Friday, 4 March 2016

Duke menduar për këngën “Vajzë e Valëve”



Duke menduar për këngën “Vajzë e Valëve”

Nga cikli “Autorët e monumentit Kënga Himarjote”


Nga Timo Mërkuri


Duke punuar për monografinë “Autorët e Monumentit Kënga Himarjote”, vetvetiu ndalesh  më së shumti dhe mediton mbi këngën “Vajza e Valëve”, për arsyen e thjeshtë së ajo është shndruar në një këngë- simbol, jo vetëm për Himarën.

Kjo këngë e inçizuar në pllakat PATHE në vitin 1930, në udhëtimin e dytë të grupit himarjot, me tekst të Neço Mukos, e kënduar nga katërshia himarjote Neço Muko, Koço Çakali, Pano Kokaveshi dhe  Andrea Bala  ndodhet e inçizuar  në diskun nr 44033.
Jehona e madhe që pati kjo këngë dhe pëlqimi mbarëpopullor I saj, duke I lënë vendin e nderit në “sofrën” e këngës iso-polifonike himarjote, u shoqëruar edhe me hipotezime, hamëndësime dhe supozime të ndryshme, me krijimin dhe rikujtimin e legjendave të ndryshme për të gjetur burimin e kësaj kënge. Sepse dihet që ne shqiptarët jemi “mjeshtra” për të kërkuar dhe atë që nuk egziston.
-Për autorësine e tekstit të kësaj kënge ka patur hamëndësime nga njohësit e këngës popullore në Himarë dhe në trevat përreth. Disa, ndërsa përjashtojnë  autorësinë e Neço Mukos,  pëshpërisin si autorë të këtij teksti, që nga antarët e grupit të mësipërm e deri te poetë dhe rapsodë të ndryshëm popullorë himarjotë apo të trevave të tjera. Madje nuk mungojnë edhe  hamëndësimet për ndonjë përkthim apo përshtatje të bërë nga Neço Muko, veprim tepër i zakonshëm për ‘të dhe që dëshmohet edhe te disa nga këngët e inçizuara në Paris.

Por ja që  në një fletë fletoreje të Janko Palit ku janë shënuar të gjitha këngët e Neço Mukos, për këtë këngë ka shënimin….Era dhe fjalët prej N.M.H.(Neço Muko Marjoti) duke i dhënë fund në këtë mënyrë debatit.

-Duke e studiuar me kujdes tekstin e kësaj kënge, konstatojmë se:

-Kënga Vajzë e Valëve pasqyron në radhë të parë  një botë shpirtërore shqiptare dhe një realitet shqiptar  me një fjalor tipik himarjot, duke mos lejuar ekuivoke dhe mëdyshje  në këtë drejtim. 

-Kjo nuk është thjeshtë një këngë e një dashurie të parealizuar të një çifti Romeo-Zhuljeta himarjot. Tematika e dashurisë, e parë në kontekstin e këngës, është mbartëse edhe motiveve dhe ideve  të tjera, që përjashtojnë kategorikisht hamendësimin e ndonjë përshtatjeje apo përkthimi nga ndonjë gjuhë tjetër pretenduese .

Kënga “Vajzë e valëve” në radhë të parë është kënga e besës së dhënë. Këtu kemi besën e dhënë vajza-djalit (dhe djali vajzës), për një pritje të kthimit të tij, për mos ta tradhëtuar, për mos u martuar me ndonjë pretedent tjetër. Pra, gjithsesi është një besë shqiptare..Vajza i ka dhënë besën e dashurisë djalit, që do ta presë deri në …vdekje, dhe e pret. Ajo nuk e koncepton vonesën e djalit si një mundësi të tradhëtisë së tij, duke u lidhur me ndonjë femër tjetër të vendit ku ka shkuar. Ajo merakoset nga kjo vonesë për arsye të tjera…rron apo nuk rron…  dhe kur i vjen letra e djalit me fjalët… tjetër vënd më prêt … , dilema e saj mer fund.

Pas kësaj, ajo nuk mendon për të jetuar me ndonjë djalë tjetër, kandidat i mundshëm për bashkëshort dhe arsyeja e vendimit të saj nuk është fakti se është një jetime. Cilësimi jetime është metaforik më shumë se sa real, për arsye se, dihet tashmë ndihma që jipte bashkësia himarjote për sigurimin e garantimin e jetës së fëmijve jetimë dhe sidomos kontributi i kësaj bashkësie për martesën e vajzave të mbetura jetime, duke u bërë dasmën dhe siguruar prikën.

Ajo vendos të shkojë pranë djalit… Ne u ndam’ këtu o djalë, qielli atje lart/Do të na bashkoj’I dashur pritëm se po vij. sipas konceptit parakristian të një bashkëjetese më të mirë, në atë botën atje lart. Ajo nuk vendos të bëhet “kallogre” murgeshë, sipas konceptit kristian,  ajo vendos të bashkëjetojë me të dashurin në qiell, sipas konceptit parakristian. Ajo nuk lutet që mbi var ti vendosin ndonjë kryq (si te kënga Hyri prilli shkriu bora) për arsye se ajo nuk i kushton rëndësi fatit të trupit të saj në tokë. Ajo i gëzohet fatit të afërm të lumturisë së bashkëjetesës më të dashurin …atje lart. Dhe në qoftë se ky lumturim i kërkon sakrifikimin e jetës tokësore, ajo e bën pa mëdyshje këtë sakrifikim.

-Emigrimi masiv si dhe ikja e burave dhe djemve shqiptarë, në përgjithësi, dhe himarjotë, në veçanti, lënia në shtëpi e grave dhe e të dashurave, si dhe besnikëria e tyre, bashkë me pritjen e stërgjatur  për kthimin e djemve e burrave nga kurbeti apo nga luftërat ku kishin, shkruar ishte një karakteristikë e botës shpirtërore shqiptare.

-Fakti që nuk përcaktohet asgjëkundi në vargjet e këngës shkaku i largimit të djalit, a ka ikur si emigrant në Amerikë, emigrant në Francë (Europë në përgjithësi), ikja si ushtar në Venedik apo nizam në Turqi,( si rast i rallë se Himara nuk dërgonte djemtë nizamë në ushtrinë Turke). Kjo mungesë, nuk na lejon të përcaktojmë saktësisht kohën për të cilën flet, dhe për pasojë, as kohën e krijimit të shtratit të saj, si këngë më vete. Sepse edhe kjo këngë (tekst) e “re”,  rrjedh si lumë i ri në pranverë, mbi një shtrat lumi të vjetër.

Vjetërsia e këtij shtrati përcaktohet edhe nga legjendat e ngritura mbi këtë këngë apo në linjën e kësaj kënge.

Kështu, sipas legjendave, vajza as mbytet dhe as vetëmbytet në det. Ajo qëndron në një shkëmb
në breg të detit dhe lotët që i rrjedhin, i pikojnë mbi shkëmb, duke krijuar tek ai gropëza të vogëla me anë të thepisur, si të jetë çpuar shkëmbi me trapano. Realisht shkëmbijtë e bregut të detit janë plot gropëzime të tilla, me anë të mprehta, të shkaktuar nga stërkalat e dallgëve.

Sipas legjendës, janë lotët e Vajzës së Valëve ato që krijuan gropëzime te shkëmbinjtë (Lamtumir o gur…vuajte dhe ti për mua).. Pasi të gjithë shkëmbinjtë e bregut u gropëzuan nga lotët, kur fillojnë vargjet …mermë o valë e det…, vajza nuk u hodh në det të mbytej ose të vetmbytej por u shkri si llavë e zjarrtë dhe u shtri ndënë valë, duke u ngurtësuar, gjysma e trupit nën ujë e gjysma tjetër e trupit në breg.

Po të shikosh realisht pllakat e gurta në brigjet himarjote, ato ngjajnë si njerëz të shtrirë në breg të detit, me këmbët e futura në ujë.

 Por ka edhe më. Nëpër gropëzat e krijuara nëpër shkëmbinj, nga lotët e vajzës së valëve, kanë mbirë një tip luleje që quhet “Lulja e lotëve” dhe të cilat kanë vërtet  shijen e athët të kripës së lotëve, apo të ujit të detit.

-Pra, një këngë e tillë, e krijuar mbi një shtrat legjende, qoftë si tekst, qoftë si melodi,  dëshmi e talentit poetik të autorit, është një pasqyrim i botës shpirtërore shqiptare, në përgjithësi dhe asaj bregase në veçanti. Himara ka karakteristikën e veçantë që të gjitha “ikjet” dhe “ardhjet” e djemve  bëheshin vetëm nga rruga detare, me varkë ose anie dhe asnjëherë me tokë, nga Llogaraja apo nga Saranda. Arsyet janë të shumta, por më kryesorja është lehtësia e ikje-ardhjes së njerëzve me anie, pasi Himara ishte dhe është port, pavarësisht nga madhësia e portit apo e anieve që ankorohen në të. Arsye është edhe fakti se rruga detare Himarë-Korfuz  ose Himarë –Itali  ishtë më e shkurtëra dhe më komode për të emigruar në krahasim me rrugën tokësore Himarë-Sarandë dhe pastaj në Korfuz ose Himarë- Vlorë-Itali, duke kapërcyer Llogaranë. Pra kjo pozitë gjeografike e Himarës dikton edhe “ikjen” e kësaj vajze nga kjo jetë nëpërmjet valëve të detit dhe jo duke u hedhur psh nga shkëmbi apo në ndonjë mënyrë tjetër vetsakrifikimi.

-Stili i kësaj kënge, qoftë si tekst,( por më tepër edhe  si melodi) është në stilin e hershëm të vajtimit me ligje. Dhe arsyet janë të plota për të ecur në këtë stil, vdekja e një dashurie, vdekja e djalit larg vendlindjes ( në luftë a në kurbet), dhe më pas vdekja e vajzës, janë si shumë vdekje për një këngë, po  të kemi parasysh se kënga është ngritur edhe për një …sëmundje. Ato figura artistike dhe melodike që rezëllejnë me shumicë në shtratin e kësaj kënge, janë thjeshtë lotë të ngurtësuar e të kthyer nëpër gurrë, mbi të cilët ecën …kënga.

Të kuptohemi, stili i këngës himarjote nuk është kushtëzuar nga stili i tekstit të këngës  “Vajzë e valëve”, përkundrazi, teksti i kësaj kënge është teksti më i përafruar (bashkë me këngën Hyri prilli shkriu bora) i stilit të këngës himarjote, i “avazit” himarjot. Stili i “avazit” himarjot, ndonëse mbi tabanin e këngës iso-polifonike shqiptare, është “revolucioni” muzikor i Neço Mukos dhe shokëve të tij.

-Bisedat e vajzës me zogjtë dhe gurët, pjesmarja e agjentëve atmosferikë në gjëndjen shpirtërore dhe si pararendëse e ngjarjeve që do vijnë Erdhi dimri i keq, një mëngjez të zi/U nxi qielli dhe deti gjëmon, bie shi janë një dëshmi e lashtësisë së konceptimit, lashtësi  që shkon para kristianizmit, deri në antikitet pavarësisht se kënga është shkruar në kohët moderne.

Kjo lashtësi, dëshmon burimin kohor të këngës, pavarësisht se kur është shkruar ajo dhe në se e ka shkruar këtë tekst Neço Muko apo ndonjë tjetër.

Botën që pasqyron kjo këngë ne e gjejmë nëpër legjendat dhe përallat e herëshme shqiptare.

 Është meritë e Neço Mukos që, në një shtrat të stërlashtë shqiptar, konceptual, me një botë parakristiane shpirtërore, të na japë një kryekëngë të tillë dhe ca më tepër ta muzikojë në mënyrë që të krijojë një kryevepër muzikore.

-Vargu dhjetë, njëmbëdhjetë, katërmbëdhjetë rrokësh është dëshmi tjetër e “përzierjes” së vargjeve karakteristike të eposit  të kreshnikëve me vargje të epeve dhe baladave himarjote dhe krijimeve popullore mëvonëshme, kjo e bërë në një mënyrë mjeshtërore, sa që nuk dallohet fare diferenca e rrokjeve. Këtë funksion “mbulimi” e kryen iso-ja e këngës, melodia. Është si të ngresh muret e një kalaje, ku gurrët e madhësive të ndryshme lidhen me njeri tjetrin me llaç (melodik) në mënyrë të pazgjidhëshme. Dhe funksionin e fortësimit të murit e kryen llaçi dhe jo madhësia e gurrëve.

Kemi theksuar se kënga himarjote nuk bazohet te rima dhe ritmika tradicionale e vargjeve por  te funksioni, gjatësia dhe forca e iso-s.

-Kënga “Vajzë e valëve”  është kënga simbol e Himarës, që e bëri të famshëm edhe vetë grupin e Neço Mukos, qoftë për melodinë e saj, novacion në këngën iso-polifonike shqiptare, në theksimin e rolit të hedhësit, e cila është një gjetje brilante e Neço Mukos, gjetje që i dha një fytyrë të re, të bukur dhe të dhimbëshme shpirtërisht kësaj kënge, sa që me të drejtë u specifikua si “avazi himarjot”( kënga himarjote) në familjen e këngëve popullore shqiptare.

-Në një bisedë me Lefter Çipën , ai këmbngul se emri i kësaj kënge lexohet gabim, duke u lexuar “Vajzë e Valëve” (valët e detit) duke e trajtuar si vajzë e detit etj. Ajo duhet lexuar “Vajzë e Valeve”. Valet janë lëndinat malore ku rëndom loznin e dashuronin vajzat e fshatrave, tek kullosnin bagëtinë. Pra kjo vajzë e valeve, e lëndinave, kjo bareshë, ka zbritur nga mali në breg të detit, prej nga u nis në kurbet a në luftë i dashuri i saj, dhe prêt ti kthehet apo ti vijë , ndonjë lajm a ndonjë letër. Si vajzë mali që është nuk di not dhe mbytja apo vetëmbytja e saj në det është më llogjike.

Argumentat e Lefterit qëndrojnë edhe për vetë faktin se fshatrat e bregdetit të Himarës janë fshatra të ngritura në male dhe jo në breg të detit, dhe burimi  jetës së tyre ka qënë blegtoria e jo detaria.

Të dyja rastet janë llogjikisht të pranueshme dhe asnjëri prej tyre nuk i ul vlerat këngës, përkundrazi, variant i Leftër Çipës  zgjeron horizontin letrar të saj.

Por ajo që nuk është thënë deri më sot është roli i Koço Çakalit në këtë këngë dhe në tërësi në grupin e Neço Mukos. Koço Çakali nuk është thjeshtë  marësi i kësaj kënge apo dhe i këngëve të tjera. Ai është autori i vijës melodike të këngëve  himarjote. Qënia e tij si marrës është një dëshmi e pranueshmë. Tradicionalisht në këngët popullore, marrësi është edhe “kompozitori” i këngëve. Dhe Koço Çakali është marës i mbi 80 këngëve.

Fakti që ai ishte tenor (amator) brilant në disa këngë hymn si Shqipëria, Hymni i Flamurit etj, dëshmon aftësinë dhe talentin e tij muzikor.

Interpretimi i suksesshëm i  tij në këngët të muzikës së lehtë, krahas tenorëve dhe sopranove  të famëshme, që ju bashkuan këtij grupi është një dëshmi tjetër e talentit të këtij mjeshtri të madh të muzikës, aktualisht ende i pa vlerësuar.

Kështu që me të drejtë grupi mund të quhet “Grupi i Koço Çakalit me udhëheqës artistik Neço Mukon”. Madje po të shohin  foton e revistës Pif-Paf të janarit të vitit 1928, aty vetë Neço Muko  shkruan qysh në kopertinë se…Drejtor është z N.H.Marrioti…duke publikuar për  vehten  e tij  rolin organizativ, krahas  faktit që ishte  autori i teksteve të këngëve.

Por duke qënë se këta  artistë nuk e kishin mëndjen për  të ndarë “tituj e grada”, por mendonin vetëm për të ngritur këngë monumentale, edhe ne do ti shohim si bashkëautorë të këtij monumenti, ndonëse do evidentojmë kontributin e veçantë dhe të përbashkët të secilit.

Ne do admirojmë këngët himarjote dhe nuk do krahasojmë se cili yll shkëlqen më shumë në këtë yllësi.

Por do të theksojmë edhe faktin  se ishte Dhimitër Varfi ai që e “lëmoi” këtë monument himarjot, ashtu sië lëmohet mermeri i statujave, duke u bërë më të gjalla, më të ndritëshme edhe detajet më të vogëla.

E parë në këtë konteks, me të drejtë mund të themi se Dhimitër Varfi dhe grupi i tij, në përbërjen

e të cilit ishte dhe Pano Kokaveshi, ishte vazhdimi novator i grupit të Neço Mukos.

Por te kënga himarjote, për ta shijuar  tërësisht atë, duhet patur parasysh dy element kryesorë të saj. E para është iso-ja e këngës. Kënga himarjote gjithë bukurinë dhe madhështinë e ka tek iso-ja. Marësi i këngës himarjote rëndom thotë gjysëm vargu….Vajzë e valëve…pastaj marësi humbet rolin parësor të tij, sepse pushtetin e mer iso-ja. Nuk mund të kuptohet kënga himarjote pa ison e saj karakteristike. Vetë kënga mund të krahasohet me një shqiponjë, por isua është qielli ku fluturon  shqiponja, është deti ku lundron anieja. Gjithë këngët popullore shqiptare shumëzërëshe kanë iso, por isoja e këngës himarjote ka specifikën e saj, jo aqë te tonaliteti se sa te ëmbëlsia. Gjithë dhimbja e shpirtit himarjot është mishëruar te iso-ja e këngës. Prandaj te kënga himarjote, nëpërmjet iso-s, është shpirti i këngëtarit që i flet shpirtit të dëgjuesit. Shtoi kësaj faktin që kënga himarjote ka shumë lot shpirti, atëherë e kupton arsyen pse të gjithë dëgjuesit e kësaj këngë lotojnë me shpirt dhe duan të futen në vorbullën e  iso- së grupit himarjot. Duan të marin me vehte, qoftë dhe një copëz melodie.

 Iso-ja e këngës himarjote luan edhe rolin e refrenit. Përgjithësisht tekstet e këngëve himarjote nuk kanë refren, në kuptimin tradicional të tij. Madje shpesh herë këto tekste nuk kanë as rimë vargjesh, në ndryshim nga kënga labe e cila bazohet te vargjet e rimuara dhe te refreni. Te kënga himarjote, këto funksione i kryen më së miri vetë iso-ja.

Elementi i dytë që i duhet kushtuar vëmëndje në këngën himarjote është hedhësi.

Në fakt, roli i hedhësit ka egzistuar në këngën tonë popullore edhe para Neço Mukos. Por Neço Muko i dha këtij  zëri një rol më vendimtar, më karakteristik. Figurativisht, roli i hedhësit është si direku kryesor i anies, në të cilin lidhen të gjitha velat dhe në krye valvitet flamuri. Dhe  direku kryesor , jo vetëm që mban  ekuilibrin e anies në lundrim, por  duke qënë pikëmbajtësia e velave, përballon edhe forcën e erës mbi vela, duke ndikuar në rritjen apo ngadalsimin e ecjes së anies nëpër detin me fortune.

 Kur ngrihet zëri i hedhësit të këngës himarjote edhe zoti ndalet nëpër qiej dhe, nëpërmjet reve hedh sytë në Himarë e vështron, kush është ky që gjëmon si ai (zoti) vetë. Mos ka ardhur në tokë, në Himarë  ndonjë zot i ri?

Po ku e ka origjinën ky zë dhe pse ka një natyrë të tillë?

Bazuar te fakti se kënga iso-polifonike e ka origjinën te vajtimi, hedhësi  është personifikimi i rolit të vajtores që “klith” në grupin e vajtoreve, në çastin kur në odën e mortit hyn ndonjë i afërm i të ndjerit, që për ndonjë arsye  ka ardhur me vonesë në mort, ose në momentin kur të afërmit e të ndjerit janë të lodhur nga vajtimi dhe për pasojë, i ulin tonalitet e vajit dhe ligjërimin do ta nisë një vajtore tjetër. Ky zë vajtimi tërheq vëmëndjen e të pranishmëve mbi gjëmën që i ka rënë shtëpisë apo mbi faktin se një vajtore tjetër nisi vajin.

Ky është argumentimi i egzistencës së këtij zëri në këngën iso-polifonike dhe origjina e tij nga vajtimi. Por edhe te vajtimi me ligje, ky zë ka ardhur nga kohëra më të herëshme, nga të qarët me bot, nga gjëma, të qarët me gjëmë, kur gratë shkulin flokët e çjerrin faqet duke klithur fjalë dhimbjeje për të ndjerin.

Ardhja e këtij zëri nga gjëma te vajtmi me ligje e më pas te kënga, tregon rrugën e gjatë që ka përshkruar kënga popullore deri në konsolidimin e saj. Kjo “atavizëm” e gjëmës në këngën himarjote dëshmon unitetin e elementëve të këngës, por  në radhë të parë dëshmon lashtësinë e vijueshmërinë e etnitetit. Të marësh një zë arkaik nga gjëma dhe vaji dhe ta shndrosh në një element fin dhe karakteristik të strukturës së këngës, duhet të jesh një artist i madh. Kënga iso-polifonike në përgjithësi dhe ajo himarjote në veçanti, dëshmoi se populli ynë është një popull artist dhe Neço Muko, si bir i tij, ishte një artist i madh, fatkeqësisht i pavlerësuar sa duhet.

Por për këto dy zëra kemi folur edhe në librin “Shënjtëria e iso-s” dhe “Madhëria e saj-Kënga iso-polifonike” prandaj nuk po zgjatemi më tepër.

Por lind vërtet një mendim i beftë pas konstatimit të këtyre fakteve. Duke qënë se kënga , qoftë si tekst, qoftë dhe si melodi ka ecur në një shtrat  arkaik dhe duke patur parasysh se te kjo këngë nuk specifikohet shkaku i ikjes së djalit, ushtar apo në kurbet, si mund të ishte teksti dhe melodia e kësaj kënge psh para njëmijë vjetësh. Që do ishte në shtratin e linjës së vajtimit, kjo nuk diskutohet, por sipas traditës shqiptare, ndryshe vajtohej i vdekuri në kurbet dhe ndryshe I vrari në luftë si nizam i Turqisë apo ushtar i Venedikut. Trasformime të tilla kemi edhe në rastin e Neço Mukos, te kënga e Urrës së Qabesë, këngë e inçizuar nga grupi himarjot në Paris, në pllakat PATHE, por teksti dhe melodia e kësaj kënge e kënduar nga himarjotët është totalisht ndryshe nga  teksti dhe melodia e Skraparit. Ideja që përçon dhe emocioni që shkakton është e së njëjtës natyrë.

Për krahasime studimore dhe hipotezimi po japim më poshtë këngën “Vajzë e Valëve”, ku për efekte studimore, nuk bëmë përshtatjen e tekstit me shqipen letrare, por e lamë siç është kënduar nga grupi. 







Vajzë e valëve*
Disku nr 44033
Teksti Neço Muko
Këndojnë; Neço Muko, Koço Çakali, Pano Kokaveshi, Andrea Bala
                       
Vajzë e valëve, zemra më s’të mban
Dhe mbi gur nd’anë të detit qan, e zeza qan
Pret atë që prêt dhe një dhimbje ndjen
Gjithë bota ven’ e vinë, po ai nuk vjen.
Prandvera arrin, një mëngjez të qet’
Vijn’ e shkojnë dallëndyshet, vajza u thërret
“Ju të bukur zogj, tek ju kam një shpres’
Ju që shkoni det’ e male dua t’u pyes
Një jetime jam, pa nën’ e baba
Një që kisha një që doja iku dhe më la
Mos e patë ju, rron apo nuk rron
Ndonjë lajm a ndonjë letër, vall’ a më kujton
Shkoi shumë koh’, vetëm pa njeri
Qante veten , qante fatin n’atë varfëri
Erdhi dimri i keq, një mëngjez të zi
U nxi qielli dhe deti gjëmon, bie shi
N’ëndër seç e pa djalin në vapor
Sikur shkoi dhe i hodhi vajzës një kuror’
Letr’ e zezë vjen dhe me të vërtetë
Djali kishte udhëtuar, pa kthim e përjetë
Thoshte i mjeri djalë; Vajzë e valëve 
Mere këtë letrë e qajmë , tjetër vënd më prêt
Ah moj, kjo dynja, një qëndrim nuk mban
Dashuria jonë shuhet, fati i zi na ndan
Mos u dëshpëro, ti je vajzë e re
Un’ martohem n’atë jetë, ti martohu atje 
Vajzë e valëve, ti qofsh me shëndet
Mos kujto jetën e shkuar, por haroje shpejt
“ O i dashur djalë, shkove dhe më le
S’pate faj as ti as unë, ashtu qe për ne
Ne u ndam’ këtu o djalë, qielli atje lart
Do të na bashkoj’, i dashur, pritëm se po vij
Lamtumirë o gur, mjaft’ më për kaq koh
Vuajtje edhe ti për mua, po shkoj, më s’të shoh
Haj dynja dynja nuk ke gjë të drejt
Lamtumirë o jetë e rreme, merrmë o valë e det.




Monday, 15 February 2016

Një roman ndryshe....



Një roman ndryshe....

Shënime mbi romanin….”Për një mëngjez ndryshe” të Albina Idrizit…dhe më tejë...


Nga Timo Mërkuri

    1-   Leximi i romanit  “Për një mëngjez ndryshe” krijon atë efekt, që krijon edhe  ajri i freskët dhe drita, që hyjnë nga dritarja e posahapur, në një shtëpi dyer-e-dritare  mbyllur prej kohësh. 

            Ajri i freskët, fillimisht u shkakton  një marje mëndsh banorëve të shtëpisë, dhe ata e kanë të nevojëshme të qëndrojnë për një kohë ulur, sa  të ambientohet në gjakun e tyre, dyndja e një  niveli të lartë  oksigjeni, që vjen bashkë me ajrin e pastër. Pastaj afrohen pranë dritares, zgjatin trupin tejë parvazeve dhe qëndrojnë aty pa lëvizur, thuaj se soditin një botë të re, që befas është afruar pranë shtëpisë së tyre.

Drita e ditës, që hyn në dhomë bashkë me ajrin, u lbyr sytë  banorëve të kësaj shtëpie, dhe pamjet që shohin pas këtij dritësimi, fillimisht janë të turbullta, si të mbështjella me mjegull. Ata pulitin qepallat, si për të mbrojtur sytë, dhe pas kësaj, dalëngadalë, pamjet dhe sendet fillojnë e konturohen më të plota dhe ngjyrat rezatojnë një bukuri çlodhëse, për sytë e mësuar vetëm me ngjyrat bardhë e zi. Pas kësaj çdo gjë dduket më e bukur në natyrë e në jetë.

Prandaj librat e tillë janë të nevojëshme  për lexuesin shqiptar, për “pasurimin e gjakut me oksigjen”, “për qartësimin e shikimit tonë me dritësinë e  librave…të shkruar ndryshe.

           I udhëhequr nga një stil letrar i këndshëm dhe ndjellës, lexuesi nxiton për të kaluar faqet dhe kapitujt, si të nxitonte të hapte dyer e dritare në shtëpinë e sipërcituar, për të zgjeruar hapësirën e hyrjes së ajrit nëpër dhoma, po ashtu, dhe për të zgjeruar hapësirën e shikimit nga shtëpia. Dhe pastaj i rikthehet përsëri  pikënisjes, dritares së parë, jo nga hamëndësimi se mos ka haruar diçka, por nga dëshira për ta shijuar edhe njëherë kënaqësinë  që përjetoi te faqet e  posalexuara.

Dhe i vjen keq kur përfundon së lexuari librin, keqardhje që i shtohet edhe më shumë, kur mendon  se shpesh ka  humbur kohë  duke lexuar  proze, të  shkruar me …prozaizëm..

2-Është i sinqertë pohimi i Prof.Dr. Resmi Osmanit kur thotë se… romanin e lexova brenda një dite…., sepse vërtet ky është një nga ato romane që lexohen “me një frymë”, por ajo që nuk thotë profesori i nderuar është fakti se,  shumë kapitujve të këtij romani, natyrshëm u kthehesh për një rilexim. Seç ka diçka që të tërheq në rileximin e tij, diçka që qëndron tejë gjuhës së zgjedhur, thjeshtësisë të të shkruarit, me metodën realiste, linjës së zhvillimit dhe trajtimit realist të figurës së dy motrave, personazhe qëndrore të romanit, elementë këto të cituar në analizën e tij nga profesori i vëmëndshëm.

.Ka vërtet diçka më shumë se kaqë, në këtë roman.

-Ka një të shkruar plot poezi dhe  dhëmshuri njerëzore. Qysh në fillim prezantohen portrete të skicuara plot dashuri,  e shprehur kjo nëpërmjet një figuracioni poetik të ngrohtë,  të cilat të duket se i ke njohur …..ajo kishte ikur në botën tjetër, sipas një marveshjeje të heshtu me zotin, për të lënë pas versionin e saj më të ri, më të përsosur akoma…sa lehtë gënjehen shpirtërat e lirë…, si ishte e mundur që ëndrat e vjetra ti pagëzonte me një emër të ri… e nesërmja erdhi më ngadalë se zakonisht…, etj.

-Ka një dendësi informacioni të shkruar plot art e finesë, që zgjon kujtime tek kushdo që e ka jetuar apo njohur jetën dhe zakonet për të  cilën flitet …ngjanin të vogëla (religjionet e botkuptimet e bujtësve) brenda universit të atij konaku…që qëndronte mbi të gjitha….gjithçka që shihnin brenda asaj avllie, ishin ato që u mungonin (në jetën e tyre)…strehoi me kujdes fotografinë thellë në kraharor mes palëve të gjoksores, aty ku trokisnin ëmbël ëndrat e saj…kam hise në hallin tënd, po aqë sa në gëzimin tënd,…fjalët u thanë …ftohtë, pa ngjyrë…nga miku i tij po klithte pamundësia…., nuk foli, megjithatë tha mjaftë,…nuk pati asnjëherë dashurinë  e ëndëruar që i kishte falur pjekuria e trupit vashëror dhe urtësia…etj …

-Ka një miklim te personazhet, te sinqeriteti i tyre në dialogë, që të çel një buzëqeshje në lexim, e të ngjëll dashuri.

Shkrimtari duhet ta dojë personazhin, ta ndjekë pas (siç ndjek djali heshtazi  vajzën për të cilën ëndëron) me dashuri, e po me dashuri të shkruajë ç’bën, ç’ndjen e ç’mendon ai, personazhi. Shkrimtari nuk ka të drejtë të komentojë veprimet e personazhit, ai vetëm i pasqyron ato. Momenti kur shkrimtari fillon e komenton veprimet dhe mendimet e personazhit është momenti i kapërcimit të kufirit të fushave të  artit dhe hyrja në baltovinën e prozaizmit.

Shkrimtari duhet ta dojë personazhin e tij, siç e do Albina dhe portretin  tja  pikturojë me dashuri… Vetullat e trasha ngjajnë si perde mbrojtëse rrebesheve të kohës, po aqë sa edhe shkëlqimeve lëbyrëse të çasteve….buzë të plota, me një plevit të lehtë…si mbetje e një buzëkuqi të papërshtatshëm me rastin, të fshirë me dhunë…Këto ishin fjalët që rënuan bedenat më të fortë të qënies sime….E di. (që bota është plot meshkuj),por asnjëri nga ata nuk është Guri…nuk më pëlqen emri Zanë. Nuk e dua.Dua emrin tim…asnjë natë e kaluar me Gurin nuk kishte zgjatur as sa çereku i një nate pa të… ( Po rezervohem në citime në këtë shkrim sepse boll e kam nënvizuar e anash shënuar librin në lexim)

3-Autorja shkruan me sinqeritet dhe frymëzim, dhe ndoshta, pikërisht ky sinqeritet dhe frymëzim i të shkruarit, është gjetja e artë e autores, e cila nuk është sforcuar për të përshkruar skena e skema të stisura e të kërkuara. Frymëzimi, kjo dritë e padukëshme që e udhëheq autorin të “ecë” pas personazheve e ka udhëhequr Albinën në rrjedhjen e natyrëshme të romanit, duke e bërë të dëgjojë dhe përshkruajë  një melodi të përherëshme, të pranishme në çdo faqe, si gurgullimë përroi. Është kjo “muzikë” që ta mban ndezur vëmëndjen dhe të detyron që ta përjetosh (lexosh) gjithë ngjarjen përnjëherësh.

4-Kjo është e “ndryshmja” e këtij romani, që e ka të pranishme në çdo frazë  magjinë artistike e të bën për vete. Është e pamundur që , ndërsa lexon këtë roman, të mos gëzohesh, trishtohesh, vuash dhe jetosh, madje dhe të dashurosh personazhin kryesor, Emën, madje dhe duke menduar se …ti, ndryshe nga Guri mund t’ia lehtësoje dhimbjen e lodhjen, jetën.

Duke e lexuar këtë roman, natyra poetike e të shkruarit  frymëzon edhe lexuesin që të jetojë jetën e personazheve.

E thamë që në krye që romani është plot poezi dhe jam dakort me konkluzionin e shprehur se… poezia … është opozita e çdo lloj prozaizmi dhe statizmi të artit dhe të jetës.

Por jo vetëm kaqë.

Me këtë roman “ndryshe” Albina Idrizi del tejë kontureve të kohës, si një shkrimtare  e cilësuar, madje deri aty, sa të kemi të drejtën  ti lejojmë vehtes …të dëshirojmë roman të ri prej saj (R.Qosja).Edhe më të  realizuar, do të shtoja unë. Ndoshta në këtë rast mund ti citoj autores (si e drejta ime prej  lexuesi) faktin që…sado lart të jesh ngritur/po nuk u ngrite dhe pak/ ke rënë papritur..(Ricos).

5-Por nga cili këndvështrim e pashë unë “ndryshen “ e romanit të Albina Idrizit?

Censura letraro-politike e diktaturës moniste ka kryer edhe funksionin e një “dige” betoni te një ujëmbledhës, duke mos lejuar rrjedhjen e “ujrave” letrare të “turbullta” nëpër   kanalet vaditëse të fushave ku kutivohej “buka e re” e “njeriut të ri”. Por censura, ndërssa filtronte ujrat, shtonte natyrshëm aluvacionet, mbetjet, në basenin e ujëmbledhësit. Në këtë mënyrë , ndërsa pakësohej uji i filtruar që ridhte, shtoheshin aluvacionet  nga prurjet e përenjve. Drurë e gjethe, hedhurina njerëzish, këto të prezatonte qetësisht pamja e ujëmbledhësit.

Dhe një ditë, nga pesha e madhe e aluvacioneve të mbledhura nëpër vite, diga shpërtheu.

Ujrat e turbullta, u sulën teposhtë përenjve, me një buçimë trallisëse , që  të krijonte imazhin e fundit të botës. Drurë e gjethe dhe hedhurina të ndryshme fluturonin përmbi dallgët e turbullta dhe fshikullonin ajrin përeth. Furia e ujit, si rendje e kuajve të harbuar, shkulte shkëmbenj nga vendi dhe i  vinte përpara me rrokullimë. Një furi që s’ndalej as nga zoti, sepse ishte zemërimi i  zotit vetë.

Vetkuptohet që s’dëgjohej gjëkundi këngë bilbilash dhe as rrëkeza e ujit të pastër, e burimit aty pranë, nuk dukej gjëkundi.

Një i mënçur që e pa shpërthimin e digës, mendoi bregun e detit. A ishte bregu i detit i pjerrët, që ta fuste  këtë lubi uji drejt e në det, duke shpëtuar kështu brigjet dhe jetën në to, apo ishte bregu i rrafshtë, ku kjo lubi do të shtrihej sa gjatë- gjërë, duke u shndruar në një baltovinë kënetore, burim sëmundjesh e fole zvaranikësh.

Kështu shpërthyen  botimet kinse letrare. Të gjithë “çobanët” u bënë poetë dhe poetëve su ngeli gjë, veçse të bëheshin çobanë.

Ujrat nuk u kthjelluan, janë ende të turbullta, sepse brigjet letrare të trashëguara nga socrealizmi nuk qenë  të thepisura dhe baltovina me erën e saj të rrëndë, po na “dikton” shijet me një epidemi botimesh pa vlerë, për të cilat shoqëria me kohë ka kërkuar vendosjen e një “karantine”.

6-Por shkrimtarët dhe poetët e vërtetë, ndonëse  janë një “minoritet” shoqëror,  në fakt janë ajka e shoqërisë, deri në atë nivel, sa që, kultura e një kombi, matet me respektin dhe nderimin që ky komb u bën shkrimtarëve dhe poetëve të vetë.

Të kuptohemi, shkrimtarët nuk janë…inxhinjerë të shpirtërave njerëzorë (Stalin) të gjithë shoqërisë, që pa punën e tyre, shoqëria të mbetet në vend.

Letërsia është një nevojë shoqërore, jo një qëllim më vete, e ca më pak një mjet. Nqse ne nuk e rimodelojmë dot shoqërinë (gjë të cilën nuk e pretendojmë), ne mund të ndriçojmë shpirtërat njerëzorë, në rrugëdaljen me dinjitet nga labirinthi i stërgjatë i  kohës të tranzicionit.

Është gjithashtu normale, që  veprat e tyre nuk janë të vlerësuara dhe të kërkuara nga gjithë populli ….”Sonatat e Bethovenit, tabllote Da Vincit apo kryeveprat e Shekspirit nuk kanë vlerë për shoqërinë në përgjithësi, por kanë vlerë për ata që i njohin dhe dinë ti shijojnë ato” ka thënë Hayek. (Nobelist  në 1974 në Ekonomi).

Në shoqëritë e mbyllura, është shteti ai që kultivon shijet letrare, si me thënë, është shteti ai që vendos se …cilat lule do lulëzojnë e do bëhen buqeta apo kurora…

Në shoqëritë e lira, shijet letrare janë si process evolimi i njerëzve të lirë në ecje e progress kulturor. Ato janë produkt i bashkëjetesës kolektive dhe askush nuk mund ti imponohet tjetrit në këtë drejtim. Është pikërisht shumësia e shijeve ajo larmia e buqetës së luleve që na bën ta dëshirojmë dhe mirëpresim me entussiazëm. (Një tufë lulesh një ngjyrëshe të krijon një besdi në shije). Çdo njeri përpiqet të lartësojë e zgjerojë shijet dhe njohuritë, duke kontribuar në këtë mënyrë në progresin e shoqërisë në këtë drejtim.


7-…E shëmbëm Murin e Berlinit socrealist, madje,  morëm me vehte nga një “copë muri”, “për kujtim”, të cilin, në vënd që ta vendosim në stendat e muzeumeve, pavetëdijshëm e vendosim si “jastëk ndënë kokë”. Vetkuptohet që me këtë “jastëk ndënë kokë” edhe ëndrat që shohim do jenë “me mure” dhe për pasojë, edhe nëpër librat tanë do çfaqen “mure”. Ende në prozën tonë gëlojnë “heronjtë pozitivë” pavarësisht se janë veshur me kostume apo  minifunde. Temat e veprave aktuale janë  kinse patriotike e nacionaliste, me një vetëvlerësim dhe antipati për të huajin, duke e vendosur vehten në qëndër të botës etj etj. Por elementi më i dallueshëm është vlera letrare me të cilën shprehen. Frazat dhe vargjet që, kur i lexon, të duket se…të kafshojnë, sa të vjen të ulërish.

Në mardhënien shkrimtar-lexues ka një humbje kolosale besimi.

Arsyeja është se në tribunat letrare dominojnë lloj lloj mediokra. Këta janë …detashmenti i…grafomanëve… të cilët …marshojnë triumfalisht me…penë mbërthyer, duke përmbysur  gjithçka që gjejnë përpara dhe që quhet vlerë letrare.

Kështu shpjegohet fakti që kemi detashmentin e kinse-poetëve me nga 40-50 vëllime poetike secili, krahas poetëve të vërtetë me tre-katër vëllime poetike.

Shumë vetë këtë e quajnë krizë letrare. Për mendimin tim gabojnë. Kjo nuk është kriza. Ky është një “boom” botimesh, një inflacion “faqesh të shkruara” vlera reale artistike e të cilave është në rënie të përditëshme dhe që kjo sjell si pasojë moslexueshmërinë e tyre nga lexuesi.

Realisht, ne kemi sot një “boom” botimesh dhe një moslexueshmëri në rritje.

“Boomi” i botimeve, që karakterizohet një cilësi mediokre dhe e ka origjinën pikërisht nga dalja nga diktatura.  Janë ujrat dhe aluvacionet që , me shpërthimin e digës, krijuan baltovinën-kënetore pranë bregut..

8-Mosleximi i librave nga lexuesi, (dhe jo nga krijuesit që shkruajnë pa lexuar…F.Terziu) është pikërisht elementi i parë i krizës letrare, është kundërveprimi ndaj fenomenit të inflacionit të letrave pa vlerë të shkruara. Sepse kriza fillon kur vihet në lëvizje mekanizmi kundërveprues, mekanizmi që synon stabilizimin dhe kthimin në normalitet të vlerave .

Është gati e njëjta gjë si me krizën ekonomike. Superprodhimi nuk është krizë, është rendiment prodhimi. Kriza fillon pikërisht tek tregu, kur vlera e mallit që afrohet është më e madhe se vlera që afron tregu. Kështu malli ngelet pa u shitur, dhe vlera e investuar në prodhimin e tij nuk riciklohet.

Kështu ndodh dhe në letërsi. Vlera (artistike, jo monetare) e veprave që ofrohen nga “boomi” i botimeve, është më i lartë se çmimi që afron tregu . Veçse këtu, duhet të kemi parasysh se te çmimi i tregut përfshihen  si elementë  vlerësues shija dhe koha. Askush nuk do që të prishë shijet e tij dhe të humbasë kohën me disa vepra të rëndomta apo bejte “çobanësh” të veshur me kostum.

Kriza në letërsi, do vijë si një dallgë e madhe, që  rrafshon “kështjellat” prej rrëre, të ngritura në brigjet  e letërsisë nga fëmijët e çdo moshe.

Koha jonë ka nevojë për një krizë të tillë, për një dallgë të madhe …pastrimi të brigjeve letrare dhe harimi të vlerave pa vlerë artistike. Përderisa  kemi “boomin” e botimeve, me siguri së shpejti fillon kriza.

Kjo krizë letrare nuk ka të bëjë me mungesën e botimit të veprave të mirëfillta letrare dhe me vlerë, sepse realisht, vepra me vlerë nga autorë dinjitozë botohen në çdo periudhë historike. Kjo krizë, ka të bëjë me mungesën e besimit të lexuesit ( që e cituam më sipër) te vlera e librave të botuar, pa bërë më parë selektimin dhe diferencimin. Kjo ka dhe rrezikun se, si pasojë e lodhjes së lexuesit nga super-boomi i botimeve, të mos lexohen as krijuesit e vërtetë.

9-Autorët e vërtetë e kanë gjetur  mekanizmin e shpëtimit nga kriza. Me mungesën e censurës shtetërore, ata forcuan dhe ritën autocensurën. Dhe sipas fjalës së popullit..”floriri mbetet flori kudo që të bjerë” lexuesi i vërtetë e gjen floririn letrar duke “situr” male me prozë prozaike.

Një nga rrugët për të dalë nga “kurthi”i “boomit” të botimeve zhurmuese është edhe hypja në anien e letërsisë europiane, nëpërmjet përkthimeve cilësore. Letërsia e vërtetë nuk i njeh kufijtë nacionalë dhe shtetërorë.

Për fat të mirë, shkrimtarët dhe poetët që shkruajnë pa lexuar, nuk i konceptojnë interesat letrare jashtë krahinës së tyre dhe nuk kërkojnë të presin biletën për në anien e linjës europiane. Ata presin që europa të vijë ti gjejë  te klubi ku pinë kafen e mëngjesit.

10-Unë nuk  bëj parashikime afatgjata për fatin e ecurisë së letërsisë, sepse këtu duhet patur parasysh ecuria e shijeve të lexuesit dha aftësia e autorëve për të ndjekur personazhin në kohë.

Në qoftë se duam të ecim me kohën, duhet të kemi kurajën të ndërmarim një nisje të re. Dhe kjo nisje fillon nga vetvetja. Duke aplikuar edhe një profilaksi ndaj virusit  epidemik
të “letërsisë” pa art, duke zgjedhur për biblotekat dhe shijet tona vepra të vërteta letrare.


7-Ju siguroj unë, se të lexosh dhe të rilexosh “Për një mëngjez ndryshe” është një terapi e shkëlqyer ndaj “epidemisë” së prozës prozaike  që përjetojmë.


Sarandë, më 13.02.2016

Tuesday, 9 February 2016

Albina Idrizi per shkrimin tim “Atdheu i mbartur në këngë… ose Atdheu i shpëtuar



Albina Idrizi per shkrimin tim   “Atdheu i mbartur në këngë… ose Atdheu i shpëtuar”.
Përsiatje mbi librin “Rapsodi të një poeme arbëreshë”

Timo, të përgëzoj për shkrimin dhe uroj Agimin për këtë vlerë që i solli letërsisë. Po e përsëris se, ka diçka cvajgiane tek ty, në përshkrimet, analizat që bën në shkrimet tua në të cilat ndjen po aq art, po aq ndjesi, po aq emocion sa në vetë veprën në fjalë. Them se, fatlumë janë (jemi) kush tërheq vëmendjen tënde.
Më la përshtypje venerimi që bën lidhur me jetën dhe ruajtjen e një Arbërie të vogël nga arbëreshët, duke ngritur shtëpitë si në fshatin e tyre të lënë emrin e të cilit e bartin dhe e mbajnë me fshatin e ri. Të njejtat dritare, të njejtat dyer, të njejtat kopshte.. Kjo më kujtoi kur njëherë, një mik tiranas, si në tallje më pyeti se pse ne në Kosovë u kishim lënë emra aq të pakuptimtë fëmijëve tane si Tomorr, Sarandë, Vlorë, Elbasan, Vjosë, Tepelenë,,,Më erdhi shumë keq për mendjengushtësinë e tij dhe iu përgjigja turravrap se, këta emra kishin shumë kuptim për ne, se krejt këtë e kishim bërë nga dashuria dhe malli i po kësaj Arbërie të ndarë me dhunë, se vërtet çdo e dyta shtëpi kishte nê vatrën e vet një emër të tillë që i kanqej kur e shqiptonte duke mbajtur në një fare menyre Arbërinë e tërë brenda asaj ndasie edhe pse nuk ishim aspak te huaj ne kete dhe.. A nuk ishte edhe kjo një betejë e fituar nga ne?
Ju uroj suksese!
Albina
09.02.2016