Friday, 19 December 2025

 

Realizmi magjik në poezinë shqipe

KLEOPATRA, MARIA DHE MARIA MAGDALENA

 

Nga Timo Mërkuri

Realizmi magjik në poezinë moderne shqipe sot  është i pranishëm në mënyrë të natyrshme, jo si frymë e huazuar nga vendet latino-amerikane, por si dritë e brendshme, e lindur nga mënyra si poetët tanë e shohin realitetin lidhur me kujtesën, mitin, misterin dhe thellësitë e përditshmërisë. Është një dritë që vjen nga bota jonë, nga qielli ynë, nga ngjyrat e ditës së zakonshme, nga hije të vogla që shpesh nuk shihen, por ndihen.

Natasha Lako është një ndër poetet shqiptare që e kultivon realizmin magjik në vargun modernist dhe postmodernist me natyrshmëri të rrallë. Tek ajo, realizmi magjik nuk është zbukurim, por mënyrë e të parit, e cila  hyn në poezi  si rrymë drite dhe i jep formë botës. Ai herë shfaqet si fashë drite që ndriçon relievin poetik të modernitetit dhe postmodernitetit, duke u dhënë imazheve thellësi të re. Herë shkrihet me vetë relievin, deri në atë pikë sa bëhet pjesë e tij dhe nuk dallohet ku mbaron realja e ku nis e magjikja. Dhe herë-herë shfaqet si një “lule” drite, që shfaqet i beftë në një cep të vogël të vargut, si gjurmë e një  rrezeje (tip“lazer”) që shënjon një detaj të caktuar poetik.

Në këtë mënyrë shfaqjeje realizmi magjik dhe te poezia “Në Tiranën e kafshuar dhe të ëmbël” është i pranishëm: herë i shtrirë mbi gjithë poezinë, herë i fshehur në shtresat e saj, herë i ndritshëm si një shenjë e papritur. Ai është dritësim që përshkon qiellin, qytetin, historinë dhe zemrën, duke i bashkuar të gjitha në një të vetme.

I – Në këtë dritësim të përgjithshëm të poezisë së Lakos, titulli nuk vjen si shenjë orientuese, por si prag përjetimi, si pika e parë ku lexuesi hyn në qytet jo me sy, por me ndjesi. Titulli “Në Tiranën e kafshuar dhe të ëmbël” është një hapësirë ku takohen tri shtigje drite: modernizmi, postmodernizmi dhe realizmi magjik. Që në leximin e parë, titulli flet si një qenie e gjallë dhe hap një portë ku qyteti nuk shihet vetëm me sy, por edhe me indet e kujtesës dhe të shpirtit.

Nga njëra anë, leximi modernist e sheh Tiranën si trup të ndjeshëm, si një hapësirë që përjetohet në mënyrë të brendshme dhe intime. Fjala “e kafshuar” nuk është vetëm shenjë e vështirësive të jetës urbane; ajo e bën qytetin të duket si një krijesë me plagë, me dhimbje, me lëkurë që ruan gjurmët e kohës. Tirana merr frymë bashkë me banorët dhe secili cep i saj mban një plagë të vjetër ose të re.

Menjëherë pas kësaj shfaqet fjala “e ëmbël” e cila e zbut dhimbjen dhe i jep qytetit një shkëlqim të brishtë. Është ëmbëlsia e nostalgjisë, e kujtimit, e asaj mënyre të çuditshme me të cilën qytetet të përkëdhelin edhe kur të kanë lënduar. Këto dy ndjenja - dhimbja dhe ëmbëlsia- krijojnë brenda titullit një pulsim njerëzor, tipik për modernizmin: qyteti nuk është më thjesht vend, por përjetim.

Leximi postmodernist nënvizon mënyrën se si këto dy epitete qëndrojnë pranë njëri-tjetrit pa u pajtuar plotësisht. Postmodernizmi nuk e kërkon shpjegimin, përkundrazi, ai e lë të hapur tensionin mes “e kafshuar” dhe “e ëmbël” dhe e kthen qytetin në një tekst të gjerë të shumëfishtë. Tirana bëhet një horizont interpretimesh ku çdo lexues sjell dritën, hijen dhe kujtesën e vet. Në këtë kuptim, leximi i titullit është vetë një akt poetik.

Pikërisht mbi këtë dualitet  ndjenjash lind prania e realizmit magjik. Këtu magjia nuk vjen nga vende të largëta dhe mjegulla ekzotike; ajo del prej realitetit tonë, prej mënyrës shqiptare të të parit botën, ku e zakonshmja shpesh ka një hije të padukshme që rri pas shpinës. Në titull, fjala “e kafshuar” merr gjallëri, trupëzohet. Qyteti ka lëkurë, ka gojë, ka dhëmbë. Po ashtu “e ëmbël” nuk është thjesht shije; është një dritë e brendshme që rri pezull, një lloj rrezatimi i butë që e shndrit Tiranën nga brenda.

Ndaj themi se këtu ngërthehen me delikatesë tri rryma: a. modernizmi që sjell ndjesinë e trupëzimin, b. postmodernizmi që lë hapësirën e kontradiktës dhe c. realizmi magjik e lidh të dukshmen me të padukshmen, duke i falur qytetit një shpirt të dytë dhe duke u shfaqur si një prurje të re  në poetikën shqipe.

Kështu, “Tirana e kafshuar dhe e ëmbël” nuk është më vetëm titull poezie. Ajo është një botë e kujtesës kolektive, një vend ku dhimbja dhe ëmbëlsia ecin krah për krah si dy dritat e para të një makine. Qyteti bëhet shenjë e kohës që kalon, por dhe e magjisë që mbetet. Në këtë titull bashkohen koha, kujtimet, përjetimi dhe një dritë e brendshme që e mban qytetin të gjallë në plagë dhe në ëmbëlsi.

II- Tri vargjet e para të poezisë hapin një peizazh të brendshëm, ku qielli nuk është thjesht pjesë e natyrës, por një sipërfaqe ku projektohen kujtesa, ndjenja dhe ankthi i njeriut modern. Manteli gri, bluja e fshehur dhe heshtja që i rrethon krijojnë një atmosferë të ngjeshur me simbolikë, ku çdo ngjyrë bëhet gjendje shpirtërore dhe çdo imazh merr trajtë të brendshme. Në këtë nisje, poezia ngre një perde dritë-hije që na fton të lexojmë jo vetëm qiellin, por edhe vetveten në të. Për këto tri vargjet e para:

“I mbështjellë rri qielli me një mantel gri,

thellë e më thellë fshihet bluja e së djeshmes

të mendosh për qiellin është më mirë”

të cilat nuk hapin thjesht një pamje qielli, por një gjendje mendore dhe shpirtërore, ku vështrimi poetik fillon të lëvizë nga jashtë drejt brendësisë,  le të bëjmë:

1.Leximi modernist i dy vargjeve të para:

Në qasjen moderniste, këto dy vargje e shohin qiellin si një reflektim të brendshëm të qytetit dhe njeriut. Fjalia “I mbështjellë rri qielli me një mantel gri” nuk është shfaqje e thjeshtë e natyrës; qielli merr cilësi njerëzore; vesh një “mantel”  dhe kështu përjetohet nga poeti si një imazh i brendshëm shpirtëror. Manteli gri shpreh një dhimbje të fshehur , një peshë mbi qytet dhe mbi kujtesë. Ndërsa vargu “thellë e më thellë fshihet bluja e së djeshmes” i jep vazhdimësi kësaj ndjesie: e kaluara nuk është e humbur, por e fshehur dhe ngjyrat e saj vazhdojnë të ndikojnë mbi përjetimin e të tashmes. (Realisht e kaluara  ishte dje dhe ngjyra e saj ishte blu.) Ky lexim modernist bën që poezia të ndjehet në heshtjen e kujtesës dhe në tensionin e brendshëm të njeriut.

2.Leximi postmodernist

Nga këndvështrimi postmodernist, dy vargjet paraqesin një lojë të hapur ku kuptimet nuk janë të vetëkuptueshme. Manteli gri nuk shënon vetëm dhimbje; ai mund të jetë mbrojtje, fshehje, ose një shtresë që e bën qiellin misterioz. Bluja e së djeshmes nuk është vetëm nostalgji, por një shtresë e tekstit që mund të interpretohet në shumë mënyra: si kujtim, si humbje, ose gjurmë e diçkaje që do të rikthehet. Postmodernizmi e lë lexuesin brenda kontradiktës, duke e bërë qiellin hapësirë të interpretimit të lirë dhe të pafund, ku çdo emocion dhe kujtim mund të bashkëjetojë.

3. Leximi i realizmit magjik

Në dy vargjet e para, realizmi magjik nuk shfaqet si mrekulli e jashtme, por si një gjendje e brendshme, një drithërim e fshehtë ku realja dhe e padukshmja ndërthuren natyrshëm.

Tek këto vargje realizmi magjik gjendet kryesisht te vargu i parë, te fjalët “mantel gri” Në kët varg  qielli merr cilësi njerëzore. Ai “mbështillet”, vesh “mantel”, pra trajtohet si një qenie që ka trup dhe vepron, duke u bërë më shumë se një hapësirë natyrore. Kjo është shprehje e realizmit magjik, sepse objektet e përditshme (qielli) bëhen të gjalla, të ndjeshme dhe të ndriçuar nga një dritë e brendshme poetike.

Te vargu i dytë, te fjalët “fshihet bluja e së djeshmes” ngjyra ka kujtesë dhe jetë të fshehur. Blua nuk zhduket; ajo fshihet diku thellë, si një prezencë magjike që lidhet me kohën (dje). Kjo i jep realitetit një shtresë tjetër ekzistence, një dimension të padukshëm që ndriçon vargun pa u dukur drejtpërdrejt.  Realizmi magjik këtu shfaqet si animizim i qiellit dhe ngjyrave, duke u dhënë këtyre elementeve një jetë të fshehur dhe një ndjeshmëri të brendshme, që zakonisht do të konsideroheshin thjesht të dukshme dhe statike. Shprehja “ animizim I qiellit dhe ngjyrave” nënkupton që qielli dhe ngjyrat marrin shpirt e gjasllëri njerëzore, sikur reagojnë me ndjenjat tona-thelb I realizmit magjik në pak fjalë. Ai shfaqet në tri forma që i japin qiellit jetë të veçantë dhe hapësirës poetike një ndriçim të brendshëm:

a. Si një fashë drite -Kur qielli “mbështillet” me mantelin gri, krijohet një linjë e gjatë ndriçimi metaforik që përshkon gjithë hapësirën e qytetit dhe shpirtin e njeriut. Manteli nuk është thjesht ngjyrë; ai shndërrohet në një linjë drite që zgjeron hapësirën poetike, duke i dhënë qytetit dhe kujtesës një prezencë të ndjeshme, të përjetuar nga brenda.

b. Si një “lule drite” mbi relievin poetik -Bluja e së djeshmes nuk zhduket; ajo fshihet, si një pikë e ndriçuar, që mban brenda kujtesën, nostalgjinë dhe ndjesitë e padukshme. Kjo “lule drite” është një detaj i fshehur që lidh kohën e kaluar me përjetimin e tashëm, duke i dhënë vargut një thellësi që prek lexuesin pa u dukur në mënyrë direkte.

c. Si një “kupolë drite” -Kur “fashë drite” dhe “lule drite” bashkohen, ato krijojnë atë që mund ta quajmë “kupolë drite”: një ndriçim të përgjithshëm që mbulon gjithë hapësirën poetike. Qielli shndërrohet në një qenie me trup dhe shpirt, që ndriçon, mban kujtesën dhe ndjesitë, duke bashkuar realen me magjinë. Manteli gri, si “fashë drite”, dhe bluja e së djeshmes, si “lule drite”, ndërthuren dhe krijojnë një atmosferë ku qielli duket i gjallë, i ndjerë dhe me një prani shpirtërore.

Ky realizëm magjik nuk është i importuar; ai është i lindur nga mënyra jonë e të parit botën. Qielli nuk ka nevojë për çudi të jashtme; ai gjallërohet nga përjetimi i brendshëm, nga kujtesa dhe ndjeshmëria njerëzore. Edhe mënyra se si shfaqet në tri forma- fashë, lule dhe kupolë drite- është një risi brenda risisë së realizmit magjik, duke treguar se kjo lloj magjie nuk është e ngurtë, por lëvizës dhe e gjallë, si vetë perceptimi poetik.

4. Vargu i tretë, “Të mendosh për qiellin është më mirë”, i jep një kthesë të butë strofës. Pas dy imazheve të qarta- qielli i mbështjellë me mantel gri dhe blunë e djeshme që fshihet- poezia papritur ndalon, merr frymë, dhe na fton në një reflektim të brendshëm. Ky varg nuk ndërton një pamje, por një gjendje: është më shumë një murmuritje e njeriut që kërkon dritë në errësirën e përditshme. Moderniteti i tij qëndron pikërisht këtu- në kthimin e vështrimit nga bota e jashtme drejt brendisë, nga ngjyra te mendimi, nga pamja te shpresa. Edhe pse nuk është një varg imazhist, ai lëshon hijen e një imazhi që lexuesi e ndërton vetë. Nuk jep figurë, por ndez dëshirën për figurë. Qielli, i menduar, bëhet i brendshëm: një lloj dritareje shpëtimi, një mundësi për të shpëlarë grinë që rëndon mbi botën dhe njeriun. Në këtë mënyrë, vargu i jep poezisë dimension të heshtur meditativ, pothuaj lutje, sepse fjala “më mirë” sugjeron përparësi morale ose shpirtërore: poeti/heroina po këshillon veten ose lexuesin të kthehet drejt qiellit, drejt hapësirës, drejt diçkaje të ndritshme. Kjo është afër mënyrës sesi funksionojnë lutjet- ato janë thirrje për mbështetje ose për shpresë. Në fakt vargu nuk e thotë drejtpërdrejt se po lutemi, por aktualisht e vendos mendimin për qiellin si një fokus shpirtëror dhe ca më tepër forma e tij e heshtur e bën të ngjajë me një lutje private.

Por sa i përket realizmit magjik, ky varg qëndron në kufirin e tij. Nuk  ndriçon  realitetin siç bën realizmi magjik me relieving poetik, por e ndriçon nga brenda. Magjia këtu s’vjen nga përmbysja e botës, por nga mënyra e të shikuarit të saj: qiell i mbuluar me mantel gri mbetet real, por mendimi për të krijon një dritë që nuk është meteorologjike - është e brendshme, njerëzore, shpirtërore. Kjo lëvizje nga materia te metafizika është një prej fijeve më të hollë përmes të cilës poezia prek magjiken pa u shkëputur nga realiteti.

Në këtë kuptim, vargu shërben si urë që lidh pamjen e rëndë të qiellit me ëndrrën e një qielli tjetër, më të pastër, të mundshëm. Ai nuk na jep dritë, por na mëson ta mendojmë dritën. Dhe ky është, në vetvete, një akt poetik.

III- Në këtë pikë, qielli i poezisë pushon së qeni vetëm hapësirë ndijore dhe shndërrohet në skenë historike, ku kujtesa kolektive zbret e vepron mbi qytetin. Në dy vargjet e dyta, poezia hap një dimension ku historia, miti dhe përjetimi i brendshëm ndërthuren në të njëjtën hapësirë poetike. Qielli shfaqet jo si sfond i largët, por si një skenë e gjallë ku lëvizin figura femërore të historisë dhe traditës sonë. Kjo mënyrë përfytyrimi, tipike për qasjen moderniste, e kthen realitetin e qytetit në një hapësirë simbolike, ku e tashmja mbart gjurmët e së shkuarës dhe ku imagjinata ndërvepron natyrshëm me historinë. Brenda këtij vizioni të shkrirë, vargjet marrin peshë të shumëfishtë, duke e shndërruar qiellin në një kujtesë të hapur që flet për figura, dritë dhe transformim.

Leximi i dy vargjeve të dyta të poezisë:

“E ngarkuar me vandakun e diellit Kleopatra, pastaj Maria,

pastaj Maria Magdalena, rrëzonin prej qiellit të gjithë mantelet.”

1.Në qasjen moderniste, këto vargje e bëjnë të dukshme perceptimin subjektiv të qytetit dhe të hapësirës. Qielli nuk është më thjesht hapësirë, por mbart histori dhe simbolikë. Vargu “E ngarkuar me vandakun e diellit Kleopatra, pastaj Maria, pastaj Maria Magdalena” i jep qiellit një ngarkesë të brendshme; figurat historike nuk janë thjesht kujtime, por prani e të shkuarës që ndriçon realitetin. Modernizmi këtu e ndjen qytetin dhe qiellin si vend ku historia, mitet dhe përjetimi subjektiv bashkohen. Qielli bëhet një horizont i përjetshëm, i rënduar dhe i plotë me figura që lëvizin midis së vërtetës dhe kujtesës.

2.Në kuptimin postmodernist, vargjet krijojnë një lojë me kohën, figurat dhe hierarkitë e historisë. Kombinimi i Kleopatrës, Marisë dhe Marisë Magdalenë nuk shërben për një rrëfim kronologjik; ato janë shtresa të hapura ku kuptimet mund të ndërthuren. Lexuesi nuk mund të kuptojë aty një mesazh të vetëm, pse ai nuk egziston. Figurat rrëzojnë mantelet prej qiellit - një akt që duket çuditshëm dhe larg logjikës së zakonshme - dhe kjo është karakteristikë postmoderniste: ajo krijon kontrast dhe dyshim, duke i lënë interpretimit hapësirë të lirë. Vargjet janë tekst i hapur, i lëvizshëm, ku çdo lexues mund të kapë një shtresë tjetër kuptimi.

3.Realizmi magjik këtu shfaqet qartë dhe në mënyrë të gjallë. Qielli është i ngarkuar me praninë e figurave historike dhe shfaq veprime që nuk mund të jenë reale: ata “rrëzojnë prej qiellit të gjithë mantelet”. Mantelët nuk janë (vetëm) rroba, por këtu janë shtresa që mbajnë histori dhe mister. Këtu, realizmi magjik shfaqet me tre forma të dallueshme:

a. Si një fashë drite – tek Maria dhe Maria Magdalena: “rrëzojnë prej qiellit të gjithë mantelet”. Mantelët nuk bien thjesht fizikisht; ata janë pengesa që fshehin dritën. Kur bien, krijohet një rrjedhje e butë drite, një çast ndriçimi hyjnor dhe poetik që shtrihet mbi qytet.

b. Në formën e një “lule drite”- tek Kleopatra dhe “vandaku i diellit”: “E ngarkuar me vandakun e diellit Kleopatra…” Vandaku është një ngarkesë  drunjsh, shkarpash të prera në pyll, por këtu kjo barrë shndërrohet në një ngarkesë “vandak” rrezesh dielli, ose një copë dielli që shkëlqen dhe ndriçon. Ky transformim nga pesha e zakonshme e drunjve, në diell është si një “lule drite” që çel mbi relievin poetik, duke ndriçuar figurën e Kleopatrës me vandakun e  diellit ( në formën e “rrezeve”, pra shkarpave) dhe duke i dhënë madhështinë, pse ajo mban diellin në duar.

c. “Kupole drite” duket tek bashkimi i veprimeve të tre figurave: Kleopatra mban diellin apo rrezet e tij, ndërsa Maria dhe Maria Magdalena rrëzojnë mantelet. Qielli shndërrohet në një strukturë ndriçuese mbi qytet, si një kupolë hapësire dhe krijon atmosferë poetike magjie. Drita nuk shpërndahet në pika, por mbulon gjithë qiellin, duke përbashkuar fuqinë, sakrificën dhe shpirtin e grave në një peizazh të gjallë. Vargu sjell realen dhe të padukshmen në të njëjtën hapësirë. Qielli bëhet i gjallë, lëvizës dhe i ndriçuar nga një dritë e brendshme, një mënyrë e poetes për t’i dhënë qytetit dhe hapësirës dimension tjetër ekzistence. Kjo magji ndërthuret me modernizmin, duke i dhënë qiellit ngarkesë dhe histori, dhe me postmodernizmin, duke krijuar një lojë ku lexuesi ndjek veprime që sfidojnë logjikën dhe koherencën lineare. Ndërkohë  pikërisht kjo ndërthurje shndrohet në një risi poetike.

ç. Nëse deri këtu drita është përjetuar si fenomen poetik, vargu “Maria dhe Maria Magdalena hoqën mantelet e qiellit” pranon edhe një lexueshmëri kulturore dhe historike, sepse poezia nuk mbyllet në një kuptim të vetëm. Ajo hap shtigje drite, si një dritare që nuk të thotë çfarë të shohësh, por të fton të shikosh.

Heqja e “manteleve të qiellit” mund të lexohet si një akt zbulesor. Qielli, zakonisht i largët dhe i paarritshëm, i mbështjellë me mister dhe autoritet hyjnor, këtu nuk qëndron më i mbuluar. Ai hapet. Maria dhe Maria Magdalena nuk shfaqen si figura të ngrira ikonash, por si qenie vepruese. Ato heqin, zhveshin, hapin. Në këtë gjest të thjeshtë poetik fshihet një domethënie e thellë njerëzore: hapja e dritës, e shikimit, e vetëdijes. Nuk është një qiell që bie mbi njerëzit, por një qiell që u jepet atyre.

Në këtë lexim, krishtërimi ( e përfaqsuar nga Maria dhe Maria Magdalena) nuk shfaqet vetëm si doktrinë fetare, por si një kthesë qytetëruese, ardhur pas politeizmit. Drita që hyn nuk është vetëm shpirtërore. Ajo është edhe kulturore e shoqërore dhe shfaqet si një dritë që, në rrjedhë historike, ka shoqëruar njerëzimin drejt shkrimit, arsimit e ndërtimit të qyteteve dhe një organizimi më të qëndrueshëm shoqëror. Poezia e Lakos nuk e thotë këtë hapur. Ajo nuk predikon, ajo sugjeron. Dhe pikërisht përmes figurës femërore, Marisë dhe Maria Magdalenës, drita vjen jo si pushtet, por si përkujdesje, si mëshirë, si hapje e butë e perdeve të errësirës.

Ky interpretim merr peshë të veçantë kur lexohet nga këndvështrimi shqiptar. Duke perifrazuar Nolin, mund të thuhet se krishtërimi për shqiptarët ka qenë jo vetëm besim, por edhe mbrojtje identitare, një spirancë e hedhur në Europë në kohët më të stuhishme të historisë. Në këtë kuptim, “mantelet e qiellit” mund të jenë edhe mbulesat kulturore, gjuhësore, dhe identitare. Mjafton të kujtojmë priftërinjtë katolikë të veriut, klerikët ortodoksë të jugut dhe ndihmën e Propaganda Fide nga Vatikani në mbrojtjen dhe zhvillimin e shkrimit shqip. Heqja e manteleve të qiellit nuk është zhveshje nga identiteti, por përkundrazi, heqja e mbulesave identitare, një dalje në dritë, një shfaqje e vetvetes përballë botës.

Natasha Lako arrin ta përmbledhë gjithë këtë me një varg të vetëm, sepse poezia e saj nuk kërkon të bindë, por të ndriçojë. Ajo e sheh historinë, fenë dhe njeriun jo në përplasje, por në një dialog të heshtur. Figura biblike bëhen ura mes qiellit dhe tokës, mes së shenjtës dhe njerëzores. Në këtë dialog, krishtërimi nuk është një peshë mbi shpatullat e njerëzimit, por një dritë që e ka ndihmuar të shohë më larg, të ndërtojë më qëndrueshëm dhe të kuptojë veten si pjesë e një historie më të madhe.

Kjo lexueshmëri nuk është një shtresë e imponuar mbi vargun, por një frymëmarrje e natyrshme e tij. Ajo ruan ngrohtësinë njerëzore të poezisë dhe respekton heshtjen e saj. Na kujton se vargjet e vërteta nuk mbarojnë aty ku shkruhen, por vazhdojnë të jetojnë në ndërgjegjen dhe përvojën e atyre që i lexojnë. Në këtë kuptim, kemi edhe një shfaqje të heshtur të realizmit magjik në poezinë e Natasha Lakos, ku historia, besimi dhe poezia bashkëjetojnë pa e humbur kurrë dritën njerëzore.

4.Tek këto dy vargje, “E ngarkuar me vandakun e diellit Kleopatra, pastaj Maria,/pastaj Maria Magdalena, rrëzonin prej qiellit të gjithë mantelet”,figurat historike dhe biblike nuk janë të rastësishme. Të tria janë femra, dhe prania e tyre hap një dimension të qartë feminist. Kleopatra, e fuqishme dhe e pavarur, përfaqëson pushtetin dhe ndikimin, ndërsa Maria dhe Maria Magdalena lidhen me figurën e gruas si nënë dhe si e njohur e Krishtit. Në këtë mënyrë, poezia i sjell gratë në qendër, jo vetëm si simbol, por si aktore me fuqi: ato veprojnë, ndërhyjnë në qiell dhe në histori, rrëzojnë mantelet dhe mbajnë vandakun e diellit. Ky është një trajtim që i jep grave një autonomi magjike dhe poetike, një qasje që lidhet me feminizmin. Kjo është një risi në poetikën shqipe sepse  veprimet e tyree nuk janë vetëm narrative; ato i japin hapësirës një dimension magjik dhe poetik, duke e bërë lexuesin të perceptojë një botë ku fuqia dhe drita shfaqen përmes figurave femërore.

5. “Vandaku i diellit” është një shprehje që Natasha Lako hedh në poezi si një gur në një pellg uji; sapo prek vargun, krijon rrathë interpretimi me dritën e tij. Nuk është më thjesht një vandak drunjsh, as një barrë e zakonshme; është një vandak rrezesh, një ngarkesë dielli që asnjë qenie njerëzore nuk mund ta mbante në realitet. Pikërisht këtu lind realizmi magjik, i cili lejon Kleopatrën të mbajë në duar atë që në jetën e përditshme s’mund të mbahet: një copëz nga vetë dielli. Kleopatra shfaqet e para me këtë dritë në duar, sepse është figura më tokësore e tre grave. Ajo vjen nga historia, jo nga shenjtëria. Mbretëresha mbante jo vetëm pushtet, por dhe hijen e tij, ndaj poetja i jep “vandakun e diellit”: një dritë e rëndë, një barrë që verbëron, simbol i fuqisë që e përvëlon atë që e mban.

Në këtë varg ndodh një nga shndërrimet më të buta të realizmit magjik Vandaku, që në jetën shqiptare është një barrë drunjsh, një ngarkesë që gratë e fshatit e mbajnë mbi shpinë, papritur shkëlqen, jo nga druri, por nga dielli. Në vend të druve të zakonshëm, Kleopatra mban një barrë rrezesh. Kjo është fasha e parë e realizmit magjik, drita që ndez gjithë poezinë dhe e bën të tingëllojë si një mit që ecën mes nesh. Ky shndërrim e sjell Kleopatrën pranë lexuesit, e ul nga froni, pa humbur madhështinë. Rubinet e arta, skeptri, rrobat që vezullojnë si ari i pastër, pikturat egjiptiane- të gjitha shkrihen në këtë imazh të ri. Ajo që dikur mbante ar, tani mban diellin (dritën) vetë.

Ndërrimi i barrës së rëndë me një barrë drite lind qetësisht realizmin magjik. Në duart e mbretëreshës, një ngarkesë drunjsh, simbol i punës dhe sakrificës së grave shqiptare, shndërrohet në ngarkesë drite. Kjo dritë nuk bie nga qielli; ajo ngrihet në shpinë si një vandak që vjen nga pylli i lashtë i historisë. Kjo figurë e Kleopatrës me “vandak dielli” është një lule e artë magjike, ndërthurje e së lashtës me të sotmen, e mbretëreshës me gruan e thjeshtë, e arit me drurët.

Në këtë bashkim del qartazi risia poetike: ajo që duket barrë mund të jetë dritë; ajo që vjen nga hija mund të shndërrohet në ngarkesë diellore. Poezia e Lakos i sjell kulturat në një trup të vetëm - Egjiptin e Kleopatrës dhe Shqipërinë e gruas me vandakun në shpinë - dhe tregon se drita ecën nga koha në kohë, nga krahët e mbretëreshës në krahët e njeriut të thjeshtë.

6. Dy Maritë - Maria dhe Maria Magdalena- nuk mbajnë dritë. Ato rrëzojnë mantelet. Nuk mbajnë barrë; përkundrazi, çlirohen prej saj. Nuk mbajnë vandakun e diellit, sepse nuk janë figura të peshës së botës, por të shpirtit. Ato vijnë nga Bibla, nga një vend ku drita buron nga Qielli. Nuk marrin atë që mbante Kleopatra; ato heqin diçka prej vetes - një çast pranimi, dorëzimi, përunjësie.

Në këtë lojë imazhesh, realizmi magjik merr frymë. Ai duket kur dielli bëhet objekt që mbahet në duar dhe kur manteli bie prej qiellit; si zhveshje e padukshmërisë njerëzore. Te vargu “rrëzonin prej qiellit të gjithë mantelet” poetja krijon një çast të butë dhe të çuditshëm ndriçimi. Maria dhe Maria Magdalena nuk heqin thjesht një mantel; ato prekin vetë qiellin, sikur të hapin një vel apo perde të rëndë që pengonte shikimin drejt dritës. Ka qetësi hyjnore, por dhe thjeshtësi njerëzore. Poetja i shfaq ato si misionare të dritës së re: nuk flasin, nuk shpjegojnë. Thjesht rrëzojnë atë që mbante qiellin të mbyllur , duke lejuar njeriun të shohë lart pa pengesa. Ky gjest është magjik, por duket natyral. Kjo i jep poezisë realizmin magjik - një fashë drite që ndriçon një çast të vogël. Vargu duket i qetë, por brenda tij ndodh një shndërrim i heshtur i botës.

Njëkohësisht, vargu prek dhe modernizmin. Ai tregon një epokë të lodhur nga mjegullat, nga mbulesat e historisë. Heqja e manteve bëhet një thirrje për të parë më qartë. Leximi postmodernist e sheh këtë si një lojë me figurat biblike, një zhvendosje që tregon se drita mund të vijë edhe në qytetin e sotëm, në “Tiranën e kafshuar dhe të ëmbël”.

Në fund mbetet një ide e butë: dy gra, të njohura prej mijëra vitesh, heqin pengesën e qiellit për njeriun e sotëm. Vargu shkëlqen si një rreze e vogël, vendosur me kujdes në relievin modern të poezisë. Këtu realizmi magjik është drita që vë në lëvizje figurat, u jep trup, detyrë dhe peshë. Kleopatra merr dritën si barrë; dy Maritë e lënë të shfaqet. Poezia bëhet vendtakimi i tri botëve: fuqisë, sakrificës dhe ankthit të heroinës së sotme. E parë në kontekstin poetik këto gra nuk janë figura të largëta, por prani që kalon mbi qytet, si engjëj me forma njerëzore që sjellin një mësim të heshtur.

7. Nga këndvështrimi biblik, dy Maritë mbartin dy pole të misterit të Krishtit: njëra me lindjen, tjetra me ringjalljen. Poeti i sjell jo si figura të largëta, por si prani që hap një dritë të re mbi botën- kjo është dhe risi poetike. Kur shkruhet: “Maria dhe Maria Magdalena duke hequr mantelet nga qielli…”, nuk është tregim legjendar. Ajo hap një portë magjie. Heqja e manteleve nuk është gjest i zakonshëm - është sikur dy gra t’i heqin qiellit një mbulesë, pra krijojnë një çlirim nga një pengim i padukshëm.

Figurat mbeten reale, por lëvizin në hapësirë që nuk i bindet ligjeve të zakonshme. Këtu hyn realizmi magjik: në poezinë e zakonshme, një mantel bie nga supet; këtu bie nga qielli. Lexuesi nuk çuditet; beson poeten. Qielli bëhet i afërt. Dy gra ndërveprojnë me të, ta prekin, ta ndryshojnë. Prania e tyre e bën qiellin një hapësirë që ngroh dhe përthith dritë.

Realizmi magjik ndërthuret me referencat biblike, sepse veprimet e figurave- heqja e manteleve- lidhen me lindjen dhe ringjalljen e Krishtit, duke i dhënë kuptim të thellë historisë së shenjtë dhe një dimension të mrekullueshëm poetik. Akti i heqjes së manteleve e kthen hapësirën në skenë ku ndërthuren feminiteti, shenjtëria dhe e pabesueshmja që bëhet e natyrshme. Kjo është risi poetike, sepse poeti sjell figurat biblike në hapësirën e përditshme, duke i bërë të prekshme dhe pjesë të qytetit

Këto dy gra bartin një fuqi të heshtur, ato hapin dritën dhe qartësojnë shikimin e njeriut . I japin qiellit një transparencë të re. Poetja e bën këtë me një gjest të thjeshtë, të butë, por ngarkuar me kuptim. Strofa ku ato shfaqen bëhet vendi ku historia dhe magjia, realja dhe e pabesueshmja, bashkëjetojnë. Qielli nuk është më i paprekshëm; ai mund të çlirohet prej “manteleve”. Kjo është drita që sjell poezia: e thjeshtë, por e thellë, që vjen nga duart e dy grave dhe ndriçon vargun dhe mënyrën si e shohim qiellin. Figurave u jepet fuqi vizuale dhe simbolike- rrëzimi i manteleve, lëvizja mes qiellit dhe tokës - duke i dhënë vargut një gjallëri dhe një magji të prekshme.

Në këtë hapësirë, fuqia femërore, simbolika biblike dhe realizmi magjik ndërthuren. Vargjet bëhen skenë ku gratë veprojnë dhe ndriçojnë hapësirën poetike. Ky ndriçim është vizual e shpirtëror, dhe e bën lexuesin të ndiejë fuqinë e brendshme të figurave. Te strofa e dytë, realizmi magjik, fuqia femërore dhe referenca biblike bashkohen, duke krijuar një hapësirë ku historia, miti dhe risia poetike bashkëjetojnë, dhe fuqia femërore bëhet qendrore dhe e ndriçuar.

IV- Pas figurave që zbresin nga historia dhe miti, poezia e kthen vështrimin nga qielli te trupi, nga kujtesa e përbashkët te përjetimi intim i njeriut të vetëm. Vargjet që vijojnë e vendosin lexuesin në një hapësirë ku njeriu, qyteti dhe kujtesa ndërthuren si shtresa drite mbi një reliev të brendshëm poetik. Në këtë botë, Tirana e përditshme merr ngjyrime simbolike; blu-ja e së djeshmes bëhet dritë që shkon thellë në zemër, ndërsa figura e “nudo burrit” shfaqet si një qenie e brishtë, e zhveshur nga çdo maskë. Në këtë shtrat poetik takohen modernizmi, postmodernizmi dhe realizmi magjik: një triadë që e shndërron vargun në hapësirë të lirë për emocion, interpretim dhe shndritje imagjinative. Poezia nuk jep vetëm imazhe- ajo krijon forma, lule drite, kupola që hapen në qiellin e fjalës, duke e bërë përjetimin njerëzor të prekshëm dhe të gjallë.

Kjo i hap rrugë leximit të vargjeve dhe analizës që vjen, ku drita, ndjenja dhe mendimi përthuren në një tis të hollë poetik. Kështu vargjet

“Nudo burri e fshehur në zemër, kaltërsia më mundon

në Tiranën e kafshuar dhe të ëmbël.”

1.Në leximin modernist, vargjet sjellin një brishtësi njerëzore. “Nudo burri” nuk është një figurë e zhveshur fizike, por një qenie e çliruar nga maskat e botës, e vendosur përballë vetmisë e mallëngjimit. Mund ta lexojmë vargun “Nudo burri e fshehur në zemër, kaltërsia më mundon” edhe nga  këndvështrim i brendshëm dhe emocional, duke menduar se figura e “nudo burri” mund të jetë një pasqyrim i ëndrrës ose dashurisë së fshehtë të heroinës.  Në këtë varg, “nudo burri” nuk është vetëm një njeri fizik; ai mund të përfaqësojë figurat e ëndrrave të heroinës, një prani që ajo përjeton brenda vetes. Fjala “nudo” tregon zbulimin, një afrim të pa mbuluar ndaj ndjesive të saj. Kur poetja thotë “e fshehur në zemër”, kjo na çon drejt interpretimit se ky burrë është i përjetuar vetëm në botën intime të heroinës, një dashuri e fshehtë ose një ndjenjë që nuk ka gjetur rrugë për tu shprehur në realitet.

“Kaltërsia më  mundon” lidhet me blu-në e së djeshmes, që u shfaq edhe në vargjet e para. Ajo është një hije e kujtesës dhe e nostalgjisë, ndjenja që peshon mbi shpirtin e heroinës, ndoshta si reflektim i dashurisë të paplotësuar ose i një ëndrre që ka mbetur e fshehur. Ky “blu” është  një prani e heshtur që ndriçon në fshehtësi dhe, njëkohësisht, dhemb dhe lodh.

2.Postmodernizmi e lejon këtë figurë të mbetet e hapur për lexime të ndryshme: “nudo burri” mund të jetë gjithashtu një simbol i çdo dashurie të mundshme, çdo pranie që nuk mund të kapet plotësisht, ose një imazh që ndryshon me përjetimin e subjektit. Nuk ka kufij të qartë midis ëndrrës, kujtesës dhe realitetit; vargu krijon një hapësirë të lirë për interpretim dhe ndjesi.

3.Në këtë kuptim, realizmi magjik shfaqet te vargu “kaltërsia më mundon” jo  vetëm si ndjenjë, por si një fashë drite e tejdukshme, një brez i ngushtë emocional që përshkon figurën e “nudo burrit” dhe e lidh me kujtesën. Kjo fashë dritë krijon një shteg mes së djeshmes dhe së tashmes, duke bërë që dhimbja të marrë formë të dukshme, si një vijë drite që pulson mbi relievin modernist.

Po ashtu shfaqet si një “lule drite” tek shfaqja e figurës së “nudo burrit” në zemër, pse figura e burrit nudo e fshehur në zemër, shfaqet jo si trup, por si një lule e brendshme drite që çel në botën intime të heroinës. Është një shfaqje magjike: një prani që nuk ekziston në realitet, por ka aromë, formë dhe dridhje brenda shpirtit – si një “lule blu” që ndriçon brendinë e poemës.

Shfaqet si një “kupolë drite” në hapësirën e Tiranës “së kafshuar dhe të ëmbël” pse qyteti nuk jepet thjesht si peizazh urban, por si një hapësirë e mbuluar nga një kupolë drite blu, që vendoset mbi të. Kjo kupolë e bën qytetin të marrë frymë me ndjenjat e personazhit – ëmbëlsinë, kafshimin, mallin – dhe e shndërron në një hapësirë gjysmë reale, gjysmë të magjishme.

Kjo ndërthurje e elementit real me të magjishmen i jep vargut një gjallëri të veçantë: drita jo vetëm ndriçon, por edhe krijon formë, aromë, dhe lëvizje; ajo e bën të prekshme blu-në e së djeshmes dhe ëndrrën e paplotësuar que dridhet brenda figurës.

Në modernizëm, ky varg është një shpërthim i brendshëm i subjektivitetit: heroina përjeton në thellësi, në një intimitet pa dëshmitarë. Burri shndërrohet në simbol të dëshirës, të kujtesës ose të pasionit të përbrendshëm.

Në postmodernizëm, figura mbetet e hapur: “burri nudo” mund të jetë një ide, një hije e mundshme, një ëndërr që ndryshon sipas syrit që e lexon. Nuk ka kufij të prerë mes reales, kujtimeve dhe imagjinatës.

Në realizmin magjik, ky “burrë nudo” merr jetë si një “lule drite” që çel në brendësinë emocionale të heroinës. Ai nuk ekziston në botën reale, por në hapësirën e shndritshme të ndjenjës - aty ku e shkuara, ëndrra dhe e tashmja përzihen. Eshtë pikërisht kjo dritë magjike i jep vargut dridhjen e brendshme poetike, duke e bërë blu-në e së djeshmes të pulsojë në çdo fjalë. Është pikërisht ky ndërveprim mes rrymave që e sjell këtë poezi si një risi të re në poetikën shqipe.

V-Në tërësinë e poezisë, realizmi magjik shfaqet si një dritë e imtë që e ndjek heroinën nëpër vargje, herë duke u bashkuar me tonin modernist të brendësisë së trazuar, herë duke u ngjitur mbi gjuhën postmoderniste si një shkëlqim i papritur mbi një sipërfaqe të thyer. Modernizmi në poezi është si trualli ku mbijnë ndjesitë- ankthi, kujtesa, blu-ja e humbur e djeshme-ndërsa postmodernizmi e jep mënyrën e të folurit: të fragmentuar, të lirë, të përzier me histori e simbole që shndërrohen sapo preken nga fjala. Por realizmi magjik është ai që i jep poezisë aromën e pazakontë, dhe atë dritë të butë që nuk ngjan me asgjë tjetër.

Ai shfaqet kur Kleopatra sjell “vandakun e diellit”, kur dy Maritë, larg  rrëfimit biblik heqin mantelin e qiellit gri, kur bluja e djeshme endet si një qenie e gjallë që fshihet thellë e më thellë. Shfaqet edhe te figura e “nudo burrit”, që nuk është mish e kocka, por një prani e ëndërruar, një fantazmë dashurie që rri e mbledhur në zemër. Realizmi magjik e bën këtë poezi të marrë frymë e të ndrijë si një qytet që nuk ndryshon, por vezullon herë pas here, si një dritë që çan retë për një çast e pastaj tretet, por lë gjurmë.

Në këtë mënyrë, poezia nuk është thjesht moderne as thjesht postmoderne-është një hapësirë ku e brendshmja moderne, loja postmoderne dhe shkëlqimi magjik takohen si tri degë të një lumi të vetëm. Realizmi magjik nuk sundon, por as nuk ikën; ai është fasha e dritës që herë ndriçon një figurë, herë një kujtim, herë një plagë të heshtur. Si një lule që çel papritur në mes të një toke urbane, ai i jep poezisë dritën dhe frymën e saj më të hollë e më të ndjeshme-atë ndjesi se përtej ngjyrave, nën fjalë, diçka vezullon për një çast dhe pastaj mbetet në shpirt si një kujtim që nuk harrohet.

VI-Poezia e Lakos ka ndjesi europiane të thellë, sidomos në mënyrën se si ndërthuren realizmi magjik me imazhet historike dhe biblike. Emra si Kleopatra, Maria e Maria Magdalena nuk janë thjesht referenca; ata lidhen me traditën e madhe të kulturës europiane, ku figura historike dhe mitologjike bashkëjetojnë me subjektivitetin poetik dhe ndjesinë intime të heroinës. Në këtë frymë, poezia e Lakos i afrohet edhe poezisë europiane bashkëkohore: Paul Éluard dhe André Breton për përdorimin e ëndrrës dhe të imazheve magjike, Federico García Lorca për ndërthurjen e figurave mitike me emocionet e brendshme.

Kjo ndërthurje krijon një univers të hapur, ku historia, miti dhe ndjesia personale bashkëjetojnë në një poezi të gjallë dhe të ndjeshme. Kjo poezi e Lakos i jep një lartësi poetikës shqipe, prej nga mund të shohim krahasimisht edhe poetikën europiane, dhe ku vargjet marrin një dimension universal, pa humbur asnjëherë ngrohtësinë, përjetimin dhe brendësinë e tyre shqiptare, duke i dhënë lexuesit një përvojë poetike që shkon përtej kufijve dhe kohës.

 

Sarandë, më  shtator  2024- dhjetor 2025

 

NË TIRANËN E KAFSHUAR DHE TË ËMBËL

I mbeshtjellë rri qielli me një mantel gri,

thellë e më thellë fshihet bluja e së djeshmes

të mendosh për qiellin është më mirë

 

E ngarkuar me vandakun e diellit Kleopatra, pastaj Maria,

pastaj Maria Magdalena, rrëzonin prej qiellit të gjithë mantelet.

 

Nudo burri e fshehur në zemer kaltërsia më mundon

në Tiranën e kafshuar dhe të ëmbël.

No comments:

Post a Comment