrim fizik, por një simbol i pastërtisë, rinovimit, që shfaqet nëpërmjet veprimit poetik të subjektit lirik.

6. Sigurisht që dhe imazhet poetike vijnë në formën e një risie në këtë poezi të Zhupës pse ai krijon imazhe poetike të gjalla, që e vendosin lexuesin brenda botës së tij imagjinative dhe jo si një soditës prej së largu. Kështu p.sh. vargu "U kam dhënë një shteg nate për përqafimet dhe puthjet." krijon imazhin e  natës si një hapësirë lirike dhe të fshehtë, duke i dhënë asaj një aspekt romantik e misterioz. Në letërsinë shqipe të kohës, dashuria, përqafimet e puthjet shkruheshin në mënyrë më të koduar dhe të disiplinuar, ndërsa këtu kemi një hapje poetike drejt një lirshmërie më të madhe emocionale. Të njejtën gjë mund të themi dhe për imazhin e rinimit të pleqve te vargu:"U kam thënë pleqve ca fjalë të rralla….." ndërsa vargjet:"Dhe pastaj pragjeve,/ Dhe pastaj avllive,/Përrenjve,/Gurëve,/Shpendëve dhe qiejve..." krijojnë një imazh gjithë -përfshirës të natyrës, madje vendosin dhe një ritëm kumtues e një frymë liturgjike, thua se jep një lloj bekimi poetik që përhapet në të gjithë hapësirën. Pikërisht dhe kjo teknikë është një risi në ndërtimin e imazhit poetik, psee përdor një renditje kumulative dhe krijon një efekt emocional dhe melodik.

Sigurisht që te kjo poezi mund të flasim dhe për risinë e prurë në stilin poetik nëpërmjet lirshmërisë dhe strukturës së ndërtimit, risinë në aspektin psikologjik që shfaqet te frika nga realiteti dhe ndryshimi, risi në aspektin filozofik  që shfaqet te marrëdhënia midis kujtesës, ëndrrës dhe realitetit, risi në universalitetin poetik, pse poezia nuk është vetëm për Çorrajn , por të gjitha këto i kemi cikur ose zbërthyer më gjerë gjatë analizës të elementeve të tjera. E rëndësishme është të themi se poezia e Ilirian Zhupës përbën një mozaik risish në poezinë shqipe të viteve ’80, duke sjellë qasje të re si në ndërtimin e figurave, ashtu edhe në dimensionin psikologjik, filozofik dhe stilistik. Kjo shumësi risish e bën poezinë një pikë të rëndësishme referimi në modernizimin e vargut shqip.

 

Sarandë, më shkurt-mars 2025

 

NË ÇORRAJ PREJ KOHËSH S’KAM QENË

Kam ikur prej kohësh nga Çorraj dhe kam frikë të vij...

 

Në rrëpirat e tua kam shtuar ca lëndina të vogla,

Plakave u kam lidhur nga një shami të re te kryet,

Shtëpitë e murme t’i kam lyer me gëlqere të bardhë,

Fëmijëve motakë u kam treguar një përrallë.

 

U kam thënë djemve një sekret dashurie,

U kam dhënë një shteg nate për përqafimet dhe puthjet,

U kam shtuar ujërat burimeve dhe pemëve frutat.

 

Vajzave u kam mësuar ca çapkënllëqe ngacmuese,

Për t’u bërë më shpejt të dashura dhe nuse.

 

U kam thënë pleqve ca fjalë të rralla,

Të harrojnë reumatizmën dhe therrjen e eshtrave,

Të heqin dorë prej pleqërisë dhe ankesave.

 

Dhe pastaj pragjeve,

Dhe pastaj avllive,

Përrenjve,

Gurëve,

Shpendëve dhe qiejve...

 

Dhe përsëri s’kam ardhur edhe pse të shtova kaq gjëra

Nga frika mos je më i bukur se ëndrra.

 

Nga libri: “Mos më pyet ku kam qenë”,  botuar: 1988, 2016

1 comment:

  1. a keni probleme për të rikthyer ish të dashurin tuaj, a keni probleme martesore, infertilitet, paqëndrueshmëri financiare. pse po e kufizoni veten në lidhje me ndarjen nga i dashuri/burri/gruaja juaj, është koha për të zgjidhur të gjitha problemet tuaja me ndihmën e fuqive të përhershme të magjisë së Dr Gideon. Unë jam i specializuar në të gjitha llojet e magjive si p.sh
    magji dashurie (për të rikthyer ish të dashurin, burrin ose gruan tuaj)
    magji e lotarisë
    magji e parave
    drejtshkrimi i shtatzënisë
    drejtshkrimi i punës/kontratës
    magji shëndetësore
    magjia e pasurisë
    magji për fat të mirë
    drejtshkrimi i jetës
    magji shpirtërore
    bukuria / magjia e formës
    truk magjik
    magji fantazie
    magji për të fituar çështjet gjyqësore
    Dr Gideon është gjithmonë i gatshëm t'ju ndihmojë të zgjidhni të gjitha problemet tuaja dhe të përmbushni të gjitha dëshirat e zemrës tuaj nëpërmjet fuqive të tij magjike.
    drejtimi i përhershëm i tij është 100% i garantuar. njihuni me të për t'ju ndihmuar të zgjidhni problemet tuaja. kontaktoni atë në whatsapp/ +2347042191323 ose email: drgideon611@gmail.com

    ReplyDelete