KRYQËZIMI I JEZU KRISHTIT SIPAS SADIK BEJKOS
Nga Timo Mërkuri
Në poezinë “Krishti kryqëzohet
vetëm në tokë” të Sadik Bejkos bie në sy një dritë e imët që qëndron sipër
vargjeve, një dritë që nuk e largon ashpërsinë e tokës, por e bën më të
dukshme. Ajo lloj drite nuk shndrit si një premtim ajo qëndron butë, si një
fije që çel ngadalë mes ngjyrave gri të peizazhit poetik. Në këtë ndriçim të
zbehtë zbulohet një ndjesi që të çon drejt realizmit magjik: mrekullia s’vjen
për të fshirë dhembjen, por për ta nxjerrë më qartë në sipërfaqe.
Magjia në këtë poezi nuk është
zbukurim. Ajo del nga imazhet e thjeshta që lidhen me njeriun dhe fatin e tij.
Çdo rreze apo shenjë e qiellit merr kuptim vetëm pasi prek tokën, dhe vetëm
kështu kuptojmë se Bejko e sheh botën me një sy ku lartësia dhe rënia ecin
bashkë. Toka është vendi i të gjitha përjetimeve: i dhimbjes, i ngjitjeve të
kota, i shpresave që nuk marrin fluturim, por edhe i çasteve të vogla që e
mbajnë njeriun në këmbë.
Poezia ka edhe një shtresë
filozofike që i jep zë përvojës njerëzore në tërësi. Bejko nuk flet vetëm për
një dhimbje personale; ai prek një gjendje që njeriu e njeh prej kohësh. Çdo
lëkundje e shpirtit, çdo frikë apo humbje shfaqen si pjesë e pashmangshme e
jetës. Kjo e bën poezinë një vend ku lexuesi jo vetëm prek emocionin, por edhe
ndalet për të menduar mbi peshën e jetës, mbi kufijtë dhe brishtësinë e
njeriut.
Në vijim të analizës do të shihet
se si realizmi magjik, modernizmi, ekspresionizmi, simbolizmi dhe
ekzistencializmi ndërthuren natyrshëm në këtë poezi, duke krijuar një prej
teksteve më të veçanta të letrave shqipe.
I- Hapësira poetike mes tokës dhe
magjisë
Tek poezia “Krishti kryqëzohet
vetëm në tokë” Bejko ndërton një hapësirë poetike ku ëndrra, shpresa, zhgënjimi
dhe fati njerëzor gërshetohen natyrshëm. Këto përplasje të brendshme nuk
qëndrojnë pranë njëra-tjetrës, por hyjnë në dialog të vazhdueshëm, duke i dhënë
poezisë një ton të thellë dhe njerëzor. Tek ai, e zakonshmja takohet me të
jashtëzakonshmen dhe kjo përzierje krijon atë frymë të butë të realizmit
magjik, ku kufijtë mes botëve nuk janë mure, por perde të holla që lëvizin
lehtë. Ky lloj hapësire na kujton se jeta është një vend ku çasti dhe përjetimi
shpesh fluturojnë përtej logjikës dhe shpjegimit, duke lënë vend për ndjesinë
dhe reflektimin. Në këtë vend poetik njeriu gjithmonë përkulet për të parë më
tej, por çdo herë e kupton se gjithçka që kërkon- drita, shpresa, kuptimi -nuk
ndodhen lart, por pikërisht këtu në tokë, te plagët e tij, te ringritjet dhe
rëniet e përditshme. Poezia merr një qetësi të brendshme, si një vend ku edhe
gjërat që duken të paarritshme nuk të frikësojnë më, sepse njeriu i pranon si
pjesë të natyrshme të jetës. Poezia e sheh tokën si vendin ku shpirti rëndohet
e çlirohet njëkohësisht, ku dhimbja dhe gëzimi preken me bërryla si dy fqinj të
vjetër.
1. Qysh në hyrje, poezia na fut
në një hapësirë ku realiteti dhe e magjikja fërkohen si dy shtresa ajri. Në në
fillim, poeti na çon në një prag të hollë, ku njeriu duket sikur prek për një
sekondë atë që zakonisht i rrëshqet nga duart. Vargjet:
“Prekëm
në kufirin e dritës,
në fërfëllimën që ndan hemisferat…”
shënojnë pikërisht këtë hapësirë
të ndërmjetme, ku njeriu nuk është më thjesht i tokës, por as i qiellit. Ai
është diku mes tyre, duke shtrirë dorën që të kapë një dritë që nuk është
simbol, por gjendje-një çast i rrallë kur realja hapet dhe shfaqet e pamundura.
Ky çast i mesëm të sjell ndër mend se jeta gjithmonë lëkunden mes etjes për të
fluturuar dhe detyrimit për të qëndruar fort mbi to.
Ky kufi i ndritshëm, i
tejdukshëm, nuk paraqitet si diçka e frikshme, por si një prag ku njeriu mund
të afrohet me qetësi, i shtyrë nga kureshtja dhe dëshira për të ditur më shumë
mbi veten. Kjo pranueshmëri e së jashtëzakonshmes, pa habi e pa tronditje,
është një nga tiparet më të bukura të realizmit magjik në poezi. Madje dhe në
jetë njeriu ëndërron një realitet
qiellor, mbase një Parajsë tokësore, Edenin, dy gisht nën hënë, të cilën poeti
e sheh si një afërsi të qetë, thuajse familjare, dhe e përshkruan me një qetësi
prekëse: “Vendin diku, pak sa një gisht
nën Hënë…”
Është një vend i mundshëm, por i
pakapshëm; një hapësirë që “nuk zbret
kurrë tek ne të gjallët”, por që gjithsesi rri aty-si një dritë që nuk
shuhet, si një prani e heshtur që njeriu mund ta ndjejë, edhe kur nuk e prek
dot. Në këtë mënyrë, poezia bëhet reflektim mbi kufijtë e jetës dhe të asaj që
mbetet përtej saj. Çdo çast merr thellësi, çdo plagë merr peshë, dhe çdo gëzim,
edhe kur është i vogël, mbetet i gjallë në kujtesën e shpirtit.
Edhe kur shikimi ngrihet drejt Hënës, poeti e
di se rrënjët janë në tokë-në dhimbjen, në përvojën, në të përditshmen që
ndërton njeriun. Në këtë vend poetik njeriu kërkon të shohë më tej, por kupton
se drita që kërkon, nuk e gjen në lartësi, por e gjen këtu poshtë, te ajo që e lëndon, e
ngre dhe e shtyn përpara. Vija mes dy botëve zbutet, dhe e jashtëzakonshmja
bëhet e mundur të jetojë brenda ditëve të zakonshme.
Ky realizëm njerëzor tregon se
transcendenca nuk është gjithmonë në lartësi; shpesh fshihet në gjërat më të
thjeshta, në dhimbje, në rikthim, në çastet që njeriu i kap me vështirësi, në
momentet më të thjeshta të jetës.
Tek Bejko, e zakonshmja takohet
me magjiken pa u ndeshur; ato thjesht rrëshqasin njëra mbi tjetrën dhe e
zgjerojnë realitetin, pa e copëzuar. Kjo rrëshqitje e lehtë mes botëve të
ndryshme na tregon se arti i tij nuk është vetëm reflektim i botës, por edhe
një përpjekje për të kapur atë çka shpesh fshihet nën sipërfaqen e dukshme të
jetës.
2. Elementët e realizmit magjik
në këtë poezi nuk shfaqen si shpërthime fantazie. Ata vijnë qetë, si një dritë
e zbehtë që hyn në dhomë nga një çarje e murit. Bejko nuk e shtyn lexuesin me
forcë drejt së pazakontes; ai e afron ngadalë, në një hapësirë ku e zakonshmja
prek të jashtëzakonshmen pa bërë zhurmë. Prandaj vargjet:
“Çasti u ndal, ra si
karroca me flatra te këmbët tona:”
duken si diçka që mund të kishte
ndodhur vërtet pranë nesh. Karroca me flatra nuk vjen nga një botë e turbullt
fantazie. Ajo zbret në tokë për një çast të shkurtër, e brishtë sa një kujtim
që lind dhe shuhet brenda një fryme.
Kjo hyrje e butë e së
pazakonshmes e ndriçon realitetin vetëm në një pikë të vogël, si drita e një
elektrik dore në gjysmëerrësirë. Drita nuk përhapet kudo, por aty ku bie,
gjërat marrin gjallëri, thellësi, një kuptim tjetër. Ky është funksioni i
magjisë tek Bejko: jo të tronditë, por të zbulojë atë që zakonisht i shpëton
syrit.
Në këtë atmosferë, magjia merr
frymë si pjesë e jetës. Nuk është arratisje nga ajo, por një mënyrë e re për ta
parë. Një kënd i vogël drite që ndryshon pamjen e gjërave. E jashtëzakonshmja
bëhet një shqisë më shumë, një mënyrë për të prekur atë që syri vetë nuk e kap
dot.
Dhe menjëherë pas këtij çasti të
hollë, poeti e sjell përsëri tokën në skenë, me një ironi të lehtë dhe të
ngrohtë:
“(Barëra të shpresës sonë kaq të
forta
ende lopët s’u patën ngrënë!?)”
Këtu takohen dy botë, pa u
përplasur: flatrat e karrocës dhe lopët e fshatit; një shpresë që kërkon të
ngrihet lart dhe bari i përditshëm që këputet poshtë. Ky afrim i bën të dyja më
të vërteta. Magjia nuk humb kur vjen në tokë-përkundrazi, fiton peshë, bëhet më
njerëzore. Në këtë bashkëjetesë të së zakonshmes me të jashtëzakonshmen, poezia
lëviz ngadalë: herë ngrihet drejt dritës, herë zbret në baltën e tokës. Kjo
lëvizje i jep asaj frymën e pastër të realizmit magjik, ku mrekullia nuk rri në
qiell, por ecën afër njeriut.
Bejko nuk e përdor magjinë si
strehë për t’i shpëtuar jetës. Ai e përdor si dritë për t’ia parë fytyrën më
qartë. Dhe në çdo varg të tij, kjo dritë qëndron e ulët, e qetë, por gjithmonë
e pranishme-si kujtimi se edhe momentet më të thjeshta mund të mbajnë në vete
një shkëndijë mrekullie, nëse njeriu ka syrin dhe zemrën të hapura për ta parë.
3. Ndërthurja e së zakonshmes me
të pamundurën sjell në poezi shndërrime të befta, që duken si rregulla të
fshehta të një bote të padukshme. Kur poeti shkruan:
“me një të puthur fluture
helmuese
prek në kufirin fërfëllues…”
ai na vendos në një çast ku
butësia dhe rreziku prekin njëra-tjetrën, ku një lëvizje e imët, gati e
pashquar, mjafton të trazojë gjithçka. Është ajo dridhja e vogël që të kujton
se bota mbahet mbi ekuilibra të brishtë, dhe mjafton një frymëmarrje e hutuar
që gjithçka të lëvizë nga vendi. Flutura që prek kufirin e botëve nuk mbetet
teksa një trill fantastik; ajo bëhet pjesë e natyrshme e ligjeve të brendshme
të poezisë, e një energjie të heshtur që vepron thellë brenda saj. Kjo na
kujton thënien e një matematikani e meteorologu amerikan, i cili u shpreh se
“një flutur që rreh krahët në veri, mund të shkaktojë një cunam në jug”. Ashtu
si në poezi, edhe në jetë, shpesh është e padukshmja që merr përsipër peshën e
së vërtetës. Edhe në jetë, shpesh janë imtësitë që prishin ose rindërtojnë
gjithësinë tonë të vogël. Në këtë vijim, poezia sjell një pamje të çuditshme,
gati groteske: “Ndodh: dhe në ujë perlash
mund të zhgërryhen derrat.”
Figura befasuese shfaqet si një
dritë e ftohtë që vjen nga absurditeti. Përmbysja e zakonshme që ndeshim këtu
të kujton se bota ka mënyra të tjera të shfaqjes, mënyra që s’i mësojmë me
arsyetime, por i ndiejmë me një tronditje të lehtë. Në këtë vorbull kthesash,
poeti duket sikur pëshpërit se e larta zbret në tokë dhe e ulëta merr fluturim,
qoftë edhe për një çast kohe. Ky kontrast i jep poezisë një ton filozofik:
bukuria rrezikon përherë të njolloset nga balta, por edhe balta, në çaste të
rralla, mund të marrë një shkëlqim që s’e pret.
Kjo përmbysje, e lexuar në dritën
e realizmit magjik, bëhet krejt e natyrshme- si një rregull i heshtur i botës.
Shndërrimet, çastet e çuditshme dhe e pamundura që troket papritur nuk shihen
si ikje nga jeta, por si mënyra më e saktë për të treguar thellësinë e saj të
padukshme. Poeti na kujton se realiteti është më i gjerë se çdo përfytyrim, dhe
se e jashtëzakonshmja nuk vjen nga largësitë- ajo lind prej heshtjes së sendeve
përreth.
4. Rënia e menjëhershme në tokë e
afron lexuesin me peshën e vërtetë të jetës. Pas ngjitjeve, dritave që dridhen
dhe çarjeve të botës, Bejko na kthen aty ku njeriu e ka këmbën: në tokë. “Por… hap-mbyll sytë, prapë ramë në tokë.”
Ky varg ndan magjinë me një gjest të thjeshtë, njerëzor. Rënia nuk është vetëm
rrëzim; është pjesë e fatit njerëzor dhe rikujton se çdo lartësi përfundon në
tokë.
Magjia nuk largohet; ajo ulet
pranë nesh si një dritë e vogël që ndriçon gjërat e përditshme. Edhe vendi “sa një gisht nën Hënë” nuk premton
shpëtim, por ofron një çast shprese që prek realitetin pa e shmangur atë. Kumti
i Bejkos merr një ton të pjekur dhe të dhimbshëm:
“Të fitojmë, pra, Tokën,
të fitojmë prapë hallin, vuajtjen, ankthin tonë…”
Mirëpo të fitosh tokën do të
thotë të pranosh edhe barrën e saj: dhimbjet, rëniet dhe ankthin që njeriu mban
që nga rënia e parë, ajo nga barku i nënës. Janë të zakonshme, por poeti u jep
një dridhje të lehtë misteri, sikur çdo vuajtje të ketë një shkëlqim të
padukshëm që na ndjek nga larg.
Në këtë udhëtim shfaqet edhe
figura e Krishtit -jo si zbulesë hyjnore, jo si Biri i Atit qiellor, por si
shenjë që ndan fatin me njeriun: “(Krishti
prapë mund të vihet në kryq e mund).” Ai nuk ngrihet në qiell; qëndron mes
nesh, i prekshëm dhe i mundshëm. Është një Krisht tokësor, që afron të shenjtën
me tokën, duke treguar se sakrifica dhe përditshmëria ulen në të njëjtën
tryezë.
Kjo i jep poezisë një frymë të
qetë dhe të butë. Njeriu guxon të preki të pamundurën pa u trembur, sepse ajo
është pjesë e jetës së tij. Edhe rënia më e thjeshtë nuk është boshësi. Ajo
mban brenda një fije drite që nuk shuhet. Lexuesi ndjen se magjia nuk erdhi për
të larguar nga toka, por për t’i treguar se edhe dheu është i mbushur me
mrekulli të vogla, të fshehura në çdo hap që hedh.
5. Poezia mbyllet duke e rikthyer
njeriun në vendin e tij: në tokë, tek vetvetja. Vendi nën Hënë- ajo copëz e
bukur e imagjinatës ku gjithçka dukej e lehtë - zhduket po aq qetë sa u shfaq:
“s’është më, nuk është
ai vendi sa një gisht nën Hënë,
dikund…”
Kjo zhdukje nuk fshin magjinë;
ajo shndërrohet në një kujtim të butë, si dritë që mbetet pas një dere të
hapur. Poeti nuk e mohon vendin imagjinar; thjesht e heq çastin dhe e shndërron
në një dëshmi se njeriu mund të ngrihet për pak, por gjithmonë kthehet tek
dheu, aty ku ndodhin kryqëzimet reale të jetës. Këtu, realizmi magjik merr një
formë të qetë. E jashtëzakonshmja nuk shuhet; ajo qëndron pranë të zakonshmes
si një shenjë e heshtur. Ajo na kujton se lartësitë dhe ëndrrat nuk janë
kundërshti e tokës- ato e ndriçojnë atë dhe e bëjnë më të dukshme. Pas çdo
ngritjeje, tokën e shohim më qartë; pas çdo rënieje, e ndjejmë më thellë.
Në fund, kjo poezi moderniste krijon
një hapësirë ku e jashtëzakonshmja shfaqet për të na udhëhequr, përmes dritës,
iluzionit dhe ngjitjeve të buta, për të na kthyer tek e vetmja sipërfaqe ku
mund të vendosim këmbët: toka.
Bejko nuk jep mësime; ai hap një
dritare. Dhe përmes saj na tregon se magjia është çast, ndërsa jeta ndërtohet
mbi tokë. Tokësorja na mban, na formon dhe i jep peshë çdo ngritjeje, ëndrre
dhe rënieje që përjetojmë.
II – Krishti tokësor dhe përvoja
njerëzore.
Sadik Bejko në këtë poezi mund të
quhet poeti që prek kufijtë mes dritës dhe tokës. Ai na fton të hyjmë në një
botë ku realja dhe magjika ndërthuren në çdo hap të jetës së përditshme. Poeti
nuk synon të shpëtojë njeriun nga dhimbja; ai tregon se ajo është pjesë e jetës
dhe mund të ndriçohet nga çaste të vogla magjike. Magjia nuk është ikje; është
një dritë e hollë që ndriçon brishtësinë e përvojës njerëzore, duke e bërë të
prekshme atë që zakonisht mbetet e padukshme. Nëse pyetim se çfarë ndodh me
njeriun, Krishtin dhe vendin e shenjtë “një gisht nën Hënë”, mund ta themi
kështu:
1.Njeriu nuk ngrihet në
shenjtëri; Krishti zbret në njerëzore. Poezia nis me një çast ku fluturimi dhe
drita ndërthuren në një hapësirë magjike: “Prekëm
/ në kufirin e dritës / në fërfëllimën që ndan hemisferat, hapësirat - / në të
fluturimit teh të paprekshëm.”
Poeti e vendos njeriun mes
mundësisë dhe pamundësisë. Fluturimi këtu nuk është thjesht ëndërr; është një
çast kur realja dridhet, kur e zakonshmja merr shkëlqim të veçantë dhe prek
imagjinatën. Por sapo ky çast kalon, rikthehet tokësorja: “Por… hap-mbyll sytë, prapë ramë në tokë.”
Në këtë mënyrë, Bejko tregon se
Krishti, simbol i sakrificës dhe vuajtjes, nuk qëndron lart në qiell, por zbret
mes njerëzve, në jetën e përditshme. Çdo kryqëzim është tokësor, çdo dhimbje e
prekshme, dhe çdo moment magjik i shkurtër i shërben këtij qëllimi. Lexuesi
kupton se e jashtëzakonshmja nuk është lart; ajo ndodhet mes hapave dhe
përvojave tona, ndriçon çastet e zakonshme dhe u jep kuptim jetës që përjetojmë
çdo ditë.
2. Realizmi magjik në këtë poezi
nuk shfaqet me bujë; ai ndriçon errësirën me thjeshtësi, si një elektrik dore
që fut dritë në një dhomë të gjysmëerrët. Me këtë ndriçim, çdo çast merr një
fuqi të papritur:
“Por ndodhi. Çasti u ndal, ra si
karroca me flatra te këmbët tona:
Ejani, ejani të fluturojmë, tha.
(Barëra të shpresës sonë kaq të
forta ende lopët s’u patën ngrënë!?)
Le të ngjitemi, tha, pak, fare pak gjer aty… nën Hënë.”
Këtu, realizmi magjik i jep
hapësirës reale një dimension të gjallë. Karroca me flatra dhe vendi nën Hënë
nuk e largojnë njeriun nga toka; përkundrazi, e bëjnë tokën më të dukshme dhe
më të prekshme, duke nxjerrë në pah çdo brishtësi, shpresë dhe zhgënjim.
Lexuesi ndjen se bota është e mundshme, ndriçuar nga një shkëndijë magjie, edhe
kur dhimbja dhe kufizimet janë aty. Çdo çast i tillë është një dritë e vogël që
e bën realitetin më të kuptueshëm.
3. Në këtë kontekst,mesazhi bëhet
i qartë: njeriu duhet të përballet me jetën, hallin dhe vuajtjen e tij. Bejko
thekson se nuk ka ikje nga tokësorja: “Të
fitojmë, pra, Tokën, / Të fitojmë prapë hallin, vuajtjen, ankthin tonë, atë
rënien në truallin e fillimit, rënien që nga barku i nënës.”
Çdo vend magjik, çdo çast i
jashtëzakonshëm, nuk e shpëton njeriun nga realja; përkundrazi, ai e forcon
kuptimin e përballjes me tokën dhe brishtësinë e jetës. Realizmi magjik nuk e
zëvendëson jetën; ai e thellon dhe e bën të prekshme. Çdo fluturim i shkurtër,
çdo karrocë me flatra, çdo dritë mbi tokë rikujton se njeriu mëson dhe rritet
aty ku ecën mbi dhe, mes mundësive dhe kufizimeve të tij. Çdo çast i tillë
është si një shkëndijë në terr, që ndriçon një moment realitetin dhe e bën më
të kuptueshëm.
4. Simboli i Krishtit shfaqet si
një pasqyrë e përvojës njerëzore. Titulli i poezisë dhe figura e Krishtit
bashkojnë simbolin me realitetin: “Në tokë…
të fitojmë tokën. (Krishti prapë mund të vihet në kryq e mund). Njerëzorë jemi,
tepër njerëzorë…”
Krishti nuk është vetëm figurë
hyjnore; ai përfaqëson sakrificën, vuajtjen dhe pranimin e jetës tokësore. Ai
bëhet pasqyrë për çdo njeri, për çdo brishtësi dhe mundësi të përballimit të
dhimbjes. Realizmi magjik i jep trup këtij imazhi, simboli i Krishtit i jep
shpirt, ndërsa fluturimi dhe vendi nën Hënë e ftojnë lexuesin të ndjejë, të
reflektojë dhe të kuptojë më thellë jetën e tij.
5. Mesazhi i poezisë është i
thjeshtë dhe i fuqishëm: jeta është tokësore, vuajtja njerëzore është reale,
dhe çdo çast i shkurtër magjik i jep kuptim kësaj jete. Realizmi magjik nuk e
largon njeriun nga realiteti; ai është një dritë e hollë që zbardh brishtësinë
dhe thellësinë e ekzistencës. Çdo fluturim, çdo vend i paprekshëm nën Hënë, çdo
puthje fluture helmuese tregon se njeriu dhe Krishti bashkëjetojnë në tokësore,
duke ndarë brishtësinë, dhimbjen dhe bukurinë e jetës. Çdo çast magjik nuk e
heq njeriun nga toka; përkundrazi, e ndriçon atë, dhe çdo shkëndijë befasie e
bën jetën më të prekshme dhe më të kuptueshme në përditshmërinë tonë.
III- Rrymat
letrare të ndërthurura: realizmi magjik, ekspresionizmi, ekzistencializmi, simbolizmi
dhe postmodernizmi
Poezia “Krishti
kryqëzohet vetëm në tokë” hap një botë mes tokës dhe një magjie të brishtë, që
zgjas vetëm për një çast të shenjtë. Në të ndërthuren rryma të ndryshme letrare
si realizmi magjik, simbolizmi, ekspresionizmi, ekzistencializmi,
postmodernizmi-që e bëjnë poezinë emocionuese, të ndritshme dhe thelbësisht
njerëzore.
1.Në këtë
poezi, e magjikja dhe realja rrjedhin pa ndalim, duke u përzier si drita kur
depërton mes hijes dhe ndriçimit. Pikërisht këtu shfaqet ekspresionizmi:
tensioni i brendshëm, dridhja e ndjenjave dhe ngarkesa emocionale që i jep
ngjyra ekstreme imazheve. Magjikja hap skenën që në vargun e parë, ku bota nuk
paraqitet vetëm siç është, por rrëshqet mbi kufijtë e mundësisë: “Prekëm në kufirin e dritës, në fërfëllimën
që ndan hemisferat…”
Ky imazh nuk
është thjesht fizik; ai është një perde e dridhur që ndan dy botë. Realizmi
magjik i jep prekshmëri realitetit, duke e bërë dritën dhe errësirën të
ndjeshme dhe të prekshme. Kur imazhi formohet, ekspresionizmi bëhet i dukshëm
në ndjesinë e brendshme që ai ngjall. Fërfëllima nuk është meteorologjike, por
shpreh dridhjen e ankthit njerëzor, atë që është gati të shpërthejë. Ky tension
intensifikohet te momenti i jashtëzakonshëm:“kur me një të puthur fluture helmuese prek në kufirin fërfëllues…”
Këtu bashkohen
dy rryma: realizmi magjik e bën të besueshme idenë se një puthje fluture mund
të ndikojë në fat, ndërsa ekspresionizmi i jep asaj fluture helm, ngrohtësi dhe
tension shpirtëror. Transformimi grotesk që pason: “Ndodh: dhe në ujë perlash mund të zhgërryhen derrat.”
Realizmi magjik
i jep trup dhe jetë imazhit, ndërsa ekspresionizmi i injekton tensionin dhe
pasigurinë e brendshme. Ky kontrast e bën secilin imazh të ndjeshëm, të gjallë,
duke reflektuar dridhjet e fshehura të shpirtit.
Në këtë mënyrë,
çdo gjë bëhet e mundur: realizmi magjik hap hapësirën, ekspresionizmi i jep
ngarkesë emocionale dhe tension. Pa ton ekspresionist, bota e Bejkos do të
dukej e qetë; me të, ajo dridhet, rrezikon dhe thyhet. Edhe ngjitja më e butë:“pak, fare pak gjer aty… nën Hënë”shfaq
rrezik shpirtëror dhe tension, jo triumf magjik. Rrëzimi i mëpasëm:
“Por… hap-mbyll sytë, prapë ramë në tokë”transformon
ëmbëlsinë e realizmit magjik në një dridhje ekzistenciale të brendshme.
2.Postmodernizmi
shfaqet me delikatesë, me një zhgënjim të heshtur ndaj mitit, qëndrueshmërisë
dhe transcendencës. Ai bashkëjeton me realizmin magjik, duke krijuar një
hapësirë ku e pamundura duket e zakonshme, por gjithçka çmitizohet. Qysh në
fillim hapet një shteg magjik: vendi “nën
Hënë”, pothuaj biblik dhe i tejbukur:
“Vendin diku, pak sa një gisht nën Hënë,
vend që nuk zbret kurrë tek ne të gjallët.”
Realizmi magjik
ndërton skenën; postmodernizmi heq solemnitetin. Premtimi metafizik rrëzohet me
ironi: “S’qenkësh gjë, s’paskësh qenë gjë
ai vendi i një gisht nën-Hënës.” Kthimi pas:“Por… hap-mbyll sytë, prapë ramë në tokë” tregon zhgënjimin e
vazhdueshëm, pa shpëtim, vetëm një çast i shuar. Magjikja përdoret për të
treguar se asgjë nuk mund të tejkalojë tokën, duke lidhur postmodernizmin me
idenë kryesore të poezisë: Krishti kryqëzohet vetëm në tokë.
3.
Ekzistencializmi nuk është thjesht një ide; ai ndjehet në çdo varg, i lidhur
ngushtë me realizmin magjik dhe simbolizmin. Çdo varg pasqyron vuajtjen,
sakrificën dhe kufizimet e jetës. Në vargun: “Krishti prapë mund të vihet në kryq e mund” ndjehet cikli i
pashma-ngshëm i vuajtjes, tema qendrore e ekzistencializmit. Realizmi magjik e
bën këtë të prekshme: kryqëzimi ndodh, edhe kur duket i pamundur, duke
tejkaluar kohën. Vargu: “Njerëzorë jemi,
tepër njerëzorë” shpreh pranimin e kufizimeve njerëzore dhe ngrohtësinë e
pranisë së tyre. Tensioni i brendshëm e bën hapësirën të gjallë, të ndjeshme.
Vargjet: “Të fitojmë, pra, Tokën, / Të
fitojmë prapë hallin, vuajtjen, ankthin tonë” shprehin pranimin e plotë të
jetës tokësore. Realizmi magjik e pasuron me imazhe të papritura: derrat
zhgërryhen në ujë perlash, një puthje fluture mund të ndryshojë fatin. Kjo bën
që lexuesi të ndiejë brishtësinë dhe forcën e çdo çasti.
4. Simbolizmi
ndriçon tek Krishti, jo si shpëtimtar hyjnor, por si shenjë e vuajtjes
universale: “Krishti kryqëzohet vetëm në
tokë.” Ai bashkëjeton me elemente magjike: fluturimi, vendi nën Hënë,
zhgërryera e derrave. Këto elemente e bëjnë përvojën njerëzore të thellë, ngrohtë
dhe të prekshme. Vargu: “Në tokë… të
fitojmë tokën” tregon ndërthurjen e tre rrymave: realizmi magjik hap
mundësi, ekzistencializmi nxjerr pranimin e vuajtjes, dhe simbolizmi i jep
Krishtit kuptim të thellë.
Në këtë botë
poetike, realizmi magjik dhe rrymat moderniste ndërthuren natyrshëm. Lexuesi
ndjen jo vetëm çudinë e botës, por dhe peshën e ngrohtësinë e përditshmërisë,
ku çdo çast i vogël merr dritë dhe kuptim.
IV – Magjia dhe
tokësorja nw një dialog i brishtë.
Poezia e Bejkos
na fton të ndalojmë në heshtjen e saj, të ndjejmë dridhjen e jetës dhe të
vëzhgojmë sesi magjia dhe tokësorja ndërthuren si dy hemisfera që përplasen në
një çast dritëhije. Nuk ka këtu fluturime utopike, por ndjesinë e brendshme të
njeriut që përjeton dhimbjen, sakrificën dhe pakësinë e shpresës. Realizmi
magjik nuk udhëheq rrëfimin, ai shërben si një dritëz mbi modernizmin, duke
krijuar një hapësirë ku jeta ndriçohet pa u shpëtuar nga tokësorja.
1.Realizmi
magjik nuk është ikje nga realiteti. Ai është një aromë e lehtë, një qetësi që
hap dritën e brendshme të përjetimeve njerëzore. Elementet magjike -fluturimi,
karroca me flatra, kufiri i dritës, puthja fluture helmuese -nuk ndërtojnë një
univers tjetër, por i japin realitetit një shkëlqim vezullues:
“Prekëm në kufirin e dritës / në fërfëllimën
që ndan hemisferat…” Ky është fillimi i udhëtimit poetik: jeta nuk
zëvendësohet nga magjia, por shihet më thellë. Çdo figurë magjike lind nga
dëshira për lehtësim mes barrave:
“Ndodh: dhe në ujë perlash mund të
zhgërryhen derrat.”
Fluturimi dhe
karroca me flatra nuk janë ikje, por reflektim i shpirtit që kërkon pak
lehtësim. Realja dhe magjika ndërthuren, duke krijuar një ekuilibër të hollë
midis brishtësisë dhe mundësisë.
2.Modernizmi i
Bejkos i jep poezisë trup dhe dridhje të ndjeshme. Ai bën të prekshme dhimbjen
dhe përjetimin e jetës tokësore:
a.
Ekspresionizmi tregon plagën e hapur të njeriut:
“Të fitojmë prapë hallin, vuajtjen, ankthin
tonë.” Këto fjalë nuk janë thjesht metaforë, por përfaqësojnë përvojat
universale të jetës, lexuesi i kupton si thirrje për të fituar jetën në çdo hall
dhe sfidë.
b.
Ekzistencializmi i kthen sytë tek vetja:
Vargu: “atë
rënien në truallin e fillimit, rënien që nga barku i nënës.”nuk është
thjesht figurë poetike, por një reflektim mbi ciklin e jetës dhe përballjen me
kufizimet njerëzore.
c. Simbolizmi hap
horizontin e së paarritshmes:
“Vendin diku, pak sa një gisht nën Hënë, vend
që nuk zbret kurrë tek ne të gjallët.” Ky vend nën Hënë është shpresa e
pamundur, që gjithsesi mban shpirtin gjallë. Krishti këtu nuk është vetëm
shpëtimtar qiellor, por simbol i sakrificës dhe vuajtjes universale, duke e
lidhur tokësoren me të shenjtën në një përvojë të prekshme.
3.Poezia tregon
njeriun që ëndërron fluturimin, por gjithmonë rikthehet në tokë. Kjo tregon se
shenjtëria nuk është ngritje mbi realen, por të qëndrosh mes njerëzve, mes
sakrificës dhe vuajtjes së përditshme:“Por…
hap-mbyll sytë, prapë ramë në tokë” dhe “Në
tokë… të fitojmë tokën.” Përsëritja e tokës nuk është rastësi; ajo thërret
lexuesin të kuptojë se nuk ka vend tjetër ku mund të bjerë. Krishti nuk zbret
në qiell, por në tokë, te njerëzorja. Poezia lë një të vërtetë të madhe: “Njerëzorë jemi, tepër njerëzorë…”
4.Realizmi
magjik dhe modernizmi bashkohen: modernizmi ndërton zemrën e poezisë, ndërsa
realizmi magjik i vendos mbi të një qendër drite, që tingëllon si ëndërr, por
dhemb si jeta.
Mesazhi
thellohet përmes ndërthurjes së tokësores dhe magjisë. Çdo element magjik
-fluturimi, karroca me flatra, puthja fluture helmuese - nuk e largon njeriun
nga jeta e përditshme, por i jep kuptim dhe ndjeshmëri vuajtjes, sakrificës dhe
lumturisë së vogël. Realja bëhet e çmuar sepse magjia e ndriçon, dhe magjia
bëhet e prekshme sepse lidhet me tokën.
Në fund, Bejko
nuk jep mësim; ai hap një dritare për të kuptuar jetën. Magjia nuk është
arratisje, por një mënyrë për të ndjerë brishtësinë dhe bukurinë e
përditshmërisë. Tokësorja është ajo që na mban, na formon dhe i jep peshë çdo
ëndrre, çdo ngritjeje dhe çdo rënieje që përjetojmë.
V- Risitw dhe
vlera poetike e Sadik Bejkos.
Poezia e Sadik
Bejkos sjell një freski të veçantë në letërsinë shqipe. Ajo nuk mbush me fjalë
të largëta ose metafora të stërholluara; risi qëndron te mënyra se si Bejko
bashkon magjinë me të përditshmen, duke e bërë ndjesinë e jetës më të prekshme.
Realizmi magjik kthen vuajtjen njerëzore në një dritë të lehtë mbi hapësirën
poetike, ndërsa elementet e modernizmit i japin poezisë trup dhe tingull të
gjallë. Figura si fluturimi, karroca me flatra dhe vendi nën Hënë shprehin
dhimbjen, shpresën dhe përplasjen e njeriut me kufijtë e jetës, duke ruajtur
lidhjen me tokën
1.Risia fillon
me zhvendosjen e Krishtit nga qielli në tokë. Bejko e rikthen figurën hyjnore
në truallin e njeriut, aty ku dhimbja është konkrete. Nuk ka solemnitet fetar,
as ironi; Krishti bëhet simbol i përvojës njerëzore, jo objekt debati apo
metaforë e largët. Kjo është risi, sepse në poetikën shqipe figura hyjnore
zakonisht trajtohej si simbol i largët ose metaforik, ndërsa këtu bëhet pjesë e
përditshmërisë njerëzore: “Krishti
kryqëzohet vetëm në tokë.”
2. Magjika e
përdorur nga Bejko nuk është fantazi, por një fashë drite mbi realitetin e
rëndë. Qysh në fillim: “Prekëm në kufirin
e dritës/ në fërfëllimën që ndan hemisferat …” Ky çast nuk zëvendëson
jetën, por e thellon perceptimin e saj. Fluturimi dhe karroca me flatra janë
reflektim i shpirtit që kërkon lehtësim, ndërsa realja dhe magjika ndërthuren
si dy kënde të së njëjtës hapësirë. Risia qëndron tek forma dhe funksioni i
realizmit magjik: nuk krijohet një botë tjetër, por magjika shërben si dritë që
ndriçon relievin e hapësirës poetike, duke bërë të prekshme tensionet dhe
dhimbjen e brendshme të njeriut.
3. Poezia lëviz
mes çudirës dhe zhgënjimit, mes dritës dhe tokës. ‘Karroca me flatra te këmbët
tona’ ndiqet nga rënia: ‘Por… hap-mbyll
sytë, prapë ramë në tokë.’ Ky ritëm pasqyron frymëmarrjen e njeriut, duke
bashkuar realizmin magjik me ndjeshmërinë njerëzore. Risia qëndron tek
kombinimi i realizmit magjik me ritmin e ndjeshmërisë njerëzore, duke e bërë
poezinë të natyrshme dhe të prekshme.
4. Risia
qëndron te thjeshtësia me të cilën shpreh të vërtetën. Në këtë poezi ku
qarkullojnë hemisfera, drita, rënie, Krisht, tokë dhe fluturime, Bejko përmbledh
gjithçka me një ton të qetë: ‘Njerëzorë
jemi, tepër njerëzorë…’ Kjo është risi, sepse vjen pa patetizëm, pa
artific, por me një gjuhë që prek direkt lexuesin. Një gjuhë që nuk kërkon
madhështinë - ndonëse saktësisht kështu e arrin atë.
Poezia “Krishti
kryqëzohet vetëm në tokë” përfaqëson një vlerë të veçantë në krijimtarinë e
Sadik Bejkos dhe një pasuri të rëndësishme në poetikën shqipe. Ajo ndërthur
magjinë dhe tokësoren, ku realizmi magjik si një “fashe drite” ndriçon relievin
e hapësirës poetike, ndërsa modernizmi, ekzistencializmi, ekspresionizmi dhe simbolizmi i japin trup dhe ndjeshmëri
emocionale. Kjo poezi tregon përvojën njerëzore në të gjitha dimensionet e saj:
dhimbjen, sakrificën, përballjen me kufijtë e jetës tokësore dhe pranimin e
saj. Në këtë mënyrë, Bejko ndërton një ekosistem poetik ku lexuesi ndjen jo
vetëm magjinë e botës, por edhe peshën e përditshme të jetës, duke e bërë këtë
krijim një vlerë të re dhe të qëndrueshme në poezinë shqipe.
Sarandë, prill 2024-dhjetor
2025
Krishti kryqëzohet
vetëm në tokë
Prekëm
në kufirin e
dritës,
në
fërfëllimën që ndan hemnisferat, hapësirat -
në të
fluturimit teh të paprekshëm.
Ëndrash e
kishim ditur, turbull pandehur, këtë
çast
fare, fare
të largët :
Vendin diku,
pak sa një gisht nën Hënë,
vend që nuk
zbret kurrë tek ne të gjallët.
Por ndodhi.
Çasti u ndal, ra si
karroca me
flatra te këmbët tona :
- Ejani,
ejani të fluturojmë, tha.
(Barëra të
shpresës sonë kaq të forta
ende lopët
s’u patën ngrënë!?)
Le të
ngjitemi, tha,
pak, fare
pak gjer aty… nën Hënë.
Ç’ mund të
ndodhë
e mund të
mos ndodhë
kur me një
të puthur fluture helmuese
prek në
kufirin fërfëllues
që i ndan më
dysh hemisferat?
Bota bëhet
tjetër,
Ndodh: dhe
në ujë perlash mund të zhgërryhen derrat.
Por…
hap-mbyll sytë, prapë ramë në tokë.
S’qenkësh
gjë,
s’paskësh
qenë gjë ai vendi i një gisht nën-Hënës.
Të fitojmë,
pra, Tokën,
Të fitojmë
prapë hallin, vuajtjen, ankthin tonë,
atë rënien
në truallin e fillimit,
rënien që
nga barku i nënës.
Në tokë… të
fitojmë tokën.
(Krishti
prapë mund të vihet në kryq e mund).
Njerëzorë
jemi, tepër njerëzorë…
…s’është më,
nuk është
ai vendi sa
një gisht nën Hënë,
dikund...
Nga libri “Letër Hamurabit”
No comments:
Post a Comment