NGA DHIMBJA INDIVIDUALE NË PËRMASËN UNIVERSALE
Nga Timo Mërkuri
Në poezinë “Kornelia Grak”,
Robert Martiko kthehet pas në një nga faqet më fisnike dhe më të dhimbshme të
historisë romake, për të risjellë në kujtesë figurën e gruas që i dha nder
shekujve – Kornelia Grak, vajza e gjeneralit të madh Skipion Afrikanit, që
mposhti Hanibalin, dhe nëna e Tiberit dhe Gaj Grak-ëve, dy prej burrave më të
guximshëm të Republikës Romake.
Historia e saj është e gdhendur
në kujtesën e botës si historia e nënës që humbi gjithçka, por nuk humbi
dinjitetin. Kornelia ishte grua e ditur, e urtë dhe e drejtë, e cila, pas
vdekjes së burrit, ia kushtoi jetën rritjes dhe edukimit të bijve të saj. Nën
drejtimin e saj, Tiberi dhe Gaji u rritën me ndjenjën e drejtësisë dhe dashurinë
për popullin. Kur ata u bënë tribunë, guxuan të ngrinin zërin kundër
padrejtësive të shoqërisë romake, kundër pasurive të mëdha dhe pushtetit që
kishte shtypur fshatarët e varfër. Por reformat e inicuara prej tyre, që donin
t’i jepnin Romës një fytyrë më njerëzore, u shuan me dhunë. Tiberi u vra në
Forum, ndërsa Gaji më vonë zgjodhi vetë vdekjen për të mos rënë në duart e
armiqve. Atëherë Roma pa te Kornelia Grak një nënë që nuk vajtoi me gjëmë, një
grua që qëndroi ballëlartë përballë tragjedisë, dhe krenarisht si nënë tha:
“Këta janë stolitë e mia” përballë grave të aristokracisë plot gjerdanë e
stoli.Dhe ndoshta pikërisht aty, në atë zbrazëti ku gjithçka humbet, njeriu e
zbulon veten, jo si fitimtar, por si qenie që nuk lejon që dhimbja t’i rrënojë
shpirtin.
Në poezinë e Robert Martikos, ne
duhet të lexojmë se Kornelia nuk është vetëm një figurë e lashtësisë, ajo është
një prani e përjetshme njerëzore, që vjen nga shekujt për të dëshmuar se forca
e njeriut nuk matet me pushtetin, por me qëndrimin e tij përballë humbjes.
Martiko e shfaq atë si nënën që, edhe pse e goditur nga fati me vdekjen e dy
bijve në jetë, ajo mbeti e pathyeshme në shpirt, dhe nëpërmjet heshtjes së saj
të lartë, e ktheu dhimbjen në kujtesë. Sepse vetëm heshtjet e mëdha janë të
denja për dhimbjet e mëdha. Ndaj themi se poezia “Kornelia Grak” është një himn
për atë lloj guximi që nuk shfaqet me britma, por me heshtje; për atë forcë që
lind nga dashuria e nënës, e cila, edhe në humbje, ngre lart njeriun. Në
figurën e Kornelias, Martiko ka gjetur jo vetëm nënën romake, por nënën e
përjetshme të njerëzimit, atë që, duke mos u dorëzuar, bëhet vetë kujtesë e
botës.
Në këtë përmasë të brendshme,
poezia ngrihet mbi idenë e “Rilindjes shpirtërore”, si motiv themelor të
krijimit. Kornelia, me heshtjen e saj që përmban dritë e dinjitet, bëhet shenjë
e ringjalljes së shpirtit njerëzor pas dhimbjes. Kjo rilindje nuk është fetare,
por morale: ajo lind nga aftësia për të ruajtur qartësinë e mendjes dhe
pastërtinë e shpirtit përballë rrënojës. Nëpërmjet Kornelias, Martiko flet në
mënyrë të tërthortë për nevojën e një ringjalljeje të brendshme të njeriut
shqiptar, për atë kthim te virtyti, maturia dhe forca e brendshme që e bëjnë
njeriun të mos shembet.
I-Në një lexim estetik të poezisë
themi se: Robert Martiko ndërton një portret poetik të qëndrueshmërisë
njerëzore, ku madhështia lind jo nga pushteti, por nga heshtja, qëndrueshmëria
dinjitoze para dhimbjes. Poezia nuk e
tregon Kornelian përmes rrëfimit historik, por e ringjall përmes figurës së
njeriut që mban brenda vetes peshën e tragjedisë dhe dritën e dinjitetit.
a.Martiko e nis poezinë me një
skenë që të ngjan me një tablo antike:
“Kur gjaku i bijve u derdh në
Forum,
ajo nuk mbylli sytë,
as nuk ktheu fytyrën nga hija.”
Në këtë fillim, qetësia është më
e fortë se tronditja. Poeti e “ndërton” Kornelian jo me një llavë ndjenje së
shpërthyer, por përmes përmbajtjes. Figura e saj del si një ssimbol i durimit
stoik, ku dhimbja nuk bërtet, por përqendrohet brenda shpirtit. Poeti e përdor
kundërvënien e heshtjes ndaj dhimbjes për të treguar ngarkesën e brendshme emocio-nale, e cila nuk shpërthen me
fjalë, por përshkon vargjet si një dridhje e fshehtë. Besoj se nuk është nevoja
që ti them lexuesit se bota nuk ka njohur dhimbje më të madhe se sa dhimbja e nënës
kur sheh fëmijët e saj të vrarë dhe në këtë rast, dy fëmijët djem, burra
shteti, vrarë pa faj.
b.Në vargjet vijues, metafora e
gurit është një nga gjetjet më të bukura të poezisë:
“Qëndroi si gur i heshtur,
me fytyrë të prerë nga dhimbja –
me shpirt që nuk pranoi të thyhej.”
Këtu poeti shkrin figurën fizike
dhe shpirtërore në një të vetme: fytyra që është “e prerë nga dhimbja” përngjan me një skulpturë të lashtë që ruan
plagën në mermer, ndërsa shpirti që nuk thyhet bëhet simbol i qëndresës. Përmes
këtij bashkimi të dhimbjes dhe qëndrimit, Martiko krijon një bukuri tragjike,
ku qëndrueshmëria shndërrohet në art, dhe heshtja merr peshën e një fjalimi të
madhërishëm. Dhe pikërisht këtu, në mes të poezisë, ai e fut thënien që i dha
pavdekësi Kornelias:
“Kur të tjerët e ngushëlluan,
tha:
‘Ishin stolitë e mia.’”
Me sa duket në grupin ngushëllues ishin edhe disa gra me
stoli floriri në gushë, veshë e duar, ndërkohë që Kornelia ishte e veshur me
robën e zisë, sigurisht pa asnjë stoli, sepse dhe atë pasuri që i la i shoqi,
gjenerali i madh Romës, ajo e harxhoi për shkollimin e bijve të
saj, ata bij që ju vranë në Forum. Poeti e vendos këtë fjali në qendër të
poezisë si një gur themeli, ndërkohë që ajo ndrit si margaritar moral dhe estetik. Martiko
e përfshin këtë frazë në vargje me qetësinë që meriton një e vërtetë e madhe.
Këtu fjala bëhet shpirt, dhe përmes saj Kornelia fiton përmasën e përjetësisë.
Në këtë heshtje të matur, poeti e nënvizon bukurinë e thjeshtë të dinjitetit,
të cilën as dhimbja, as humbja, nuk mund ta shkatërrojnë.
c.Në fund, poezia e kalon
Kornelian nga një figurë individuale në një dimension universal njerëzor:
“Kornelia nuk mbeti veç nënë e
pikëlluar;
u bë kujtesë e fortë
se gjërat nuk mbahen vetëm nga
shpatat,
por nga gratë që nuk dorëzohen,
edhe kur humbin gjithçka.”
Në realitet kjo mbyllje tingëllon si një finale orkestrale,
apo si një shpërthim i butë drite. Nga heshtja e parë, poezia shkon drejt një
qartësie që shfaq filozofinë e saj të brendshme: njerëzimi mbahet jo nga fuqia,
por nga qëndresa morale. Në këto vargje, Kornelia nuk është më vetëm personazh:
ajo është simbol i njeriut që përballon
humbjen pa u rrëzuar, i shpirtit që ruan formën e tij edhe në baltën e fatit.
Kjo qartësi e brendshme është
pikërisht shenja e rilindjes shpirtërore: ringritja e njeriut përmes vetëdijes,
përmes reflektimit të kthjellët që ndriçon brenda errësirës. Nuk është emocioni
që shpërthen, por mendimi që ndriçon, dhe nga kjo dritë lind emocioni i
vërtetë, ashtu si te Kavafi, ku ndjenja buron nga mendimi dhe qetësia, jo nga
figurat letrare. Poezia bëhet kështu një udhëtim i heshtur drejt ndriçimit
moral.
ç.Estetikisht, poezia ndërtohet
mbi ekuilibrin e heshtjes dhe dritës. Nuk ka fjalë të tepërta, nuk ka zbukurime
artificiale, çdo varg qëndron në vendin e vet, i ngjeshur, i pastër, i qetë.
Ritmi është i ngadalshëm dhe solemn, si fryma e një kujtese që flet me ton të
ulët, por të pashlyeshëm. Këto element na japin Kornelën si një figurë që nuk
është vetëm e lashtë, por e përje-tshme. Ajo është nëna që hesht dhe ngrihet,
gruaja që humbet dhe mbetet, dëshmia se dhimbja mund të jetë e bukur kur është
e ndershme, dhe se nga heshtja e një njeriu mund të lindë madhështia e një
epoke.
II-Në një lexim filozofik të kësaj
poezie do thoshnim se në thelb poezia “Kornelia Grak” e Robert Martikos është
një meditim mbi dinjitetin njerëzor përballë humbjes, një reflektim mbi atë
çfarë mbetet kur gjithçka tjetër shembet. Në këtë plan filozofik, rilindja
shpirtërore qëndron në aftësinë për të shndërruar dhimbjen në urtësi. Kornelia
nuk ngrihet mbi botën për të sunduar, por për ta ndriçuar atë me qetësinë e
shpirtit të vet. Në këtë mënyrë, poeti flet për rilindjen si proces të
brendshëm të njeriut modern, një kthim te virtyti dhe vetëdija morale që
shpëton shpirtin nga rrënimi i jashtëm.
a. Pra, në thelb Martiko nuk
kërkon të na tregojë historinë e një gruaje të lashtë, por të na kujtojë një
vlerë të harruar të shpirtit njerëzor sot: aftësinë për të qëndruar i drejt
edhe në mes të tragjedisë. Në një kohë si e jona, ku zërat thërrasin, ku
dhimbja shndërrohet në ankth dhe qëndrueshmëria shpesh ngatërrohet me heshtjen,
Martiko na sjell Kornelian si figurë të brendshme të njeriut të fortë, të atij
që nuk dorëzohet para fatit. Ai nuk e sheh atë si heroinë, por si qenie që
përmes dhimbjes fiton dritën e vet të brendshme.
“Qëndroi si gur i heshtur,
me fytyrë të prerë nga dhimbja –
me shpirt që nuk pranoi të thyhej.”
Në këtë varg qëndron filozofia e
poezisë: njeriu nuk është i pavdekshëm, por mund të jetë i pathyeshëm. Kornelia
nuk mundi ta ndalte vdekjen e bijve, por mundi të ruajë nderin e tyre, dhe
përmes kësaj, nderin e vet. Martiko na kujton se forca e njeriut nuk matet me
pushtetin apo fitoren, por me mënyrën si përballet me humbjen.
b.Në një plan më të thellë,
poezia është edhe një reflektim mbi heshtjen si formë të urtësisë. Kornelia nuk
flet shumë, dhe kur flet, fjalët e saj kanë peshë të përjetshme: “Kur të tjerët e ngushëlluan,/tha:/‘Ishin
stolitë e mia.”jo pse i barazoi bijtë e saj me stolitë femërore, por se një
nënë ska stoli më të bukur në jetën e saj se sa fëmijët e saj, ca më tepër kur
ata ishin burra shteti të drejtë. Veçse sa më sipër, shtojmë se kjo nuk është thjesht një
përgjigje e një nëne krenare, është një shprehje filozofike e asaj që ka vlerë
të vërtetë në jetë. Në botën ku pasuria e jashtme shpesh errëson vlerat e
brendshme, Kornelia zgjedh dritën e shpirtit, dashurinë, drejtësinë dhe virtytin.
Ajo flet me heshtjen e njerëzve që e dinë se e vërteta nuk ka nevojë për
zhurmë.
c.Në vargjet e fundit, poeti e
zhvendos figurën e Kornelias nga antikiteti drejt një kuptimi universal dhe
bashkëkohor:
“Kornelia nuk mbeti veç nënë e
pikëlluar;
u bë kujtesë e fortë
se gjërat nuk mbahen vetëm nga
shpatat,
por nga gratë që nuk dorëzohen,
edhe kur humbin gjithçka.”
Këtu qëndron mesazhi i madh që
poeti dëshiron të na përcjellë sot: bota nuk mbahet vetëm nga forca, por nga
qëndrueshmëria morale; jo nga armët, por nga shpirti. Në shoqërinë moderne, ku
gjithçka matet me suksesin e menjëhershëm, Martiko na kujton vlerën e forcës së
qetë, të durimit që lind nga dashuria, të njerëzve që nuk dorëzohen edhe kur e
dinë se kanë humbur.
ç.Filozofia e poezisë qëndron pikërisht
në këtë kontrast: humbja që lind madhështinë, heshtja që bart fjalën, dhimbja
që bëhet dritë. Kornelia e Martikos është figurë që na mëson se të jesh njeri i
plotë nuk do të thotë të mos vuash, por të mos humbësh dinjitetin në mes të
vuajtjes.
d.Përmes kësaj poezie, Robert
Martiko na fton të shohim jetën jo si një varg fitoreje, por si një udhëtim ku
njeriu matet me qëndrimin e tij përballë dhimbjes. Dhe në këtë udhëtim, si
Kornelia, mund të mbetemi të vetëm, të plagosur, por nëse ruajmë dinjitetin dhe
shpirtin, atëherë mbetemi të paprekshëm. Gjithashtu “Kornelia Grak” është një
poezi për nderin që nuk shuhet, për heshtjen që flet, dhe për shpirtin njerëzor
që, edhe i mposhtur, mund të mbetet i madh.
e.Në leximin modernist, poezia
“Kornelia Grak” i qaset ekspresionizmit modernist, sepse përmes një figure
historike shpreh gjendjen e brendshme njerëzore, dhimbjen, qëndrue-shmërinë dhe
dinjitetin, jo si rrëfim, por si përjetim i thellë shpirtëror. Gjithashtu,
përqe-ndrimi në emocionin e përmbajtur, simbolikën e heshtjes dhe tonin
meditativ e afron edhe me humanizmin modern që kërkon dritën morale brenda
njeriut, jo jashtë tij.
III-Intermexo
Qëndrimi i Kornelia Grak në
poezinë e Robert Martikos ngjan thellësisht me qëndrimin shpirtëror të grave
shqiptare në rastin e humbjeve të mëdha. Ashtu si ato, që kur u vriteshin
djemtë në luftë nuk vajtonin me gjëmë, por ligjëronin me krenari dhe dinjitet,
edhe Kornelia zgjedh heshtjen fisnike, një heshtje që flet më shumë se çdo
klithmë.
Kornelia e Martikos, me qëndrimin
e saj të prerë dhe të heshtur, na kujton se fisnikëria e shpirtit është e
përbashkët, si te kodi zakonor shqiptar që kultivonte qëndrimin e gruas në
jetë, ashtu edhe te kodi moral i Romës së lashtë. Edhe pse poeti nuk e ka
qëllim këtë paralele, lexuesi s’mund të mos e lexojë këtë afri të thellë midis
dinjitetit të gruas romake dhe krenarisë së nënës shqiptare, dy botë që takohen
në një të vetme ndjenjë: dhimbja që nuk përkulet, por ngrihet në kujtesë.
IV-Në poezinë “Kornelia Grak”,
Martiko përdor një stil të thjeshtë, të drejtpërdrejtë dhe pa zbukurime të
ndërlikuara figurative dhe kjo zgjedhje nuk është rastësi, por një mënyrë për
të bërë të dukshme thelbin e mesazhit njerëzor dhe filozofik që qëndron pas
historisë. Ai nuk e komplikon gjuhën me metafora të tepërta, sepse qetësia dhe
fuqia e figurës së Kornelias lindin nga pastërtia e fjalës dhe nga fuqia e
heshtjes së saj.
a.Ky stil i drejtpërdrejtë i
lejon lexuesit të preket direkt nga përvoja njerëzore e poetit, të ndjejë
dhimbjen, qëndrueshmërinë dhe dinjitetin e nënës që humbi bijtë, pa humbur mes
zbukurimeve gjuhësore që shpesh largojnë nga thelbi i emocioneve. Siç thotë
poeti: “Qëndroi si gur i heshtur,/me fytyrë të prerë nga dhimbja –/me shpirt që nuk pranoi të thyhej.” Ku
ne shohim se: forca e vargut nuk vjen nga ndonjë figurë e ndërlikuar, por nga fuqia e shpirtit
që përshkruhet hapur. Heshtja e Kornelias, thënia e saj e famshme: “Ishin stolitë e mia,” dhe qetësia me të
cilën përballon humbjen e bijve, flet vetë për një filozofi të brendshme, ku
vlera dhe dinjiteti janë mbi gjithçka tjetër.
b.Përmes thjeshtësisë, poeti fton
lexuesin të hyjë në një reflektim mbi jetën dhe humbjen, mbi atë që ruan
shpirti njerëzor kur gjithçka tjetër shembet. Stili i thjeshtë i poezisë i bën
mesazhet të qarta, por jo të shkurtra në thellësi, duke krijuar një dialog të
drejtpër-drejtë mes lexuesit dhe përvojës njerëzore: dhimbja, nderi, dashuria
dhe qëndrueshmë-ria bëhen të prekshme pa zbukurime të panevojshme.
c.Në fund, thjeshtësia e gjuhës
është ura që lidh lexuesin me filozofinë e poezisë, ku çdo varg ka peshën e
vet: “Kornelia nuk mbeti veç nënë e
pikëlluar;/u bë kujtesë e forte/se gjërat nuk mbahen vetëm nga shpatat,/por nga
gratë që nuk dorëzohen,/edhe kur humbin gjithçka.” Shikoni, pra: pa
metafora të ndërlikuara, Martiko tregon se fuqia e vërtetë nuk buron nga dhuna
apo pushteti, por nga qëndrueshmëria morale e dashuria që nuk shuhet, duke e
bërë poezinë një meditim të qetë, por të thellë mbi jetën dhe njeriun.
ç. Stili i Robert Martikos në
këtë poezi dialogon me Kostandin Kavafit. Si Kavafi, ai ndërton emocionin
përmes mendimit të kthjellët, përmes reflektimit të qetë që ringjall jetën
shpirtërore të njeriut. Nuk kemi peizazhe simbolike apo përplasje ndjenjash,
por një rrugëtim të ndërgjegjes drejt dritës morale. Pikërisht kjo përmbajtje
mendore është themeli i rilindjes shpirtërore që poeti synon ta përcjellë:
ideja se njeriu shpëton jo vetëm përmes dhimbjes, por edhe përmes kuptimit të
saj.
Në fund të leximit të poezisë
“Kornelia Grak”, kuptohet se Robert Martiko nuk ka shkruar për një figurë të
lashtësisë, por për një gjendje të përhershme të shpirtit njerëzor – për
dinjitetin që nuk vdes dhe për heshtjen që bart dritë. Kornelia e tij është
njeriu që rilind nga brenda, që e ngre veten mbi humbjen përmes kthjellësisë së
shpirtit.
Poezia me gjuhën e saj të
kthjellët e të përmbajtur flet për atë që është thelbësisht njerëzore: për
dhimbjen që fisnikëron, për heshtjen që ngrihet mbi klithmën, për dashurinë që
shndërrohet në dritë. Ajo është një thirrje e qetë për rilindjen e shpirtit në
kohët e trazuara, për atë ndriçim të brendshëm që e bën njeriun të qëndrojë i
drejt edhe në errësirë. Dhe kur mbaron
poezia, nuk hesht Kornelia, heshtim ne, përballë madhështisë së thjeshtë që na
kujton se njeriu është i bukur vetëm kur është i drejtë.
Sarandë, tetor 2025
KORNELIA GRAK
Kur gjaku i
bijve u derdh në Forum,
ajo nuk
mbylli sytë,
as nuk ktheu
fytyrën nga hija.
S’bëri
vajtim nëpër rrugë,
as britma
për fatin mizor.
Qëndroi si
gur i heshtur,
me fytyrë të
prerë nga dhimbja –
me shpirt që
nuk pranoi të thyhej.
Kur të
tjerët e ngushëlluan,
tha:
“Ishin
stolitë e mia.”
Nuk pati
nevojë të fliste më shumë.
Sepse e
dinte:
edhe e
mposhtur,
e vërteta e
tyre do të qëndronte
më gjatë se
thikat që i shuan.
Kornelia nuk
mbeti veç nënë e pikëlluar;
u bë kujtesë
e fortë
se gjërat
nuk mbahen vetëm nga shpatat,
por nga
gratë që nuk dorëzohen,
edhe kur
humbin gjithçka.
No comments:
Post a Comment