Sunday, 2 February 2020

PËR BESËN E KOSTANDINIT


PËR BESËN E KOSTANDINIT

…dhe poetin me besë…

Nga Timo Mërkuri


As e re dhe as e papritur nuk ishte për lexuesit prurja më e fundit  e Petrit Rukës, krijimi poetik “Besa e Kostandinit”. Për nga entusiazmi që ngjalli te lexuesit dhe për sfidën që i bëri botës letrare disi të çoroditur shqiptare, shfaqja e saj në portale i ngjan shpalosjes së flamurit në një shesh beteje me thirrjen…”Pas meje kush është shqiptar”.
       Pas një sërë baladash, njëra më e bukur se tjetra Petrit Ruka na pruri Kostandinin dhe  bashkë me të edhe Jurendinën në vithe të kalit. Nuk e dimë në se Jurendinën e pruri Kostandini sepse i kishte dhënë besën  Zonjës Mëmë se do ja sillte kurdoherë që ajo ta kërkonte apo e solli vetë Petrit Ruka, si një Kostandin i ri. Por ajo që dihet është fakti se lexuesi shqiptar e priste me besim dhe me padurim nga Petrit Ruka Kostandinin dhe Jurendinën, sepse koha e kërkonte që ata të vinin  përsëri. Boll ndenji Kostandini në atë varr të lagësht dhe mjaft qëndroi Jurendina e malluar në atë vend të largët, ndërkohë që në vendin e tyre “besa” e Kostandinit kish nisur  të tretet e hollohet dhe ishte në prag të këputjes dhe si moshataret e Jurendinës ishin  larg e larg emigruar , shtatë male kaptuar, e ca më keq ngrysen si prostituta trotuareve. Koha e kërkonte përsëri Kostandinin të vinte bashkë me motrën dhe nën shembullin e tij  të nisen edhe vëllezërit e tjerë të motrave e t’i  risjellin ato pranë Zonjave Mëma.
          Balada e Kostandinit dhe Jureneinës ka qenë si Guri i Sizifit për Petrit Rukën, ngre e ngjit të përpjetën  e rrëzohu për pesë vjet rresht, por më në fund ai e ngjiti këtë Gur në majë dhe ca më tepër nguli në të përjetësisht flamurin e “besës shqiptare” në mënyrë të paheqshme, si një shpatë Excalibur të ngulur në shkëmb... Unë ju them ta lexoni e rilexoni Petrit Rukën  se ai është nga të paktët poetë që shkruan shqiptarisht, ndërkohë që shumë poetë të tjerë vetëm sa kanë mësuar që të shkruajnë shqip.
          Petrit Ruka na e solli Kostandinin dhe Jurendinën në këtë baladë  me të gjitha “takëmet” e hershme të trashëguar nga shtëpia e saj fisnike[1],  që ndrijnë  nëpër vargje.
Vargjet plot shkëlqim poetik si kallëpe ari, stivosur nëpër sftrofa si ndër  paletat e hekurta
 të kasafortave të thesarit të shtetit të lbyrin sytë me dritën e tyre, të  mehin frymën me pasurinë që përmbajnë në vetvete, të madhojnë  zemrën sa shtatë dete me horizontet e kaltëra që të hapin para syve, të japin guximin e përroit që rrjedh teposhtë me rrëmbin dhe të bëjnë të fortë si mali që  s’tundet nga rrufeja  e nga gjëmimi..
        1-Në pamje të parë , krijimi poetik i Petrit Rukës duket si një krijim i gjatë, që do shumë kohë të lexohet. Por në fakt është e kundërta,  ky krijim është i tillë që e shkurton kohën, e ngjesh duke e mbledhur në një moment, sa që habitesh se si e pse përfundoi kaq shpejt balada. Për këtë fenomen shpjegimi është i thjeshtë, në qoftë se për disa balada Petrit Ruka e sjell ngjarjen në kohën tonë, për Kostandinin dhe Jurentinën na mori ne dhe na çoi brenda epokës së ringjalljes, kaq mjeshtërisht e ka shkruar. Ishte e pamundur prurja e baladës në kohën tone, kishte peshë të rrëndë, prandaj ne e lexojmë këtë baladë sikur e jetojmë nga brenda saj. Në leximin e parë mrekullohesh me këtë mrekulli poetike, ndërkohë që në leximin  e dytë  ndërgjegjësohesh për mesazhin e krijimit poetik dhe krenohesh me faktin e të qënit shqiptar, bashkëkombas i Kostandinit, deri në atë shkallë sa që dëshiron të jeshë edhe ti një Kostandin i ri… Është koha për një Kostandin të Ri.
          1.a- E theksojmë qysh në krye të radhës se balada është shqiptare. Balada “Kostandini dhe Jurendina[2]” ose “Besa e Kostandinit” siç quhet më shpesh është një ndër baladat shqiptare më magjepëse, autorësinë e së cilës e pretendojnë disa popuj me argumentin e egzistencës së ndonjë motërzimi të saj në folklorin e tyre, por pa shpjeguar  se si mbriti deri aty. Le ta zgjidhim qysh në fillim këtë problem me një ballafaqim të varianteve të popujve pretedentë.
      1.b-Balada “Besa e Kostandinit”  është balada e “besës[3]” ose e “fjalës së dhënë”.
Kemi të drejtë të këmbngulim në  origjinën shqiptare të baladës për arsye se motori që vë në lëvizje baladën është “besa”, “fjala e dhënë” dhe dihet që “besa” është nocion dhe praktikë vetëm shqiptare. Popujt e tjerë nuk e njohin konceptin e “besës”, sepse është fenomen  vetëm shqiptar. Serbët e quajnë “besën” ‘'Arbanska vjeru'’, duke cilësuar origjinën shqiptare, ndonëse përkthimi fjalë për fjalë i shprehjes serbe do të thotë “Besimi shqiptar” (vjeru- besim)[4]. Popujt e tjerë, hungarezët, bullgarët etj, e përdorin të huazuar nga gjuha shqipe  në formën origjinale “besë”, duke e shoqëruar me shpjegime si një fenomen vetëm shqiptar. Ky fakt është çelësi shpjegues për variantet dhe motërzimet e  baladës të popujve të tjerë dhe këtu specialistët e huaj nuk orientohen dot. Hutohen më shumë kur  kuptojnë se “besa” është thjeshtë  “fjala[5] e dhënë” shoqëruar me një shtrëngim dore dhe jo me ndonjë dokument. Duke qenë se “besa”  në baladë dhe në kombin shqiptar është në “përqindjen maksimale të mundëshme”  e pranishme, atëherë lehtësisht konkludohet  lidhja “biologjike” mes popullit tonë dhe baladës (baladave) ashtu siç konkludohet atësia/mëmësia e një fëmije me prindin nga  AND e njëjtë.
      1.c-Kjo baladë në gjuhën shqipe  ekziston në disa motërzime dhe ka shtrirje në gjithë teritorin e banuar  nga shqiptarët si dhe në ngulimet jashtë vendit p.sh në Kalabri, te Arvanitasit etj. Gjithashtu populli ynë ka disa balada me “besë” si “Balada e murimit” madje në  tre variante, murimi në kështjellë, në urë dhe në kishë, balada e “Kostandinit të Vogëlth”, “Kënga e Halil Garisë”, këngë e përralla dhe ninulla, madje motivi i “besës” është shtrirë edhe në pemëtari …Edhe lisit po i dhe fjalën dhe s’e mbajti, i thahen degët” thotë një fjalë e urtë. Brenda  kufirit shtetëror, dendësinë më të madhe   balada e “besës” e ka në zonën e Beratit, ku i jepet edhe një shpjegim emrit Kostandin me domethënien …Kush ta ndijë (s’do ta besojë)… Kjo dendësi në këtë zonë na bën të kthejmë shikimin nga zona pranë Tomorit, të kujtojmë Dodonën dimërkeqe dhe rolin e saj thelbësor në formimin e psikologjisë dhe botës shqiptare, duke u pranuar hipoteza se baladën e kanë shqiptuar fillimisht pëllumbat  e zotit të Dodonës.
       1.c-Kjo dendësi shpjegohet  me faktin se populli ynë e ka pasur problem prioritar konsolidimin e “besës” në jetën shqiptare si element thelbësor i identitetit të tij për të qenë “popull me besë”. Në botën shqiptare “besa” quhet e zbritur (dhuratë) nga zoti[6], prandaj përdoret shprehja “për besë të zotit” krahas shprehjes “për besë të burrit”.
       1. ç- Kjo baladë është e dashur për të gjithë shqiptarët dhe të gjitha grup moshat, në të gjitha fushat e jetës, në marrdhëniet familjare, fqinjësore, shoqërore, tregtare, aleancash ushtarake mes fisnikëve apo mes prijsave popullorë shqiptarë, luftërat, madje edhe në deklarimet e dashurisë përdoret shprehja … ”Të dua me besë”. Vetëm një popull që e ka të vetën “besën” mund ta përdorë kaq dendur e lirshëm.
       1.d-Ndryshimet mes motërzimeve shqiptare janë dytësore, si disa pendë me ngjyrë te një  pëllumb i bardhë, të cilat nuk ndikojnë asgjë te shpendi, ndërsa elementët thelbësorë , “besa” e Kostandinit, ringjallja e tij pas mallkimit të nënës dhe prurja e motrës në shtëpi janë identike, si zemrat e tyre.
        1. dh-Në të gjitha motërzimet shqiptare, ndërsa  flitet për vdekjen e nënës dhe motrës një në prag e një në derë/plasnë si qelqe me verë në momentin e takimit, për Kostandinin flitet se do shkojë në varreza të lutet për shokët ose të shkojë në ajodhimë, por nuk flitet për rikthimin[7]  e tij te varri.
       1. e-Edhe sot në kohët moderne me institucione  dhe legjislacion juridik dhe ekzekutiv  “besa “, “fjala e dhënë” është e pranishme dhe funksionale në jetën shqiptare dhe  shpesh  “mënjanon” formulat dhe aktet juridike zyrtare në mardhëniet mes njerëzve.
     2.a-Te folklori bullgar balada quhet “Udhëtimi i të vdekurit”  ku tregohet historia e një nëne me nëntë djem dhe një vajzë të quajtur Vekia, të cilën e martuan larg, pas premtimit të djalit Dhimitër që do ta sillte motrën sa herë të donte nëna. Të nëntë djemtë vdesin dhe një ditë  Dhimitri ngrihet nga varri(?) për të shkuar e prurë Vekian te nëna e tij e vetmuar. Këtu mungon elementi “besë” dhe mallkimi i nënës, si forcë lëvizëse.
      2. b-Në folklorin serb vëllezërit vdesin nga murtaja. Pas tre vjetësh, motrën Jelica të martuar
larg e merr malli për shtëpinë dhe e mërzitur pyet ku janë vëllezërit që s’po vijnë ta marrin. Atëherë zotit i vjen keq për motrën ndaj dërgon dy engjëj te varri i vëllait që ngulmoi në  martesën e largët, t'i jepnin jetë e ta nxirrnin nga varri. Kështu ndodhi që guri i varrit u bë kalë, balta u bë ëmbëlsira për motrën etj. Dialogët gjatë rrugës janë identikë me  folklorin shqiptar si pyetje justifikime dhe në prag të portës së shtëpisë nëna dhe vajza, u përqafuan dhe ranë të vdekura në tokë. Nga çdo pikëpamje që ta shohësh duket që varianti serb është varianti  shqiptarët i “serbizuar”.. Serbët dinë të vjedhin por nuk dinë të fshehin. Ata i shtojnë variantit shqiptar mëshirën dhe porosinë e zotit, ca  ëmbëlsira dhe kujtojnë se e serbizuan. Ata gjithmonë ngatërrojnë “besën” me “porosinë e zotit” ose me “besimin”…
      2. c- Varianti grek i mbledhur në ishullin Hio është gati identik me variantin shqiptar,  një nënë me nëntë djem dhe një vajzë, Areta të cilën tetë vëllezër nuk donin ta martonin larg, por i vogli Kostandini këmbënguli pranë nënës për një martesë të largët duke i premtuar  se, në se do i duhet e bija, ai dhe i vdekur të jetë  do ngrihet nga varri dhe do ja sjellë. Areta martohet  dhe  në fshatin e familjes së saj  bie një kolerë dhe të nëntë vëllezërit vdesin. Nëna shkon në varrezë, te tetë varret godet gjoksin  e saj duke vajtuar ndërsa tek i nënti ajo godet varrin dhe i kujton Kostandinit premtimin. Kostandini ngrihet nga varri. Reja u bë kalë, një yll iu bë shalë dhe hënën ai e mori si shoqëruese. Shkoi e mori motrën, gjatë rrugës bisedat janë identike me variantin shqiptar, po kështu edhe vdekja në mbërritje. Duke parë ngjashmërinë e madhe të variantit grek  me variantin shqiptar, na shkon mëndja te arvanitasit e këtij ishulli si mbartës të baladës.
     2. ç-Lénore (Leonorë) e Gottfried August Bürger nuk është vepër folklorike por artistike, fillimisht e përkthyer në frëngjisht nga poeti  francez Gérard de Nerval. Gjithashtu te shkrimet e tij  Dozoni  shprehej se në bazë të kësaj balade  Halil Garisë) të bukur u krijua më pas dhe balada e famshme e Lenore-s, kështu që dokumentohet autorësia fillestare  e baladës dhe burimi i informacionit të Bürger..
    3-Është më se normale që një ndër pyetjet më të para që bëhen është ajo se cila epokë e lindi këtë baladë dhe ç’mesazh mbarte ajo në vetvete. Për të gjetur këtë, në mungesë të të dhënave direkte ne do analizojnë të dhënat indirekte dhe konkretisht:
    3.a-Personazhi qendror i baladës është Zonja Mëmë[8]. Balada nis me atë, madje një nga motërzimet fillon me vargjet …Ish një Mëmë shumë e mirë… Zonja Mëmë nis baladën, asaj i kërkohet leja e martesës së Jurendinës nga vëllezërit, ajo e jep lejen pas besës së Kostandinit, mallkon të vdekurin duke shkaktuar ngritjen e tij nga varri dhe në fund ajo vdes[9] së bashku me të bijën te porta…Një në prag e një në derë /plasnë si qelqe me verë…
       3. b-Babai  nuk del asgjëkund në skenë jo vetëm si personazh i gjallë por as si kujtim. Pra kjo është një familje e madhe që drejtohej nga nëna. Fakti që në drejtimin e familjes me atribute të plota drejtimi dhe administrimi është Zonja Mëmë na dëshmon se  ngjarjet cilësojnë epokën e matriarkatit. Fakti që Zonja Mëmë vendos (miraton)  martesën e Jurendinës  larg familjes, vendim (miratim) i marrë vetëm pas  këmbënguljes së Kosta-ndinit, është tregues  se  ngjarja cilëson fundin e matriarkatit dhe fillimin e patriarkatit.
         3. c-Pretendimet se ngjarja cilëson një periudhë më të vonshme, pra  periudhën e patriarkatit nuk qëndrojnë se po të ishte  produkt i lindur në këtë epokë, atëherë drejtimin e familjes, në mungesë të kryefamiljarit (si pasojë e vdekjes etj) do ta kishte marrë njeri nga nëntë vëllezërit, i cili do organizonte edhe dasmën e motrës. Por fakti që leja për martesën e Doruntinës “larg e larg mërguar/ shtatë male kaptuar ” kërkohej nga Zonja Mëmë, fakti që besa ju dha asaj nga Kostandini, fakti që mallkimi i saj tundi varrin dhe ngriti të vdekurin në këmbë” etj, etj. dëshmojnë rolin drejtues dhe autoritar të nënës në familje, duke i vënë vulën faktit se balada cilëson epokën  e fundit të matriarkatit, epokën që lindi besën..
         3. ç -Mungesa e strukturave shtetërore dhe të organizimit shoqëror, qofshin ato edhe në fazën më fillestare na jep të drejtën te interpretim i ynë për epokën parailire që cilëson balada.
         3. d- Por Ismail Kadare te libri “Kush e solli Doruntinën” i vendos ngjarjet në periudhën paraturke, do thotë dikush…Kjo është e vërtetë, por Ismail Kadare ka shkruar letërsi dhe letërsia i kapërcen epokat me “hapin normal” të personazhit a subjektit. Ne këtu flasim për   një analizë elementësh dhe konkluzione ballafaqimi.
         3. dh- Është e natyrshme pyetja se pse Zonja Mëmë këmbëngulte të mos e  martonte larg të bijën e saj? Ja si  shpjegohet te balada e mbërritur[10] ky hezitim i nënës… Në e dafsha unë për helmë, /As për helmë nëngë mund t’e kem… Besnikërisht me logjikën e origjinalit Petrit Ruka shpjegon poetikisht kundërshtimin e Zonjës Mëmë përpara Kostandinit:… Në e dashça për të mirë,/Për të mirë s'do ta kem,/Në e dashça për të keqe,/S'e kam vajzën as për helm.../Ku ta gjej kur të lëngoj/ Të më lag buzën e çarë,/Të më hedh dy pika lot/ Baltë e zezë kur të më marrë." … Ky është i vetmi shpjegim dhe gjendet në zakonin shqiptar të vajtimit me ligje. Nënat, veç të tjerave u mësonin vajzave edhe  ritin zakonor të vajtimit me ligje… edhe ky një fenomen vetëm shqiptar ...  praktikohej në vdekjet e familjarëve apo të afërmve. “Vajza të lan, vajza të qan” thotë një shprehje popullore shqiptare. Por në qoftë se vajza do martohej larg, kontaktet e saj me nënën dhe për pasojë mësimi dhe praktikimi i ritit mortor të vajtimit me ligje do ishte i pamundur dhe  ky rit do fashitej nga jeta e saj. Me martesën e Jurendinës larg synimi i Kostandinit ndoshta ishte zgjerimi i gjeografisë së miqësisë dhe marrdhënieve  tregtare, por kundërshtimi i nënës kishte  si synim forcimin  e familjes me traditat vendase.
          3. e-Shtesat kristiane[11] nëpër disa motërzime si “Ditën e pashkës së Madhe”, “Unë do shkoj në ajodhimë”, “vajti gjer në derë të kishës” etj. janë “veladon” kristian hedhur mbi një fenomen pagan. Ato kanë mbuluar vetëm sipërfaqen e jashtme të veshjes së baladës, ashtu si pardesyja mbulon  kostumin por nuk kanë depërtuar në botën e baladës dhe elementët thelbësorë dhe cilësorë të saj.
          3. f- Mallkimi i nënës mbi varr ishte i papranueshëm nga krishtërimi. Jezu Krishti edhe në kryq nuk mallkoi shkaktarët e vuajtjeve të tij, përkundrazi ka mbetur  e famshme fjala e tij drejtuar  zotit, për  torturuesit…Fali o atë se s’dinë se ç’bëjnë… Pra, mallkimi si një ritual pagan na dëshmon kështu indirekt lashtësinë e baladës në raport me krishtërimin.
          3.g-Edhe ringjallja e Kostandinit me ringjalljen e Krishtit dhe të Lazarit qëndrojnë diametralisht kundër njeri-tjetrit. Sipas Biblës Krishti u ngjall ditën e tretë duke dëshmuar në këtë mënyrë se ai ishte biri i Perëndisë. Lazari u ngjall pas katër ditëve nga Jezu Krishti, i cili tregoi forcën e tij si bir perëndie. Kostandini, në variantin më oportun ringjallet pas tre vjetëve (Kostandin i vdekur/çbën tre vjet pa tretur) dhe në variantet e tjera ringjallet pas nëntë dhe dhjetë vjetëve. Koha e qëndrimit të Kostandinit në varr  është jashtëzakonisht e gjatë për t'u ringjallur. Le të kujtojmë se periudha tre vjeçare është koha optimale e dekompozimit të trupit të njeriut. Ç’forcë e ka mbajtur  Kostandinin për tre, nëntë dhe dhjetë vjet të patretur që të ringjallej?
       3. gj-Madje edhe shtysa e ringjalljes është e ndryshme, Lazari ringjallet me thirrjen e Jezu Krishtit, Krishti ringjallet me dëshirën e atit të tij, Perëndisë. Vetëm Kostandini tronditet në varr nga mallkimi i nënës dhe ringjallet për të mbajtur “besën”, “fjalën e dhënë”. Pra,vetë përmbajtja e baladës është tepër pagane. Krishtërimi nuk e zhduku dot se ajo kishte zënë rrënjë të forta në
jetën e njerëzve shqiptarë ndonëse në disa motërzime “shartoi” mbi të filiza të besimit kristian..
         3. h-Ringjallja e Jezu Krishtit shkëlqen në historinë kristiane dhe në faqet e Biblës, por
Petrit Ruka hipotezon se ky shkëlqim është reflektim i dritës ringjallëse të  yllit të “besës” ardhur që nga yllësia e baladave, mijëra vjet drite larg.… Njëmijë vjet më vonë Shën Pali./ Tek kalonte nën Tomor/ Në një fshat dëgjoi një këngë.... /Kënga thoshte; një i vdekur/Qenkej ngritur befasisht /.../Jo për Zotin, por për Besën/Qe një kohë kur Bibla e tij/S'kishte parë ende agime,/Të dyzet dishepuj pranë/Urdhëron të mbajnë shënime...Dhe kjo ringjallje më e hershme ishte  ringjallja e Kostandinit.
         4-Kjo baladë e ardhur nga hershmëria parailire vetëkuptohet se nuk lindi si një vepër letrare. Ajo në thelbin e saj ishte një mesazh, një kumt që epoka  e fundit të matriarkatit (që e lindi) dhe fillimi i patriarkatit (që e rriti)  përhapte në popullin shqiptar (pellazgo-ilir) të kohës duke ja përcjellë edhe brezave të ardhshëm. Mesazhi ishte shumë i thjeshtë dhe shumë i qartë:.. po vijnë furtuna, rrebeshet e të cilave do përmbysin botën dhe do zhdukin popuj, prandaj ju populli  (im) pellazg,  ndërtoni “varkën” dhe “kështjellën” e “besës” për shpëtim  dhe qëndroni aty, gjersa zoti t’ju çojë lajm me pëllumbin e bardhë për kalimin e rrezikut…. Mua më duket se ngjan pak si porosia që zoti i dha Noes para përmbytjes së madhe? Mendojeni edhe si hipotezë… dhe shihni “qiellin” mos duket duke ardhur pëllumbi i bardhë[12] me degën e ullirit në sqep që të na lajmërojë për ikjen e rrezikut.
       Vetëkuptohet se kjo baladë nëpër mote ka ardhur si një vepër  e artit gojor dhe me përsosjen e gjuhës shqipe, është përsosur gjer në  stadin që na ka mbërritur.  Dhjetëra variante kanë rënë  nga furtunat e kohërave, si bedena të kështjellave nga gjylet e topave gjatë sulmeve të armiqve,  por populli ka ndërtuar bedena të reja, më fine  dhe me strukturë më rezistente se të parat. Madje edhe duke ristrukturuar edhe pjesët e mureve të kështjellës.
          5.-Le të dëgjojmë vajtimin e Zonjës Mëmë mbi varrin e Kostandinit sipas variantin më të lashtë që ekziston të baladës: E u nis e zeza mëmë, /Të shkonjë në Qishë të Arbrit / Flokët lëshuar prek më dorë, / Të çpleksura por si dëborë, /Mba në duar 10 qiri ,  / Në çdo varr e ndez nga një / Një qiri e një vajtim ,/E ndë varr të Kostandinit /Dy qiri, e dy vajtime/ Një për djalë e një për bijë, /Kostandinë e Jurendinë.. / Ulurith, përgjunjurith / Përplas kriet përmbi varr, / Tri herë duke shërtuar,/Tri herë duke vajtuar /Me shërtim gjaku të dhembur /Aq sa Qisha u trondua,/ I thërret birit të saj/ Kostandin, o biri im/ Çon’ju, bir, se jam jot’mëmë,/ Të më sjellësh bijën time, / Ku ë besa që më dhe, / Besa jote nënë dhe.
      Po ta shohësh me vëmendje këtë vajtim, qysh në lëvizjet e Zonjës Mëmë, në mënyrën e mbajtjes dhe vendosjes së qirinjve te varri i Kostandinit, vajtimi i të gjallit (Jurendinës) bashkë me të vdekurin, përplasja e kokës mbi rrasën e gurtë të varrit tri herë janë veprime tipike të ritit mortor shqiptar. Zonja Mëmë bën vajtime me ligje….një për djalë e një për vajzë…, pra e quan edhe Jurendinën të vdekur, sepse duket sikur Jurendina është…mbrapa bote… që tingëllon njësojë si…në atë botë… Kur vajton nëna djalin e vdekur a të vrarë në luftë, në vajtimet e saj ndjehet edhe një tis krenarie, sepse i biri e bëri detyrën e tij ndaj atdheut dhe ndaj shtëpisë etj, etj. Por kur nëna vajton vajzën, ky vajtim është kujë lemeritëse sepse nëna bashkë me vajzën vajton edhe veten e saj. Nëna te vajza sheh gjithmonë veten e saj ndaj e rrit  sipas shembullit më të mirë të saj. Vdekja e vajzës do të thotë vdekje shpirtërore për nënën ndaj ajo vajton dhe asnjë ngushëllim nuk e qetëson. Imagjinoni të vajtojë nëna vajzën e gjallë si të vdekur. Kjo është tej kufirit të arsyes sonë.. Dhe mendoni tani që të vajtojë vajzën e gjallë si të vdekur mbi varrin e të birit të saj të vogël, të cilin edhe   e mallkon si shkaktar të vajtimit për të  bijën. Është njësojë si dikujt t'i kërkosh të mbajë mbi supe jo vetëm një lis ku këndon një qyqe, por gjithë pyllin dhe malin bashkë.  Njeriu nuk është krijuar të përballojë ngarkesa të tilla, por ja që ngarkesa të tilla kanë  përjetuar e duruar vetëm nënat shqiptare dhe janë shndërruar në balada. Shikoni si vajton nëna… .ulurith, përgjunjurith….Fjala “ulur” dhe “përgjunjur” me atë prapashtesën “rith” sikur është vënë enkas t'i japë jehonë ulëritëse vajtimit të nënës. Tepër madhështore si gjetje artistike. Dhe nëna ligjëron… Kostandin, o biri im/ Ku ë besa që më dhe, / Besa jote nënë dhe./../ Ti që trete besën/ Mos të trettë dheu[13].. Është ky momenti që rrasa e varrit kris në çarje, por nëna i ka sytë me lot e s’mund të shohë se mallkimi çau rrasën e varrit të djalit të saj të vogël[14], atë  që ishte… Më i ëmbli, mjaltë i gjirit,…Realisht nënat asnjëherë nuk mallkojnë në varret e bijve të tyre. Dhe kur i mallkojnë ndonjëherë në të gjallë për trazirat e tyre fëminore, shtojnë në fund, si me vete…më rëntë mua, që të mallkova o djalë…Në se te balada që disponojmë mungon( ka rënë diku nëpër kohë ose është haruar nga raapsodi) kjo ndjesë e nënë, te Petrit Ruka është më se e dukshme në dy vargje /...Dhe pendimin...(desh harrova!)/"Korba unë që të mallkova!... Kjo na tregon se Petrit Ruka është një njohës i hollë i thelbit të traditave të Labërisë dhe një mjeshtër i qëndisjes së tyre në vargje. Dhe në qoftë se baladave gjatë shtegtimit të tyre nga njëra epokë në tjetrën u bie ndonjë varg, si një zog i lodhur në tufat që shtegtojnë, Petriti menjëherë e zëvendëson atë me një zog “fajkua”. Shikojeni mjeshtërinë poetike të paraqitjes së vajtimit të Zonjës Mëmë te varri i Kostandinit: "Kostandin, o biri im,/Dritë e syrit dhe mallkim,/Ku është besa që më dhe,/Besa jote nën-ë dhé.../Ku e ke fjalën e dhënë…Baltë e varrit ta ka ngrënë, /Pllakë e gurit ta ka zënë. /Çohu, bir, se jam jot nënë,/Më ka shkuar kuja në hënë./Ku është ime bijë, o djalë,/Asnjë shenjë e asnjë fjalë, /As e more, as e prure,/E le nënën sterrë, kërcure/Mortja bredh në katër mure,/Shtrati myk si në qivure./Besa sipër të ka mbetur, /Ç'bën nëntë vjet në dhé pa tretur,/../ Ngrihu e mbaj fjalën që the/Të bësh vdekjen që s'e ke,/Të të bien eshtrat në paqe/... /Kostandin të ardhtë gjëma!/(Ç'gjëmë tjetër paska Mëma,/Përtej vdekjes arrin nëma?/Mendon Kostandini brënda ,/Nën qepallat bronz të rënda/Nga monedhat e ergjënda…
       Ky vajtim që ndrin si diamant i zi të përlot e të rrëqeth sa të bën  të marrësh arratinë larg vajtores ose t’i biesh në gjunjë Zonjës Mëmë e t'i lutesh që të heshtë atë vajtim, kuja e të cilit  arrriti gjer në hënë dhe të mos ja ngarkojë mallkimin e rëndë birit të saj të vogël. Por unë dua t’ju tregoj se sa besnikërisht i qëndron Petrit Ruka variantit origjinal të kësaj balade. Duket që Petrit Ruka është një poet me “besë”.
    Unë besoj se vajzat e reja, ndoshta edhe pakëz tinës nënave lexojnë e rilexojnë vargjet e mëpo- shtme të Petrit Rukës dhe nisin e ëndërrojnë… Dhendurëve çmendur pas saj/U thonë Jo - e shko-jnë me vaj,/Vijnë me mend e shkojnë pa të,/Vijnë me gojë ikin pa zë,/Vijnë me frymë, ikin pa fry-më , /Vijnë me maj,* shkojnë me brymë,/Vijnë me këmbë , shkojnë çalë/Gjersa fati bëri valë,* / Gjersa erdhi trim i largët,/Në një muzg prilli të vakët ./ Erdhi dhe sa vuri këmbët/I pushuan bilbi-lat këngët,/I rridhte drita nga mëngët./I kullonte dritë nga shtati,/Dritën që ta jep veç fati,/Dritën që sjellin Të Mbarët/Dhe në natën më të zezë/S'kishe pse ndizje pishtarët... Mos u trishtoni moj vajza, kini vëllezër Kostandinët  në shtëpi, dhe pranë kini “Të mirët” e Dodonës[15].  
       Gjithmonë në fëmijëri na ka mahnitur gjer në ankth ngritja e Kostandinit nga varri, rrasa që ju bë kalë e dheu që ju bë shall. Le ta shohim këtë te variant origjinal… Kryeja e varrit të gurtë, / Më t’ju bë një kalë i brumtë, / Gurëzat ku shtronej varri, Seç ju bën një fre prej ari, /Pllakë e gurtë me atë vesë, /Më t’ju bë një shalë e zeshkë,  / Dhe një shpatë ju ul ndë breztë. / Kostandin hipë përmbi kalë, //Eshtra përmbi eshtra, / Shkundet një ajrith i zi, /U ngre, e u bë njeri … …Kostandini u ngrit nga varri/Rrasa iu bë kalë/Balta i u bë shalë…e  jep këtë  moment  një motërzimi  tjetër i baladës duke i dhënë veprimit një forcë magjie a perëndie. Poeti  Petrit Ruka e ngre Kostandinin me një varg të artë poetik kur shkruan: Guri i varrit të gurtë,/ Seç iu bë një kalë i brumtë,/ Pllakëzat ku shtrohej varri/ Fap iu bënë një fre prej ari, /Dhe qefin i butë me vesë./ Më t'ju bë një shalë e zezë,/ Qiparisi - shpatë në brez ./Ajri i lagësht, ajri i zi/U çpështoll, u bë njeri.../Vetë ai, or vetë Ai,/Vuri këmbë mbi yzengji/I vërteti, jo gënjeshtra,/Hipën eshtrat përmbi eshtra/Dhe u nis për Venedik/Ai ik e nata ik...
       Le të shohim udhëtimin vëlla e motër nën vithe të kalit në variantin e parë… Kali niset vetëtimë, / e lë pas një trokthëllimë./Udhës që ata vejnë, / Fërshëllejnë/zogjëzit ndër pemë, / Përmbi kalë seç po vijnë, / I gjallë me të vdekurin … në motërzimin tjetër kemi vargjet I hipi ne vithe kalit/Zoqtë udhës, thoshin:/Cili " viu, viu-viu,/Kush ia ben, ia ben vetiu,/Kini par'e s'kini pare!/Shkon nje zogeze bishtbardhe/I vdekuri me te gjalle A e dëgjoni dhe ju këngën e zogjve, sa të habitur gjer në  trembje këndojnë.
    Ndërsa Petrit Ruka sikur na i jep vargjet me muzikë funebre… Kali niset vetëtimë,/Ia bën natës zemrën vrimë/Të kullojë një ulërimë./Kini parë a s'kini parë,/Shkon i vdekuri me të gjallë,/Shkon i gjalli me të vdekur,/I sheh hëna, mbetet mekur.../Kini parë a s'kini pare/Shpie i vdekuri të gjallë,/ ../Zogjtë e natës që po flenë/Zgjohen e dalin mbi pemë./ Ciu - ciu, dilni, shihni,/Shkon i vdekur Kostandini,/Paska marrë leje tek varri/Të mbaj fjalën prej bes'tari.../Ciu- ciu, viu-viu/Shihni si u çmend Njeriu!...
      Nuk dua të përfitoj nga durimi juaj dhe t'ju  paraqes gjithë krijimin poetik  të Petrit Rukës
krahas dy varianteve të baladës që disponoj.  Por duke parë vlerat artistike të kësa poeme baladeske j dhe besnikërinë e krijimit  ndaj baladës, duke parë  se lexues të ndryshëm qysh tani kanë filluar ta mësojnë përmendësh dhe ta recitojnë  e të thonë me njëri tjetrin se flasin për  “Baladën e Besës së Kostandinit” të cilën e ka hedhur në portale një..Petrit, unë besoj se shumë shpejt emrit të Petrit Rukës do fillojnë ti “avullojnë gërmat”  gjersa do harohet fare si autor i kësaj poeme baladeske dhe krijimi poetik do hyjë në letërsi si variant më i plotë i baladës origjinale të “Besës së Kostandinit” me autor anonim. Kjo nuk është “përvehtësim” i pronës intelektuale dhe as shkelje e të drejtave të autorit. Ky është nderi më i madh që populli u bën bijve të tij me merita, veprat e tyre i pagëzon me emrin e tij. Kjo është aritja më e madhe  e krijuesve, kjo është ëndrra që s’ka guxuar ta ëndërrojë asnjë poet. 


Sarandë më 27 Janar- 2 Shkurt 2020



[1] Te publikimi i Liro Nushit “Besa e Kostandinit” Qershor 2012  ka këto vargje: Të nëntë patën vdekur, /Ç’u pre ajo shtëpi bujarësh, / Trima princash e hadhjarësh, që dëshmojnë origjinën fisnike të familjes. Shtëpia e madhe që dallohet prej së largu, është shtëpi fisnike dhe jo kasolle. Po kështu edhe Kadare te sprova “Kush e solli Doruntinën” pohon origjinën fisnike të familjes së Kostandinit. Te Petrit Ruka kemi qysh në strofën e parë vargjet ku Mëma … "E dha urdhër që t'i mbrehnin/Kuajt e zinj frerë-argjend/Për në tempullin e shenjtë…", që dëshmojnë fisnikërinë e familjes. Te Dozoni balada fillon me  fjalinë…“Na ishte një nënë nga një derë e fisme, që kishte nëntë djem të famshëm dhe një vajzë që quhej Garentina…Por, duke pasur parasysh epokën që cilëson balada, mendoj se emërtimi “shtëpi fisnike” më shumë do të thotë “shtëpi bese”, “shtëpi me besë”, “shtëpi fisnike me besë” se sa “shtëpi e fisnikërisë”, “shtëpi e parisë”.Të jetë derë e parë me besë” thotë vargu i Petrit Rukës.

[2] Zëvendësimi i emrit Doruntina( siç njihet gjer më sot) apo Dhoqina që thiret në bregdet dhe te disa zona  arbëreshe  me Jurendina, që na e sjell balada e prezantuar nga Lirio Nushi është tepër i pranueshëm. Kjo baladë është në motërzime të shumta kudo në trevat shqiptare 
[3]  T. Mërkuri..”Balada e murimit” dorëshkrim: “Besa” është  një marrveshje dypalëshe midis dy personave apo dy grupimeve për një veprim apo qëllim. Kjo marrveshje, për shkak të  mungesës së shkrimit, bëhej me fjalë në prani të dy palëve ( dy burrave)  dhe  quhej “fjalë burri”.  Ky nocion, që juridikisht mund të quhet marrveshje (kontratë) gojore,  ishte nocioni i “besës”.  “Besa”, ky nocion “juridik” i lidhur me fjalë goje, ishte shumë progresiv për kohën, si nga ana juridike ashtu dhe social-shoqërore. Krijoi bazën themelore të një “kodi juridik”, krijoi një si “Kushtetutë” e cila detyronte anëtarët  e bashkësisë  pas kësaj, që të gjitha marrveshjet, marrdhëniet dhe rregullat e jetës e të punës, ti bazonin te ky nocion. Për këtë arsye themi se “besa” nuk ishte një nen çfardo i “kushtetutës” shqiptare. Ajo ishte vetë “Kushtetuta me një nen” e shqiptarëve. Pas kësaj të gjitha Kodet Zakonore si ai i Lekë Dukagjinit, i Papa Zhulit, i Lurës etj si amedamente, çdo nen të tyre e mbështesnin te “Besa….Nga përvoja jetësore u mësua dhe u provua se shkelja e kësaj  marveshjeje dypalëshe sillte pasoja të rënda në jetën e familjeve anëtare të jetesës së përbashkët . Kështu u konkludua, se ishte më e leverdishme të dënohej “shkelësi” i “besës”  prej vetë atyre, se sa të pësonin pasojat që mund të vinin nga kjo shkelje. Prandaj  respektimi i kushteve të “besës” ishte detyrim i padisku-tueshëm i çdo anëtari të komunitetit, pavarësisht pasojave individuale.
[4]  Timo Mërkuri…”Balada e murimit” Dorëshkrim …Shqiptarët që flasin serbisht, në kontekst të fjalisë e kuptojnë se kur serbët flasin për  “arbanska vjeru”, ata duan të flasin për “besën shqiptare” por nuk dinë si ta shprehin.  Nga ana tjetër, serbët kur dëgjojnë fjalën shqipe “besë” nuk e kuptojnë  që nuk flitet për besi-min. Kjo i ka çuar në disa vetëdemaskime kur janë përpjekur që baladat shqiptare  të përkthyera në serbisht  t'i paraqesin si balada serbe….
[5] Hipotezojmë se edhe  formula ungjillore e Shën Gjonit “E para ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë, dhe Fjala ishte Perëndi” (Gjon 1:1-3). ka pasur për bazë dhe fillesë konceptin shqiptar  të “fjalës” si “besë”.  
[6] Legjenda thotë se …Zoti e ua dha dy pëllumbave të bardhë, të cilët zbritën nga selia qiellore dhe ua dhanë  njerëzve ( ua thanë në vesh “priftërinjve”) që shërbenin në Dodonë , të cilët ja dhuruan popullit.
[7] Anton Nik Berisha te romani “Gjin Bardhela i arbëresh” jep një pasazh që tregon se si Kostandini vjen te varri i tij, përkëdhel rrasën e gurtë të varrit dhe pastaj hipën në kalë dhe niset me revan  për diku…
[8] Disa nga elementët e analizës janë përdorur edhe te sprova ime “Kostandini nuk hyri në ajodhimë” botuar në  librin “Identiteti Isi-polifonik”, MILOSAO Sarandë, 2018, ku kam  shpjeguar  pse ringjallja e Kostandi-nit është më e herëshme se ringjallja e Krishtit dhe e Lazarit,  si dhe konkludimi që balada nuk ka lidhje me krishtërimin, ndonëse disa motërzime kanë një veshje të vonëshme  kristiane. Tek ajo sprovë kam patur parasysh motërzimin “Kostandini dhe Dhoqina” që fillon me vargjet…Ditën e Pashkës në drekë…
[9] Vdkeja e saj  tregon fundin e matriarkatit…
[10] Publikuar nga Liro Nushi, cituar më sipër.
[11] Shih Timo Mërkuri “Identiteti iso-polifonik” MILOSAO Sarandëm 2018 “Kostandini nuk hyri në ajodhimë”
[12] Nga Dhiata e Vjetër, pëllumbi që njoftoi Noen se ujrat e përmbytjes së madhe ishin tërhequr dhe ata mund të dilnin në tokë.
[13] Dy vargjet e fundit si tekst  mallkimi  i nënës ndodhet gati në të gjitha variantet shqiptare.
[14] T. Mërkuri “Balada e murimit” “Ura e Artës” Dorëshkrim: Po të shohim përrallat dhe legjendat shqiptare, në të gjitha ato, është vëllai më i vogël njeriu më i drejtë, më naivi, më i sinqerti, më i miri, më humani por edhe më vizionari, më trimi e nismëtari. Përgjithësisht shumë popuj e kanë fenomenin e pozitivitetit të vëllait më të vogël, por shqiptarët e kanë si domosdoshmëri, e kanë ligj të pashkruar në balada e përralla.. Realisht, ky fakt  ka të bëjë thjeshtë me traditën shqiptare. …te shqiptarët, ndarja e fëmijëve meshkuj më të mëdhenj bëhet vetëm pasi krijojnë familjen e tyre te shtëpia e prindërve, arrijnë aty një nivel të caktuar ekonomik  si dhe  pasi vëllai pasardhës të jetë martuar. Gjithsesi, në asnjë rast vëllai i vogël, vëllai i fundit, nuk ndahet nga prindërit, pavarësisht nivelit ekonomik të krijuar dhe faktit që është martuar apo jo. Ai quhet djali i pleqërisë, ai mban deri në fund të jetës prindërit pleq. Prandaj ai shikohet si shpresa e prindërve, shikohet si e ardhmja e  sigurt e tyre, si  garanci e pleqërisë.



[15]   Vargjet e Petrit Rukës…. Siç thith Tomori gjëmimet,/Kur nisin zotat luftimet ... dhe vargun… Dritën që sjellin Të Mbarët…nuk janë të rastësishëm.  Në folklorin shqiptar Tomori është mali i perëndive të Dodonës dhe tekanjozë siç ishin këto perëndi, zinin luftë me njeri-tjetrin jo rrallë herë. Por në shpjegim të emrit “ Tomor” do të thotë…Të mirët, ata që thonë fjalë të mira, që të urojnë fatin e mirë.


Tuesday, 28 January 2020

KËSHTU I KËNDOHET DASHURISË



KËSHTU I KËNDOHET DASHURISË
Përsiatje mbi vëllimet poetike “Hyjnorja ime je ti” të Sabit Rrustemit

Nga Timo Mërkuri

Gjatë leximit të përmbledhjes poetike dy vëllimëshe “Hyjnorja ime je ti” të Sabit Rrustemit m’u krijua vetiu një qetësi shpirtërore apo m’u vetë imponua një ndjenjë heshtjeje, e ngjashme me atë në  një lutësore kishe. Një lexim i ngadalshëm, i ndërprerë shpesh si një frymarje nga ankthi, një kalim i fletëve me heshtjen e bërjes së kryqit, një përulje e lehtë e kokës mbi tekstin e poezisë thua se përulesha mbi ndonjë ikonë dhe në fund një dritë që vinte prej tekstit, sikur brenda tij të ishte ndezur ndonjë qiri si në të dielën e Pashkës së Madhe. Kjo ndjenjë dukej se  reflektohej  në subkoshiencën time nga vargjet e poezive… E diela e dashurisë….Le të jetë kjo dita e falje-ve / për mëkatet që nuk i themi/   E diel e dashurisë/qoftë çdo ditë…teksa ti këndon lutjen e re… Hyjnesha ime/ mos më le pa atë që ma more…dhe...Hyrjnorja ime/ e kam pritur këtë orë lumturi-mi/kam jetuar/për ta dëgjuar magjinë e këtyre buzëve…të dua.
1-Për  këtë  gjëndje të krijuar ndikimi nis që nga titulli i dy vëllimeve poetike, titull që hyjnizon , shënjtëron femrën, dashurinë për ‘të dhe poezinë kushtuar asaj,  “Hyjnorja ime je ti”, titull  që dëshmon për ngritjen në altar shënjtërimi të femrës pikërisht për shkak të ndjenjës së dashurisë, asaj ndjenje që aq shumë është penguar me doke e kode zakonore në jetën shqiptare, që shpesh është tulatur nga dëbora dhe ngrica kanunore  por gjithsesi ka mbirë si manushaqe e prillit në mes të dëborës...Më ftove sërish  për një dashuri/kur të vijë tjetër ditë/ tjetër festë në atë planet /që e gjetëm pas mijra vjet ecjesh/ dashurish// Imja Hyjenshë…dhe  erdhi në jetën tonë e pastër dhe e bukur…U rrëzuan lisat/ si fijet e barit/ zunë udhën/ n’të fund të livadhit/ E dashur/ eja shtegut të ballit/ rreth qerpikëve të djegur mallit…apo shkuan e morën djemtë …E dashur më prit se kthehem/ përmes një gjethi në pranverë/një kënge në verë/apo një fryti në vjeshtë/… Ngricat nuk i presim/I shkrijmë me dashuri …madje edhe duke u kërkuar ndjesë …Më fal dashuria ime,/ më fal/ se shumë më ke dashur/e pak të kam përfillur…duke e ndriçuar në këtë mënyrë me dritën e prozhektorëve të së sotmes moderne vizionin e saj të djeshëm, lënë në haresë, duke shpërthyer hovshëm në hare...Sa më ke munguar-oooh/si më ke rizgjuar/më ke hyjnuar brenda yllësisë sate…E lexoj dhe rilexoj vargun me cilësimin “Hyjnorja ime” dhe ndër-mënd më vjen  Albert Camus  që, ndërsa nisej për në Paris, në letrën e tij të fundit drejtuar të dashurës shkroi… .Po vij e dashur…dhe në fund të letrës shtoi “Të bëkoj me gjithë shpirt”. Ajo qe fjala e fundit që shkroi në jetën e tij të ndërprerë tragjikisht nga aksidenti i  atij fillim janari 1960 në moshën 47 vjeçare. Poetët e shënjtërojnë dashurinë dhe vajzën e dashur me shpirt dhe me vargje, sepse zotit i pëlqen poezia. Jo më kot edhe hymnet kishtare janë thurur në formë poezie.
2- Të gjithë poetët kanë shkruar poezi dashurie, madje shumë prej tyre kanë shkruar poezi tepër të  realizuara dhe të ndjeshme, poezi që ndrijnë nëpër vëllimet e tyre poetike si copëzat e floririt në rërën e lumënjve. Por poezitë e tyre kanë qënë të vetmuara nëpër ato, si një vajzë e bukur që ka humbur rrugën nëpër pyll. Ca më tëpër që këndvështrimi i  këtyre poezive ka qënë kryesisht dhimbja e një dashurie të parealizuar për arsye të ndryshme, qoftë shoqërore apo refuzime dhe braktisje individuale. Sado të realizuara artistikisht që kanë qënë, të linin një  ndjenjë trishtimi në
shpirt..
 2.a-Përkundër kësaj dukurie, përmbledhja dyvëllimëshe  e Sabit Rustemit “Hyjnorja ime je ti”, e mbushur me  krijimtarinë gati dyzet vjeçare të autorit është si një pyll vetëm me pemë e fidana dashurie. Është rasti i parë në letërsinë shqipe që jipet një përmbledhje e tillë vetëm me poezi dashurie, leximi i të cilave të fut në një botë gati magjepëse.
 Poezia është kënga e dashurisë (klithmë dhimbjeje apo hymni i saj), madje edhe perëndia e poezisë, Apolloni me harpën e tij  këndonte vetëm këngë dashurie, duke ngjallur hare në Olimp. Që nga antikiteti na vjen mesazhi  se dashuria dhe poezia janë  të perëndishme që jetojnë në simbiozë me njera tjetrën. Natyrshëm poezia shkon te lexuesi (dëgjuesi) nëpër-mjet leximit apo dëgjimit, por në poe-zinë e Sabit Rrustemit ndodh diçka e ndjeshme, duke e lexuar (apo dëgjuar) këtë poezi, lexue-si /dëgjuesi lëviz drejt saj dhe hyn brenda në botën e poezisë, duke u bërë pjesë e saj nëpër -mjet përjetimit të poezisë. Fenomeni i depërtimit të lexuesit brenda poezisë ndodh sa me lexues entusiazt dhe  të kualifikuar aq dhe me poezi të arira artistikisht e shpirtërisht. Të dy këto element i ka poezia e Sabit Rrustemit, ndaj është e natyrëshme dukuria e cituar. Në Malin e Çepurit e ka selinë poezia e Sabitit si Apolloni në Olimp…Fle rrëzë Çepuri/erën e tij prej mali thith …Tërë natën e lume/nëpër faqe lulesh e gjethesh / strukem / e nuk bëj zë…, duke kërkuar dashurinë…të shoh në çdo lule/peme e flatër zogu…sepse edhe vendi ku takohen të dashuruarit është i shënjtë ose shënjtërohet me dashuri  Çepuri/ deri n’atë kup të qiellit shpërthen/për Ty moj PeriAty ku takohemi/në cilëndo botë/përmes të përzjartës dashuri/diell të ri krijojmë… Të krijosh një diell të ri do të thotë të krijosh një botë të re, të krijosh një jetë të re. Këtë magji e ka vetëm dashuria dhe e pasqyron magjishëm vetëm Sabit Rrustemi. Lexojeni dhe jetojeni poezinë e tij, më të bukur do ju bëjë, ju siguroj unë.
2.b-Por ajo që karakterizon natyrën e këtyre poezive është poziviteti, besimi absolut në dashuri pa asnjë paramendin. Dhe më kryesorja, ky besim është i dyanshëm, i djalit te vajza si dhe i vajzës te djali … Nuk mërzitem në pritje/as zhgënjehëm prej saj/duke pritur ardhjen tënde/…Të ndjej dhe në pritje…/pres derisa pritja të gjunjëzohet/prej pritjes sime….sepse …ti je e tëra  me mua edhe kur je larg…prandaj…Veten time e përpive me vete e more /sakaq një perde të kaltër sysh më lëshove/ derisa u fshehe në një yllësi të re/brenda qerpikëve të mi…. Këtë fat ma fali jeta/të të ndjej/ e të të ringjall/në secilin çast…dhe unë….E shijoj/ ashtu siç shijohet një lule/ e dua/ më shumë se sa duhet një lule…Ajo qëmoti ka mbirë në mua/shtat ka lëshuar/dhe unë/oh unë/I mjegulluar syshnga ëndra të përnatëshme/çuditërisht nuk e kisha vërejtur/derisa më zgjoi aroma e saj…
Vargjet…Çepuri shkrihet nën diell vjeshte/njësoj si unë tek Ti/nën atë zjarr dashurie/Zgjate zot këtë ditë / mos të na ikë pa u kthyer dhe ajo stinë/   / Tek buzët që ëmbëlsohen me zjarmi… jeho-jnë si një psalm dashurie shpateve të Çepurit. Me siguri që ky duhet të jetë mal i shënjtëruar me dashuri, e vlen të shkosh për pelegrinazh njëherë aty përderisa poeti ja afron vajzës aq ëmbëlsisht e ngrohtësisht... E dashur/ po e deshe malin/qe ku jam/po e lype detin/qe ku e ke/në shpirtin tim/ dhe mua të tërin/diku thellësive të tua/të paprekura.  Ç’mund të të afroj më shumë/pos shpirtit tim/të rinuar prej dashurie…,sepse poeti është i bindur se … Nëse nuk i këndoj asaj që dua/as Librat e Shënjtë s’më falin/e le më të gjallët. Asaj që dua nëse nuk i kendoj / nuk shpëtoj prej mëkatit…
3-Të dashurosh do të thotë të japësh, të dhurosh ndjenjë e siguri, të lutesh e të falesh për tjetrin e jo për vete. Dhe poeti di të dashurojë dhe të lutet… falem/dhe i lutem zotit/ bëje ma të bukur/çdo ditë mbas sotit…sepse poetit i intereson dhe kërkon… vetëm shënjtërimin e saj
3.a-Të dashurosh do të thotë të besosh te dashuria siç beson Sabit Rrustemi… Ajo mund të vijë me ditën/mund të fshihet me natën/mund të mos bëjë zë/me ditë e net/ Mund të mbyllet si lulja/ nën  petale të blerta/me muaj e me vjet…unë do ta ndjej/orë e çast/në secilën sekondë/OrëZemra do ta kujtojë/si tash...Por ti mo ski frikë/ecë e plotë/si Hëna në t’pesëmbëdhjetë/qiellit të kthjelltë / shndrit syve të mi/…/Një puthje që fluturon ajrit/assesi nuk të tremb/…
3.b-Të dashurosh do të thotë të përkujdesesh për vajzën që dashuron, siç përkujdeset Sabit Rrustemi kur thotë… Nuk do ta trazoj/ as dhe me një puthje/se mos ta prish atë ëndër/ brenda së cilës më ke fshehur… Kësaj nate që fryn/i tëri jam tek ty/  /Nuk lejoj të të trëmb/as edhe një ëndër / përpos puthjes sime…Nuk do tia prish gjumin/a ëndrën e re që thurr/dhe njëmijë vite po u vonua /s’do ta urrej…Ajo vjen me një trokitje luleje… duke pritur ditë e natë/ atë trokitje/ me aromë luleje…, a mund të thuhet më bukur se kaq? Djaloshi i drojtur, sit ë gjithë djemtë e dashu-ruar  nuk dihet në flet a bëlbëzon me vehten… Veç nga larg t’shikoj/e kënaqem kur të shoh si çelesh ….Ty veç të ndjeva/ oh sa të ndjeva/e nuk të preka… Se ç’na kujton  përjetimet e dashuri-së së parë me këto vargje o Sabit Rrustemi, të lumtë pena.
4-Dashuria të bën më të bukur dhe më të mirë, të pasuron dhe ëmbëlson fjalorin dhe shpirtin … Hape zemrën moj e uruar/qofsh e fushës a e malit zanë/ hape e mere këtë varg…Ai varg që rend pareshtur/që troket e spushon/ jam unë moj e mirë…, shihe me sa ëmbësli  flet autori, me një ëmbëlsi perëndie. Thua se është i mishëruar te vargu si zoti te fryma e shënjtë. Vetëm kështu shkruhet për dashurinë.
 Dhe vajzës së dashuruar vetëm kështu i flitet… aromë e shpirtit tim.… zemra trëndafiloreLule e Jetës Sime/emblem dashurieOrëzemra/në dymbëdhjetë dritare/trokiti/dymbëdhjetë herë/për tu bërë një me ty/përmes puthjesh ….Mermë në krah të gjirit tënd/më përkëdhel si puhi/e ma vajto njëherë/sall dhe njëherë atë synë e zi/ tek jep shënjë për nën lamë/ tek ai bli lahet me hanë/e flokët i than me timin zjarr/ /Ndizem sa herë mendoj për ty…me një fjalor të ëmbël, të ngrohtë e të zgjedhur ku fjalët të rrjedhin si lotët prej syrit…Adresa më e ndritur je Ti/ ditë e Mbarë/ Botës sate i mbrekulluar mbes/Nën strehën tënde pushoj/përmes një Nate të Mirë/ me Ëndrën e ëmbël ma dhuron/kujtimin që s’vdes/ Me ty jam/dhe atëherë kur do të lë/pa Lamtumirë. . me një dëshirë e një premtim.. Po vij qetaz/pa të trembur/ vetëm për një ëndër të pafund/me mua…sepse… Më ndez lehtë përmes një fjale./   Prush bëhem i tëri/nga përndezjet e gjuhës sate/  / A nuk shtrihet edhe mbi ty/kjo valë zjarmie/a nuk të ndez si mua/ajo ekstazë mrekullie/ lugut të dafinës/krojeve të venerës/tek ajo majë mali/ në plisore
4.a-Interesante në këto poezi është fakti se e njëjta ndjenjë dhe i njëjti mendim a siguri është te të dy të dashuruarit, edhe pa komunikuar me njeri tjetrin, thua se kemi të bëjmë me një ndjenjë tele-patie… Ende nuk jam nisur/as zë kam lëshuar/ /Si nuk të mposhtën pritjet/ a s’ma thua e dashur? ... Nuk arita të të ruaj nga vetja. As Veten time nga Ti… Dhe mbete Lulja e Dashurisë/ për shpir-tin tim… Shih sa bukur e shpreh poeti dëshirën e tij… Në se kjo natë vjen me ty/mirë se ardhtë/ po erdhi vetëm/ do ta përzë…madje dhe atëherë kur duket sikur s’vjen… Në cilën rrembë je fshe-hur/ e po më prêt moj grishë Çepuri… Ajo hyri tërësisht në mua/duke kaluar portat/ oborrin / shkallët /pas një fjale të vetme/ /Theu dhe drynat e ndryshkur/ dhomave të shpirtit/ Pushtoi çdo gjë timen/të dëshirtë/të ëndërt/  /Aq sa s’mund ta dëboj më...
5-Sabit Rrustemi ka përdorur një fjalor poetik dhe figuracio të natyrshëm dhe pa sforcime, i cili bën që poezia të lexohet e ndjehet me një kënaqsi të njëjtë me thithjen e ajrit të pastër pranveror, duke treguar në këtë mënyrë elegancën e gjuhës sonë në meloditetin e poezive të tilla por edhe mjeshtërinë e tij poetike.. /…Rrobat lozin në ballkon me gjuhët e erës/Dashuri a ime/gjithësia jote unë jam/ në fronin e zemrës të mbajMe ag/fillon vetëm njera pjesë e ditës./  Pjesa tjetër/ nuk mbyllet pa ty…Nuk e trazoj këtë krua/ ku pinë ujë buzët e tua…Le të bjerë shi me erë e furi/le të bjerë/vetëm le të bjerë/…/ Pas shiut shfaqesh Ti hënë e plotë/ në qiellin e syve të mi.…mbeta nën atë strehë zemre/tek ata sy/…që edhe kur të befason me kthesat e ligjërimit, të krijohet përshtypja se ishte diçka e pritëshme, ndonëse jo kaqë fine… Në një cep të vetmisë sate/…hyra fshehtas përmes erës//  Lule e shpirtit nuk je vetëm/të përftohem pa pushim… Ç’fat i  pashkruar/  Ëndrat e natës/nuk ikin në mëngjez/…Shtegëtimet e tyre/shpesh digjen nëpër bebëza…ose …Me hënën në Pesëmëdhjetë/u mbarsën retë/ Ra shi e shi/tokës së etur gjithandej /solli paqe/ Dhe ty mbi qiellin tim/ si Pogaqe…
Vargjet e tij të lira me një dendësi mendimi që shkojnë rrugëve të  poezisë në strofa dy a tre a pak më shumë vargje, si djem të dashuruar duke fërshëllyer lehtazi melodi. Se poezia e Sabit Rrustemit është plot melodi, si pylli në pranverë ku veç zogjve këngëtarë edhe gjethet fëshfërinjë melodi.
Sabit Rrustemi shkruan  me vargje të lira përgjithësisht, por poezitë e tij të dashurisë vetëm
me vargje të lira, grupuar në strofa me një, dy a pak më shumë vargje mund të shkruhet. Prandaj ngjajnë strofat e poezive të tij si grupe djemsh adoloshentë që shëtisin rrugëve të Gjilanit gjer  pas mesnate, të zhurmshëm e gazmorë. Në botën e dashurisë së sabit Rrustemit ska vend për vargje të rregullta si skuadra ushtarësh në parakalim. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm se çdo poezi ka një natyrë vargu që i përshtatet. Sabiti e ka gjetur vargun  që e prezanton poezinë e tij, ashtu si velloja prezanton së largu nusen.
6-Poeti i këndon dashurisë si një ëndre të bërë realitet vetëm për ‘të personalisht dhe për pasojë,  ka bindjen se ai, i dashuruar do jetojë përjetësisht, se vetëm ai e njeh dhe e ka provuar dashurinë, çelësin e përjetësisë… Bota gënjehet nëse mendon/se mund të jetojë pa ne/e dashur…Ajo ëndër që nuk po e shoh/dashuria ime është./  /. Vetëm po e ndjej se e dëshiroj/ orë e çast po e jetoj...ti je e paprekëshmja ime/..ëndër që nuk shihet/e një jetë të tërë kërkohet… Ecejakeve pas një ëndrë/na mërdhinë fjalët/   / E dashur/acar fjalësh mërdhiu dhe motin/ Mua jotja mungesë … sepse……kjo botë/ është krijuar nga dashuria…
7- Të befason dhe të mrekullon  këndvështrimi i autorit për dashurinë, që nga elementët personal tek ata të natyrës, nga subkoshienca njerëzore te elementët atmosferikë. Stinët janë thjeshtë kohë dashurie dhe koha varion sipas gjëndjes së tyre shpirtërore  Të prisja pas Lame/ te Pojata / Të prisja/ e s’vinte as hëna…Qielli mrolej/frynte/binte shi. Ti strukeshe/flije në sytë e mi… Prilli i  trimërisë/ ruan lulen e Dashurisë/ në dritaren time…E kam parë në ëndër/ ëndrën time…E shtuna / mbledh fundjavën/e ik e vetme. Ti / fshehur botës/strukesh në mua/për një të nesërme tjetër. Të dielën do pushojmë/ në sytë e njeri tjetrit/do të lutemi/do të falemi pafundësisht /vetëm për dashurinë…Shiu/dhimbjen nuk e lau/as flladiti. Vetëm ajo kur trokiti/një botë e fjetur/ u shpërgjum /e lindi...
Kjo është poezia e vërtetë e dashurisë që lexohet me ëndje, që rilexohet e admirohet, poezia ku befasohesh nga larmia e figuracionit poetik, madje të dëshirosh të jesh personazhi i tij në vargje…. Deti shtrihet para meje/si një mashtrim  ri….Në eter diku/pa oksigjen mbeti kumti... Përmes dashurisë lëshon farë/e mbin mu në zemër/Lulja e Shpirtit. Rrënjët e saj / ujiten me puthje,… ose elegance e paraqitjes së misionit të poezisë si lajmëtare e dashurisë … Ai varg i tëri jam unë/që prehje kërkon në tëndin gji/shpirti im i fshehur në poezi… E dashur rri e qetë/..një varg poezie do të nis andej ku je/ për të thënë atë magji jete me dy fjalë…apo qasja me motive  popullore të situatave dashurore… Mollëzat kuq si gjaku/ruhen për majë bajraku. Pa treqint martina e nji mal pritjesh/ajo nuk futet në gji…Dada Hanë namë e s’pranë/t’shitoftë shita qi na le pa zemër/oj Zanë…
 Mund të citonim shumë vargje, madje çdo poezi mund të citohej lehtësisht në këtë shkrim dhe nuk do ishte gabim, sepse të gjitha poezitë e përfshira në përmbledhjen dyvëllimëshme janë përzgjedhur me kujdes e shije, si gurët e zgjedhur, gdhëndur e latuar për të ngritur muret e një kulle, të aftë që të përballojë  vrunduj ere të kritikës dhe peshën e dëborës së harimit.
Me këtë  përmbledhje Sabit Rrustemi dëshmnoi se është një poet lirik i rrafshit të epërm të poezisë, deri tani i pa krahasuar me asnjë tjetër për poezinë e dashurisë. Individualiteti dhe bota e tij poetike e pasqyruar në këtë përmbledhje flet shumë dhe qartë dhe, së paku në këtë fushë është një botë  për eksplorim.
Ndaj dhe mbyllja e fletës së fundit të kësaj përmbledhjeje mbart nga unë dhe një falnderim për Sabit Rrustemin që na pruri një poezi rinore, të pastër dhe të bukur dashurie, duke na treguar se si shkruhet e si duhet të shkruhet sot për dashurinë.



Sarandë, më 28.01.2020






Thursday, 23 January 2020

PRINCESHA E METAFORËS



PRINCESHA E METAFORËS


Sado e çuditëshme  që duket, sa herë lexoj poezitë e Peso Pem’za mua më kujtohet gjyshja ime. Realisht  gjyshja ime s’ka asnjë qasje me këtë poete as si periudhë jete, sepse gjyshja ime ka vdekur në vitet ’70, kur Peso (besoj)  ka qënë fëmijë, dhe as në mënyrë jetese, sepse gjyshja ime ishte hierëndë dhe në  rininë e saj mbante nagantin në brez ndërsa Peso paraqitet në shkrime e foto (se unë nuk e njoh fare) një tip çapkëneje, që me siguri do ti ngrinte kacabujtë gjyshes sime. Dhe sigurisht nuk kanë qasje as në letërsi sepse gjyshja ime nuk ishte poete, ndonëse shpesh kishte një të folur me bejte si gjithë plakat pilurjote, ndërkohë që Pesoja ka ca shpërthime poetike që më të drejtë Armela Hysi  i quante “shpërthime gjenialiteti”.
Por mua s’di pse më kujtohet një përallë e gjyshes sime për një princeshë të bukur, të mbetur jetime, sa herë lexoj poezitë e Pesos… Kësaj princeshe, në moshën e fëminisë  i vdiq nëna dhe ajo vetëm vajtonte  me lotë të hidhur.   Këtu pra, qënka është qasja mes poetes dhe gjyshes sime,  pikërisht vajtimi e lotimi, pavarësisht se poetja  loton përmbi vargje (ndoshta pse e përjetoi në moshë më të rritur humbjen)… Kur diq nona/e lajtëm bardh/e krehem l’mojtë/e mlum me dhe…, por përballë vdekjes së nënës edhe ajo ishte dhe reagoi si një fëmijë. Vdekja e prindërve dhe sidomos e nënës na kthen të gjithëve në fëmijëri, si për nga ndjenjat që përjetojmë ashtu dhe për mënyrën se si reagojmë.
Ndryshe nga Peso që me dhimbjen e saj mbuloi poetikisht planetin, princesha e vogël e përrallës së gjyshes sime mbyllej në një cep të shtëpisë apo shkonte në rrëzë të një trungu peme në kopështin e saj dhe vajtonte me dënesa të forta e pa zë. Por në vajtime, po nuk e dini jua them unë, dhimbja del me vajin, me zërin, me ligje (ligjërime). Kur nuk di të vajtosh me ligje, dhimbja dendësohet  në shpirt  dhe kondesohet në lotë, që derdhen nga sytë. Kështu i ndodhi dhe princesësh së vogël, dha e mori e vogla duke shtrënguar gjoksin në dënesa  kur befas i shpërthyen nga sytë kokra loti. Por çudia ishte se këta lotë qënkishin si ca ruaza të bardha, si kokra breshëri dhe erdhi dhe u mbush vendi me bardhësi kokrizore. Princesha e vogël nuk kishte si ta dinte se dhimbja e saj ishte kondesuar në …margaritarë. Ajo qante për nënën te trungu i pemës së madhe dhe lotonte margaritarë. Pastaj ngrihej e ikte, për të vajtuar përsëri të nesërmen për nënën në një tjetër vend…kur diq nona/deken e pash tuj kqyrë n‘gropë/hë bushtër/ke humb /aty brenda diçka tandën/edhe po i more tana nanat /jetime mbetesh…
U mbush viti dhe babai i princeshës solli në shtëpi një grua tjetër dhe i tha të bijës së këtë  grua ajo, princesha pra, do ta kishte si nënë. Por kjo gruaja e dytë nuk i ngjante fare nënës së princeshës, ndonëse ishte e bukur dhe qeshtë shumë, ajo nuk e kishte atë dritën e ngrohtë në sy, siç e kishte nëna e saj. Edhe shikimin e kishte pakëz të pjertë, si një thupër që të godet pabesisht në shpinë, jo një shikim i drejtpërdrejtë që të të hyjë drejt e në zemër. Prandaj princesha i shmangej shoqërimit me këtë grua që solli babai në shtëpi dhe shkonte shpesh te pema e madhe e lotonte ose bisedonte me pemët, ashtu siç bisedonte me poezinë Peso Pem’za… Sot një Ah/u bë gati t‘më fliste/dhe asgjë nuk më tha…ose meditonte…..kur vdiq nëna/pushova të jem / fëmijë e tim eti/u rrita nga mjesi deri në darkë… sepse nana kur u bo me fmijë/harroj se ishte edhe gru/u braktis prej babe/baba kur u kujtu se ishe edhe burrë/iu kthye asaj/e na /jemi kon t'endun veç prej ni dore/dallohet trajta ….
Fatkeqësisht, kureshtja e njerkës për largimet e shpeshta të vajzës së vogël zbuluan  faktin që lotët e saj ishin prej margaritari. Ajo ja dinte vlerën margaritarëve, prandaj pasi i mblodhi të gjitha ato që kishte lotuar princesha nëpër rrëzë pemësh apo cepa muresh, filloi ta mundojë vajzën më tepër me qëllim që ajo të lotonte gjithë ditën. Kështu ajo bëhej e pasur nga lotët e princeshës së vogël.
Vetkuptohet që babai i princeshës nuk shikonte gjë. Me siguri këtë ngjashmëri ka patur babai i princeshës së vogël  me atin e Pesos, ndaj kjo shkruajnti poezinë…ka ditë që babës iu ka skamnu shikimi/dhe kujton se asht i sëmurë/hukatë mbi xhamat e syzeve e m'vet/a din me ia knu nonës ni Ja-sin/mungesën tane e lexoj n'sytë e tij/e ai ankohet se ni vesh po i knon si shpesh/unë mar për Ty ndër dhambë nji kangë/s'i radiot e vjetra me ushtimë/as ai s'kursehet/me zonin e tij shterrak m'bjen n'refren…
Pricesha vajtonte në verë, princesha vajtonte në dimër e Peso largonte të ftohtin e dimrit me poezi …hej dimen/s‘kom zemër t‘përshtatshme për motin tand/asaj shpejtë i ngrin pështyma…
Por erdhi një ditë që princesha nuk po vajtonte më për nënën. Jo vetëm që nuk vajtonte, por çudi e çudive ajo këndonte gjithë ditën, njësojë siç  shkruante Peso Pem’za… nuk po trishtohem/kur po m’shpeshtohen/vijat e imta nër sy/janë udhë për gëzimet/që dojnë me u kthy…madje shpesh këndonte e vallzonte njëherësh...ngo ti zemra jeme/mirë që s’banon/me mu/se unë do t‘përlahesha me gotën që ti pi/se ajo ta preku cepin e buzës/do të zihesha me briskun e rrauzes/që ta përshkon arrën e gushes/mënia jeme do t‘dokej fushës/Hej dije/edhe pemtë e kopshtit do ti preja/mos me t‘zatet me hije/as me pikat e shiut/n‘ujdi s‘do t‘bija/që ranë mbi t‘prekmet e mija/për orët që do t‘mungoje/ do ta rrisja qiranë/me mjekët në rast se sëmuhesh/do ta ndezja belanë/edhe për majthat e gishta ve / me rezen e derës/me t‘shejtin shpend t‘verës/që t‘kapercej pa m‘vetë mu/me krejtë isha idhnu / dhe për inatë/me ton ata që besojnë n‘zot/do t‘boja shamatë/se nën kulmin tem/puthem me perendinë ditë e natë/ngo ti zemra jeme/mirë që s‘banon me mu/po n‘mu…
Gruaja që pruri babai u tmerua. Jo vetëm që spo gjente më  margaritarë loti por vajza nuk kishte ndërmënd të  ulej e të vajtonte ndonjëherë. Atëherë me shkak e pa shkak e rihte, por edhe rahja s’bënte fajde. Princesha e vogël këndonte e fluturonte në valle me fluturat..mundet një flutur e bardhë/për pak/t‘ia prish të zitë natës/dhe ajo për pak të harroj/se është vejushë…  sepse jetonte në ëndër …a do t’më besoni nese ju them/se kam pritur/aq gjatë në radhë/për ta imagjinuar një ëndërr/ku puthësha me zotin/dhe po aq gjatë/do e meditoj atë ekstazë dashurie/../Ka njerëz që mund t‘i thonë përmendësh/emrat e dashurive/ashtu sikur unë të ëndërrave që kam…

Atëherë gruaja e dytë që pruri babai e kuptoi që princesha e vogël nuk ishte më aq e vogël. Ishte rritur dhe kishte rënë në dashuri dhe i këndonte dashurisë së saj. Dha e mori çfarë të bënte dhe …e mbylli në dhomën e saj që të mos dilte….Atëherë lot të hidhur i dolën nga sytë princeshës, lot që çuditërisht sa binin në dysheme, shndroheshin në diamantë, të bukur e të fortë. Por princesha e vogël s’kishte sy të shikonte diamantët. Ajo i shtynte dhe i mbulonte me hirin e vatrës, poshtë druve që digjeshin ngadalë…. Na dyja/Ku e thej qafen hana /athu ku/ka ik sikur t'sh kon çikë/atëhere kur flejnë gjithë gjinja e shpisë/dhe krejt me kast i le nallanet n'derë t'avlisë /veç sa me u dok qe shkoj mas dashnisë/…/Ku e thej qafen aq me ngutë/unë gjithë me 'to jom nda butë/edhe atëhere kur del gjys e kafshume/edhe kur plotnohet për ulk/qielli met pa hanë/e unë pa ty/netët ka me i mlu zija/n'andërr e linda një fëmijë t'pa baba/tash që asht terr nuk m'shohin /se dyfishohem veç nga hija… dhe vajtonte se… Prapë kallnori/ra n‘dimen/e na/tek a tek n‘kallnor… prandaj ajo vajtonte... e lash/zemrën pa e kurdis/mos ta kuptojnë që s‘je/se plas…

Dhe ashtu e mbyllur në dhomën e saj, e mësuar tashmë me dhimbjen, i çonte djalit fjalë dënese me vargjet unë ia përsërita pa fund/erës/fjalë për fjalë këto që shkruaj/s‘di nese të tha/se kodra e vetme e thinjur/që dukej mal/qe mjekrra e jote/murgeshat e gojës time/ishin pushtueset e vetme të atij manastiri të vogël/e vetmja faltore e fesë time të madhe/e shëndrruar gërmadhë kujtese/nuk di nëse të tha/se në këtë vend stinët se plakin barin…
E mbyllur në shtëpi, bisedon me dashurinë…/Unë i veta sytë/veti edhe ti tut‘/a dojmë me u kqyrë/dej n‘mjedis zemre  /a veç deri n‘hudut/kallxom ta di/t’mitë ku ti maj/n‘gaz apo vaj…
Por zemra beson në dashuri… zemra jeme don me besu/se me borën permi kry/se denojnë as bjeshken/ajo bjen se don me u shkri / përmbi zjerm t'heshtun/beson zemra jeme e bardhë /si janari/se dashnija e saj /asht e kuqe si tetori/…dhe se tramdhjetë muej i ka kalendari….
Dhe parafytyronte jetën…/Mëngjesi doket si gru e re/met e ve/qe nuk i bindet petkut t'zis/vishet gri/th'u se e ngulfatë nyje e shamisë/../asht nji mister/dita thinjet pa dal/dilli nuk lindë veç del/ovali i tij ka ndryshu/mundesh me puth/me prekë pa u djegë/../Përmasa e dritës a cenu/as zog as dushk s'pipëtinë/dhe nuk mjaftueka vetëm kaq/u qorr diku dilli n'zjarmi/kam bindjen /se me kast e dështon lindjen/e dy sy bore metën pa u shkri....
E mbyllur princesha  duronte e duronte, ndoshta fati i ndryshonte një ditë… durimin e m'sova me bombone/qe n'fmini/na ipnin nji për dy gojë/kështuqë se pata zor as me ty/se as zogu si ipet krejtë erës /pa i bo lojë/gjysmën e run n'pendla /krejtë tjetër fare/krejtë tjetër bojë…
Kështu e kalitur me durim, kujtimet dhimbshëm i  vargëzon…në raftin e gjërave të imagjinuara/do ta vendos kujtimin për ty/asnjëhere nuk do ta rrefej për të ngjarë/do ta tregoj sikur të ishte përrallë/Ty nuk do të përshkruaj në ishe burrë/as vetën grua/por të shpërbërë nga era/se kujtoi që isha gurë…Nuk ka faj, dashuria të sëmur  shumë rëndë, të dobëson e të zverdh… me polen luleradhi-qesh /jam njëllos/doktor nuk jam e sëmurë nga verdhëza/ka ditë që pres s'i shkronja (i)/pikën mbi kry …
Princesha vajtonte dashurinë e humbur apo dashurinë e grabitur, quajeni si të doni…rrugës për te ti/dashurinë ma plaçkitën hajnat/s'i kuleten/së pari e përmbysën /nga palët ia nxorrën sytë/ pastaj të gjitha me radhë/ajo tashmë ka humbur ndjenjë/nuk i identifikon /as ata /as mua/as ty… dhe në vetmi ëndëron.…. s’di pse mes andërre/këputet nji kopsë e këmishes/edhe nji yll/dhe kërkoj ti rishoh…. dhe lutet në heshtje, si në kishë… a do të flasësh më shpesh/nese të tregoj /se trupi im/ka gjunjë që thyhen/nga timbri i zërit tend/dhe hije të ngjyrosur /nga po ajo ngjyrë zëri…
Nuk e di si vazhdoi përralla e gjyshes sime, ose mua më zuri gjumi duke parë ëndra me princeshën e bukur ose gjyshja ime fjeti, duke më lënë që ta vazhdoj vetë përallën, por në një kohë të mëvonëshme kur të kem nipër e mbesa pranë. Ndërsa tani që kam poezitë e Peso Pem’zës ju them se ajo është vërtet “Princesha e metaforave” sepse ajo “loton” metafora nëpër poezi. Por më e rëndësishme është fakti se këto metaforat të befasojnë me shkëlqimin dhe  bukurinë e tyre dhe lehtësisht nëpër këtë dritësim dhe bukuri dallon forcën e diamanttë të tyre.  Vetëm një det i madh dhimbjeje dhe një trysni e jashtëzakonëshme ndjenjash i krijon këto metafora në subkoshiencën e saj poetike. Dhe një talent i rrallë i vendos mjeshtërisht nëpër vargje si diamantët në një kurorë princërore. Ja, shihni vetë sa bukur qëndrojnë…malin breshni kurrë se ka rrxu/as ti mu/arën gruni kurrë se ka ngi/as unë ty/jemi sall dy duj/t‘lidhun tek e tek/prej lyftyrave t‘egra/rritun nji moti t‘lig/dokemi s‘i miq/e s‘jemi hiç/mesditë asht/veçse dita ka nis me u zgjatë sa dy net/dielli me u dok ma shpesh/e na ma rrallë/nermejt e kemi ma shumë se i prill/ ma shumë se i trilljemi dy duj t‘keq/që dergjen veç e veç

Peso Pem’za ka dëshmuar se është një poete e spikatur pranë së cilës nuk mund të kalosh indifferent. Është pikërisht shkëlqimi i diamanttë i metaforave të saj që të detyron të kthesh kokën dhe të shohësh se ajo, jo vetëm ka një poezi të bukur por  ajo e ka poezinë pjesë të jetës së saj, dhimbje të dhimbjes së saj, lot të zemrës së saj.

Ndaj dhe unë këtë shkrim të thjeshtë ja afroj poetes si një sup miqësor ku të mbështesë kryet gjatë dënesjeve dhe të lotojë lirshëm, pa patur frikë se mos ja “grabitin” “diamantët dhe margaritarët”  prej loti, si njerka e përallës. Për këtë, ka besën time.



Sarandë, më 20.01.2020