KUSH FUTET NË UJË PËR MUA
Nga Timo Mërkuri
Epifania është festa e shfaqjes
dhe e zbulesës. Në traditën biblike dhe kishtare ajo lidhet me pagëzimin e
Krishtit në lumin Jordan, me çastin kur Jezusi hyn në ujë dhe pagëzohet nga
Gjon Pagëzori. Pikërisht në atë hyrje, qielli hapet, retë largohen dhe një
dritë zbret mbi kryet e Krishtit, duke ndriçuar vendin dhe njerëzit përreth.
Prandaj në krishterim Epifania njihet edhe si dita e dritës që zbret- një ditë
që nuk fton në festë të zhurmshme, por në heshtje dhe vështrim të brendshëm.
Në këtë ditë, uji nuk është
thjesht një element natyror. Ai shndërrohet në hapësirë shenjtërimi, prove dhe
rilindjeje. Uji pastron, por edhe ftoh; jep jetë, por kërkon guxim. Askush nuk
hyn në të pa u dridhur nga tw ftohtit. Pikërisht në këtë dridhje qëndron pesha
e tij simbolike.
Hedhja e kryqit në ujë është një
rit i lashtë, ende i gjallë në traditën tonë. Kryqi hidhet në lumë dhe njerëzit
zhyten për ta nxjerrë. Ai që e gjen dhe e nxjerr, merr bekimin - dikur edhe një
shpërblim simbolik. Por thelbi i ritit nuk qëndron te fitimi. Ai qëndron te
gatishmëria për t’u futur në ujë të ftohtë, për të rrezikuar trupin, për të
provuar besimin dhe përkushtimin përmes këtij akti. Jo të gjithë futen. Jo të
gjithë munden.
Me këtë ngarkesë biblike dhe
simbolike, poezia e Ilirian Zhupës hapet si një epifani personale. Ditëlindja
nuk shfaqet si festë sipërfaqësore, por si çast zbulesë: momenti kur njeriu
ndalet dhe e sheh veten në raport me të tjerët, me kohën dhe me dashurinë që ka
dhënë.
1. Subjekti poetik shfaqet si
kryq i hedhur në lumë në ditën e epifanisë. Vargu:
“Unë jam si një kryq i hedhur në lumë,”
e vendos unin lirik në një pozitë
sakrifikuese. Poeti nuk është ai që mban kryqin mbi shpinë, por në këtë varg ai
është vetë kryqi. Ai nuk flet nga lartësia e gjykimit, por nga thellësia e
ujit. Kjo figurë e zhvendos subjektin nga roli i kërkuesit në rolin e dhuratës.
Në këtë mënyrë, figura e tij
afrohet me simbolikën e Krishtit: qenie që jepet, që hidhet për të tjerët, që
pranon të humbasë për hir të dashurisë. Kryqi nuk qëndron më mbi kodër, por në
rrjedhë uji të ftohjë, në rrezik, në pritje.
2. Lumi këtu nuk është vetëm ujë.
Ai është koha që rrjedh pa u ndalur, vitet që kalojnë, ditëlindjet që shtohen
njëra pas tjetrës. Është jeta në lëvizje të vazhdueshme, që nuk pret askënd.
Të jesh “i hedhur në lumë” do të thotë të jesh i dorëzuar ndaj kësaj
rrjedhe. Do të thotë të pranosh se gjithçka kalon, se njerëzit largohen, se
ndjenjat ftohen. Lumi nuk është armiqësor, por është i paepur në ecjen e tij
drejt detit. Në këtë kuptim, poezia i afrohet një filozofie të heshtur të
ekzistencës, ku njeriu nuk e zotëron më kohën, por noton brenda saj, i
ekspozuar ndaj rrjedhës, humbjes dhe pritjes për t’u shpëtuar nga një dorë
tjetër.
3. Vargu:“Për njerëzit që dua.”është çelësi moral dhe shpirtëror i poezisë.
Kryqi nuk hidhet rastësisht dhe as për spektakël. Ai hidhet për dashuri. Dhe kjo
dashuri nuk është e zhurmshme, është dashuri biblike, që nuk kërkon kthim dhe
nuk bën llogari. Është një dashuri që
pranon dhimbjen, vetminë dhe heshtjen si pjesë të saj. Një dashuri që nuk
ankohet. Një dashuri si e Atit për njeriun, që pranoi të sakrifikojë birin e
vetëm pë rata.
4. Poeti thotë, ndoshta me një
trishtim të fshehu një pohim të thjeshtër:“Pakësohen ata,” por të rëndë si gur.
Me kalimin e viteve, rrethi njerëzor ngushtohet. Jo sepse dashuria pakësohet,
por sepse gatishmëria për të hyrë në ujë bëhet më e rrallë.
Epifania e ditëlindjes këtu nuk shfaqet
si një gëzim, por si një vetëdije. Është çasti kur njeriu sheh qartë se kush
mbetet pranë dhe kush largohet pa zhurmë.
5. Çuditërisht vjen çasti që uji shfaqe si provë besimi dhe guximi.
Vargu: “Që janë gati të futen në ujë,”kujton drejtpërdrejt ritin e Epifanisë.
Uji është i ftohtë, është i thellë dhe kërkon një
vendim. Jo të gjithë futen në ujë, jo të gjithë kanë guximin të përballen
me rrezikun dhe pasigurinë. Poeti nënkupton se dashuria e vërtetë nuk matet me
fjalë, por me veprim. Me hapin që hidhet drejt ujit të ftohtë, ndoshta dhe të
ngrirë të 6 janarit.
6. Nxjerrja e kryqit zakonisht
është një akt triumfi, fitoreje, por në
poezi shfaqet si një akt shpëtimi.
Te vargu: “Të më nxjerrin mua.”kryqi
bëhet njeri dhe njeriu bëhet kryq. Nxjerrja nuk është fitore, por shpëtim.
Është një akt i rrallë dhe i heshtur, që nuk kërkon duartrokitje. Kjo
zhvendosje nga triumfi te shpëtimi e largon poezinë nga retorika heroike dhe e
afron me një estetikë moderne të brishtësisë njerëzore, ku vlera nuk qëndron te
forca, por te mbajtja e tjetrit në rrjedhën e jetës.
Ai që nxjerr kryqin shpëton
tjetrin nga harresa, nga vetmia, nga fundosja në rrjedhën e jetës. Por në të njëjtën
kohë, shpëton edhe veten, sepse bekimi është i ndërsjellë.
Poezia e Ilirian Zhupës është një
epifani e qetë dhe e dhimbshme njëkohësisht. Ajo na kujton se vitet që shtohen
nuk janë vetëm numra, por edhe prova dashurie. Jo kushdo mbetet në këtë
dashuri. Jo kushdo futet në ujë.
Në fund, mbetet pyetja e heshtur
biblike: kush është gati të rrezikojë për tjetrin?
Siç e thotë vetë poeti:
“Unë jam si një kryq i hedhur në
lumë…
Pakësohen ata,
Që janë gati të futen në ujë,
Të më nxjerrin mua.”
Këto vargje nuk kërkojnë më shumë
shpjegim. Ato nuk flasin, ato qëndrojnë. Dhe në këtë qëndrim, bëhen vetë zbulesë,
bëhet dritë.
Sarandë, 05 Janar 2026
No comments:
Post a Comment