Friday, 10 July 2020

NINULLA E ERIMIONI MËRKURIT


NINULLA E ERIMIONI MËRKURIT
Përsiatje

Nga Timo Mërkuri

Dëgjimi i ninullës  së kënduar nga Erimioni Mërkuri në dhjetor 2017 në Selanik e fut  dëgjuesin në botën magjike të foshnjërisë, ku komunikimi mes nënës dhe foshnjës bëhej vetëm nëpërmjet tyre. Vërtet është e vetmja mënyrë komunikimi në linjën nënë-foshnjë por është dhe më e bukura që mund të krijojë njeriu. Imagjinoni një “qilim fluturues” tingujsh që e merr me vete foshnjën dhe e çon lehtë lehtë në botën e gjumit..Mendoni ca tekste me fjalë të thjeshta dhe melodi të ëmbël e me tonalitet të ulët, që i krijon foshnjës një atmosferë paqeje, sigurie e gjumëndjellëse. Realisht ninullat janë këngë monofonike që “këngëzohen” nga nëna mbi djepin e foshnjës, ku me një fjalor të thjeshtë, të ndjeshëm dhe të kuptueshëm për moshën fëminore si dhe me një melodi të ëmbël shpirti, nëna bashkëbisedon me foshnjën duke i shprehur dëshirat dhe ëndërat e saj për të ardhmen e tij.    
       1- Ninullat këndohen nga nëna, ndaj foshnja qysh në ditët e para e fikson “portretin” e saj  pikërisht nga vibracioni i zërit gjatë të kënduarit të ninullës si dhe nga dridhjet e dorës së saj të vendosur mbi trupin e tij, dridhje që i përcillen fëmijës gjatë tundjes së djepit.  Ritmi i tundjes së djepit, tonaliteti dhe vibracionet e muzikuar të zërit  në ninullim  krijojnë te foshnja perceptimin e pranisë së nënës dhe të sigurisë së tij. perceptim që e ka fituar instiktivisht qysh në bark të saj. Kështu shpjegohet fakti që fëmija fiton qetësinë vetëm kur ninullën ja këndon nëna[1] e tij.
       2-Si e tillë, ninulla është një gjini shumë e vjetër e artit gojor popullor, e lindur në momentin e kalimit të njerëzimit nga bota instiktive drejt botës humane njerëzore, madje mund të themi se ninulla është zëri i parë njerëzor i artikuluar në mënyrë të kultivuar dhe me synim human. Ninulla është e vetmja gjini kënge e artit gojor popullor shqiptar që nuk e ka origjinën nga vajtimi, por ka lindur si këngë, ndonëse shumë herë vija melodike e saj ka nota vajtimore që ja ofron situata konkrete familjare ose gjëndja emocionale e nënës në momentin e këngës.
        Fillimisht ninullat lindën si tinguj njerëzorë me timbër muzikor dhe më von, me zhvillimin e gjuhës si mjet komunikimi mes njerëzve, tingujt u shndruan në fjalë e fjalët në tekste këngësh. Kjo origjinë e ninullave dhe qëllimi i tyre është shkaku që në tekstet e ninullave përdoren kryesisht fjalë që  rimojnë ëmbël mes tyre si psh lumi ujëshumi, gjumi pendpëllumi (hiqet bashkëtingëllorja “b), përdoren  fjalë apo tinguj onomatopeikë (nina- nana, nin-nin-nin, o-o llaj-llaj) etj dhe krijojnë një atmosferë gjumi dhe qetësimi për fëmijën dhe. Krahasimet e metaforat që përdoren shqiptohen ëmbëlsisht duke vënë në dukje butësinë dhe bukurinë e foshnjës duke i krahasuar me fenomene dhe sende të çmuara si .." djali porsi ylli ", “vajzë o moj hënë”, "ore djalë, more flori” etj etj. Është e natyrëshme që me ritjen e foshnjës dhe sidomos me zhvillimin e shoqërisë zgjerohet edhe gjeografia e fjalëve që përdor nëna në tekstin e ninullës, duke u bërë e pranishme edhe problematika aktuale e  jetës. Kështu, krahas ninullave të para vijnë ninullat që paraqesin objekte të thjeshta për të mbritur te ninulla ku nëna i dëshiron fëmijës që të bëhet puntor i madh madje edhe“trim luftëtar” si Skënderbeu etj. Për këtë arsye themi se teksti i ninullave ka vlerën e një dokumenti historik për ecurinë dhe hapat e zhvillimit të shoqërisë njerëzore duke na treguar doket zakonore, jetën sociale dhe historinë e një populli. Si të tilla ato ecën nëpër shekuj dhe epoka dhe mbritën deri në kohën tonë me shumë pak ndryshime në konceptin e tekstit dhe të vijës melodike.
        3- Ninullat kanë ndryshim teksti dhe vije melodike sipas gjinisë së foshnjës dhe konkretisht, tekstet dhe vija melodike e foshnjës femër është gjithnjë shumë e butë dhe e ëmbël ndërkohë që  teksti dhe vija melodike e foshnjës mashkull fillon e ndryshon drejt  “burrërimit”  nga një periudhë në tjetrën, ku pretendohet pregatitja e foshnjës për tu bërë burrë.          
       4- Ninullat janë këngë dhe egzistojnë te të gjithë popujt e botës duke patur histori lindjeje dhe zhvillimi gati të njëjtë. Një ninullë e tillë është dhe ninulla e mëposhtëme që e këndon Erimioni Mërkuri (Muço) me tekst popullor, përshtatur nga Piro Mërkuri.
Rritu si rritet lastari,
Si zbukurohete bari,
Maleve kur vjen behari,
Djalin- o, të vogëlo,
Të vetmin e nënës - o.
Pa dëgjo dhe nënën pak,
Babi të ka ikur larg,
Iku si trungu mbi valë,
Kushedi se ku ka dalë..
Vaj vaj djalin -o.
Ti je ilaç që e mban gjallë,
O kurbet që paç belanë,
Djalin-o, të vetëm -o
O kurbet që paç belanë,
Prit e prit e ska të ardhë,
Djalin- o, te vogël-o.
Të vetmin e nënës - o,
Vaj,vaj djalin - o.

5-Theksuam më sipër se ninullat janë këngë djepi dhe kanë si funksion vënien e foshnjës në gjumë, prandaj shpesh quhen edhe këngë gjumi, por në rastin e mësipërm ninulla e interpretuar nga Erimioni Mërkuri (Muço) është ngritur nga niveli i  ninullës  dhe ka hyrë në botën e artit, si një vepër artistike-muzikore, ndonëse ka një veshje “foshnjore-ninullore” si në tekst ashtu dhe në melodi. Detyrimisht duhet të theksojmë se të dy këta elementë (teksti dhe vija melodike) janë marrë nga ninulla origjinale dhe mbi to është ngritur vepra artistike. Vetkuptohet që teksti ka pësuar ndryshime (shtesa, paksime apo përshtatje vargjesh) ndërsa vija melodike kryesisht është ngritur në tonalitet. Ninulla e kënduar nga Erimioni Mërkuri qysh në hyrje të prezanton një fjalor të ëmbël ninullor për veshin e foshnjës, duke na treguar indirekt se është një foshnjë në familje barinjsh në vise malore (si Piluri) me vargjet… Maleve kur vjen behari… për të na futur shumë shpejt në problematikën e kohës sonë… Babi të ka ikur larg,/Iku si trungu mbi valë,/ Kushedi se ku ka dalë...
       Le të ndalemi pak te këto vargje. Zakonisht në këngët popullore pilurjote kur duam të tregojmë një situatë rrënieje, gremisjeje, qoftë ekonomike apo psikologjike përdoret shprehja …si guri në rrokullimë…duke e simbolizuar rrënien e njeriut, shtëpisë, gjëndjes ekonomike etj ashtu siç rrokulliset një gur në shpatet e malit dhe që do ndalë  vetëm kur të bjerë në ndonjë hon, greminë apo det. Pra do të jetë fundi i çdo shprese për një mundësi përmirësimi.
         Mirëpo guri në rrokullimë rrëzohet me zhurmë të fortë përplasjesh, që dëgjohet dhe dallohet për së largu. Rastësisht edhe fjalët “gur”, “rrokullimë” janë tepër tingëlluese në ninullë për veshin e një foshnje dhe në vend të efektit qetësues, japin efektin e kundërt. Prandaj edhe Piro Mërkuri pamjen e “gurit në rrokullimë” e ka zvëndësuar me një tjetër pamje, në thelb më tronditëse por me një tingull më të ëmbël, pikërisht me vargun… Iku si trungu mbi vale…Realisht te fjala “trungu” bashkëtingëllorja “t” dhe “g” japin një “gërvishje” fonetike te ninulla, por ky efekt eleminohet menjëherë me fjalën shoqëruese ”valë” dhe melodizimin që i bën këngëtarja gjatë interpretimit. Madje edhe vargu tronditës…Kushedi se ku ka dalë…nuk e ka atë efekt negative në veshin e foshnjës sepse folja “dalë” alternohet me emrin”valë” te vargu i mësipërm. Ky varg na trondit ne që e analizojmë artistikisht si varg kënge, por si varg ninulle te foshnja nuk ka efekt negative për arsye se nuk kuptohet nga foshnja. Pas kësaj, teksti thua se del nga “shinat” e ninullës dhe hyn në shtigjet e vajtimit me vargjet… Vaj vaj djalin -o…duke marë në këtë mënyrë formatin e këngës popullore.
         Kjo ninull, në stadin që na paraqitet është vepër artistike e kohëve të sotme, me elementët bazë të një ninulle të zakonëshme, por të interpretuar në një nivel të  lartë artistik. Ky nivel i lartë interpretimi  ka bërë që  ninulla të “rritet” nga stadi i saj i mëparshëm foshnjor në një stad të ri vepre  (këngë) artistike. Si e tillë ajo është përafruar me këngët e shumëzërrëshit popullor, madje edhe iso-ja është e pranishmë dhe e dukëshme te kjo këngë-ninullore, si një iso e brendëshme, tipike e këngëve monofonike.
Parë në situatë emigracioni kur dhe ku është krijuar, sigurisht që vija melodike e saj do mbartëte edhe dhimbjen e mërgimit. Ninullat gjithmon u prezantojnë foshnjave ambientet ku jetojnë familjarisht dhe në këtë rast kjo ninullë artistike këtë mision e përmbush. Pyetjes se si ndikon kjo melodi me ngarkesë emocionale dhimbje-mërgimi te fëmija, i përgjigjemi shumë thjeshtë: ndikonm  ashtu siç kanë ndikuar ninullat e dhimbëshme të nënave tona te ne, duke na bërë më të ndjeshëm ndaj dhimbjes njerëzore, prej nga u bëmë më pas edhe këngëtarë më të mirë. Vargu…O kurbet që gjeç belanë… i përsëritur dy here, shërben si direk ku mbahen vargjet – vela…Ti je ilaç që e mban gjallë…dhe tjetri… Prit e prit e ska të ardhë… duke i dhënë një ecuri normale këngës, si anijes në det të qetë..
         6- Është  fakt se ninullat e shndruara në këngë artistike janë shumë të pakta[2] në kohën tonë dhe pothuajse mungojnë rastet e trashëguara. Bazuar te kjo mungesë e trashëgimisë së ninullave të shndruara në këngë na lind mendimi se ndoshta populli ynë e ka parë të arsyeshme që ti lejë ato(ninullat) në botën foshnjore, ashtu siç lëmë mbrëmjeve rrëmujshëm lodrat e fëmijëve në dhomën e gjumit. Janë të bukura lodrat e fëmijëve edhe ashtu të pa sistemuara në dhomë. Dihet që gjatë natës ato do “lozin” në ëndrat e fëmijës, ndërkohë që të nesërmen nëna do ti sistemojë bukur nëpër rafte, prej nga do të rrishpërndahen përsëri në harenë e fëmijëve.
           Kështu Erimioni Mërkuri bashkë me Piron e ngritën këtë   ninullë nga “djepi” dhe  e nxorrën në skenën e këngës,  me atë “veshjen” foshnjore dhe me atë ëmbëlsi ninullore muzikore të origjinës. Vetëm mbi krye i hodhën një “shami” nga shumëzërrëshi ynë popullor me origjinë nga vajtimi.  Dëgjojeni sa bukur ninullon Erimioni Mërkuri, kjo vajzë pilurjote lindur në fshatin e këngës e rritur me këngë. Dhe mqse ra fjala, më lejoni tju prezantoj me këtë këngëtare të fshatit tim të origjinës…Lindur në Pilur ku mori dhe aarsimin 8 vjeçar ku dhe u aktivizua në grupin folklorik të të riturve qysh në moshën 13 vjeçare. Mbaroi shkollen artistike të muzikës “Jordan Misja” në Tiranë dhe nisi punën si mësuese në Pilur dhe Himarë. Dalja e saj në skenën e këngës iso-polifonike i ngjasonte hyrjes së një meteori në atmosferën e tokës, plot dritë zjarri, shkëndija e një jekonë që sa vinte e zgjerohej, duke mbuluar çdo zë tjetër në tokë. Mjafton të kujtojmë momentin e daljes në skenën e Festivalit Folklorik Gjirokastër në vitin 1978 për  ë interpertuar  “Këngët e atdheut tim” me një ecje të shpejtë, me një pamje prej perëndeshe bukurie në moshën e bukurisë dhe më pas, me zërin e saj “me shtatë drita”  drodhi muret e kalasë, që nga themelet e gjer në bedena dhe ndezi shpirtërat e njerëzve në çdo qelizë. Kështu eci si këngëtare në Grupin e Pilurit në tre Festivale Kombëtare Folklorike në Gjirokastër (dy herë) dhe në Berat. Gjeografia e pjesmarjes nëpër Festivale zgjerohet me Festivalin Ndërkombëtar të Ganës (Franë) dhe të Hollandës dhe njëkohësisht zgjeroi dhe repertorin e saj me mbi 300 këngë lirike, epike, elegji, monofoni, logatje dhe së fundi edhe ninullë. Çdo dalje e saj në skenë ishte një ngjarje që pasuronte botën e këngës iso-polifonike dhe linte mbresa të shumta te dëgjuesit. Mjafton të kujtojmë si e përloti vendin anë e mbanë me elegjinë “More Naim Shqipëria’ që aq shumë u diskutua. Si shumica e artistëve shqiptarë dhe ajo ka mbi 25 vjet që është emigrante familjarisht në Selanik të Greqisë, prej nga i dërgon shpesh herë atdheut këngë malli, që kullojnë lotë e çelin  shpresë.
       Ngritja kësaj ninulle në nivelin e një kënge artistike të tipit monofonike është në radhë të parë një dëshmi e re e talentit të saj artistik me fuqi krijuese dhe më pas edhe një pasurim i  veçantë i këngës sonë popullore si dhe  një aritje e spikatur  në repertorin e kësaj këngëtareje.


Sarandë, më  16.06.2020


[1] Ninullimi nga gjyshja shoqërohet me vonesa kohore në fjetjen e fëmijës ndërsa vëllai dhe motra, qofshin dhe në moshë të ritur, nuk janë në gjëndje t’i këndojnë fëmijës ninulla me atë efek si nëna, pasi ajo (ninulla) është e lidhur ngushtë me mëmësinë, me të qënit nënë e foshnjës.
[2] Një ninullë e kënduar është realizuar qysh në monizëm nga këngëtarja  Hatixhe Lushi me tekstin dhe melodinë  popullore : Shkojnë zogjtë truma trumë/Djepi i çunit plot me gjumë//Aq s aka Shkumbini ujë/Ty tu bëftë  djepi gjumë/Po vjen lumi turbullo/ Përkund djepin e çunito/.Aq sa ka ky lumi ujë /Ty tu bëftë djepi gjumë/Fli o bir i nënës fli/ Djepi tu bëft melodi/ Mbylli sytë e pi gji/Nëna jote të ka flori/Vijjnë zogjtë truma trumë/Djepi i çunit plot me gjumë/ Po vjen lumi ëmbëlo / Përkund djepin e çunito…Ne nuk e gjetëm inçizimin e kësaj kënge në Festivalin e Gjirokastrës dhe tekstin na e vuri në dispozicion këngëtarja e mirenjohur e cila na sqaroi se ninulla është e zonës së Hotolishtit të Librazhdit, madje se ajo e ka marrë nga nëna e saj. Pra në këtë rast teksti dhe vija melodike janë të ninullës origjinale, interpretimi është ngritur në një nivel artistic. Ju sqarojmë se këngëtarja Hatixhe Lushi ka interpretuar me plot sukses në disa gjini të artit tonë gojor popullor si balada, vajtime, elegji etj dhe për të cilën do flasim më pas, por ndërkohë i shprehim mirënjohjen tonë për gatishmërinë e saj për të na ndihmuar.

Wednesday, 3 June 2020

KASTAJANA PILURJOTE


KASTAJANA PILURJOTE

Elegji monofonike nga Polo Çipa

Nga Timo Mërkuri

Elegjia monofonike që ka hedhur këto ditë  në yutube  Polo Çipa ka tërhequr vëmëndjen e gjithë bregdetasve dhe natyrisht edhe timen, qoftë për melodinë monofinike qoftë dhe për historinë  që mbart në vetvete teksti i saj.
       1-Teksti i kësaj kënge ka një datlindje në pasvitet 1650, vit kur Piluri, (që atëherë quhej Katund dhe ishte më në lindje të vendndodhjes së tanishme) u masakrua masivisht nga  ushtarët turq të garnizonit të Delvinës që u thirën në ndihmë nga fshati  fqinjë për të marë hakun e një vrasjeje të kryer nga një pilurjot. Realisht vrasja ishte bërë  për një çështje të justifikueshme nga doket zakonore por të tejkaluar në mënyrën e kryerjes së saj. Ishte periudha kur kishte filluar myslimanizimi i Labërisë dhe gati në çdo fshat ishin gjetur ithtarë të ndërimit të fesë. Pilurjotët, në respekt të vendimit të vilajetit të Himarës i ishin përgjegjur me refuzim kategorik ofertës turke, madje kishin çuar lajm edhe në fshatrat e Labërisë te miqtë e tyre të lidhur në vëllamëri që, në rast se ata do ndëronin besimin, këta do shkonin dhe sipas zakonit do ju digjnin shtëpitë[1] ose do t’i vrisnin në pragun e shtëpive.. Turqit u informuan për  ultimatumin që pilurjotët u  dërguan miqve të tyre të shumtë dhe kërkonin sebep për ta ndëshkuar në mënyrë që ta bënin “shëmbull” për refuzuesit e tjerë të mundshëm. Rasti u erdhi në formën e një kërkese për  ndihmë  nga fshati fqinjë, i cili në këmbim u ofroi turqve ndryshimin e fesë. Kjo ishte vërtet e papritur pasi ai fshat ishte dalluar në rezistencën antiturke si asnjë tjetër, madje këtë qëndrim e mbajti gjatë gjithë historisë, por premtimi i dhënë turqve në një moment  zemërimi  bëri që myslimanizimi të  hidhte  rrënjë pikërisht te ky fshat- shkëmb antiturk.
    Masakra turke mbi pilurjotët ishte e tmershmë. Me një sulm të befasishëm në mesnatë  u dogjën  pesëqint shtëpi, u vranë më shumë se gjysma e banorëve gra, fëmijë, pleq dhe burat të zënë në befasi. Rezistenca ishte  e pakët përpara dallgës së mizorisë turke, të cilët nuk mbanin fare robër. Rruga e vetme ishte ikja nëpër natë. Një pjesë e banorëve ikën me magje që i përdornin si varka (iknë me magje në Pujë- thotë një këngë) për në Pujë, në ishujt e vetmuar grekë përballë Himarës, pjesa tjetër u vendos në fushën e Qeparoit. Pas tre-katër vitesh fshati Qeparo u kërkoi të largoheshin pasi toka e tyre e bukës ishte e pakët dhe nuk u mjaftonte për vete dhe jo të mbante dhe ata.  Pilurjotët me synim për tu afruar në vendin e tyre, u vendosën në Kastane, një pyll me gështenja (gështënja-kastanja, greqisht) e cila ishte në administrim të Himarës. Por edhe himariotët pas dy vitesh u kërkuan të lironin tokën e tyre (Kastanenë). Dilemën se ku mund të vendoseshin jua “zgjidhën” vetë himariotët të cilët u premtuan pilurjotëve ndihmë materiale për të ndërtuar shtëpitë në vendin ku janë sot, në rast se ata do mirnin përsipër edhe mbrojtjen e Himarës nga sulmet turke që mund ti vinin nga zona e Labërisë. Një pjesë e vogël e pilurjotëve nuk e pranuan versionin e Himarës dhe u larguan drejt Strakënasë në mënyrë të pa organizuar. Ky është momenti që ka lindur ky teksti i kësaj kënge, por në formë vajtimi.
           2- “Kastajana” është emri i një vajze pilurjote, pagëzuar para masakrës dhe që  iku në Strakëna pas largimit nga Kastanaja. Përqasja e emrit të vajzës me emrin e vendit ku u vendosën dhe nga u larguan më pas pilurjotët është një rastësi tepër e bukur. Në  tekst ftohet kjo vajzë që të vijë në fshat dhe të vajtojë mbi varret e të vrarëve, sepse sipas zakonit të vdekurit që nuk vajtoheshin nuk gjenin rehat në botën tjetër.

  KASTAJANA.


Ç'pan o xhan që të përzunë[2]
Kastajana Pilurjote
Nuk u ngopnë me Katundë
 Në krah  s'të doli një shoqe[3]
 Mirë qeni i pabesë[4]
  na la djepetë thatë,
Po ç’panë këta lanetë[5]
Ç’panë a gjeçin belanë
Darkë herë kukuvajka
 Ja thoshte derë më derë,
 Korba po sillte mandata
Ç’u tha deti u bë sterë
Të lanë korbë  jetime
Ç’u hodhe nga Strakanaja,
Një jetë me hidhërime
Ç’e kaloi Kastajana
Dhe në ardhç eja mbi vare
 Mos i haro trojet tona,
 Eja me kujë e me vaje
 Kastajanë dhe vajtona.

          3-Ky tekst  kënge është i pasviteve 1650 dhe më konkretisht pas largimit të pilurjotëve nga Kastanaja, moment që e evidenton dhe kënga. Në fillim ka qënë  një vajtim i njerëzve të  vajzës,  e cila në rrethana të paditura u gjend e u rrit në ishullin e Strakënasë pas ikjes nga Kastanaja  ndërkohë që babai dhe vëllezërit ishin vrarë natën e masakrës.
         Qysh  nga koha e krijimit të saj e gjer në ditët tona kjo këngë ka jetuar si logatje grash, të cilën e logasnin gati të gjitha gratë e fshatit në momente trishtimi. Pikërisht kjo mënyrë egzistence dhe trasmetimi si logatje grash ka bërë që  të jetojë kaqë gjatë e pashkruar,[6]  pasi gratë e fshatit e logatnin instiktivisht në mënyrë gati të përditëshme. Pra kjo këngë ka ardhur nga vajtimi në formën e logatjes, madje akoma interpretohet edhe sot nga grate si e tillë. Fakti që sot neve na paraqitet në formën e një elegjie monofonike tregon se kjo këngë e kaloi fazën e logatjes dhe hyri në terenin e këngës, dhe sipas “radhës” hyri si këngë monofonike. Dikush do të thotë se si këngë monofonike u çfaq vetëm tani, pas interpretimit të këngëtarit Polo Çipa. Kjo është e vërtetë, por kënga ka jetuar gjatë si logatje dhe vetëm tani erdhi moment dhe njeriu i përshtatshëm që ta shndronin logatjen në këngë, madje në këngë elegjike.
         Kemi sqaruar se elegjia  (vjen nga greqishtja “elegeia” që do të thotë “këngë” zije) është  një formë të kënduari dhe vargjet e saj quhen vargje elegjiake që  shprehin zakonisht dhimbje të madhe, vdekje apo humbje të dashurisë.
         Kujtojmë se edhe logatja është  “hapi i parë” i vajit në procesin e shndrimit të tij në këngë isopolifonike dhe mbart me vete gjithë ngarkesën emocionale të vajtimit. Në versionin që na paraqitet, logatja është shndruar në këngë monofonike por që mbart në  masë të madhe melodinë e logatjes për vetë subjektin e saj.
       Realisht kjo këngë është distancuar nga logatja dhe në këtë distancim ka ndikuar së tepërmi  fakti që këngëtari është burrë dhe këndon me natyrë dhe zë burri. Vërtet të kënduarit nga një burrë e ka zbehur dhe “plasaritur” ëmbëlsinë e fjalës dhe të tingullit por kjo më së shumti është karakteristikë personale e këngëtarit se sa ligjësi e shndrimit të vajtimit në këngë.    
         Pra nga logatja e gruas, (që ishte në fillim) këtë këngë e largon fakti që tani e këndon (e theksojmë  faktin që “e këndon”)  një burë me timbër melodik të dallueshëm, ndryshe nga logatja e fillestare apo ligjërimi i origjinës. Shtoi kësaj dhe faktin që kënga shoqërohet me fyell nga istrumentisti virtuoz Nardi Kongjini, shënojmë faktorin e dytë që ndikon  në distancimin nga logatja.   
         Këtë distancë ndoshta  e bën më të ngushtë pak fakti se melodia e fyellit është melodi e trishtueshme, por gjithsesi ajo është melodi kënge dhe jo melodi logatjeje.
         Është interesante pasuria që mbart kjo këngë elegjike monofonike. Është një këngë shumë e vjetër, kur simotrat e saj janë haruar me kohë. Si të gjitha këngët isopolifonike e ka origjinën nga vajtimi, por ndryshe nga ato,  është një këngë “në mes të rrugës” drejt shumë zërëshit gojor popullor sepse është në fazën e porsashkëputjes nga logatja dhe interpretohet vetëm me një zë muzikor. Në konteksin e saj  melodia e fyellit luan më shumë rolin e një isoje në një sfond muzikor se sa rolin e një “udhërrëfyesi” melodie.
           Po qe se do binim dakort që të shpreheshim në një formë letrare për “ardhjen“ apo “gjetjen“ e kësaj kënge do të thoshnim se i ngjan gjetjes së një kurore të artë dafinash antike,  në rrënoja antike të një fonderie të derdhjes së tyre, vend i cili është plot me mineral ari, gati për tu shkrirë e derdhur në forma kurorash.
          4-Piluri është një “fonderi”e stërlashtë plot me depozita ari të gatëshme për tu derdhur në kurora të arta dafinash. Në Pilur laboratori krijues i artit gojor popullor funksionon si në gjenezën e këngës. Edhe sot mund të  asistosh në një mort të ndonjë djali të ri, ku nëna e tij shkul flokët me ulërima, çjerr faqet me thonjë dhe godit me kokë muret e shtëpisë ndërkohë që në odën e burrave babai i të ndjerit vajton me ligje djalin dhe  godet me grushte gjoksin, skena këto që përsëriten me tonalitete  të larta në momentin e varimit të të ndjerit. Pas një a dy ditësh në shtëpinë e mortit rrethi i grave vajtore zbaton ritin e vajtimit me ligje ku vajtorja kryesore ligjëron një tekst vajtimi, një vajtore e pranishme ja “kthen” vajin, vajtorja tjetër e “hedh”  një oktavë të lartë që ta dëgjojë edhe zoti gjëmën që ka “lejuar” dhe vajtoret e tjera e shoqërojnë me rrënkime. Kush e njeh këngën popullore e kupton se ky është edhe formati i grupit isopolifonik.
               Në një kohë tjetër, jo shumë të largët një grua e shtëpisë së mortit që përmëndëm, duke ecur rrugës e ngarkuar me bucjelë më ujë apo një tufë drush logat me vete  tekstin vajtimor që ligjëruan (vajtuan) gratë ditën e mortit, duke interpretuar të gjitha zërat që ishin të pranishme në mort. Dhe ja në një kohë tjetër, një burrë nga të kësaj shtëpie a ndonjë i afërt apo dhe një bashkëfshatar,  ndërsa rri në kullotë e sheh bagëtinë befas ja nis një kënge me po atë tekst të asaj dite të zezë për të vajtur më pas te një ditë kur dikush, këtë tekst e këndon si tekst kënge në një dasëm a në një gëzim. Kaqë ishte procesi, vajtimi u shndrua në këngë dhe nuk rikthehet më në vajtim.
              Të gjitha këto moment mund ti gjesh në Pilur edhe në kohën e sotme. Nuk është nevoja të pyesësh se nuk t’i shpjegon njeri. Vuri veshin e dëgjo ecurinë e vajtimit dhe të siguroj unë që do dalësh te kënga ashtu si përroi del në det. Këtë ligjësi ka ndjekur edhe  vajtimi i Kastajanës që na erdhi sot në formën e një kënge elegjike monofonike. Jo çdo fshat e zhvillon këtë process. Duhet së pari të jetë një fshat i vjetër shumë me banorë autoktonë dhe të lidhur me njëri tjetrin deri në pazgjidhshmëri. Në Pilur po preke nje banor të tij ke prekur gjithë fshatin, por bëre mik një pilurjot je miku i gjithë fshatit. S’besoj se dikush dëshiron të bëhet hasm me ne prandaj po e lë këtu mendimin. Jo çdo vajtim shndrohet në këngë. Duhet që vajtimi ti ketë vargjet si shigjeta që të çpojnë tejëpërtejë  shpirtin edhe shtatin. Dhe sidomos jo kushdo e zotëron procesin e shndrimit të vajtimit në këngë.
              5-Që të shndrosh vajtimin në këngë është si të shndrosh ujin në verë, duhet të keshë disa “cilësi” si Jezu Krishti. .Duhet të jesh vajtor dhe këngëtar më përvojë e finesë ndjenjash, ashtu siç është dhe Polo Çipa. Polo Çipa ka lindur më  maj 1959 në Pilur dhe qysh fëmijë i vogël bashkë me Kristo Çipën kanë jetuar në botën e këngëve dhe valleve popullore. Leftër Çipa duke parë talentin e tyre, i nxiste dhe  i aktivizonte më shumë se të tjerët. Kështu shpjegohet që në moshën 15 vjeçare bëhen pjestarë të grupit të Pilurit duke kënduar bashkë me Katina Mërkurin (Muço) dhe Erimioni Mërkurin (Muço) për të aritur në moshën 17 vjeçare si këngëtar i grupit të Pilurit te kënga “Në të marça manushaqe”  për të dalur në skenën e Festivalit Gjirokastër në moshën 19 vjeçare bashkë me këngëtaren Vasillo Koka(Lapa) me këngën... “O bobo ç'qënka sevdaja”.
                 Nuk ka përfunduar ndonjë shkollë arti, ndonëse pas përfundimit të shkollës së mesme në Himarë fiton konkursin në Vlorë e Tiranë për  në Institutin e Lartë të Arteve. Mirpo mqse babait të tij i paskësh hyrë një “gjëmb biografie” në këmbë, i duhej Polo Çipës të çalonte gjithë jetën.  Aktualisht është emigrant në Greqi që 25 vjet, ku si drejtues i asamblit folkloric të emigrantëve pilurjotë në Greqi, në qytetin e Patrës, bën përpjekje për ruajtjen e folklorit të bregdetit në përgjithësi dhe atë pilurjot në veçanti. Ndjek dhe qëmton veçoritë e artit gojor popullor pilurjot për të “krijuar” variacione melodike, duke rithirur në skenë këngë më subject nga epoka të ndryshme. Ja si më shkruan për momentin e nxitjes për këtë elegji monofonike:- …M’u kujtuan disa burra të hershëm pilurjotë që qanin me zë por dhe që mërmërisnin me vet vete,  sidomos  im atë Sofo Çipa apo Spiro Bala, Milo Kolagji, Labo Çakalli e shumë të tjerë. Rasti nxitës  ishte kur shkova para 5 muajsh në varrezat e fshatit ku gjeta Milto Çakallin me Marë Kongjinen që vajtonin të birin.  Mara qante me ligje me zë të fortë ndërsa xha Miltua e shoqëronte me vajtim me zë të ulët ndërsa unë mezi mbaja lotët. Ky rast  qe një pikë nxitjeje  për këtë elegji...

Sarandë, më 03.06.2020



[1] Kur një kallaratas ndëroi fenë,  një pilurjote mik i tij lidhur në vëllamëri me pirje gjaku shkoi dhe i dogji shtëpinë në mes të ditës e në prani të tij dhe vetëm pas kësaj vëllamëria qëndroi pa u prishur, ndryshe për mos ti djegur shtëpinë duhej ta vriste vëllamin në pragun e saj.
[2] Është fjala për momentin e përzënies së pilurjotëve nga Kastanaja.
[3] Pilurjotët në luftën me garnizonin turk ishin të vetëm. Por aludon edhe për mosndihmën e fshatrave të tjera pas vendosjes në fushën e Qeparoit apo edhe Kastana.
[4] Është fjala për ushtrinë turke
[5] Zemërimi është me hiamariotët që u kërkuan largimin nga Kasanaja
[6] Kënga himariote e betejes së Torviollit ku luftëtarët këndonin në valle …Demave të Shqipërisë/S’u shpëton lop e Turqisë/Ali Pasha lopa plakë/Po ta mbajti eja prapë… e ka sjellur Barleti dhe përshatur në shqipen e sotme Noli.