VARGJE PËR VETVETEN
Nga Timo Mërkuri
Poezia “Të jesh grua” është një
perlë e hershme e krijimtarisë së Albina Idrizit, e shkruar në vitin 1994,
kur ishte në vitin e parë të studimeve universitare
dhe botuar në vitin 1997 në vëllimin
“Heshtja e mbarsur”, ku shfaq një pjekuri të rrallë duke ndërthurur
ndjesinë, reflektimin filozofik dhe vlerën estetikë në një mënyrë që rrallë
shihet tek poetët e rinj. Kjo poezi nuk lind thjesht nga përvoja, por nga
ndjenja e thellë e të qenit, nga përpjekja për ta kuptuar botën përmes
dhimbjes, heshtjes dhe qetësisë së përditshme. Ajo shfaq jo vetëm zërin e një
gruaje, por të një njeriu që kërkon kuptim në përplasjen me vetveten. Vargjet e
poezisë nuk janë thjesht përshkrime të përvojave femërore; ato janë një meditacion
mbi dualitetin e qenies, pluralitetin e identiteteve dhe kërkimin e vetvetes.
Poezia flet me një zë të
brendshëm dhe të ndjerë, ku kontradiktat; shenjtëria dhe përdalja, heshtja dhe
e folura, rolet e ndryshme dhe autentikiteti – shfaqen jo vetëm si situata të
jetës së përditshme, por edhe si reflektim ekzistencial. Ajo tregon se përmes
përvojave të përditshme dhe përballjes me rolet e ndryshme, gruaja dhe, në një kuptim më të gjerë, çdo njeri mëson të identifikohet me vetveten, duke
ruajtur autenticitetin në mes të pluralitetit të përjetimeve.
1.Leximi artistiko-estetik
Poezia “Të jesh grua” e Albina
Idrizit tërheq vëmendjen jo vetëm për temën që trajton, por edhe për mënyrën se
si ajo, qysh në moshën e parë të rinisë studentore, arrin të sjellë një univers
poetik të ngjeshur me tensione, kontradikta dhe imazhe të fuqishme. Është një
poezi e cila shfaq një pjekuri të hershme artistike, ku estetika ndërthuret me
psikologjinë dhe filozofinë e ekzistencës femërore. Vlera e saj qëndron në
aftësinë për të dhënë një tablo të copëzuar por të plotë të femrës moderne,
duke e vendosur në një hapësirë ku bashkëjetojnë hyjnorja dhe profania,
shenjtëria dhe epshi, dhimbja dhe ironia. Lexuesi përballet me vargje që nuk
thuhen, por përjetohen, ku çdo fjalë është si një frymë që ngrihet nga heshtja
dhe merr trajtë në ndërgjegjen tone.
a. Simboli
Poezia e ngre gjithë barrën
estetike mbi simbole të forta, ku femra nuk është vetëm një qenie reale, por
një univers ku përplasen shumëzime kuptimesh.
Simboli i shenjtëreshës dhe të përdalës ;“me një fytyrë të re shenjtëreshe,
për t’u shndërruar prapë
mbrëmjeve në të përdalë”
mishëron dualitetin e femrës në shoqëri: të
adhuruar dhe të stigmatizuar, të nderuar dhe të përçmuar.
Simboli i orgazmës së aktuar (“e të aktrosh orgazma”) nuk lidhet
vetëm me intimen, por bëhet metaforë e gjithë roleve të imponuara që gruaja
detyrohet të luajë në jetë, një akt i përhershëm i mbijetesës shoqërore.
b. Metafora
Metaforat shfaqin thellësinë
filozofike të poezisë dhe e bëjnë tekstin një tablo moderne.
“Të qeshësh më tepër
kur s’ka asgjë për të qeshur” është metaforë e boshllëkut të brendshëm,
e asaj maskë që femra duhet të vërë për të mbijetuar në rutinë.
“Të jetojnë me ty
në të njëjtën kohë
Nënë Tereza e Mata Hari” është metaforë e kontradiktës së
brendshme, që shfaq kompleksitetin e figurës së femrës mes shenjtërisë dhe
epshit, sakrificës dhe provokimit.
c. Personifikimi
Në poezi, ndjenjat dhe veprimet
njerëzore marrin dimension të ri përmes personifikimit.
“Të qash
edhe kur s’të vjen për të qarë”
e vendos ndjenjën në një pozitë të jashtme, sikur loti të ishte i huaj ndaj
shpirtit, një akt i imponuar.
Gjithashtu, vetë fytyra e re e
shenjtëreshës shihet si personifikim i maskës shoqërore, një fytyrë që
ndërrohet çdo ditë, e pajetë në vetvete, por e gjallë në presionin që ushtron.
ç. Imazhi poetik
Forca e poezisë qëndron te
krijimi i imazheve të forta kontrastive që lënë mbresë te lexuesi, ku: Imazhi i
fytyrës së shenjtëreshës që kthehet në të përdalë është një figurë e goditur,
ku kontrasti prodhon tronditje estetike.
Imazhi i galerisë së grave
historike dhe mitike (Nënë Tereza, Mata
Hari, Lolitë, Sherherzadë, Safo, Shën Mëri) krijon një panoramë universale
të femrës, ku përplasen epoka, kultura dhe kuptime, por që mbeten të përfshira
në një trup të vetëm, në një vetvete të papërsëritshme.
Kjo poezi është një perlë e
hershme e Idrizit, ku spikat një modernizëm i natyrshëm në mënyrën e të
ndërtuarit të figurave dhe tensioneve, duke shfaqur një vizion estetik ku
gruaja nuk paraqitet si figurë e njëtrajtshme, por si hapësirë kontradiktash e
mundësish, si një dramë ekzistenciale e përhershme. Me vargje si “Të jetojnë me ty / në të njëjtën kohë / Nënë
Tereza e Mata Hari... / E prapë të jesh vetvetja”, poezia arrin të
sintetizojë dramën dhe madhështinë e femrës moderne, duke e vendosur në një
plan universal dhe bashkëkohor
2. Ndërthurja e figurave artistike
n
Kjo poezi është një nga ato krijime që, edhe pse e
shkruar në një moshë të re, mbart një pjekuri të jashtëzakonshme poetike. Ajo e
sjell femrën jo si një imazh të ngurtë e të qartë, por si një hapësirë ku
takohen kontradiktat, ku bashkëjetojnë hyjnorja e profania, qeshja dhe loti,
shenjtëria dhe mëkati. Kjo poezi ngre një univers të ndërtuar mbi figurat
artistike, të cilat nuk rrinë të veçuara, por ndërthuren me njëra-tjetrën, duke
krijuar një tërësi që vibron estetikisht dhe filozofikisht.
a. Simboli dhe metafora
Në këtë poezi, simboli shpesh
merr formën e një metafore, dhe metafora shndërrohet në simbol. Kështu, “fytyra e re e shenjtëreshës” dhe “të përdalës” janë njëkohësisht simbole
të dy poleve të ekzistencës femërore dhe metafora të roleve që gruaja është e
detyruar të luajë çdo ditë. Përplasja e tyre krijon një tension poetik ku
lexuesi ndien dhimbjen dhe ironi në të njëjtën kohë. Në thelb, këto simbole nuk
janë vetëm figura të letërsisë, por gjendje të shpirtit njerëzor që lëkunden
midis dritës dhe errësirës, midis dëshirës për t’u pranuar dhe frikës nga
humbja e vetes.
b. Personifikimi dhe imazhi
poetik
Ndjenjat dhe veprimet e detyruara
marrin formën e një personifikimi që krijon imazhe të fuqishme. Kur gruaja “qesh edhe kur s’ka asgjë për të qeshur”
ose “qan edhe kur s’të vjen për të qarë”,
kemi një njeri të shndërruar në maskë, ku loti dhe buzëqeshja janë bërë aktorë
të jashtëm. Këto personifikime ushqejnë imazhe vizuale dhe dramatike, ku gruaja
shihet si skenë e një shfaqjeje të përditshme, si trup mbi të cilin luhet drama
e ekzistencës. Këtu poezia kthehet në një pasqyrë ku njeriu sheh veten të ndarë
më dysh: një pjesë që jeton dhe një pjesë që luan. Kjo ndarje është plagë, por
edhe vetëdije.
c. Simboli dhe imazhi
Galeria e figurave historike dhe
mitike (“Nënë Tereza e Mata Hari, /
Lolitë e Sherherzadë, / Safo e Shën Mëri”) është një ndërthurje ku simboli
kthehet në një imazh universal. Këto emra nuk janë vetëm figura; ato janë
simbole të femrës në dimensione të ndryshme kulturore e shpirtërore. Por
vendosur bashkë, ato krijojnë një imazh polifonik ku lexuesi sheh një trup të
vetëm që mban në vetvete shumë gra, shumë fate, shumë role.
ç. Metafora dhe personifikimi
Edhe akti “të
aktrosh orgazma” është një metaforë e fuqishme e hipokrizisë së imponuar
shoqërore, por në të njëjtën kohë merr nuanca personifikimi: është sikur vetë
trupi të shkëputet nga ndjenja dhe të luajë një rol që nuk është i tij. Këtu
metafora shndërrohet në një akt teatral, dhe poezia fiton dimensionin e një
skene ku femra është aktore e detyruar.
Ndaj themi se ndërthurja e
figurave poezi e ngre këtë poezi në nivel të lartë estetik. Simboli bëhet
metaforë, metafora lind imazhe, imazhi mbart personifikime, dhe të gjitha së
bashku krijojnë një univers ku gruaja shfaqet si dramë dhe si mister. “Të jetojnë me ty / në të njëjtën kohë / Nënë
Tereza e Mata Hari...” është shembulli më i qartë se si këto figura, kur
takohen, japin një tablo që është e bukur, tronditëse dhe universale. Kështu,
përmes një rrjeti figurash që ndizen e shuajnë njëra-tjetrën, poezia e Idrizit
na kujton se jeta nuk është një tablo e qartë, por një pasqyrë që thyhet e
ribëhet çdo ditë brenda nesh. Poezia nuk është thjesht një përshkrim, por një
shfaqje e brendshme e femrës moderne, e ndërtuar mbi një arkitekturë figurash
që flasin me një zë të vetëm.
d. Në këtë poezi ka dy shtresa që
e bëjnë të dallueshme: bukurinë artistike të imazheve dhe thellësinë filozofike
të mendimit.Një nga vargjet më të bukura estetikisht është: “me një fytyrë të re shenjtëreshe, / për t’u
shndërruar prapë / mbrëmjeve në të përdalë.”
Ky varg është i bukur për
kontrastin poetik që krijon: fytyra e shenjtëreshës dhe fytyra e përdalës, dy
skaje që nuk mund të bashkëjetojnë, por që në jetën e gruas shfaqen brenda të
njëjtit trup. Këtu kemi një metaforë të fuqishme dhe një imazh tronditës që
lartëson poezinë.
Ndërkohë,një nga vargjet më të
thella filozofikisht është: “E prapë të
jesh vetvetja, / prapë..” varg që shkon përtej estetikës, duke vendosur në
qendër pyetjen filozofike të identitetit: pas gjithë roleve, maskave, dhimbjeve
dhe përplasjes së figurave, çfarë do të thotë të jesh vetvetja? Ky “prapë” që
përsëritet bart një peshë të thellë ekzistenciale, duke sugjeruar se gruaja nuk
shuhet në asnjë rol të imponuar, por gjithmonë kthehet te thelbi i saj.Pra,
bukuria estetike dhe thellësia filozofike takohen tek kjo poezi, duke e bërë
atë një perlë të hershme të krijimtarisë së Albina Idrizit.
3.Në poezinë “Të jesh grua”,
Albina Idrizi shfaq bukurinë dhe thellësinë në të njëjtin varg. Tek “me një fytyrë të re shenjtëreshe, / për t’u
shndërruar prapë / mbrëmjeve në të përdalë”, imazhi është i fuqishëm,
estetikisht i thurur me kontraste që lënë gjurmë vizuale dhe emocionale. Por ai
nuk qëndron vetëm në nivelin e bukurisë; ai i paraprin reflektimit filozofik që
zbret te “E prapë të jesh vetvetja, /
prapë..”, ku gruaja, pavarësisht roleve, maskave dhe kundërshtive të jetës,
ruan identitetin e saj të brendshëm. Kështu poezia ndërton një urë mes
perceptimit estetik dhe thellësisë ekzistenciale, duke e bërë leximin një
përvojë që ndjehet si emocion dhe kuptohet si mendim.
4.Leximi filozofik dhe poetik i poezisë Në vargjet e Idrizit, edhen
pse në moshën e re të studentes, ndjejmë një zë që shfaq jo vetëm emocion, por
një mendim të thellë mbi jetën, identitetin dhe kontradiktat e qenies.
Filozofia që përvijon në këto vargje nuk është ajo e librave, por e shpirtit që
përpiqet të kuptojë pse duhet të jetë i ndarë mes dritës dhe hijes. Poezia nuk
është vetëm për gruan, ajo është për jetën që jetojmë të gjithë brenda roleve,
pritshmërive dhe dyzimeve tona.
Vargjet: “me një fytyrë të re shenjtëreshe, / për t’u shndërruar prapë /
mbrëmjeve në të përdalë.” tërheqin menjëherë vëmendjen: shenjtëria dhe
përdalja, drita dhe hije, idealet dhe epshet – të gjitha jetojnë në të njëjtin
trup. Kjo është një metaforë e fuqishme që tregon se jeta nuk është një vijë e
drejtë, por një rrjedhë ku bashkëjetojnë kundërshtitë, dhe çdo ditë na kërkon
të përballojmë dyzimet tona me guxim dhe ndërgjegje.
Në pasazhin:“të jetojnë me ty / në të njejtën kohë / Nënë Tereza e Mata Hari, /
Lolitë e Sherherzadë, / Safo e Shën Mëri, / E prapë të jesh vetvetja, prapë..”ndjejmë
një simfoni identitetesh, një ndërthurje që ngjan me poezinë europiane
postmoderne, ku pluraliteti i figurave shfaq shpërbërjen dhe kompleksitetin e
vetvetes. Gruaja nuk është vetëm një rol, ajo është bashkimi i historisë,
mitit, shenjtërisë dhe rebelizmit, dhe kjo ndërthurje i jep poezisë një
thellësi filozofike: të kuptosh veten do të thotë të pranosh shumëshmërinë
brenda vetes.
Ndërkohë te vargu:“E prapë të
jesh vetvetja, prapë..” gjithçka përmblidhet: pas maskave, pas kontradiktave,
pas gjithë figurave që jetojnë në të njëjtën kohë, mbetet vetvetja. Ky “prapë” është një ritëm i jetës, një eko
ekzistenciale që tregon se identiteti nuk është i dhënë, por fiton formë në
përballjen e përditshme me rolet dhe pritshmëritë.
Gjithçka në këtë poezi është një
thirrje për të ndjerë dhe për të reflektuar, një urdhër të heshtur për të
jetuar me ndërgjegje dhe të pranojmë kompleksitetin tonë. Aktet e përditshme,
të flasësh kur nuk ke çfarë të thuash, të qeshësh kur nuk ka asgjë për të
qeshur, të qash kur nuk të vjen për të qarë bëhen ritual filozofik, ku çdo
përvojë është një hap drejt vetëdijes dhe njohjes së vetvetes.
Në këtë mënyrë, poezia e Albina
Idrizit nuk është vetëm një përvojë estetike, por një meditim i thellë mbi
ekzistencën, ku ndjenja dhe mendimi bashkohen, ku kontradiktat nuk zhduken, por
bëhen pjesë e një harmonie të brendshme, dhe ku vetvetja mbetet gjithmonë
qëllimi suprem i jetës së njeriut.
5. Risitë poetike të poezisë “Të
jesh grua” në kontekstin e poezisë shqipe në Kosovë.
Poezia e Idrizit, shkruar në
fillim të viteve ’90, sjell disa elementë të rinj që e dallojnë nga poezia që
lëvrohej në Kosovë deri atëherë. Kjo është një poezi që nuk e kërkon risinë në
formë, por në shpirtin e saj; ajo guxon të thotë atë që përherë është heshtur.
Në këtë mënyrë, Idrizi nuk ndryshon vetëm mënyrën se si shkruhet poezia, por
edhe mënyrën se si ajo përjetohet
Në atë periudhë, poezia femërore
në Kosovë sapo fillonte të kërkonte zërin e vet të pavarur. Në këtë kuptim, “Të
jesh grua” shënon një kthesë të rëndësishme, sepse nuk e sheh më femrën nga
jashtë, por e lë atë të flasë nga brenda, me gjithë thyerjet, pasiguritë dhe
ndjenjat që përbëjnë thelbin e përvojës njerëzore.
a.Trajtimi i identitetit femëror
me dyzime dhe kontradikta, ku ndryshe nga poezia tradicionale kosovare që
shpesh idealizonte gruan si nënë, motër ose engjëll të shenjtë, Idrizi paraqet
gruan si qenie të shumëfishtë, ku bashkëjetojnë shenjtëria dhe epshi, maska dhe
vetvetja: “me një fytyrë të re
shenjtëreshe,/për t’u shndërruar prapë/ mbrëmjeve në të përdalë.”Ky trajtim
është një ndryshim radikal në përfaqësimin e gruas, duke i dhënë thellësi
psikologjike dhe filozofike.
Kështu, gruaja e Idrizit nuk
është më figurë alegorike apo model moral, por një qenie që guxon të përjetojë
kontradiktat e saj, duke i shndërruar në substancë poetike. Ky vetë-shqyrtim
përmes artit është një hap emancipues që ndryshon mënyrën si poezia shqiptare
fillon të kuptojë identitetin njerëzor. Kjo thellësi nuk është thjesht
përshkrim i ndjesive, por një zhytje në vetëdijen femërore që kërkon të kuptojë
se kush është në botën e roleve të ndërtuara prej të tjerëve. Nga ky introspeksion
lind edhe nevoja për një strukturë të re shprehjeje.
b.Poezia përdor një montazh
poetik ku figurat e ndryshme: Nënë Tereza, Mata Hari, Lolitë, Sherherzadë, Safo
dhe Shën Mëri bashkëjetojnë brenda të njëjtës përvojë. Kjo teknikë ishte e
rrallë në poezinë shqipe që lëvrohej në Kosovarën e asaj kohe, ku poezia
zakonisht ishte lineare dhe e fokusuar në përjetimet personale apo historike:“të jetojnë me ty/në të njejtën kohë/Nënë
Tereza e Mata Hari,/Lolitë e Sherherzadë,/Safo e Shën Mëri.” Ky bashkim
figurash mitike e historike krijon një univers poetik ku koha, përkatësia dhe
morali shkrihen. Përmes këtij montazhi, poezia e Idrizit flet për përvojën e
gruas si përvojë të përbotshme, ku çdo emër femre bëhet simbol i një pjese të
shpirtit të saj.
c.Ndryshe nga poezia e viteve
’80-’90, që shpesh përdorte një stil dekorativ dhe retorik, Idrizi zgjedh një
gjuhë të thjeshtë, por të fortë, që bën perceptueshme kontradiktën dhe
dualitetin. Aktet e përditshme – të
flasësh kur nuk ke çfarë të thuash, të qeshësh kur nuk ka asgjë për të qeshur
– shndërrohen në rituale ekzistenciale që nuk janë hasur më parë në poezinë
kosovare: “Të flasësh më tepër/kur s’ke
asgjë për të thënë,/të qeshësh më tepër/kur s’ka asgjë për të qeshur,/Të qash/edhe
kur s’të vjen për të qarë.” Thjeshtësia e gjuhës nuk është varfëri
shprehëse, por zgjedhje estetike që e çliron poezinë nga retorika e tepërt dhe
e afron me jetën e përditshme. Kjo i jep zë një ndjenje të re poetike, ku
përvoja intime bëhet vend i filozofisë së përulur – aty ku e përditshmja fiton
kuptim përmes heshtjes dhe paradokseve të saj.
ç.Për herë të parë në poezinë
kosovare të asaj kohe shihet një zë që ndërthur dualitetin, pluralitetin e
identiteteve dhe reflektimin filozofik, duke i afruar krijimtarinë e re me
frymën e poetëve europianë të viteve ’80–’90. Idrizi nuk imiton, por përshtat
këto elemente me realitetin lokal, duke krijuar një stil të vetin, që e bëjnë
këtë poezi një perlë të hershme dhe të veçantë të poezisë shqipe në Kosovë.Në
këtë mënyrë, poezia e saj bëhet një urë mes Lindjes dhe Perëndimit, mes
trashëgimisë lokale dhe universales. Ajo dëshmon se letërsia e Kosovës, në prag
të dekadës së re, ishte gati të hynte në një dialog të barabartë me
modernitetin evropian, jo përmes imitimit, por përmes shpikjes së një gjuhe të
vetën, që e bëjnë këtë poezi një perlë të hershme e të veçantë të poezisë
shqipe në Kosovë. Në këtë mënyrë, risia e Idrizit nuk qëndron vetëm në guximin
e formës apo të temës, por në mënyrën si ajo e kthen përvojën personale në
universale. Ajo shndërron dhimbjen në dritë, dhe heshtjen në gjuhë poetike që
sfidon kohën.
6. Portreti i Albina Idrizit
sipas kësaj poezie
Në fillim të viteve ’90, Albina
Idrizi shfaqet si një zë i ri, i freskët dhe i guximshëm në poezinë shqipe në
Kosovë. Ende shumë e re në moshë, ajo vjen me një qasje që e largon poezinë nga
retorika e rëndë e kohës dhe e fut në hapësirën intime të njeriut të zakonshëm.
Në vend të toneve patetike e kolektive, poezia e saj i jep vend heshtjes,
vetmisë, braktisjes, gjesteve të thjeshta, por të mbushura me kuptim
ekzistencial. Në vargjet e saj, fjala, frymëmarrja, heshtja nuk janë më vetëm
akte të zakonshme, por shndërrohen në simbole që mbartin dramën dhe të vërtetën
e qenies. Kjo është risi e madhe, sepse poetja e sjell poezinë në një terren ku
përvoja intime lidhet me universin, ku një detaj i vogël bëhet pasqyrë e gjithë
botës së brendshme.
Albina Idrizi e re, 18-19
vjeçare, pati forcën të shpallë përmes artit se edhe brezi i saj, me gjithë
rrethanat e rënda historike, nuk dëshiron vetëm të jetojë për të mbijetuar, por
për të jetuar me ndjenjë dhe me thellësi. Poezia e saj është një refuzim i
heshtur i patetikës kolektive dhe një afirmim i vetes si qenie që mendon, ndjen
dhe kërkon kuptim në një realitet të zymtë.
Në këtë kuptim, portreti i Albinës
Idrizi në fillim të viteve ’90 është portreti i një poeteje moderne, që vjen me
një ton të ulët e meditativ, por me një forcë të madhe të brendshme, duke i
dhënë një dimension të ri poezisë shqipe në Kosovë: intimen, fragmentaren,
ekzistencialen. Ajo nuk flet si kor, por si një zë i vetëm që dridhet e
rezaton.
a. Dialogu me poezinë europiane
Nëse e lexojmë Albinën Idrizi në
fillim të viteve ’90, na lind natyrshëm pyetja: si lidhet ky zë i ri, ende
studente, me frymën e poezisë europiane të kohës? Dhe aty e shohim se ajo nuk
është e mbyllur në kufijtë lokalë, as e robëruar nga temat kolektive që
mbizotëronin në letërsinë shqipe të Kosovës. Përkundrazi, poezia e saj është e
hapur, e ndjeshme ndaj përmasës intime, ndaj fragmentit dhe ndaj paradoxit –
tre shtylla që ishin të forta në poezinë moderne dhe postmoderne europiane.
Si tek Sylvia Plath apo Ingeborg
Bachmann, tek Albina gjejmë guximin për të hyrë në brendinë e gruas jo si ideal
i ngritur në piedestal, por si qenie me kontradikta, me maska, me dyzime. Vargjet
“të zgjohesh për çdo ditë / me një fytyrë
të re shenjtëreshe, / për t’u shndërruar prapë / mbrëmjeve në të përdalë”
sjellin atë kontrast të dhimbshëm mes shenjtërisë dhe rrënimit, mes ëndrrës dhe
poshtërimit, që na kujton dramat ekzistenciale të femrës moderne në letërsinë
europiane.
Ndërthurja e figurave – nga Nënë
Tereza te Mata Hari, nga Safo te Sherherazada – është një mënyrë për të futur
polifoninë e zërave dhe fateve, ashtu siç poetët europianë të asaj kohe kërkonin
të shprehnin shumëfishtëshmërinë e njeriut dhe prishjen e unitetit klasik të
subjektit. Në këtë pikë, poezia e saj lidhet me frymën postmoderne: një grua
nuk është më vetëm një figurë, por një galeri figurash që jetojnë në të njëjtën
kohë brenda saj.
Dhe ndoshta më e rëndësishmja:
Albina Idrizi sjell atë tonin e heshtur, meditativ, ku akti i përditshëm bëhet
filozofi. Kjo e afron me poezinë europiane që pas viteve ’60 kishte braktisur
retorikën dhe madhështinë, duke zgjedhur fjalën e thjeshtë, të zhveshur, por me
peshë të brendshme. Ajo është më afër një poezie që dëshiron të tregojë
tensionin e njeriut të zakonshëm, gruas së zakonshme, në një botë që i kërkon
maska dhe sakrifica.
Në këtë kuptim, qasja e saj me
poezinë europiane është e natyrshme: ajo sjell në poetikën shqipe një frymë që
nuk njeh kufij – një poezi të thellësisë psikologjike dhe filozofike, të
fragmentit, të kontrastit, të brendësisë njerëzore që rri gjithnjë në dialog me
jashtësinë. Një poezi që është më afër vajzës që shkruan me sytë e rinisë dhe
plagët e historisë, por që në thelb flet me një gjuhë universale. Në fund të
leximit, mbetet një ndjesi e qetë, si pas një rrëfimi të brendshëm: që të jesh
grua, apo njeri, është të përballesh me vetveten në çdo agim e perëndim, dhe
nga ajo përplasje të ringjallesh në poezi.
Sarandë, shtator 2025
TE JESH GRUA
Shpesh herë,
të jesh grua
do të thotë
të zgjohesh
për çdo ditë
me një
fytyrë të re shenjtëreshe,
për t’u
shndërruar prapë
mbrëmjeve në
të përdalë.
Shpesh herë,
të jesh grua
do të thotë
të
ndjellësh, të frenosh epsh,
e të aktrosh
orgazma.
Të flasësh
më tepër
kur s’ke
asgjë për të thënë,
të qeshësh
më tepër
kur s’ka
asgjë për të qeshur,
Të qash
edhe kur
s’të vjen për të qarë.
Eh, shpesh
herë,
të jesh grua
do të thotë
të jetojnë
me ty
në të
njejtën kohë
Nënë Tereza
e Mata Hari,
Lolitë e
Sherherzadë,
Safo e Shën
Mëri,
E prapë të
jesh vetvetja,
prapë..
Vëllimi poetik “Heshtja e mbarsur” 1997
No comments:
Post a Comment