Wednesday, 3 December 2025

 

LEXIMI I GJËMËS SË HESHTJES

 

Nga Timo Mërkuri

Te poezia “Gjema e heshtjes” qysh në krye vetë titulli të tërheq vemëndjen pse  është i tillë   bart peshën e një poeme të tërë, madje lexuesi mediton mbi titullin para se të shkojë te vargjet. Në dukje është një përplasje mes dy nocioneve që nuk ecin bashkë: gjëma - një shpërthim i dhimbshëm zëri, dhe heshtja, një mungesë e plotë e tingullit. Rrustemi i vendos bashkë qysh në titull, duke na ftuar në një territor ku ndjenjat flasin jo me zë, por me dridhje të brendshme.

Fjala “gjëmë” në traditën shqiptare nuk lidhet vetëm me tingullin e fortë. Ajo shënjon një tragjedi, një vdekje të rrëndë që të shkatërron shpirtërisht dhe riti mortor mer formën e vajtimit me gjëmë, me klithje të forta dhe vajtoret ose vajtorët i shoqërojnë këto me gjeste vetëndëshkuese, si çjerrja e fytyurës, shkulja e flokëve, rahja e gjoksit, përplasja e kokës nëpër muret e shtëpisë. Është një ritual I ardhur nga hershmëria e kohës, por që ka egzistuar dhe në kohën tonë në gjithë trevat shqiptare, me pak ndryshime.

I-Sigurisht që në poezi, gjema s’është fizike, nuk është britmë që del jashtë trupit,  nuk është gjest vetë ndëshkimi, por gjithsesi është një goditje e fortë brenda shpirtit. Në poezi gjëma ka natyrë ekzistenciale: është ai moment kur njeriu sheh se dashuria nuk vjen, ai tretet në pritje dhe heshtja rritet si mal ndërmjet dy njerëzve të dashuruar . Vetë poeti e thekson këtë tronditje të brendshme te vargu: “Gjema e heshtjes përbrenda godet” Kjo fjali i jep titullit  vërtetësinë: gjema nuk dëgjohet,pse është e heshtjes, por ndihet deri në thellësi të shpirtit.

1. Heshtja te Rrustemi nuk është boshësi, por qenie. Ajo troket, ecën, prek, godet. Pra, titulli paralajmëron një rigjallërim të heshtjes si person, si energji që merr fuqi mbi dy dashuritë. Vargu: “Qenieve tona të palëvizshme / vetëm heshtja troket” qartëson  se heshtja është personifikuar në varg, ka marrë rolin e njeriut, dhe pikërisht tek kjo gjallëri që nuk flet, që nuk ka zë, ndodh përplasja me “gjëmën”.

2. Artistikisht, titulli është një oksimoron i butë, një bashkim i dy ekstremeve për të treguar paradoksin e dashurisë së munguar: ajo ka zhurmë të madhe brenda nesh, por jashtë shfaqet si heshtje. Kështu titulli bëhet çelësi i poezisë, të tregon se drama më e madhe nuk bërtet, por hesht. Në aspektin filozofik, ky bashkim i skajshmëve shkon drejt ekzistencializmit: njeriu përballet me boshësinë, me mungesën, me vetminë. Dhe aty, në heshtje, ndodh gjema më e dhimbshme.

3. Në nivel imagjistik, “gjëma e heshtjes” krijon një figurë të rrallë: shfaq në imagjinatë një shpërthim klithmash që nuk  çajnë ajrin, por çajnë brendinë e njeriut. Kemi  qenë të pranishëm nëpër morte të rënda ku më të moçmit u thoshnin të afërmve të të ndjerit: qaj që të lehtësohesh, mos e mba me zor, dhimbja ska burrëri. Njeriu përjeton një dridhje të padukshme, që sjell një stuhi, brenda në kraharor. Ky imazh përbën bazën e gjithë poezisë, sepse të gjitha vargjet e tij janë përpjekje për ta kuptuar këtë shpërthim të heshtur.

Thamë që ky titull është tepër i spikatur, po pse është i tillë?

Sepse ai jep gjendjen që do zotërojë në çdo varg para se poezia të fillojë, një farë situate të dendur me re të zeza para stuhisë. Edhe sepse e përmbledh dramën e dashurisë që nuk shprehet, por ka lenë plagë. Sepse e ngre heshtjen në qendër, jo si mungesë fjale, por si forcë që lë gjurmë.

Në këtë titull, Sabit Rrustemi arrin të kapë thelbin e një përvoje njerëzore universale: shpërthimet shpirtërore që nuk dëgjohen, por na gërryejnë. Dhe e thotë me dy fjalë, që të ndiqen pas me një tingull të brendshëm që nuk tretet lehtë: gjëma dhe heshtja; dy fjalë që këtu dashurohen dhe përplasen njëkohësisht.

II-Sabit Rrustemi i ka kushtuar shumë vargje dashurisë, por çuditërisht  dashuritë e tij nuk kanë një adresim personi fizik: ai nuk I këndon të dashurës, ai I këndon dashurisë. Ai i këndon dashurisë si fat, si rreze që i bie shpirtit dhe i hap brenda nesh haapësira që nuk i njihnim. Tek ai, dashuria është një klimë, një gjendje, një udhë e përhershme dhe e brishtë, ku njeriu ecën i vetmuar por i gjallë.

Është e veçantë kjo poezi dhe në stilin e tij të të shkruarit të poezive të dashurisë pse në këtë poezi, ai i këndon heshtjes së dashurisë, një heshtjeje që nuk e shuan ndjenjën, por e shndërron atë në gjëmë të brendshme, në dhimbje, në plagë..

1. Poezia nis me një lëvizje të butë, pothuaj të turpshme, si e një djaloshi pa përvojë:

“E pres a nuk e kam ftuar

rrugën deri tek unë

me dashuri e ka të shtruar.”

Në fakt, kjo rrugë nuk është vetëm një hapësirë mes dy njerëzve; është një kujtim, një brengë, një shteg që vjen vetë, sepse dikur është hapur me dashuri. Poeti e pret edhe pa ftuar, sepse dashuritë e vërteta nuk I fton dhe as ato nuk presin ftesa, ato vijnë vetë kur duan. Kjo fillon me një frymë që të prek shpatullën lehtë. Ka një dorë të ngrohtë brenda  pritjes. Dhe rruga e shtruar me dashuri të kujton një të vërtetë që e dinë vetëm ata që kanë dashur fort: rrugët që i kemi hapur me zemër nuk mbyllen kurrë.

2. Poeti vazhdon me një dyshim që na e ka njohur jeta:

“Nuk më ka ftuar a më pret

dashuria akoma e etur mbet.”

Shihe sa bukur e thotë “dashuria e etur”. Jo njeriu, jo zemra e tij, por vetë dashuria është e etur. Kjo e bën poezinë të marrë frymë vetë, si një qenie që ndez e fik dritë brenda nesh. Ka dashuri që ikin, por mbeten të etura. Ka njerëz që s’na presin më, por ndjenjat që kemi ndjerë për ta na presin akoma. Ka puthje që nuk i kemi dhënë, por ato nuk vdesin në harresë. Kjo është tragjedia: ndjenjat nuk ikin me njerëzit, ato mbeten në ne dhe kërkojnë ujë, frymë, një fjalë, një rikthim të pamundur. A nuk e ndjeni: poezia ngjan si një gjendje ku dashuria vazhdon të kërkojë diçka që askush më s’e jep.

3. Në poezi heshtja është personazhi i tretë që hyn mes dy njereëzve që dashurohen Poeti thotë:

“Qenieve tona të palëvizshme

vetëm heshtja troket

e… nuk pëlcet.”

 

Këto “qenie të palëvizshme” janë dy zemra të sfilitura, që as nuk afrohen, as nuk ikin. Ato rrinë ashtu, duke pritur që diçka të ndodhë. Dhe ç’ndodh në fakt? Troket heshtja.

Heshtja është më e rëndë se fjalët e ashpra, më e ftohtë se refuzimi. Ajo të vret ngadalë, si një erë që nuk fryn, por thyen dritaret. Poeti nuk e ngjason apo përafron heshtjen me asgjë, e lë të zhveshur, duke na treguar se ajo vetë është ngjarja.

E nuk pëlcet” ky është fati i heshtjes: kjo frazë përmbledh brenda vetes gjithçka që s’u tha, por nuk shpërthen kurrë jashtë. Kjo është gjëma e marrëdhënieve që nuk flasin.

4. Vargu më i fortë emocional vjen papritur, si një rrufe e heshtur: “Gjëma e heshtjes përbrenda godet.” ndonëse s’ka ulërimë Ky varg në vetvete është një plagë e hapur. Gjëmën e kemi dëgjuar dhe gjestet e saj I kemi parë, por kjo është gjëmë që nuk dëgjohet dhe as shihet. Ajo është vajtimi që s’ka zë, goditja që nuk lë shenjë jashtë, por përplaset në brendësinë tonë. Unë ju them se në dashuri, nuk të vret zhgënjimi; të vret heshtja që mbart zhgënjimin.Nuk të vret fundi; të vret mosfolja, heshtja para fundit. Ky varg krijon një filozofi të thellë: gjithçka që nuk themi, na godet më fortë.

5. Diku nga fundi, poeti kthehet në udhëkërkim, në vetmi, në pasiguri:

“Ec e dije tash

në cilën pjesë të globit u fshehe Ti

apo vetja ime ku u tret.”

Këtu plotësohet rrethi i poezisë. Poeti nuk di më kush u fsheh. A ishte tjetri që iku, apo ishte vetë ai që u tret në heshtjen që krijuan bashkë? Dashuria e përbashkët shpesh shndërrohet në një humbje të dyanshme. Në fakt,humbja është  labirinti ku humbet tjetri dhe humbet vetja. Dashuria ska humbje të njëanshme, në dashuri humbasin të dy. Vargu ka një brengë të thellë: ç’është më e rëndë në dashuri: të mos e dish ku iku tjetri, apo të mos e dish ku humbe vetë?

6. Fundi është i qetë, por pikërisht për shkak të kësaj qetësie është i dhimbshëm: “Gjëmën që e ndollëm askush s’e vret.”ku poeti pranon se gjëma është e përbashkët. Ajo “u ndoll”, pra ngjau prej të dyve. Nuk ka fajtor.Por pikërisht mungesa e fajtorit e bën dhimbjen më të rëndë. Çdo plagë që shkaktohet n ga jashtë trupit, një ditë shërohet. Por plagët e brendëshme mbeten. Heshtja e krijuar nga dy njerëz që janë dashur është më e pavdekshme se vetë dashuria. Kjo është nga ato poezi që nuk lexohen me sy, por me plagën që secili njeri ka, diku thellë, në vendin ku u ul heshtja e vet.

III-Sabit Rrustemi u përket atyre poetëve që i japin fjalës peshën e brendshme të njeriut, jo pamjen e saj të jashtme. Si pasojë,në këtë poezi, figurat artistike nuk janë zbukurime; ato janë shenja të jetës së brendshme, trokitje të padukshme që njeriu i dëgjon vetëm me zemër e shpirt. Çdo figurë, metaforë, simbol, bëhet pjesë e një udhëtimi që çon drejt pyetjes më të vjetër të njeriut: Ku jam unë në këtë ndarje mes dashurisë, vetes dhe heshtjes? Dhe përgjigjen le ta kërkojmë te figurat artistike dhe ndërveprimi i tyre.

1. Poeti e hap poezinë me një metaforë që e çliron dashurinë nga çdo trupësi: “E pres a

nuk e kam ftuar / rrugën deri tek unë / me dashuri e ka të shtruar” Këtu, “rruga” bëhet metaforë e rrugëtimit shpirtërore; nuk është një rrugë fizike, por udhëtimi që bën ndjenja për të gjetur zemrën. Dashuria “e ka të shtruar” rrugën, që do të thotë se ekziston një lidhje e pashpjegueshme mes dy qenieve, një magnetizëm i butë por i pandalshëm. Metafora shpall që dashuria është lëvizje e brendshme, jo takim i jashtëm.

2. Vargu:“Nuk më ka ftuar a më pret / dashuria akoma e etur mbet”e kthen “etjen” në simbol të një dashurie që nuk gjen plotësim. E tëra është një mungesë që rri pezull, një boshllëk që merr formë. Në këtë poezi, mungesa nuk është boshllëk, por qenie. Ajo rri aty, e heshtur, e etur dhe i jep kuptim gjithçkaje. Simbolika e etjes i jep poezisë dimensionin ekzistencialist: njeriu nuk e zotëron dot tjetrin, as ndjenjën; gjithçka është kërkim i pafund.

3. Në këtë poezi heshtja është protagonistja e vërtetë. Ajo personifikohet, merr trup, vullnet e veprim: “Qenieve tona të palëvizshme / vetëm heshtja troket / e … nuk pëlcet” Personifikimi është i fuqishëm: heshtja troket si një mysafire, rri në prag të dy qenieve, por nuk çahet, nuk plas (Fol aman se plasa – thotë një këngë popullore). Pra, ajo mbetet aty,  pafolur. Aji ( heshtja) nuk është  as boshësi dhe as mungesë e fjalës, por prani e rëndë, si një trup i errët mes dy shpirtrave. Kulmi i personifikimit vjen te vargu: “Gjëma e heshtjes përbrenda godet

Nuk habitemi pse  heshtja bëhet gjëmë. Një shpërthim i padukshëm. Një bubullimë që nuk ka zë. Poeti ka përmbysur kuptimet: zakonisht gjëma është zhurmë e tmerrshme, këtu është heshtja ajo që gjëmon. Kjo krijon tensionin ekzistencialist të poezisë: njeriu dridhet nga ajo që nuk e thotë dot.

4.Vargu: “Ec e dije tash / në cilën pjesë të globit u fshehe Ti / apo vetja ime ku u tret” krijon një imazh udhëtimi që nuk është gjeografik, por shpirtëror. Nuk pyetet vetëm ku është tjetri, por ku është vetja. Poeti ndërton një pasqyrë të dyfishtë: dashuria kërkon tjetrin, por ndërkohë humbet veten. Ky imazh i përhapjes mbi glob është metaforë e përhapjes së brendshme, e shpërbërjes së identitetit në mungesë të tjetrit. Këtu, ekzistencializmi hyn qetë, pa zhurmë, si një frymë: njeriu është ai që humbet veten duke kërkuar tjetrin.

5. Poezia mbyllet me një varg që ngjason si vulë filozofike: “Gjëmën që e ndollëm askush s’e vret.” Gjëma është e të dyve, është njuë bashkëkrijim, bashkëfaj, bashkëndjesi. Por njëkohësisht është e paarritshme nga jashtë. As bota, as koha, as tjetri nuk mund ta vrasë. Kjo e bën poezinë një akt ekzistencial: pasojat e brendshme janë të shenjta dhe të paprekshme. Ato jetojnë me njeriun. Mund të themi se  pikërisht në këtë “gjëmë të heshtur”, poeti  gjen zërin më të thellë të njeriut.

IV- Kjo poezi është e veçantë në poetikën shqipe, pse nuk e has shpesh: një shpërthim të brendshëm që nuk bërtet me zë, por pulson si gjëmim i heshtur në thellësi të qenies. Sabit Rrustemi arrin ta kthejë heshtjen; këtë boshllëk të padukshëm mes dy dashurive që kërkojnë njëra-tjetrën në një akt poetik të fuqishëm, ku fjala nuk bëhet qendër, por mungesa e saj. Për këtë poezi duhet të themi se pikërisht veçantitë e saj e bëjnë më të bukur dhe të adhurueshme, pse shumë prej nesh e kanë  përjetuar këtë gjëmë të heshtjes.

1. Veçantia e pare e poezisë qëndron te  dashuria e cila shfaqet  si udhë, jo si person. Poeti nuk i këndon personi fizik, as një fytyre, një syri apo një trupi. Ai i këndon vetë rrugës së dashurisë, asaj rruge që vjen edhe pa u ftuar: “E pres a nuk e kam ftuar / rrugën deri tek unë / me dashuri e ka të shtruar” Këtu e veçanta qëndron te mënyra se si poeti e zhvendos dashurinë nga një qenësi fizike në një energji të pavarur, që ecën vetë, që ka vullnetin e saj. Dashuria shfaqet si një udhëtare e heshtur që di gjithmonë të gjejë adresën e shpirtit. Është shumë e saktë kjo, apo jo?

2. Poeti nuk flet me të dashurën, por me mungesën e saj  dhe kjo e rrit peshën e vargut. Kjo mungesë nuk është thjesht një presje në kohë, por një gjendje ekzistenciale ku njeriu kërkon veten në tjetërsinë e tjetrit: “Ec e dije tash / në cilën pjesë të globit u fshehe Ti / apo vetja ime ku u tret” Këto vargje i japin poezisë dimensionin filozofik: kërkimi i tjetrit bëhet kërkim i vetes. Dashuria është pasqyrë e vetvetes, jo object që të ka humbur dhe mund ta gjesh diku.

3. Veçantia e tretë e poezisë është heshtja që bëhet protagonist. Në poezi fjalët janë të pakta, por heshtja është e rëndë. Rrustemi i jep trup heshtjes, e kthen në një forcë që troket, që godet, që dridh shpirtin: “Qenieve tona të palëvizshme / vetëm heshtja troket / e …nuk pëlcet” Në poezi  vetëm heshtja flet; njeriu është ai që hesht. Dhe në këtë përmbysje qëndron veçantia: poeti nuk i këndon as dhimbjes, as gëzimit, por një tensioni të padukshëm që lëviz në hije. Kulmi i kësaj veçantie është vargu që e mbyll poemën: Gjëmën që e ndollëm askush s’e vret.” Ky është një nga vargjet më të fuqishme të Rrustemit. Ai thotë se gjëma nuk është aksident i jashtëm, por një bashkëkrijim i të dyve dhe për këtë nuk ka dorë tjetri që ta fshijë, ta shuajë, ta zhbëjë. Është gjëmë e brendshme, gjëmë që jeton.

4. Dhe së fundi edhe një veçanti e përgjithshme: poezia është  e ngarkuar me brendësi, jo me dekor. Në një kohë kur shumë poezi i mbivendosin metaforat, Rrustemi zgjedh thjeshtësinë e përkorë: fjalë pak, kuptim shumë. Poetika e tij nuk ngrihet mbi bukurinë e jashtme të figurës, por mbi dridhjen e brendshme që ajo ndez. Veçantia e kësaj poezie qëndron te fakti se ajo nuk i ngjan një rrëfimi, por një fryme, një thirrjeje që nuk dëgjohet, por ndihet. Një poezia që të kthehet në gjoks si një rrahje e papritur. Dhe pikërisht në këtë heshtje të përbashkët, Rrustemi gjen zërin e tij më të fortë

V-Nga vetë fryma që ka, poezia: “Gjêma e heshtjes” hyn natyrshëm në dialog me poezinë moderne, sepse Rrustemi, ashtu si poetët europianë të shekullin XX, e zhvendos vëmendjen nga ngjarja te brendësia, nga rrëfimi te dridhja e shpirtit. Ai i jep zë një bote ku njeriu kërkon veten në mungesën e tjetrit, ashtu siç ndodh tek poetët e mëdhenj ekzistencialistë të Evropës.

Ka afëri me  Paul Celan-in në mënyrën si heshtja kthehet në trup poetik; një ngjashmëri me Rilke-n, ku dashuria nuk është person, por hapësirë e madhe shpirtërore që na tejkalon; dhe një prekje si ajo e Trakl-it, ku fjala bëhet hijë dhe hijet flasin më shumë se zërat. Poezia e Rrustemit qëndron pranë tyre jo se i imiton, por sepse përcjell të njëjtin drithërimë të thellë: njeriu që rrëzohet mbi vetveten, që pyet se ku u fsheh tjetri dhe ku u tret ai vetë. Vargu i tij modern është një dorë që zgjatet drejt kësaj tradite evropiane të brendësimit të ndjenjës.

Në këtë kuptim, “Gjêma e heshtjes” bëhet një urrë që e lidh poezinë shqipe me frymën moderne evropiane, me poetë që kërkonin zërin e njeriut në errësirat e heshtura të shpirtit, dhe ajo e bën këtë me sinqeritet, ngrohtësi dhe një dridhje të vetën.

 

Sarandë, nëntor 2025

 

 

 

 

 

𝗦𝗮𝗯𝗶𝘁 𝗥𝗿𝘂𝘀𝘁𝗲𝗺𝗶: 𝗚𝗷𝗲̈𝗺𝗮 𝗲 𝗵𝗲𝘀𝗵𝘁𝗷𝗲𝘀

 

E pres a nuk e kam ftuar

rrugën deri tek unë

me dashuri e ka të shtruar

 

Nuk më ka ftuar a më pret

dashuria akoma e etur mbet

 

Qenieve tona të palëvizshme

vetëm heshtja troket

e …nuk pëlcet

 

Gjëma e heshtjes përbrenda godet

 

Ec e dije tash

në cilën pjesë të globit u fshehe Ti

apo vetja ime ku u tret

 

Gjëmën që e ndollëm askush s’e vret.

 

(15 prill 2022 – 15 prill 2024 )

No comments:

Post a Comment