Wednesday, 23 September 2015

Ne bedenat e iso-polifonisë



                                       Në bedenat e iso-polifonisë

                                                  (Replikë e imponuar)


Nga Timo Mërkuri


Po afrohet  10 vjetori i  njohjes së Iso-Polifonisë nga UNESCO më 25 Nëntor 2005  si një  kryevepër e njerëzimit. Normalisht që ky përvjetor duhet të na bëjë krenarë, si bij të një populli, që i ka dhënë botës një kryevepër shpirtërore. Nuk është e vetmja kryevepër njerëzimi, krijuar nga populli im, njohur, vlerësuar dhe marë në mbrojtje nga UNESCO. Kryeveora të njohura janë dhe Butrinti, Gjirokastra dhe  Berati. Por ndërsa këto të treja janë kryevepra të fushës  materiale, Iso-Polifonia është  një kryevepër e botës shpirtërore. Dhe pikërisht për këtë  ajo ka një rëndësi  të jashtëzakonëshme, sepse i dëshmon botës , botën shpirtërore të kombit tim. Jo si një komb shpellash, jo si një popull që di të vërtisë vetëm shpatën e jataganin dhe të ecij nëpër shpate mali me nga dy-tri krena armiqsh në vithe të kalit.

Por si një popull  artist, me një botë  shpirtërore plot shije e finesë, lashtësia e të cilit u ka dhënë, jo vetëm ADN etnike veprave të krijuara prej tij, por edhe rezistencën ndaj pluhurit të haresës të shekujve. Pluhuri i shekujve shkundet kollaj nga supet e kryeveprave të popullit tim dhe kjo s’përbën problem. Por ja që vitet e fundit ka nisur hedhja e baltës nga disa baltosës pikërisht mbi Iso-Polifoninë, duke atakuar sa  thelbin e këngës sonë shumëzërëshe, iso-n, aqë dhe akademikun V.Tole.

Një  top balte hedhur mbi Iso-Polifoninë ishte edhe artikulli “10 vjetori i “iso-Tole polifonisë” botuar në datën 17 shtator 2015 te gazeta “Telegraf” nga  Fitim Çaushi.

Shkrimi në fjalë  synonte në një pikë, 1-duhet hequr me çdo kusht emërtimi “iso” në shumëzërëshin tonë  popullor, duke u zvëndësuar emërtimi Iso-Polifoni me emërtimin Polifoni. Kjo edhe për arsye se  gjithë popujt e Ballkanit kanë polifoni dhe asnjëri nuk ka iso-polifoni.

2-Këtë e argumenton edhe me faktin se disa  personalitete të muzikës sonë dhe të huaj e kanë quajtur këngën tonë popullore këngë polifonike dhe jo këngë iso-polifonike.

3-Dhe si rrugë për  aritjen e kësaj ka gjetur denigrimin e figurës së akademikut V.Tole nëpërmjet ironizimit dhe sarkazmës shoqëruar kjo me disa bejte.

Duke mos dashur të ripërsëris argumentat që kam paraqitur te shkrimet e mia “Shtrëmbërimi i thelbit të një problemi” me të cilat replikoja me autorin  F.Çaushi në lidhje me  argumentat anti iso, të  paraqitura prej tij në librin “Tjetërsimi i polifonisë shqiptare”, duke qënë se këtë herë autori përdor armën e sarkazmës dhe të ironisë, në mungesë të argumentave shkencore dhe artistike (ndonëse vetëquhet Kritik arti), por replikoj nëpërmjet paralelizmit.

1-Problemi i tyre nuk është në se do quhet iso-polifoni apo polifoni. Problemi  është që duhet të zhduket fare  emri “iso” nga pasaporta e shumëzërëshit shqiptar.

Duke hequr emërtimin “iso” vetvetiu mbetet emërtimi Polifoni. Pra kënga popullore shqiptare është thjeshtë një këngë …polifonike. Dhe siç thotë (me të drejtë, në këtë rast) F.Çaushi, gjithë popujt e Ballkanit kanë këngë polifonike.

E vërteta është se këngë polifonike kanë jo vetëm popujt e Ballkanit por kanë gjithë popujt e botës. Edhe popujt afrikanë, edhe popujt e Amerikës së Jugut dhe të Veriut, edhe australianët, arabët e turqit kanë këngë polifonike.

Atëherë ku dallohet populli ynë në këtë konglomerat popujsh? Mos vallë kemi këngëtarët me zë më të mirë?  Dhe po  të ishte kështu, ky nuk është argument veçimi e vlerësimi.

Polifoni kanë të gjithë popujt e botës, por “iso” kanë vetëm shqiptarët.
Kjo është e veçanta, kjo është e dallueshmja dhe mbi të gjitha kjo është thelbësorja.

Iso-ja është më e lashtë se kënga. Në fillim ka qënë iso-ja, si  “atavizmë” e vajtimit, si  rrënjë e bimës  brenda në tokë, dhe pastaj, prej saj u rrit pema e këngës. Pa iso nuk ka këngë  shumëzërëshe, ndërsa kemi provuar se pa këngë (pa tekst kënge) ka iso. Mjafton të kujtojmë logatjen.

Por iso-ja është ADN e këngës sonë shumëzërëshe që tregon lashtësinë e këngës sonë dhe për pasojë lashtësinë e kombit tonë.

Në qoftë se ne do mburemi me polifoninë, me atë polifoni që mburen edhe grekët, turqit, sllavët, arabët, mongolët dhe …australianët, atëherë kush jemi ne dhe nga vijmë.

Në qoftë se ne heqim ison është si  të presim rrënjët e lashtësisë sonë, atëherë ne nuk jemi …autoktonë në këto vënde, atëherë ne nuk jemi një nga popujt më të lashtë në botë, por jemi thjeshtë….endacakë që s’dihet se cila erë na pruri këtu. Këtu është thelbi i luftës anti-iso.

Në mos gabohem, për teza të tilla janë harxhuar fonde financiare të majme nga disa shtete nëpër shekuj, janë ngritur në këmbë shkolla dhe akademi, janë botuar libra shumëvëllimëshe me kosto të lartë dhe nuk ishte nevoja që…me punë vullnetare… të ngrihej një  kinse teori ant-iso, që ka tjetër thelb.

Nuk e di pse thirjet…hiqni iso-n …më ngjajnë me  thirjet  …hiqeni sorrën nga flamuri…, thirje mjerane e disa  “dum babistave”, qysh në  dyvjetorin  e shtetit shqiptar. .

Sepse populli ynë, si rrallë popull në botë është vrarë e është prerë për një gërmë e për një tingull, për një libër e për një zog në flamur. Jo dho një ditë e një vit, por gjatë gjithë egzistencës së tij.

Të kërkosh të heqësh iso-n, është si të kërkosh të heqësh gurët e themelit të kalasë.
Atëherë kalaja  nuk do jetë kala, por do jetë thjeshtë një …muranë.

Nuk e di pse kjo çaushofoni anti-iso më ngjan me tam tam-et e daulleve të jeniçerëve para sulmit mbi kalatë tona.

Për fat të mirë, ky popull, nëpër bedena kalash, ka nxjerrë gjithmon bijtë dhe bijat tij. Që dinë të luftojnë dhe të fitojnë me spahinj e akixhinj, me çaushë e jeniçerë.

.
2-Argumenti se shumëzërëshin tonë e kanë quajtur  polifoni edhe shumë personalitete të muzikës shqiptare dhe të huaj, përsëri nuk qëndron. Kemi sqaruar se termi polifoni, vjen nga greqishtja dhe në gjuhën shqipe, në emërtimin e këngës popullore ka hyrë  von. Më përpara kënga jonë popullore quhej thjeshtë …këngë ven(d)çe, këngë me iso etj etj. Emërtimi Polifoni ju “imponua” popullit nga personalitetet e kulturës dhe të artit, pa patur ndonjë  prapamendim. Madje R.Sokoli e quajti këngën tonë popullore …Këngë polifonike me iso…
Populli e pranoi edhe në shënjë respekti për këta njerëz të artit të cilët i respektonte dhe i nderonte.

Pra, ka disa dhjetvjeçarë që kënga jonë popullore quhet këngë polifonike dhe vetëm një dhjetvjeçar që u zyrtarizua, fatmirësisht dhe nga UNESCO, me emërtimin ….Iso-Polifonike.

Nuk është e ndershme që të sillen si argumenta fakti se një personalitet arti dhe kulture, në vitin 2006 (apo dhe më von)  ka thënë…polifonia jonë.

Shqiptarët për 500 vjet u quajtën …arnautë nga turqit, …(ndonëse jo  të gjithë shqiptarët ishin në rradhët e ushtrisë së Gjergj Arianitit). Europa na quan Albanezë, grekët na quajnë Alvanosë etj.
 Por pavarësisht se si na quajtën  dhe na quajnë turqit dhe të tjerët,  ne vijojmë të jemi shqiptarë, pasardhës të ilirëve dhe pellazgëve më në thellësi.

Pavarësisht si do ta quajnë këngën tonë popullore …vullnetarët e ndryshëm… ajo është këngë me iso, këngë iso-polifonike, e ka origjinën nga vajtimi dhe është  pasaporta e identitetit dhe e lashtësisë të kombit tim.

3-Për sa i përket denigrimit të figurës së akademikut V.Tole nëpërmjet ironizimit dhe sarkazmës shoqëruar kjo me disa bejte, nuk kam ndërmënd të zgjatem shumë. Akademiku i nderuar i ka bërë vendit dhe popullit të tij një shërbim si rrallëkush.

 Balta sarkastike e hedhur mbi  emrin e tij nga doçkëzat e vogëla të Çaushit nuk ka aritur te personi i tij.

Por unë mund t’ju kujtoj një  ngjarje identike të shumë kohëve më parë. Kur Darvini  publikoi zbulimin e tij mbi origjinën e llojeve, një prift anglez filloi botimin në seri të  pamfleteve sarkastike, ku vinte në lojë  Darvinin dhe  teorinë darviniane. Pamfletet qenë shumë të goditura, tirazhi dhe fitimi i gazetave u shumfishua. Gjithë Londra u shkri së qeshuri me ‘to dhe autori i tyre shëtiste rrugëve  të qytetit i admiruar nga të gjithë.Madje dikush edhe propozoi që ti jipej titulli lord.

Por koha rodhi shumë shpejt.

Kush vallë e mban mend  emrin e këtij prifti, se përmbajtjen e pamfleteve ju siguroj unë që  askush s’e ka në kujtesë.

Tani, mos doni që t’ju flas unë për Darvinin dhe darvinizmin, po qe se kini haruar ndonjë gjë të vogël?

Se për Vaso Tolen  dhe iso-polifoninë  do flasim me admirim gjithë jetën .


Sarandë, më 19.09.2015

Monday, 23 February 2015

Një zgjim për Timo Mërkurin



Një zgjim për Timo Merkurin
(Në vend të një përshëndetjeje)

Nga Fatmir Terziu

Fjala shtyn në had metaforën e vendit
hëna pagëzohet pa kryq në mes të detit,
sfilatë pa modën e radhës në sfurkun e qashtër 
plumç, 
djeg kërpa mbi fije të shkulura të natës mes territ
neonet pasojnë faqosjen e Dantes
këtë radhë jashtë ferrit. 
Lindja ka bërë shtatë plagë mes mundit
në shtrelle të kupës aty në bashin e fundit
ej, zotëri Piluriot shtyje dashamirësinë tënde drejt malit
“lotin e dhimbjes” mes mallit
Iso more djema... ia shkulëm fijet barit
lindja ka dyzetë shenjtorë që mbajnë ison
e nga vargu zgjojnë labçe Timon. 
Miq të gjithë në këmbë
të përshëndesim nga larg
se u ngrit ‘’Vesa mbi këngë’’
e miku për poetin ndjen mall....

24.02.2015

Monday, 5 January 2015

Urim për Vitin e Ri 2015



TIMO MËRKURIT

 URIM PËR VITIN E RI 2015

Si yjet natën ndriçojnë,
Dhe hënës i ndriçon nuri,
Këmborë e zile kumbojnë,
Vargje thurr Timo Mërkuri.

Zbresin yjet nga Vanova,
Dhe të flenë përmbi valë,
Zgjohen vargjet nga poltrona,
Hedhin valle në Himarë.

Nga Akrokeraonët e lartë,
Thikë majëshpate ndaj reve,
Vargu i Timos i begatë,
fyelli këndon nomeve.

Në jonin perëndimartë,
Porsi varkat lundërtare,
Kapiten Timua me shpatë,
Jo të hekurt , po me vargje

Si një kapiten i zoti,
Muzën-anije drejton,
Si burrat njëherë qëmoti,
Vargjet -plumba i lëshon

Kapedanët pilorjotë
Se hoqën këngën nga buza,
Timo zemra të këndoftë,
Timo , tu shtoftë muza

Nga  Agron MEMA
03-01-2015

Wednesday, 10 December 2014

I lëni...



I lëni….



Kishte ca kohë që, miqve  që vinin në fshatin tonë për dasma e ziafete, në kthim për në vendin e tyre, në kufirin midis fshatit tonë dhe fshatit K. seç i besdisnin ca të lehura qënsh. Vërtet që qën nuk dukeshin gjëkundi dhe ndonjë dëm nuk pësonin miqtë, por ama vetë ndjesia se po  të ndjekin qëntë në ikje, ishte besdisëse dhe e prishte  lezetin e të  mirëpriturit dhe nderimet që u  kishte bërë  fshati. Por edhe vetë fshatarëve nuk u vinte mirë që në kasaba ta quanin fshatin e tyre….fshati që të prêt me këngë e të përcjell me  qën.

Tani, me kanun, përgjegjësia nuk ishte  e fshatit, se këto lehje bëheshin jashtë kufive të tokave të tij . Por ama, duhet të themi, se as në kufirin e fshatit K. nuk bëhej kjo zallamahi qënsh. Ky vend qe një gërxh në shpat kodre, që normalisht duhej të ndante kufirin midis dy fshatrave, por me që  rruga  kalonte pak më tejë, më në afërsi të fshatit K., fshatarët e mi e panë të arsyeshme që ta vetëcaktonin kufirin e tokave të fshatit K. aty ku kalonte rruga. Pra, synimi ishte që ti vinte kufirin fshatit K. dhe jo të shtonte tokat e fshatit tonë. Llogjika qe shumë e thjeshtë, …po të që kjo copë toke pronë e fshatit K., pse do kalonin mespërmes tokave të tyre fshatarët e fshatrave përeth. Dhe për ta “legalizuar” këtë “pronësim”, fshatarët i lejuan një jabanxhiu të ngrinte një kasolle aty dhe të bënte prokopi, duke i garantuar mbrojtjen dhe paprekshmërinë nga kushdo që kishte qëllime të liga. Ama i vunë kusht që  kasollja që do ngrinte, do i kishte muret me gurë “kserole”, pa llaç dhe nuk do kishte oxhak të ngritur mbi çatinë e ndërtuar me  dërrasa dhe e mbuluar me kashtë.. Sa për bagëti, ti shtonte e ti shumonte sa ti donte qejfi.

Fshatarët, nga që s’ja dinin emrin, i vunë dhe   një llagap. E quajtën …”I lëni”.. Të kuptohemi, me fjalën “I lëni” fshatarët nuk nënkuptonin …”të lënurin nga mëndja”, budallain, të çmëndurin (ruajna zot nga e liga, pthu, pthu, pthu). Atij,(pthu, pthu, pthu) në fshatin tonë i thonë me finesë …”i curufjasuri”, dmth që i ka rrjedhur truri si një curil uji nga ndonjë vrimë e kokës.

Kjo nuk ka as kuptimin…”I faluri”, sepse për këtë duhej të bëhej gjyqi i vilajetit, të vërtetonte falin e fajtorit dhe pastaj ta falte e ta linte të lirë. Në rastin e “të lënit” tonë ska asnjë  gjykim për faj e falje dënimi.

Ai thjeshtë …u la …që të banonte në tokat që nuk qenë të tij. Ama u la jashtë fshatit, ndonëse asnjë nuk e pengonte të vinte në fshat, të psoniste në dyqanin e fshatit, të bënte ndonjë punë që i jipnin fshatarët. Pra, “i lëni” u la që të banonte diku, në kufijtë e fshatit, duke u lënë njëkohësisht edhe jashtë fshatit. Ky është kuptimi i llagapit “i lëni”,  shpikur sigurisht nga Simua, në mes të lojës së dominosë. .

Pikërisht në afërsi të këtij vendi një palo qën u lehte miqve të fshatit, kur ata ktheheshin për në shtëpitë e tyre. Fshatarët e mi, llogjikisht nisën të akuzonin banorët e fshatit K. për një “hakmarje” qënçe për shkak të  kufirit të shtyrë, por skishin fakte që tua ndreqnin qejfin, deri në ditën e djeshme….

Ditën e djeshme, aty nga paradreka, se nga zbriti në fshatin tonë një grua frënge, e veshur allosojë, e krehur lere lere, hipur mbi një mushkë, që ja patën zilinë gjithë djemtë e fshatit… Atë ditë doli dhe ajo kënga që thotë…Mushkë moj ta kam zilinë/ për atë që mba në shpinë/ s’dua që ti mar florinë /por ti puth e ti nduk gjinë…

Kjo frëngia, domosdo që qe edhe e pasur, se ndryshe si do ti paguante ata tri-katër trima të armatosur që e shoqëronin dhe që thoshnin se kishin edhe një kartë nga mbreti për të ardhurë në fshat. Fshatarët nuk e vranë shumë mëndjen për mbretin dhe kartën e tij se ua mori mëndjen  një kuti e vogël, me një si rrotullame në mes, që e mbante në dorë frëngia dhe që u thoshte fshatarëve se do ti kërente në resme, po    të shikonin drejt saj.

Qëlloi që, ato momente  Simua  bënte lojën e dominosë me priftin dhe ishte shumë i zemëruar se spo fitonte dot. Kishin vënë në lojë nga tre koqe-ve dhe nga tri hudhëra secili. Domosdo që edhe dopion e rakisë do ta paguante humbësi. Po loja nuk ecte që nuk ecte dhe hudhrat e koqe-vezët ja bënin me sy herë priftit e herë Simos. Në këtë moment afrohet frëngia dhe pasi u drejtoi Simos dhe priftit atë kutinë me rrotullamen e ndritëshme, çoç shtypi me gishtin e madh dhe nga kutia doli një tingull…shkrap, shkrap. Simua ktheu kokën për të parë kush qe e çbënte kjo shkrap e shkrupja frënge, që i  besdiste në lojë, kur ajo edhe një herë ja bëri shkrap. Pikërisht në këtë moment  Simua ngriti kokën, dhe me qënë se i ra  në sy drita e diellit, puliti qepallat.

Këtë të pulitur të qepallave e pa mirë “i lëni” i cili në ato momente ishte te porta e dyqanit të fshatit,  nja dhjetë a dymbëdhjetë metra larg rrapit të fshatit, ku loznin dominonë Simua e prifti. E pa mirë frëngen tek këreu në resme Simon, dhe me qënëse inatin ja kishte Simos, për një llaf të tij që ai si kish dhënë  dot xhevap, tha me vete se i erdhi rasti në shteg që tja mirte hakun me dyfekun e gruas. Ndajë sikur po fliste me vehte, tha: -  Pa, pa, pa.Ç’të rrotulluar  të syrit që i bënka ky Simua kësaj frënges. Çapkën djalë është, çapkën.

Vërtet që e tha si për vete, por e tha  ta dëgjonin të tërë sa qenë në dyqan. S’do mënd që ja kish inatin Simos, por hakun s’ja mirte dot. Dhe me qënë se si mirte hakën le ti hidhte baltën. Gruaja e Simos e cila u ndodh në dyqan, se do blinte ja kripë ja sheqer. Fjalët e “të lënit” i ranë si  vaji i nxehtë në vesh dhe ajo e di si nuk ulëriti nga dhimbja. Që Simua i saj ishte një deli burrë që ja kishin sevdanë gjithë vajzat e gratë e Himarës e përtejë, këtë e dinte me kohë e me vakt. Por që të vinte një frënge nga frëngjia, ti bënte magji Simos dhe ai ti rrotullonte synë, dhe ku, mu te rrapi i fshatit, ku lozte dominonë me priftin, jo jo, këtë as në atë jetë nuk e mendonte.

Ndajë e la kripën a sheqerin pa marë në dyqan dhe me çap të shpejtë, serbes serbes ju afrua të shoqit, pas shpine dhe i vuri lehtas dorën mbi sup. Me këtë gjest donte ti thoshte frënges që…jam unë  e zonja e këtij zoti.

Po ku marin vesh frënget nga të folurit dhe të gjestet kuptimplote të grave të fshatit tonë. Ajo seç tha, në gjuhën e saj dhe nisi të rrotullojë atë rrotullamen e kutisë së vogël.

-Do të të kërejë në resme- i përktheu fjalët e frënges një nga ata që e shoqëronin.

Simua u hodh përpjetë. Si  tha ai, do e kërrejë gruan e tij...nga ajo kutia që i thënkan “resme”. Domethënë, do e futë njëherë  në atë kuti, pastaj do e kërejë e do ja japë Simos. Është në terezi kjo frëngia. Kjo mbase ka bërë shkollë të madhe andej nga frëngjia dhe ka lëçitur librat e dynjasë, por ama Simos nuk ja hedh dot. Simua ka bërë shkollën e shejtanit, me priftin e fshatit dhe gjer më sot nuk ja ka hedhur njeri. Do ja hedhë kjo frëngia pispiruqe, e lyer me salcë domatesh. Si thotë, do e kërej në resme. Njësoj si  të thoshte…do e kërej nga pusi. Po që ta këresh njeriun nga pusi, duhet ta hedhësh njëherë në pus. Që ta këresh nga ajo kutia, duhet ta futësh një herë aty. Po sikur, në kohën që frëngia e këren nga kutia, ajo, kutia pra, të prishet e ti mbetet gruaja brenda, ç’bëhet pastaj. Njësoj si të këputet litari me të cilin nxiret njeriu që ka rënë në pus. Pse nuk ka ndodhur kjo?     Atëherë ç’të bëjë Simua? Të dalë të kërkojë grua tjetër.Ta nisë nga e para derëziu. Jo se s’gjën dot grua, more jo. Por si e para s’ka e s’gjën në këtë dynja. Pastaj, për tekat dhe resmet e kësaj frënges, që ç’dreq e poftisi këtu, do humbasë gruan Simua? Jo more jo, s’bëhet kjo punë.

-Dil moj e Simos- foli prifti, dil në resme të frëngut. E re je, e bukur je, do na nderoç fshatin edhe në frëngji.

-Ah prift shejtan- tha Simua me vehte. Do të marësh inatin e lojës, ë? Dhe me zë të lartë shtoi:

-Do dal dhe unë bashkë me time shoqe, moj frënge.

Frëngia duartrokiti  e gëzuar me buzën vesh më vesh, duke e lënë të habitur Simon, i cili kujtoi se ja  hodhi, kur i tha që do dilnin të dy…nga resmia. Se ajo kuti aqë e vogël, qysh mund ti mbante dy veta, Simon bashkë me gruan. Por entusiazmi i frënges e vuri në mëdyshje më shumë. Po sikur ajo, me ndonjë marifet ta shkëpuste gruan nga Simua dhe ta  mbante brenda në kuti dhe pastaj ti thoshte Simos që ju …prish resmia.

Me këto mendime të trubullta në kokë, Simua u afrua te gruaja e tij dhe…i hodhi dorën në sup, duke e shtrënguar fortë nga vetja. Si njëherë e një kohë.

-Po je e zonja, shkëputma gruan  moj frënge foli me vete Simua.

Gruas sa si ra pika. Që Simua e donte, këtë e dinte, po që ta shtrëngonte kështu nga supet, në shesh të rrapit, këtë se mendonte. Asnjë burrë i fshatit se ka bërë ndonjëherë këtë gjë, por ja që i pëlqeu që e bëri Simua i pari. Eh, çdo molloisin gratë e fshatit me zili për të. Eh çdo të të kënaq sonte more Simo. Po dale , dale pak. Po sikur duke më shtrënguar mua, Simua ti rrotullojë synë kësaj frënges? Mua do ma hedhësh more burrë? Në ti ndafsha sytë, sytë më dalçin.

Kështu ndodhi që çifti bëri fotografinë më të bukur, fotografi që bëri bujë në frëngji, Simua duke shtrënguar nga supet gruan e tij (mos ti mbetej te kutia e resmes) dhe gruaja me shikim të ngulur te Simua (mos i rrotullonte synë frënges).

Pasi  ajo kutia ja bëri nja tri a katër herë shkrap e shkrup e pas ca fjalëve …mersi…apo mer sy, pthu, pthu, pthu,mos na mer  vërtet më sysh, Simua u ul të vazhdonte lojën me priftin. Porsa u ul e kuptoi që  prifti i kishte vjedhur një koqe-vezë ndajë ju kthye me të shara  prift-shejtan-hajdut, vezë-vjedhës e dorë hajdut…

-Të betohem, për Krisht e për Shënmëri që unë s’kam prekur vezë tënden me dorë- tha prifti dhe bëri kryq. Zoti më qëlloftë me rrufe tani edhe këtu, në qoftë se dora ime ka prekur vezët e tua- tha prifti me solemnitet dhe ngriti duart drejt qiellit. Ato duar të holla, që ngjanin si shkop  dhe  mënga e veladonit që valëvitej  e vunë në mendime Simon. S’bëri zë, por u ul të vazhdojë lojën.

Loja spo mbaronte me fitoren e asnjërit. Në shesh kishin mbetur dy koqevezët e Simos dhe tri të priftit, shto dhe hudhërat dhe filxhanët bosh të rakisë.

Ishte ora e pragmbrëmjes, momenti kur dielli shtrihej në krevatin e  detit, duke pritur hënën, kur  nga  larg dëgjohen nja dy tri të shtëna, që vinin nga kufiri midis dy fshatrave, aty ku kishte shtëpinë  “i lëni”. Aty, ku herë pas here qëntë u lehnin miqve të fshatit, që riktheheshin  në vend të tyre.

Simua ngriti veshët të dëgjonte dhe çoç ju kujtua. Kish nja një orë që frëngia ishte nisur për udhë, bashkë me trimat që e shoqëronin. Por Simos sdi pse i vetëtiu në kujtesë fakti se, nja një orë para frënges ishte larguar nga sheshi i rrapit “i lëni”. Nuk do i qe kujtuar kjo, sikur të mos kishte parë se “i lëni” po ikte vjedhurazi, duke parë me bisht të syrit nga Simua dhe prifti.

Faktet po mblidheshin si peri në lëmsh. Inati që kishte “i lëni” me Simon, frëngia e këreu në resme Simon dhe gruan e tij ( në fakt as i këreu por ama as i futi dot në resme ajo frëngia), në drekën që shtroi fshati për frëngen te rrapi, ajo rinte bashkë me gruan e tij me të cilën qesh e bot e llafe  kot, se me siguri asnjë llaf s’morën vesh nga njera tjetra, frëngia po që qe  mikeshë e fshatit dhe kur iku i daroviti të gjithë fëmijët që qenë te sheshi, veprim ky që i nxiti gratë e fshatit ti dhuronin plot shamira e pendolira, pra të gjitha këto qenë plot që  “i lëni” ta kërente inatin ndaj Simos nëpërmjet kësaj frënges. Dhe po  të shtojmë faktin se Simua  i priste dhe i qeraste të gjithë miqtë që vinin në fshat (tjetër gjë se rakinë e paguante prifti me lojët që humbiste ), dhe këtyre miqve u lehte qëni kur  iknin dhe se qëni u lehte pranë shtëpisë së “të lënit”, ku as ujku skishte qejf të kalonte, të gjitha këto u grumbulluan në mëndjen e Simos si copa letre që i rrëmben vorbulla e erës dhe kur ranë në tokë, krijuan  shëmbëllimin e “të lënit”.

-Ky na qënka ai qën bir qëni – tha Simua me vehte. Pastaj duke ju drejtuar bashkëfshatarëve u tha:

-Lermani mua këtë punë se ja di ilaçin.

Fshatarët hapën sytë kur panë që Simua, në vend që të nisej nga bregu nga erdhën  të shtënat, u nis nga krahu i kundërt, drejt shtëpisë së  Çaçe.

-Këto ndodhën ditën e djeshme, të shtunën e parë të vjeshtës së parë. Dhe ishte dita e parë që Simua dhe prifti nuk e mbaronin lojën. Domosdo loja duhej të vazhdonte sot, por sot Simua duhej të sqaronte edhe se çfarë bëri për ato dyfeqet që ranë  dje, në të dalë të fshatit.

Që në orët e para të mëngjezit Simua dhe prifti reshtuan dominotë, vunë takëmet (koqe-vezët e qëruara, Simua dy dhe prifti tri dhe  hudhrat , nga tri secili) dhe ja nisën lojës . Fshatarët nisën të mblidheshin, dhe ndërsa shikonin lojën prisnin që Simua tu molloiste për të djeshmen.

Kur Simua u dëfteu se “qëni” që lehte ishtë “i lëni”, nga habia as gjethet e rrapit nuk lëvizën më. Kështu vijoi të tregonte se “i lëni”, nga që si pengonte dot miqtë e fshatarëve që të vinin, donte ti bënte të iknin e të mos ktheheshin më, sepse ky fshat…të përcjell me lehje qënsh. Fshatarët nisën të llafosnin me njeri tjetrin për bëmat e “të lënit “ të ligë, por Simua e kishte mëndjen te loja.

-Po ti çi bëre prëmë qënit, more Simo- e pyeti prifti.
-I lëshova qëntë e Çaçe. Atë të tretin.- ju përgjigj shkurt Simua.

Dhe rufeja të kishte rrënë te rrapi i fshatit, nuk do gjëmonte më shumë se e qeshura e fshatarëve, që shkrepi njëherësh. Të gjithë i njhnin qëntë e Çaçe, ose më mirë të themi, huqin e keq të tyre. Këta qën ishin allosoj qën. Spara venin me bushtra, kërkonin domosdo qën. Por edhe kafshëve të tjera, psh pula,  a dhi, a  pela nuk ua kthenin kokën. Ama po  të shihnin gjela, cjepë, kuaj u hidheshin e u fërkoheshin nga pas që lere lere. Le më ai i treti, një qën sa një dem, ruajna zot mos ti dilte edhe ndonjë burrë përpara, se do ja shqyente me dhëmbë pantallonat nga prapa. Pastaj, po     të mos keshe  me vete një thikë tip bajonetë, që e mbanin me vete gjithë fshatarët ,  se çdo ti ndodhte të ziut burrë, vetëm zoti e di. Por ama vetëm si burrë nuk do dilte më në fshat.

Prifti desh u rrëzua me shpinë nga të qeshurit dhe do qe rrëzuar vërtet po mos ta mbanin për supesh ata që rinin mbrapa. Në këtë moment Simua u zgjat mbi tavolinë,  përuli kokën mbi vezët e priftit dhe menjëherë futi në gojë dy koqe-ve. I përtypi a si përtypi, as unë dhe as një tjetër nuk e pa por kur prifti u drejtua, Simua skishte gjë në gojë. U desh ca kohë që prifti të  fshinte lotët e të qeshurit me mëngët e rrasos dhe më pas, e para gjë që vuri re ishte mungesa e koqe-vezëve të tij.

-Mi ke vjedhur more i paudhë- i sokëlliti Simos. Kthemi  koqe-vetë menjëherë se do të të mallëkoj.

Simua mori pozë serioze, u ngrit në këmbë dhe duke drejtuar dorën, herë nga kisha e fshatit e herë nga deti, ku  në largësi dukej Korfuzi tha me zë të lartë e të qartë:

-Për Krisht e për Shënmëri, për Shënkoll që e kemi pranë dhe për Shën Spiridhonin që na vështron nga kasa në Korfuz, betohem që unë skam prekur ndonjë koqe-ve tënden, as me dore të zhveshur dhe as me dorë të mbuluar me mëngë a me gjë tjetër. Duart e mia janë të pastra dhe të papërlyera me vjedhje koqe-veje. Zoti më dënoftë në të gënjej.