Tuesday, 5 March 2019

I SHKRETI HODO ALI



I SHKRETI HODO ALI
Shënime mbi një këngë-vaj


Nga Timo Mërkuri

1-Ra topi në Palavli[1]
"Ra topi në Palavli[2],
Fush’ e Delvinës u nxi,
Me nizam’ e me deli,
Dhjetë mijë suvari
I shkreti Hodo Ali[3],
I kish djemtë çilimi,
Bën me dor’e  bën me sy:
O djema, t’u hidhemi, 
Mos trëmbi se s’vritemi
Është nat’ e s’shihemi,
Me plumba s’goditemi,
Me palla do pritemi!...[4]
Për të kuptuar dhe ndjerë këtë këngë popullore duhet të  njohësh historinë e lindjes së saj atë ditë
shtatori të vitit 1847 në betejën zulmëmadhe të Palavlisë, betejë që u shndrua në një kasaphanë
lemeritëse. 
          2-Ishte Qershor i vitit 1847 kur krerët e Shqipërisë së Jugut u mblodhën në Mesaplik. Kënga regjistron:  Mesaplik te rrapi thatë/U mblodhën gjithë kazatë….dhe vendosën: Kurvelesh krye të ngrini/gra e burra armët vini,/nizam’ Turqis’ mos i ipni.. .duke shpallur në këtë mënyrë  kryengritjen e përgjithëshme, të udhëhequr nga… Rrapo Hekali,,/Gjolek Kuçi me pallë/ Hodua që mban kalanë[5]…”
 Rezultati i parë ishte  marja e Delvinës dhe më pas Butrinti.  Sulmi i  Ismail Pashës më 18 Qershor 1847 mbi pozicionet e kryengritësve në Zhulat, Senicë dhe Palavli, u zbraps nga  kryengritësit e udhëhequr nga Skëndo Tarja.
           3-Në 27 shtator[6] të vitit 1847 teatri i luftimeve u zhvendos në Palavli, Vergo dhe Fushë të Delvinës.  ...Por egzistonte një problem në këto fshatra. Nga luftimet e vazhdueshme, ishin vrarë  të gjithë burrat që mund të mbanin armë në fshatrat Vergo, Kopaçez e Palavli. Këtu   mund të gjëndeshin  tre-katër  burra tridhjetvjeçarë të cilët shiheshin si pleq të moshuar, të tjerët qenë fëmijë nën katërmbëdhjetë vjeç. Në këto kushte u dha orientimi që të pranoheshin në radhët e kryengritësve  djemtë  deri në katërmbëdhjet vjeçarë si luftëtarë fronti, ndërsa djemtë nga nëntë deri në trembëdhjetë vjeçarë do ishin në shërbim parapavije[7]. Kështu ndodhi që Hodo Aliut ju desh të udhëhiqte një ushtri me “fëmijë” dhe ju desh që luftën t’jua shpjegonte si një lojë-lufte[8].
Vetkuptohet që në ballë të frontit vendosi luftëtarët e tij lebër duke i lënë në skalion të dytë “fëmijët”. Lufta u zhvillua natën[9] e datës 27 shtator 1847 deri në të gdhirë të datës 28  me sulme e kundrasulme  të njëpasnjëshme që thyen vijat e frontit, duke  kaluar në përleshje trup me trup  me thika.
Dukë qënë se kryengritësit “fëmijë” nuk kishin përvojë luftimi trup më trup, humbjet e tyre ishin shumë të mëdha.  Kur panë këtë situatë, gratë  labe që shërbenin në prapavijë, u sulën  në fushën e betejës në mbrojtje të fëmijëve. Rrëmbenin armët e rëna për tokë ose shkulnin shpatat nga trupat e fëmijëve të vrarë dhe suleshin për hakmarje. Pas tyre u sulën edhe fëmijët e tjerë nën moshën katërmbëdhjetë vjeçare që shërbenin në prapavijë, të cilët nuk kishin asnjë  njohuri luftarake. Pamja ishte lemeritëse. Fëmijë të vrarë e të plagosur, rënë pranë njeri tjetrit, me shikim të habitur, si të mos e besonin vdekjen që u erdhi nga kjo luftë që e morën si lojë. Gratë labe rënë përmbi ta, sikur donin ti pengonin në ikjen e pakthim. Dhe më tejë luftëtarët e Hodo Aliut  duke sokëllitur egërsisht për hakmarje, tek çanin rradhët e dhjetëmijë suvarinjve, të cilët binin të vrarë nga thikat e shpatat, tek përpiqeshin të iknin.
         4-Beteja u fitua, por askush nuk brohoriti.
Askush nuk këndoi[10] këngë për fitoren dhe asnjë valle nuk u hodh pas betejës. Ndoshta ishte e para fitore që kishte shijen e humbjes. Kjo dukej te sytë me lotë të grave labe, që tundeshin sa majtas djathtas gjatë  momenteve të varrimit të të rënëve fëmijë, thua se do futeshin ato vetë në vare, vetëm që fëmijët të ngriheshin e të shkonin të loznin lojrat e tyre. Amani djemo, jo më lojë lufte a të keqen, se na zhuritet shpirti. Humbje tregonin edhe  sytë e luftëtarëve të Hodo Aliut, se për sa i përket Hodo Aliut vetë, asnjëri nuk ja pa sytë ato çaste. I ulur në një shkëmb pak më tejë, me kokën zënë me duar, dukej  sikur e kishin zënë dyzetë palë ethe.
-Ç’bëre Hodo- dukej sikur i hakërehej vetes, duke tërhequr deri në shkulje leshërat e zeza bërshimë[11] - ku i shpure fëmijët. Qysh ua takse[12] vdekjen more i zi kur u the….Me palla do pritemi .... Të rofshin luftërat që ke bërë, se do kujtohesh  për gjithë jetën si komandanti që shpuri fëmijët në kasaphanës. …Nëmat[13] do të vijnë pas e pemët do të bëjnë paçet[14] me hijen e degëve…
              4.1-…I shkreti Hodo Ali…dëgjoi pranë veshit zërin e përvajshëm të një gruaje që kishte zënë vajin dhe u pataks. Ngriti kokën dhe atëherë pa që ishte rrethuar nga një grup grashë labe të  vendosur në formë rrethi, duke e lënë atë në mes. Shamitë i kishin të ulura mbi sy dhe kishin filluar ritin mortor që niste me  vajtimin. Ato nuk kishin vajtuar gjatë varimit, sepse të rënët për atdhe nuk vajtohen po u këndohen këngë. Vërtet që nuk vajtohen heronjtë të rënë në luftë por vallë a rrihet pa vajtuar fëmijët-o. Lufta e bëri të sajën. Nënat do bënin të tyren.
Nuk vajtuan për fëmijët e vrarë, por nisën vajin për Hodo Aliun, siç mund të vajtonin për dhimbjen e një prindi[15] në mortin e të birit. Vajtuan dhimbjen e prindit pa përmëndur vdekjen e
fëmijës.
              4.2-Realisht kjo është e veçanta e kësaj kënge –vaj. Nuk vajtohet për të vrarët, nuk përmënden ata, as plagët e as gjaku i derdhur. Asgjëkundi nuk flitet për vdekjen, por përkundrazi jipet një ambient tepër idilik familjar, Një baba që i kishte fëmijët çiliminj, të vegjël, dhe si çdo prind me fëmijët e vegjël lozte me ta kukafshehti (Bën me dorë e bën me sy) që t’ua bënte më të bukur jetën. Ua ktheu luftën në një lojë lufte (Është natë e s’shihemi,Me plumba s’goditemi). E vetmja gjë që e tradhëton këtë idil loje –luftash është vargu….Me palla do pritemi. Por edhe ky varg nuk është aq i zi sa duket. Këta fëmijë ishin fëmijë barinjsh dhe sigurisht që të gjithë kishin thika dhe biçakë të vegjël, me të cilët qenë prerë në duar e në gishta sa herë. Pra nuk qe ndonjë  gjë e panjohur për fëmijët prerja me thika dhe as aq e rezikëshme, sa që ti trëmbte ata.
Nuk vajtohet për fëmijët por vajtohet për komandantin e tyre, që trajtohet si një prind për ‘ta. Dashuri të madhe ka patur populli për këtë  prijës që ja gdhënd portretin me këtë vajtim brilant, parë nga një këndvështrim  i papërsëritshëm në asnjë rast tjetër. .
 ….I kish djemtë çilimi….vajtoi vajtorja kryesore dhe Hodua ngriu. Jo vetëm që nuk e dënonin  në vaj, por i atribonin atësinë metaforike të fëmijëve të vrarë. Ato nuk i quajtën “luftëtarë” apo “trima” por i quajtën thjeshtë “djem” duke i barazuar me djemtë e tij në Nivicë. Me këtë akt ato i ngarkonin edhe përgjegjësinë e prindit për  përkujdesjen ndaj fëmijëve. I vetëtinë  në kujtesë përcjellja e fëmijëv, “djemve” nga nënave labe dhe fjalët e një gruaje të re në Kopaçezë drejtuar atij; Amanet djalin, Hodo, se e kam të vetëm-o. Më është vrarë burri dhe më mbyllet dera po më pësoi gjë. Ç’ti thotë tani asaj nëne, veçse ti tregojë varin e të birit. Hapu dhe të futem-o.

Bën me dorë e bën me sy…i erdhi në vesh vaji i vajtores dhe këtu Hodua nuk duroi dot. Ju kujtua si lozte me fëmijët e tij në shtëpinë në Nivicë, në ato të pakta raste që kishte kohë të lirë, ndajë shpërtheu në dënesa të rënda që i dilnin nga thellësia e shpirtit. Zuri kokën me duar e nisi të lëkundej…tërë sy e veshë duke dëgjuar ligjërimin e grave. E dinte që ai vajtim ishte historia e asaj beteje dhe e vlerësimit të tij, histori dhe vlerësim që askush nuk e ndryshonte dot sa të jetë jeta. Në qoftë se vajtimi e dënonte, më mirë të mos rronte në këtë botë se s’kishte lumë e det që e lante.
….O djema t’u hidhemi/Mos trëmbi se s’vritemi/Me plumba s’goditemi…vajtonte me nënë zë plot ngashërime edhe Hodo Aliu bashkë me gratë…
….Me palla do pritemi… klithi vajin me një zë të thatë e të  egër vajtorja që ligjëronte ndërsa vajtorja pranë lëshoi një ulërimë ngjethëse…korba djemooooo… duke ngritur kokën lart, thua se i sokëllinte  zotit që bënte sehir aty ku rinte,  te ato retë e bardha mbi Kamenicë. Hodua u hodh përpjetë si i goditur befasisht nga një topuz, kaq shumë dhimbje ndjeu në gjoks. Pa njëherë majtas e djathtas luftëtarët që dëgjonin të heshtur vajin e grave, ktheu kokën nga vajtoret duke i parë me një sy të përlotur, sikur u kërkonte ndjesë dhe …iku me nxitim duke lënë prapa dënesat.
          5- …I shkreti Hodo Ali… Epiteti “I shkreti” i mbeti gjithë jetën si një mbiemër i dytë dhe Hodua s’dinte ç’të bënte, të mërzitej apo të gëzohej. Për të dya kishte arsye. Të mërzitej se nga ky epitet gjithmon i kujtohej ajo masakër mbi fëmijët në Palavli ,duke nënkuptuar kështu ndonjë gabim të mundshëm në drejtimin e luftës prej tij, por nga ana tjetër edhe mund të krenohej, se ishte i vetmi komandant që populli e cilësoi në këngë si  prind i dhëmshur për  luftëtarët e rënë në betejë, pa çka se ishin  luftëtarë-fëmijë.  Populli ja fali fëmijët  se ata ranë në luftë për atdhe dhe Hodo Aliu s’kishte asnjë faj apo gabim. Në fakt, duke e quajtur …I shkreti…populli ja njihte gjithë dhimbjen e vdekjes së fëmijëve Hodo Aliut, si një dhimbje të tij personale, si një humbje personale. I kishte  patur djemtë dhe nuk i ka më, i shkreti ai. E ndjente se ky epitet mbartëte vetëm dhëmshuri dhe as një grimë qortimi.
Por thellë në shpirt ai ndjente një brengë që i rëndonte sa Këndrevica[16] ndaj në luftimet e mëvonëshme dilte fare hapur, thua se kërkonte vdekjen. Ose diçka të afërme a të ngjashme me të. Ndaj kur Mehmet Reshit Pasha  i ftoi krerët e kryengritjes në Fushën e Zhulatit, ku do t’u komunikonte amnistinë, ai e nuhati që kjo amnisti ishte e rreme, por nuk e dëgjoi këshillën e Zenel Gjolekës dhe shkoi në takim bashkë me 84 krerë e komandantë të kryengritjes. U ndje i qetë kur Reshit Pasha i arestoi të tërë dhe i internoi në Adana. Ndoshta mendoi se duke qënë larg do ta haronte ai dhe do ta haronin dhe të tjerët epitetin “i shkreti” që ju ngjit si hije.
Nuk ndjeu ndonjë gëzim edhe kur, i detyruar nga situata, Sulltani i fali në 1849 të gjithë krerët e kryengritjes së 1847 që kishte arestuar dhe internuar. Madje Hodua ju përgjigj edhe ftesës për pjesmarje në luftën e vitit 1852 me malazeztë, të cilët sulmuan rrethinat e Shkodrës, me mendimin se kjo luftë në trevat veriore do t’i haronte gjëmat e së shkuarës.
Por ja që dhe këtu kënga popullore i rikujtoi epitetin e vjetër…i shkreti…kur i këndoi:- I shkreti Hodo Nivicë,/Bën dyfek në Podgoricë[17]/ Bam e bum e dot s’e vrisnë/Plumbatë më të s’kolisnë/Setrën e shkretë ja grisnë ... madje duke ja zgjeruar diapazonin e epitetit edhe te veshjet (setrën e shkretë), madje edhe te kali i tij….Hingëllin i shkreti kalë/Hingëllin e s’do të hajë/Njëzet veta dot se mbajnë….
Ju ngjit ky epitet deri në momentin e  vdekjes: -Të enjten e të xhumanë/Hodo trimi e dha xhanë/Qaj e qaj moj Këndrevicë/Qaj drërin e Shqipërisë/Të shkretin Hodo Nivicë…

Eh si është fati. Lufton njeriu një jetë për lirinë e atdheut dhe më së paku ëndëron një vdekje trimi në betejë, me plumb a me pallë, por fati për ironi i jep në Shpuzë të Podgoricës një vdekje të denjë për pleq të lodhur,  mbledhur kruspull në një çadër turke, nga një sëmundje e rëndomtë …
…I shkreti Hodo Ali…

Sarandë, më 4 Mars 2019


[1] Kënduar nga grupi i këngës popullore “Kaonët” Delvinë. Marrës Ajet Duka, kthyes Krenar Duka, hedhës Nuri Hamzai, iso Riza Pula, Fatmir Muzhai, Artan Muzhai, Fejzo Duka.

[2]Fshat në Fushën e Delvinës ku më shtator  1847 u bë beteja midis forcave kryengritëse shqiptare dhe ushtrisë turke
[3] Hodo Ali Beqohiti  i njohur në popull me emrin Hodo Aliu dhe Hodo Nivica.  Lindur në Nivicë të Kurveleshit më 1805, Vdekur në Shpuzë të Podgoricës, Mali i Zi më 1852

[4] Kjo këngë ndodhet edhe te Mbledhës  të folklorit 5, Këngë popullore nga rrethinat e Kardhiqit dhe të Rrëzomës fq 60 me titull “Zunë malet e rënkojnë” rregjistruar në fshatin Kopaçez të Delvinës në vitin 1963 dhe ka gjithsejt 26 vargje. Por  siç do shohim në analizën tonë, kësaj kënge i janë shtuar vargje që u takojnë këngëve të tjera për Hodo Aliun ose jo, madje edhe vargu i parë “Zunë malet e rënkojnë” është huazuar nga një tjetër këngë popullore (Zunë malet e rënkojnë/Bolen e Kuçi u dogjnë). Regjistrimi i parë i kësaj kënge figuron  te libri i A. Dozon i vitit 1879 me titull "Manuel de la langue Chkipe", kënga me nr 57 dhe prej këtej është përfshirë në Librin Mbledhës të Folklorit viti 1961 në faqen 313 (Vënë në dispozicion nga A.Duka)   dhe ka këtë tekst: "Ra topi në Palavli,/Fush’ e Delvinës u nxi, /Me nizam’ e me deli,/Gjithë djem delikalli/ Të shumtë në Gegëri/ Gjoleka s’u ndodh aty /I shkreti Hodo Ali,/Vetë e bëri beli/ O burra, t’u hidhemi, /Mos druani se s’vrite-mi / As me plumb goditemi… 




[5] Rrapo Hekali drejtonte kryengritjen në Mallakastër e Berat, Zenel Gjoleka në Kurvelesh, Labëri e Bregdet dhe Hodo Aliu në Gjirokastër e Delvinë.
[6] Aposto Pango “Enciklopedia e  Delvinës dhe Sarandës” Botimet TOENA fq 225… Mexhit Kokalari  ”Trima të kryengritjeve popullore”… Shtëpia Botuese “8 Nëntori” 1979 fq 126

[7] Mexhit Kokalari  ”Trima të kryengritjeve popullore”… Shtëpia Botuese “8 Nëntori” 1979 fq 142

[8] Bën me dorë e bën me sy dëshmon kënga
[9] Është natë e s’shihemi thotë kënga
[10] Realisht nuk egziston asnjë këngë e till për këtë betejë.
[11] Të gjata e të pa krehura.
[12] Ua caktove, ua zgjodhe
[13] Mallëkimet
[14] Gjesti i shtrirjes së pëllëmbës së hapur në drejtim të personit që  mallëkohet, munxat.
[15] Është e zakonëshme të vajtohet për dhimbjen e prindërive që humbasin djalin.Madje shpesh herë këtë vajtim e nisin vetë prindërit.
[16] Mali i Këndrevicës
[17] Te “Mbledhës  të folklorit 5, Këngë popullore nga rrethinat e Kardhiqit dhe të Rrëzomës fq 60 me titull “Zunë malet e rënkojnë” thuhet: Në sheshe, në Kamenicë, /Të shkretit Hodo Nivicë, /Ju vesh nizami galicë, /Bam’ ja bëjn’ e dot s’e vrisnë, /Plumatë më të s’kolisnë….Duket që këto vargje janë marë nga kënga për luftën në Podgoricë, sepse variant i sipërcituar ka  më përpara vargjet .. Dhe malazeztë bezdisnë/Nga koshadhet që gjezdisnë… apo vargjet e tjera:O Hodo, Hodo Nivica, /I lartë si Këndrëvica; /O Hodo Beu, o nurë, /Fora me këllëç desturë…që janë në një tjetër këngë për Hodo Aliun, por për luftën në veri. 


Saturday, 23 February 2019

Lëre Hankon të qajë, o Petrit Ruka!


Lëre Hankon të qajë, o Petrit Ruka!

Përsiatje mbi baladën “Hanko mos qaj nëpër varre” të Petrit Rukës[1]

Nga Timo Mërkuri

            1….Hanko mos qaj nëpër varre

            Edhe unë kështu do t’i thosha, more Petrit Ruka, po ta dëgjoja duke qarë nëpër varret e Kamenicës. Domosdo që kështu do t’i thosha, madje edhe më tej, do i jepja një shami të fshinte lotët e do t’i lutesha që të dilte nga varreza, se nuk ishte e diela e të vdekurve ajo ditë dhe kësisoj, nuk bënte t’u prishte qetësinë të shumtëve. Domosdo që kështu do t’i thosha, po pasi të përmendesha nga të fikëtit që do më kish rënë me domosdo qysh në fillim të vajit. Ose do zija kokën me duar e do nisja vajin bashkë me të. Se kjo ishte gjëmë mbi gjëmë, nga ato që qahen me bot. Ja, mendoje vetë njëherë. Vjen vajza në derë të babait dhe s’gjen as baba dhe as derë, madje s’gjen as prag të derës.. Kërkon babën, mëmën e motrën dhe s’u gjen as hijet nëpër shtëpi, se për vëllanë i thanë që u vra, ndaj u nis që me natë nga Zhulati. Nëpër fshat s’ka kë të pyesë se s’sheh njeri, as nëpër rrugë e as nëpër dritare. Po ç’është kjo ëndërr e keqe që po sheh syzgjuar? Vjen vajza në shtëpi dhe mirë që nuk gjen prindërit, vëllanë e motrën, po nuk gjen as Kamenicën. Se Kamenica ishte Kamenicë me halle, kasaba e shkuar kasabasë. Shtëpitë me dy- tri kate, me portikët e mermertë ku qene gdhendur stema e zhgabonja e me dritare të mëdha, ku vajzat, fshehur pas saksive, hidhnin e prisnin isharete të trëndafilta me djemtë që kinse shkonin rrugës. Plakat po nëpër pragje tirrnin orët e ditës e thurnin fijet e fatit. Rrugët e kalldrëmta ku kërcisnin dhe ëndrat, pa le më patkonjtë e kuajve…
      Vrapon për në varreza të takojë të vdekurit, por lemeri mbi lemeri. Kisha pa këmbanë e varret pa kryq, varret e vjetra të hapura dhe varret e reja të pambuluara. Ku është tretur gjyshja e ku ta qajë vëllanë…oi, ooi.
2-Kamenica, qytet me legjendë themelimi nga Neptolemi (i biri i Akilit) i kthyer nga Troja, që rrezatoi një kulturë e qytetërim në trevat përreth, me mbi 600 familje të ndara në katër lagje (viti 1583), me 12 kisha që dëshmojnë një kristianizëm të hershëm. Në vitin 1650 në Labëri filloi myslymanizmi. Kamenica refuzoi dhe pas disa betejave të pasuksesshme me turqit, u mor vendimi popullor për braktisjen e vendit duke shkuar të gjithë banorët në drejtim të Italisë.
     3.- Teksti real i mbërritur te ne nga kjo këngë[2] është regjistruar në Zhulat-Gjirokastër në 1979 është:
                            Hanko mos shko nëpër varre
Hanko pelivaneja
Se të vdekurit i ngjalle
Të gjallët i vdiqe fare
Mes’holl e vathë manxhare
Hanko mos shko nëpër gurrë
Se s’më del na mëntë kurrë
Qafëgjat leshëra drudhë
Kur del te porta në udhë
Vete në çezm e mbushë ujë
Pse s’na flet, o mori ftujë .

            E parë në këtë kontekst, kënga duket si një këngë lirike dhe u jep të drejtë të gjithë admiruesve të kësaj linje.
       3-  Ismail Kadare[3] , duke patur në dorë një  antologji të këngës popullore të botuar në vitet ’60 , në të cilën kjo këngë ishte botuar  përafërsisht në këtë variant, bën këtë koment këngës së Hankos:
"Megjithëse për përshkrimin trupor të bukurisë femërore poeti anonim ka të gjitha mjetet, ai rrallë përdor laboratorin e vet, duke parapëlqyer rrugën e tërthortë. Përshkrimi i bukurisë së Helenës së Trojës është quajtur një nga gjetjet gjeniale të Homerit... Ja tani bukuria e një vajze me emrin Hanko:
              Hanko mos shko nëpër varre
Se të vdekurit i ngjalle
Të gjallët i vdiqe fare
Është po ajo gjetje e Homerit veçse ajo shkon më larg. Nuk janë pleqtë e lajthitur nga jeta që
mahniten prej gruas, por shumë më tej, janë ata që kanë pushuar së jetuari fare...
      Theksoj qysh në fillim se ka një keqkuptim  në variantet e publikuar nëpër disa antologji dhe ky keqkuptim citohet nga Petrit Ruka qysh në fillim të poemës, kur shkruan… Prej gati pesë shekujsh vazhdon keqkuptimi i madh se balada rrëqethëse "Hanko mos shko nëpër varre" është një romancë dashurie. ….do të mjaftonte veç vargu i parë i këngës origjinale (i harruar a i humbur) për ta përmbysur kokë e këmbë keqkuptimin fatal për një nga kryeveprat e folklorit shqiptar[4]
                    3.1.a-  Epiteti “Hanko”,  që e përkthyer në shqip do të thotë “Zonjë” u rezervohet grave të martuara. Ti drejtohesh një gruaje me epitetin “Hanko”, “Zonjë” tregon një respekt për gjëndjen e saj civile (e martuar), sociale (në një nivel të ngritur shoqëror dhe ekonomik).. Por gjithashtu ky epitet të fton të mbash një distancë respekti edhe për moshën e saj të ritur dhe nuk lë hapërsirë për koplimenta dhe ftesa romantike. Për ti bërë koplimenta një femre do ti drejtohesh më së paku me epitetin çupë (Çup e Veli beut), vajzë (Vajzat e hoxhës të tria) apo epitete të mara nga bota e luleve, pemëve, blegtorisë (kuacë e kuqe, bejkë e bardhë, pjeshkë) etj. Poeti popullor është shumë i kujdesshëm në fjalorin e tij kur u drejtohet vajzave dhe grave nëpër situata të caktuara. Duke qënë se kemi të bëjmë me një situatë mortore, ai i drejtohet femrës me respektin më të madh, duke e quajtur “Hanko”, “zonjë”, pavarësisht në se  kishte realisht rangun  shoqëror për  këtë titull.     
               3.1. b- Duke e parë me vëmendje tekstin e mësipërm konstaton lehtësisht se vargu …Hanko mos shko nëpër gurrë … e vijuesat, janë vargje kënge të shtuar në kohë të mëvonë-shme pas vargjeve të vajit të mëparshme, ku Hankua shkonte nëpër varre. Kjo dallohet pikërisht nga ambienti ku lëviz personazhi i këngës lirike, lëvizje e cila  nuk shkon asnjëherë nga varrezat te gurrat. Pra kemi dy këngë të bashkuara, ose më saktë një vajtim dhe një këngë lirike. Ose në rastin më të mirë ndonjë krijues  popullor, i frymëzuar nga kënga e Hankos nëpër varre, duke hequr vargun e parë dhe refrenin, ka krijuar pjesën e dytë  duke ja shtuar këngës origjinale, me mendimin se po e çon përpara këngën, pa i shkuar ndër mënd se e deformon kryekëput idenë e saj. Kjo s'ka pse të na habisë pasi në Vlorë në vitin 1959 është regjistruar një tjetër këngë lirike ku janë shtuarnë mbyllje vargjet e famshme të Hankos dhe që thotë: Krevati me boje arre, /Bajame, / pranë penxheres e maje; /përkundrejt keshe ca male,/ maje vesh cules diare,/un' i bjerje, tine qaje./Hanko, mos shko neper varre,/moj mushk' e kuqe xanxare,/se te dekurit i ngjalle,/te gjallet i diqe fare!
       3.1.c- Po ashtu edhe folja “shko” në kontekstin “mos shko nëpër varre’’ të lë iluzionin e një ftese për të mos shkuar diku (në varre) për shëtitje a diçka tjetër. Por ç’shëtitje mund të bënte nusja Hanko në Kamenicën e braktisur dhe ca më tepër në varrezat e saj? Pra vetëkuptohet që përjashtohet kjo mundësi interpretimi. Gjithashtu në traditën shqiptare shprehja “të shkoj nëpër varre” ka kuptimin do shkoj të vajtoj në varreza, te varret e të mive. Dhe logjikisht në varreza shkohet vetëm për të vajtuar dhe jo për t'u dukur të të shohin sa e bukur je. Për ti shmangur këto interpretime poeti Petrit Ruka zëvendëson foljen “shko” me foljen “qaj” duke vënë më në dukje veprimin.
        4- Varianti që këndon[5] populli fillon me vargjet : Ç'kërkon ti në Kamenicë,/Hanko korb’ e
Hanko qyqe,/Hanko pelivaneja, variant që  e përjashton kategorikisht idenë e një këngë lirike. Kjo duket qysh te cilësimi korb’ dhe qyqe që i bëhet Hankos te vargu i dytë, i cili luan edhe rolin e një refreni te kënga, cilësim i cili është i papranueshëm në një këngë lirike. Ndërsa vargu Hanko pelivaneja ka kuptimin pozitiv e shkathët, pra një grua e shkathët. Pikërisht mungesa e vargjeve..:Ç'kërkon ti në Kamenicë,/Hanko korb’ e Hanko qyqe,/Hanko pelivaneja....ka ndryshu-ar komplet natyrën e këngës dhe duke qenë se kënga dhe vaji janë shumë pranë njëra tjetrës, lehtësisht një vajtim është shndërruar në këngë, duke i hequr një varg dhe një refren.
       4.1-Jemi dakort me studiuesin Fitim Çaushi[6] kur shkruan se: emri Hanko në këtë këngë nuk është emër personi, por titull i hierarkisë shoqërore, me të cilin emërtoheshin vajzat dhe gratë e shtresave të pasura.
           Realisht banorët e Kamenicës ishin kristianë ortodoks dhe vajza, para martese  kishte një emër po ortodoks, por siç duket është martuar në një familje të pasur të besimit mysliman dhe në këtë mënyrë i është shtuar titulli Hanko (Zonjë) para emrit. Madje mund edhe t’ia kenë ndëruar emrin ortodoks me një emër mysliman. Por banorët ortodoksë të zonës përreth (Senicë) nuk e kanë bërë dallimin e titullit me emrin dhe duke qënë se fjala “hanko” dëgjohej më shpesh, me këtë “emër” kanë vijuar ta thërasin vajzën kamenicjote që vinte  te dera e babait, pa e kuptuar se e thërisnin jo me emrin, por me titullin e saj  shoqëror. Prandaj dhe kënga ka ardhur me emrin-titull Hanko dhe jo me emrin e saj të vajzërisë ortodokse apo emrin e ri mysliman të pas martesës..
          4.1.a- Në këtë konteks hipotezojmë edhe autorësinë e kësaj kënge të ndonjë  rapsodit të besimit  ortodoks    fshatrave pranë Kamenicës (psh Senica), sepse po të ishte rapsod mysliman,  pas titullit “hanko” do shtonte emrin mysliman të saj, psh Hanko Selime[7].
        4.1.b- Në lidhje me shkrimin e sipërcituar të Fitim Çaushit, nuk jemi dakord kur thotë se ky krijim është vajtimi i një shoqëruese të Hankos gjatë vizitave të saj të përmortëshme në Kamenicë.
           Këmbngulim se ky krijim, është krijim popullor që ka për bazë kolektivitetin dhe anonimatin dhe nuk mund të identifikohet me një person, si shoqëruesja e Hankos.
        5- Në qoftë se do ëndërrojmë për ndonjë subjekt, ai përafërsisht ka këtë rrjedhë: Me qëllim që të mos pranonin kushtet e pushtuesit turk për ndërrimin e fesë, banorët e Kamenicës braktisin qytezën befasisht natën, duke marrë me vete gjithë ç’mund të merrnin, veshje , ushqime, stema e armë, ikona e kambana të kishës, kryqe të varreve dhe gurët e pragjeve. Ikën me anie dhe në Itali krijuan fshatin e ri Kamenicë, ku u riorganizuan përafërsisht sipas lagjeve që kishin patur në qytezën e tyre. Por ndërkohë në Kamenicë vjen një vajzë vendi e martuar në një fshat që është konvertuar në fenë myslimane, madje asaj i drejtohen me titullin “Hanko”, e barazvlefshme me “Zonjë”. Kjo vajzë, pasi pa qytezën të braktisur, shkon në varreza ku vajton mbi varre të vrarët e luftës së fundit, ku mund të ketë qenë dhe një vëlla i saj apo i ati. Si rëndom, nëpër varreza  vajton për të afërmin e saj dhe është normale që të vijojë vajtimin për Kamenicën e vdekur.
       5.1- Asnjëherë populli ynë nuk ka harruar që në vajtimet e tij të shprehte dhimbjen për fatet e fshatit, krahinës dhe të atdheut, krahas dhimbjes për rënien e bijve të tij në luftë apo çfarëdo vdekje. Një grua pilurjote vajtonte dy djemtë e saj të vrarë në luftë në 1750 me vargjet e vajit: "Ç’dreq e pru këtu sulltanë/Erdhi na dogji vatanë/E na vrau djemtë tanë…" Ose një këngë e luftës së 1920 fillon me vargjet klithmë; "O djem se iku vatani/Na e mori breshkamani." Më kujtohet një këngë-vaj e kohës së luftës së dytë botërore për Vunoin që thotë: U prishe Vuno u prishe/Të vjen gjylja prej Vishe/…/Shtëpitë me dy tri kate/S’jan’ ahure, jan’ pallate.
       5.2- Ishte normale që Hanko të vajtonte të afërmit e saj bashkë me Kamenicën. Por ligjërimet e saj duhet të kenë qenë mjaftë të ndjera qoftë si tekste qoftë dhe si ligjërim. Me siguri që vajtimet e saj duhet të kenë qenë nga ato vajtime, në dëgjimin e të cilave shumë burrave u bie të fikët nga tronditja. Kaq shumë tronditje duhet të kenë prodhuar, sa që njerëzve u dukej sikur lëviznin dhe të vdekurit në varre, “ngjalleshin” nga tronditja, sepse nga vajtimi “mësonin” fatkeqësinë që e kishte gjetur Kamenicën pas vdekjes së tyre.. Po, sigurisht që ajo ka qenë një vajtore e famshme, pasi vajtimi i saj tërhiqte vëmendjen e banorëve të fshatrave përreth, të cilët gjenin te vaji i saj shprehjen e dhimbjes së tyre. Ata s'kishin sy të shihnin sa e bukur ishte kjo Hanko, ata kishin veshë e shpirt të dëgjonin dhe të vajtonin bashkë ligjërimet e saj.
        6- Kështu, të tronditur nga dhimbja ata afroheshin në varreza dhe i luteshin Hankos që të mos vajtonte më “në atë mënyrë” se “i vdiste fare” ata që e dëgjonin. Madje, duke i treguar edhe ndonjë varr ku kishte lëvizur dheu (për arsye sizmike) i thoshin se dhe të vdekurit “i ngjallte me vajtimet e saj”. Unë e di që shumë lexues nuk do ta kuptojnë këtë që shkruaj, por unë dhe Petrit Ruka që jemi nga trevat e vajtimit me ligje, kemi qenë dëshmitarë nëpër morte, ku të pranishmit u drejtoheshin vajtoreve me lutjen; Pushoni moj se na vdiqët me këto vaje….ose….mjaftë më me vaje, lereni të tretet i ziu djalë se e ngritët nga varri…
Është kjo psikologjia që ka krijuar vargjet famoze, që ndrijnë nga lotët (jo nga diamantët) "Hanko mos shko nëpër varre/se të vdekurit i ngjalle/të gjallët i vdiqe fare."
            Këto vargje vaji i shkojnë shumë bukur edhe një kënge lirike, mjafton të heqësh vargun e parë dhe refrenin. Është nga të rrallat këngë që të mahnit sido që ta shohësh, si vaj apo si këngë lirike. I ngjan vërtet diamantit që të mahnit nga çdo anë ta shohësh.
        7- Mua më vjen mirë që edhe Ismail Kadareja, ky mjeshtër i madh i penës dhe njohës i folklorit “u ngatërrua” te kjo këngë. Nuk është mosparje e I. Kadaresë, është shkëlqim verbues i krijimit popullor dhe finesë e tij, që në një varg fsheh një botë të tërë. Jam i bindur se Ismail Kadareja po të kishte në dorë tekstin e plotë, përsëri do kishte krijuar një kryevepër për këtë vajtim, siç e shkroi për këngën.
            8- Eh more Petrit Ruka, mirë i thua Hanko mos qaj nëpër varre, prapë mirë që ja thua me të qarë, po pse mundohesh ta fshehësh vajin more djalë.. Apo mendon se s’të kuptojmë ne? Po pse more, duke fshirë lotët me mëngët e këmishës, mendon se do fshehësh vajin dhe gulçet e shpirtit? Po ka bir nëne që nuk ngashërehet me vargjet… "Hanko mos qaj nëpër varre/Se të vdekurit i ngjalle,/Mos i nxirr nga nata!/Hanko mos shko nëpër varre,/Mos i laj me lot,/Të gjallët i vdiqe fare/Ikën nga kjo botë." Ose ai portret i krijuar me bojë lotësh e jo me bojë vaji apo uji që i bën Hankos  e që feks nga çdo anë, ku i thua:-Hanko t'u thinjën balluket/që kullojnë ar,/Të vjen vjeshta, të merr supet/s'kemi më behar./Hanko mos qaj më me ligje, /Ngjethe gurë e drurë, /Ngrinë sorkadhet, qajnë në shtigje/Era u bë mur…
Po kur qan ti që je burrë, si të mos qajë e zeza Hanko për të vetët e për të shkretën Kamenicë, mbetur si një plakë kërcure, ku edhe era shkon me kuje e me ulërimë.
            Të qe ndonjë tjetër edhe mund ta toleroja. Por nuk mund të të toleroj ty, o tepelenasi Petrit Ruka, sepse ti ashtu si dhe unë, je nga trevat që vajtojnë me ligje dhe e di mirë  se çfarë është vajtimi.
            Vajtimi është fjalë perëndie. Askush nuk guxon ta ndërpresë vajtimin e një gruaje që vajton mbi varre. Ajo do ligjërojë sa ta zbrazë gjithë dertin që ka në shpirt edhe sikur vaji të vazhdojë një ditë e një natë pa pushim. Vetëm ndonjë plakë e moçme mund të guxojë t’i afrohet dhe duke qarë dhe ajo e duke e përkëdhelur me dhembshuri t’i lutet me fjalët; Eja o shpirt, o zemër të vemi në shtëpi, se do vijmë prapë nesër ta qajmë me lebeti. Lere të pushojë aty nën dhe i varfëri sot….etj kësisoj.      
            Vajtimi nuk është një të qarë me ë e ëëë.
            Vajtimi është duf i shpirtit që po s’doli me ligje, plas zemra e njeriut. Dhe njeriu që vete zemër plasur në atë botë, ti e di që nuk tretet kollaj.
            Vajtimi është kujtesë për mos të përsëritur gabimet e të ikurve.
            Vajtimi është kujtimi i të mirëve të kësaj bote.
            Ligjërimi i tij është si qiriri që ndizet në kishë, me qëllim që zoti të na shohë e të na njohë kush jemi ne që i lutemi e të na pranojë lutjen.
            Vajtimi është dokument i shkruar në kujtesën e popullit për të mirët e zemrës dhe të vatanit. Po u shkrua dhe u vulos nuk griset dhe as digjet ky dokument.
            Vajtimi është mosha e djalit dhe e vajzës kur njohin veten dhe nisin e njohin dhe jetën.
            Vajtimi është malli i zemrës, fytyra e qeshur e nënës dhe fjala serioze e babait.
            Vajtimi është dashuria që ke rritur në zemër dhe mbjell në jetë.

            Prandaj, o Petrit Ruka, lere Hankon të qajë me ligje se kemi nevojë edhe ne të qajmë bashkë me të.


Sarandë, më 19.02.22019


[1] -Publikuar në fb më datën 18.02.2019
[2] "Këngë popullore nga rrethina e Kardhiqit" dhe e Rrëzomës fq. 482
[3] I.Kadare “Autobiografia e popullit në vargje” fq 101
[4] Varianti që ka komentuar Ismail Kadareja në essen e tij mendoj se është marrë nga një antologji e këngëve popullore botuar në vitet ’60, ku te kjo këngë mungon vargu i parë dhe refreni.
[5] youtube.com “Hanko pelivaneja” Këngë labe, marës Gjergj Aliko, kthyes Hekuran Gjokoli, hedhës Parim Nora
[6] F. Çaushi, Bukuria e një ligjërimi artistik. Zemra shqiptare 23.02.2012. 
[7] ...Hallit si i bëhet/ Hanko Selime/Ti kërkon fustan/Unë skam me se... Këngë popullore.

Tuesday, 19 February 2019

KUR FJALËN E MERR NJË STUDIES SI TIMO MERKURI

KUR FJALËN E MERR NJË STUDIES SI TIMO MERKURI
Kur fjalën e merr një studiues i folklorit shqiptar si Timo Mërkuri është një nder i madh për një krijues që rreket të vijë në krijimtari me motive popullore. Duhet të heqësh duart nga xhepi e ta presësh me nderim gjykimin e tij të mençur e tejet analitik. I kam lexuar të gjithë librat e tij të kësaj fushe dhe mund të them plot bindje se sot është një autoritet i padiskutueshëm në këtë hulli, Ndjehem i përkëdhelur që gjithmonë, gati gjithmonë ka shkruar me përkushtim ndaj tërë baladave të mia. U është afruar plot dashuri dhe këmbëngulje për t'i analizuar ato deri në detaje, me një njohje dhe këndvështrim që të mbush plot admirim dhe mirënjohje për gjykimin dhe talentin e pashoq për të depërtuar deri në detajet më të holla të ngrehinës së tyre. E kjo të mbush plot mirënjohje dhe nderim për mendje të tilla kaq çmuara.
Sërish faleminderit Timo i dashur!
Tiranë, më 19.2.22019