ËNDËRR NË JON
Magjia e krijimit dhe
dritat e kujtesës poetike
Nga Timo Mërkuri
Poezia “Ëndërr në Jon” e Fatmir
Terziut është një nga ato krijime poetike që qëndrojnë në kufirin mes reales
dhe fantastikes, mes vetëdijes dhe ëndrrës, duke mishëruar në mënyrë të natyrshme
shpirtin e realizmit magjik në poezinë bashkëkohore shqiptare. Kjo rrymë, që
bashkon të zakonshmen me të jashtëzakonshmen pa ndarje të dukshme mes tyre,
shfaqet në këtë tekst si një proces i brendshëm krijimi, ku deti, fjalët,
poezia dhe vetë poeti ndërthuren në një përvojë poetike që kapërcen realitetin.
1. Në vargun nisës “Në vargjet e mia një det me mesazhe”,
deti nuk është thjesht një element natyror, por një qenie e gjallë që mban
brenda vetes mesazhe, ndjenja dhe frymëzim. Kjo është mënyra tipike e realizmit
magjik: sendet marrin shpirt, bëhen bartës kuptimesh të fshehta.Vala “m’i deh” dhe bunaca “një nga një i mbledh” nuk janë
përshkrime realiste të detit, por shprehje të një energjie poetike që e lidh
njeriun me natyrën në mënyrë shpirtërore, si në një ritual.
Kjo lidhje magjike thellohet më
tej kur poeti thotë: “Poezia ime i
përkëdhel si fate/dhe i ngjiz në trupin tim” ku poezia personifikohet, merr
funksionin e një force krijuese, të ngjashme me natyrën hyjnore që ngjiz jetën.
Realiteti i zakonshëm i të shkruarit bëhet një akt mitik, një proces lindjeje
poetike që ndodh brenda trupit të njeriut, në një hapësirë midis realitetit dhe
magjisë.
2. Në vetë titullin “Ëndërr në
Jon” gjendet thelbi i kësaj poezie: bota e ëndrrës dhe bota reale shkrihen në
një. Poeti “trazon Jonin e shqetësuar”
dhe “rrëkëlle disa kupa” ndërsa
“përhumbet duke kënduar”. Kjo nuk është një skenë reale, por një përjetim
poetik që i përket sferës së nënvetëdijes, aty ku magjikja shfaqet si një
mënyrë e natyrshme e të qenit. Në ëndrrën e tij ai “mendon se është mes nimfash”, figura mitologjike që i japin poezisë
dimensionin e lashtë e hyjnor. Nimfat, pulëbardhat që “ndezin mori dritash”, dhe vetë Joni që flet e pyet poetin, të
gjitha janë shenja të një bote që flet, që merr pjesë në përjetimin njerëzor,
një nga veçoritë më karakteristike të realizmit magjik.
3. Në vargjet:
“Joni më pyet pse po e bën këtë?
kalimtarët bujasin mbi guralecë,
unë hap dhe mbyll pa zë e me zë
deri sa diku vargu më ngec...”
poeti hyn në një dialog magjik me
detin, si të ishte një bashkëbisedues i gjallë, ndërkohë që bota e jashtme
(kalimtarët) mbetet e paditur për këtë mister. Kjo dyfishim i realitete-ve ;
poeti në botën e vet të brendshme dhe kalimtarët në botën e zakonshme përbën
një tipar thelbësor të realizmit magjik: dy botë bashkëjetojnë pa e përjashtuar
njëra-tjetrën. Madje dhe fundi i poezisë e ruan këtë frymë:
“Në vargjet e mia një mal me
mesazhe.
Joni m’i shëndet. Joni m’i nget.
...
Joni nis e dremit i qetë,
unë hap dhe mbyll gojën time.”
Deti merr frymë, flet, dremit, ai
është pasqyra e shpirtit të poetit, por edhe një realitet që ekziston brenda
gjendjes poetike. Kjo përzierje e metafizikës me konkretin është zemra e
realizmit magjik.
4.“Ëndërr në Jon” nuk kërkon të
shpjegojë realitetin, por ta shndërrojë atë në përjetim poetik. Magjia e saj
nuk vjen nga trillimi, por nga mënyra se si poeti e sheh botën, një botë ku
deti është pasqyra e shpirtit, vargu një trup i gjallë, dhe poezia një qenie që
“përkëdhel si fate”. Në këtë
bashkëjetesë të magjikes me realen, të njeriut me eleme-ntët e natyrës, të
zgjimit me ëndrrën, Fatmir Terziu sjell një poezi thellësisht moderni-ste, ku
realiteti i jashtëm dhe ai shpirtëror ndërthuren për të ndërtuar një mit të ri
poetik, mitin e krijimit përmes detit dhe fjalës. Në këtë mënyrë, “Ëndërr në
Jon” është poezi e realizmit magjik jo sepse kërkon të mahnisë, por sepse bën
të besueshme magjinë e jetës së brendshme, duke e kthyer realitetin në ëndërr
dhe ëndrrën në realitet poetik.
II-Është e vërtetë që Fatmir
Terziu i është kthyer shpesh Jonit dhe Sarandës në poezinë e tij, jo thjesht si
peizazh, por si vend shpirtëror, si një hapësirë ku njeriu takohet me veten dhe
me thellësinë e jetës. Disa herë kam shkruar se ai i ka parë bregdetin jonian
si një kujtesë të gjallë, një vend që ruan gjurmët e njerëzve, të fjalëve, të
frymës krijuese dhe madje shpesh kam shkruar pse ka ndodhur kjo duke zbërthyer
afrin e poetit me Klubin e Krijuesve Jonianë të qytetit të Sarandës. Por në këtë rast, në poezinë “Ëndërr në Jon” ai
bën një hap më tej: nuk është më përshkrues i detit, por pjesë e tij; nuk është
më vëzhgues i bukurisë, por bashkëshkrues i saj. Kjo është arsyeja pse poezia
hyn në rrafshin e realizmit magjik, sepse ajo nuk tregon më një realitet, por e
shndërron realitetin në mit.
1. Në krijimtarinë e mëparshme të
Terziut, deti dhe Saranda janë shpesh të pranishëm si hapësira frymëzimi dhe
kujtese, por në këtë poezi ato bëhen një dimension poetik i ndërthurur me
ëndrrën. Ai nuk shkruan më “për Jonin”, por brenda tij, si në një përqafim të
përjetshëm: “Në vargjet e mia një det me
mesazhe./Vala m’i deh. Bunaca një nga një i mbledh.” Në këto vargje nuk
gjejmë më peizazh, por një bashkëndjesi, një komunikim i drejtpërdrejtë me
elementin. Kjo mënyrë e re e të shkruarit e çon poetin në një tjetër plan
poetik, në atë të realizmit magjik, ku realja nuk përjashton magjiken, por e
përthith në veten e saj si një mënyrë e re për të jetuar poezinë.
2. Të kuptojmë se kjo qasje e
Terziut nuk është thjesht një lojë me figuracionin, por një risi e brendshme në
përjetim. Terziu gjithmonë ka ditur të shohë bukurinë në dritën e ditës, por
këtë herë ai e sheh përmes mjegullës së ëndrrës, përmes një ndjesie që nuk
është më vëzhguese, por bashkëkrijuese. Kur
ai thotë: “Poezia ime i përkëdhel
si fate/ dhe i ngjiz në trupin tim,” ai i jep poezisë përmasën e një akti
mistik. Vargu lind si frymë, si jetë, si diçka që buron nga trupi e shpirti i
poetit, jo nga një realitet i jashtëm. Kjo është një mënyrë tërësisht
moderniste e të ndërtuarit të poezisë, larg përshkrimit tradicional, afër
përjetimit metafizik. Në këtë kuptim, “Ëndërr në Jon” është një risi në
krijimtarinë e tij sepse ai arrin të bashkojë përvojën poetike të viteve me një
shikim të ri mbi realitetin: një shikim ku deti është edhe vend real, edhe hapësirë
shpirtërore, edhe metaforë e vetë krijimit.
3. Kjo poezi nuk është vetëm një
përvojë e veçantë individuale, por hyn në poetikën bashkëkohore shqipe si një
shembull i mënyrës se si realizmi magjik mund të mishërohet në poezi, jo vetëm
në prozë.
Në letërsinë shqiptare, realizmi
magjik është më i pranishëm në tregime dhe romane dhe në disa pak poezi ,por në këtë rast,
Fatmir Terziu e sjell në poezi me një finesë që rrallë shihet. Ai arrin të
krijojë një realitet poetik të dytë, ku gjithçka ndodh në mënyrë të natyrshme,
por është njëkohësisht e mbushur me mister dhe nënkuptime. Në vargjet: “Mendoj se jam mes nimfash/pulëbardhat më
ndezin mori dritash...” poeti kalon
kufirin e reales pa e prishur atë; nimfat dhe pulëbardhat jetojnë bashkë në të
njëjtin det, në të njëjtën ndjesi. Kjo është esenca e realizmit magjik:
bashkëjetesa pa tronditje e mitikes me të zakonshmen. Dhe në këtë përzierje,
Terziu sjell një ton të vetin, një poezi që flet me qetësi, por mbart në brendësi
një dritë që nuk shuhet.
4. Në thelb, “Ëndërr në Jon”
është edhe një kthim në honestrën
shpirtërore të poetit. Ai kthehet te Joni, jo më si vizitor, por si
pjesë e përhershme e tij. Ky kthim është më shumë se nostalgji, është bashkim i
plotë me elementin që e ka frymëzuar gjithmonë dhe ca më tepër ai rikthehet I
plotësuar, jo siç kthehet uji në honestrën malore në formën e shiut. Në fundin
e poezisë, ai thotë: “Joni nis e dremit i
qetë,/unë hap dhe mbyll gojën time.”
Ky varg është si një mbyllje
riti, një qetësi pas këngës, një pushim i frymës që e ka thënë gjithë fjalën.
Këtu poeti është bërë njësh me detin, dhe poezia mbaron siç mbaron një lutje.
Na duhet të themi se Fatmir
Terziu, me “Ëndërr në Jon”, nuk e braktis tematikën e tij të dashur; Jonin dhe
Sarandën por e ngre në një nivel të ri poetik, ku ndjesia bëhet realitet, dhe
realiteti kthehet në ëndërr. Kjo poezi është një risi në krijimtarinë e tij,
sepse për herë të parë ai i qaset detit jo si vend i kujtesës, por si burim i
magjisë poetike. Në këtë mënyrë, ajo hyn natyrshëm në poetikën bashkëkohore
shqiptare si një shembull i realizmit magjik në poezi, ku magjia nuk është
iluzion, por mënyra më e thellë për të parë të vërtetën. Në fund të fundit,
Joni i Terziut nuk është më një det, ai është një shpirt që flet, që “m’i shëndet” e “m’i nget vargjet” dhe poeti, në heshtjen e tij të fundit, e
dëgjon atë si një këngë të brendshme, intime, që nuk mbaron kurrë.
III-Poezia “Ëndërr në Jon” e
Fatmir Terziut është një udhëtim poetik që e zhvendos lexuesin nga bregu i
realitetit drejt thellësive të magjikes, ku kufijtë mes ëndrrës dhe jetës
treten si kripa në ujë. Në këtë poezi, deti nuk është më vetëm një hapësirë
gjeografike, por një hapësirë shpirtërore dhe mitike, ku ndodhin ngjizjet e
fjalës, zgjimet e brendshme dhe përqafimet me forca që s’i përkasin vetëm botës
njerëzore. Kjo është esenca e realizmit magjik: bashkëjetesa e natyrshmes me të
mbinatyrshmen, e prekshmes me të padukshmen, e fjalës me misterin.
1. Poezia hapet me vargjet:“Në vargjet e mia një det me mesazhe./Vala
m’i deh. Bunaca një nga një i mbledh.” Këtu fillon magjia. Deti është
shndërruar në simbol të vetë krijimit poetik, një hapësirë që lëviz, flet dhe
përçon mesazhe të fshehta. “Vala m’i
deh”, kjo metaforë është më shumë se një përshkrim; është një përjetim i
poetit që ndjen valën si një forcë frymëzuese, si një muzë që e deh me frymën e
saj. Në këtë mënyrë, deti bëhet qenie bashkëpunuese, një pjesëmarrës në
procesin krijues, jo një element i jashtëm i natyrës. Pikërisht ky personifikim
i detit, që “mblidhet” dhe “deh”, është rrënjësisht magjik,
realiteti nuk shkatërrohet, por shndërrohet në një përvojë shpirtërore.
2.Në vargjet vijues: “Poezia ime i përkëdhel si fate/dhe i ngjiz
në trupin tim.”figuracioni është i ngarkuar me fuqi lindëse. Poeti nuk e
shkruan poezinë; ai e lind atë. Vargjet “ngjizen”
si qenie të gjalla, të përkëdhelura “si fate”. Ky proces poetik, i
barasvlershëm me krijimin e jetës, është një akt i pastër realizmi magjik, ku
shkrimi kthehet në një ritual mistik që lidh frymën me materien, fjalën me trupin.
“Trupi” i poetit bëhet vendtakim i
magjikes me realen, vend ku poezia merr formë e mish, ashtu siç në Bibël
perëndia krijoi njeriun nga balta dhe fryma.
3. Në strofën ku poeti thotë:“Mendoj se jam mes nimfash/me kujdes shmang
ndonjë krap/pulëbardhat më ndezin mori dritash/unë hap dhe mbyll me vrap...”
ëndrra e poetit përthith realitetin. Saranda, një vend konkret, përzihet me
botën mitologjike të nimfave dhe me dritat që ndezin pulëbardhat; krijesa reale
që marrin dimension të magjishëm. Në këtë peizazh, gjithçka ka frymë: uji,
zogjtë, drita, deti. Edhe akti njerëzor “hap
e mbyll” merr kuptim simbolik, sikur poeti të hapë dhe mbyll kufirin mes dy
botëve: asaj që jetojmë dhe asaj që ndiejmë në thellësi.
Realizmi magjik shfaqet pikërisht
në këtë përzierje të butë të dy realiteteve, pa asnjë thyerje të logjikës. Çdo
gjë ndodh në mënyrë të natyrshme, sepse në botën poetike të Terziut, magjia
është mënyrë e të perceptuarit jetën.
4. Te vargjet:“Joni më pyet pse po e bën këtë?/kalimtarët bujasin mbi guralecë,/unë
hap dhe mbyll pa zë e me zë/deri sa diku vargu më ngec…”deti nuk është më
sfond, por bashkëbisedues i poetit, një entitet i gjallë që pyet, vëzhgon,
madje shqetësohet. Ky dialog me forca të padukshme është një nga tiparet më të
bukura të realizmit magjik: poeti e sheh veten në një marrëdhënie të
drejtpërdrejtë me universin, si pjesë të tij, jo si vëzhgues i jashtëm.
Ndërkohë, kalimtarët “bujasin mbi
guralecë” pse ata janë njerëzit e zakonshëm, të lidhur me realitetin
tokësor, që nuk kuptojnë procesin e fshehtë poetik që ndodh në brendinë e
poetit. Kështu, poezia krijon dy plane të bashkëjetueshme: një real e një
magjik, të cilat jetojnë paralelisht.
5. Fundin e poezisë e përshkon
një ndjenjë pajtimi e qetësie: “Në
vargjet e mia një mal me mesazhe./Joni m’i shëndet. Joni m’i nget./.../Joni nis
e dremit i qetë,/unë hap dhe mbyll gojën time”ku poeti arrin në bashkimin e
plotë me elementin e tij poetik, detin. Magjia tashmë nuk është më tronditje,
por qetësi, si një rit i përfunduar. “Joni dremit”, “poeti hesht”, fjalët
kthehen në frymë, fryma në heshtje, dhe heshtja në qetësi kozmike. Ky fund i
butë i jep poezisë dimensionin e ciklit të përjetshëm të krijimit: frymëzim,
përjetim, qetësim.
Pra, figuracioni poetik i Fatmir
Terziut në “Ëndërr në Jon” është ndërtuar mbi personify-kime, metafora të
shpirtëruara dhe imazhe ëndërrimtare që e zhvendosin poezinë nga përshkrimi në
përjetim.Deti, vala, nimfat, pulëbardhat, vargjet, vetë poezia, të gjitha
marrin frymë, flasin, ndjejnë. Këtu, poeti nuk kërkon të shpikë magjinë, por ta
zbulojë brenda realitetit.Ndaj themi se
“Ëndërr në Jon” është një poezi e realizmit magjik, sepse realiteti i
saj është i mbështjellë me mjegullën e ëndrrës, dhe ëndrra e saj është e
rrënjosur në tokën e jetës. Dhe më kryesorja, në çdo varg ndjejmë se magjia nuk
është arratisje nga realja, por hasim shndërrimin poetik të tij në përjetim,
aty ku deti është fjalë, vala është ndjenjë dhe poezia vetë është një “ngjizje”
midis njeriut dhe natyrës.
IV-Kjo poezi e Fatmir Terziut
është një nga ato krijime që, edhe pse rrënjoset fort në peizazhin shqiptar, në
Jonin, në Sarandën, në frymën mesdhetare të bregdetit flet një gjuhë që
dialogon natyrshëm me poetikën moderniste europiane. Ky dialog nuk është i
qëllimshëm, as imitues; ai ndodh në mënyrë organike, sepse shpirti modernist i
poezisë buron nga e njëjta etje: nga kërkimi për të gjetur realen përmes misterit
dhe misterin përmes reales.
1.Në modernizmin europian, poezia
ndalet së qeni pasqyrë e realitetit dhe bëhet përje-tim i brendshëm, shprehje e
ndërgjegjes, e ëndrrës, e çastit të thellë të njeriut. Pikërisht këtë ndjesi
mbart edhe poezia e Terziut: ajo nuk na tregon detin, por na fut brenda
përjetimit të tij. Vargu: “Në vargjet e
mia një det me mesazhe” është një pohim thellësisht modernist. Këtu deti
nuk është objekt, por subjekt; nuk është jashtë poetit, por jeton në vargjet e
tij. Si te Eliot, ku lumi Thames bëhet një ndërgjegje e qytetit, apo te Rilke,
ku gjërat flasin përmes heshtjes, edhe te Terziu natyra merr frymë njerëzore.
Modernizmi e kërkon këtë lidhje mes botës së jashtme dhe asaj të brendshme, mes
realitetit dhe ndjesisë që e zbërthen atë. Poezia nuk përshkruan më, ajo ndodh,
si akt i brendshëm.
2. Në këtë poezi, krijimi shfaqet
si akt hyjnor dhe vetëdije poetike. Kështu në vargjet: “Poezia ime i përkëdhel si fate/dhe i ngjiz në trupin tim,” poeti e
sheh krijimin si proces të shenjtë, si akt ngjizjeje. Kjo ide, që shkon përtej
të zakonshmes, e afron atë me modernistët europianë që e shohin poetin si
krijues të botës së vet, si një “demiurg”, siç e quante Valéry. Edhe Rilke do
të thoshte se poeti është “vendi ku gjërat bëhen të dukshme”; në këtë kuptim,
edhe Terziu e ngjiz poezinë jo në letër, por në trupin e vet, në vetë qenien
njerëzore. Kjo mënyrë e të menduarit është moderne dhe metafizike njëherazi:
poezia nuk është zbukurim, por akt ekzistence.
3. Kur poeti thotë:“Mendoj se jam mes nimfash/pulëbardhat më
ndezin mori dritash...” ai i jep realitetit shqiptar, konkret, një përmasë
mitike. Nimfat janë figura të lashta, frymë të ujit e të natyrës, që në
modernizëm rifuten si simbole të pavetëdijes dhe të femërores hyjnore. Këtu,
Terziu nuk bën një kthim në mit për nostalgji, por për të krijuar një hapësirë
të dyfishtë: një Sarandë reale, ku pulëbardhat lëvizin në dritë, dhe një
Sarandë mitike, ku nimfat e Jonit janë zëri i shpirtit. Kjo në fakt është në
frymën e Eliot-it, që e përdornin mitin për të strukturuar përvojën moderne,
për të gjetur kuptim në një botë të shpërbërë. Por ndryshe nga modernizmi i
errët i perëndimit, Terziu ruan një ton të butë, njerëzor, gati të qetësuar,
magjia e tij nuk është dramatike, por përfshirëse, si një valë që të përkëdhel.
4. Në fundin e poezisë: “Joni nis e dremit i qetë,/unë hap dhe mbyll gojën time.” shohim se
poeti e mbyll poezinë në heshtje, jo në përfundim klasik. Kjo heshtje është e
njëjtë me atë që kërkon modernizmi: të lërë vend për nëntekstin, për të
pathënën. Si te Paul Celan fjala nuk është mjet shpjegimi, por dritë që ndriçon
për një çast dhe shuhet, duke lënë pas një ndjenjë për të medituar. Kjo është
poetika e brendshme e modernizmit,fjala si rit, jo si rrëfim.
5. Fatmir Terziu, me “Ëndërr në
Jon”, krijon një poezi që bashkon dy brigje: brigjet e detit tonë jugor dhe ato
të modernizmit europian. Ai nuk përpiqet të imitojë ndonjë traditë, por i
bashkohet natyrshëm frymës që e sheh poezinë si udhëtim të ndërgjegjes, si
ndërlidhje mes njeriut, natyrës dhe misterit. Në këtë poezi, si në shumë poezi
moderniste, gjithçka është e zakonshme dhe njëkohësisht e magjishme: vala që
“m’i deh vargjet”, nimfat që shfaqen në Sarandë, deti që flet, dhe poeti që në
fund hesht. Ky bashkëjetim i reales dhe të brendshmes, i tokës dhe ëndrrës, e
vendos Terziun në një linjë të natyrshme dialogu me poetikën europiane, një
poetikë që kërkon, siç thoshte Rilke, “të shohë botën me sytë e engjëjve që e
kanë humbur parajsën”. Në këtë kuptim, “Ëndërr në Jon” është një poezi që nuk i
përket vetëm Sarandës, por edhe Evropës poetike, një poezi ku deti bëhet
ndërgjegje, dhe fjala, si valë, vjen e shkon, por kurrë nuk shuhet.
V-Poezia e Terziut, edhe pse
është një përfaqësuese e qartë e realizmit magjik, nuk është e mbyllur brenda
këtij kufiri. Në të, ndihen dhe fryma të tjera poetike moderniste e në disa çaste edhe
postmoderniste, sepse poezia, ashtu si vetë deti që ajo përshkruan, është një
hapësirë e lëvizshme ku valët e stileve takohen, përplasen dhe shkrijnë
njëra-tjetrën. Megjithatë, ajo mbetet thellësisht e realizmit magjik, sepse forca
e saj qendrore është përthyerja poetike e realitetit në magji, jo në
absurditet, as në fragmentim, por në shndërrim të butë e natyrshëm.
1. Në vargjet e para:“Në vargjet e mia një det me mesazhe./Vala
m’i deh. Bunaca një nga një i mbledh.” poeti shfaq ndjeshmërinë tipike
moderniste; vetëdijen poetike për procesin e krijimit, introspeksionin,
kërkimin e kuptimit në gjërat e vogla dhe përjetimin e natyrës si pasqyrë të
shpirtit. Si tek modernistët europianë, poezia e Terziut është vetëdije që
shikon veten duke krijuar. Ai nuk i ikën botës reale, por e shikon atë nga
brenda vetes, për ta gjetur në një plan më të thellë. Pikërisht ky dimension i
introspe-ktimit e lidh me modernizmin, por nuk e përfshin plotësisht në të,
sepse në modernizëm njeriu shpesh përballet me vetminë dhe fragmentimin, ndërsa
te Terziu përjetimi është i butë, i bashkuar me natyrën, jo i ndarë prej saj.
2. Po të ndalemi te vargjet: “Joni
më pyet pse po e bën këtë?/kalimtarët bujasin mbi guralecë,/unë hap dhe mbyll
pa zë e me zë...”shohim një lloj vetëreflektimi postmodern, ku poeti
ndërhyn në tekst si personazh, duke u vetëpyetur për veprimin e tij poetik. Ky
vetëdijesim për aktin e krijimit dhe ndërthurja e botës së brendshme me atë të
jashtme, ku “kalimtarët” përfaqësojnë realen dhe “Joni” flet si një qenie
mitike, krijon një lojë mes realitetit dhe përfytyrimit. Megjithatë, kjo nuk
shkon deri në ironi apo fragmentim, siç ndodh në postmodernizëm, përkundrazi,
ruan një ton të qetë, meditativ, ku gjithçka bashkëjeton me natyrshmëri. Kjo
është arsyeja pse kjo poezi e Terrziut, ndonëse prek frymën postmoderniste, nuk
bëhet postmoderniste: pse ajo nuk përqafon skepticizmin, lojën e pafundme me
kuptimet, apo relativizmin; ajo ruan besimin në përjetimin magjik, në lidhjen
njerëzore me botën.
3. Lind pyetja: pse mbizotëron
realizmi magjik në këtë poezi?
Ajo që e shndërron gjithë poezinë
në realizëm magjik është mënyra e qetë, e brendshme dhe natyrore me të cilën
elementet reale kthehen në përvoja të mbinatyrshme, pa humbur asnjë grimë nga
besueshmëria e tyre. Në vargjet: “Poezia
ime i përkëdhel si fate / dhe i ngjiz në trupin tim,”realiteti poetik
përzihet me aktin mitik të krijimit; fjala bëhet trup, vargjet kthehen në fate,
dhe poeti, pa asnjë ndarje të dukshme, kalon nga bota njerëzore në atë
shpirtërore. Këtu nuk kemi metafizikën e errët të modernizmit, as lojën
gjuhësore të postmodernizmit, por një rrjedhje të butë magjie që del nga vetë
natyra e gjërave. Deti është real, por flet; Joni është peizazh, por pyet;
nimfat janë përfytyrime, por ndodhen aty, në dritën e Sarandës dhe lexuesi i
pranon si të ishin të zakonshme. Kjo është shenja e realizmit magjik: kur e
jashtëzakonshmja nuk vjen për të befasuar, por për të thelluar ndjesinë e
jetës.
4. Në fund të poezisë, te
vargjet: “Joni nis e dremit i qetë,/unë
hap dhe mbyll gojën time” poeti kthehet në heshtje, një kthim që nuk është
as nihilist, as ironik, por përfshirës. Kjo heshtje është ajo e një njeriu që
ka hyrë në ritmin e natyrës, që është bërë njësh me magjinë e botës. Pikërisht
ky ton i qetë, i ngrohtë dhe i përjetshëm e dallon thelbësisht nga rrymat e
tjera moderniste apo postmoderniste që shpesh përmbyllen me tronditje, me
boshllëk apo absurditet.
Si përfundim mund të themi se
poezia “Ëndërr në Jon” mban brenda fryma moderniste , si introspeksionindhe
shenja postmoderniste, por ajo nuk bëhet as njëra, as tjetra, sepse nuk e sheh
botën si krizë, por si bashkëjetesë të magjikes me të zakonshmen. Ajo është
poezi e realizmit magjik sepse fuqia e saj qëndron në këtë natyrshmëri:
gjithçka që mund të duket e jashtëzakonshme, ndodh me butësi, si frymëmarrje.
Në fund të fundit, “Ëndërr në
Jon” është më shumë se një poezi: është një mënyrë për të parë botën. Në të,
deti nuk është vetëm ujë që lëviz, por kujtesë që merr frymë; vala nuk është
vetëm tingull, por zemër që rreh; fjala nuk është vetëm mjet, por jetë që
ngjizet çdo herë që poeti frymon. Fatmir Terziu nuk shkruan thjesht për Jonin,
por për njeriun që, në çdo ëndërr, kërkon të bashkohet me pafundësinë. Dhe
ndoshta aty qëndron magjia e kësaj poezie: se ajo na mëson ta shohim detin si
vetveten, e vetveten si një valë të vogël në detin e madh të fjalës. Dhe
kështu, duke mbetur brenda frymës së realizmit magjik, poezia “Ëndërr në Jon”
mbyllet si një përjetim që vazhdon edhe pas vargut të fundit…
Sarandë tetor 2025
ËNDËRR NË JON
Në vargjet e
mia një det me mesazhe.
Vala m’i deh.
Bunaca një nga një i mbledh.
Me to më
qëndis pasazhe,
mes tyre nga
zgjimi në zgjim,
poezia ime i
përkëdhel si fate
dhe i ngjiz
në trupin tim.
Kur ndodh të
mblidhen tufa-tufa
më duken si
një peshk i papërfunduar
me një enigmë
relievi plotë luspa
trazoj Jonin
e shqetësuar
me të
rrëkëllej disa kupa
e përhumbem
duke kënduar.
Mendoj se
jam mes nimfash
me kujdes
shmang ndonjë krap
pulëbardhat
më ndezin mori dritash
unë hap dhe
mbyll me vrap,
hap dhe
mbyll si në një lojë pritash,
hap e mbyll
në Sarandë.
Joni më pyet
pse po e bën këtë?
kalimtarët
bujasin mbi guralecë,
unë hap dhe
mbyll pa zë e me zë
deri sa diku
vargu më ngec,
më duket
sikur s’ka ndodh asgjë
as vetë nuk
e di ç’po heq.
Në vargjet e
mia një mal me mesazhe.
Joni m’i
shëndet. Joni m’i nget.
Më duken si
melhem, më ngjajnë si ilaçe
këndon një
iso të brendshme intime
Joni nis e
dremit i qetë,
unë hap dhe
mbyll gojën time.
No comments:
Post a Comment