Wednesday, 4 March 2020

Të vdesësh i bukur… dhe të rrosh në këngë


Të vdesësh i bukur… dhe të rrosh në këngë
Sprovë

Nga Timo Mërkuri
     1-Sa herë që dëgjoj  këngën e Kanan Mazes[1],  vargu që më mbetet në mëndje dhe më vë në lëvizje fantazinë është pikërisht vargu…”Kanan tu prish bukuria”. Unë e di  që ky varg flet për  plagosjen e një luftëtari lab në sulmin mbi pozicionet italiane në Kotë[2], ku gjylja e topit i mori gjysmën e nofullës. Nuk kemi të bëjmë me sfilata apo konkurse bukurie. Por le ta lexojmë bashkërisht këtë këngë kënduar nga luftëtarët shqiptarë të Luftës së Vlorës në 1920 që thotë…O bobo se ç’qënka Kota/ Më e bukur se Evropa/ Bytym mitroloz e topa/ Kanan Mazeja nga Shkoza/Me një nofull copa-copa/Kanan t’u prish bukuria/Le të rrojë Shqipëria/  Shiko si mblidhen bukuritë në një vend, sikur i vë  zoti  me dorë.  Kanan Maze i bukur  plagoset në Kotën e bukur që, siç e thotë kënga ishte Më e bukur se Evropa… 
      1.a- Nuk më përqëndrohet  vëmëndja te vargu…Me një nofull copa copa…, thua se nuk na bën përshtypje ashtu siç nuk i ka bërë përshtypje as vetë Kanan Mazes plaga në nofull. Normalisht  luftëtari duhej ta ndalonte sulmin, të tërhiqej për t'u mjekuar diku. Tek e fundit, të dëshpërohej, ndoshta të pendohej për aventurën. Por jo! Ai vazhdon luftën sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Pikërisht në atë moment e thërrasin shokëtKanan t’u prish bukuriaKaq, asgjë më shumë. As përshembull “t’u enjt plaga”, “të rrjedh gjaku çurgë”, "bobobo, ç'të gjeti, o vëlla"! Jo! I thonë vetëm "t’u prish bukuria". Vërtet, ajo gjyle i mori gjysmën e nofullës, ia “prishi” bukurinë luftëtarit lab, po si vallë në atë çast e në atë vend ku vriteshin e gjymtoheshin burra nga gjylet, gjendej "oreksi" të flitej për “bukurinë”. Po, ja që gjendet, kështu mendon rapsodi. Ai gjykon se ky detaj ishte tepër i rëndësishëm, në mos më thelbësori për luftëtarin që u godit e që edhe mund të vdiste.  Ai gjykon dhe na thotë edhe ne se “bukuria” e luftëtarit në momentin e vdekjes[3] ishte diçka më e rëndësishme se plaga apo dhe jeta e tij. Ishte thelbësore edhe për  vdekjen e njeriut shqiptar[4].
        2- Te romani “Ultimatumi” i Petro Markos[5] ku përshkruhet Lufta e Vlorës në 1920 ka një pasazh mbresëlënës. Shumë nga luftëtarët shqiptarë ishin fshatarë të varfër dhe vetkuptohet që edhe rrobat i kishin me arna e copë e çikë. Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare nuk kishte fonde t’i paiste luftëtarët me uniformë[6]  ndërsa Qeveria e Lushnjës jo vetëm që s’kishte fonde, por ishte pozicionuar me “qëndrim në hije” në problemin e konfliktit. Gjithësesi, luftëtarët fshatarë po shkonin në luftë ku edhe mund të vriteshin. Problemi nuk ishte aq shumë te rënia. Problem të vërtetë përbënte fakti se do vriteshin me rroba të vjetra, të grisura. Kjo ishte tërësisht e papranueshme për traditën shqiptare.
      Sipas kësaj tradite, dhëndëri ditën e dasmës dhe luftëtari ditën e betejës duhet të vishen me rrobat të mira. Dhëndëri vishet me rroba të reja sepse duhet të vejë i bukur te nusja dhe luftëtari  vishet me rroba të mira sepse mund të vritet dhe duhet t’i vejë i bukur vdekjes[7], si nuses. Plaga e plumbit nuk quhet shëmti, ajo është  zbukurim në trupin e luftëtarit, kudo që të jetë.. Prandaj, shkruan Petro Marko, këta luftëtarë të varfër i thirën  një nga një komandantët e çetave dhe plot kujdes që të mos cënoheshin në sedër nga varfëria, gjetën për secilin nga një arsye dhe bënë si bënë, iu dhanë nga një palë rroba të reja[8].  Ata, thotë Petro Marko, i morën rrobat qetësisht, i veshën dhe fluturuan nëpër llogore, sikur nxitonin për në dasëm. S’kishin drojë nga plumbat, ishin gati t’i dilnin vdekjes përpara serbes, pa ia përfillur hijen e rëndë, siç iu dilnin vashave te burimi i fshatit dhe iu hidhnin romuze çapkënësh.
       3- Një tjetër situatë në pragvdekje përjetohet edhe te “Bilbilenjtë trembëdhjetë”. Këta kaçakë quheshin  “Bilbilenjtë” nga emrat e dy komandantëve të tyre  Bilbil Shako  nga Rexhini i Kurveleshit dhe  Bilbil Resuli nga Progonati. Por më mirë  le të flasë kënga në vendin tonë… O Kurveleshi me vulë/Të bënë sa doli ujë/Shtatë[9] pashallare u çkulë/Per Bilbil e per Resulë/O ju të shkretët kaçkënë,/Shkurti u prishi takëmë,/U hodhi borë të rëndë.../…/ Pashai hapi fermanë/ -Ngrehu bilbil e hidh litarë/Dale bej të dredh cigarë/Se nuk jam çanak me dhallë/Po jam bilbili me pallë/…/Bilbilenjtë trembëdhjetë/Vanë në litarë vetë…Biografinë e tyre e …ligjëron kënga. Ne le të ndalemi tek ç’na intereson në momentin e ekzekutimit të vendimit të gjyqit ndaj tyre. Me vdekjen, me varjen në litar. Dihet që gjatë ekzekutimit, kur litari shtrëngon fytin e të dënuarit, nga mungesa e ajrit, viktima hap gojën dhe nxjerr gjuhën për të ndihmuar frymëmarrjen. Shtrëngesa dhe gjuha jashtë i japin fytyrës së të vdekurit në litar pamje jo të bukur. Por në qoftë se në momentin e varjes midis dhëmbëve mbahet shtrënguar ndonjë send, pengohet gjuha dhe fytyra ruan kështu një farë normaliteti. Bilbil Shakua e dinte këtë, ndaj kapardisur i tha pashait: "Dale, bej të dredh cigarë". I duhej cigarja në gojë, veç të tjerash edhe për të penguar gjuhën e për të mos i dhënë pashait turk kënaqësinë ta shohte të shpërfytyryar.
Bilbil Shakua[10] me pallë/Me dhëmb e shtrëngoj cigarë…thotë një këngë tjetër.  Prandaj kanë ngelur të bukur në kujtesën tonë “bilbilenjtë” madje edhe emrin ua themi me ëmbëlsi e dashuri sikur flasim për bilbila këngëtarë..
      4- Kaq shumë ështe rrënjosur në jetën shqiptare koncepti i të vdekurit “i bukur”, sa
djemtë tanë nizamë, ndonëse të ndarë forcërisht nga atdheu e familja qysh në fëmijëri dhe të rritur në ambiente të huaja ushtarake, në prag të vdekjes nëpër sheshbetejat e Arabisë, linin amanete të pashembullta që koha i bëri këngë madhështore.
O ju korba që më hani/ Sytë e zez të mos m’i ngani / Sytë e zez mos mi qorroni/Se jam djal’ e më shëmtoni … Vargje të tillë që përshkrujanë atmosfera e situata gati të pabesueshme, do të zgjonin ndoshta edhe zilinë e vetë Homerit.
      5- Pikërisht kjo traditë ka kultivuar te luftëtarët e luftrave antiturke[11] një zakon të habitshëm, në dukje makabër. Kur plagoseshin në luftë dhe shihnin se fitorja ishte e armikut dhe tërheqja e pamundur, iu luteshin shokëve t’iu... "mirnin kokën me pallë", t'ia dërgonin shtëpisë së tyre. Të mos i linin në dorë të armikut që do t’i përçudnonte e do t'i turpëronte duke ua ngulur trofe në hunj kokat e bukura, a do t'ua përplaste shkëmbinjve, siç bënin rëndom ushtarët turq Është emblematik rasti [12] i Zenel Gjolekës së plagosur në Rekë. i tha bashkluftëtarit Shuaip Gjorduka, fjalët që aty për aty u bënë këngë: Shuaip të kam si djalë /Jam lavosurë në ballë/ Mos më le në ta të gjallë/ Hiqma kokënë me pallë…është tepër kuptimplotë por nuk është i vetmi. Sado makabre që të na duket sot një veprim i tillë, ai ishte produkt i një tradite fisnike shqiptare që synonte t’i  ndërpriste armikut çdo mundësi shëmtimi të fytyrës së luftëtarëve të vdekur.
        6- Zakoni i të vdekurit “i bukur” arrin kulm në rastin e Osman Takës, djalit çam nga Konispoli, kryetari i degës së Lidhjes Shqiptare të Prizerenit për zonën e Prevezës. Për këtë të shkuar atdhetari, në vitin 1886, si i zbulojnë me tradhëti vendin ku strehohej dhe pas një përleshjeje me armë, kur iu mbarua municioni e arrestojnë bashkë me katër bashkëluftëtarë. Gjyqi në Janinë e dënoi me varje, ekzekutimi do bëhej publikisht në Filat, do asistonin edhe Valiu dhe Kadiu i Janinës. Para ekzekutimit, Osman Takën e pyesin për dëshirën e fundit. Valltar virtuoz siç ishte, s'mund të mos kërkonte ta lejonin të kërcente një valle të fundit, bashkë me shokët e dënuar. Të famshmen dhe të njohurën “Valle e Osman Takës”. Aq bukur u hodh ajo valle, aq mbresa ngjalli e përcolli, saqë Valiu turk, i detyruar nga entusiazmi i popullit të pranishëm, por edhe nga hutimi i ushtarëve të tij, shpalli faljen [13] e të dënuarve.
Kujtesa na sjell pranë melodinë e “Fyellit të Tanës” që shoqëron këngët e të dënuarve para
skuadrës së pushkatimit, ose thirrjet e tyre për Shqipërinë dhe lirinë. Janë aq të shumta rastet, sa derdhen e na vijnë si jehonë kënge e ansamblit të historisë.
        7- Në 17 Maj 1941 Vasil Laçi[12], djalosh 19 vjeçar, qëllon me pistoletë katër herë  mbi Perandorin 71 vjeçar të Italisë Fashiste Viktor Emanueli III, i cili largohej nga Shqipëria në përfundim të një vizite zyrtare që kishte nisur në datën 10 Maj. Mbante në duar një tufë lule[13], me të cilat maskonte pistoletën. Në momentin që ngriti armën të qëllonte nuk haroi të thërriste …Rroftë Shqipëria…Por pikërisht kjo thirrje  pasoi ndërhyrjen e një oficeri fashist ndaj tij. Vasil Laçi humbet shenjën dhe plumbat goditën  makinën në pjesë të ndryshme. Arestohet menjëherë dhe në çast fillon torturimi i tij. Gjatë hetimit  deklarimi “lejtmotiv” i tij ishte…E bëra për Shqipërinë”. Dënohet me vdekje me varje në litar me Vendim Nr. 227/41, Datë 26 Maj 1941, nga Gjyqi Ushtarak i Fuqive të Armatosura të Njisueme të Shqipërisë. Francesko Jakomoni, Mëkëmbësi i Përgjithshëm i Viktor Emanuelit III nxori një Dekret po më 26 Maj 1941, që Miratonte Vendimin e Gjykatës Ushtarake kundër Vasil Laçit dhe urdhëronte ekzekutimin e tij. Në momentin e ekzekutimit[14], në orën 5.45 të datës 27 Maj 1941 në oborin e burgut të Tiranës, kur u pyet për dëshirën e tij të fundit, Vasili me një gjest serbez kërkoi një krehër dhe pasi krehu flokët…“u shoqërue në trikëmbëshin e pregatitun, ku i dënuemi tha disa fjalë”[15]  që u konfirmuan se ishin …“Poshtë Fashizmi! Rroftë Shqipëria!”. Vasil Laçi, edhe pse hero i brezave më të rinj e kohëve më moderne, zbatoi ndoshta instiktivisht kodin e lashtë për të vdekur i bukur pas aktit që ndrin si diamant në historinë e Shqipërisë.
       8- Hitoria shqiptare e quan të zakonëshme  traditën e vdekjes së luftëtarit “ i bukur”. Pa folur për formacionet ushtarake të Ilirisë apo Arbërisë, ku vetë uniforma ushtarake u jipte luftëtarëve një pamje të bukur, le të kujtojmë faktin se luftëtarët shqiptarë edhe të vetmuar i kushtonin një rëndësi të madhe veshjes në lufte. Në kundërshtim me kalorësit persë apo mongolë që në inkursionet e tyre të gjata, në shumë raste edhe nevojat personale i kryenin në shalë të kalit në ecje e sipër, kalorësit shqiptarë të të gjitha kohërave, veshjen dhe pastërtinë vetiake[16] e kishin detyrim në vetvete të imponuar nga edukimi  familjar. Kjo ska të bëjë me rregulla ushtarake, kjo është pjesë e traditës dhe e besimeve popullore sepse:
a)- Luftëtari kur vritet u lë familjarëve dhe shokëve pamjen e fundit si një fotografi të përjetshme. Referuar në atë pamje ngrihen edhe këngët dhe vajtimet e mëvonshme. Sa më e bukur të jetë pamja, aq më ngushëlluese është humbja për të afërmit, aq më të bukura do jenë këngët e vajet për rënin  
b)- Asnjë këngë apo vajtim nuk përmend papastërtinë e luftëtarit në çastin e vdekjes edhe pse mund të jetë përbaltur gjatë betejës apo rënies. Kjo përbaltje është pjesë që i mbetet fushës së luftës, jo portretit, as jetës të luftëtarit, sidomos jetës së pafundme në këngë. 
 c)- Gjithashtu, luftëtari i vrarë shkon para zotërve që e gjykojnë për jetën në tokë. Paraqitja e kënaqshme para zotit, shton mundësitë t'i falet ndonjë mëkat a ndonjë gabim bërë gjatë jetës në tokë.
  ç)- Në "atë botë", i rëni "takohet" edhe me të parët e tij, me nënën e babanë dhe duhet patjetër të ketë paraqitje sa më të kënaqshme në "takimin" me ta. Këtë ia kanë mësuar vetë prindërit në jetë.  


 Sarandë, më 2 Mars 2020











[1]  Kanan Maze (1878-1936). Patriot i shquar përparimtar, luftëtar trim, Hero i PopuIIit. . Rreth vitit 1900 shkoi nizam në Jemen. Për zotësi ushtarake e futën në një shkollë ushtarake, ku u kualifikua për oficer kavalerie.  Pas luftës  të Vlorës, u kurua në  Athinë me ndihmën financiare të miqve të tij patriot.  Ndër miqtë e tij bënin pjesë  edhe Luigj Gurakuqi, Aleksandër Xhuvani, Avni Rustemi etj. Kur Avni Rustemi u kthye nga Franca ku vrau Esat Pashe Toptanin, dhe u takuan, Kanan Maze i tha që donte ti puthte gishtin që shkrepi koburen… dhe Avni Rustemi iu përgjigj, " Unë do të puth nofullën që e dhe  për Shqipërinë…Pasi u shërua  u emërua oficer i xhandarmërisë.  Më 1924 u vu në krye të forcave të Kudhësit e marshoi drejt Tiranës. Luftoi në Berat e në Kavajë, deri në rrëzimin e Zogut. Në qeverinë e Nolit shërbeu me besnikëri.  Zogu, kur erdhi në fuqi, nuk e përndoqi,  por e la në ushtri me detyrën e nëntogerit. Më pas Kanani kreu detyrën e Qarkomandantit në rrethet e Gjirokastrës, të Përmetit e të Tepelenës.  Më 1928 Zogu e çmobilizoi. Më 1935 u lidh me forcat antizogiste të Fierit dhe pas dështimit të saj  Zogu e dënoi me vdekje, por u detyrua ta anullonte vendimin (Gazeta “Labëria” shtator 2010 f.3 dhe 9). Vdiq në varfëri të madhe, në fshatin e tij.
[2]    Realisht vendi i quajtur “Kotë “ ishte thjeshtë  terreni i nënvizuar  në hartat e ushtrisë italiane si “kuota 860” ku dhe u vendos një garnizon ushtarësh italianë. Për nga rëndësia strategjike vendi u fortifikua së tepërmi prej tyre. Pikërisht ky  fortifikim i pa parë deri atëherë në ato anë tërhoqi vëmëndjen e  luftëtarëve shqiptarë mbi domosdo-shmërinë e marjes prej tyre dhe i dha udhë këngës …O bobo se ç’qënka Kota…

[3]Një variant i kësaj kënge thotë U vra Ziguri te porta / Të xhumanë në saba / Komita ne Kotëe ra / Shkozë ç'u bë lakëra / çu vra Kanan Mazeja /çe mori në nofulla/ Kanan tu prish bukuria / Le të rrojë Shqipëria. Por interpretohet si vrasje jehona e plagosjes së Kanan Mazes duke ruajtur besnikërisht vargjet dialoguese. Realisht  për Luftën e Vlorës në vitin 1970, Instituti i Folklorit mblodhi dhe  botoi 108 këngë popullore, një pjesë e të cilaave janë motërzime .
[4] Vargu …Me një nofull copa copa…na kujton vdekjen e Pirros së Epirit në vitin 272 p.e.s. në qytetin e Argos. Porsa ishte kthyer nga Italiaku kishte humbur 2/3 e ushtrisë së tij dhe pas një lufte të shkurtër me mbretin maqedon  Antigon Gonatën niset për në Peloponez kundër  mbretit Spartan Areut. Në bêtejën e bërë në qytetin e Argos ( në gjirin e Korinthit), ndërsa ishte si zakonisht në vijën e parë të luftëtarëve të tij, shkëputet në ndjekje të një ushtari grek në një rrugicë. Aty një grua e qëllon nga dritarja (apo çatia) me një tullë (apo tjegull )  dhe ai rrëzohet i trullosur në tokë. Ushtari që ndiqej prej tij kthen kokën pas dhe, kur e pa Pirron të rrëzuar për tokë afrohet dhe, o nga frika e ringritjes së tij ose e njohu që ishte mbreti Pirro e godet me shpatë me synim që t’i priste kokën, por i emocionuar siç ishte, shpata e goditi në nofull dhe ja coptoi atë. Ndërsa ushtari nisi të brohorasë si triumfator se  kishte vrarë mbretin Pirro, u mblodhën në vendgjarje luftëtarë nga dy ushtritë ndërluftuese dhe  një oficer, kur pa Pirron të vrarë dhe të masakruar, pasi dëgjoi rrjedhën e ngjarjes nga ushtari i tij,  i tha…Ti nuk kishte të drejtë të vrisje një mbret si mbreti Pirro e jo më ta masakroje e ta shëmtoje trupin e tij. Ti kishe për detyrë ta kapje të gjallë dhe tja dorzoje atë mbretit tënd.Ti ke shkelur ligjet e luftës ndaj do gjykohesh e dënohesh me vdekje… Spartanët e njihnin  kodin e epirotasve për mosshëmtimin e trupave të kundërshtarëve të vrarë dhe peshën që ai kishte në jetën e tyre. Prandaj në rastin në fjalë ushtari vrasës i Pirros u dënuan dhe ekzekutua brenda asaj dite publikisht.
[5] Shtëpia botuese Omsca-1, viti botimit 2002
[6] Madje edhe pas fitores ju dha të gjithë luftëtarëve nga një qylaf i bardhë si “shpërblim”.
[7] Këtu e ka origjinën edhe zakoni që pleqtë e vendit tonë i pregatisin për së gjalli “rrobat e dekijës”(vdekjes) dhe i mbanë në  sënduqe të pastëra, duke mos i lënë për momentin e fundit si një peshë e tepërt për fëmijët..
[8] Vetkuptohet që ishin rroba “të lehta”karakteristike të fshatit përkatës, fustanellë, bluzë a këmishë e bardhë.
[9] Një variant tjetër i këngës thotë …katër pashallarë…
[10] Edhe fakti që…Bilbilenjtë trembëdhjetë/Vanë në litarë vetë… ishte porosia e Bilbil Shakos që të mos lejonin xhelatët ti shtynin drejt litarit por të shkonin vetë në litar, si një sfidë krenarie ndaj pashait.
[11]Është vërtetuar se ushtritë ballkanike të antikitetit ilire,greke e maqedonase si dhe të  mesjetës së herëshme respektonin kodin e vdekjes së luftëtarit kundërshtar duke mos e shëmtuar kufomën e tij dhe lejonin palën kundërshtare që ti mirte luftëtarët e saj të vrarë dhe ti bënte ceremoninë e vdekjes sipas zakoneve të tyre. Masakrimi i kufomave erdhi në Ballkan bashkë me dyndjen sllave, të cilët erdhën si turma të pakontrolluara si dhe me ushtrinë turke që e kishte praktikë dhe metodë friksimi dhe nënshtrimi masakrimin e robërve dhe të trupave të kundërshtarëve të vrarë.  Ndërsa shqiptarët respektimin e trupit të të vrarit, qoftë ky edhe hasmi personal e kishin të sanksionuar edhe në Kanun.
[12] Vasil Laçi ( Piqeras 15 Shtator 1922- Tiranë 26 Maj 1941) Hero i Popullit. Në fakt mbiemri i tij është Llaçi por historianët shqiptarë ju referuan dokumentave italiane ku cilësohej “Laçi” pasi italishtja nuk e ka gërmën “Ll”.
[13] Në disa shkrime të publikuara dhe në vvikipedia thuhet se Vasili ishte i veshur me “kostum kombëtar” në momentin e atentatit. Kjo nuk është e vërtetë dhe nuk dokumentohet në asnjë burim. Konti Çiane në ditarin e tij do ta kishte shënuar këtë specifikë, po ashtu edhe në dokuemntat e hetimit dhe gjykimit. Praktikisht, kostumi kombëtar ishte veshje e shtrenjte dhe Vasil Laçi nuk kishte burime financiare për ta blerë. Po ashtu kostumi kombëtar ishte veshje që binte në sy dhe fashistët do ta vinin në qëndër të vëmëndjes për simbolikën e saj si dhe do  ta kontrollonin imtësihst. Në momentin e varjes ai ishte me xhaketën e tij, që kishte veshur gjatë atentatit.
[14]Në materialet e publikuara, si datë e ekzekutimit diku shënohet data 26 Maj 1941 dhe diku data 27 Maj 1941.
[15] Ditari i Kontit Çiano Jemi konsultuar edhe me Nasho Jorgaqi “Atentatori i Perandorit” Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” 1979
[16] Vetkuptohet në raport me kohën..

Sunday, 1 March 2020

DALJA PERTEJ DHIMBJES


DALJA PËRTEJ DHIMBJES

Timo Mërkuri: “ANATOMIA E LOTIT”, poezi të zgjedhura- 2008

Nga Xheladin Mjeku


Çdoherë kur lexojmë diçka nga krijimtaria letrare e Timo Mërkurit (1955), nuk mund të ndalojmë pa e “shterrur” gjithë lëndën tekstore që kemi para vetes, pavarësisht në cilin zhanër të krijimtarisë letrare është ai shkrim. Por, e veçanta e kësaj që na preokupon në masë është “Anatomia e lotit”, një paraqitje prezentative e krijimtarisë së tij poetike, që e kemi në shqyrtim, meqë këtu e gjejmë të veçantë, si një meteor që rrezaton në kohëra e situata të ndryshme me vargun dhe peshën e fjalës, deri në plotninë e kuptimit dhe mesazhit, me frymën e dashurisë për të bukurën, për vlerën e mirëpeshuar në gjetjen e rrugës së drejtë dhe plot vrull jete. E them këtë mendim nga fakti se, pothuajse gjithë opusin e tij poetik e përshkon fryma origjinale e shprehjes dhe trajtimit tematiko-motivor të shkëputur nga perlat e atdheut, Saranda e tij plot diell, kaltërsi dhe virgjëri natyrore, që portretizojnë jetën e njeriut autokton, duke u përballur me të bukurën dhe të shëmtuarën, me krenarinë dhe urrejtjen, me vlerat dhe antivlerat e sprovuara nëpër kohë, por gjithnjë në përftimin e suksesshëm drejt dritës dhe shpresave të pandalshme.
    Vëllimet poetike: “Bulevardi i dhimbjes” (2001), “Loti i detit” (2003), “Klithma e pulëbardhës” (2004), dhe “Hëna e fëmirisë sime” (2008), nga të cilat sajohet kjo përzgjedhje antologjike personale me titull unifikues të materjes poetike të plasuar aty, dhe me simbolikën e dëshmuar, “Anatomia e lotit”, në plotni pasqyron rrugëtimin poetik, ku bashkëveprojnë dhimbja, shqetësimi, pastaj shpresa e krenaria, duke mos i anashkaluar edhe mitet, legjendat, që në këto treva kanë gjetur trajtim të vazhdueshëm në sfera të ndryshme të jetës, kulturës, riteve e zakoneve, në fuqizimin e tyre në realizimin e krijimtarisë poetike sa më origjinale dhe me figuracion metaforik, gjithnjë në funksion të trajtimit të ngjarjeve dhe fakte pellazgo-ilirike në këto vise, që
transformohen në plotni me aktualitetet e njeriut të sotëm.
Loti si lajtmotiv
Shpërfaqja e mendimeve dhe ngjyrimi poetik me detaje të konsoliduara në akcilën prej përmbledhjeve të mëparshme, këtu në Antologjinë poetike: “Anatomia e lotit”, vijnë më të përzgjedhura, që mund të konsiderohen ndër perlat e krijimtarisë shumëvjeçare të Timo Mërkurit. Pothuajse në shumicën e poezive që sjellin frymën e kohës së këtyre ngjarjeve, takojmë peisazhin e pikës së prekur emotivisht, që në përgjithësi karakterizohen me ndjeshmërinë e thellë për karaktere subjektive, që i përkasin zhvillimit të ngjarjeve, pavarësisht në cilësinë e pozitivitetit, apo si elemente negative, të portretizuar me mjeshtri. Sidoqoftë, materja poetike e këtij libri antologjik insiston në mënyrën e përafrimit të një bashkëjetese mes të bukurës dhe dashurisë, mes dhimbjeve dhe shqetësimeve që e kishin pllakosur njeriun në një kohë të veçantë. Kështu, ndryshimet politike, që tashmë po bëheshin gjithnjë e më fuqishëm katalizator i shpërthimit të situatave të tilla, që siç e thotë edhe studiuesja e letërsisë Zejnepe Alili-Rexhepi: “Timo Mërkuri, vepra e të cilit përshkruan zbarkimin e dhembjes në tempullin e lotit”, sa vjen e merr konotacione të reja në trajtimin e vazhdueshëm tematik të këtyre situatave tranzitore, që do ta çojnë vendin në një shkallë të lartë të rrezikueshmërisë së zhbërjes së shtetit, përkundër lëvizjeve të mëdha pozitive dhe synimeve të vendosjes së një sistemi të ri politiko-shoqëror, me shpresa për të ardhmen e një prosperiteti demokratik. Poaq indikative është përballja e shumë elementeve që e karakterizojnë këtë lëndë poetike, ku takohen shqetësimet e autorit, dhimbja dhe loti, që herë vijnë si çlirim nga dhimbjet shpirtërore, herë si shenjë identifikuese në përmasën e hidhërimit, të materializuar përmes pikave që rrjedhin nga zemra. Loti, si lajtmotiv tek këto poezi shpërfaq më mirë se çdo formë tjetër identifikimin e dashurisë me synimin që situata të tilla të mos ndodhin asnjëherë, duke aluduar në vet çiltërinë si loti të një populli që e do jetën të pacënuar nga askush, meqë jeton me forcat e veta dhe në truallin stërgjyshor, ku gjithçka ia begaton ardhmërinë.
Loti, si klithmë paralajmëruese e një dhimbjeje të përmasave shqetësuese, në realitet në këto poezi vjen si shenjë unifikuese e dhimbjes dhe dashurisë. Pasqyrime të shumta të këtyre pamjeve që e përshkruajnë një ngjarje a një motiv, poaq të dhimbshëm, që veç lotit, asgjë nuk e shpërfaq më bindshëm kthjelltësinë e vrojtimit, me mesazhin e plotë të rikthimit të jetës, që e gjejmë në shumë nga poezitë, si: “Shelgjet lotues”, pastaj “Bulevardi i dhimbjes”, ku, veç tjerash: “dhe neonet ndrijnë mbi qepallat e mbrëmjes/ si lotët në sytë e nënës së Hysen Açakos”.
Këtu, edhe kurbeti gjen ngushëllim te një pikë loti, përkundër pritjes së gjatë të kthimit të bijve që kahmot i ka tretur rruga larg vendlindjes së tyre, larg qytetit të bukur buzë Jonit:
“As sot s’erdhën djemtë nga kurbeti.As nesër s’vijnë.
Nga lotët e derdhur është hidhëruar deti.”
(“Lypësat në Sarandë”)
Mjeshtër i përshkrimit të situatave të tilla, Timo Mërkuri, lotin e kthen në shpresë, në dashuri dhe dhimbje, varësisht trajtesës që i bën, por gjithmonë mbetet po ai loti i çiltër që shëron shpirtin e të përvuajturit, edhe atëherë kur takon edhe “Lotin e detit”, ku, në përmbyllje të poezisë sikur mbetet peng i kësaj dhimbjeje, shpreh shqetësimin e tij me pyetjen, se: “Një dert e kam./ E një dhimbje që s'e mbaj dot./ Dhimbjen time e vajton dhe deti./ Me lot stërkalash e suferinat ligje,/ moj botë e vogël, pse ke kaq shumë dhimbje?” (po aty). Poeti nuk mjaftohet me kaq. Ai ngarend në gjetjen identifikuese të “Emrit të lotit të tij” që nuk rresht së ngacmuari unin krijues, ngado që takon dhimbjen. Gjithësesi, ia del ta gjej emërtimin, meqë si duket duhet ta ketë kërkuar në një kohë specifike: “Kosovë është emri i lotit tim.” E përkufizon emërtimin e tij për lotin, si bashkëudhëtar nëpër vargjet e tij, për ta dëshmuar fuqinë krijuese me të gjitha atributet e një mjeshtri të pamposhtur përball ngjarjeve e situatave që e preokupojnë.
Dhimbja, apo “Pranvera e plagosur” në vargun e Mërkurit
Dhimbja dhe krenaria, si dybashkudhëtarë të mirëharmonizuar në vargun e Timo
Mërkurit shpërthejnë në çdo kohë, stinë, orë, përballen me ngjarje e personazhe që krijojnë një dyzinë temash me tematikë që e preokupojnë autorin. E rëndësisë së veçantë është të thuhet, se këtu takojmë tema të ndryshme, nga jeta, kurbeti, pastaj dashuria, që si një kollazh i mirëfiksuar nga syri i poetit, pasqyrojnë përditshmërinë e një kohe, tashmë të mbijetuar. Intelekti krijues i një shpirti të trazuar i derdhur prej vitesh në disa vëllime poetike, këtu vjen i përzgjedhur në formë antologjike, për ta plasuar mesazhin e tij tek recepienti përmes vargut që reflekton vlerat e një poezie përfaqësuese të opusit krijues të Timo Mërkurit, që shquhet për thellësinë e mendimit, për koloritin dhe reflektimin e vlerave bashkëkohore, duke i shkrirë në një harmonizim edhe mitin, legjendën dhe gjithë thesarin e trashëgimisë kulturore, për t’ia dhënë vlerat këtyre realizimeve letrare dhe shpirtërore.
       Ndërtimi i kësaj poezie mbi kontekstin e një kohe të nderë sjell edhe frymën aktuale të saj. Kështu, edhe autori vihet në një sprovë të rëndë për t’i fiksuar ato ngjarje në mënyrën sa më bindëse dhe reale të mundshme. Atëbotë, po ndodhte Golgota e “Vitit ’97” në Shqipëri, që nuk po e shkaktonte lufta e armatosur, as ekspeditat ndëshkuese masive të popullatës nga ndonjë agresor i jashtëm që kishte pretendime okupimi. Atë po e sillte në sprovë shkaktari i brendshëm, duke i shkaktuar pasiguri jete, sa nga vrasjet, sa nga varfëria e skajshme që e kishte katandisur vendin, ende pa i bërë mirë hapat e parë të daljes nga kthetrat e një diktature shumëvjecare, ku apotheoza e bukës ishte fillimi dhe mbarimi i gjithçkaje në atë kohë. Ishte “Pranvera e plagosur” që po përpëlitej ta zbërthente rrethin e hekurt të një kohe të trishtë gjysmëshekullore për të vazhduar pastaj me shërimin e atyre plagëve aq të pakuptimta, po shumë të thella, që ia kishte shkaktuar një sistem totalitar që po ikte.
E qëlluan me një plumb e po zvarritet nëpër luginë
duke pikuar lulëkuqet nga plaga e ngrohtë.

O, po, e qëlluan, more, mu në prag të prillit
e luleshqerrat kanë ulur kokën, në pritje, si vajtore.
(“Pranverë e kryqëzuar”)
Po ashtu, edhe poezia “Dhimbja” ndonëse e realizuar në pak vargje, shpërfaq fuqishëm pikëvështrimin e poetit, i cili me ngulfatjen e ndjenjës shpirtërore nuk përmbahet dot, duke shpërthyer përmes vargut: “Dhimbja është banore e qytetit tim/ në lagjen time e ka shtëpinë” që në nismë shpalos gjithë realitetin e një kohe, për të vazhduar pastaj me pyetjet e dëshiruara: “Po kur do të ikë prapë në punë të saj/ e trëndafili të bjerë era dashuri.” Poaq e dhimbshme është jeta që përjetohet edhe në qytetin e poetit, që personifikon pothuajse edhe të gjitha qytetet tjera të Shqipërisë, ku kishte rënë mortja e kësaj pranvere, me gjithë tmerrin dhe vdekjet që kishin mbuluar çdo skaj të vendit. Një përmbyllje e dhimbshme, por realitet që djeg në shpirt më tmerrueshëm se askund tjetër paraqitet në poezinë “Zgjerimi i varrezave të qytetit”, siç do të shprehej autori: “Pse mos t'i bëjmë varrezat/ në mes të qytetit,/ ç'ndryshim kanë të vdekurit prej nesh?/ Të vrarë ata, të vdekur ne.” (po aty).
Të këtyre çasteve janë edhe poezitë: “Viti ‘97”, “Zanafilla”, “Skafi”, “Njoftim i zakonshëm”, “Pranvera që nuk erdhi”, “Fshati që vdes”, “Ode për këtë liri”, “Ndoshta vjen të hënën”, “Në fshatin e refugjatëve”, “Pragmbrëmje në bregdet”, “Mëmë Kania dhe trëndafilat”, “Kur vjen prilli”,“Bulevardi i dhimbjes”, “Përkujtimore”, etj. që të gjitha s’bashku pasqyrojnë tmerrin e asaj kohe.
     Vërtetë, këtu në vazhdimësi vajton vetë koha; vajton gjithçka përreth kur sheh se po shkatërrohet edhe ëndrra e jetës në atdheun e të parëve, duke bërë përpjekjet e fundit të daljes nga ferri gjysmëshekullor, i quajtur – mbijetesë. Vrasja dhe plumbi vijnë përmes vargut si dy veprime që përshkojnë nëpër gjithë atë situatë të trishtë, për të personifikuar jetën me rrezikun, si dy kahe që nuk duhet të takohen asnjëherë. Madje as në poezi, do të dëshiroja!
      Edhe motivi i mërgimit është trajtuar i pandashëm me pjesën tjetër të dhimbjes që e kishte prekur çdo cep të atdheut. Këtë fenomen të shoqërisë e hasim në poezinë
Vajzat kanë mërguar”, ku me pak vargje sjell realitetin e hidhur të mërgimtarit, që e kishte katandisur jeta: “... e te pragu i shtëpisë sime/ një trëndafil i bardhë nusëron./ Mëngjeseve kur nisem për rrugë/ më përcjell me dënesa e lot./ E diç më thotë mes psherëtimave./ Por unë s'mund ta këpus/ se  s'kam kujt t'ia dhuroj.” (po aty). E solla këtu të plotë poezinë, për t’ua mundësuar ta vlerësojnë më lehtë lexuesit se cila ishte plaga që i dhemb në shpirt poetit, i cili shpeshherë bëhet një me dhimbjen, si pretekst trajtimi. Ky motiv vjen i trajtuar edhe në poezitë: “Shtëpia e refugjatit të humbur”, “Kostandini”, “Plakat e Vurgut”, “Deti i hidhëruar”, etj.
   Po me “Sofrën” si do t’ia bëj poeti, meqë ajo është “E varfër sofra jonë, një fetë bukë/ lyer me dritë hëne/ dhe rreth saj/ një trumbë fëmijësh që çukisin përralla”, që sjell në kujtesë kohën kur vendi po zbrazej nga rinia, pikërisht për këto arsye. “Eh, Shqipëria ime/ atdheu i refugjatëve.”, do të shpjegonte përmes klithmash këtë fakt të përjetuar deri në palcë.
Mbi të gjitha këto, Timo Mërkuri do të gjej forcë për ta ndërtuar jetën e re, pavarësisht përjetimit të kësaj “Pranvere të hidhur...”, i pathyeshëm, ngushëllohet për të rinisur nga “Zanafilla“ me plot kurajo “të shkruaj ungjillin e dashurisë”.
Dashuria – kjo ëndërr që nuk mbaron kurrë
Timo Mërkuri i këndon dashurisë në stilin e tij, herë mbushur me ëndrra, herë stolisur me lule; një herë tjetër e gjen ngushëllimin me një përftim të bukur nëpër një ëndërr, pa mos arritur asnjëherë ta prek, as edhe si frymë. Poeti nuk do të ndalon edhe në kohë të nderë t’i këndoj dashurisë. E fillon me poezinë “Trëndafili i ëndrrës”, duke bredhur ëndrrave të jetës, pa një pikëtakim të caktuar, për të kaluar nëpër mote e stinë, në fluturim si flutur, lule më lule, por asnjëherë ta gjej lumturinë e kërkuar. Megjithatë “Janë të bukur trëndafilat/ dhe kur çelin në ëndërr”, do të pajtohet poeti, pavarësisht se e ka të njohur se trëndafilat shpejt do t’i ikën bashkë me ëndrrën.
Poeti edhe kështu i “këndon” dashurisë: “Sa shumë vajza,/ o, sa shumë vajza të bukura/ ka në qytetin tim,/ që në heshtje kuvendojnë me vetminë!/ Kush vallë ua ka vrarë dashurinë?” (“Vajzat e qytetit tim”) për ta ndërtur të plotë këtë motiv, që bashkërenditet me të gjitha motivet tjera, duke iu përshtatur kohës dhe rrethanave në të cilat ndodhet.
   Kjo paraqitje e dashurisë vjen në vazhdimësi me poezitë: “Triptik”, “Ëndërr e pafat”, “Hëna e gushtit”, “Çast”, “Fjalë dashurie” “Vajzat e shtëpive tona”, Prill”, “Hëna e fëminisë sime”, “Një tutor prostitutash fërshëllen melodi...”, “Në Butrint”, e ndonjë tjetër, që mund të ketë lënë më pak gjurmë në kujtesën tonë, por gjithësesi duke u vlerësuar si pjesë e kësaj tërësie poetike.
   Por jo vetëm dhimbja, shqetësimet, kurbeti, e preokupojnë penën e Timo Mërkurit. Ai e ka ndërtuar edhe pjesën tjetër të ngrehinës së tij artistike që i bën ballë kohërave, atë të krenarisë për të parët e tij, për heroizmat e tyre nëpër shekuj, për nënën, motrën, për të afërmit dhe farefisin, me të cilët çmallet, pret kthimin e tyre, apo bashkudhëton shtigjeve të kujtesës me ta. Përmes një numri të konsidereshëm të poezive autori na takon me njerëzit e tij, me kujtesën dhe dashurinë që ushqen ndaj tyre, pa mos i anashkaluar asnjëherë. Ai në raste të caktuara e portretizon edhe poetin, që në të vërtetë, ushqen konsideratë ndaj krijuesit, përballjes së tij me situata e personazhe nga më të ndryshmet, jo gjithmonë më të njëjtin ritëm të pozitivitetit prej krijuesi. Kjo paraqitje e sjell më të kompletuar pasqyrën krijuese që reflekton vullnet, dashuri dhe gatishmëri për t’u përballur çdoherë me njeriun e kohës. Disa nga poezitë e tilla i veçuam si tituj më provokues për shijen e lexuesit, për të lënë mundësinë e përballjes edhe me tituj të tjerë në brendinë e kësaj vepre letrare: “Pilur”, “Im at”, “, “Kthimi”, “Vija e gjelbër”, “Diptik për një emër”, “Skicë-portret i hallë Sofisë”, “Poetët”, “Ylli që po fle”, “Tim biri”, etj.
Dy fjalë në mbyllje
   Në mbyllje të këtij vështrimi kujtoj se ka mbetur edhe shumë për tu zbërthyer në këtë vëllim poetik, që si tërësi përbën botën poetike të Timo Mërkurit. Asnjëherë nuk mund të zbërthehet e tëra që është sistemuar në një vepër, aq më pak kur kjo materje poetike është e nivelit antologjik. Por, si gjithmonë, edhe këtu krijimtaria letrare e Timo Mërkurit vjen e feskët, që përveç vargut, si qëllim parësor, ai për asnjë çast nuk anashkalon edhe përdorimin e elementeve stilistike, të metaforave, me një leksik të pasur e komunikues, që e pasurojnë gjithnjë e më shumë fondin e vlerave të kësaj krijimtarie letrare-poetike.
Mbase, këto janë vlerat që e kurorëzojnë gjithë krijimtarinë e Timo Mërkurit, për ta bërë pastaj edhe lexuesin që ta ndiej nevojën e shijimit të kënaqësinë e saj.

Marë nga Fjala e Lirë  01 Mars 2020