Tuesday, 12 March 2024

 

Timo Mërkuri

 

QYTETËRIMET E TJERA TË NATASHA LAKOS

 

Poezia "Dhe qytetërime të tjera" (“Lëkura e ujit” Toena 2004, f. 192) e Natasha Lakos është tepër interesante dhe e veçantë, madje e parë dhe brenda krijimtarisë së saj, jo pse mund të interpretohet si  simbol i mungesës së lirisë dhe imponimit të bindjeve, por për faktin se porteti poetik i heroinës të sjell para syve portretin fizik e shpirtëror të poetes, pikturuar me imazhe metaforike. Sigurisht që nuk themi se poetja ka bërë një autoportret poetik, por kemi të drejtë të mendojmë se poetja e ka krijuar poezinë me elementë jetësorë të vetët, gjë që jo vetëm nuk na befason, por na duket tepër e natyrshme në krijimtarinë poetike moderne, ku poezia krijohet me elemente shpirtërorë individualë. Le ta shohim konkretisht këtë interpretim tonin.

I-Sipas natyrës së saj  Natasha Lako  shprehet me metafora, simbole dhe imazhe , ku metaforat i ka jo vetëm si figura por dhe si mendim, ndaj lehtësisht kjo poezi mund të quhet një poezi e metaforike (dhe simbolike). Këtë tipar e cilëson dhe fakti i përdorimit metaforik të imazheve e simboleve për të shprehur ide dhe emocione, të cilat shpesh janë më të thella se shfaqjet e dukshme të tyre apo pamjeve fizike.

Metaforat në poezinë "Dhe qytetërime të tjera" të Natasha Lakos shërbejnë si mjet për të shprehur gjendjen emocionale e psikologjike të autores në një mënyrë më abstrakte dhe simbolike, duke ndihmuar në thellimin e kuptimit të përjetimeve dhe ndjenjave të përcjella në poezi. Kështu te vargjet: "Si një shkollë e mbyllur, koka ime qëndron buzë rruge/e qullur dhe e zbrazët, pa besnikëri, pa tradhti/ dhe pa liri brenda…" ku fraza "si një shkollë koka ime qëndron buzë rruge" është një metaforë, te e cila përdorimi i "shkollës" në kontekstin e poezisë nuk është literal, por është përdorur për të shprehur situatën e ngjashme me një shkollë të mbyllur. Lako është personalitet i letrave shqipe dhe “një shkollë të mbyllur”    (jo për pushimet e semestrit) e vlerëson si një mbyllje të ecurisë së jetës përpara, një ndalin apo izolim të saj, ndaj vlerësojmë se kjo frazë sugjeron një ndjenjë të mungesës së lirisë. Në kët kontekst, përdorimi i "koka ime", është një metaforë që paraqet individin, identitetin dhe vetëdijen e tij, dhe në formën si paraqitet shfaq një ndjesi  pengimi, lënie mënjanë dhe izolim të individit në një kontekst urban dhe nqse dikush do ta vinte në dyshim këtë mungesë lirie, duke nënkuptuar aktualitetin e poezisë unë do ti lutesha të më tregonte një njeri që të jetë i lirë nga hallet e problemet,  i lirë nga borxhet, nga ankthi, nga stresi, të jetë plot shpresë e besim te e ardhmja dhe pastaj të më shpjegojë ikjen e rinisë në emigracion masiv.

“Koka” në këtë poezi është një simbol i shprehur metaforikisht, që përfaqëson një sërë ndjenjash të paraqitura në formën e një siluete koke njeriu, një shoqëri apo një mjedis. Në këtë kontekst,”koka” shihet si një imazh visual, që (ajo)shpreh, apo shfaq një ndjenjë izolimi dhe mungesë të  lidhjeve autentike me të tjerët dhe me vetveten. Përmes kësaj metafore, autorja shpreh një mbingarkesë psikologjike dhe një ndjesi të humbjes së identitetit dhe vetëdijes, ajo shfaq një gjendje  shpirtërore të përballjes me sfida dhe kufizime të jashtme, dhe të luftës së saj të gjejë lirinë, identitetin në një realitet urban të mbingarkuar. Prandaj, interpretimi i kokës si një simbol metaforik na ndihmon të kuptojmë më mirë ndjenjat dhe përvojat e heroit poetik, duke afruar një mënyrë të fuqishme të shprehjes së ndjenjave dhe mendimeve në mënyrë poetike e simbolike.

II- Dimë që Lako metaforat i përdor dhe në funksion të shprehjes së imazheve poetike si psh. te kjo poezi: "koka ime qëndron buzë rruge, e qullur dhe e zbrazët , pa besnikëri, pa tradhti dhe pa liri brenda" me të cilat shfaq e shpreh ndjenjën e mbingarkesës emocionale, ku, metafora shfaqet si imazh:

Vargu: “Koka ime qëndron buzë rruge”, pra koka (metaforike) qëndron "buzë rruge"duke na shfaqur një imazh të saj (kokës) në një ambient të hapur publik, ku mungon intimiteti individual.

Vargu:”E qullur nga shiu dhe e zbrazët” shpreh situatë braktisjeje (si jetimi në shi), trishtimi dhe vetmie, ku shiu, si një element natyror, përforcon pamjen e mbingarkesës emocionale dhe vështirësive. Kjo braktisje, lënie mënjanë, e ka hutuar dhe heroi nuk di çtë mendojë, ndaj i duket se e ka kokën të zbrazët, pa mendime dhe ide brenda saj.

Le ta shohim me vëmëndje të shtuar vargun: “Pa besnikëri, pa tradhti dhe pa liri brenda” i cili shpërfaq ndjenjën e një vetmie të madhe të heroit poetik, mungesën e lidhjeve që përforcojnë identitetin e një personi, sepse njeriu është një qënie shoqërore dhe jo vetmitare.

Në këtë kontekst metafora"Kanë dashur ta mbyllin kokën" shfaq trysninë e ushtruar mbi individin me kufizime, ndalime e mënjanime në kontekstin qytetar, gjë që do të thotë privim i lirive të tij (individit). Mirëpo bota ka nevojë për larmi individualitetesh dhe jo për  turma uniforme lejfenistësh, ndërkohë vargu "i kanë vënë gardhin e teshave, i kanë blerë dhe gjuhën" është ulëritës, pavarësisht se i pasur në përmbajtje dhe interpretime, sipas meje:

 

 -Metafora: "i kanë vënë gardhin e teshave" shfaq imazhin e një teli ku nderen rrobat për tu tharë, gjë që të sjell ndërmend një punë të rëndomtë, që në kohët e sotme moderne kryhet nga makineria (lavatriçja), pra ky varg shpreh ndjenjën e izolimit, shpërfilljes dhe mënjanimit të individit intelektualë dhe mendimit të tij nga shteti dhe forcat politike, mënjanim që ka ndikuar, sa në një prapambetje arsimore e kulturore aq dhe në atë ekonomike, pasi te ne vendimet miren nga partitë pa dëgjuar e vvlerësuar mendimin vizionar intelektual. Në këtë kontekt "gardhi i teshave" simbolizon jo vetëm kufizimin e lirisë por dhe shpërfilljen ndaj saj dhe për pasojë formimin e një shoqërie anonimësh, ku lehtësisht drejtimin do jetë automat. Në qoftë se do ecim në këtë linjë, së shpejti ky anonimitet do kurorëzojë inteligjëncën artificiale në drejtimin shoqëror.

-Fragmenti metaforik: "i kanë blerë dhe gjuhën"  është tepër i dhimbshëm për tu lexuar, pse shfaq jo imazhin e një njeriu pa gjuhë por ca më tepër, “aktin e shitjes së gjuhës” në mënyrë të imponuar, duke u shprehur për kontrollin dhe censurën e fjalës së lirë, dhe dakortësinë e individit për këtë akt shitje, duke harruar që liria e fjalës është “a” e lirive njerëzore, e individualitetit njerëzor. Ndërkohë  krahasimi "si zilen e vjetër" që simbolizon një formë të vjetruar dhe të harruar të komunikimit, ironizon me tragjizëm aktin e “shitjes së gjuhës” si një “panevojshmëri të fjalës”. Besoj se kjo mënyrë interpretimi ju sjell ndërmend elemente  kanunorë në familjet patriarkale ku gruaja “nuk qet fjalë” para burrit, ndërkohë që fjala është perëndi, fjala është liri.

III-Në pamje të përgjithëshme poezia duket si e mbuluar nga një tis trishtimi, por befasisht te strofa e tretë trevargore jo vetëm që shohim një reze drite, por dëgjojmë edhe një tingull të ëmbël violin. Kështu te vargjet: "Violina atje brenda saj (kokës) po flet, po flet imitimi i zemrës/ i mëlçisë së zezë/e urtë ka mbetur koka, si forma e një klaviri" shohim se e gjithë kjo strofë është jo vetëm  në kontrast me dy strofat e para por dhe me një optimizëm të befasishëm të heroit poetik, pasi këtu ndjehet diçka më shumë se një ndryshim,  ndjehet një shpresë, një rezistencë, një kundërvënie, e shfaqur si zakonisht me imazhe metaforike lako-iane ku : metafora: "Violina atje brenda saj (kokës) po flet" pra mendja brenda kokës “po flet”si një violinë. Mqse violina është një instrument muzikor i ndjeshëm dhe flet me një melodi fine dhe të ngrohtë, kjo paraqitje sugjeron një ekspresion emocional ose mendimi, i cili buron nga brendia shpirtërore e heroit poetik . Është pikërisht termi “violin” që të bën të kthesh kokën me vëmëndje mbi vargje, se sigurisht  një muzikë e ëmbël do vijë prej saj.  "po flet imitimi i zemrës" thotë poetja dhe kjo metaforë më kujton vargun e Bertold Brehtin kur thoshte se: ”njeriu mund të mendojë” dhe aty fillon revolta."Imitimi i zemrës, i mëlçisë së zezë" sugjeron një shprehje emocionale të një revolte që vjen nga thellësia e qenies së një njeriut, madje të duket se gjithë qënia e njeriut është përmbledhur te termi “koka”.

 

Kemi një metaforë të bukur te vargjet: "e urtë ka mbetur koka, si forma e një klaviri" që na bën të kthjmë kokën dhe ta sodisim me kënaqsi, pse shpreh inteligjencën dhe maturinë e heroit duke e krahasuar me formën e një klaviri, i cili është një instrument i sofistikuar, ndaj kjo metaforë sugjeron një maturi dhe thellësi mendimi që ndodhet në individin e përshkruar, madje duke e shtrirë më tejë interpretimin do thoshja se “e gjithë poezia e Lakos ngjan me një melodi klaviri”.  Është pikërisht vargu i mësipërm që na qas heroin poetik te personi  i poetes. Izolimin, shmangien e partive politike dhe institucioneve shtetërore e kemi ndjerë te vetja jonë shumë prej nesh, por ndryshe nga ne Natasha Lako ka reaguar me qetësi, me urtësi, duke nënkuptuar  frazën “me pjekuri”, pse “ajo kokë ka mbetur e urtë”. Poetja nuk di të bërtasë, ajo flet me qetësi dhe urtësi, por me vendosmëri. Nuk njohim shumë deputetë që të kenë dorzuar mandatin për dinjitet qytetar, për kundërshti me praktikat e forcës politike të cilës i përkasin, por një prej tyre nuk e harrojmë dot: Natasha Lakon.

Poezia e Lakos është jo lule mali por shpat e majë mali, që u jep drejtimin erërave dhe orientimin frymëzimeve. Megjithë atë asnjëherë nuk e kemi dëgjuar të flasë për veten e saj, ndërsa ata që flasin për atë dhe poezinë e saj janë të pakët, sepse jo të gjithë mund të ngjiten në majat e modernitetit poetik të Natasha Lakos, madje janë të shumtë ata që as shikimi nuk u mbrin dot deri aty, ndaj dëgjojmë shprehje të tipit: “si shumë e mjegulltë është poezia e saj”. Nuk gabojnë, majat e maleve gjithmon janë të mbuluar nga mjegulla për sytë me probleme, por lulet aty çelin dhe në të çarat e shkëmbinjve. Shikoni metaforën "e urtë ka mbetur koka, si forma e një klaviri" e cila urtësisht  shpreh qëndrueshmërinë, bukurinë dhe forcën e autores, megjithëse është nën presionin dhe mbylljen e krijuar nga jashtë. Të sqarojmë se klaviri është një instrument muzikor që përdoret për të performuar muzikë, ai përbëhet nga një seri tastierash në një strukturë të hapur të drejtuar nga mekanizmi i ndezjes së notave që prodhon tinguj. Ai është i njohur për shkallën e gjerë të notave që prodhon, për fuqinë dhe ndjeshmërinë e tingujve që krijon. Në kontekstin e krahasimit të kokës me formën e një klaviri esenca e këtij krahasimi mund të qëndrojë në disa aspekte:

a)-Ndjenja e kompleksitetit, pse klaviri ka një strukturë komplekse dhe aftësinë për të prodhuar tinguj të ndryshëm me shkallë të ndryshme emocionale. Duke e krahasuar kokn me një klaviri, autorja përshkruan thellësinë dhe kompleksitetin e mendimeve dhe ndjenjave të personazhit poetik.

b)-Aspekti i fuqisë së  shprehjes, ku: klaviri, si një instrument i fuqishëm mund të shprehë emocionet dhe ndjenjat me një shkallë të gjerë. Duke krahasuar kokën me një klavir, autorja shfaq aftësinë e personazhit poetik për të shprehur ndjenjat në mënyrë të ngjashme me muzikën që prodhon një klavir. Duhet të njohësh poezinë e Natashës që të njohësh forcën e shprehjes së saj, pasi ajo shprehet me vargje ashtu si muzika me tinguj.

c)-Qëndrueshmëria dhe qetësia e njëjtë, pasi: klaviri si një instrument i qetë dhe i qëndrueshëm, përfaqëson stabilitet dhe harmoni. Duke e krahasuar kokën me një klavir, autorja mund të paralelizojë  ndjenjën e qëndrueshmërisë dhe të qetësisë që personazhi poetik ka brenda tij, edhe pse është nën ndikimin e kufizimeve dhe të sfidave të jashtme. Njësoj si qetësia  dhe qëndrueshmëria e Natasha Lakos, për të cilën folëm.

Pra, kjo është një mënyrë e bukur për të interpretuar këtë poezi. Edhe pse koka është e “mbyllur”, në thelbin e saj ajo, mbart ende potencialin për të shprehur emocionet, mendimet dhe shpresat. Kjo është e ngjashme me idenë e një shkolle, që mund të jetë e mbyllur porta e jashtme, por brenda saj ende ndodhin proceset e rëndësishme të mësimit, ose është e mbyllur për efekte pushime semestriale, por procesi mësimor është në vazhdim. Interpretimi që koka, edhe pse e mbyllur, ende përmban elemente të rëndësishme (si muzika, kënga, dëshira dhe shpresa) është një përputhje e mirë me mesazhin që transmeton poezia, që edhe në mënyra të ndalimit, mënjanimit, izolimit etj., njerëzit kanë ende mundësi për të shfaqur talentin e vetë, për të gjetur frymëzim dhe shpresë dhe për të dhënë vlera.

IV-Vargu "Ku po qëndrojmë mes rruge, në ç’kohë po vijmë,/o kokë e mirë,/pa besnikëri, pa tradhti dhe pa liri brenda,/të mbetura, si dele të tepërta mes shiut." është i pasur me metafora dhe imazhe poetike që rikthehen te ndjesia e mbylljes,  izolimit a mënjanimit në një kontekst urban, ku: metafora: "të mbetura, si dele të tepërta mes shiut" rikthen ndjenjën e mbylljes, izolimit, ndjenjën e humbjes së lirive qytetare. "Delet e tepërta mes shiut" paraqesin imazhin e një tufe të vogël të ndarë nga kopeja, por në kontekstin poetik shpreh qënien e individit i ndarë nga grupi i shokëve, miqve, i braktisur në një ambient të hapur, nën një shi të vazhdueshëm, duke përforcuar ndjenjën e lënies vetëm, izolimit e braktisjes, mungesën e lidhjes me komunitetin urban.

Metafora: "pa besnikëri, pa tradhti dhe pa liri brenda"shfaq mungesën e lirive qytetare në një ambient urban, ku sugjeron  ndjenjën e humbjes së identitetit dhe mungesën e ndjenjës së sigurisë dhe besueshmërisë brenda këtij konteksti, ndërkohë që metafora:"Ku po qëndrojmë mes rruge, në ç’kohë po vijmë"  shpreh ndjenjën e humbjes së orientimit dhe kohës, paraqet ndjenjën e  humbjes së qëllimit në një qytet të madh, ku njerëzit ndihen të humbur dhe të paorientuar jo aq  në rrugët se sa në funksionimin dhe vizionin e tij.

U ndala i befasuar te fraza “o kokë e mirë”dhe mu duk se poetja në një moment po i drejtohej vetes së saj me një farë dhimshurie. Në fakt shprehja “o (moj) kokë” përdoret zakonisht kur dikush i drejtohet vetes për ndonjë veprim të kryer (çbëre moj kokë, çbëre?) apo të menduar (çmë thua moj kokë?), madje poeti popullor ve në gojën e një komiti të burgosur vargjet: “Moj kokë e qenit, moj qëne/ Që s’dite për veten tënde/ Nga bodrumi nuk u trëmbe” por të them të vërtetën qesha dhimshurisht me cilësorin ”(kokë) e mirë” të poetes, pse ndjeva se ndodhej në një tension shpirtëror jo të pakët, por gjithsesi nuk e kishte humbur besimin dhe shpresën te vetja (koka), madje u kujtova se emri i Homerit shqiptarizohet me fjalët “I miri” dmth ai që këndon mirë, që flet mirë. Ky cilësor i përshtatet poetes Natasha Lako më së miri.

Lind pyetja, pse poetja ju rikthye përsëri shfaqies së dëshpërimit të mënjanimit, izolimit, shmangies etj. të fillimit të poezisë pasi ka shprehur shpresën të strofa e dytë?  Për të kuptuar përshtypjen që përcjell poezia, është e rëndësishme të analizojmë kontekstin dhe përmbajtjen e vargjeve në kontekst. Nëse poetja ka përdorur vargje që ngjallin shpresë, pastaj ka paraqitur vargje që shkaktojnë trishtim, dhe më pas vazhdon me vargje optimiste, kjo strukturë (ndoshta) synon të shprehë një gamë të gjerë ndjenjash dhe përvojash njerëzore.

Në poezinë e saj, poetja mund të ketë përdorur vargjet për të shfaqur kontrastin midis ndjesive të ndryshme që njerëzit mund të përjetojnë në jetë. Përdorimi i këtij kontrasti mund të jetë një mënyrë për të shfaqur kompleksitetin e jetës së njeriut, duke treguar qëndrime të ndryshme që ndikojnë në emocione dhe në perceptimin e realitetit. Për më tepër, vargjet  optimiste që vijojnë, siç janë "dritat e makinave", mund të jenë një mënyrë për të shprehur shpresën dhe ndriçimin që vjen pas periudhës së errët. Kjo mund të jetë një mënyrë për të paraqitur një vizion më pozitiv të jetës, pavarësisht sfidave dhe vështirësive që mund të përjetohen. Por si poezi moderne që është, pranon interpretime të ndryshme nga lexues të ndryshëm, pasi  kuptimshmëria e vargjeve nuk është si blloqe gurësh monolite.

V-Përveçse e bukur artistikisht, poezia shpreh një perspektivë positive dhe optimiste, pasi shpalos një botë vlerash shpirtërore, e shprehur ndryshe mund të themi se poezia të ngacmon telat e shpirtit, të ve muzikë në shpirt dhe vetmevete nis e  lexon vargjet me zë, madje me një tingull që i qaset këngëzimit. Vargu i fundit "Dritat e makinave fillojnë të ndizen, një nga një/për të ndjellë vetëtimat”  na shfaq metafora e imazhe, plot dritë makinash e vetëtimash dhe reflekse dritash që mund të interpretohen në mënyra të ndryshme, ku:

Metafora: "Dritat e makinave fillojnë të ndizen, një nga një" shpreh fillimin e një procesi të ndriçimit për të thyer natën, duke sugjeruar fillimin e një ngjarjeje apo procesi të rëndësishëm. Mënyra si shprehej poezia len përshtypjen e një ngjarjeje që po ndodh gradualisht duke u rritur në pjesmarje dhe që sjell “ndriçimin” në një kontekst të ndryshëm, pra paraqet një proces gradual të agimit të ditës së re, të ndriçimit. Ky mund të interpretohet si një proces i rilindjes së shpirtit,  besimit dhe shpresës për fitimin e lirive qytetare. Ato, dritat e makinave janë si simbole të një realitetitë ndryshueshëm, ku njerëzit ecin përpara në jetën e tyre, duke përjetuar kohën dhe përballuar sfidat që vijnë me të.

Ndërkohë metafora:"për të ndjellë vetëtimat" shpreh qëllimin e ndezjes së dritave të makinave, pra dritat e makinave mund të kenë shërbyer si sinjal për tu shpërthyer vetëtimat ku "vetëtimat" mund të përfaqësojnë dritën e befasishme që vjen para “zhurmës”, si vetëtimat para gjëmimeve, mund të përfaqësojnë rrezet e diellit, por dhe një rrebesh që po vjen mbi negativitetin. Kjo metaforë sugjeron  fillimin e një udhëtimi të ri, një ngjarje të rëndësishme, apo një çast të realizimit të ëndrrës, në kontekstin e poezisë: triumfin e lirive mbi aspektet robësuese, imponimin, izolimin apo mënjanimin.

 

VI-Forca morale e heroit poetik, e cila përfaqësohet në poezinë "Dhe qytetërime të tjera" nga koka, është një element themelor që përbën qendrën e tregimit poetik. Pavarësisht nga kufizimet,përjashtimi, izolimi apo mënjanimi, “koka” tregon një qëndrueshmëri dhe një besim në veten dhe në aftësitë e saj për të rrezistuar presionit dhe përballuar sfidat. Në mes të kufizimeve, ajo shfaq aftësinë për të gjetur lirinë dhe shpresën brenda vetes, madje ajo reflekton një formë të brendshme të lirisë dhe shpresës që nuk mund të ndalohet apo  kufizohet nga kushtet e jashtme institucionale, sepse shpirti ka ligjësinë e tij. Kjo forcë morale e heroit poetik gjithashtu përfaqëson një shpresë për ndryshim dhe përparim në mes të privimeve e kufizimeve të jetës urbane.

Për më tepër, forca morale e heroit poetik,  reflekton një lloj rezistence njerëzore ndaj kushteve të vështira, pse edhe nën presionin e kufizimeve dhe sfidave, ai vazhdon të përpiqet dhe  shfaqë një qëndrueshmëri shpirtërore për të përballuar situatat dhe për të gjetur shpresë edhe në kohërat më të vështira. Një aspekt i rëndësishëm i forcës morale të heroit poetik është aftësia për të gjetur kuptim dhe shpresë në mes të mundësive të kufizimeve. Për shembull, edhe pse ajo. “koka” përjeton mungesën e lirisë së plotë,  ende gjen bukurinë dhe shpresën në imazhet e saj, siç është violina, një instrument, te i cili "po flet imitimi i zemrës". Kjo shfaq një aftësi për të gjetur kuptim dhe bukurinë e shpresës në mes të vështirësive dhe privime urbane të jetës. Qytetërimet e tjera të njeriut janë brenda botës shpirtërore të tij, prej të cilave duhet të nisë eksplorimet .

 

Sarandë, më mars 2024

 

 

 

Natasha Lako                                                 

 Dhe qytetërime të tjera

Si një shkollë e mbyllur, koka ime qëndron buzë rruge,

e qullur dhe e zbrazët, pa besnikëri, pa tradhti

dhe pa liri brenda…

Kanë dashur ta mbyllin kokën,

i kanë vënë gardhin e teshave, i kanë blerë dhe gjuhën

si zilen e vjetër,

 

Violina atje brenda saj po flet, po flet imitimi i zemrës,

i mëlçisë së zezë,

e urtë ka mbetur koka, si forma e një klaviri.

 

Ku po qëndrojmë mes rruge, në ç’kohë po vijmë,

o kokë e mirë,

pa besnikëri, pa tradhti dhe pa liri brenda,

të mbetura, si dele të tepërta mes shiut.

 

Dritat e makinave fillojnë të ndizen, një nga një,

për të ndjellë vetëtimat.

 

“Lëkura e ujit” Toena 2004, f.192

 

Saturday, 2 March 2024

 

Timo Mërkuri

KUR MENDOHET NATASHA LAKO

 

Qysh te vargu i dytë i poezisë “Kur mendoj, kur mendoj, kur mendoj” i Natasha Lakos m’u desh të ndalesha për shkak të qasjes së madhe të vargutqë në këngë nuk kanë hyrë ende dritaret” me këngën himariote: “Dil në penxhere /të të shoh njëherë”, qasje që më shfaqi dy imazhe paralelisht, te kënga himariote një dritare që  duhej të hapej dhe në brendësi të një dhome fshati, një vajzë që rrinte në këmbë me duar shtrënguar në gjoks, për mos lejuar zemrën të fluturonte si zog, dhe te imazhi i poezisë ssë Lakos, një dritare, për të cilën nuk është ngritur ende ndonjë këngë dhe për këtë shkak (menteshat e saj) zënë myshk “duke pritur ty”. Qysh në këtë moment të krijohet në shpirt një ndjenjë revoltimi dhe mendon se kësaj dritares së dytë i duhen thyer xhamat, le të jetë shtëpia në mes të Korçës.Nuk m’u kujtua më kot kënga “Moj Katina nina nina” e Neço Muko Himariotit pasi populli ynë në këngët e tij, shtëpinë e vajzës e zbukuron në çdo element të saj, që nga porta: ”Moj porta me llamarina”,” Dy thëllëza mbi çati” madje ”Edhe gurët e sokakut /Për ty bëjnë isharet”, por  në veçanti dritarja e shtëpisë,si pika më delikate dhe më e pëlqyeshme në këngë përfiton vargjet më fine. “Dil njëherë në penxhere/Të të shoh se cila je/ E vogël a e madhe” këndon popullt. Nuk është e rastësishme që këto këngë, pavarësisht krahinave të ndryshme shprehin dëshirë që vajza të dalë në penxhere dhe kështu, bashkë me vajzën hyn në këngë dhe penxhereja, dritarja, pa përmendur këtu serenadat korçare kur djemtë këndonin poshtë dritareve dhe asnjë prind nuk guxonte ti mbyllte ato. Ndaj natyrshëm na lind pyetja: ç,është kjo shtëpi, dritaret e së cilës nuk kanë hyrë ende në këngë dhe (menteshat)  që zënë myshk duke të pritur ty”? Poetja nuk na thotë asgjë, ajo vazhdon me perdet e kaltëra.., me sirtarin e rënë përmbys thua se vetëm bën një inventar e aq.

 

I-Te kjo poezi natyrshëm lind pyetja: mos vallë kemi të bëjmë me një dashuri të ndaluar, të penguar nga kodet zakonore? Do ishim plotësisht dakort me këtë mendim po qe se do kishim ndonjë element ta përforconte sinjalin, qoftë hijen e atit (patriarkal)  nëpër shtëpi, një jehonë kërcënimi, një  qortim, qoftë dhe nga nëna, një shenjë diku, vetëm një shenjë. Problemi qëndron se nuk e kemi një shenjë të tillë, madje në disfavor të këtij interpretimi qëndron fakti se gjithçka zhvillohet në heshtje, ku flasin vetëm ndjenjat, madje ne duhet të theksojmë se kuptimshmëria e poezisë ndjehet vetëm në interpretimin e saj si shprehje ndjenjash (të një vajze psh.)të heroit lirik.

Nga mënyra se si “flasin”vargjet, si kuptohen imazhet, si shprehen ndjenjat në vetmi, krijohet vizioni i një vetëveprimi individual të heroi(nës)t, krijohet ndjesia se kemi të bëjmë me një erotizëm të fshehur. “Erotizëm i fshehur”,  e shkruajta këtë frazë dhe nisa ta shoh si i hutuar atë që shkrova. Në letërsinë shqipe askush nuk ka shkruar për erotizmin e fshehur, përjetimin erotik të individit, madje kam përshtypjen se shumë lexues nuk e dinë fare se çfarë është . Erotizmi është një koncept i gjerë që lidhet me perceptimet, ndjenjat, sjelljet seksuale të individit, ai mund të shihet si formë e shprehjes së seksualitetit, ndjenjave, fantazive dhe emocioneve që lidhen me seksin në një kontekst të shëndetshëm.  Erotizmi nuk është vetëm një çështje fizike, pasi ai përfshin dhe dimensione emocionale, psikologjike dhe kulturore. Erotizmi i fshehtë  është një koncept psikoanalize, që shpreh një aspekt të ndërgjegjshëm të seksualitetit , që është nën nivelin e vetëdijes së një personi, por që ka ndikim në sjelljet dhe fantazitë seksuale.Fjordi, themeluesi i psikoanalizës, konsiderohet si personi që paraqiti këtë koncept. Ai sugjeron se njerëzit kanë impulset e tyre seksuale të fshehura, ndodh të shkaktuara apo krijuara në fëmijëri, që mund të influencojnë sjelljet dhe preferencat e tyre në të ardhmen. Erotizmi i fshehtë përfshin ëndrrat , fantazitë , dëshirat ose impulsivitetin e një personi që nuk është i vetëdijshëm për ato ose nuk i pranon hapur. Këto janë ide dhe dëshira shumë të fshehta për individin,  mund të jenë të ndërlidhura me përvojat e fëmijërisë, konfliktet emocionale etj.

Thashë më sipër se në letërsinë shqipe askush nuk ka shkruar për këtë temë, të shkruajë e para Natasha Lako, madje në formën e një poezie moderne kjo është më shumë se guxim, më shumë se talent, kjo është kurajo intelektuale e një talenti që arrin të shohë dritësimin e modernitetit përtejë kohës sonë. Sinqerisht që u mendova aq shumë për ta shprehur këtë fakt, sepse nuk e di se si do ma presë lexuesi, por fakti që lexuesi e përshëndeti këtë poezi do të thotë se unë nuk kam shteg tjetër kalimi veç artit poetik të Natasha Lakos.

Poetja për këtë erotizëm të fshehur flet me imazhin simbolik apo metaforik, pse ajo dritarja që ende nuk ka hyrë në këngë, dhe (mentesha) e ndryshkur, perdja dhe sirtari flasin me imazhin e tyre, madje flasin me një heshtje gjëmuese, që të vjen të shkosh vetë e ta thyesh atë xham dritareje, ndoshta hyn në këngë krisma e thyerjes. Se është shurdhuese kjo heshtje.

 

 

II-Por ne le të nisim leximin e poezisë,  me siguri ajo vetë do tregojë më shumë se sa hamendësojmë ne: Natasha Lako e nis poezinë me theksimin e frazën "Kur mendoj , kur mendoj, kur mendoj", një nisje disi befasuese për një poezi modern, por kjo bëhet me synim për të krijuar një atmosferë të përsëritjes dhe insistimit të thellë. Përdorimi i kësaj fraze shërben si motor, që e çon lexuesin në një udhëtim shpirtëror, në mendimet dhe ndjenjat e heroinës.  Sqarojmë se përdorimi i frazës "Kur mendoj, kur mendoj, kur mendoj" tre herë në poezi vlerësohet  një figure artistike e quajtur"përsëritje e përqendruar" ose "përsëritje e rëndësishme", figurë që përdoret në letërsi për të theksuar një ide, ndjenjë apo një temë të caktuar. Në këtë rast, përsëritja e frazës "Kur mendoj, kur mendoj , kur mendoj" përforcon rëndësinë e mendimeve dhe ndjenjave të heroinës dhe bën që lexuesi të fokusohet te një ide apo ndjenjë të veçantë e saj, duke e theksuar atë, duke e bërë të qartë rëndësinë e saj  për heroinën, e cila dëshmon angazhimin shpirtëror. Veç kësaj përdorimi i përsëritur i  frazës “Kur mendoj” i jep poezisë një ritëm dhe  harmoni në strukturën e saj dhe e bën më të përshtatshme për lexim dhe interpretim. Pra, përsëritja e frazës është një mjet artistik i fuqishëm që ndihmon në krijimin e një ndjesie të fortë për lexuesin.

Imazhi: “që në këngë nuk kanë hyrë ende dritaret" jep një përshkrim poetik të një hapësire të pazbuluar, të një momenti që ende nuk ka ardhur, një moment që ende nuk është plotësuar. Dritaret mund të interpretohen si simbol i dritës së diellit, të diellit që ndriçon dhe zbukuron dhe mos hyrja e tyre në këngë sugjeron një pritje të ngarkuar me emocion, dëshirë, dhe pasiguri. Vargu "që në këngë nuk kanë hyrë ende dritaret" përdor metaforën e "dritareve" për të shfaqur hapësirën emocionale që ende nuk është shndërruar në këngë.

Imazhi i myshkut te vargu: "që zënë myshk duke të pritur ty" përforcon ndjesinë palëvizshmërisë së dritares, të  errësirës së dhomës,  të mungesës së dritës, pasi myshkja lidhet me një mjedis të mbyllur e të lagësht. Ndërkohë, fraza" duke të pritur ty" sugjeron një shpresë apo pritje për diçka (ty) që do të vijë, por sdimë se kur dhe se në çfarë forme.

Poetja vazhdon të flasë me imazhe: " perdet e kaltra të rëna, thua prej supeve të erës, dhe sirtari i kthyer përmbys, në imitim të njeriut"  duke shfaqur peizazhe metaforike e simbolike shprehëse të ndjenjave.  Kështu, vargu: "dhe perdet e kaltra të rëna, thua prej supeve të erës" shfaq një imazh vizual të perdeve (poetja nuk harron të cilësojë ngjyrën e tyre) të kaltra që kanë rënë. "Perdet e kaltra" interpretohen si simbol i melankolisë, trishtimit ose vetmisë, ndërsa "supeve të erës" sugjeron një ndjenjë hapësire të dëshirueshme, por rastësisht  i përshtatet vetmisë dhe kombinimi i këtyre dy elementëve krijon një imazh të zymtë, ku një ndjesi e errët po përshkon atmosferën emocionale të poetes.

Te imazhi "dhe sirtari i kthyer përmbys, në imitim të njeriut" shohim një sirtar të kthyer përmbys në dysheme, i cili simbolizon një lloj kaosi ose zemërrimi në caste vetmie, një tërheqje instiktive me forcë të sirtarit të komodinës që ngjan me "Në imitim të njeriut”, imazh që shfaq imagjinimin e një njeriu të rrëzuar në një dëshpërim të madh shpirtëror , dhe që përforcon idenë e një bote të përmbysur, të vetmuar, që mund të korespondojë me gjendjen shpirtërore të heroinës.

Vargjet "Kur mendoj boshësinë e gjithë fjalëve fjalëve nga plot gjilpërëza dhe karfica,/ nga ca xhufka me hare lozonjare të ca mbulesaave të trishta," shfaqin një gamë imazhesh që interpretohen në kontekstin e një erotizmi të fshehur.

Kështu vargu :"Boshësinë e gjithë fjalëve fjalëve" paraqet një ide të zbrazëtisë, boshësisë së fjalëve, që lidhet me një dëshirë për të gjetur një formë të re të shprehjes, të plotësimit të asaj që mungon. Në kontekstin e poezisë, kjo mund të reflektojë një dëshirë për të shprehur gjëra që nuk janë thënë më parë, për të zbuluar një formë të re të intimitetit.

Imazhet:"Plot gjilpërëza dhe karfica" ndonëse të shprehura me përkëdheli paraqesin një lloj kaosi, rrëmuje, (si të rrëzuara nga ai sirtari i përmbysur) dhe përfaqësojnë një gjëndje emocionale, harrimi të fjalëve dhe mendimeve, që nuk shprehen. Në kontekstin e poezisë, këto imazhe mund të lidhen me ndjenjën e një prekjeje të butë të trupit, dhe dëshirën për një lidhje intime dhe të afërt.

"Xhufka me hare lozonjare të mbulesaave të trishta" , ku imazhi i "mbulesave të trishta" mund të interpretohet si një pamje e ngrohtë dhe intime që përshkruan një kontekst intimiteti. “Haret lozonjare” mund të përforcojnë imazhin e  një intimiteti të butë dhe të përsosur.

Këto imazhe përforcojnë një atmosferë të ngrohtë dhe intime, që mund të lidhet me një ndjenjë të fshehur të erotizmit, përhapin një pasqyrë poetike të një emocioni të thellë dhe të pazbuluar që shfaqet në poezinë e Natasha Lakos. Te vargjet: "si mund të arrij deri te goja jote e hapur, që mbledh gjithë shirat, vetëm me lëkurën, pa kërkuar gjithë shkretëtirën" shpalosin në një imazh  dëshirën për një  erotizëm të fshehur, duke përdorur metafora të fuqishme për një lidhje fizike dhe emocionale, ku:

Imazhi "Goja jote e hapur, që mbledh gjithë shirat" shpreh një dëshirë të madhe për lidhje dhe përvojë të plotë. Në kontekstin e poezisë, "Goja e hapur" përfaqëson një simbol të hapjes së plotë dhe të sinqertë ndaj tjetrit. Në këtë rast, "mbledhja e gjithë shirave" mund të kuptohet si një pranim i të gjitha gjërave, si të mira ashtu edhe të këqija, të cilat janë pjesë e një lidhjeje të thellë, duke  përcaktuar një nivel të lartë të besimit dhe të lidhjes mes dy personave. Është një shprehje e qartë e një lidhjeje të ngrohtë dhe të sinqertë, e cila përmban të gjitha aspektet e përvojës së njeriut në një mënyrë të hapur dhe të ndjeshme.

Vargu:"Vetëm me lëkurën, pa kërkuar gjithë shkretëtirën" përmban imazhe poetike të cilat mund të interpretohen në mënyra të ndryshme, varësisht nga konteksti dhe perceptimet e lexuesit, pasi shumësia e interpretimit është një nga veçoritë e poezisë moderne, që lejon shumëkuptime dhe interpretime të ndryshme sipas përvojës dhe perceptimeve të lexuesit.

Pavarësisht kësaj, fraza:"Vetëm me lëkurën" paraqet një lidhje të ngushtë fizike, një prekje të drejtpërdrejtë të ndjenjave, dëshirave, ose emocioneve. "Lëkura" ka një ndjenjë të intimitetit dhe afërsisë, dhe kjo lidhje mund të interpretohet si e thellë emocionalisht, e pasur me ndjenja e dëshira të fshehta.

Fraza:"Pa kërkuar gjithë shkretëtirën", ku "shkretëtira" mund të përfaqësojë një ambient të hapur të shkretë, ose një gjendje të paqartë, ku përdorimi i kësaj fjalie mund të shprehë një lloj aventurë, një eksplorim të pa planifikuar, ose një pranim të rrugës së papritur. Fjala "shkretëtirë" është një metaforë që përfaqëson një periudhë të vështirë, përdorimi i saj lidhur me frazën  "pa kërkuar gjithë shkretëtirën" mund të simbolizojë një qasje të jashtëzakonshme ndaj sfidave, ku poezia dësshmon se heroi është në situatë vështirësie, por po përpiqet të arrijë diçka, qoftë dhe vetëm, qoftë dhe me veten. Kjo flet për një vendosmëri që heroi poetik ka për të arritur synimet e tij.  Në përgjithësi këto vargje shfaqin  një dëshirë të madhe dhe poetja shprehë një lloj çudie dhe mrekullie në mënyrën se si ëndërron të arrijë diçka të pamundur, duke e bërë këtë ndjesi finale të poezisë, duke shprehur një optimizëm të heshtur, tipar i një vendosmërie të madhe.

 

III-Më sipër shfaqëm ndërveprimin e imazheve, simboleve e metaforave mes tyre për të krijuar poezinë. Është e natyrëshme që në procesin e krijimit poeti të mos e ketë në vemëndje këtë mënyrë ndërveprimi dhe sidomos poetja Natasha Lako, e cila krijon një poezi moderne, që flet nëpërmjet imazheve. Pikërisht te imazhet qëndron sekreti i krijimit të poezisë së saj të suksesëshme, ajo nuk rendit fjalët si lulet që mbjell në obor, sipas llojit dhe përafërisë së ngjyrave për të krijuar një figure me fidanët e tyre, ajo parafytyron imazhin poetik dhe në përputhje me atë gjen fjalën e duhur, në mos e gjettë, ajo riformaton fjalën më të afërt duke i shtuar një gërmë a diçka më shumë dhe fjala mer një tingull të ri, më të ëmbël, që i përshtatet si imazhit ashtu dhe melodicitetit poetik. Në këtë mënyrë imazhet që shprehin poezinë japin vizionin e një shtjelle ajri në lëvizje pa ndërprerje, veçse me ngjyra të ndryshme , që i përfiton gjatë kalimit të kuptimshmërisë në vargje. Mjeshtër i paarritshëm i kësaj “loje”krijimi ishte Lasgush Poradeci, i cili, veç imazhit i jipte dhe një melodicitet të ëmbël poezisë, sa që të vjen ta këndosh poezinë e tij, se recitimi diçka i humbet.

Natasha Lako jeton në planetin e poezisë, mer frymë me poezi, shikon nëpërmjet atmosferës imazhiste dhe flet për ato që shikon e përjeton në atë planet, madje i shkruan ashtu siç i sheh, prandaj ka një botë imazhiste poezia e saj. Aty tek ato imazhe është kuptimshmëria e poezisë së saj, te metafora është e folura e saj, simboli është ylli polar që duhet të shohim në botën e saj. Diku kam lexuar për një matematikan të madh indian, që numërat prim dhe veprimet e tyre i shihte si një ndërveprim ngjyrash aurore: ai gjente lehtësisht përfundimin e çdo veprimi matematikor që i shtrohej për zgjidhje, por vuante shumë t'a shtronte (matematikisht) rrugën apo fazat e veprimit, të  shkruara në letër apo dërrasë të zezë për të deklaruar zbulimin e formulës. Kështu duke mos deklaruar formulat emri i tij mbeti i panjohur në botën shkencore (vetëm një artikull ju botua ne revistën shkencore mbretërore angleze) gjersa disa vjet pas vdekjes u gjetën në Oksford (ku qëndroi një vit me bursë) fletoret e tij të shënimeve dhe u vlerësua denjësisht. Mund ta shprehim dhe me muzikën këtë process, kompozitori e krijon melodinë në mëndjen e tij, e provon në tastierat e pianos dhe e shkruan në pentagram, por pentagrami nuk është melodia. Pentagrami është vendi ku shkruhet notat e muzikës, pianoja është mjeti që prodhon tingujt sipas“urdhërit”të kompozitorit, por muzika, melodia ka lindur në shpirtin e kompozitorit shumë kohë më parë dhe aty “banon”. Kështu është procesi i krijimit poetik modern, sepse këtu bëhet fjalë për krijimin e poezisë moderne, elementët e modernitetit të së cilit janë tepër të dukshëm të poezia e Natsha Lakos.

 

IV- Në këtë poezi Lako shpalos një vizion modern e reflektiv mbi ndjenjat dhe përvojën njerëzore, duke shfrytëzuar një gjuhë të pasur dhe imazhe të forta, ajo nxjerr në dukje modernitetin poetik nëpërmjet elementëve të poezisë si: a)-Përdorimi i imazheve, simbolike dhe metaforave: "perdet e kaltra të rëna","që në këngë nuk kanë hyrë ende dritaret", "myshk duke të pritur ty”, metafora e simbole: "mbledh gjithë shirat, vetëm me lëkurën","përmbysja e sirtarit si imitim i njeriut" në të folurin poetik, duke shmnagur të shprehurin me kuptimshmëri të drejtpërdrejtë si dhe shumësia e interpretimeve, pa zbehur bukurinë estetike janë elementë të modernitetit poetik tepër të dukshëm te kjo poezi. b)-Kontrasti midis botës shpirtërores e botës reale shprehur te: "sirtari i kthyer përmbys" dhe "boshësia e fjalëve" përfaqësojnë një ndarje, pse poezia moderne përqëndrohet te bota shpirtërore e individit dhe jo te bota reale, c)-Reflektimi i realitetit bashkëkohor në shprehjen e dilemave, emocioneve dhe konflikteve të personit në mënyrë që lexuesi të identifikohet dhe të ndiejë lidhje me ato në kohën dhe kontekstin e tyre, madje duke i përjetuar si të vetat: "kur mendoj boshësinë e gjithë fjalëve","si mund të arrij deri te goja jote e hapur","pa kërkuar gjithë shkretëtirën",ç)-Përdorimi i gjuhës dhe stilit të personalizuar të poetes, eksperimentimi me forma e struktura të ndryshme, të shkëputura nga tradicionaliteti janë të pranishme në poezinë e Lakos, dhe e bëjnë atë më interesante, më dinamike dhe me shumësi mënyrash interpretimi për lexuesin, f)-Poezia shfaq lirizëm në strukturën e saj, nëpërmjet të cilit  shpreh ndjenjat dhe mendimet e poetes, gjithashtu ndihmon në përforcimin e modernitetit poetik,g)-Poezia shfaq karakteristika të fragmentimit të mendimeve dhe imazheve, gjë që sjell një strukturë të shkëputur, që përforcon ndjenjën e fragmentarizmit dhe përzjerjes së ndjenjave e mendimeve në kontekstin modern. Mund të vazhdojmë të flasim dhe për fokusin te humanizmi, optimizmin etj të cilat janë të dukëshme për lexuesin, por unë kërkoj mirëkuptimin tuaj që të shprehem për disa elementë të veçantë te kjo poezi:

-Te pika “ç” përmendëm shkëputjen nga tradicionnaliteti poetik si element i modernitetit të poezisë “Kur mendoj, kur mendoj, kur mendoj” të Natasha Lakos dhe menjëherë kujtojmë se: ambienti poetik i poezisë tradicionale  është fusha, mali, lëndina, burimi, kullota, lumi, shtëpia e vajzës, subjekt i poezisë është vajza, sytë, flokët, shtati, veshja, prindërit, vëllai, shoqet etj, por ndryshe nga ato, “ambienti dhe subjekti” i poezisë moderne është bota shpirtërore e individit, ndjenjat dhe emocionet e tij. Madje këto janë edhe kur ngjarja poetike zhvillohet në ambiente tradicionale si “dritarja” te kjo poezi, por merita e modernitetit poetik është se këto elemente (ambiente dhe objekte) tradicionale ose i shndron në sfonde poetike ose i modernizon. Në rastin tonë dritaria është objekt i artit poetik tradicional i njohur me emërtimin “penxhere”,  por Lako së pari e largon nga emërtimi tradicional “penxhere” dhe e quan “dritare”, së dyti ajo e trajton në formën: “në këngë nuk kanë hyrë ende dritaret”, ku dritarja shndrohet në diçka frymore që ka lidhje organike me këngën. “Do hyjmë në këngë” themi  duke nënkuptuar se do nisim të këndojmë, duke u bërë pjesë e grupit të këngës psh. isopolifonike. Në këtë kuptim dhe dritarja ”do hyjë në këngë” duke u shpirtëruar, duke u modernizuar kuptimshmëria e saj.

 Le ta shohim te një variant tjetër këtë fenomen moderniteti: te kënga popullore : “Krevati me bojë are/Karshi penxherres e mbaje/Rrije vështroje ca male/Dhe me to hallet i qaje”. Siç shihet kemi një vajzë, e cila në dhomën ku flinte kishte një krevat më bojë (ngjyrë) are të vendosur karshi dritares, dhe gjatë kohës që rrinte ulur (ose shtrirë), shikonte malet përkarshi dhe niste e qante hallet e saj (të vajzërisë) me ato, malet. Jo vetëm teksti, por edhe kënga që këndohet janë shumë të bukura. Ju siguroj unë që dhe fotografia (apo piktura) e kësaj pamjeje është shumë e bukur, por problemi qëndron pikërisht te fakti se:pamja është fotografike. Para dritares së vajzës ka kaluar një djalë dhe ka fiksuar këtë pamje plot brenga vajzërore në formën e një fotografimi në kujtesën e tij, madje më pas ëdhë këngën e ka  shprehur në një formë fotografimi. Vërejeni vetë, në këngë nuk flet as vajza dhe ca më pak ndjenjat e saj, është djali ai që flet. Ndërsa te poezia e Natasha Lakos “flasin” ndjenjat, emocionet e heroi(nës)t, nuk flet as Natasha e jo më të flasë ndonjë “kalimtar” i rastit, si te kënga e mësipërme popullore. Këtu ndryshon poezia moderne nga arti tradiciona, romantik apo klasik. Poetja mund ta linte penxheren si një sfond tradicional në poezinë e saj moderne, por jo, ajo e modernizon edhe penxheren, së pari duke e larguar nga tradicionaliteti disi, duke e quajtur dritare dhe së dyti duke e shpirtëruar për tu futur në këngë. Është i njejti objekt në të dy krijimet, por tërësisht i ndryshëm poetikisht.

Le të kthehemi te poezia e Lakos: Xhufkat dhe mbulesat janë asete të artit gojor (xhufkat më dukshëm), por në formën se si e jep poetja, duke i personifikuar: ”xhufka me hare lozonjare të ca mbulesave të trishta”ato shprehin ndjenja, xhufkat kanë hare dhe janë lozonjare si vajzat e vogëla, ndërsa mbulesat janë të trishtuara si gra të veja. Sa e thjeshtë duket e shpjeguar në këtë mënyrë, por unë ju them se është talenti i poetes, përvoja jetësore dhe bota intelektuale e saj që këto shndrime kaq të ndërlikuara i bën të shprehen kaq thjeshtë dhe plot ngjyra jete. Unë jam i bindur që pas këtyre radhëve edhe ju i shikoni xhufkat si vajza të vogëla plot hare (sepse tunden si në kolovajzë) ndërsa mbulesat si gra të trishtuara.

-Veçse është një poezi moderne,poezia "Kur mendoj, kur mendoj, kur mendoj" Lakos shfaq elemente të rrymave ekspresioniste dhe magjike me përdorimin e  imazheve, fragmentimit dhe reflektimit të botës së brendshme. Këto elemente jo vetëm që përforcojnë modernitetin poetik, por i japin atij një dimension të veçantë. Për ti parë këto elemente duhet të kuptojmë se: ekspresionizmi në poezinë moderne është rrymë letrare që përdor emocionet, perceptimet dhe përvojat personale të poetit për të shprehur kompleksitetin dhe thellësinë e jetës njerëzore.Ai u bë e njohur në fillim të shekullit të 20-të, dhe karakterizohet nga një shprehje emocionale, simbolizmi i thellë, përdorimi i imazheve, i kontrasteve, shfaqja e konfliktit të brendshëm dhe shpalosja e një kritike sociale (e politike) nëpërmjet poezisë. Kështu: përdorimi i imazheve për të shfaqur gjendjen e brendshme shpirtërore të poetes, si: "dritaret" , "myshku", dhe "perdet e kaltra të rëna", që simbolizojnë ndjenjat e errësimit dhe vetmisë, fragmentimi i mendimeve e imazheve, duke krijuar një atmosferë të izoluar dhe të ngarkuar emocionalisht, karakterizojnë tipare dhe element të rrymës ekspresioniste në këtë poezi moderne të Lakos.

Elementet magjike te kjo poezi shfaqen te përdorimi i imazheve (magjike) për të shprehur përvojën e botës së brendshme, si "sirtari i kthyer përmbys, në imitim të njeriut", që shfaq një realitet të kundërt me rregullat e zakonshme të botës së perceptuar. Shfaqen gjithashtu te krijimi i një atmosfere magjike dhe mistike nëpërmjet përdorimit të imazheve si "hare lozonjare" dhe "mbulesa të trishta", që japin ndjesi të veçantë dhe të pazakonëshme për lexuesin. Po ashtu, imazhet e dritareve që ende nuk kanë hyrë në këngë, myshku dhe perdet e rëna, sirtari i kthyer përmbys, paraqessin një atmosferë mistike e magjike , element dhe tipar i rrymën magjike.

Sigurisht që dhe në këtë rast (të ekspresionizmit dhe mistiçizmit) poetja nuk ka kërkuar me insistim përfshirjen në poezi të elementëve të tyre, pasi nuk ishte e nevojëshme për atë, pasi vetë moderniteti poetik i pranon natyrshëm ato. Për ta shpjeguar këtë po sjellim një situatë: për një çast mendojmë se poetja po ecën shpengueshëm në një trëndafilishte dhe dorën e kalon lehtazi mbi petalet e porsaçelura,  kur del prej saj, befas ndjen se në duar dhe në mëngë rrobash i janë ulur disa bletë. Sigurisht që bletët nuk synojnë ta pickojnë poeten, ato kanë ardhur të marrin nektarin e luleve që ka mbetur në duart e robat e saj. Poetja vetë nuk është e ndërgjegjëshme specifikisht për nektarin e luleve mbetur në roba, pavarësisht se ndjen aromën e trëndafilave që e ka marrë me vete. Jemi ne lexuesit (dhe studiuesit) që si bletët, vijmë të marim nektarin te kjo poezi, që në hojet studimore të sigurojmë “mjaltin poetik”.

-Ka dhe një element që duhet ta shohim te poezia “Kur mendoj, kur mendoj, kur mendoj" të Natasha Lakos  dhe ky është muzikalitetit i poezisë, që përfshin vlerësimin e elementeve si ritmi, rima, arti gjuhësor dhe harmonia. Në poezinë "Kur mendoj, kur mendoj, kur mendoj" të Natasha Lakos, mund të shohim disa elemente që kontribuojnë në muzikalitet:

Ritmi në poezi është i  veçantë, i përcaktuar nga përsëritja e frazës"Kur mendoj"  tri herë në titull dhe në vargun e parë,përdorimi i strukturave ritmike në vargje , duke krijuar një lëvizje të përsëritur dhe një lloj harmonie të brendshme që sjell një melodicitet ritmik. Po kështu,struktura e vargjeve të shkurtra dhe të përsëritura, ndihmon në krijimin e një harmonie dhe ritmi të përgjithshëm, ku përdorimi i frazës "Kur mendoj" tri herë, krijon një efekt monotonie, por një monotoni karakteristikë e një melodie ritmike.

Gjuha dhe arti gjuhësor, me përdorimin e fjalëve me tinguj të përsëritur e ritmik, si "m", "d", "k", ka një ndikim pozitiv në muzikalitetin poetik, përdorimi i imazheve dhe metaforave krijon gjithashtu një lloj simfonie gjuhësore në këtë poezi.

Poezia ka një tonalitet të përgjithshme emocional dhe një melodi të fshehur në fjalë. Është pikërisht  ndjenja e thellë e dashurisë dhe e reflektimit që krijon një tonalitet, i cili mund të krahasohet me një melodi tronditëse.

Këto tipare, struktura dhe element moderniteti poetik e bëjnë poezinë “Kur mendoj, kur m,endoj, kur mendoj” një poezi sipërore, e pa shfaqur deri më sot në letërsinë shqipe, duke dëshmuar me këtë krijim talentin e madh të poetes Natasha Lako.

Sarandë, fund shkurti 2024

 

 

 

 

 

 

Natasha Lako

Kur mendoj, kur mendoj, kur mendoj.

 

Kur mendoj, kur mendoj, kur mendoj,

që në këngë nuk kanë hyrë ende dritaret,

që zënë myshk duke të pritur ty

dhe perdet e kaltra të rëna, thua prej supeve të erës,

dhe sirtari I kthyer përmbys, në imitim të njeriut,

kur mendoj boshësinë e gjithë fjalëve fjalëve nga plot gjilpërëza dhe

karfica,

nga ca xhufka me hare lozonjare të ca mbulesaave të trishta,

si mund të arrij deri te goja jote e hapur, që mbledh gjithë shirat,

vetëm me lëkurën, pa kërkuar gjithë shkretëtirën.

 

f.8

 

Sunday, 18 February 2024

 

Timo Mërkuri

NUMËRAT E DASHURISË TË MUSA RAMADANIT

 

Kemi folur për poezinë e poetit  Musa Ramadani dhe qasjen e saj me  rrymën abstrakte në poezinë moderne, por njohja me poezinë e tij “Dashuria nëpër numra vizuelë” ishte pëër mua një befasi më vete, pasi kjo poezi eksploron ndjenjat e dashurisë përmes një strukture numerologjike, ose e thënë ndryshe shpreh udhëtimin e dashurisë nëpërmjet numrave, duke përdorur ata si simbole dhe metafora për të shfaqur ndryshimin dhe zhvillimin e marrëdhënies së dashurisë. Kuptimshmëria e numërave në këtë poezi të Ramadanit realizohet nëpërmjet një lloji të simbolizmit numerik dhe ndjekjes së një rregulli ose parimi të përdorimit të tyre nëpër kontekstin e dashurisë. Kështu ndërsa poeti fillon me numërin zero dhe vazhdon me numra që rriten progresivisht (1, 2, 3, 4, 5...). është pikërisht kjo rritje graduale që simbolizon një evoluim ose rritje në ndjenjat dhe përvojat e dashurisë, ku çdo numër ka një kuptim të veçantë në kontekstin e poezisë. Psh., zero përfaqëson fillimin e gjërave, një boshllëk potencial ku lind, fillon dashuria, ndërsa numri pesë (5) simbolizon një fazë të rëndësishme të transformimit dhe zhvillimit të dashurisë. Po kështu numrat që përsëriten në poezi ose janë të lidhur me njëri-tjetrin në një mënyrë simbolike, psh rrotullimi midis numrave gjashtë dhe nëntë (6 dhe 9) mund të simbolizojë një lloj ciklit të pafundëm të dashurisë, një lëvizje që nuk ka fillim e as fund. Çdo numër përshfaq një fazë të ndryshme ose një aspekt të dashurisë, duke e bërë kështu poezinë të pasur me metafora dhe simbole që rrisin ndjeshmërinë dhe kuptimshmërinë e saj. Të kuptohemi, në studimin e poezisë dhe simbolikës së numrave, nuk ka një rregull apo teori që zbatohet në mënyrë absolute për të interpretuar kuptimin e tyre. Megjithatë, ka disa shpjegime dhe koncepte të cilat janë përdorur për të kuptuar rëndësinë e numrave në kontekstin e poezisë dhe letërsisë në përgjithësi:

Kështu, duke patur edhe ndihmën e numërologjisë, e cila është një praktikë e vjetër që përdor numrat për të zbuluar kuptimin e përvojave dhe nddjenjave njerëzore, ku çdo numër ka një kuptim të veçantë dhe mund të interpretohet në kontekstin e një personi apo një ngjarjeje të caktuar, në letërsi, numrat përdoren si simbole për të shprehur ide, ngjarje, ose për të theksuar karakteristikat e personazheve apo situatave, psh, numri tre mund të paraqesë një unitet, ndërsa numri shtatë mund të përfaqësojë perfeksionin ose transcendencën. Sigurisht që kuptimi i numërave mund të ndryshojë në varësi të kontekstit kulturor dhe histori, psh., në kulturën perëndimore, numri 13 mund të konsiderohet si një numër i terc, sjell fatkeqësi ndërsa në kulturat e tjera, ai mund të ketë një kuptim të ndryshëm. Pavarësisht këtyre, interpretimi i numrave në poezi mund të jetë i ndryshëm nga lexuesit në varësi të perceptimeve të tyre personale, përvojave dhe kulturës nga vijnë, pavarësisht se ka disa rregulla dhe koncepte themelore për interpretimin e numrave në poezi dhe letërsi.

Përfundimisht  “numerologjia” që shfaqet në poezinë "Dashuria nëpër numra vizuelë" nga poeti Musa Ramadani nuk është e pakuptimtme, veçse ka të bëjë me përdorimin e numrave si simbole dhe metafora për të shprehur ndjenjat dhe përvojat e dashurisë në një mënyrë të fuqishme dhe simbolike.

 

I-Në strukturën e kësaj poezie, numrat shërbejnë si simbole që përfaqësojnë fazat e ndryshimit dhe evoluimit të dashurisë dhe të zgjerimit të hapësirës së ndjenjave e ndërgjegjësimin në tekst, ku përkthimi e interpretimi i tyre si simbole dashurie krijojmë kuptimshmërinë e re, që në këtë poezi, në kontekstin e dashurisë i përafrohet interpretimit se:

Numëri “Zero”si fillim përfaqëson nisjen, fillesën e gjërave, një hapësirë boshe, ku lind, krijohet, formohet dashuria, është fillimi i udhëtimit të dashurisë.

Njëshi (1) në këtë kontekst, përfaqëson fillimin e individit, ndarjen nga bota e të pavarurit, por edhe ndjenjat e para të dashurisë. Vargu "Dashuria lëvarej në Njësh tek ngrihesha mbi kërryle" është një imazh poetik dhe metaforik që paraqet një gjendje emocionale apo një eksperiencë njerëzore në mënyrë shumë e bukur dhe simbolike. Fjala "Njësh" mund të përfaqësojë një ndjenjë të unitetit dhe të  qenit të tërësishëm, ndërsa "ngrihesha mbi kërryle" mund të simbolizojë ngritjen, progresin dhe zhvillimin e një personi në marrëdhënien e dashurisë, duke sjellur imazhin e një personi që rritet dhe zhvillohet nëpërmjet dashurisë.

 “Dyshi” përfaqson një lidhje përtnerësh, kur dashuria fillon të pjestohet në dy veta dhe të formohet në mënyrë më komplekse. Nqse “treshi” paraqet rritjen e marrëdhënies, dy gjysmëharqet e tij sugjerojnë konfliktet dhe sfidat që përjetojnë partnerët në një marrëdhënie.

Në numrin “katër” lindin tre "L" vizualisht si shkronja "L", të cilat përfaqësojnë lidhjen, lëvizjen, dhe lirinë, ndërsa vargu "Dashuria ime në Pessh u lakua e u përthye si ashti" është një imazh metaforik që shfaq  transformimin e ndjenjave të dashurisë në një gjendje tjetër, të ndryshme, pasi numri pesë simbolizon një moment tranzicioni, një ndryshim ose fazë të re në marrëdhënien e dashurisë, pasi është një numër që sjell lëvizje dhe ndryshim.

Ndërmjet gjashtës (6) dhe nëntës (9), dashuria rrotullohet, pra paraqitet si një lëvizje rrethore (të 6 të kthyer në 9) që tregon kompleksitetin dhe ndryshimin  konstant të ndjenjave. Në poezinë "Dashuria nëpër numra vizuelë", rrotullimi i numrave është simbol i ndryshimit dhe paqëndrueshmërisë në marrëdhënie. Numrat 6 dhe 9 rrotullohen dhe vërtiten, duke paraqitur një ndjenjë të pafundme të lëvizjes dhe ndryshimit të ndjenjave. Në simbolikën numerike, numri nëntë është i lidhur me përfundimin, plotësimin dhe përsosmërinë, në kontekstin e poezisë, numri nëntë mund të paraqesë një fazë përfundimtare të marrëdhënies, një moment kur gjithçka bëhet e qartë dhe plotësohet.

Shtata (7): sjell një vijë e cila mund të interpretohet si një lidhje e përhershme midis dy të dashuruarve, një lidhje që do të mbetet në kujtesën e tyre.

Teta (8): me dy rrathët e mbyllur mund të paraqesë një unitet të plotë, një lidhje të përhershme që nuk ka fillim e as fund.

Dhe dhjeta (10) është përfundimi i një cikli, një fillim i ri që tregon përfundimin e një periudhe të dashurisë, por edhe fillimin e një tjetre.

Duke patur parasysh se numerat në matematikë fillojnë me zero dhe vazhdojnë në pafundësi, përfshirë dhe numrat negative që vijnë nga pafundëesia dhe shkojnë në pafundësi,  kur flasim për numrin dhjetë, nuk duhet të themi se ai na çon në zero në kuptimin e drejtpërdrejtë të numrit në matematikë. Në kontekstin e poezisë dhe përdorimit metaforik të numrave, numri dhjetë mund të simbolizojë një kthesë, një fillim të ri,(pse përbëhet nga 1 dhe 0, interpretimin e të cilëve e pamë më sipër) pra nuk  i referohen drejtpërdrejtë zero-s matema-tikore. Në poezi, numri dhjetë mund të përfaqësojë një pikë kritike, një moment transformimi, ose një fazë të rëndësishme në zhvillimin e një marrëdhënieje apo një historie.

Pra, edhe pse në matematikë numri dhjetë nuk na çon drejtpërdrejtë në zero, në poezi, ai ka një kuptim simbolik dhe metaforik që përfaqëson një ndryshim, një fillim të ri, një fazë të re në kontekstin e historisë së poezisë. Ky është një aspekt i rëndësishëm për të kuptuar më saktësisht përdorimin e numrave në kontekstin  letrar dhe metaforik të poezisë. Në këtë kontekst, numrat nëntë dhe dhjetë janë simbole që shprehin  përfundimin e një faze të marrëdhënies dhe fillimin e një cikli të ri. Ata kontribuojnë në rrugën e përkryer dhe të plotësimit të marrëdhënies së dashurisë, duke shtuar hapësirë dhe përmbajtje në poezinë "Dashuria nëpër numra vizuelë".

Vlen të theksojmë jashtë numërave  se: "Kënga e mjellmës" te vargu:“Atëherë zu të këndonte Këngën e mjellmës Dashuria” është një metaforë për harmoninë dhe kënaqësinë që sjell dashuria. Është shfaqur si një imazh i bukur dhe i gëzueshëm që shfaq ndjenjat e plotësisë dhe lumturisë që vijnë me një marrëdhënie të qëndrueshme dhe të harmonishme dhe simbolizon një lloj përqafimi apo pranimi të sinqertë të dashurisë në të gjitha format e saj. Është si një thirrje që shpreh thelbin e ndjenjave të sinqerta e të përjetshme të dashurisë.

Referimi te pleqëria te vargu:” Dashuria ime gulçonte pleqërisht” simbolizon një maturi të dhimbshme ose një perspektivë të ndryshuar mbi dashurinë, ndoshta një kujtesë e herëshme që mbetet e gjallë në kujtesën e autorit.

Interesant është vargu: "Dashuria hyri në Dhjetsh me 1 të vogël 0 të madhe" e cila është një shprehje simbolike që paraqet një moment final në udhëtimin e dashurisë. Shprehja në vetvete ka një karakter metaforik, ndërsa përmasat e numrave (1) dhe (0) e vogël dhe e madhe përdoren për të paraqitur disa koncepte thelbësore të dashurisë dhe përvojës së saj, ku:

Shprehja:"1 të vogël" paraqet numrin (1) si diçka e vogël, e pakët dhe mund të interpretohet si një fillim modest, një fillim i vogël në raport me gjithësinë e dhjetës, por gjithashtu mund të përfaqësojë një fillim të vogël, një hap të vogël drejt misterit dhe thellësive të dashurisë.

Shprehja:"0 të madhe"paraqet numrin (0) si diçka e madhe dhe e plotë, ku numri zero është simbol i boshllëkut dhe potencialit të pafundëm. Në këtë kontekst, zero përfaqëson një përmasë të madhe, një potencial të plotë për të filluar një udhëtim të ri, një fillim me madhështi dhe fuqi, që ka mundësinë për të krijuar gjithçka.

Për shkak të këtyre konotacioneve dhe simbolikave të fjalëve "i vogël" dhe "i madh", përdorimi i tyre paraqet një moment të fillimit të dashurisë, një moment modest por plotësisht të mbushur me potencial dhe mundësi të mëdha për zhvillim dhe rritje. Bashkimi i tyre në kontekstin e "Dhjetësh-it" nënvizon një fillim të përsosur dhe të gjallë për një udhëtim të madh dhe të pasur emocional.

Kthimi në Zero dhe Një te vargu :” mes Zeros e Njëshit” mund të interpretohet si një cikël i fillimit e mbarimit, duke theksuar që dashuria fillon dhe mbaron gjithmonë, por në çdo fillim ka një potencial të ri.

Si përfundim mund të themi se poezia e Musa Ramadani përmes përdorimit të simboleve numerike, paraqet rrugëtimin e dashurisë si një udhëtim që nis nga një pikë boshe (moment i rastësishëm) dhe evoluon nëpër ndryshime, sfida dhe përjetime të ndryshme, duke përfunduar në një cikël të pafundëm që rifillon me çdo moment të ri dhe përjeton një lloj  përjetshmërie në kujtesën dhe përvojën e personit. Duhet të theksojmë se interpretimi i numërave dhe

kuptimshmërisë së vargjevë nuk është statike por  ndryshon sipas lexuesit, kulturës dhe këndvështrimit të tij.

 

II- Numrat që përdor Musa Ramadani në poezinë "Dashuria nëpër numra vizuelë" janë simbole, pasi përfaqësojnë një ide, koncept, apo realitet të caktuar.  Në kulturën tonë, numrat kanë kuptime të veçanta dhe simbolizojnë ndryshme  psh., numri një mund të përfaqësojë fillimin, ndërsa numri shtatë mund të përfaqësojë fatin e mirë. Këto simbole dhe kuptime përforcojnë mesazhin e poezisë, ku numrat në tërësi përfaqësojnë një gamë të gjerë idesh dhe përvojash në lidhje me dashurinë dhe jetën. Duhet të kuptojmë  se në këtë poezi numrat përfaqësojnë koncepte të përgjithshme, jo të veçanta dhe përdoren për të paraqitur procesin e zhvillimit dhe transformimit të dashurisë.

Ndërkohë që në këtë poezi numrat janë simbole, ata përdoren metaforikisht ku shërbejnë për të shprehur përvojat dhe ndjenjat që ndodhin e trasformohen  nëpër kohë dhe në udhëtimin e dashurisë në mënyra, që fjalët konvencionale nuk mund të bëjnë. Në poezi, numrat përfaqësojnë ndryshime dhe zhvillime në marrëdhënien e dashurisë, psh., nisja nga zero shpreh fillimin e një marrëdhë-nieje të pastër dhe të paformësuar dhe me kalimin e kohës, numrat rriten e transformohen, tregojnë maturimin dhe ndryshimet në raportin e dashurisë. Le ti paraqesim me pasazhe vargjesh idetë që shprehëm më sipër:

Te vargu:"Dashuria lëvarej në Njësh tek ngrihesha mbi kërryle", simboli është numri "Njësh" që përfaqëson fillimin dhe përpjekjet e para në një marrëdhënie dashurie, ndërkohë  metafora: "Lëvarja" e dashurisë është  një imazh i lirë dhe i lehtë, që sugjeron fillimin e një rrugëtimi emocional dhe romantik.

Te vargu:"Dashuria u kthye në Tresh mes dy gjysmëharqesh", numri "Tresh" simbolizon unitetin e harmoninë,  "dy gjysmëharqet" mund të përfaqësojnë dy individe që përpiqen të pajtojnë ndjenjat e tyre, ndërkohë që metafora: Kthimi i dashurisë në "Tresh" paraqet një fazë ku ndjenjat bëhen më të qëndrueshme dhe të plotësuara në një lidhje, mirëpodashuria që kthehet në Tresh" paraqet një imazh ashtu si dhe"dy gjysmëharqet".

"Ndërmjet 6 dhe 9 rrotullohej e vërtitej Dashuria" shkruan poeti me simbolet e numërave të kundërt ( gjashtë dhe nëntë), por këtë e shpreh metaforikisht: “rrotullohej e vërtitej Dashuria”.

 

III-Poezia "Dashuria nëpër numra vizuelë" e poetit Musa Ramadani përkthehet si një përfaqësim i rrymës moderne poezi, pasi  shfaq karakteristikat e modernitetit poetik për arsyen se:

Poezia eksperimenton me formën dhe strukturën, duke përdorur numra si një mjet për të organizuar dhe paraqitur përvojat dhe ndjenjat e dashurisë në një mënyrë innovative, psh."Dashuria hyri në Dhjetsh me 1 të vogël 0 të madhe"ku eksperimenti me strukturën, është një tipar i rëndësishëm i poezisë moderne.

Numrat në poezi përdoren metaforikisht për të shprehur ndjenjat dhe përvojat e dashurisë përveçse si simbole, dhe përdorimi i simbolizmit e metaforës është një nga karakteristikat kryesore të poezisë moderne, pse e  bën më komplekse dhe më thelbësore në interpretim.

Poezia shfaqet si lëvizje larg formave tradicionale të poezisë pse përqëndrohet në eksperimentimin me formën, strukturën dhe përmbajtjen.

Poezia shfaq një nivel të lartë të ekspresionizmit, duke përdorur imazhe dhe simbole të forta për të shprehur ndjenjat dhe përvojat e thella njerëzore: "Dashuria lëvarej në Njësh tek ngrihesha mbi kërryle".

Përdor abstraksionin dhe simbolizmin për të shprehur mendime, ndjenja dhe emocione, që janë përtej realitetit fizik, duke krijuar një atmosferë poetike dhe metafizike psh."Dashuria në Shtatsh fitoi një vijë mu në trup po".

Përdorimi i imazheve të pasura dhe të ngjashme me vizionet është një element i theksuar i modernitetit poetik në këtë poezi. Poeti spërdor imazhe të arira për të krijuar një kuptim përvojë intensive poetike psh: "Dashuria ime në Pessh u lakua e u përthye si ashti"

Janë këto elemente që e rendisin poezinë"Dashuria nëpër numra vizuelë" në kontekstin e rrymës moderne në poezi. Ajo ndjek një qasje të lirë dhe inovative ndaj formës dhe përmbajtjes, duke e bërë atë një përfaqësuese të larmishme të poezisë së shekullit të 20-të dhe të poezisë bashkëkohore në përgjithësi.

 

IV- Duhet të specifikojmë se përdorimi i kuptimit të numërave në poezinë "Dashuria nëpër numra vizelë"  të Musa Ramadanit ka një qasje më shumë me rrymën e poezisë moderne që përdor abstraktin për të shprehur ndjenja dhe ide. Në këtë rast, numërat përdoren si simbole dhe metafora për të shfaqur marrëdhënien e dashurisë dhe ndryshimet që përjeton ajo. Kjo nuk është një qasje e zakonshme në poezi, por është një stil i veçantë që shpesh përdoret për të shprehur emocione dhe përvoja në një mënyrë që shmang shprehjen e drejtëpërdrejtë  dhe kuptimshmërinë e thjeshtë.

Përdorimi i numerave në poezi mund të quhet si një formë e poezisë simbolike, ku numrat përfaqësojnë ide dhe ndjenja në mënyrë të koduar, ndërsa shprehja e tyre metaforikisht e shpie poezinë në shtegun metaforik. Kjo qasje e poezisë shtron lexuesin për të gjetur kuptime të thella nëpërmjet simboleve dhe metaforave, duke e bërë atë më shumë se thjesht një rrëfim linear, prandaj stili i përdorimit të numërave në këtë poezi të Ramadanit mund të shihet si një formë e poezisë moderne e rrymës abstrakte, që shpreh ndjenjat dhe idetë në një mënyrë që lë shumë hapësirë për interpretim. Përdorimi i numerave ka një qasje abstrakte, duke i përdorur ata si simbole që përfaqësojnë ndjenjat, përvojat dhe rrugën e ndryshueshme të marrëdhënies së dashurisë. Në këtë mënyrë, poezia shfaq një lloj lirizmi dhe transparence, duke lejuar lexuesin të përcjellë një përvojë të re shpirtërore.

Prandaj, ky stil poezie mund të konsiderohet si një mënyrë e re dhe inovative për të shprehur ndjenjat dhe përvojat njerëzore në mënyrë  të ndjeshme, ai sjell një dimension shtesë dhe kompleksitet në poezinë moderne.

Realisht përdorimi i numerave në poezinë "Dashuria nëpër numra vizuelë" shërben edhe si mënyrë për të krijuar ndjenjën e misterit poetik, duke e bërë atë më intriguese dhe tërheqëse për lexuesin. Misteri qëndron në faktin se numrat përdoren si shenja të koduara që kërkojnë të dekodohen dhe të interpretohen, duke e lënë hapësirë për shumëllojshmëri kuptimesh dhe interpretimesh. Kështu, përdorimi i numerave shtron një sfidë për lexuesin për të kuptuar dhe për të lidhur pjesët e ndryshme të poezisë në një pikturë të plotë. Kjo mund të interpretohet si një thirrje për të eksploruar ghjeografinë e marrëdhënies së dashurisë dhe për të zbuluar kuptime të reja që mund të qëndrojnë pas pamjes së jashtëme të poezisë dhe jo për të zbërthyer misticizimin poetik, të cilin realisht Ramadani nuk e ka si qëllim.

 

V-Ndoshta dhe për këtë arsye poezinë "Dashuria nëpër numra vizuelë" të Musa Ramadani duhet ta shohim në dimensionet që interpretohen nga një perspektivë filozofike, pasi shfaq elemente që mund të lidhen me temat dhe aspektet filozofike, duke reflektuar përvojën dhe kuptimin e dashurisë në një mënyrë ndryshe.

Në këtë poezi, numrat dhe ndryshimet që paraqiten përfaqësojnë një rrugë të pashmangshme të ndryshimit dhe zhvillimit e cila mund të interpretohet në dritën e filozofisë eksistenciale, ku jeta dhe marrëdhëniet shpesh shihen si një udhëtim i pashmangshëm dhe i paqëndrueshëm.

Në përdorimin e numrave poezia ka një aspekt të njësimit,  pajtimit ku përmes rrugës së ndryshimit e rrotullimit të numrave, mund të shihet një përfaqësim i procesit të njësimit e pajtimit me veten dhe me të tjerët (jo vetëm partnerin), një temë që shpesh luhet në fushën e filozofisë.

Numrat dhe struktura e tyre në poezi mund të interpretohen në dritën e kohës dhe eksperiencës njerëzore. Ajo paraqet një rrugë të kohës, me fillimin dhe përfundimin e një marrëdhënieje, duke reflektuar mbi përvojat dhe ndryshimet që na formojnë në kohë.

Në filozofi, numrat (shpesh) janë parë si simbole të strukturës së realitetit dhe të kuptimit të tij, ndaj përdorimi i tyre në poezi mund të interpretohet si një përfaqësim i kësaj ideje, duke sugjeruar se ka një rregull dhe një harmoni në strukturën e dashurisë dhe marrëdhënies njerëzore.

Këto aspekte filozofike e bëjnë poezinë më shumë se thjeshtë një  rrëfim poetik; ajo e çon lexuesin në një udhëtim reflektimi dhe përmbysjeje të kuptimit të marrëdhënies njerëzore dhe të gjerësisë së ndjenjave që ajo sjell

 

VI-Kam folur për modernitetin e poezisë së poetëve kosovarë dhe për figuracionin e tyre “të mbyllur” në zbërthyeshmërinë e tij nga censura për tu shpëtuar “rrufeve zeusiane”, por në rastin e kësaj poezie të Ramadanit “arsyeja” nuk duhet kërkuar te shmangia nga censura. Arsyeja e vërtetë e këtij stili poetik, ku në modernitetin e së cilës gërshetohen simbolizmi, metaforizmi, imazhizmi dhe abstraktia duhet kërkuar te synimi i autorit për ti ngritur krijimet e tij në një kuotë sa më të lartë, për tu dhënë vargjeve kuptimshmëri dhe interpretim sa më të gjerë dhe bashkëkohor europian. Poezia është shkruar në vitin 1993 dhe do ishte e natyrëshme që të shkruante për një temë revolte (psh) në këtë stil për tju shmangur censurës, por vetë tema dhe mënyra e trajtimit të saj shpalos qëllimin që i ka vënë vetes autori për të krijuar një poezi të rrafshit europian, duke dhënë sinjalin se në këtë vend (Kosovë) në këtë kohë, poezia është e kuotave europiane. E parë në këtë aspekt kuptohet, ndjehet dhe ngjall krenari kjo poezi. Poetët janë të parët që arrijnë në botë të re.

 

Sarandë, më shkurt 2024

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Musa Ramadani

DASHURIA NËPËR NUMRA VIZUELË

Fillimisht isha një Zero ku banonte Dashuria

Dashuria lëvarej në Njësh tek ngrihesha mbi kërryle

Pastaj u bëra Dysh e në mua u pjesëtua Dashuria

Dashuria u kthye në Tresh mes dy gjysmëharqesh

Kur arrita në Katërsh lindën tri “L” nga Dashuria

Dashuria ime në Pessh u lakua e u përthye si ashti

Ndërmjet 6 dhe 9 rrotullohej e vërtitej Dashuria

Dashuria në Shtatsh fitoi një vijë mu në trup po

Në numrin Tetsh u mbyllën dy rrathët e Dashurisë

Dashuria hyri në Dhjetsh me 1 të vogël 0 të madhe

Atëherë zu të këndonte Këngën e mjellmës Dashuria

Dashuria ime gulçonte pleqërisht mes Zeros e Njëshit

 

/Mars 1993/