Saturday, 23 February 2019

Lëre Hankon të qajë, o Petrit Ruka!


Lëre Hankon të qajë, o Petrit Ruka!

Përsiatje mbi baladën “Hanko mos qaj nëpër varre” të Petrit Rukës[1]

Nga Timo Mërkuri

            1….Hanko mos qaj nëpër varre

            Edhe unë kështu do t’i thosha, more Petrit Ruka, po ta dëgjoja duke qarë nëpër varret e Kamenicës. Domosdo që kështu do t’i thosha, madje edhe më tej, do i jepja një shami të fshinte lotët e do t’i lutesha që të dilte nga varreza, se nuk ishte e diela e të vdekurve ajo ditë dhe kësisoj, nuk bënte t’u prishte qetësinë të shumtëve. Domosdo që kështu do t’i thosha, po pasi të përmendesha nga të fikëtit që do më kish rënë me domosdo qysh në fillim të vajit. Ose do zija kokën me duar e do nisja vajin bashkë me të. Se kjo ishte gjëmë mbi gjëmë, nga ato që qahen me bot. Ja, mendoje vetë njëherë. Vjen vajza në derë të babait dhe s’gjen as baba dhe as derë, madje s’gjen as prag të derës.. Kërkon babën, mëmën e motrën dhe s’u gjen as hijet nëpër shtëpi, se për vëllanë i thanë që u vra, ndaj u nis që me natë nga Zhulati. Nëpër fshat s’ka kë të pyesë se s’sheh njeri, as nëpër rrugë e as nëpër dritare. Po ç’është kjo ëndërr e keqe që po sheh syzgjuar? Vjen vajza në shtëpi dhe mirë që nuk gjen prindërit, vëllanë e motrën, po nuk gjen as Kamenicën. Se Kamenica ishte Kamenicë me halle, kasaba e shkuar kasabasë. Shtëpitë me dy- tri kate, me portikët e mermertë ku qene gdhendur stema e zhgabonja e me dritare të mëdha, ku vajzat, fshehur pas saksive, hidhnin e prisnin isharete të trëndafilta me djemtë që kinse shkonin rrugës. Plakat po nëpër pragje tirrnin orët e ditës e thurnin fijet e fatit. Rrugët e kalldrëmta ku kërcisnin dhe ëndrat, pa le më patkonjtë e kuajve…
      Vrapon për në varreza të takojë të vdekurit, por lemeri mbi lemeri. Kisha pa këmbanë e varret pa kryq, varret e vjetra të hapura dhe varret e reja të pambuluara. Ku është tretur gjyshja e ku ta qajë vëllanë…oi, ooi.
2-Kamenica, qytet me legjendë themelimi nga Neptolemi (i biri i Akilit) i kthyer nga Troja, që rrezatoi një kulturë e qytetërim në trevat përreth, me mbi 600 familje të ndara në katër lagje (viti 1583), me 12 kisha që dëshmojnë një kristianizëm të hershëm. Në vitin 1650 në Labëri filloi myslymanizmi. Kamenica refuzoi dhe pas disa betejave të pasuksesshme me turqit, u mor vendimi popullor për braktisjen e vendit duke shkuar të gjithë banorët në drejtim të Italisë.
     3.- Teksti real i mbërritur te ne nga kjo këngë[2] është regjistruar në Zhulat-Gjirokastër në 1979 është:
                            Hanko mos shko nëpër varre
Hanko pelivaneja
Se të vdekurit i ngjalle
Të gjallët i vdiqe fare
Mes’holl e vathë manxhare
Hanko mos shko nëpër gurrë
Se s’më del na mëntë kurrë
Qafëgjat leshëra drudhë
Kur del te porta në udhë
Vete në çezm e mbushë ujë
Pse s’na flet, o mori ftujë .

            E parë në këtë kontekst, kënga duket si një këngë lirike dhe u jep të drejtë të gjithë admiruesve të kësaj linje.
       3-  Ismail Kadare[3] , duke patur në dorë një  antologji të këngës popullore të botuar në vitet ’60 , në të cilën kjo këngë ishte botuar  përafërsisht në këtë variant, bën këtë koment këngës së Hankos:
"Megjithëse për përshkrimin trupor të bukurisë femërore poeti anonim ka të gjitha mjetet, ai rrallë përdor laboratorin e vet, duke parapëlqyer rrugën e tërthortë. Përshkrimi i bukurisë së Helenës së Trojës është quajtur një nga gjetjet gjeniale të Homerit... Ja tani bukuria e një vajze me emrin Hanko:
              Hanko mos shko nëpër varre
Se të vdekurit i ngjalle
Të gjallët i vdiqe fare
Është po ajo gjetje e Homerit veçse ajo shkon më larg. Nuk janë pleqtë e lajthitur nga jeta që
mahniten prej gruas, por shumë më tej, janë ata që kanë pushuar së jetuari fare...
      Theksoj qysh në fillim se ka një keqkuptim  në variantet e publikuar nëpër disa antologji dhe ky keqkuptim citohet nga Petrit Ruka qysh në fillim të poemës, kur shkruan… Prej gati pesë shekujsh vazhdon keqkuptimi i madh se balada rrëqethëse "Hanko mos shko nëpër varre" është një romancë dashurie. ….do të mjaftonte veç vargu i parë i këngës origjinale (i harruar a i humbur) për ta përmbysur kokë e këmbë keqkuptimin fatal për një nga kryeveprat e folklorit shqiptar[4]
                    3.1.a-  Epiteti “Hanko”,  që e përkthyer në shqip do të thotë “Zonjë” u rezervohet grave të martuara. Ti drejtohesh një gruaje me epitetin “Hanko”, “Zonjë” tregon një respekt për gjëndjen e saj civile (e martuar), sociale (në një nivel të ngritur shoqëror dhe ekonomik).. Por gjithashtu ky epitet të fton të mbash një distancë respekti edhe për moshën e saj të ritur dhe nuk lë hapërsirë për koplimenta dhe ftesa romantike. Për ti bërë koplimenta një femre do ti drejtohesh më së paku me epitetin çupë (Çup e Veli beut), vajzë (Vajzat e hoxhës të tria) apo epitete të mara nga bota e luleve, pemëve, blegtorisë (kuacë e kuqe, bejkë e bardhë, pjeshkë) etj. Poeti popullor është shumë i kujdesshëm në fjalorin e tij kur u drejtohet vajzave dhe grave nëpër situata të caktuara. Duke qënë se kemi të bëjmë me një situatë mortore, ai i drejtohet femrës me respektin më të madh, duke e quajtur “Hanko”, “zonjë”, pavarësisht në se  kishte realisht rangun  shoqëror për  këtë titull.     
               3.1. b- Duke e parë me vëmendje tekstin e mësipërm konstaton lehtësisht se vargu …Hanko mos shko nëpër gurrë … e vijuesat, janë vargje kënge të shtuar në kohë të mëvonë-shme pas vargjeve të vajit të mëparshme, ku Hankua shkonte nëpër varre. Kjo dallohet pikërisht nga ambienti ku lëviz personazhi i këngës lirike, lëvizje e cila  nuk shkon asnjëherë nga varrezat te gurrat. Pra kemi dy këngë të bashkuara, ose më saktë një vajtim dhe një këngë lirike. Ose në rastin më të mirë ndonjë krijues  popullor, i frymëzuar nga kënga e Hankos nëpër varre, duke hequr vargun e parë dhe refrenin, ka krijuar pjesën e dytë  duke ja shtuar këngës origjinale, me mendimin se po e çon përpara këngën, pa i shkuar ndër mënd se e deformon kryekëput idenë e saj. Kjo s'ka pse të na habisë pasi në Vlorë në vitin 1959 është regjistruar një tjetër këngë lirike ku janë shtuarnë mbyllje vargjet e famshme të Hankos dhe që thotë: Krevati me boje arre, /Bajame, / pranë penxheres e maje; /përkundrejt keshe ca male,/ maje vesh cules diare,/un' i bjerje, tine qaje./Hanko, mos shko neper varre,/moj mushk' e kuqe xanxare,/se te dekurit i ngjalle,/te gjallet i diqe fare!
       3.1.c- Po ashtu edhe folja “shko” në kontekstin “mos shko nëpër varre’’ të lë iluzionin e një ftese për të mos shkuar diku (në varre) për shëtitje a diçka tjetër. Por ç’shëtitje mund të bënte nusja Hanko në Kamenicën e braktisur dhe ca më tepër në varrezat e saj? Pra vetëkuptohet që përjashtohet kjo mundësi interpretimi. Gjithashtu në traditën shqiptare shprehja “të shkoj nëpër varre” ka kuptimin do shkoj të vajtoj në varreza, te varret e të mive. Dhe logjikisht në varreza shkohet vetëm për të vajtuar dhe jo për t'u dukur të të shohin sa e bukur je. Për ti shmangur këto interpretime poeti Petrit Ruka zëvendëson foljen “shko” me foljen “qaj” duke vënë më në dukje veprimin.
        4- Varianti që këndon[5] populli fillon me vargjet : Ç'kërkon ti në Kamenicë,/Hanko korb’ e
Hanko qyqe,/Hanko pelivaneja, variant që  e përjashton kategorikisht idenë e një këngë lirike. Kjo duket qysh te cilësimi korb’ dhe qyqe që i bëhet Hankos te vargu i dytë, i cili luan edhe rolin e një refreni te kënga, cilësim i cili është i papranueshëm në një këngë lirike. Ndërsa vargu Hanko pelivaneja ka kuptimin pozitiv e shkathët, pra një grua e shkathët. Pikërisht mungesa e vargjeve..:Ç'kërkon ti në Kamenicë,/Hanko korb’ e Hanko qyqe,/Hanko pelivaneja....ka ndryshu-ar komplet natyrën e këngës dhe duke qenë se kënga dhe vaji janë shumë pranë njëra tjetrës, lehtësisht një vajtim është shndërruar në këngë, duke i hequr një varg dhe një refren.
       4.1-Jemi dakort me studiuesin Fitim Çaushi[6] kur shkruan se: emri Hanko në këtë këngë nuk është emër personi, por titull i hierarkisë shoqërore, me të cilin emërtoheshin vajzat dhe gratë e shtresave të pasura.
           Realisht banorët e Kamenicës ishin kristianë ortodoks dhe vajza, para martese  kishte një emër po ortodoks, por siç duket është martuar në një familje të pasur të besimit mysliman dhe në këtë mënyrë i është shtuar titulli Hanko (Zonjë) para emrit. Madje mund edhe t’ia kenë ndëruar emrin ortodoks me një emër mysliman. Por banorët ortodoksë të zonës përreth (Senicë) nuk e kanë bërë dallimin e titullit me emrin dhe duke qënë se fjala “hanko” dëgjohej më shpesh, me këtë “emër” kanë vijuar ta thërasin vajzën kamenicjote që vinte  te dera e babait, pa e kuptuar se e thërisnin jo me emrin, por me titullin e saj  shoqëror. Prandaj dhe kënga ka ardhur me emrin-titull Hanko dhe jo me emrin e saj të vajzërisë ortodokse apo emrin e ri mysliman të pas martesës..
          4.1.a- Në këtë konteks hipotezojmë edhe autorësinë e kësaj kënge të ndonjë  rapsodit të besimit  ortodoks    fshatrave pranë Kamenicës (psh Senica), sepse po të ishte rapsod mysliman,  pas titullit “hanko” do shtonte emrin mysliman të saj, psh Hanko Selime[7].
        4.1.b- Në lidhje me shkrimin e sipërcituar të Fitim Çaushit, nuk jemi dakord kur thotë se ky krijim është vajtimi i një shoqëruese të Hankos gjatë vizitave të saj të përmortëshme në Kamenicë.
           Këmbngulim se ky krijim, është krijim popullor që ka për bazë kolektivitetin dhe anonimatin dhe nuk mund të identifikohet me një person, si shoqëruesja e Hankos.
        5- Në qoftë se do ëndërrojmë për ndonjë subjekt, ai përafërsisht ka këtë rrjedhë: Me qëllim që të mos pranonin kushtet e pushtuesit turk për ndërrimin e fesë, banorët e Kamenicës braktisin qytezën befasisht natën, duke marrë me vete gjithë ç’mund të merrnin, veshje , ushqime, stema e armë, ikona e kambana të kishës, kryqe të varreve dhe gurët e pragjeve. Ikën me anie dhe në Itali krijuan fshatin e ri Kamenicë, ku u riorganizuan përafërsisht sipas lagjeve që kishin patur në qytezën e tyre. Por ndërkohë në Kamenicë vjen një vajzë vendi e martuar në një fshat që është konvertuar në fenë myslimane, madje asaj i drejtohen me titullin “Hanko”, e barazvlefshme me “Zonjë”. Kjo vajzë, pasi pa qytezën të braktisur, shkon në varreza ku vajton mbi varre të vrarët e luftës së fundit, ku mund të ketë qenë dhe një vëlla i saj apo i ati. Si rëndom, nëpër varreza  vajton për të afërmin e saj dhe është normale që të vijojë vajtimin për Kamenicën e vdekur.
       5.1- Asnjëherë populli ynë nuk ka harruar që në vajtimet e tij të shprehte dhimbjen për fatet e fshatit, krahinës dhe të atdheut, krahas dhimbjes për rënien e bijve të tij në luftë apo çfarëdo vdekje. Një grua pilurjote vajtonte dy djemtë e saj të vrarë në luftë në 1750 me vargjet e vajit: "Ç’dreq e pru këtu sulltanë/Erdhi na dogji vatanë/E na vrau djemtë tanë…" Ose një këngë e luftës së 1920 fillon me vargjet klithmë; "O djem se iku vatani/Na e mori breshkamani." Më kujtohet një këngë-vaj e kohës së luftës së dytë botërore për Vunoin që thotë: U prishe Vuno u prishe/Të vjen gjylja prej Vishe/…/Shtëpitë me dy tri kate/S’jan’ ahure, jan’ pallate.
       5.2- Ishte normale që Hanko të vajtonte të afërmit e saj bashkë me Kamenicën. Por ligjërimet e saj duhet të kenë qenë mjaftë të ndjera qoftë si tekste qoftë dhe si ligjërim. Me siguri që vajtimet e saj duhet të kenë qenë nga ato vajtime, në dëgjimin e të cilave shumë burrave u bie të fikët nga tronditja. Kaq shumë tronditje duhet të kenë prodhuar, sa që njerëzve u dukej sikur lëviznin dhe të vdekurit në varre, “ngjalleshin” nga tronditja, sepse nga vajtimi “mësonin” fatkeqësinë që e kishte gjetur Kamenicën pas vdekjes së tyre.. Po, sigurisht që ajo ka qenë një vajtore e famshme, pasi vajtimi i saj tërhiqte vëmendjen e banorëve të fshatrave përreth, të cilët gjenin te vaji i saj shprehjen e dhimbjes së tyre. Ata s'kishin sy të shihnin sa e bukur ishte kjo Hanko, ata kishin veshë e shpirt të dëgjonin dhe të vajtonin bashkë ligjërimet e saj.
        6- Kështu, të tronditur nga dhimbja ata afroheshin në varreza dhe i luteshin Hankos që të mos vajtonte më “në atë mënyrë” se “i vdiste fare” ata që e dëgjonin. Madje, duke i treguar edhe ndonjë varr ku kishte lëvizur dheu (për arsye sizmike) i thoshin se dhe të vdekurit “i ngjallte me vajtimet e saj”. Unë e di që shumë lexues nuk do ta kuptojnë këtë që shkruaj, por unë dhe Petrit Ruka që jemi nga trevat e vajtimit me ligje, kemi qenë dëshmitarë nëpër morte, ku të pranishmit u drejtoheshin vajtoreve me lutjen; Pushoni moj se na vdiqët me këto vaje….ose….mjaftë më me vaje, lereni të tretet i ziu djalë se e ngritët nga varri…
Është kjo psikologjia që ka krijuar vargjet famoze, që ndrijnë nga lotët (jo nga diamantët) "Hanko mos shko nëpër varre/se të vdekurit i ngjalle/të gjallët i vdiqe fare."
            Këto vargje vaji i shkojnë shumë bukur edhe një kënge lirike, mjafton të heqësh vargun e parë dhe refrenin. Është nga të rrallat këngë që të mahnit sido që ta shohësh, si vaj apo si këngë lirike. I ngjan vërtet diamantit që të mahnit nga çdo anë ta shohësh.
        7- Mua më vjen mirë që edhe Ismail Kadareja, ky mjeshtër i madh i penës dhe njohës i folklorit “u ngatërrua” te kjo këngë. Nuk është mosparje e I. Kadaresë, është shkëlqim verbues i krijimit popullor dhe finesë e tij, që në një varg fsheh një botë të tërë. Jam i bindur se Ismail Kadareja po të kishte në dorë tekstin e plotë, përsëri do kishte krijuar një kryevepër për këtë vajtim, siç e shkroi për këngën.
            8- Eh more Petrit Ruka, mirë i thua Hanko mos qaj nëpër varre, prapë mirë që ja thua me të qarë, po pse mundohesh ta fshehësh vajin more djalë.. Apo mendon se s’të kuptojmë ne? Po pse more, duke fshirë lotët me mëngët e këmishës, mendon se do fshehësh vajin dhe gulçet e shpirtit? Po ka bir nëne që nuk ngashërehet me vargjet… "Hanko mos qaj nëpër varre/Se të vdekurit i ngjalle,/Mos i nxirr nga nata!/Hanko mos shko nëpër varre,/Mos i laj me lot,/Të gjallët i vdiqe fare/Ikën nga kjo botë." Ose ai portret i krijuar me bojë lotësh e jo me bojë vaji apo uji që i bën Hankos  e që feks nga çdo anë, ku i thua:-Hanko t'u thinjën balluket/që kullojnë ar,/Të vjen vjeshta, të merr supet/s'kemi më behar./Hanko mos qaj më me ligje, /Ngjethe gurë e drurë, /Ngrinë sorkadhet, qajnë në shtigje/Era u bë mur…
Po kur qan ti që je burrë, si të mos qajë e zeza Hanko për të vetët e për të shkretën Kamenicë, mbetur si një plakë kërcure, ku edhe era shkon me kuje e me ulërimë.
            Të qe ndonjë tjetër edhe mund ta toleroja. Por nuk mund të të toleroj ty, o tepelenasi Petrit Ruka, sepse ti ashtu si dhe unë, je nga trevat që vajtojnë me ligje dhe e di mirë  se çfarë është vajtimi.
            Vajtimi është fjalë perëndie. Askush nuk guxon ta ndërpresë vajtimin e një gruaje që vajton mbi varre. Ajo do ligjërojë sa ta zbrazë gjithë dertin që ka në shpirt edhe sikur vaji të vazhdojë një ditë e një natë pa pushim. Vetëm ndonjë plakë e moçme mund të guxojë t’i afrohet dhe duke qarë dhe ajo e duke e përkëdhelur me dhembshuri t’i lutet me fjalët; Eja o shpirt, o zemër të vemi në shtëpi, se do vijmë prapë nesër ta qajmë me lebeti. Lere të pushojë aty nën dhe i varfëri sot….etj kësisoj.      
            Vajtimi nuk është një të qarë me ë e ëëë.
            Vajtimi është duf i shpirtit që po s’doli me ligje, plas zemra e njeriut. Dhe njeriu që vete zemër plasur në atë botë, ti e di që nuk tretet kollaj.
            Vajtimi është kujtesë për mos të përsëritur gabimet e të ikurve.
            Vajtimi është kujtimi i të mirëve të kësaj bote.
            Ligjërimi i tij është si qiriri që ndizet në kishë, me qëllim që zoti të na shohë e të na njohë kush jemi ne që i lutemi e të na pranojë lutjen.
            Vajtimi është dokument i shkruar në kujtesën e popullit për të mirët e zemrës dhe të vatanit. Po u shkrua dhe u vulos nuk griset dhe as digjet ky dokument.
            Vajtimi është mosha e djalit dhe e vajzës kur njohin veten dhe nisin e njohin dhe jetën.
            Vajtimi është malli i zemrës, fytyra e qeshur e nënës dhe fjala serioze e babait.
            Vajtimi është dashuria që ke rritur në zemër dhe mbjell në jetë.

            Prandaj, o Petrit Ruka, lere Hankon të qajë me ligje se kemi nevojë edhe ne të qajmë bashkë me të.


Sarandë, më 19.02.22019


[1] -Publikuar në fb më datën 18.02.2019
[2] "Këngë popullore nga rrethina e Kardhiqit" dhe e Rrëzomës fq. 482
[3] I.Kadare “Autobiografia e popullit në vargje” fq 101
[4] Varianti që ka komentuar Ismail Kadareja në essen e tij mendoj se është marrë nga një antologji e këngëve popullore botuar në vitet ’60, ku te kjo këngë mungon vargu i parë dhe refreni.
[5] youtube.com “Hanko pelivaneja” Këngë labe, marës Gjergj Aliko, kthyes Hekuran Gjokoli, hedhës Parim Nora
[6] F. Çaushi, Bukuria e një ligjërimi artistik. Zemra shqiptare 23.02.2012. 
[7] ...Hallit si i bëhet/ Hanko Selime/Ti kërkon fustan/Unë skam me se... Këngë popullore.

Tuesday, 19 February 2019

KUR FJALËN E MERR NJË STUDIES SI TIMO MERKURI

KUR FJALËN E MERR NJË STUDIES SI TIMO MERKURI
Kur fjalën e merr një studiues i folklorit shqiptar si Timo Mërkuri është një nder i madh për një krijues që rreket të vijë në krijimtari me motive popullore. Duhet të heqësh duart nga xhepi e ta presësh me nderim gjykimin e tij të mençur e tejet analitik. I kam lexuar të gjithë librat e tij të kësaj fushe dhe mund të them plot bindje se sot është një autoritet i padiskutueshëm në këtë hulli, Ndjehem i përkëdhelur që gjithmonë, gati gjithmonë ka shkruar me përkushtim ndaj tërë baladave të mia. U është afruar plot dashuri dhe këmbëngulje për t'i analizuar ato deri në detaje, me një njohje dhe këndvështrim që të mbush plot admirim dhe mirënjohje për gjykimin dhe talentin e pashoq për të depërtuar deri në detajet më të holla të ngrehinës së tyre. E kjo të mbush plot mirënjohje dhe nderim për mendje të tilla kaq çmuara.
Sërish faleminderit Timo i dashur!
Tiranë, më 19.2.22019

Wednesday, 16 January 2019

Petrit Ruka vajton Dilinë







Petrit Ruka vajton Dilinë
(Përsiatje për poezinë “Nënë ç’ma bëre Dilinë” të Petrit Rukës)

Nga Timo Mërkuri

        1-Gjatë leximit të poezisë “Nënë ç’ma bëre Dilinë” të Petrit Rukës me motive nga vajtim-kënga  popullore me të njëjtën titull, të krijohet një ndjenjë  angështimi shpirtëror, ku ngulçet e dënesave të brendëshme,  shkaktuar nga përjetimi i poezisë, vijnë gjer në grykë dhe shpërthejnë nga buzët në formën e…logatjeve. Kështu kalojnë rreshtat e shkruar, lexo e logat vargjet dhe fshij sytë që të   përloten vetvetiu. Ndoshta për këtë shkak, gjatë leximit, edhe pikat në fund të  vargjeve të duken si pika loti, rrënë në letër, ndërsa presjet të ngjajnë me pika loti me çastin e këputjes nga qepalla. Si për të plotësuar ritualin edhe  zanoret  të duken se po kërkojnë njera-tjetrën për t’u bashkuar në klithmën vajtimtare “oi, oi”.  Vargjet me natyrë vajtimi të krijojnë një ambient mortor në shpirt dhe ti nuk gjen qetësi gjatë leximit. Madje shumë vargje i lexon në këmbë, duke ardhur rrotull nëpër dhomë, pa kuptuar se po bën ritualin pozicional të “Vajtimit të burrave”. Aty nis e i logat përvajshëm, madje duke haruar të kujdesesh që mos  të të shohin pjestarët e tjerë të familjes. Se kjo ndjenjë përvajimi që të pushton shpirtin është  zotëruese dhe  gjithëkomanduese. Është nga ato ndjenja që e mposhtin burrin dhe e përgjunjin trimin. Është ajo ndjenjë që lindi “Gjamën e burrave”  apo “Vajin e burrave”. Madje dhe logatja që të vjen vetvetiu gjatë leximit, nga kjo ndjenjë  buron dhe duke ecur nëpër ‘të, të krijohet bindja se ky krijim i Petrit Rukës nuk është një vepër letrare e shkruar mbi letër, si produkt  frymëzimi i kohëve tona por është një vaj i vajtuar në mort nga një burrë, si shpërthim i dhimbjes së shpirtit për vdekjen e gruas së tij.  Shikojeni poezinë, dhimbja në ‘të të duket e tanishme, e pranishme, jetësore. Gjithçka e prek me dorë e sheh me sy dhe  e lag me lotë.
        1.1- Petrit Ruka ka dëshmuar në një sërë krijimesh se është një mjeshtër  “rizgjimit” të balladave e legjendave të herëshme të kombit tonë duke na i sjellë ato në kohën e sotme të freskëta dhe plot aromë, thua se na sjell një lule të porsaçelur nga saksia që ka në obor. Në këto tema, pena e tij e tij rrëshqet mbi letër me lehtësinë e një balerini në pistën e patinazhit artistik, duke na dhënë pamje (lexime) e përjetime artistike që na ngelen në mëndje për një kohë të gjatë. Jo kushdo e arin këtë sukses në tema të tilla, me largësi  kohore që matet me epoka. Për këtë duhet veç talentit poetik, edhe njohuri e domosdoshme por sidomos dashuria për popullin dhe artin e tij duhet të jetë  e pamatë,që ti nxëjë të tëra.
             Këto element i ka të tria Petrit Ruka, madje në shkallën më të lartë. 
             2-Poezia e Petrit Rukës “Nënë ç’ma bëre Dilinë” mbështetet mbi motivin e vajtimit të njohur popullor me të njëjtin emërtim, madje vargjet e këtij vaji të hershëm janë pjesë e poezisë së Petrit Rukës, ashtu si vazhdojnë të jenë në vend gurët e themelit  në një shtëpi të porsa riparuar.  Realisht  vajtimi i hershëm ka aritur tek ne me një tekst të shkurtër[1]. Kohërat kanë sjellur  vetëm thelbin, bërthamën e vajtimit, e cila, si çdo bërthamë,  kur bie në tokën dhe klimën e përshtatëshme, shpërthen filiza të rinj që rriten si pemë degëshumë. Dhe kjo poezi e Petrit Rukës është shpërthimi i kësaj bërthame dhe jo një shartim i një poezie të re mbi një trung të vjetër vajtimi. Le ta shohim lidhjen e poezisë së re me vajin e vjetër. Vajtimi nis me vargjet…Dola në port’ të avllisë/N’emër i fola Dilisë/Dili fola, Dili s’ka/Dilia më dekëka …ndërsa poezia e Petrit Rukës qysh në fillim nis më e plotë… Dilí, fola, Dilí s’ka,/tek portë e avllisë,/pashë sytë e qyqes, ngriva,/qe sipër çatisë…duke përdorur si themel të strofës  një varg të vajtimit, por dhe duke   na ngrirë gjakun me ato sytë e qyqes sipër çatisë. Pasi e përmënd  në katër strofa vargun …Dili fola, Dili s’ka … shpërthen në strofën e shtatë  me vargjet….Dil, Dilí se më griu era,/si meit në shkallë,/një në prag e një tek dera,/fati na do gjallë.. duke përdorur  peisazhin e  fundmë të legjendës së Doruntinës …Një në prag e një në derë…por duke  ëndëruar që fati ti donte ndryshe, të gjallë. Por ja që fati qënkish shkruar i zi  për këtë çift aq shumë të dashuruar.
Le të shohim  lidhjen e poezisë me vajin edhe në një rast tjetër, aty ku burri i drejtohet nënës. Te vaji teksti është…Nënë ç’ma bëre Dilinë/Un’ ta lashë si florinë/Ti ma trete si qirinë… ndërsa Petrit Ruka na jep këtë tekst poetik, i cili i ngjan të tepërmi një vajtimi… Nënë ç’ma bërë Dilin-ë, /Nënëzeza, kuterinë,/unë ta lashë si florin-ë,/të luta si perëndin-ë,/si nëna, që rrit jetim-ë,/si guri në rrokullim-ë,/si një qelqe në çmendin-ë,/ti ma trete si qirin-ë..., madje duke i dhënë një peshë më të rrëndë zanores “ë” në fund të çdo vargu, të ngjashme me rënkimin e vajtores kryesore në grupin e vajtoreve në mort. Theksojmë se pasqyrimi i rolit të kësaj  zanoreje është marë direkt nga vaji origjinal dhe të bën përshtypje natyrshmëria e qëndrimit të saj te poezia e Rukës.
               2.1-Por le të vazhdojmë me këto dy krijime aq të lidhura me njera tjetrën, ndonëse të krijuara shekuj të tërë larg njera tjetrës. Sido që ti analizojmë këto dy tekste konkludojmë se: Jo vetëm që poezia e Petrit Rukës nuk është një shartesë mbi vajin e hershëm, por duke analizuar vajin konkludojmë se pikërisht te  ky vaj ka dy “shtresa” vajtimi. Shtresa e parë është vajtimi i burrit për gruan Dili të vdekur dhe shtresa e dytë është  dialogu i të gjallit me të vdekurin te vargjet: Ku ke rënë moj trëndelinë/Pse s’dëgjon mua të zinë/Të dëgjoj e qaj me lot/Por jam thellë e nuk dal dot.
Realisht në asnjë rast  vajtimi në shtëpinë e mortit nuk prodhohet një dialog i tillë. Mund të ketë ndodhur që edhe këtë dialog ta ketë krijuar  burri-vajtues i Dilisë, por kjo llogjikisht ka ndodhur gjatë vajtimit te varri i gruas, atëherë kur mori shatin dhe kazmanë dhe vajti që ti hapte varrë.. pra në një periudhë të mëvonëshme nga vajtimi i pare, pavarësisht se  kjo mëvonshmëri është disa orë apo disa ditë.  Kjo “mëvonshmëri” ka patur një tjetër gjëndje emocionale..Këtë konkluzion e nxjerrim nga fakti se te dialogu i mësipërm shkalla e dhimbjes është pak më e “ftohtë”dhe vargjet janë më të menduara dhe jo instiktive si te pjesa e parë.
            Këto dy gjëndje emocionale (vajtimi në shtëpi dhe vajtimi te varri) nuk mund të bashkohen  në një, pikërisht për  ndryshimet kohore, emocionale, zakonore, vendi i vajtimit etj, që ato kanë ndaj njera tjetrës, pavarësisht vlerave artistike të arira në të dy vajet.  Është njësojë si  mbi një unazë floriri të derdhim një shtresë tjetër floriri të shkrirë, me mendimin që ta bëjmë më të trashë apo më të bukur unazën etj. Në dukje floriri i shkrirë, derdhur mbi  floririn e parë (psh unazë) është bërë një, por kjo është vetëm një dukje sipërfaqësore dhe bashkimi është  jo jetë gjatë, pasi në vendbashkimin e  tyre kanë depërtuar elementët atmosferike, (ajër, avull) të cilët veprojnë si agjentë ndarës në një kohë të mëvonëshme. Për këtë arsye mjeshtrat argjendarë, kur duan të bashkojnë dy zbukurime floriri, i shkrijnë  të dy copat  dhe e derdhin floririn e shkrirë, të përfituar, në një formë të re të vetme, psh varëse apo unazë e trashë. Kjo “shkrirje e përbashkët” e vargjeve të florinjta të dy vajtimeve nuk ka ndodhur te varianti që na ka mbritur ne nga vaji dhe këtë e kuptojnë vetëm vajtoret ose njohësit e vajeve.
           Është Petrit Ruka ai që e ka  shkrirë vajin e hershëm dhe  frymëzimin e tij në një, duke e derdhur “floririn’ e ri poetik të shkrirë,  në një formë të re, që është poezia e tij. Prandaj ajo duket më e plotë si flori, por edhe si strukturë poetike dhe si traditë zakonore. Një flori poetik që mund të mbulojë defiçitin poetik të letërsisë sonë këto vite, ashtu siç mund të mbulojë defiçitin buxhetor të shtetit gjetja e një thesari të mjaftueshëm në gërmimet arkeologjike.
                  2.2-  Pyetja që do ngrejë ndonjë lexues është se a vajtojnë burrat shqiptarë dhe sidomos a vajtojnë për gratë e tyre? Unë do ti përgjigjesha me një “Po” të  fortë. Letërsia dhe folkloristika shqiptare është mbushur me  shëmbuj të tillë, por unë do tu sjell vetëm dy. I pari Çajupi, me “Vaje” të tij të famëshme që nis me vargjet…Që ditën që vdiqe, që kur s’të kam parë/ Lotët që kam derdhur ende s’më janë tharë..për të aritur te klithma… Doje drit o qiell, more dritën time/Dhe ma mbushe jetën plot me hidhërime…duke e mbyllur me revoltën njerëzore…Tani rroj pa shpresë ndaj s’dua të rroj/Se dhe perëndinë tani s’e besoj
             Por unë po ju sjell edhe një këngë-vaj popullore…Dëgjojeni ju lutem…Vito m’u bëre në gjumë/Aman moj Vito/ Sikur m’u mbyte në lumë/Pas teje rrashë dhe unë/Se të kam dashurë shumë….Pamja është sa fantazmogorike aq dhe reale. Nuk e kuptojmë në se është ëndër apo realitet mbytja e Vitos dhe më pas vetëmbytja e burrit.   Në fakt, mbytja mund të jetë metaforike, pasi çdo mënyrë vdekjeje e gruas është një mbytje për burrin, në mos në lumin ujëshumë, ai do mbytet në lumin e halleve të jetës. Dhe sa shumë të dhëmb ai pohim i sinqertë i këtij burri të ashpër ku bëlbëzon…Se të kam dashurë shumë   Unë ju siguroj se kjo frazë , ndoshta e
pëshpëritur lehtazi, ka ushtuar si gjëmim rrufeje  në atë heshtje morti.
         Le të mos e kërkojmë çdo gjë në letërsi. Edhe sot  pilurjotët dhe banorët e fshatrave të thella të Bregdetit Himariot, pavarësisht se ku banojnë, e ruajnë  zakonin e “Vajtimit të burrave” madje edhe vajtimin me ligje për gravtë e vdekura, qofshin ato nëna, vajza apo gruaja. Këtë e kemi jetuar dhe e jetojmë në familjet tona dhe nuk kemi nevojë për dëshmi dokumentare nga të tjerët. Te libri im “Ku hardhia pikon vesë” kam publikuar disa nga vajtimet e tim eti për nënën time vdekur në 1968. Atëherë, fëmijë 13 vjeçar, m’u dëgjua vaji i tij si oshëtimë e një mali që gremisej. Por më von kuptova se ky mal ishte plot thesare, lisa e lule.
           2,.3-Kemi treguar dhe vërtetuar se kënga iso-polifonike e ka burimin te vaji me ligjërime i grave, por sot shtojmë,…  pa përjashtuar nga ky proces edhe kontributin e burrave me “Vajtimin e burrave” apo me “Gjamën e burrave”.  Por jo vetëm kënga iso-polifonike. Eposi i kreshnikëve ka një perlë me vlerë të madhe dëshmuese, veç vlerave artistike. Kënga “Ajkuna kjan Omerin” është një vajtim real i ngritur në piedestalin e këngës sonë popullorë. Duhet të themi se  ky proces nuk i përket vetëm periudhave të herëshme të jetës së kombit tonë. R. Sadiku ka publikuar një këngë[2] me origjinë vajtimi për vuajtjet e shqiptarëve të vrarë e masakruar, të gjymtuar e përzënë nga tokat e tyre në Sanxhakun e Nishit (Nish, Leskovc,Vranjë, Kushumli, Prokuple) prej ushtrisë serbe në dimër të vitit 1877-1878, duke dëshmuar funksionimin e laboratorit krijues të shndrimit të vajit në këngë në kohën tonë.
              Por mbi truallin e vajit nuk ka mbirë vetëm kënga. Aty gjejme edhe pikturën e skulpturën, dramën, e tyragjedinë, letërsinë në përgjithësi dhe poezinë në veçanti. Faktin e lindjes së poezisë në truallin e vajtimit e shohim më së miri edhe në poezinë “Nënë ç’ma bëre
Dilinë” të Petrit Rukës.
                 3- Por, para se të vazhdojmë, le të sqarojmë se çfarë është “Gjama e burrave” në trevat veriore ose “Vajtimi i burrave” në zonat jugore dhe jugperëndimore të vendit tone që i përmë-ndëm më sipër.
          “Gjama e burrave” në zonat veriore dhe “ “Vajtimi i burrave” në zonat jugorë e jugperëndimore  është një rrit mortor kolektiv i hershëm i kombit tone, pjesë e  atij riti që quhet      “ Të qarrët me bot”. “Të qarrët me bot” është vajtim me klithma e ulërima, që shoqërohet me
gjestilacione vetëgjymtuese si çjerrja e faqes, shkulja e flokëve, goditja e kokës në mur, rrahja e
gjoksit me grushte, hedhja e dheut apo hirit mbi flokë  etj. Është ceremonial  mortor 
praktikohej nga populli ynë në kohë të herëshme prej nga e ka burimin edhe“Vajtimit me ligje” i
grave,  i sotëm .
         “Gjama e burrave” mbahet vetëm nga burrat dhe vetëm për burrat. Në këtë rrit gjamatarët (që zakonisht janë dhjetë e më shumë) e vajtojnë publikisht të afërmin  e tyre të vdekur duke gërvishur fytyrën e duke goditur gjoksin me grushta ndërsa vajtojnë me fjalët: O i mjeri unë për ty oi…
           një sërë shkrimesh të publikuara thuhet se “Gjama e burrave” e ka fillesën me vajtimin e Lekë Dukagjinit në Lezhë më 17 Janar 1468,   ditën e vdekjes së Skënderbeut. Kjo datëlindje e ritualit nuk është e saktë. Lekë Dukagjini dhe ushtria shqiptare në Lezhë shprehen  dhimbjen e tyre për vdekjen e Gjergj Kastriotit sipas një rituali tradicional të popullit shqiptar, ritual i cili
ishte pjesë e jetës arbërore me origjinë ilire..
           “Gjama e burrave” dhe “Vajtimi i burrave” është ritual  kolektiv, karakteristikë e riteve mortore  shqiptare dhe parashqiptare.. Plutarku te legjenda e Panit të Madh në Butrint na tregon për vajtimin kolektiv të nimfave të Butrintit kur u dha lajmi i vdekjes së Panit të Madh.          Demont shkruante se :-Kjo mënyrë vajtimi e malësorëve shqiptarë ka lidhje me antikitetin, si dëshmohet në shkrimet e Herodotit, i cili fliste për vajtimet kolektive të ilireve”.
    Historiani bizantin Mihail Apostoli[3] në vitin 1437, shkruan se “ilirët taulantë vajtonin njëlloj si kretasit” ,duke e patur fjalën për rite të lashta helene të përshkruara nga  historianët e antikitetit.                         
              Etnologu Bledar Kondi, shkruan se "të dhënat më të hershme mbi gjamën e burrave dëshmohen nga Herodoti, i cili flet për ekzistencën e vajtimeve kolektive të fiseve dardane”…
           Duhet të theksojmë se qysh në gjallje të Skënderbeut, në Kanunin e Lekë Dukagjinit[4] u përcaktuan edhe rregullat e gjamës së burrave dhe konkretisht te Libri XII, Nyja 24, në dhjetë paragrafe (§1235 – 1245), janë përcaktuar rregullat për burrat gjamtare dhe për gratë vajtuese, ku përcaktohet se gratë vajtojnë duke shkulur flokët, ndërsa burrat vendosen në formë gjysëm rrethi
përballë të vdekurit dhe vajtojnë tuj çjerrë fytyrën e gjoksin e duke rrahur ritmikisht gjoksin.
1235. Tu bâ gjâmë burrnimi, grrishten edhè tundin krahnorin[5].
1236. Grate vajtojn, por nuk grrishten.
1237. Porsa të vêjn kamben në katund të të dekunit miqt, do të vêjn në krye jakzat e gjurdijavet.
1238. Kanû âsht me bâ gjâmë mbë të dekunin tri herësh dhe tuj persritun fjalen “I mjeri unë!”
          dhe tuj hudhë kambën kah i dekmi nandë herësh”.
1245. Gjâmtarët rreshtohen, tuj ba gjymës rrethit me ftyrë kah i dekuni.
Madje  përcaktohen edhe radhët e gjamës që janë a-“Gjama e gjakut” e cila bëhet nga fisi i babait të të ndjerit, b-“Gjama e qumështit” që bëhet nga njerëzit e fisit të nënës të të ndjerit dhe  c- “Gjama e gjaksit” që bëhet nga gjaksi, personi që vrau të ndjerin. Po kështu në Kanun specifikohet edhe fakti se nusja dhe i vdekuri përcillen në mbrëmje.
             Kjo traditë vazhdoi edhe pas kohës së Skënderbeut dhe për këtë na sjellin dëshmi e fakte
rilindasit tanë Pjetër Budi (1612), Pjetër Bogdani (1672), Frang Bardhi (në relacionet e vitit
1641)  , Vinçens Dorsa (1847), Dora D’Istria, Zef Jubani, Jeronim De Rada, At Shtjefen Gjeçovi,
At Nikoll Ashta, Vinçens Prenushi, si dhe shumë studiues te huaj ndër të cilët rendis J. Georg von Hahn (1853-1854), Maksimilian Lambertz, A. Dumont etj[6].  .
     Në vitin 1670, kronisti turk E. Çelebia, gjatë vizitës në Gjirokastër ka asistuar në ceremonialin
e një varrimi dhe  shkruan se :” … vajtonin të gjithë të afërmit e të vdekurit dhe disa gra…, të cilat qanin me ulërima … Ky është qyteti ku “qahet me ligje”.
 Në vitin 1637 misionari Rodini, në kujtimet e tij dëshmon se “burrat shqiptarë qajnë e bërtasin
me të madhe më shumë se një gjysmë ore, bërtasin bashkarisht më fort nga ç’kanë bërtitur izraelitët në vendin e Hananit ku kanë varrosur Patriakun Jakov”.
           Ky ceremonial mortor i përcjelljes së të ndjerit me gjamë, vaje e ligje dëshmohet i pranishëm edhe te arbëreshët tanë në Itali, arvanitasit në Greqi dhe përgjithësisht praktikohet kudo ku ka shqiptarë të emigruar apo pasardhës të tyre, që i kanë ruajtur doket dhe zakonet amtare.
            Theksojmë  se gjama si dhe vaji i burrave bëhet kryesisht me vargje, ndonëse te “Gjama e
Burrave” në Malësi përgjithësisht nuk kemi një formësim të vargut tradicional, por i ngjan më shumë një naracioni të lire, me vargje  të improvizuara, ku vlerat ja jep më tepër  fonetika e frazeologjisë  dhe emocioni që shkakton.  
      Te “Vajtimi i burrave”  rrallë ndodh që  vargjet e vajit të mos jenë në formësim tradicional
pasi zakonisht janë vargje të regullta, të zgjedhura e me shije artistike, që u përafrohen vargjeve të vajeve të grave, të cilat janë perla poetike.
           Në “Gjamën e burrave”  burrat nuk bëjnë gjamë për gratë (femrat) e vdekura, qofshin ato të afërme  apo bashkëshortet e tyre. Kjo konsiderohet “marre”, turp, ç’burrërim.
          Në “Vajtimet e burrave” burrat vajtojnë me ligje (ligjërime) jo vetëm  për burra (meshkuj) por edhe për grate(femrat) e rrethit të ngushtë familjar siç janë nëna, motra, vajza, gruaja etj.      
          Karakteristikë  e “Vajtimit të burrave” është edhe fakti se ky vajtim mbahet kryesisht në këmbë, disa dhjetra metra para   hyrjes  në shtëpinë e mortit, në dhomën ku mbahet i ndjeri dhe në ceremoninë e varrimit . Gjithashtu mbahet shtëpinë e mortit në ditët e mëpasme. Sipas afërisë mund të mbahet vaji edhe disa vite pas vdekjes kur është shumë i afërt (vëlla, motër,djalë,vajzë, grua, nënë)..
           Ndodh që  “Vajtimi i burrave” të shoqërohet edhe nga vaji i grave ashtu si edhe “Gjama e burrave”.
           4- U çmënda po lidhmëni Lexon këtë varg dhe të tjera që vijojnë dhe të vjen të t’i thuash poetit: -Po shyqyr që e more vesh që je bërë për t’u lidhur more Petrit Ruka, se ne s’dinim si të ta thoshnim.  Po pse more Petrit, a shkruhen në kartë vargje si këto që shkruan zotrote… Do iki, malet do marr, /do marr kazmën t’i hap varr’/të shoh se ç'nur i ka rarë[7]/nur i kuq a nur i bardhë…ë, a shkruhen? Nuk e di ti që ka dhe njerëz të sëmurë nga zemra  dhe po i dëgjuan këto vargje, nuk dëgjojnë më gjë tjetër në këtë botë? Nuk e di ti  që edhe djalë i ri të jeshë, këto vargje të thinjin brënda një çasti? Provoje t’i thuash në  mes të maleve të Tepelenës dhe ke për të parë zotrote si do gremisen malet me lemeri, si nga një tërmet nëntë ballë. Këto vargje more Petrit Ruka sokëlliten vetëm në breg të detit. Se deti  është i madh e i gjërë,  i mer me vete këto va(j)(rgj)e, i fut në gjirin e tij, diku aty nga mesi i detit dhe pastaj, me një bubullimë si nga fundi i dheut, ngre male dallgësh e qëllon bregun me ‘to, ashtu si gjamatarët qëllojnë gjoksin me grushte gjatë ceremonialit të “Gjamës së Burrave”.  Pastaj, dale pak, ku do vesh zotrote me kazëm në dorë? Do vesh të hapësh varrin? Po nuk e di ti që varrezat janë  të zotit dhe jo të njeriut? Apo do zësh gjyqin me zotin zotrote, se vete e the që… do të hap me zotin gjyqe...  Ku do i gjesh ata gjyqtarë të ndershëm e të drejtë sot?  Apo mos do e bësh siç tha Noli që… Shqiptarët kur zemërohen me zotin i ndezin qiri shejtanit…
         Eh more miq! Unë e admiroj sinqerisht mënyrën elegante me të cilën poeti, duke future në poezinë e tij disa vargje, gjasme me fryme fetare… fryma nga brinjët e mia,/ bekimi nga Shën Mëria… na kujton që vaji është i periudhës para myslimane, duke na afruar si datëlindje të vajit original periudhën para viteve 1650 kur filloi myslimanizimi[8] i Labërisë
           Hajdeni dhe ju me mua, të shohim bashkë elegancën e futjes së elementëve zakonorë te fjalët drejtuar nënës[9]  Nënë ç’ma bëre Dilinë/Un’ ta lashë si florinë…Krahasimi …si florinë…  mbart dëshminë e traditës sipas së cilës vetëm nuset mbanin varëse, unaza e gjerdanë floriri, që përfaqsonin rininë dhe bukurinë ndërsa gratë e moshuara mbanin gjerdanë dhe unaza argjëndi, si
dëshmi e një moshe të shkuar. Dhe shihni se sa i florinjtë është portreti i nuses së vdekur, gdhëndur në shpirtin e poetit:- Nënë ku është Dilija,/fryma nga brinjët e mia,/vesa që me buzë e pija,/réja me të cilën flija,/prilli që del nga korija,/vera që del nga hardhia,/buka ku shuhej uria,/bekimi nga Shën Mëria!/…. Një portret të tillë do e ëndëronte çdo vajzë apo nuse e re të gdhëndej apo pikturohej  nga i dashuri apo bashkëshorti i saj i ri.
          Le të shohim me admirim se si përshkruan (përjeton) poeti luftën për egzistencë të nizamit të ri, vetëm e vetëm që të kthehej gjallë, jo për vete por për ta bërë të lumtur nusen e tij (sa të ketë Dilí, nuk vdes,”) … Dilí, fola, s’ka Dilí,  /dil, se unë, Arabisë,/për ty mbeta gjallë!/Dil se urën e Qabesë,/ vetëm unë e hodha,/“sa të ketë Dilí, nuk vdes,”/vdekjes sytë ia vodha.../Për ty munda shkretëti-rën ,/etjen gjer në eshtra?/pija sytë e tu me gllënjka,/si krojet në vjeshtra./Munda vapën e pabesë ,/si një gozhdë mes ballit,/se përplasje ti qerpikët,/frynte erë e malit. E cila vajzë nuk do ta dashuronte gjer në marrëzi një djalë të tillë?
            Unë dëshiroja tju kujtoja se këto nuk janë thjeshtë vargje poeti të frymëzuar. Këto vargje poeti përshkruajnë një histori të vërtetë, pavarësisht se në kohë të tjera. Po a nuk kemi ëndëruar dhe ne në adoloshëncën tonë heroizma e trimëri për vajzat e bukura të klasës apo lagjes. Është bukur të mbajmë gjallë këtë frymë romantizmi sepse jeta ka nevojë për ‘të ashtu si mali ka nevojë për lule, jo vetëm për lisa.
   Dhe  pasi e përfundova poemën, eja o Petrit Ruka të rimë kokë më kokë e të vajtojmë bashkë  për Dilinë me vargjet e tua plot dashuri… ku u tret e ku ka rënë,/tërfili që mbin në hënë,/molla në degën e lënë,/hënë e pjekur, e pangrënë/ /ku ka jetë pa Dilinë,/as lisat në këmbë rrin-ë, /as zogjtë krojet s’i pi’në, /as ndrit hëna, as ngroh dielli, /shi i kuq do bjerë nga qielli,/jetës i ka sosur mielli......oi….oiiii…..

Sarandë, më Nëntor – 15 Janar 2019


[1] Realisht vaji i hershëm me siguri ka qënë më i plotë, më i strukturuar në hershmërinë e tij, por koha ka sjellur vetëm një pjesë të tij  tek ne, atë që njohim si vaji “Nënë ç’ma bëre Dilinë”.

[2] Shyptarzitë sa shumë vajtojnë,/T’gjallë e t’dekun po i trishtojnë!/Kajnë të dashnit qi u kanë dekë,/Mallkojnë veten qi gjallë kanë met!/S’kanë mjaft lot o me vajtue,/S’kanë forcë o n’kam  mu que,/S’kanë lopata vorret  mi marue!/ Nga tre veta n’ni vorr  pi  lshojnë,/Veç me borë o shumë  pi  mlojnë…”

[3] Lutfi Alia  “Riti i vajtimit në Kanunin e Lekë Dukagjinit – Apologjia e jetës
[4] Po aty
[5] Paragrafët citohen në dialektin original të Kanunit.
[6] Po aty


[7] I ka rënë
[8] (Deri në vitet 1750  myslimanizimi i Labërisë mori përmasa të gjëra për tu ndërprerë në vitin 1821, me vdekjen e Ali Pashë Tepelenës
[9] Edhe te kjo baladë e herëshme, personazhi i nënës është primar, por ndryshe nga personazhi komandues i “Zonjës mëmë” te Doruntina, ky personazh është nën goditje, gjë që përjashton cilësimin e periudhës matriarkale si datlindje të vajit.