KUR BURRI DEL NGA
ZJARRI DHE FLAKA BËHET GRUA
Nga Timo Mërkuri
Poezia e Ilirian Zhupës “Burri ka
dalë nga zjarri” është një shfaqje e fuqishme e figurës njerëzore përballë
fatit, bukurisë dhe misterit të ekzistencës. Ajo ndërthur mitin me përjetimin
personal, shndërrimin e njeriut me shndërrimin e natyrës, duke u ngritur
zjarrit dhe flakës jo vetëm një vlerë simbolike, por edhe dimension estetik,
artistik e filozofik. Poezia, përmes klithmave, heshtjeve dhe lojës së dritës
me errësirën, krijon një hapësirë ku lexuesi jo vetëm shikon, por edhe ndjen
ritmin e brendshëm të shpirtit. Në këtë vepër bashkëjetojnë forca moderne të
simbolizmit, ekspresionizmit dhe një frymë ekzistenciale që e vendos njeriun
përballë pyetjeve të përhershme: kush është ai, nga ka ardhur dhe ç’bën me
bukurinë që i digjet brenda. Për ta kuptuar më thellë këtë poezi, duhet t’i
afrohemi asaj jo vetëm me syrin e lexuesit, por me syrin e atij që kërkon
bukurinë në mes të djegies dhe heshtjes.
I-Leximi estetik
Estetika e poezisë së Ilirian
Zhupës është e mbështetur mbi një bosht të fuqishëm simbolesh, ku çdo figurë
ngre një univers të veçantë: zjarri, flaka, nata, heshtja, gruaja. Këto nuk
janë thjesht elemente poetike, por janë shtyllat mbi të cilat ngrihet e bukura,
në përzierje me të frikshmen, e ndritshmja me të kobshmen, drita me hijen. Që
në fillim, poeti shpall këtë tension: “Burri
ka dalë nga zjarri, mes një nate të errët, ku pikturohen tmerret.”
Këtu lind një estetikë e
përplasjes: njeriu që ngrihet nga zjarri dhe nata që e rrethon me tmerre. E
bukura nuk shfaqet si qetësi harmonike, por si zjarr i brendshëm, si lindje nga
përvëlimi. Ky tipar na kujton romantizmin e vonë, ku e frikshmja dhe e bukura
shfaqen bashkë, dhe njëkohësisht simbolizmin, që i shndërron figurat e natyrës
në shenja të shpirtit.
Në këtë poezi, estetika e
errësirës dhe e dritës së ndërthurur është thelbësore. Zjarri është vendburimi
i njeriut, por edhe shenja e vetmisë së tij. Nata është përmasa e tmerrit, por
edhe kanavacë ku pikturohet kjo përballje. Estetika nuk qëndron në qartësi, por
në mjegullën ku njeriu mëton të kuptojë veten.
Nga ana tjetër, metaforat e
hapura i japin poezisë një frymë moderniste. Ato nuk e shpjegojnë botën, por e
ngarkojnë atë me kuptime të shumëfishta. Vargu:
“Ato shenja zjarresh, janë bërë
qenie të tjera përmes klithmash, misteresh.” … është tipikisht ekspresionist,
sepse ngërthen klithmën, ankthin dhe misterin. Bukuria këtu nuk është e ngrirë,
por një bukuri që lëviz, që trondit, që merr forma të ndryshme. Estetika e
Zhupës është një estetikë e shndërrimit,
ku figura nuk ka një kufi të vetëm, por kalon nga njëra gjendje në tjetrën: nga
zjarr në flakë, nga flakë në grua, nga grua në bukuri.
Në këtë pikë, poezia merr edhe
ngjyrime surrealiste. Përfytyrimi i flakës që shndërrohet në grua, e cila loz e
brishtë, nuk është më vetëm një metaforë, por një vizion:“Pastaj flaka ka dalë nga burri, është bërë bukuri tronditëse, është
bërë grua.”
Ky varg e ngre estetikën mbi
kufijtë e reales. Flaka nuk është më vetëm një element natyror, por një trup
poetik, një figurë femërore që mbart pasionin dhe bukurinë e dhimbshme.
Një tjetër element estetik i
rëndësishëm është heshtja, e cila shfaqet jo si boshllëk, por si zë i
brendshëm:“Ti veç ke heshtur. Po heshtja
jote ka folur.”
Këtu shfaqet një estetikë e
kontrastit: fjala kundër heshtjes, tingulli kundër mungesës. Dhe pikërisht në
këtë kontrast ngrihet e bukura, sepse estetika e kësaj poezie nuk rrjedh nga
harmonia, por nga tensioni i përhershëm mes forcave të kundërta.
Prandaj, leximi estetik i kësaj
poezie na tregon se e bukura e Zhupës është një e bukur e trazuar, një e bukur
që lind nga djegia, nga klithma dhe nga misteri. Nuk është një bukuri që
qetëson, por një bukuri që zgjon. Nuk është një bukuri që qëndron në sipërfaqe,
por një bukuri që lind e shndërrohet brenda flakës.
Mund të themi se kjo poezi është shembull
i gjallë se si poetika shqipe lidhet natyrshëm me modernizmin europian: merr
nga simbolizmi ndjesinë e shenjës, nga ekspresionizmi klithmën dhe ankthin dhe
nga surrealizmi vizionin e shndërrimit. Në këtë përzierje krijon një estetikë
që është njëherësh shqiptare dhe universale. Por bukuria nuk qëndron vetëm në
tensionin e errësirës me dritën; ajo merr frymë përmes figurave që e bëjnë
zjarrin, flakën dhe gruan të vallëzojnë në gjuhën e poezisë.
II.Leximi artistik
Poezia e Ilirian Zhupës është një
organizëm i gjallë figurash, ku metafora, simboli, imazhi dhe personifikimi nuk
ecin veçmas, por derdhen tek njëri-tjetri, duke ndërtuar një hapësirë poetike
ku njeriu, zjarri dhe gruaja vallëzojnë në një lidhje të pandarë.
a. Metafora është shtylla kurrizore
e poezisë. Që në vargun e parë: “Burri ka
dalë nga zjarri,” ajo vendos tonin e gjithë ndërtimit poetik. Zjarri nuk
është më një dukuri natyrore, por përkthimi i dhimbjes dhe i lindjes, i
shpirtit njerëzor që del prej provës dhe përvëlimit. Nuk është thjesht nxehtësi,
por gjenezë e jetës dhe njëkohësisht, mallkim që e shoqëron atë. Metafora arrin
kulmin kur flaka merr trajtën e gruas: “Pastaj
flaka ka dalë nga burri, është bërë bukuri tronditëse, është bërë grua.”
b. Simboli lind mbi këtë
metaforë. Flaka nuk është më thjesht zjarr, por shndërrohet në grua – energji
krijuese, trup i brishtë dhe bukuri që trondit. Kjo grua-flakë është simbol i
pasionit dhe i jetës që djeg e ndriçon njëkohësisht, një realitet që nuk zotërohet,
por vetëm të përjetohet.
c. Personifikimi i jep poezisë
frymë intime dhe mitike. Flaka shfaqet si “lozonjare”
e “e brishtë,” duke hyrë në rolin e
një qenieje që provokon, afron dhe lë gjurmë. Elementët e natyrës ngrihen në
nivel njerëzor, ndërsa përjetimet njerëzore zbresin dhe marrin gjuhën e
natyrës, duke krijuar një qarkim mes botëve.
d. Imazhet janë të dendura dhe të
fuqishme. Në vargun:“Mes një nate të
errët, ku pikturohen tmerret”shfaqet një tablo e fortë, ku errësira bëhet
pikturë dhe drita e zjarrit vizaton ankthin. Por poezia nuk mbetet vetëm tek
kjo tronditje vizuale. Ajo kalon në butësinë e një imazhi të padukshëm, të
dëgjueshëm:“Ti veç ke heshtur. Po heshtja
jote ka folur”. Këtu krijohet një partiturë e heshtur, ku lexuesi dëgjon
atë që nuk thuhet , një muzikë që buron nga kontrasti mes zërit dhe heshtjes.
e. Ndërthurja e figurave është
gjaku që lëviz në këtë poezi. Metafora e zjarrit, simboli i gruas,
personifikimi i flakës dhe imazhet e natës krijojnë një qark të mbyllur, i cili
kulmon në vargun:“Burri ka dalë nga
zjarri. Zjarri ka dalë nga burri. Po flaka është grua gjithmonë…”Ky ritëm
rrethor e bën poezinë të ngjasë me një ritual, ku fillimi dhe fundi bashkohen
dhe ku lexuesi përfshihet në një lojë të pandërprerë shndërrimesh. Kështu p.sh.
te vargu: “Ç’të bëj me zjarrin tim
brufullues, që është Ti e më djeg pa mëshirë?” ndërthuren mes tyre disa
figura letrare të fuqishme si:
-Metafora “zjarrin tim brufullues” nuk është zjarr real, por metaforë e
pasionit, dashurisë dhe ankthit shpirtëror që digjet brenda burrit. Përdoret
për të shprehur intensitetin emocional të poetit.
-Identifikim metaforik (alegori
intime) “që është Ti” e shndërron
këtë zjarr në një qenie konkrete: grua. Pra, gruaja nuk është thjesht e
dashura, por bëhet vetë përfaqësuese e flakës, energjisë që djeg dhe magjeps.
-Hiperbolë “më djeg pa mëshirë” e thekson fuqinë e pakontrollueshme të këtij
pasioni. Këtu kemi një ekzagjerim artistik që shërben për të treguar fuqinë
shkatërruese dhe të pamëshirshme të dashurisë.
-Personifikim i zjarrit; zjarri
merr tipare njerëzore (është “Ti”,
një qenie e gjallë që djeg). Ky është një personifikim i drejtpërdrejtë. Pra,
ky varg është një metaforë qendrore (dashuria = zjarr), e zgjeruar me
personifikim (zjarri bëhet njeri, “Ti”) dhe e fuqizuar me hiperbolë (djegia pa
mëshirë). Në planin artistik, kjo figurë është tipike ekspresioniste, sepse
shfaq ankthin dhe klithmën e njeriut të përballur me pasionin që nuk mund ta
kontrollojë.
Në këtë mënyrë, artistikisht,
poezia e Zhupës është një valle figurash të ndërthurura, ku çdo varg djeg,
ndriçon dhe shndërron ndjenjën njerëzore në vizion poetik. Ajo i flet lexuesit
jo vetëm me kuptimin, por me ritmin, me dritëhijet dhe me tronditjen e saj të
brendshme. E megjithatë, pas metaforave dhe imazheve që e ndezin vargun,
qëndron pyetja e pashmangshme: ç’kuptim ka kjo flakë që nuk shuhet kurrë? Këtu
poezia na fton në një lexim filozofik.
III.Leximi filozofik
Në thelb, poezia e Ilirian Zhupës
është një meditim mbi ekzistencën, bukurinë dhe fatin e njeriut përballë forcave
që e tejkalojnë. Vargu i parë “Burri ka dalë nga zjarri” e shfaq
krijimin jo si akt hyjnor pa dhimbje, por si lindje nga përvëlimi, nga dhuna e
elementit të zjarrtë. Ky zjarr është shenja e forcës, por edhe e vetmisë, sepse
menjëherë njeriu gjendet “në këtë botë të
qelqët.” Qelqi këtu është metafora e brishtësisë dhe e transparencës së
jetës: e bukur për nga drita, por e rrezikshme nga thyerja.
Në këtë pikë, poezia ndërhyn në
dialog me rrëfimin biblik. Zoti krijoi së pari burrin dhe pastaj, nga brinja e
tij, krijoi gruan. Te Zhupa kemi një shndërrim poetik të këtij miti: nuk është
më brinja, por flaka ajo që lind gruan.“Pastaj
flaka ka dalë nga burri, është bërë bukuri tronditëse, është bërë grua.” Ky
varg e pasqyron gruan si krijesë të zjarrtë, që mbart brishtësinë dhe
madhështinë e njëkohshme, që lind nga dhimbja dhe njëkohësisht e kthen dhimbjen
në dritë.
Në këtë mënyrë, poezia ngre
pyetjen filozofike: çfarë është gruaja përballë burrit? Një dhuratë që i është
dhënë prej vetvetes, apo një flakë që i është besuar për ta provuar? Përgjigjja
e poetit është e dyfishtë: ajo është bekim dhe mallkim, dashuri dhe djegie.
Ndaj burri pyet me ankth:“Ç’të bëj me
zjarrin tim brufullues, që është Ti e më djeg pa mëshirë?”
Në këtë përballje shfaqet tensioni
midis eros-it dhe logos-it, fjalës, midis dëshirës dhe arsyes. Njeriu kërkon
ndihmën e engjëjve dhe të djajve, por as e mira e pastër dhe as e keqja
absolute nuk e shuan dot zjarrin. Vetëm heshtja e gruas mbetet si përgjigje: “Ti veç ke heshtur. Po heshtja jote ka
folur.” Kjo heshtje është filozofike, sepse nuk është boshësi, por tejkalim
i fjalës. Është heshtja e qenies përballë misterit të vetvetes.
Në fund, poezia pranon misterin
si pjesë të pandarë të jetës:“Burri ka
dalë nga zjarri. Zjarri ka dalë nga burri. Po flaka është grua gjithmonë…”Këtu
shfaqet një cikël i mbyllur, ku krijimi dhe përvëlimi, dashuria dhe dhimbja,
bukuria dhe shkatërrimi nuk janë të ndara, por të bashkuara në figurën e
gruas-flakë. Në këtë përqafim, njeriu e sheh veten si të lindur nga zjarri dhe
të destinuar të jetojë në të.
Kështu, poezia e Zhupës ngrihet
mbi tri shtylla filozofike: a.mbi
idenë biblike të krijimit, ku gruaja lind nga një brinjë e burrit; b.mbi vizionin platonik të bukurisë që
ngre shpirtin përtej vetesdhe c. mbi
ankthin ekzistencial që e vë njeriun përballë kufijve të tij. Në këtë bashkim,
poezia bëhet një këngë për vetë ekzistencën – të bukur, të dhimbshme dhe të
përjetshme:“Kështu të stepur nga nata,
ndezim zjarrin që zgjohet e zbukurohet te flaka, / E djeg qenien tonë.” Ky
meditim mbi zjarrin, gruan dhe heshtjen nuk është vetëm një lojë e mendjes së
poetit, por një frymë e re që futet në poezinë shqipe, duke sjellë risitë e saj
të padiskutueshme.
Mendoj të shohim dhe një elemente
tjetër: Në vargun “Burri ka dalë nga
zjarri. Zjarri ka dalë nga burri. Po flaka është grua gjithmonë…” sfidohet
një nga mitet më të forta të mendësisë tradicionale shqiptare: burri si shtyllë
e jetës së familjes, si mbrojtës, si forca që mban gjithçka. Tek Zhupa, kjo
shtyllë nuk është e vetmja qendër; ajo thyhet, shpërndahet dhe rilind nëpërmjet
flakes, që merr trajtë femërore. Dhe në vend që burri të zotërojë zjarrin, ai
bëhet prej tij; në vend që flaka të jetë vetëm një vegël e burrit, ajo del nga
ai, për ta kthyer në një tjetër krijim – gruan.
Ky shndërrim e kthen marrëdhënien
burrë-grua në dialog të ndërsjellë, jo një hierarki të njëanshme. Burri nuk
është më vetëm krijuesi apo zotëruesi i shtëpisë; ai është i brishtë, i lënë në
pritje “si fëmijë”, ndërsa flaka-grua
hyn, loz, magjeps dhe digjet brenda tij. Gruaja nuk është thjesht pasqyrë e
burrit, as e dalur nga brinja e tij, ajo është zjarr i vetë ekzistencës,
energji e pandalshme që e formëson dhe e trondit burrin.
Në këtë mënyrë, poezia i jep
gruas një status mitik, duke e vendosur në zemër të krijimit dhe shndërrimit. “Flaka është grua gjithmonë” nuk është
vetëm një metaforë e bukurisë; është një pohim i fuqishëm se feminiteti është
energji krijuese dhe tronditëse, që nuk mund të rreshtohet pas burrit, por që
ndizet bashkë me të dhe përtej tij. Kështu, poezia e Zhupës çliron figurën e
gruas nga kornizat e zakonshme dhe e ngre atë në një dimension të barabartë me
zjarrin e ekzistencës njerëzore.
IV. Risitë që sjell në poetikën
shqipe kjo poezi e Zhupës.
Poezia e Zhupës nuk është thjesht
rrëfim i përjetimeve personale; ajo sjell një frymë të re që zgjeron horizontet
e poetikës shqipe. Në çdo varg, poeti ndërthur intimitetin me filozofinë,
figurat artistike me thellësinë ekzistenciale dhe traditën me shijen moderne që
nuk është parë më parë në poezinë shqipe. Këto elemente përbëjnë risinë e saj:
a. Zhupa e shndërron përvojën
personale në reflektim universale. Në poezinë shqipe, ndjenja intime shpesh
mbetej e lidhur me tregimin dhe emocione të drejtpërdrejta; këtu ajo kthehet në
meditim mbi jetën dhe ekzistencën:“Burri
ka dalë nga zjarri, flaka bëhet grua.” Risia qëndron në këtë bashkim:
poezia shqipe fiton një dimension filozofik brenda një eksperiencë të thjeshtë
njerëzore.
b. Poezia e Zhupës i jep fjalës
një dimension të dyfishtë: ajo bëhet trup, ndjesi, tingull. Kjo nuk ishte praktikë
e zakonshme në poetikën shqipe, ku metafora ishte dekorative. Vargu:“Ti veç ke heshtur. Po heshtja jote ka folur”tregon
se heshtja ka peshë dhe melodinë e saj, duke krijuar një dimension sensorik dhe
emocional të paprecedent në poezinë tonë.
c.Në traditën e mëparshme shqipe,
metaforat shpesh shërbenin për të zbukuruar një imazh apo ndjenjë. Në këtë
poezi metafora bëhet struktura e kuptimit:“Flaka
ka dalë nga burri, është bërë bukuri tronditëse, është bërë grua.” Kjo
tregon një risi: metafora nuk është thjesht ornament, por mban brenda vetes të
gjithë tensionin ekzistencial dhe emocional të poezisë.
ç. Zhupa integron elemente të
brendshme të poezisë shqipe me përvoja europiane moderne, duke hapur një urë
mes lokales dhe universalitetit. Vargu: “Ç’të
bëj me zjarrin tim brufullues, që është Ti e më djeg pa mëshirë?” tregon
një ndjeshmëri ekzistenciale që përkujton Georg Traklin (austriak) ose Paul
Celanin (rumuno-gjerman), por ruan një tingull dhe një ndjenjë të veçantë shqiptare.
Risia është se poezia hyn në dialog me poezinë europiane pa humbur identitetin
e vet. Kështu, mund të themi se ky krijim i Zhupës nëpërmjet risive sjell në
poetikën shqipe një fjalë poetike që ndizet si flakë, hesht si violinë e
prishur dhe rrjedh si lumë, duke pasuruar traditën e saj me një vizion të ri,
të thellë e të hapur ndaj botës. Në këtë pikë, poezia e Zhupës nuk është më
vetëm një krijim i veçantë, por një hapësirë ku fjala poetike bëhet urë mes
intimes dhe universales, mes traditës dhe modernitetit.
Në thelb, poezia e Ilirian Zhupës
nuk kërkon përgjigje; ajo kërkon të lexohet me zemër. Aty ku burri del nga
zjarri dhe zjarri kthehet në grua, gjejmë një të vërtetë të thjeshtë dhe të
pamëshirshme: jeta lind dhe digjet njëkohësisht. Vargjet nuk shpjegojnë, ato
ndezin, dridhen dhe mbeten si shenja në qelqin e botës. Është bukuria që djeg
dhe heshtja që flet; është një përqafim i dhimbshëm dhe i palëvizshëm midis
dëshirës dhe misterit. Kjo poezi na lë me atë ndjesi të rrallë që tërheq
lexuesin brenda vetes: jo si një përgjigje, por si një dritë që vazhdon të
pulsojë edhe pasi dimri ka zbritur.
Sarandë, shtator 2025
BURRI KA DALË NGA ZJARRI
Burri ka
dalë nga zjarri, mes një nate të errët, ku pikturohen tmerret,
Dhe është
ndjerë i vetëm, në këtë botë të qelqët, duke lënë shenja zjarresh përqark.
Ato shenja
zjarresh, janë bërë qenie të tjera përmes klithmash, misteresh,
Dhe lozin me
atë që kanë At.
Pastaj flaka
ka dalë nga burri, është bërë bukuri tronditëse, është bërë grua,
Ka kaluar
përmes tij lozonjare, e brishtë dhe e ka lënë të presë si fëmijë.
Kjo ka të
ngjarë të ketë ndodhur me shumëkënd, po së pari, ka ndodhur me mua,
Kur u shfaqe
ti!
Atëherë kam
thënë me vete: -Ç’të bëj me bukurinë tënde, me sytë e tu që magjepsin,
C’të bëj me
zjarrin tim brufullues, që është Ti e më djeg pa mëshirë.
Kam thirrur
djajtë e zinj të më vijnë me të keqen, po ty s’të ka trembur e keqja,
Kam thirrur
engjëjt, të të marr me të mirë.
Ti veç ke
heshtur. Po heshtja jote ka folur: -Kot thërret frikën, pajtimin.
Burri ka
dalë nga zjarri. Zjarri ka dalë nga burri. Po flaka është grua gjithmonë…
Kështu të
stepur nga nata, ndezim zjarrin që zgjohet e zbukurohet te flaka
E djeg
qenien tonë.
No comments:
Post a Comment