Friday, 1 October 2021

 

ËNGJËJT E ISOPOLIFONISË

Ëngjëjt e Gjirokastrës III

 

Nga Timo Mërkuri

 

      Gjithmon më ka tërhequr vëmëndjen stili i veçantë i këngës isopolifonike gjirokastrite, një stil i shtruar që të bën për vehte  me ëmbëlsinë e tij dhe kam vrarë mëndjen: pse ky stil kaq i ndryshëm nga trevat përeth. Realisht Gjirokastra është në mes të Toskërisë dhe trevat  fqinjë janë Himara, Skrapari dhe  Çamëria, por të kënduarit gjirokastrit është larg stilit isopolifonik të tyre. Trevat fqinje dallohen për një iso dhe hedhës  të fuqishëm[1] të këngës, që të duket si krismë pushke. Përkundër këtyre, kënga gjirokastrite ka një elegancë, finesë dhe ëmbëlsi të pa shoqe, që të kujton të biseduarit e këndshëm dhe zë ulët të  një grupi vajzash që flasin për dashurinë. Duke qënë  se kemi të bëjmë me këngën isopolifonike, e cila i ka të njëjtët zëra në të gjithë trevat[2], le të shohim historinë e komunitetit gjirokastrit me mendimin e gjetjes së  “burimit” të ndryshimit.

         I- Gjirokastra përmëndet për herë të parë si qytet dhe kështjellë në vitin 1336  si qëndër feudi e Zenevishëve, ndonëse historianë të ndryshëm mendojnë se kështjella është ringritur mbi themelet e një kështjelle më të herëshme[3]. Duke qënë qytet me 200 shtëpi[4] brenda kështjellës, kuptohet që kemin të bëjmë me një komunitet të hershëm, të konsoliduar, që zhvillonte një jetë sipas dokeve e traditave të herëshme epirote. Ky komunitet së bashku me forcat ushtarake të Gjin Zenevishës e përballoi sulmin e parë osman në verën e vitit 1418, por kur turqit u rikthyen përsëri në vjeshtë  pasi morën vesh se kishte vdekur prijësi Gjin Zenevisha, kështjella ra dhe qyteti  iu nënshtrua sundimit osman[5].

      Filloi jeta e banorëve nën një pushtues të ardhur nga larg, të njohur për herë të parë në sulmin e egër mbi kështjellë.  Banorët gjirokastritë dhe ushtarë apo oficerë turq, kur kryqëzozheshin në rrugët e qytetit shiheshin vëngër sa që Çelebiu shkruan:“banorët e Gjirokastrës kanë  përgjithësi- sht një fizionomi të zymtë e të vrenjtur”[6].

        Banorët vijuan të zgjeronin qytetin[7] me ndërtime të stilit bizantin, me mure rrethuese të larta që të kujtonin muret e kështjellës, ndërkohë që turqit ndërtuan me stilin otoman nja dy tri xhami e objekte publike që frekuentoheshin kryesisht nga garnizoni ushtarak i kështjellës. Shumë shpejt numëri i shtëpive ariti në me 483 shtëpi në vitin 1583.

       Pas vitit 1650 në Gjirokastër filloi procesi i konvertimit të banorëve në fenë islame[8]. Duhet të themi që Gjirokastra nuk pësoi fatin e Elbasanit, ku pushtuesi turk vrau e zhduku gjithë popullsinë e krishterë të qytetit[9], përkundrazi disa lagje të qytetit të Gjirokastrës dhe  krahinat përballë mbajtën fenë e krishterë dhe vazhduan  mardhëniet vllazërore me gjirokastritët që u konvertuan në islam. Këtë fakt e ka konstatuar edhe M. Çelebiu në vitin 1672, kur shkruan  në veprën e tij: “Në ditë festash fetare, muhamedane apo të krishtera, gjirokastritët kanë zakon që “të veshur krejt me ar, pasi pinë mirë e mirë dhe e mbushin kokën me verë të kuqe, ..heqin e kërcejnë valle. Ky është një ves i keq i mohuesve të zotit, por… nuk e kanë për turp”, ( f.35)… . “këtu nuk ekziston kurvëria e pederastia, sepse Gjirokastra është një vend burrërie. Vetëm një herë në vit gratë vizitojnë prindërit e tyre dhe nuk shëtisin fare gjetkë. Ato janë shumë të ndershme”.(f.36).

         II-Në qoftë se Gjirokastra nuk pësoi fatin e Elbasanit, ajo pagoi pjesën e saj të riskut të dhunës së pushtuesit. Dhe dhuna ka disa mënyra çfaqjeje e përdorimi, që nga dhuna fizike te dhuna ushtarake, dhunë psikologjike dhe dhunë ekonomike apo dhunë indirekte si mosmarje të fëmijëve nizamë etj.   Një ngjarje e pas viteve 1680 na dëshmon për  dhunën e ushtruar nga pushtuesi në institucionalizimin e fesë islame dhe ritet e saj në jetën e qytetarëve të  Gjirokastrës. Kjo ngjarje ka ardhur te ne në formën e një kënge dhe flet për fatin e një dashurie mes një vajze myslimane nga lagje Cfakë me një djalë të krishterë nga Pazari i vjetër dhe ndërhyrjen mizore të pushtuesit mes të rinjve.Si gjithë të dashuruarit vajza po shkonte në takim me djaloshin në një natë me hënë dhe kur ariti te ura e Zerzebilit, ndoshta nga që pa së largu djaloshin, e hoqi apo e ngriti perçen e syrit. Një roje turk që patrullonte me shokë, kishte ndjekur me sy vajzën, të cilën fillimisht e kishte pandehur për ndonjë grua plakë që lëviz nëpër natë nga pagjumësia, por kur pa që ngriti perçen e syrit dhe  njohu që ishte vajzë e re, madje edhe kuptoi që po shkonte në takim me një djalë të krishterë, i zemëruar pse vajza kishte shkelur rregullat fetare e qëlloi dhe e vret.   

         Tek ne ka ardhur kënga e saj, që me siguri është  teksti i vajtimit të vajzës: “Mu tek ura e Zerzebilit/ Hanushe bil e Bakirit/Të vrau plumb i qafirit/ Pse hoqe perçen e sirit”. Teksti edhe si këngë kullon dhimbje, por dhe mes dhimbjes, si mes reve ne mund të shohim se:

-Fakti që vajza kishte veshur  perçe, si dhe fakti që dihej se djali ishte i krishterë dhe vajza muhamedane tregon se ishte koha që porsa kishte përfunduar konvertimi në fenë islame i banorëve dhe nga pushtuesi po institucionalizoheshin rregullat fetare në jetën e qytetarëve.

 -Fakti që ky tekst vajtimi na vjen si këngë dëshmon funksionimin e laboratorit krijues të popullit në procesin e shndrimit të vajtimit në këngë.  

-Fakti që një vajzë myslimane dashurohet me një djalë të krishterë pak kohë pas e konvertimit të banorëve të qytetit në islam dhe sidomos fakti që kjo vajzë shkon natën në takim me djaloshin , dëshmon një civilizim të spikatur femrës gjirokastrite mbi nivelin kulturor të kohës si dhe faktin që mardhëniet qytetare midis dy komuniteteve fetare ishin normale. Pikërisht këtij normalizimi të mardhënieve të dy komuniteteve u friksoheshin turqit.

-Fakti që kjo këngë mbriti në kohën tonë shpjegohet se kjo këngë fillimisht ka jetuar si vajtim, pastaj u shndrua në logatje dhe shumë kohë më pas u shndrua në një këngë prekëse, që vajzat e trasmetojnë përmes lotëve brez pas brezi. Vrasja e një vajze të dashuruar dhe sidomos vrasja e vajzës në momentin që po shkon në takim, nuk është një ngjarje që harrohet kollaj. Kjo vrasje ka rënë si një meteor në kujtesën e qytetit dhe mbeti aty për tu parë (dëgjuar) nga brezat e më pasmë.

       Ajo që duam të theksojmë është fakti që ushtari turk qëllon dhe vret një vajzë muhamedane që po shkonte në takim me një djalë ortodoks pse ngriti perçen e syrit, akt që  tregon se turqit e aplikuan me dhunë instalimin e fesë islame dhe konvertimin e popullsisë qytetare gjirokastrite në këtë fe. Me gjithë këtë dhunë shtetërore dhe ushtarake, banorët e gjirokastrës zgjodhën fenë bektashiane tolerante përballë sekteve të rrepta, ofruar nga pushtuesi.

         Ngjarja e urës së Zerzebilit na tregon se në kohën kur ndodhi, vajzat dhe gratë kishin filluar të visheshin[10] me stilin muhamedan, por lehtësia me të cilën vajza “e ngriti perçen e sirit” në momentin që pa djaloshin ortodoks, tregon se ajo, veshjen muhamedane (perçen) e përdorte vetëm si “një mbulesë fetare” për momentet e pakta kur dilte nga shtëpia dhe nuk e kishte veshje të detyrueshme në familje.

       Realisht ushtari turk, duke qëlluar mbi dashurinë e dy të rinjve qëlloi mbi botën shpirtërore gjirokastrite.

        III-“Ushtari turk qëlloi mbi botën shpirtërore gjirokastrite” shkruam më sipër dhe ky fakt na shpie larg. Pjesë e botës shpirtërore është dhe arti gojor, mes të cilit më e rëndësishme është kënga isopolifonike. Kënga isopolifonike me atë kolektivitet këngëtarësh dhe dëgjuesish  që kishte si në formë ashtu dhe në procesin e këngës dhe sidomos me ato “hedhjet” si thirrje lufte dhe “ison” si brohorimë luftëtarësh në sulm, ishin tepër shqetësuese për pushtuesit. Ata vërtet që i mbushën mjediset private të ushtarakëve dhe zyrtarëve turq si dhe mjediset publike që frekuentoheshin  prej tyre me këngë dylberësh dhe valle çengish, por qytetarët i shpërfillën me neveri ato mjedise

       Nëpër festa fetare qytetarëve u “lejoheshin” valle të kënduara, nënkuptimi i të cilave ishte i pazbërthyeshëm për pushtuesit. Ama të këndoje një këngë për komitët (si Shemo hajduti), jo vetëm që nuk lejohej, por ishte shumë e rrezikëshme. Të këndoje këngë për bukurinë e një vajze qytetare dhe këtë këngë ta dëgjonin ushtarët turq, ishte si t’i tundje demit para syve cohën e kuqe. Islamizimi do të thoshte të harroje çdo gjë shqiptare dhe sidomos të kënduarit isopolifonik, ku në çdo tre këngë njera ishte domosdo për heronjtë e luftrave antiturke, e dyta ishte për të ligat që pruri pushtuesi turk dhe e treta ishte për dashurinë e një vajze shqiptare. Njësoj si shkrimi shqip edhe kënga isopolifonike, sidomos në ambientet publike ishte e padëshiruar.

        Në  kushtet e trysnisë turke, banorët brenda qytetit  ishin si të rrethuar dhe në pamundësi të këndonin këngët e tyre. Ishte e njëjta situatë me të krishterët në Romën e lashtë, ata s’mundnin të ushtronin publikisht ritet e besimit të tyre të ri. Megjithatë, forca e besimit dhe dashuria për të u dha zgjidhjen, ata i zbatuan ritet e tyre nëpër katakombet, shpellat dhe guvat e Romës duke e mbrojtur krishtërimin dhe të krishterët nga dhuna e pushtetit. Gjirokastritët ishin më fatlumë në këtë drejtim, ata kishin shtëpitë e tyre dhe i shndruan ato në kështjella të privatësisë dhe të mënyrës shqiptare të jetesës. Muret e larta që rrethonin oboret pengonin shikimin e kalimtarit të rrugës të depërtonte nëpër ambientet e brendëshme. Realisht shtëpitë gjirokastrite janë të tipit bizantin, ndonëse mobilimi i odave  ka marrë pjesërisht nga kultura osmane.

        IV-Nëpër  oboret dhe në odat e shtëpive vajzat dhe gratë vallzonin dhe këndonin vallet dhe këngët e tyre. Fillimisht vajzat mblidheshin për të qëndisur dhe.pas bisedave mbi ëndrrat e tyre, ja nisën këngës vajzërore. Sigurisht, me zë të ulët, me drojë mos i dëgjonte babai në katin e poshtëm apo kalimtarët në rrugë. Kënga zëulët u shijoi, tamam si një ëndër e riparë në prag të zgjimit. Ato nuk e ndjenë, por dhe prindërit e dëgjuan  këngën  dhe kundër ashpërsisë që u prezantonte fytyra,  kjo këngë u pëlqeu dhe u çeli një buzëqeshje në fytyrë.

           Burrat nisën të këndonin nëpër oda këngët isopolifonike, por tonaliteti i lartë i këngës që kishin kënduar para instalimit të fesë islame krijonte jehonë brenda mureve të shtëpisë, jehonë e cila përplasej në vijën melodike të këngës dhe e tjetërsonte atë.  Po ashtu edhe droja ndaj dhunës së mundëshme të pushtuesit, që mund të dëgjonte këngët shqipe, u imponoi banorëve disa modifikime stili dhe tonaliteti.

        Së pari u bënë më fine tekstet e këngëve duke kënduar  për manxuranën e borzilokun, për lulen që “do shkojë krua më krua, të kërkoj gjurmët e tua” apo për një grua që vajton këngën “Laj fustanen e tim zot/Herë më ujë e herë me lot”. etj tekste që nuk kishin asgjë të rrezikëshme për dëgjuesin turk.

         Po kështu ja përshtatën vijën melodike tekstit dhe situatës. “Marrësi” e uli tonalitetin e këngës,  se domosdo që për lulen, manxuranën dhe vasilikuan vetëm me zë të ulët këndohet. “Hedhësi” këndonte gati në të njëjtin tonalitet me “marrësin” dhe i kushtonte  më shumë rëndësi funksionit të tij si “zë” solo funksional në këngë, duke ruajtur nivelin dhe “ekulibrin”       e zërave dhe të këngës, “pritësi” ishte thjeshtë një “kthesë” në rrugën e këngës, ku “marrësi” ngadalsonte  këngën për t’u rinisur përsëri me tonalitetin e mëparshëm. Ndërkohë tonaliteti i  “iso” u fashit si një tallaz deti që nis të bjerë në bunacë.   

     Ky tonalitet dhe ky stil i të kënduarit nuk ua mbushte shpirtin , për këtë arsye zëri i “marrësit” të këngës ju përshtat të kënduarit në oda nga të kënduarit në natyrë. Ulja e tonalitetit të zërit të tij solli mënyrën e “shtruar” të të kënduarit, por kjo mënyrë kërkonte një vijë melodike më fine, të ëmbël e cila mund të realizohej vetëm  nga mjeshtrat e vërtetë të  këngës.

        Kështu nisën të krijoheshin “shkollat” familjare të të mësuarit të këngës isopolifonike me vijën e re melodike dhe tekstet fine..Familjet Çenko, Çajupi, Çarçani, Çaçoli, Dobi, Koçiu, Abdalli ishin shkolla të përsosjes së këngës isopolifonike gjirokastrite, njëkohësisht edhe fidanishte të këngëtarëve popullorë që e trasmentonin këngën në popull. Gjirokastra e mbrojti këngën isopolifonike dhe këngëtarët në shtëpitë kështjella të tyre, madje e bëri këngën më të bukur, më fine, e stolisi si një nuse ditën e dasmës, për ta nxjerrë ne valle. Është tjetër gjë pse dasma u vonua shumë, por gjithsesi në Gjirokastër ju bë, në sheshin e kalasë, si një dasëm princeshe.

      Natyrshëm që mund të lindë pyetja: dakort që prania e pushtuesit dhe dhuna e tij është një faktor ndikimi te krijimi i variantit të këngës gjirokastrite isopolifonike, por vetë fakti i të qënit të Gjirokastrës qëndër urbane, qytet me kulturë a nuk ka pjesën e vetë të ndikimit?

       Për të sqaruar këtë problem duhet të sqarojmë fillimisht një tjetër çështje:

       Presioni turk mbi këngën isopolifonike ka filluar para se të niste  konvertimi i popullsisë në islam, për vetë peshën emocionante që mbartëte kënga te shqiptarët.  

        Dokumentat që kemi nuk japin një përgjigje të saktë për kohën e fillimit të kësaj dhune, por për  rolin e  të qënit të Gjirokastrës qëndër urbane dhe ndikimin e saj në trasformimin e këngës  indirekt na  informojnë se në vitin 1553 qyteti kishte 483 shtëpi[11], shifër që na tregon se nuk kemi të bëjmë me një qytet potencial, kultura tradicionale e të cilit imponon një kulture te banorët e rinj të saj. Duhet të kuptojmë se në ato vite, kënga isopolifonike ishte niveli më i lartë kulturor i banorëve. Nën pushtimin turk kultura dhe arsimi i banorëve tyre nuk u rrit në atë mënyrë që të ndikonte te kënga. Kultura qytetare e kohës nuk ishte e tillë që të transformonte një vepër arti gojor me traditë mijëravjeçare në një formë tjetër fine.

        Kur Gjirokastra pruri një arsim dhe kulturë perëndimore[12], në fund të shek 19 dhe fillim te shek 20, varianti i këngës gjirokastrite ishte formuar dhe ndikimet e kësaj kulture mbi artin oral ishin të dorës së dytë.  Të kuptojmë një gjë, arti gojor nuk është produkt i krijuar më laboratorin krijues të arsimit dhe kulturës shkollore, ai është produkt i laboratorit krijues të popullitn. Kënga

isopolifonike nuk prodhohet apo eksperimentohet në epruveta laboratori shkollor apo institute e universitete, ajo prodhohet dhe eksperimentohet në shpirtin e popullit sepse është një vepër shpirtërore.

        Duke bërë një paralelizëm me një tjetër qytet, Himarën e cila kishte ndikime arsimore dhe kulturore më të shumta dhe më cilësore (europiane, kryesisht venedikase) shohim se:

        -Një numër i madh djemsh himariotë shkonin luftëtarë në ushtrinë venedikase dhe shumë të tjerë arsimoheshin në shkollat e Venedikut. Kur ktheheshin, kultura që sillnin ata në Himarë ishte kulturë europiane dhe për pasojë kjo kulturë hamendësohet që duhej ta kishte tjetërsuar këngën isopolifonike himariote. Në fakt,  kjo jo vetëm që nuk ndodhi, por ishin këta djem që vinin nga Venediku ata të cilët ndikuan që iso himariote të forcohej më shumë.

         Në qoftë se do kërkojmë faktorin kryesor ndikues tëë ndryshimit të stilit të të kënduarit në njërën zonë dhe pandryshueshmërisë në zonën tjetër, ky faktor ka një emër:  pushtuesi turk. Himara ishte krahinë autonome qysh nga viti 1492[13] dhe nuk e “ndjeu” autoritetin turk në jetën e saj, ndërsa Gjirokastra çdo ditë gdhihej nën dhunën e pushtuesit osman dhe të fesë islame. Prandaj themi që shtëpitë gjirokastrite u shndrua në “kështjella”jo vetëm të këngës, por edhe për këngën.

         Është normale që të themi se shtëpitë  gjirokastrite ishin “kështjella të këngës” po aq sa

ishin edhe “shkolla të saj”. Ishin “kështjella të këngës” sepse bedenat e tyre nuk i kaluan kurrë këngët e dylberëve dhe vallet e çengive që ishin të dëshiruara dhe të urdhëruara të futeshin në botën orale shqiptare. Ishin “shkolla të këngës” sepse krijuan variantin gjirokastrit të këngës isopolifonike, por krijuan edhe një armatë  këngëtarësh popullorë të rrafshit të epërm të këngës, të papërsaëritshëm në llojin e tyre. Megjithatë, duke i respektuar këto cilësime, unë mendoj se shtëpitë gjirokastrite, më shumë u shndruan në “tempullin e këngës” dhe këta këngëtarë ishin ëngjëjt që i dhanë frymë dhe i ruajtën e përsosën formën shqiptare  variantit gjirokastrit të isopolifonisë. Nuk e di ku i kanë ikonat këta ëngjëj që të shkojmë t’u ndezim nga një qiri, por zërin ua dëgjojmë nëpër këngë edhe sot, sidomos te këngët e ëngjëjve të rinj.

 

…vijon…

Sarandë, më shtator 2021



[1] Kujto këngën himariote “Vajz’ e valeve”, këngën skrapariote “Mbeçë more shokë mbeçë” dhe këngën came “Mu te pusi i Sulejmanit”

[2] Zërat e këngës isopolifonike janë :marrësi, pritësi, hedhësi, dhe iso.

[3] ..të shkatëruar nga Paul Emili në vitin 167 p.e.s. 

Zbulimet brenda në kala kanë nxjerrë në dritë qeramikë në 4 faza të ndryshme banimi përpara periudhës osmane: në shekujt V-II p.e.s,shekujt V-VII e.j., shekujt IX-X dhe shekujt XII - XIII

Sipas kronikanit turk Çelebiu, që  vizitoi qytetin më  1672  “ Kalaja ishte ndërtuar në kohë të moçme. Krejt prej guri të gdhendur. Në mes të kalasë ndodhej një rrugë e gjerë me drejtim lindje-perëndim, në të dy anët e së cilës ndodheshin  200 shtëpi…” (Qyteti u zgjerua me 483 shtëpi në vitin 1583. Shën. im.T.M.).

Në librin e tij “Gjirokastra nëpër shekuj”, historiani Dilo, thekson ndër t: “…janë botuar shumë gjëra për themelimin e Gjirokastrës. Është Likofronti, poet grek, i cili në vargun 1117 shkruan se qyteti është homerik.

[4] Foto Malo në “Gjirokastra në sytë e Kadaresë“ thotë se: Qyteti, bërthama e tij ka ekzistuar më përpara kështjellës, ka patur mure e pastaj u ngrit kështjella, që populli i thotë kala. Jashtë kështjellës, në një lagje të veçantë, rrinin martallozët, mirëmbajtësit e saj. Dhe kjo është e besueshme.

[5] Barleti shkruan: “Në kohën e rrethimit të Beratit (1455) prej Skënderbeut, GIROCASTRUM ndodhej në duart e Turqëve

[6], (Evlyia Çelebia, “Shqipëria 350 vjet më parë”, Botimet Horizonti, 2003, f.34)

[7]  M.Çelebiu“…Qyteti i hapur është vendosur mbi 8 kodra dhe luginat nga të gjitha anët e kalasë, me shtëpi shumëkatëshe, me çati prej guri dhe të rrethuara nga kopshte dhe hardhi. Secila nga këto shtëpi të ndërtuara mire, ka një kullë. Muret rrethuese të oborreve janë të ndërtuar me një lloj graniti të bardhë, punuar nga mjeshtra gurgdhendës, sikur të ishin tulla Ankaraje prej balte. Mure të tilla kanë si të pasurit ashtu edhe të varfërit”. 

[8] Gjirokastriti i parë  i konvertuari  në islam ishte Yzeit Poshi.(Odise Kote: “Kronika Gjirokastër” 19 korrik 2020”) i cili u caktua nga turqit si regjistrues i pronave dhe familjeve.

[9] sipas kronikës së Evlyia Çelebisë.

[10] Gratë gjirokastrite vishnin tumane, por nuk mbanin perçe me përjashtim të plakave që mbanin shami koke të bardhë ose me ngjyra. Vajzat në mjedise publike mbanin perçe, por këto dalje ishin të rralla ndërsa burrat vishnin veshjet tradicionale të labërisë. M. Çelebiu shkruan: banorët gjirokastritë të asaj kohe “kanë veshje të çuditshme por shumë të pastra”.. Realisht pas vitit 1900 në Gjirokastër filloi të fryjë era e perëndimit dhe u hoqën veshjet e stilit fetar muhamedan, fillimisht nga vajzat dhe më pas nga gratë e më von nga plakat.

[11]Nuk kemi datë të saktë për këtë process, por gjithsesi ka nisur para fillimit të islamizimit të krahinës, process që filloi në vitin 1650.

[12] Erën perëndimore në Gjirokastër e sollën bijtë gjirokastritë që kishin shkuar  me studime në Europë dhe kur u kthyen, sollën në familjet e tyre stilin europian të jetësës, stil dhe mënyrë jetese që u përhap në gjithë qytetin. Gjirokastra kishte superprodhim intelektual. Në një botim zyrtar përpara Luftës së Dytë Botërοre, përmendet që ishin 450  intelektualët në shkallë vendi, nga të cilët  250  ishin gjirokastritë

[13]Flasim për autonominë e njohur nga sulltani, se realisht edhe në pushtimin romak Himara kishte autonomi.

Wednesday, 15 September 2021

 

Timo Mëkuri

 

DASHURIA SI PAFUNDËSI TINGUJSH, DRITASH DHE ËNDRRASH

 

 

(Rreth dymbëdhjetë librave të Sabit Rrustemit HYJNORJA IME JE TI, të përfshirë në katër vëllime)

 

“Sabit Rrustemi është nga poetët e rrallë të botës sonë që me prirje dhe me përkushtim të veçantë ka bërë objekt poetik dashurinë, që dëshmohet mirëfilli edhe me këto dy vëllime “Hyjnorja ime je ti 1” dhe “Hyjnorja ime je ti 2” [...] Poezinë e tij të dashurisë e cilëson shumësia e qasjeve dhe shumëllojshmëria e shqiptimit të dashurisë; të shprehurit poetik dhe pamjet – tablotë e pasura, që njësohen dhe bëjnë një mozaik tërësor artistik; natyrshmëria e rrëfimit; mëvetësia e përftimit të varianteve; ballafaqimi dhe përplasja e dukurive, e aspekteve dhe e mendimeve; mbrumja dhe gërshetimi i realiteteve të ndryshme, që dashur e padashur, të kujtojnë realitetin e ëndrrës, ku s’ka kufij kohorë, hapësinorë dhe mendorë; gjerësia dhe thellësia e vrojtimit të dashurisë dhe mundësia e madhe, herë – herë e jashtëzakonshme, e komunikimit dhe e ndikimit të tekstit në marrësin. Në qenësi, kjo poezi është gërmim dhe zbulim i shpirtit të njeriut, sidomos atij të dashuruar, që është pushtuar dhe tundet nga fuqia magjike e dashurisë për femrën.”

ANTON NIKË BERISHA

 

I-Në qoftë se pas leximit të librave poetikë në katër vëllime “Hyjnorja ime je ti[1]” të Sabit Rrustemit do përballemi me thënien e Persi Shellit se: “Poezia është kujtesa e çasteve më të mira, më të lumtura të mendjeve më të lumtura e më të mira” me siguri që këtë përkufizim do ta ndërlidhim pikërisht për poezinë e këtij autori dhe atë vetë, dhe këtë jo rastësisht. Sabit Rrustemi është i vetmi poet, jo vetëm në letërsinë shqipe që i ndërton dashurisë një tempull prej dymbëdhjetë vëllimesh poetike, shtrirë kjo në një hapësirë prej 14 vjetësh (2009-2021).

Është fakti se poezitë e këtyre vëllimeve janë krijuar në një moshë të pjekur krijimtarie, çka ka bërë që niveli i tyre artistik të jetë i rrafshit të epërm, ndërkohë që kanë freskinë e moshës së re..

Që nga vargu i parë i librit të parë dhe gjer te vargu i fundit i librit të dymbëdhjetë, më shumë se sa lexon, ndjen dhe përjeton një stinë dashurie në një botë ku “andralla” e vetme e jetës është dashuria, të cilën poeti na e “shet[2]” nëpërmjet vargjeve të tij. Dihet që dashuria ka “andrallat” më të shumta të jetës, por edhe më të bukurat. Madje dashuria edhe dhimbjen e ka të “bukur”, si një poezi më vete.

Nuk na habit fakti që Sabit Rrustemi shkruan e “shet” poezi të bukura dashurie, por të impresionon fakti se këto poezi dashurie, pavarësisht kohës kur janë shkruar, viteve kur janë përjetuar, ende janë me aromë rinie të mbushur plot “gjelbërim”, thua se mosha e dashurisë s’ka as vjeshtë e as dimër, por veç pranverim, ku dhe kur “rriten” lisat që synojnë yjet e qiellit.

Vargjet çelin në poezi natyrshëm si bisqet e njomë në trungun a degët e një lisi të “moçëm”, duke formuar një kurorë të re, të gjelbër që të tregon për së largu se këtu është pranverë.

 

Brenda Teje jam

nga zanafilla e këndej

më mirë askund s’e kam [...]

 

Koha e ikur

në një të nesërme kthehet

për t’më parë si të dua

 

E dashur

këtë ëmbëlsi të hidhur jete

që e kam shijuar

prapa këtyre qiejve po e lë

 

Deri në amshimin e pajetuar

më mjafton vetëm Ti

(Më mjafton vetëm ti)

 

II-Poezitë e dashurisë së Sabit Rrustemit kanë një muzikalitet shprehur përmes vargjeve, që në rastin e parë të krijohet përshtypja se buron nga vetë tema e dashurisë, por mjafton të lexosh disa poezi të tij ku heroi qëndron pak i menduar a i “trishtuar” nga vonesa e vashës dhe të ndjesh të njëjtin muzikalitet nëpër vargje, të ngjashëm me “melodinë” e gjetheve kur i ledhaton flladi që fryn nëpër lisa apo rrahjen e krahëve të një trumbe zogjsh që fluturojnë përmbi pyll.

 

Një mal ëndrrash që i pashë e më ikën

i lashë mënjanë     

e kah Ti u nisa.

 

Asnjë shenjë Tënden s’e kisha

pos një portreti shfaqur pas shiut

në murin e kaltër të shpirtit tim

sa qiellor

sa engjëllor

që s’arrihej

s’prekej

vetëm ndjehej e shijohej

si ëndrra më e pafajshme

që shkrihej syve të mi.

(Për shpirtin tënd)

 

A nuk të vjen të marrësh kitarën dhe t’i këndosh më zë rinie këto vargje? Nuk po ju sjell shembuj të tjerë se e ndjej që do t’i këndoni gjatë shfletimit të librit.

Duke kërkuar burimin e këtij muzikaliteti në poezinë e Sabit Rrustemit, të tërheq vëmendjen fakti se, pavarësisht se ai është një poet ndër më të mirët në poezinë shqipe, ndonëse kishte pasur mundësinë dhe të drejtën të vendosej në kryeqytet, jeton në Zhegër, pranë Gjilanit, në rrëzë të malit të Çepurit, shpatet e të cilit i ka “mbjellë” me lisa poezie, që janë rritur e kanë formuar një pyll, që të fton ta vizitosh shpesh.

Po t’i shohësh me vëmendje poezitë e Sabit Rrustemit duket se janë shkruar diku rrëzë një shpati të këtij mali, te ndonjë gur a ndonjë krua, mbështetur te ndonjë lis a shtrirë në ndonjë livadh të cilëve shpesh herë u citon dhe toponimin. Është pikërisht ky ambient i frymëzimit poetik që i ka përcjellë nëpër vargje muzikalitetin e tij natyror, naimiane.

Nga ky ambient kuptojmë se Sabit Rrustemi për “hatër” të poezisë i ka qëndruar larg Prishtinës zyrtare dhe me “ndihmën“ e dashurisë ka ngritur një “kryeqytet” të ri poetik, ku zë fill meridiani zero i poezisë së dashurisë, si meridiani i Griuniçit. Ai që nga Zhegra i jep poezisë sonë modernitetin dhe përmasën estetike; ai ka ngritur tempullin poetik të dashurisë me besimin dhe se dashuria do e bëjë botën më të mirë. Ju ftoj të nisemi për te ky tempull, ku kryefalltari Sabit Rrustemi do na thotë nëpërmjet vargjeve të ardhmen e dashurisë sonë. Unë kam besim te Sabiti dhe te varg-thënia e tij sepse ai është një poet i thellë në ndjenja e mendime, i mbushur me një qetësi poetike, ndonëse me një fije trishtimi, si të gjithë të dashuruarit që presin një shenjë a një fjalë nga Zoti a nga vajza.

Poeti Rrustemi është i dhënë pas artit, më saktë duhet thënë se ai është shkrirë e bërë pjesë e artit poetik; jeton nëpër poezi dhe kjo dallohet lehtë po të shohësh ritmikën e krijimeve të tij, gati të përditshme. Ai frymon poezi dhe kjo është e dukshme te vargjet e tij, të krijuara me një gjuhë të qartë e të lexueshme nga kushdo, si ajri që thithet njësoj nga të gjithë njerëzit.

 

III-Ka marrë dhe diçka tjetër kjo poezi nga ambienti i frymëzimit. Autori shkruan me varg të lirë, por pikërisht ky varg ka ndikuar që poezia e tij të jetë plotë dritë, si drita në pyjet me nivele të ndryshme lartësie pemësh. Po kështu dhe ajri mes vargjeve është plot oksigjen si ajri nëpër pyje. Nuk lodhesh duke e lexuar këtë poezi, qoftë edhe duke e lexuar me tonalitetin e një recitimi. Të duket se ajri i pastër i vargjeve mbush mushkëritë e tua gjatë leximit (Mushkëritë e mia/petaleve të saja marrin frymë/si vetë imja jetë) dhe kupton se nuk është efekti i temës së poezisë, por është efekti i stilit të tij poetik.

Në poezitë e Sabit Rrustemit s’ke nevojë të mendosh domethënien e vargjeve apo të metaforave, ato i ndjen menjëherë shpirtërisht edhe kur ndonjë fjalë a varg nuk e kupton shprehimisht, edhe kur ndonjë metaforë të “sheh” me sy të ulur, si shikimi i një djali të drojtur, në pritje të fjalës a shikimit të vajzës që e ka mbretëreshë nëpër ëndrrat e tij.

 

IV-Sabit Rrustemi shkruan, siç thashë, me vargje të lira, madje edhe me strofa të parregullta, ndonëse me ritëm e ritmikë të brendshme. Ka një afri me stilin e vargut të Ali Podrimjes dhe Mirko Gashit[3], ndonëse me një nerv poetik të vetin, më të butë, më të ëmbël.

Ka stilin e tij në vargje, ku veç të tjerash, në një poezi ndërthuren edhe strofat me disa vargje të shoqëruar me strofat me dy ose një varg. Interesant është fakti se çdo strofë e poezive të Sabitit, qoftë strofë shumë vargore apo një e dy vargore, e marrë e shkëputur më vete, ka edhe kuptimin e një poezie të shkurtër.

Vargu i tij ka dhe cilësi të tjera; shpesh herë në mes të strofave, një varg i vetëm apo së paku dy vargje përbëjnë një strofë më vete, të paraprirë dhe të pasuar shpesh herë nga një strofë disa vargjesh. Këto vargje njëshe apo dyshe, në kontekstin e poezisë të konceptuar si “një pyll lisash” të lartë shpesh ngjajnë me trungje pemësh të rrëzuar mbi vija uji a përrenj, duke u bërë në këtë mënyrë “ura kalimi” për lexuesin për te strofa tjetër. Le ta shohim këtë që thamë te poezia LULJA E JETËS:

 

Në kopshtin e kësaj zemre

ngjitas meje sythoi

e çeli

 

Një botë me aromë plot

ma dhuroi

 

Erërash sa herë u shkund

a shirave u qull

imja dorë iu gjend pranë

dhe ky trup

 

ndërsa te poezia SECILA STINË E ETUR ËSHTË PËR TY këtë dukuri e përligjim edhe me strofë me një varg:

 

Ato që i la stina e mëparshme

s’janë më

e pangopshmja kohë i zhbiu

dhe ato fryte jete që sillnin kënaqësi

 

Trungje të zhveshura mbetëm

para stinës së bardhë

 

Ardhja jote me ngrohtësi na mbështjell

shprush dhe nëpër dej

gacat e një zjarri të pashuar mbledh

 

Mos praj së riguari

derisa t’i njomësh majat e rrënjëve

thellësive të paprekshme

aty ku fija e dritës sate

 

I jep jetë një sythi të ri

 

Pastaj kthehet ajo stina e re

me njomësinë e buzëve  të tua

na bekon me dashuri

 

V- Shpesh dëgjojnë të thuhet se qysh nga Homeri e gjer më sot në poezi janë rrahur të gjitha temat e jetës dhe s’ka mbetur asnjë për t’u rrahur nga poetët e sotëm. Qysh këtu nis keqkuptimi mbi temat e shfrytëzuara nga poezia. Po të flasim p.sh. për temën e dashurisë, duhet të themi se vetë dashuria ka pafundësi tingujsh, dritash dhe ëndrrash ku secili prej tyre është një poezi më vete. Në qoftë se do ta quajmë një lëndinë, ajo është një lëndinë e pamatë, mbushur me lule të porsaçelura skaj më skaj, si hapësira qiellore mbushur plot me yje, ku çdonjëra prej tyre është një poezi më vete.

Rasti i poetit Sabit Rrustemi me dymbëdhjetë libra kushtuar dashurisë na tregon se edhe një temë si dashuria, për të cilën kanë kënduar, të thuash, të gjithë poetët e botës në të gjitha kohërat, ka një pafundësi kënd vështrimesh, mënyrash të shprehurish gjuhësor figurativ e ngjyrash të mëvetësishme, që natyrshëm të përngjajnë në këngë.

Sabit Rrustemi na e vërteton këtë, lexojeni dhe do të bindeni.

 

Sarandë, maj 2021

 



[1] Vëllimet e serisë HYJNORJA IME JE TI përfshijnë këto libra poetikë;

I-Vëllimi i parë përmban librat: a-Nën atë strehë zemre. In Tima 2009; b-Mëkatet që nuk i themi. In Tima 2010; c-Pjesa e pashuar e ëndrrës. In Tima 2011.

II-Vëllimi i dytë përmban librat: a-Stina mbetet ajo që është. In Tima 2012; b-Me bekimin e një të diele. In Tima 2013; c-Stinëve që erdhën pa ty. In Tima 2014; ç-Nëpër grimca të padukshme. InTtima 2015.

III-Vëllimi i tretë përmban librat: a.Dhomave të harruara të shpirtit, In Tima 2008 -2015; b.Më ndez e pathëna jote, In Tima, 2016/17.

IV-Vëllimi i katërt përmban librat: a.-Nëpër ëndrra të fjalëve, In Tima 2018/19. b-Era përpush ndjenjave të mia, In Tima, 2020; c. Për shpirtin tënd, In Tima 2021.

[2] Perifrazim i fjalës së Alda Merinit kur thotë: “Çdo poet shet andrallat e tij më të mëdha”.

[3] -Ndoshta kjo përafëri ka ndikuar tek unë që shkrimin tim për Mirko Gashin ta titulloja “Mali me lisa” duke i riprurë lisat poetikë edhe te ky shkrim.

 

 

DUKE NDJEKUR VIJËN E HOLLË TË KUFIRIT MES VARIANTEVE

(Mbi veprën “Balada shqiptare e murimit dhe marrëdhëniet me variantet e vendeve fqinje” tw Timo Mërkuri)

 

Nga  NATASHA XHELILI

 

-          Sa shumë pikëpyetje ngrenë krye në baladën shqiptare të murimit. Sa herë e lexojmë, ndiejmë ankthin e flijimit, ndiejmë drithërimën që përshkon trupin e nuses së re që duhet të vdesë, t’i thotë lamtumirë jetës, pa mundur të kundërshtojë. Nuk është një vdekje e zakontë. Një thikë e ngulur, një plumb që mbaron punë menjëherë. Ajo duhet të vdes ngadalë, duke mbajtur peshën e murit, duke iu prishur bukuria, duke ndier fundin e tmerrshëm. Edhe Antigona u varros e gjallë, por ajo ishte në një shpellë. Asnjë gur nuk e preku trupin e saj, vetëm heshtja dhe errësira e shtynë në vetëvrasje. Po nusja e vogël e baladës është e guximshme, ajo kërkon t’i lënë gjirin jashtë, për të ushqyer djalin, sepse aty sheh të ardhmen. Djali është vazhdimësia e saj, është ëndrra e saj jetësore që do të përmbushet në një trup tjetër që ka gjakun e saj.

Baladat kanë qenë gjithmonë në vëmendjen e studiuesve të folklorit e letërsisë, duke gjeneruar këndvështrime të reja. Duke u peshuar në kohë të ndryshme ato kanë zbuluar të dhëna që lidhen me ekzistencën e një kombi dhe jetën shoqërore e mënyrën e organizimit të saj. Këto të dhëna “janë fshehur” mes rreshtave të baladave duke gjetur aty vendstrehimin më të mirë e më të sigurt. Sipërmarrja e një studiuesi për t’i çkodifikuar nuk është e lehtë. Arena e njohjes duhet të jetë shumë e gjerë. Të ndërtosh një libër për një baladë të vetme, t’u japësh jetë mesvargjeve, të krahasosh variantet e ndryshme të saj, pa rënë në përsëritje të lodhshme, është një ndërmarrje edhe më e vështirë.

Balada e murimit me gjithë specifikat e saj, e shtrirë jo vetëm në kufijtë e Shqipërisë, por në gjithë Ballkanin, është bërë objekt studimi në librin e Timo Mërkurit “Balada shqiptare e murimit dhe marrëdhëniet me variantet e vendeve fqinje” . Siç shihet edhe nga titulli, synimi i kësaj sprove është vënia përballë e shumë varianteve të baladës, me qëllim krahasimin, evidentimin e të përbashkëtave dhe veçorive të secilës.

Që në hyrje Mërkuri na njeh me drejtimin e studimit të tij: “… ka një unitet në tërësinë strukturore, duke u mbështetur tërësisht në element tipikë shqiptarë( siç mbështetet çatia mbi trarë) dhe konkretisht mbështetet te “besa”, “tre vëllezërit ndërtues”, “te vëllai i vogël”, “pozicioni i gruas ndaj burrit” etj, ndërkohë që versionet e disa popujve fqinjë, e bazojnë zhvillimin e subjektit te “ndërhyrja e zotit”, “porosia e zanës(vila )” apo fjalët e një “zogu (dërguar nga Zoti) etj. ”

Këto do të jenë shtyllat(trarët) ku do të mbështetet studimi i Mërkurit. Ai sfidon që në hyrje dhe paraqet disa teza që duhen mbrojtur me kujdes, me fakte, me të dhëna nga baladat, që janë strukur në përbërjen e tyre, por mjafton të gjesh çelësin për të hapur portën e të fshehtave. Mërkuri  di të hapë porta, mbledh material baladash në motërzime të ndryshme në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Greqi, Bullgari etj. Në shumësinë e varianteve ai përzgjedh ato variante që paraqesin të dhëna që do ta ndihmojnë të mbrojë tezën e tij. Fakti që në vendet fqinje baladat janë mbledhur më shpejt, nuk i bën ato më të vjetra. Ai sjell fakte dhe argumente që të vërtetojë se varianti shqiptar është më i vjetër. Për këtë i referohet jo vetëm “dendësisë më të madhe të versioneve të baladës, ndonëse ka hapësirë më të vogël gjeografike”, por edhe unitetit të tërësisë strukturore. Siurisht nuk mjaftohet vetëm me pohimet e gjetjet e tij, ai gërmon në studimet e autorëve të tjerë shqiptarë dhe të huaj, duke i marrë si pika referimi që koha i  ka vërtetuar. Me gjithë përpjekjet e zbulimet që bën, Mërkuri pohon thjesht: “Me gjithë këto elemente, ne nuk synojmë që të vërtetojmë autorësinë primare për këtë baladë.”

Ai merr një nga një elementet bazë të baladës, lindjen, funksionin dhe kombësinë, për të parashtruar idetë e tij. Edhe këtu ai nuk del i vetëm. Referimi ndaj autorëve të tjerë si Hahn, Megas etj, i jep fuqi e mbështetje mendimit të tij, duke treguar se ka mjaft fakte që e pohojnë, duke veshur qyrkun e një studiuesi e njohësi të mirë të folklorit shqiptar.

Autori nuk mjaftohet me vënien përballë të varianteve të ndryshme të baladës së murimit. Ai shkon edhe më tej, në antikitet, të kërkojë shembuj të flijimit. Ndalet te Eskili me Ifigjeninë, duke sjellë një paralele që do ta ndihmojë për të përcaktuar kohën e baladës. Megjithëse i mëshon faktit që Ifigjenia pranoi të vetëflijohet, konstaton se koha e këtij flijimi, edhe pse të kërkuar nga perëndia, është më e vonë, sepse, në fakt, ajo nuk u flijua. Në momentin e fundit u zëvendësua me një drenushë. Koha e kësaj historie, është më e vonë, kur flijimet e grave, u zëvendësuan me flijimet e kafshëve. Autori përmend fjalët : “pagane” dhe “matriarkat” për të përcaktuar kohën e baladës.

Studimi i varianteve të ndryshme bëhet duke filluar me Kështjellën e Rozafës. Mërkuri thekson: “Në folkloristikën shqiptare “ balada e murimit në Kështjellën e Rozafës” ndrin si ylli polar në yllësinë e baladave.” Ky variant gjendet edhe në serbisht me titull “Zidanje Skodra” “ Ndërtimi i Shkodrës”. Për të vërtetuar mendimin e tij, autori i kthehet historisë së ndërtimit të qytetit, duke hulumtuar në analet e historisë duke sjellë fakte se sllavët nuk e kanë ndërtuar qytetin e Shkodrës, pasi ata kanë ardhur në Ballkan shumë më vonë se ndërtimi i saj.

Ka një pikë të fortë në këtë punë të madhe të ndërmarrë nga Timo Mërkuri dhe ajo është forca e argumentit. Ai kërkon që burimi i të dhënave të jetë i saktë dhe i besueshëm, ndaj u referohet autorëve  të ndryshëm. Vendosja e datave të sakta e emrave të sjellë nga bota letrare e kohës kur u njoh kjo baladë në Europë, si një baladë serbe, bëhet për të vërtetuar se Vuk Karaxhiq i ka bërë shtesa artificiale baladës, e ka incizuar dhe ia ka paraqitur botës letrare të fillimshekullit të XIX.

Komentet e autorit për çështje të ndryshme që lidhen me këtë baladë, janë të një cilësie shumë të lartë. Ai paraqitet si një njohës i mirë i folklorit dhe u shkon deri në fund argumentave që lidhen me ndërtimin e baladës, qoftë në elementet letrarë, qoftë në ata joletrarë. Ai ndalet në variantet që kanë dallime të mëdha, që kanë elemente që përmbushin tezën e tij.

Në libër sillen edhe variantet e baladave të zonave të ndryshme, që vetë lexuesi të shoh nga afër konstatimet e autorit dhe të “bindet” për vërtetësinë e tyre. Autori trajton me detaje të shumta, argumentet e veta. Krijon pamje madhështore në interpretimet e vargjeve të baladës si në rastin e Rozafatit : “Heshtja që të imponojnë këto vargje (vargjet 1-9 të baladës) i ngjan qetësisë para furtunës, por drama nuk mund të luhet në një skenë të vogël sa gjerësia e lumit Buna, prandaj… fryni një freski e hollë,/ e naltoi o mjegullën/ e naltoi o deri në Valdanuz…, duke e zgjeruar në këtë mënyrë “skenën e teatrit”. Drama gjëmëmadhe që po afrohet, jo vetëm që ka nevojë për një “skenë” shumë të madhe, ku do të interpretohet, por edhe për faktin se kjo “skenë” do shërbejë edhe si një bazë nisjeje në distancë dhe në kohë për baladën.(f. 61)  

Duke u marrë me “skenën”, vendin ku do të luhet kjo tragjedi pagane, Mërkuri tregon detajet që e shqiptarizojnë baladën, por që në fakt nuk janë ato që duken. Ai i mëshon faktit që ka parashtruar që në fillim se besa, tre vëllezërit, vëllai i vogël, riti i murimit etj, janë shqiptare.

Balada është sjellë në disa variante shqiptare dhe të huaja, duke u bërë një arenë në të cilën gladiatorët shpalosin aftësitë e veta. Jo më kot janë sjellë në libër për t’u përballur e për të shpalosur armët dhe vlerat e tyre. Ato flasin për histori e tragjedi njerëzore duke u dhënë rëndësi elementeve të ndryshme. Në këndvështrimin e Mërkurit ato  “flasin” me një gjuhë që nuk ishte njohur deri më sot. Ato tregojnë atë që kanë dashur ta shpalosin gjithmonë, ato mbartin të dhëna që duhen studiuar  për të nxjerrë përfundime prej tyre.

Referimet ndaj studiuesve të ndryshëm, tregojnë se për autorin janë të rëndësishme edhe mendimet e të tjerëve në lidhje me këtë temë. Herë pas here në studiues të ndryshëm ai ka gjetur fakte që kundërshtojnë njëra-tjetrën dhe ka mbajtur anën e njërit prej tyre duke e argumentuar mendimin e tij. Këto qëndrime në fakt janë një hap më tej për vërtetimin e tezës së tij.

Libri ngre çështje të ndryshme për një baladë, mund të thuhet se balada është trajtuar në këndvështrime të ndryshme, në mënyrë të shterueshme. Po kështu ka sjellë edhe këndvështrimet e të tjerëve , duke i pranëvënë. Kështu autori i jep mundësi vetes të diskutojë rreth çështjeve më të rëndësishme që lidhen me baladën e murimit, duke u bërë pjesë e diskutimit të madh për këtë baladë shqiptare , duke u renditur si një ndër studiuesit më të zellshëm të saj.

Ky libër është edhe një arkiv  që ka mbledhur variante të ndryshme të baladës, të sjella jo vetëm në gjuhën shqipe, por edhe në gjuhët e vendeve fqinje. Bashkekzistenca e tyre në të njëjtin libër do të thotë shumë. Autori, duke i pranëvënë, u ka dhënë mundësinë që ato të flasin vetë dhe të tregojnë gjithë historinë e tyre. Gjithashtu në libër ka edhe foto të vendeve ku mendohet se janë bërë flijimet dhe kanë lindur baladat. Që nga thellësia e shekujve, themelet e tyre të forta tregojnë për madhështinë e flijimit dhe arsyen e qëndresës së tyre.

Bashkë me baladat kanë lindur dhe legjendat për këto vende. Legjendat tregojnë atë që ka ndodhur pasi janë bërë flijimet. Ato na tregojnë se si nga gjiri i lënë jashtë i gruas, vazhdon të pikojë qumësht për të ushqyer djalin e lënë jetim, se ura dridhet herë pas here, sepse e ka mallkuar gruaja që është murosur aty, herë flet era që mbart ende ulërimat e rënkimet e grave të flijuara. Duket sikur këto legjenda kanë lindur për të vërtetuar ato që thuhen në balada, duke u bërë bashkudhëtare të plagëve të shoqërive të kohërave të ndryshme.

Mërkuri parashtron edhe diskutimet që janë ngritur rreth baladave, shpjegon nga ana historike elementet që janë futur në to, duke na bërë dëshmitarë të gjetjeve e argumenteve të tij. Ai i shkon deri në fund çdo diskutimi. Kështu pasi parashtron risitë e variantit të Elbasanit, ku kemi një mallkim të nuses, që e quajnë  “nusja frikacake” e baladës shqiptare, ai argumenton arsyet e forta të kësaj tronditjeje dhe arrin në përfundimin se “Mosha e re dhe fëmija që lihet jetim, janë dy argumente më se të fortë, që përligjin paraqitjen e tronditur të kësaj nuseje në çastet e një vdekjeje mizore.”

Gjatë gjithë ndërtimit të tekstit të këtij libri Mërkuri i mëshon faktit se në Shqipëri ekzistojnë variante të murimit në kështjellë (Rozafa), në urë (ura e Fshajt psh) si dhe në kishë (fshati Lin i Pogradecit). Autori tregon se të gjitha këto murime(flijime), lidhen nga elemente të qenësisë shqiptare dhe paraprihen nga motivi i besës, që ka një rëndësi të veçantë për ta. Në lidhje me murimin në kishë, Mërkuri dëshmon edhe njëherë se për të është e rëndësishme të njohë gjithçka që nga rrënjët. Kështu ai bën një parashtrim të gjatë për përhapjen e krishtërimit në Ballkan dhe krahas faktit që në asnjë vend ballkanik nuk ka murime në kishë, flet dhe për martirët e shenjtorët shqiptarë.

Mërkuri e di mirë se ku dhe si ka lindur balada. Ai di çdo detaj që nga më i vogli e deri te më i madhi, di të interpretoj çdo fjalë në të, e shikon të lidhur me jetën shqiptare, i njeh mirë evoluimet e shoqërisë, mënyrën e funksionimit të saj, mentalitetin shqiptar. Ai di t’i vendosë baladat në kohën që janë krijuar, duke analizuar me hollësi të dhënat. Po kështu, variantet në periudha të ndryshme e në vende të ndryshme, brenda territorit shqiptar, kanë dallime mes tyre. Ato lëkunden nga varianti në variant, brenda një trungu të përbashkët duke veshur tipare të kohës e vendit. Analizat e gjata të elementeve historike, vetëm për të vërtetuar një të dhënë të baladës, janë treguese të punës së madhe e këmbëngulëse të autorit për realizimin e këtij libri.

Libri “Balada shqiptare e murimit…” ka rëndësi në fushën e strudimit të baladave shqiptare, sepse ai gjakon jo vetëm në folkloristikën tonë, por edhe në atë të popujve fqinjë duke sjellë veçori e të përbashkëta midis tyre. Ai bëhet një arenë ku shpalosen cilësi të baladës së murimit dhe njëkohësisht është një mbrojtës i fortë i autoktonisë së variantit shqiptar, megjithëse nuk duket në pamje të parë se ky është qëllimi i autorit për këtë sprovë. Duke ndjekur vijën e hollë të kufirit mes varianteve të ndryshme, Mërkuri evidenton perden e kohës në çdo variant dhe guxon ta heqë atë për të lexuar në brendësi të ndërtesës. Ky lexim është i kujdesshëm, i argumentuar qartë, i vendosur në rrafshin kohor që mund ta përligj ekzistencën e çdo varianti të baladës, duke u bërë një çkodues që mbush zbrazëtitë që enden të pafata në baladat tona.

Mërkuri tregon se ka ende për të dhënë në fushën e studimit të folklorit. Ky autor, që endet pas çdo vargu popullor që gjallon në zonën e tij të origjinës, pas çdo krijuesi e interpretuesi që ka lënë gjurmë, pas çdo risie që nxit kureshtje, po bëhet një udhërrëfyes i mirë për folklorin tonë. Ai e njeh mentalitetin e popullit të vet, ndaj arrin ta analizojë krijimtarinë folkloristike të tij. Me këtë libër ai do të vendosë edhe një mbështetje tjetër për baladën shqiptare të murimit.

Delvinë, 14. 09.2021