Saturday, 20 September 2025

 

Kur heshtin sirenat

 

Nga Timo Mërkuri

Poezia “Zëri i sirenave” e Robert Martikos e shpie lexuesin në një udhëtim të dyfishtë: mes mitit homerik dhe botës së sotme, mes detit të lashtë dhe qytetit modern, mes këngës së harruar dhe heshtjes që sundon. Ajo ngjan si një pasqyrë e thyer ku pasqyrohet njeriu i kohës sonë, që nuk përballet më me sirenat joshëse të “Odisesë”, por me makinat, me ritmin e pashmangshëm të qytetërimit dhe me një heshtje që ka më shumë forcë se kënga. Ky udhëtim poetik hap shtigje leximi: estetik, artistik, filozofik dhe aktual. Çdo shtigje nuk është i ndarë nga tjetri, por lidhet si hallkat e një zinxhiri, duke krijuar një tablo të përbashkët të fatit modern të njeriut.

1. Leximi estetik

Në planin estetik, poezia mbart një bukuri të kthjellët, të thjeshtë, që lind nga kontrasti mes së shkuarës mitike dhe së tashmes moderne. Figuracioni është i përmbajtur, i përqendruar tek drita dhe heshtja – dy elementë që zëvendësojnë zërin dhe melodinë.

Drita këtu nuk është më shpresë, por një prush që djeg:

Mjafton drita:

kur prek lëkurën

kur verbon syrin,

 kur digjet në pëllëmbë.”

Ajo shfaqet si një përbindësh i padukshëm, që nuk ndriçon, por shkrumbon. Është një dritë që verbon, djeg dhe paralizon; një metaforë e kohës sonë të mbushur me pamje të forta, por pa kuptim shpirtëror.

Heshtja zë vendin e këngës:

“Kënga s’ka më tinguj.

 Heshtja është ngushtica

 ku Skilla nuk kafshon,

 veç vrojton.”

Është një heshtje që rrezikon më shumë se ulërima, një qetësi që bart brenda vetes frikën e pashpjegueshme. Heshtja këtu nuk është mungesë tingulli, por një forcë që ngulfat njeriun nga brenda.

Në këtë mënyrë, pamja poetike është e zhveshur nga zbukurimet, por e ngarkuar me ankth. Është një bukuri e ftohtë, që buron nga ndërthurja e miteve homerike me realitetin e ngurtë të sotëm. Drita dhe heshtja nuk janë më elementë natyrorë, por simbole të një bote ku shpirti endet pa strehë. Bukuria e kësaj poezie nuk është e natyrshme; ajo është produkt i një tensioni të brendshëm dhe një qetësie të ngurtë, që e bën leximin jo vetëm estetik, por edhe emocional.

2. Leximi artistik

Nga këndvështrimi artistik, Martiko përdor një stil lakonik, me vargje të shkurtra e të prera, që ngjajnë me frymëmarrje të ndërprera. Ky ritëm i ngushtë pasqyron gjendjen e njeriut të mbyllur, të rrethuar nga forca që nuk duken, por ndihen.

Mitit homerik i jepet një skenë e re: sirenat nuk këndojnë, Odiseu nuk ka nevojë të lidhet, Skilla nuk kafshon dhe Karibda nuk gëlltit. Kjo zbrazëti e figurave është një gjetje e hollë artistike: miti nuk zhduket, por merr trajtë tjetër. Në këtë heshtje të re, sirenat janë hija pa zë, ndërsa Odiseu është heroi i zhveshur nga legjenda, është një udhëtar i heshtur, i verbuar nga drita, i mpirë nga boshllëku:

“Odiseu kalon drejt,

 pa dridhje,

 me shikimin e ngulur në boshllëk.”

Ai nuk sfidon, nuk lufton, thjesht ecën. Nuk nxiton pwr te Penelopa. Përbindëshat nuk sulmojnë, por vrojtojnë. Tabloja homerike ridizenjohet si një peizazh i ngrirë, i ftohtë, ku heshtja bëhet fuqi e pamëshirshme. E më të ftohtë shfaqet tabloja moderne:

“Makinat i japin ritëm kësaj heshtjeje,

 si rrotulla që s’ndalen,

 si një oqean i fshehtë

 që e gllabëron njeriun –

 pa këngë.”

Ky varg është një pasqyrë e saktë e jetës moderne: autostrada që gumëzhijnë, motorë që nuk pushojnë, fabrika që punojnë me ritëm, një botë që lëviz pa ndalim. Gjithçka ka tinguj, por jo këngë; ka lëvizje, por jo shpirt.

Kjo pasqyrë artistike i jep poezisë një dimension universal: makina ngrihet në simbol, jo më thjesht si objekt, por si një sirenë e re që nuk të josh, por të thith. Arti i Martikos, përmes kësaj metamorfoze të figurave, e lidh lashtësinë me modernitetin duke treguar se miti nuk zhduket, ai vetëm ndryshon maskën dhe kuptimin e tij në botën bashkëkohore.

3. Leximi filozofik

Nga estetika dhe arti, rrjedhimshëm lind leximi filozofik. Poezia flet për zhdukjen e këngës, pra për humbjen e kuptimit: “Kënga s’ka më tinguj.”

Odiseu pa dridhje është portreti imazhist i njeriut të mpirë, që nuk ndjen më as tundimin, as frikën:

“Odiseu kalon drejt,

pa dridhje,

me shikimin e ngulur në boshllëk.”

Ky është njeriu që ecën thjesht nga zakoni, pa pasion, pa dramë, drejt një horizonti të zbrazët. Më shumë se sirenat, ai ka frikë nga heshtja që ia përpin kujtimet.

Këtu shfaqet kontrasti i madh mes Homerit dhe Martikos:  Te Homeri, kënga e sirenave ishte zjarr që tundonte; te Martiko, heshtja është akull që mpin.

Te Homeri përbindëshat sulmonin me britma; te Martiko, ato heshtin dhe zbrazin. Skila dhe Karibda nuk janë më përbindësha të furishëm, por shndërrohen në forca të heshtura që zbrazin brendinë e njeriut. Miti merr kështu kuptim ekzistencialist: rreziku i madh nuk vjen nga jashtë, por nga boshatisja e vetes.

Një thithje e padukshme

 që zbraz njeriun

 dhe botën.”

 

Tragjedia e kohës sonë, sipas Martikos, nuk është tundimi që na rrëzon, por mungesa e tij; jo kënga që na çmend, por heshtja që na zbraz. Kjo është një filozofi e hidhur e modernitetit: shpirti nuk digjet më nga pasionet, por shuhet nga boshllëku. Martiko na kujton se ekzistenca e njeriut nuk kërcënohet vetëm nga rreziku i jashtëm, por edhe nga rreziku i brendshëm, heshtja që fshihet në brendësinë e vetvetes.

4. Leximi modernist

Poezia e Robert Martikos “Kur heshtin sirenat” i afrohet ekzistencializmit modernist, asaj ndjesie që njeriu nuk kërcënohet më nga jashtë, por nga zbrazëtia e vetes. Nuk është një poezi që ngre heronj, por një poezi që rrëzon legjendën dhe na tregon se njeriu i kohës sonë është më i brishtë se Odiseu i Homerit. Në vend të sirenave që këndojnë, mbizotëron heshtja:

“Kënga s’ka më tinguj.

Heshtja është ngushtica

ku Skilla nuk kafshon,

veç vrojton.”

Kjo heshtje nuk është paqe, por një boshllëk që mpin. Ajo na kujton se moderniteti shpesh i kthen simbolet e lashtësisë në hije pa jetë.

Po ashtu, përshkrimi i makinave që zëvendësojnë sirenat na çon drejt simbolizmit modern: makinat nuk janë më mjete, por shndërrohen në metafora të ritmit të pamëshirshëm të qytetërimit:

“Makinat i japin ritëm kësaj heshtjeje,

si rrotulla që s’ndalen,

si një oqean i fshehtë

që e gllabëron njeriun –

pa këngë.”

Këtu ndjejmë edhe frymën e poezisë së huaj moderniste, si tek Eliot, ku njeriu endet në një botë të zbrazët, të paqëndrueshme, ku simbolet e dikurshme humbin dritën e tyre.

Në thelb, Martiko ndërthur ekzistencializmin me një simbolizëm modern, duke e vendosur njeriun përballë një bote të heshtur që nuk i ofron as tundimin, as shpresën.

Për ne si lexues, kjo poezi është një kujtesë e trishtw: heronjtë e sotëm nuk janë luftëtarë që mposhtin përbindësha, por njerëz të zakonshëm që rrezikojnë të shuhen nga brenda.

5. Leximi aktual

Poezia bëhet pasqyrë e botës sonë të zhurmshme e të boshatisur. Në kohën tonë, rreziku nuk vjen më nga dallgët e detit, por nga mekanizmat e ngurtë që shndërrojnë njeriun në një udhëtar të pavetëdijshëm të një sistemi të huaj. Sirenat e lashta janë zëvendësuar nga makinat, nga ritmet e pandalshme të qytetit, nga zhurma që nuk sjell këngë, por një heshtje më të thellë.

Poezia është edhe një reflektim për krizën e komunikimit: dikur joshja vinte nga zëri, nga kënga që ngjallte pasion; sot mbizotëron një heshtje e gjerë, një boshllëk që ngulfat shpirtin. Në mes të zhurmës së makinave, njeriu jeton i mbytur në një qetësi të brendshme që nuk ngroh, por shuan.

Në këtë ngushticë të re, rreziku nuk është i jashtëm, por i brendshëm, humbja e vetvetes. Epika moderne nuk është më beteja me sirenat e mitit, por përpjekja për të mbrojtur shpirtin përballë një bote që hesht, që rrotullohet pareshtur, që na mpin dhe na zbras nga brenda.

Duke e parë në këtë dritë, poezia ngre ura mes Homerit dhe Martikos: sirenat e Martikos nuk janë zjarr pasionesh, por hije të një bote të ftohtë. Odiseu i ri nuk është më hero, por një kalimtar i zakonshëm, që shkon drejt humnerës me sytë e ngulur në asgjë.

Martiko na thotë se epika e kohës sonë nuk është më sfida për trupin, por beteja për shpirtin. Dhe kjo e bën poezinë e tij një pasqyrë poetike të njeriut modern: një Odise pa këngë, pa dridhje, që kalon mes sirenave të heshtura drejt boshllëkut. Heshtja e tij është më e rrezikshme se çdo përbindësh i lashtë, sepse ajo rrëmben brendësinë dhe shpirtin e njeriut pa zhurmë, pa britmë, pa zjarr. Në këtë epikë të re, heroizmi nuk matet me fitore betejash, por me aftësinë për të mos u zhveshur nga shpirti.

 

Sarandë, 15–18 shtator

 

ZËRI I SIRENAVE

Sirenat nuk këndojnë më.

Mjafton drita:

kur prek lëkurën,

kur verbon syrin,

kur digjet në pëllëmbë.

 

Askush nuk i mbyll më veshët,

detarët nuk lidhen.

Odiseu kalon drejt,

pa dridhje,

me shikimin e ngulur në boshllëk.

 

Kënga s’ka më tinguj.

Heshtja është ngushtica

ku Skilla nuk kafshon,

veç vrojton.

 

Dhe kur mendon

se rreziku ka mbaruar,

ngrihet përbindëshi tjetër –

Karibdis –

pa zë, pa shkëlqim,

një thithje e padukshme

që zbraz njeriun

dhe botën,

në një rrotullim të heshtur

drejt humnerave të ujërave pa fund.

 

Makinat i japin ritëm kësaj heshtjeje,

si rrotulla që s’ndalen,

si një oqean i fshehtë

që e gllabëron njeriun –

pa këngë.

No comments:

Post a Comment